• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

VESELI, TAKIM ME NANCY PELOSI DHE ELIOT ENGEL

July 17, 2019 by dgreca

Kryetarja e Kongresit Amerikan ia konfirmon Veselit përkrahjen për Kosovën në të gjitha proceset/

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës që po zhvillon në SHBA, ka pasur një takim të veçantë me Kryetaren e Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi.Në këtë takim miqësor, Kryetarja e Kongresit Amerikan i ka konfirmuar Kryeparlamentarit Veseli përkrahjen e palëkundur amerikane për Kosovën.Ajo u zotua se do të jetë gjithmonë në përkrahje të Kosovës dhe theksoi se Kosova mund të llogaris në ndihmën e saj dhe të Kongresit Amerikan. “Amerika do të jetë përkrah Kosovës dhe do të ju mbështes gjithmonë”, i tha Zonja Pelosi Kryeparlamentarit Veseli.Nga ana e tij, kreu i Kuvendit të Kosovës e ka falënderuar kryetaren e Kongresit Amerikan për mbështetjen e parezervë që ajo, Kongresi Amerikan dhe SHBA-të i kanë dhënë Kosovës historikisht.Kryeparlamentari Veseli ka kërkuar nga kryetarja e Kongresit Amerikan që SHBA-ja të ketë involvim edhe më të madh dhe më të drejtpërdrejtë në proceset që po kalon Kosova.Gjatë këtij takimi, Veseli po ashtu ka kërkuar nga Zonja Pelosi përkrahje të Kongresit dhe institucioneve të SHBA-së për ushtrinë e Kosovës si dhe për iniciativën për dënimin e gjenocidit serb dhe krimeve e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë.Kryeparlamentari Veseli e ka ftuar zonjën Pelosi që së shpejti ta vizitojë Kosovën.​

***

Veseli takon kongresmenin Engel: Serbia duhet ta njoh shtetin e Kosovës ​

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në vazhdën e takimeve me personalitete të njohura të politikës amerikane, është pritur sot në një takim të veçantë nga kongresmeni Eliot Engel.

Gjatë këtij takimi të ngrohtë e miqësor, u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë – SHBA, për zhvillimet politike në vendin tonë, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, mbështetjen amerikane në këtë proces dhe perspektivën euro-atlantike të shtetit të Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli falënderoi kongresmenin Engel për angazhimin e tij të gjatë prej disa dekadash në mbështetje të Kosovës dhe nëpërmjet tij, shtetin dhe popullin amerikan.

Kongresmeni Engel, nga ana e tij, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në të gjitha proceset që ajo ka para vetes.

Engel tha se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe të punojë bashkë me Kosovën në proceset euro-integruese.

Ai po ashtu tha se Serbia duhet ta njoh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Në këtë takim, Kryeparlamentari Veseli dhe kongresmeni Engel folën edhe për nismën e kryeparlamentarit kosovar për dënimin e gjenocidit dhe krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë.

Engel tha se kriminelët duhet të përgjigjen para drejtësisë për të gjitha krimet që kanë kryer ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Filed Under: Kronike Tagged With: TAKIM ME NANCY PELOSI DHE ELIOT ENGEL, Veseli

LIGJ PER NDALIMIN E STUDIMEVE TE KRIMEVE TE KOMUNIZMIT?

July 17, 2019 by dgreca

Deputetët në Shqipëri propozojnë ndalimin e studimit të krimeve komuniste të Luftës së Dytë Botërore/

-Deputetë nga Partia Socialiste në qeveri duan të parandalojnë studimin nga ana e një institucion të ngarkuar me hetimin e krimeve komuniste në Shqipërie të incidenteve që ndodhën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kuvendi i Shqipërisë po rishikon ligjin mbi studimet e komunizmit me një synim për të ndaluar në mënyrë eksplicite studimin e Luftës së Dytë Botërore si pjesë e periudhës komuniste të vendit ndërsa kërkohet që punonjësit e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit të pajisen me certifikatë sigurie, e cila zakonisht kërkohet për zyrtarët që kanë akses në të dhëna sekrete të shtetit.

Projektligji i propozuar nga dhjetë deputetë socialistë thotë në relacionin shoqërues që “Regjimi komunist nuk mund te lidhet me periudhën e luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare” sepse “eliminimi i kundërshtarëve politikë” nisi vetëm pas luftës.

