
Nga Astrit Lulushi/
Eseja e Montaignes “On Vanity” është, siç Montaigne e përshkruan, “një shoshë idesh”. Ai pranon se shpesh titujt e eseve të tij kanë shumë pak të bëjnë me përmbajtjen. Por ai e di se çfarë shkruan, është detyra e lexuesit për ta ndjekur: “është lexuesi i pavëmendshëm që humb subjektin, jo unë”. Vanity, si në “e padobishme, e pavlefshme, e kotë”, është indirekt tema e esesë. Montaigne përpiqet t’i japë vlerë kotësisë, nëse ajo siguron kënaqësinë. Një pjesë e mirë e esesë ka të bëjë me udhëtimin për të lënë qytetin e lindjes. Ai e arsyeton largimin e tij nga akuzat e kota me përfitimet e panumërta që sjell udhëtimi. Ndryshimi është kënaqësi, plus kjo është një ikje nga punët e tij të përditshme Udhëtimi është gjithashtu një mënyrë për t’i shpëtuar një klime politike shfrëzuese a shtypëse. Është gjithashtu një ikje e madhe nga gruaja e tij: “Gjithkush e di se duke parë njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës nuk mund të ofrojë të njëjtën kënaqësi që jepet duke u larguar dhe duke u bashkuar” – me fjalë të tjera, mungesa e bën zemrën të rritet. Udhëtimi nuk bën dëm, veç në portofol. Dhe nëse keni fat të mirë për të qenë në gjendje të vizitoni shtëpinë e dikujt tjetër ku jeni mik i nderuar dhe ata duhet të bëjnë të gjithë punën e drejtimit të familjes, aq më mirë! Montaigne shkruan, se “kur u pyet se çfarë lloj vere preferonte, Diogjeni u përgjigj:”Verën e dikujt tjetër.” Natyrisht, udhëtimi është një përvojë e pasur. Dhe udhëtimi për hir të udhëtimit është i kënaqshëm. Montaigne gjithashtu shpreson të vdesë, larg shtëpisë. Vdekja është një gjë e vetmuar dhe të kesh njerëz përreth është vetëm një largim vemendje nga ngjarja e madhe. Plus duhet t’i ngushëlloni dhe t’u thoni atyre se gjithçka është e mrekullueshme. Përveç kësaj, Montaigne thotë se “vdekja nuk është një nga angazhimet tona shoqërore: vdekja është skenar vetëm me një karakter”. Montaigne pranon të jetë dembel, dhe mbi të gjitha dëshiron të jetë “indiferent.” Ai thotë se mund të jetojë i varur nga dikush për aq kohë sa të bëhet i lirë dhe pa detyrime. Ndonjëherë ai “ndien disa tundime të ambicieve , por i kundërshton ato dhe përfundimisht kjo ndjenjë i ikën. Ka shumë në këtë ese rreth shkrimit dhe arsyeve të Montaignes për të shkruar. Ai është mjaft nënvlerësues i vetes, gjë që të bën të qeshësh kur e lexon. Në fillim vëren, se “të shkruarit duket se është një nga simptomat e moshës së kaluar”, dhe shton se “hidhërimi i të mos-shkruarit vjen nga të gjithë ata që vuajnë nga thirrja për të shkruar dhe nuk shkruajnë. Secili prej nesh kontribuon në korruptimin e kohës: disa kontribuojnë me tradhtitë, të tjerët me padrejtësitë, mosbesimin, tiraninë, ata më të dobët si unë kontribuojnë në turbullirë, dhe kotësi”. Më tej në ese, Montaigne flet mbi sasinë e librave që janë botuar dhe pyet pse janë “librat më të këqij që hynë në listën e librave më të shitur?” Diçka që shumë lexues dhe shkrimtarë ende pyesin sot.