Propozimet e ndryshuara synojnë gjithashtu që në institutin e studimeve të krimeve të komunizmit të punonjësit të “jenë persona që gëzojnë besueshmëri” dhe për këtë arsye, i punësuari në të “duhet të plotësojë edhe kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.” Për këtë arsye, kërkohet që punonjësit të marrin certifikatë sigurie, një dokument që jepet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, një institucion në varësi të kryeministrit.

Agron Tufa, drejtori aktual i institutit, i tha BIRN se ndryshimet ishin “tipike për teknikat e sigurimit” dhe tregojnë “mentalitet të kohës së komunizmit” në shkrimin e historisë.

“Ne po trajtohemi si një strukturë shërbimesh sekrete dhe jo si një institucion për studimin e sigurisë,” i tha Tufa BIRN.

Ai dyshoi se një arsye se pse po kërkohet një certifikatë sigurie është një fushatë shpifjeje kundër tij, fillimisht e nisur në media nga socialistët, të cilët sugjerojnë se ai është një spiun rus. Tufa, 52, është shkrimtar i diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe në Institutin e Letërsisë Maksim Gorki në Moskë.

Instituti për Studimin e Krimeve të Komunizmit u krijua në vitin 2010 nga një ligj special dhe ka publikuar disa libra mbi sundimin komunist në vend. Megjithatë, pak muaj më parë, Spartak Braho, një deputet i Partisë Socialiste dhe ish gjyqtar në kohën e Komunizmit, akuzoi Tufën dhe po hidhte baltë mbi rezistencën antifashiste të luftës së Dytë Botërore përmes publikimit të librave që pretendojnë për krime lufte të kryera nga partizanët komunistë. Pas kësaj, Braho dhe deputetë të tjerë socialistë propozuan ndryshimet në ligj.

“Normalisht ata mundet thjeshtë të më shkarkojnë dhe të rrëmbejnë institutin,” tha Tufa.

“Por tregon mentalitet komunisti dhe teknika të Sigurimit fakti se ata duan të sugjerojnë se unë nuk do të marr certifikatë sigurie si shkak për shkarkimin tim krahas teorisë së komplotit të spiunit rus,” shtoi ai.

“Kjo tregon gjithashtu se si ata janë mësuar të shkruajnë histori, si diçka që i përket shërbimeve sekrete dhe jo historianëve,” tha Tufa.(Gjergj Erebara-Kortezi:  Balkan Insight)

Filed Under: Analiza Tagged With: Agron Tufa-Ligj-Krimet e komunizmit

VRITET PËR TË DYTËN HERË AT SHTJEFËN GJEÇOVI KU ËSHTË ZEMËRIMI?

July 17, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

 Para nja dy ditësh, në postën time elektronike më kishin arritur, pothuaj në të njëjtën kohë, dy njoftime nga Kosova:   Njëri kishte të bënte me vandalizimin e bustit të At Shtjefën Gjeçovit në oborrin e shkollës fillore në Zllakuqan të Klinës dhe tjetra ishte një ftesë për të marrë pjesë në një organizim shkencor kushtuar At Gjeçovit, që po planifikohet të mbahet në nëntor, me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së tij barbare në Zym të Hasit, nga forcat fashiste serbe.   Lajmi për seminarin që po organizohet për të kujtuar këtë patriot dhe burrë të  të madh të Kombit– nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbërit” Prishtinë dhe nga Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” në Zym — më gëzoi pa masë, por më trishtoi lajmi tjetër, për vandalizimin e bustit të tij në oborrin e shkollës në Klinë.

Ku eshte Shteti, qe nuk sheh e nuk denon kete krim?

At Shtjefën Gjeçovi, prift katolik, i Urdhërit të Fretënve, ashtu siç ishte edhe At Gjergj Fishta, është i njohur si autor i shumë veprave, siç janë “Dashnia e Atdheut”, drama “Agimi”, Përkrenarja e Skenderbeut”, Kanuni i Lek Dukagjinit, e shumë e shumë të tjera.   Ai konsiderohet edhe si babai i arkeologjisë shqiptare, etnograf i njohur, kontribues i madh në gjuhë e kulturë, mbledhës i këngëve, miteve, përrallave dhe dokeve, zakoneve dhe traditave shqiptare, e tjera.  Sipas historianëve të mirëfilltë shqiptarë, në shkrimet e tija Gjeçovi ka lënë një dëshmi të thellë të identitetit historik shumë shekullor të shqiptarëve dhe ka pasqyruar në to rrënjët e vjetra të Kombit shqiptar.   Në një prej shkrimeve të tija, “Trashëgime thrako-iliriane”, Gjeçovi të cilit, “I përkiste çdo mirësi”, siç është shprehur më vonë Fak Konica, At Gjeçovi i drejtohej lexuesit ndërsa shkruante sikur donte, të mos ofendonte askënd, por të dokumentonte identitetin e vjetër të shqiptarëve:   “Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë”.

TURP:KUJT IA VRET SYTE IMAZHI I HEROIT KOMBETAR?

Nuk jam i sigurt nëse këto dy  ngjarje — seminari i ardhëshëm kushtuar 90-vjetorit të vrasjes së Gjeçovit dhe vandalizimi I bustti të tij në Klinë — kanë lidhje me njëra tjetrën, por njoftimi nga disa media se “u vodh” busti i At Shtjefën Gjeçovit nga oborri i shkollës në Zllakuqan nuk më bindë.   A thua sikur busti i Gjeçovit na qenka prej floriri – me vlerë të veçantë për hajdutët, në krahasim me dhjetra në mos me qindra buste të tjera anë e mbanë Kosovës.   Ky akt vandal si dhe identiteti i aktorëve të këtij krimi në Zllakuqan, bëhen edhe më të dyshimtë kur të merret parasyshë se sipas lajmeve në media të Kosovës, ky nuk është rasti e vetëm i këtij lloji.   Edhe bustin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, gjithashtu i vendosur në një institucion shkollor në fshatin Treboviq, e paskan “vjedhur”, përfshir edhe heqjen e një tabele në një rrugë në Buqan të Pejës, të një prifti tjetër katolik, At Luigj Palaj, dhe të një heroi tjetër i harruar i shqiptarëve, i vrarë nga forcat serbe, për të cilin At Gjergj Fshta ishte shprehur, “Gjaku i këtij, o Zot, të qoftë falë për Komb të Shqiptarit”.Do të ishte diçka e pa përgjegjëshme për mua ose për këdo tjetër që të paragjykohen hetimet e autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës për rastin e vandalizimit të bustit të At Shtjefën Gjeçovit dhe të rasteve të tjera të lartpërmendura.   Por është deri diku shqetësues fakti se përveç reagimit të Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, për këtë akt vandal, të cilin ai e quan “vjedhje”, por që cilëson gjithashtu edhe si një “akt të turpshëm”,   nuk kam parë, të pakën deri tani, ndonjë regim të autoriteteve qendërore të Kosovës ose të policisë së shtetit.   Ndërsa nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, të cilat janë gjithmonë gati të reagojnë ndajë ndonjë akti që nuk ka të bëjë me shqiptarët, nuk kam parë asnjë prononcim ndaj këtyre akteve vandale në Kosovë kundër disa prej figurave më të dalluara të historisë së Kombit shqiptar, përfshir edhe vandalizimin e bustit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Por, Kryetari i Bashkisë së Klinës ka deklaruar se ky akt, “Duhet të zbardhët sa më shpejt nga organet e rendit dhe kryerësit e kësaj vepre të ulët, të dënohen sipas ligjit”.   Prof. Dr. Zenun Elezaj u bën thirrje gjithashtu organeve, “ligjzbatuese që këtë rast ta trajtojnë në mënyrë serioze” dhe njëkohësisht u kërkon, “organeve përgjegjëse që të shtohen masat e sigurisë në të gjitha objektet publike, në mënyrë që akte të tilla të shëmtuara të mos përsëriten”.

Nuk jam i sigurt se cila ishte përgjigja e organeve të sigurisë së Kosovës dhe e autoriteteve zyrtare të Prishtinës ndaj thirrjes së Kryetarit të Komunës së Klinës për hetime serioze ndaj këtij akti vandal, në oborrin e shkollës që mban emrin e At Shtjefën Gjeçovit.   Por ia vlenë të krahasojmë reagimin e autoriteteve të Kosovës, nepërmjet Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe sidomos  reagimin e shpejt të ndërkombëtarëve në Prishtinë ndaj dëmtimit, ditët e fundit, të disa varrezave ortodokse serbe në Lipjan.   Dënimet ndaj këtij akti, gjithashtu të shëmtuar, ishin nga ana e tyre, të shpejta dhe të forta.   Reagoi ashpër ambasadori amerikan në Kosovë, Z. Philip Kosnett, Përfaqësia e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.   Ndërsa në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, në lidhje me dëmtimin e varrezave serbe në Lipjan, foli Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila u bëri thirrje organeve të policisë së shtetit që, “Të bëjnë gjithçka është e mundur për të zbuluar dhe nxjerrë përpara drejtësisë autorët e këtij incidenti kriminal.   Për Republikën e Kosovës, bashkëjetesa, raportet dhe harmonia ndëretnike, janë të shenjta”.   Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se edhe incidenti tek varrezat serbe është kundër interesave të Kosovës dhe angazhohet se autoritetet shtetërore do të bëjnë të pamundurën që raste të këtilla të mos përsëriten”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës.

            AT SHTJEFËN GJEÇOVI, VEPRIMTAR I SHQUAR I LËVIZJES   KOMBËTARE, ETNOGRF, SHKRIMTAR DHE ARKEOLOG I NJOHUR, I VRARË NGA FORCAT SERBE NË VITIN 1929

Edhe unë i dënojë dëmtimet ndaj varrezave kudo qofshin, përfshirë ato serbe në Lipjan.   Por e kam pak të vështirë të kuptoj se si vandalizimi i busteve të disa prej figurave më të njohura të Kombit shqiptar në Kosovë, siç janë Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe françeskanët shqiptarë, At Shtjefën Gjeçovi dhe At Luigj Palaj na qenkan disi akte  a po siç i cilësojnë disa, “vjedhje” të zakonshme që nuk shqetësojnë aq shumë autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe përfaqsuesit më të lartë ndërkombëtarë në Prishtinë, hiç se hiç.   Veç të mos preket asgjë serbe sepse, sipas tyre, “bashkëjetesa, raportet dhe harmonia ndëretnike, janë të shenjta”,dhe të mos turbullohen – ndërsa figurat kombëtare, identiteti kombëtar, kultura, gjuha dhe historia e shqiptarëve janë plaçkë për tu vjedhur.

Me ose pa reagimet zyrtare ndaj akteve të tilla barbare, mbetet për tu parë nëse për këto veprime kriminale antikombëtare, fajtorë janë, “vjedhësit” e rendomtë, a po dikush tjetër, me qëllime më të djallëzuara me objektivin për të dëmtuar më shumë se një bust.   At Gjeçovi nuk e meritonte këtë akt kriminal ndaj tij, nuk meritonte të vritej për së dyti, sepse siç ka shkruar miku i tij Faik Konica, “At Gjeçovi është përmi çdo sharje.   Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë…. Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësí”, ka shkruar Konica për Shtjefën Gjeçovin.   Fatkeqësisht, akti kriminal ndaj bustit të Gjeçovit në Klinë të Kosovës, nuk besoj se kishte për qëllim “rritjen” e emrit të At Gjeçovit, siç shpresonte Faik Konia dikur, por dëmtimin e reputacionit të tij personal dhe të trashëgimisë dhe identitetit të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore dardane.

Ndërsa, sa na përket ne, në këtë moment, para këtij akti të turpshëm në oborrin e shkollës në Klinë — siç është shprehur edhe Konica pas vrasjes së At Gjecovit nga forcat serbe më 1929, nuk na mbetet gjë tjetër veçse, “Sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë, që në gjallësí, për nga një lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”.   Para një akti të tillë vandalizmi dhe vrasës (për të dytën herë) të At Gjeçovit në Klinë, jemi të pafuqishëm të bëjmë gjë tjetër, veçse të vajtojmë me lotë fatin e tij të keq jo vetëm kur ishte gjallë – por edhe tani për së vdekuri, ashtu siç e shohim bustin e tij të dhunuar — të derdhim lotët tona me Konicën, për fatin e keq të mikut të tij At Shtjefën Gjeçovit, për atëherë dhe sot—por edhe për Kombin Shqiptar, i cili trajton në këtë mënyrë, bijtë e tij, ndër më të dalluarit patriotë, si At Shtjefën Gjeçovi.

Busti i At Shtjefën Gjeçovit në oborrin e shkollës fillore në Zllakuqan të Klinës, Kosovë është lënë pa kokë.

                                                 Busti pa kokë i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeu në fshatin Treboviq të Kosovës

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-At Shtjefen Gjecovi-ridenohet

KUJTESA 17 KORRIK 1977-PUSHKATIMI I DY POETEVE

July 17, 2019 by dgreca

VILSONI DHE GENCI NË FERRIN E ÇARË TË VISAR ZHITIT/

Dy të rinj nga fshatrat e Librazhdit, dy poetë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, – shih, dhe emrat i kanë si në balada, – 42 vjet më parë, në 17 korrik 1977, u pushkatuan nga regjimi diktatorial me akuza të çmendura e barbare, të pavërteta.                                                   Dy poetë të pafajshëm, por poezia e tyre ishte e lirë, metaforike, kundërshti dhe kërcënim i fshehtë për totalitarizmin dhe Realizmin Socialist të tij, Dhe gjyqi i shpalli “sabotatorë” të kooperativës bujqësore me bëma dhe me poezi(?!). Dhe i pushkatuan. Tmerr!

      I përkujtojmë me mall dhe dhimbje dhe me urrejtje të shenjtë ndaj së keqes, duke u lutur për drejtësi dhe nderim të përjetshëm.

Me këtë rast po sjellim pjesë tronditës nga burgologjia “Ferri i çarë” për Vilsonin dhe Gencin….

***

– Anonimi i skuadrës së pushkatimit tregon –                                                                                                                                                                                            Ju flisni shpesh e shkruani nëpër gazeta për pushkatimin e atyre dy të rinjve nga Bërzeshta e Librazhdit, që bënin dhe poezi, Vilson Blloshmi e Genc Leka, botoni librat e tyre, i nderoni, u keni nxjerrë dhe eshtrat nga vendi ku i vramë dhe i mbuluam.                                                                                               Është dhënë dhe një emision televiziv, e kam parë, ashtu është… Gjithmonë kam pasur frikë se mos shiheshim edhe ne, megjithëse isha i sigurt që atë natë s’kishte kamera a aparat fotografik, vetëm armë dhe plumba, dhe gjak.                     Pres se mos dalin emrat tanë, me ankth, po ç’faj kemi ne? Vërtet ne i vramë, por s’ishim ne vrasësit. Gjejeni kush urdhëroi… Dhe unë sikur lehtësohem… Prandaj dua të tregoj ç’pashë atë natë, jam një nga ata të skuadrës së pushkatimit, burrë i vjetër tani, por mos më pyet për emrin, nuk ta them, as ku rri e ku do të iki, por s’mund të rri pa e treguar. E vërteta ka më rëndësi…

Pas mesnate, se ashtu bëhen pushkatimet, pa nisur zbardhëllimi, ndalën te vendi sekret, i caktuar më parë, një rrëpirë e shkretë në humbëtirë.              Zbritën nga karroceria e makinës ushtarake ata të skuadrës së pushkatimit. Nga “xhipat” dolën shefat, komandanti i skuadrës së pushkatimit, kryetari i Degës, prokurori i rrethit, mjeku…                                                  Dhe i sollën ata të dy, Vilsonin me Gencin, të sfilitur, të torturuar. Të qethur, me nxirje në fytyrë e copërlime në gjymtyrë, as rrobat e shqyera nuk ua mbulonin. Mezi rrinin në këmbë. Gati me të shtyra shkuan tek ai pak shesh i gjymtë mes shkurreve e gurishtave. Terr dhe hije malesh më keq se terri. Heshtje, që prishej nga hapat e çizmeve ushtarake a nga ndonjë guriçkë që merrte të tatëpjetën. Groooopaaa…                                                                            Përroi i Firarit, tamam vend djajsh. Fenerët e dorës bënin dritë të frikshme a u ndezën dhe dritat e njërës nga makinat.                                                       Ata të dy më këmbë, të zymtë përbuzshëm, të tronditur deri në moskuptim dhe në një si panik të shtypur, të drunjëzuar. A kështu u dukej atyre që ishin përballë, skuadrës së pushkatimit. Se ata s’do t’i shihnim më ata drurë përreth, as botën, njerëzit e tyre. Nuk mendoheshe dot më shumë, këputej çdo mendim, s’e dije ç’ishe e ç’ishin ata që do të pushkatoheshin.                         Vilsoni dhe Genci. Anash rrinin drejtuesit e kësaj ceremonie vrastare, të tmerrshme, të pashembullt. Si në detyrë, si në punë.                                       Urdhri paraprak ishte që të qëllonin vetëm mbi Genc Lekën. Nga fare afër.      – Zjarr!                                                                                                                        Genci ra e po përpëlitej mbi barin e lagur me gjakun e tij. Rënkonte. Rrëketë e gjakut vërshonin nga plagët që sapo hapën plumbat në trupin e tij. Vilsoni, me sytë gjysmë të mbyllur i shtangur më këmbë.                                 – E shikon shokun tënd? – u dëgjua një zë. Njëri nga shefat iu afrua kufomës ende më këmbë të Vilsonit. – Kështu do të biesh edhe ti, por prano. Duam bashkëpunimin… Di gjuhë të huaja, mund të na shërbesh, çështjes së madhe të…                                                                                                     – Kam thënë jo, mbaroni shpejt, – foli dënesshëm Vilsoni.                      – Mendohu, por shpejt, s’ke kohë shumë, balta të pret.                    – Më mirë baltë sesa me ju, – u duk sikur u përgjigj vetë balta.                             – Shoku yt mbaroi, shiko te këmbët. Ti mund t’i arrish ëndrrat… – Ashtu guxoi e foli oficeri? Sa të poshtër!                                                                      – Jooo, – ndërpreu gjithçka ulërima e Vilsonit, – me shokun tim e nisa, me të ta mbaroj! – dhe po u bërtiste atyre, dukej sikur donte që të mbyllej sa më parë kjo tragjedi, ai i ishte dhënë vdekjes me kohë, që kur i arrestuan, në hetuesi, në gjyq, kur hodhën sentencën: dënim me vdekje, me pushkatim. Më herët akoma, ai endej në mbretërinë e vdekjes, që kur shkroi poezinë parë, që kur po përkthente fshehurazi njërin nga ata poetët e mallkuar, që, kur u dashurua me atë aktoren, por tani s’kishte kohë më për asgjë, veç për të nxjerrë dufin e fundit, para se të nxirrte frymën e fundit.                              – Vrasës… më vrisni… se edhe ju… kriminelë…                                                       – Zjarr! – u përsërit urdhri, më me rreptësi e më me mllef, dhe batareja e plumbave e griu të gjithin. Ra përsipër shokut të tij. Gjaku që sapo i vërshoi, iu përzie me të atij dhe, siç bëhen vëllamë duke pirë nga gjaku i njëri-tjetrit, ata u bënë vëllezër në pafundësinë e territ, ashtu siç është vetë vdekja.

Dy kokë të bronzta mbi siprinën e ujit, të mëdha, të rënda, si dy planete. Buzë rrugës në të hyrë të qytetit të Librazhdit. Grup skulpturor në nderim të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Uji është kujtesa a vetë koha, a kthjellimi i kujtesës. Sytë të mbyllur në një gjumë bronzi. U dola nga pas. Ndërrova prapë vend. Kërkoja vrimat e plumbave në kafkë. Më dukeshin të sapovrarë dhe uji më bëhej gjak. Se dhe pasqyronte perëndimin e diellit.                                               Po shikoja i hutuar. M’u nëpërmend ajo ditë e largët, kur unë me shokun tim, Sherifin poet, të dy gjimnazistë, ishim në drekën e përshpirtjes së tyre në shtëpinë e motrës së Gencit, në Pluk, në internim. Ato dy kokë bronzi mund të ishin dhe tonat.                                                                                          Iu afrova. Sikur i ngjan ca i biri Gencit, njëherë e kam takuar në një përurim të poezive të të atit. Kurse kokës së Vilsonit i ngjan tamam Bedriu, i vëllai. Në burg, kur e shihja, më dukej i sertë gjithmonë. I paafrueshëm. Hapu, i bërtiste kujtdo që gjente përpara. Mbase u thoshte xhindëve. Dhe atë e dënuan me vdekje, por ia kthyen dënimin pastaj me 25 vjet burg. Dhe ai jeton pas vdekjes tani, por jo në bronz, rojë në një shkollë. E ka çuar në Strasburg a Bruksel çështjen e pushkatimit të të vëllait dhe të mikut të tij. Kërkon drejtësi, se ata që e vranë, janë ende gjykatës, deputetë, punojnë nëpër ministri, tek të drejtat e njeriut, shpërblehen, kurse vajza e Vilsonit ka nevojë për ca para të paguajë spitalin në Milano, për një operacion të rëndë dhe do t’i mjaftonte dëmshpërblimi i të atit. Por ai vonon ose jepet me këste aq të pakta, sa nuk zgjidh dot halle. Ç’është kjo demokraci me vrasësa?! Shih gazetat, na i mbushën me ligësi e spiunë, sikur vetëm kështu ka qenë. Po të tregojnë, të futen në tekstet e shkollave dhe bëmat e Sokolit me Tomën, Vilsonit me Gencin, baladë mbi baladat, si dhe të shokëve të tyre.                                                                                                    Dy kokët e bronzta më dukeshin si mbi lot. Zgjata duart t’i ledhatoj.

      Sytë e… tragjedisë

…Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim… e pabesueshme… të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale: “Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”.                             Çfarë?! E lexova prapë. Tmerr! Vura duart mbi ballë si për të mbrojtur sytë nga një shkulje mizore. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor, ora 24:00… pa togë pushkatimi, e kanë kryer dy persona… Cilët janë? Po ja, nga ata, të gjithë… Dhe pastaj u kanë nxjerrë sytë… si? Me bajonetë? Horror! Dhe ia kanë çuar ministrit sytë? Ku? Ia kanë lënë mbi tryezë? Po ai a ka trokitur në zyrën e Enverit për t’ia treguar? Shikonte diktatori? Vërtet ia dhanë Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore? Kriminale, thuaj. Ministritë e vdekjes!… Apo kanë dashur retinën a ndonjë nerv, që t’ia vendosnin syve të ngrirë të diktatorit? Si, me ç’mjet? Po ku mundin këta! Apo e kanë provuar njëherë. Dhe zgjodhën sy të guximshëm, nga të maleve… Po në ata sy të vdekur ka qenë revolta, pushkatimi… mos kanë dashur t’i shohin, t’i kalonin në ndonjë mikrofilm a t’i zhduknin fare…? Po më dhembnin sytë… E ç’nuk kanë bërë këta, kanë prerë këmbë e krahë nëpër tortura, me sharrë, kanë shkulur thonj, dhëmbë, të brendshmet, rropullitë i kanë derdhur, kanë mbuluar njerëz të gjallë me kokën përjashta mbi tokë, fol, i kanë ulërirë, u kanë prerë gjuhën për të mos folur kurrë. Dhe u paskan shkulur sytë të vrarëve. Jo, ua kanë shkulur para pushkatimit. Ej! U duheshin sy të gjallë… Mos! Po këta e paskan zhbërë njeriun fare!                                                                                     Botë Edip, qorre, ulëri e masakruar në fundin tënd!

* * *

Epilog i vogël:

– Çfarë kërkon, cilat janë fjalët e tua të fundit? – e pyetën Trifon Xhagjikën, pasi i dhanë dënimin kapital, me pushkatim.                                                       – Do të doja një top, – tha ai, – jam altilier, që t’i bija Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë…

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti- Poetet e pushkatuar- Vilson Blloshmi-Genc Leka-Ferri i care

STATEMENT FROM NYC COUNCILMAN MARK GJONAJ ON THE PASING OF 32BJ PRESIDENT HECTOR FIGUEROA

July 17, 2019 by dgreca

Memorial Service for President He’ctor Figueroa

Wednesday, July 24th at 1PM

Riverside Church

490 Riverside Dr..NY 10027

Filed Under: Emigracion Tagged With: Mark Gjonaj- President 32BJ- Hector Figueroa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT