• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

Dy fjalë për fjalën

July 12, 2019 by dgreca

Nga Anton Çefa/
“Fjala e harmonizuar mund të pasqyrojë format e shpirtit, ashtu edhe fytyrën e madhërishme të botës, e cila u jep jetë atyre.”/

De Rada
“Fjala ka aq nji fuqi në vedvedi, sa mos me e ndalë as giatsija e kohës,
as gjansija e hapësinës, e si mundet me e permbledhë të gjith kohën në nji ças e hapësinën në nji pikë, kshtu ajo deperton qiellen, i vjen rrotull e okolle
rruzullimit, edhe na parashtron bukuri e madhni të reja, rysë e then
kryeneqsit e rrashtave ma të forta të njerzvet.”

At Gjergj Fishta

Hyji e krijoi botën me fjalën e Tij. Ai tha dhe u bë. Për Hyjin, fjala është
krijim. Krijim i çdo gjëje. Për njerëzimin, fjala është zbulim përmes emërtimit.
Fjala, si emërtim i sendeve e dukurive, është veprimi i parë krijues artistik i njeriut,
nëpërmjet të të cilit u shpikën format verbale dhe u përsosën në kalim të kohëve.
Dhjetëra-mija vjet më parë, të parët tanë, banorët e shpellave, në dramën e
përditshme të gjuetisë, u mësuan të veshnin mendimet e tyre me fjalë.
Me krijimin e fjalës, në procesin e komunikimit lindi gjuha, një nga
realizimet më të mëdha të njerëzimit. Pa aftësinë e të folurit, përdorimit të gjuhës,
nuk mund të jetësohej qytetërimi njerëzor. Nëpërmjet gjuhës si sistem i hapur e
krijues, jashtëzakonisht eptimore (fleksibël), realizohet komunikimi i ideve dhe
koncepteve abstrakte si dhe tejbartja (transmetimi) e tyre nga një brezni në tjetrën.
Nga fjala si kumt u kalua në fjalën si kuptim alternativ, të ndryshëm, dhe u
krijua fjala poetike dhe, me anën e saj, teksti letrar që mishëron shumëkuptimësinë,
çka është në natyrën e veprës letrare. Përpjekja për të njohur të bukurën dhe vlerat
e tjera estetike të gjërave e dukurive dhe, në rastin tonë, tek letërsia artistike, të çon
drejt mjetit me të cilin shfaqet ajo, tek fjala poetike. Në veprën letrare, është fjala
që end fillin e së bukurës në shtratin e tekstit gjuhësor, deri në sublimitetin e saj. A
nuk është dukuria e së bukurës, “forma” më e lartë, më e fisme, më e kulluar e
shpirtit të njeriut? Prandaj, letërsia artistike është në krye të arteve dhe në gjirin e
saj, poezia që zë kryet e vendit.
Poeti, tregimtari, e shprehin atë, fjalën, që është gjithnjë një kumt që bart një
vlerë estetike, duke na përcjellë një mesazh, d. m. th. një vlerë humane. Detyra e

kritikës është pikërisht ta zbulojë atë, vlerën estetike, që përmban fjala e endur në
një strukturë tekstore.
Për t’u pohuar është edhe pafuqishmëria e fjalës për të shprehur çdo
“dridhje” të shpirtit a për të hedhur dritë edhe në skutat më të errëta të vetëdijes
dhe sidomos të nënvetëdijes. Lasgushi, reformatori më i madh i gjuhës poetike
shqipe dhe mjeshtër i mbaruar i saj, e ka ndjerë veten “të huaj”, të paaftë për të
shprehur çdo gjë:
“O gjuhë-e shentëruar, o mall me shpirtin plot,
O vetëtim’ e qjellit që fërfëllon me flakë,
O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot . . .
Si pikë lot e ndritur po ndrij në reze t’uaj,
Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë,
Sepse prej botës s’uaj kam mbetur kaq i huaj . . .”
Në dy vargjet e fundit të kësaj poezie, Lasgushi e ka qartësuar më tej këtë
situatë, duke iu drejtuar gjuhës me epitetin “o mos-e kuvenduar”. Në këto dy
vargje, ai na ka dhënë atributin e gjuhës si kumt, si burim drite (dijeje,
informacioni), dashuri-dhimbjen e tij për të dhe njëkohësisht pafuqishmërinë,
paaftësinë e saj për të depërtuar në skajet më të hijesuara të shpirtit:
“Ti ndrin në thelb të jetës si dritë e përvëluar,
O gjuhë e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar”.
Këtë “mos-kuvendim” e pati poetizuar më parë mësuesi dhe udhëheqësi i tij
i parë shpirtëror e artistik, Naimi: “E ku shkruhen në kartë / fjalët e gjuhës së
zjarrtë ? ”
Është detyrë e kritikës letrare t’i hapë “fjalës së palosur” “kindën e një pale”,
pra, të zbërthejë shumëkuptimësinë e fjalës. Estetika ka parashtruar dhe
argumentuar në vijimësi rrugë dhe metoda për të analizuar veprën artistike. Kështu
kemi, ndër të tjera, interpretime formaliste, ekzistencialiste, marksiste,
sociologjike, psikanalitike, strukturaliste, simboliste, semantike, etj. Nuk kemi
kurrë një përfundim të saktësuar, por kemi udhë ecjeje përpara plot rrugëza e
kthesa me zhvillime nga më të ndryshmet, në më të shumtën e rasteve
kontradiktore.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Defa- Dy faale per fjalen

Historia e natës

July 12, 2019 by dgreca

Historia e natës/
Jorge Luis Borges/
(shqipërim nga Astrit Lulushi)/

Përmes rrjedhës së brezave/
Njeriu solli në jetë natën./
Në fillim ishin verbëria dhe ëndrra,/
Gjembat që shponin këmbët/
Dhe frika nga egërsirat./
Kurrë nuk do të dimë se kush/
I dha botës këtë formë/
Dhe e zhyti në errësirë/
Duke përgjysmuar ditën.
Kurrë nuk do të dimë
Në cilin shekull njeriu tha
Për të kaluar në dritë.
Të tjerë krijuan mitin.
Bënë nënën e natës
Ku fati filloi të endet
Flijoi delet e zeza
Dhe gjelin që shpall fundin e saj.
I dha natës 12 orë;
Botë e pafundme, Portik stoik
Heksametri latin i dha formën
Dhe Blase Paskal frikën.
Luis de Leon pa në ‘të atdheun
Me shpirtin drithërues
Që ndiehet pashtershëm
Si një verë e vjetër
Askush s’mund të mendojë
Për ‘të pa marramendje,
Koha e ngarkoi me përjetësi.
Dhe të mendosh se nata
Nuk do të ekzistonte
Pa ato vegla të mprehta, sytë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Astrit Lulushi-Historia e natës

“Kush ma diti poezinë, dhembjet nuk m’i diti dot”

July 11, 2019 by dgreca

(Kuptimësia e dhembjes në poezinë e Lasgush Poradecit)/

Nga Anton Çefa/

Për njeriun jeta është një dhembje e gjatë, për poetin është dhembje që përpiqet të shërojë dhembjet e të tjerëve. Bjelinski ka thënë me të drejtë “Poetët kanë fuqinë të ngrenë dhembjet e veta në lartësira arti, ku ne të gjithë gjejmë dhembjet tona”.

Poeti ynë i madh, Lasgushi, jetoi gjatë i harruar në vendin e vet dhe i mërguar në vetvete, në dhembjet e veta. Ai diti të vuajë dhe vuajti madhërishëm. Në vargjet e tij të lartësive poetike më të epërme buçet dhembja. Dhembja e fjalës, dhembja e zemrës, dhembja e vendit, dhembja e popullit, dhembja e një bote.

Dhembja e fjalës – Gjuha, dallojë e kombit, shenja e parë, më e qenësishmja e identitetit të tij, për poetin tonë është një dhembje e fortë, e thekshme :

          Kur të këndoj me gojë, kur të kuptoj në kartë,

          Posi një kraharuar ti dhem, o Gjuhë e zjarrtë,

          Posi kullim i gjakut që rreh në zemër time

Poeti i njeh gjuhës atributin e komunikimit, e kumtit, e informacionit. Ajo ndriçon si drita dukuritë e jetës në thelbin e tyre, duke e nxjerrë botën nga errësira e së panjohurës në dritën e kuptimit, të dijes: “Ti ndrin në thelb të jetës, si dritë e përvëluar”, i drejtohet poeti gjuhës. Gjuha poetike është e shenjtëruar dhe e zjarrtë, është mall, vetëtimë e qiellit, diell i llaftaruar. Edhe pse mjeshtër i shqipes, që i njohu asaj lashtësinë e moshës, fuqinë e shprehjes, rrënjët e kuptimit, diapazonin e gjerë figurativ, larminë e ngjyrave, harmoninë e tingujve, tonalitetin e ritmeve, kadencën imitative; edhe pse është reformatori më i shquar i fjalës poetike shqipe dhe ndriçohet në dritën e saj, ai e ndjen veten “të huaj” dhe pikëllohet përballë kësaj paje të rrallë e të çmueshme:

          Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë

          Sepse prej botës suaj kam mbetur kaq i huaj

Fjala poetike, duke u thurur në inde tekstore, në dihotominë e saj kundërshtuese, nga një anë, sendërton shumëkuptimësinë, nga ana tjetër, paaftësinë për të hedhur dritë në të fshehtat më të hijesuara të shpirtit, në misteret e tij, që ndrydhen në vetëdijen dhe, më së tepërmi, në nënvetëdijen e njeriut. E gjithë kjo dukuri e ndërlikuar, sipas së cilës diçka mbetet gjithnjë e pashprehur, është dhënë nga poeti ynë me një sintagmë të tipit të tij fjalëformues: “O gjuh’-e-zemrës sime, o mos-e kuvenduar”. Në poezinë “Kënga pleqërishte”, Lasgushi e ka cilësuar gjuhën si “çudi e mosfjalosur”. Është ky “moskuvendim”, kjo mosfjalosje”, që bart në ndërgjegjen tonë dhembjet e pathëna.1).

Protestuese dhe plot impulse nevralgjike është vijëzuar gjuha, në poezinë kushtuar Naim Frashërit, dhembja e poetit ndaj realitetit gjuhësor të kohës së tij për dëmet që po ndodhnin në rrafshet e pastrisë, shprehësisë dhe ngjyrësisë së shqipes në vitet njëzetë:

          Po nër bijt’ e Memës s’ate, me gjyrmashë-e me stërnipër 2).

          Shkatërrim’ i shpejt’ i gjuhës sot qëndron në vepr’ e sipër;

          Sot po humb kuvënd’ i zogut ç’ gjithë bukuri që kishte,

Po lëngon e nis të shembet folja jonë pleqërishte . . .

Dhembja etnike – Shpirti njerëzor është universal dhe, në këtë hapësirë, edhe ajo hise e tij, shpirti lirik, është universal, por në këtë universalitet ka një substancë të qenësishme, të patjetërsueshme që i vë vulë origjinaliteti atij universaliteti, dhe ky është shpirti etnik. Edhe në këtë rrafsh përjetimi poetik i dhimbjes së poetit është domethënës. Në poezinë “Poradeci” përshkrimi piktoresk i një muzgu mbi liqenin e qytetit përkapet deri tek problemi më rëndësor i kombit, ai i trojeve. Kur janë shuar e kanë humbur edhe zhurmëritë më të fundit të ditës dhe të gjallimit, kur në liqen hesht lopata e fundit dhe shqiponja e arratisur fluturon në Mal të Thatë; pra, kur “kudo krahinë e gjerë më s’po qit as pipëlim” dhe “tërë fisi, tërë jeta ra u dergj, e zuri gjumi”, atëherë dëgjohet rrjedha e lumit Drin, që kalon mespërmes Shqipërisë, përmes trojeve të shpirtit shqiptar, të ndërgjegjes sonë kombëtare. E lexojmë dhe e rilexojmë këtë varg, mbasi e kemi stërlexuar më parë, dhe merr një shkëlqim të ri në vetëdijen tonë dhembja e poetit, dhembja e bashkimit të trojeve. E përjetuam dhe e përvajtuam bashkë me poetin dhembjen e këtij vargu, që ka për të mbetur i gdhendur në lapidarin e kujtesës kombëtare.

Lasgushi qe optimist për një çlirim të shpejtë të Kosovës dhe për bashkimin e saj me Shqipërinë. Këtë na e ka dëshmuar Petraq Kolevica në librin e tij “Lasgushi më ka thënë. . . .”: “Do të vijë një ditë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë, në mos u bashkofshim me Kosovën! Dhe sytë i shkëlqenin dhe i përpiqnim gotën me filxhanin bosh e prapë përsëriste: “Do të vijë një kohë, kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë, në mos u bashkofshim me Kosovën!” 3).

          Dhembja shpirtërore, dhembja e njeriut përballë Zotit, pulson më së tepërmi në poezinë “Njeriu dhe Zoti”, të cilën e anashkaloi pena e analizës së diktaturës ose e trajtoi poetin si “vargëzues fjalësh e figurash abstrakte” 4) – Poezia fillon si papritmas me vargun lajmërues, me një dramatizëm që vjen duke u bërë gjithnjë e më i fuqishëm:

          Ndaj ty qëndron, po, Zoti – tha zemra shpesh vetiu, . . .

Është zëri i ndërgjegjes, i mbjellë në thellësitë e saj nga vetë Krijuesi, që i flet njeriut, duke i dëshmuar prezencën e tij. Dhe njeriu e ndjen në zemër, e kupton qenien e Tij dhe ndjehet i frikshëm dhe i mjerë ndaj Tij:

          Ahere thelb’ i zemrës m’u droth posi thërrime,

          Sepse në vetëveten të pata ndjerë, o Zot!

          Mjerush të pata ndjerë në vetëveten time.

Njeriu e ndjen Krijuesin me zemër, çka vjen si shkallë e parë e njohjes së Tij. Njeriu është gjithnjë “dyshimtar” në rrugën e koklavitur të njohjes (kur “me sy të vetëtimshëm dhe dyshimtar e tinës / që nga shkëmb’ i vetes qëndrova të sodas” . . .). Dhe sado që me mëdyshje, karakteristikë për Homo sapiens, sepse është pikërisht mëdyshja që e përforcon dhe i jep sigurinë besimit, dhe me mendje të turbulluar, njeriu sado me vështirësi, e kupton dhe e pranon Atë edhe me aftësitë e tij intelektuale (“nga shkëmb’ i vetes”), çka vjen si shkallë e dytë e njohjes dhe e pranimit të Tij. Soditja në vetëvete, që thellon “të fellat e greminës” dhe “fundet e llaftarisë”, të kujton pyetjen e Zarathustrës tek Niçe: “A nuk është vështrimi në vetëvete një shikim humnere?” Por ka një dallim të qenësishëm në rrafsh filozofik-teologjik mes Niçes dhe poetit: ndërsa i pari në fundet e humnerave sheh kufomën e Zotit, poeti ynë “ndaj fundesh llaftarie” sheh, kupton e pranon Krijuesin:

Kur që nga shkëmb’ i vetes qëndrova të sodas

Sa keq m’ju patnë hapur të fellat e greminës –

Ndaj fundesh llaftarije ku syr’ i im u mvrejt,

E mënt’ e turbulluar askurr s’u mund t’i matin:

Ta pata matur shtatin! T’a pata matur krejt!”

Ndaj fundesh llaftarije T’a pata matur shtatin!

Mjerush në vogëlsinë e tij njerëzore, ai (njeriu) kupton madhështinë dhe madhërinë e Zotit dhe qenësinë e Tij supreme si burim dhe shkak i të gjitha realiteteve, të cilat ai i shpjegon në saje të shprtit të tij, të cilin vetë Zoti e ka ngritur “në kulme lartësire” të shkencës, artit, teknikës, në të gjitha aspektet e veprimtarisë, në refleksionet filozofike, përvojat religjioze, krijimet artistike.

Shtërmadh në vete T’ënde – më dhe kaq vogëlsi…

          E si m’a ngrite shpirtin nër kulme lartësire –

          Sesa në fund ke zbritur, sesa në fund të tij ! ”

Në këtë poezi dhe në poezitë e tjera të ciklit “Vallja e përjetësisë”, është prania e Zotit krijues e të gjithpushtetshëm dhe jo “zoti që si në çdo gjë të natyrës është edhe në vetë njeriun”5), dhe as “një shkallë e lartë e përqëndrimit të qenies” 6), çka vlen për disa poezi të tjera të Lasgushit, si “Zog’ i qiejve”, “Shpirti”, etj., por është plotësisht Zoti teologjik i tri besimeve monoteiste botërore.

Edhe pse na duket e tepërt të dëshmojmë besimin e poetit, po sjellim këtu një citim: “Zoti krijoi edhe Ditën e lirimit të Shqipërisë nga sunduesit e huaj – 28 nëntorin 1912 – ku u shpall pavarësia e shtetit shqiptar. Kjo është Ditë e shenjtëruar, e krijuar nga vetë Hyji, prandaj, thotë poeti, Atij, në shenjë nderimi e përkushtimi, do t’i falemi pa pushuar:

Ardhi dit’ e shentëruar,

Dita e njëzetetetës

me flamur të kuq në duar.

Se kështu pat urdhëruar

goj’e artë-e Zotit-vetës:

do t’i falem pa pushuar.

(Poradeci, Dita e Njëzetetetës)” 7).

Më vjen mbarë të shënoj këtu që vlerat kuptimore të nocioneve zemër dhe shpirt në poezinë e Lasgushit ndryshojnë, siç ndryshojnë edhe nocione të tjera si Zot, mall, yll, dashuri, etj. Në poezinë “Poradeci” hasim vargun “Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit tim”, të komentuar dikur si përftesë figurative “kapriçioze”, që në të vërtetë s’ka të bëjë fare me ndonjë kapriçio poetike, por me nocionin e shpirtit si kuptimësi e veprimtarisë mendore dhe të zemrës si kuptimësi e veprimtarisë ndjenjësore, si vatër simbolike e ndjenjave, dëshirave dhe gjendjeve shpirtërore. Këtu, është ndjenja që vihet në bazë të arsyes; ndryshe: është poeti që gjykon me zemër. Një veçori e poezisë romantike evropiane. Po kështu, në poezinë “Që larg”, kemi një zemër që dridhet në fund të shpirtit:

          Hidhur del nga shpirt’ i zi / Breng’ që s’ka të ngjarë, /

          Dridhet mun në fund të ti / Zemerëz’ e vrarë.

Po në këtë poezi, Lasgushi i përdor dy leksemat në fjalë si sinonime :

          Dashuri! Që mbete pas / Luleja me erë!

          Pse kalon si yll me gas, / nëpër shpirt të mjerë?

Dhembja e ëmbël! – Lasgushi më mirë se çdo kush tjetër e ka shprehur qenësinë e dashurisë si një ndjenjë të ndërlikuar dypolesh të kundërta, dhe e ka poetizuar si të tillë me sintagmat gjuhësore dhe përftesat stilistike të veçanta për të si “këngë-e-vaj-bashkuar”, “fshetësi plot llaftari, / plot ëmbëlsi vërerore”, etj., që nuk janë manierë dhe as obsesion i poetit, por shprehin qenien dhe qenësinë e ndjenjës së dashurisë, substancën reale të natyrës së saj. Ai vetë na e ka shpjeguar: “ . . . ekziztimi i ‘magjisë dhembëse’, qenia e ‘gazit helmplot’, që fshihet domosdoshmërisht në gjirin e dashuronjësve, e ka mburimin e thellë. Ky rrjedh nga natyra e dashurisë”. 8).

Me trajtimin në nivele të larta artistike të “dhimbjes së ëmbël”, ai na ka pikëzuar me mjeshtëri të rrallë bukurinë e shpirtit të dashuruar dhe kuintesencën e ndjenjës së ndërlikuar e komplekse të dashurisë, të përjetuar si dhimbje e si kënaqësi, si helm e si gëzim, si gaz e si vaj. Dashuria e kënduar si moment i përjetimit aktual të saj, a e kënduar si gjurmë kujtimesh të momenteve të përjetuara kohë më parë, gjithnjë cilësohet nga “dhimbja e ëmbël”. Ndërlikueshmërinë e ndjenjës së dashurisë, poeti ynë e ka kënduar në disa rrafshe psikologjike të përjetimit të saj, që nga vuajtja e deri te ekstaza. E ka poetizuar si mall në kohë ndarjeje, si dëshirë e zjarrtë për ta takuar vashën, si durim i dhembjes që shkakton ajo (“Dhemb malli-i-djegur-durim-plot, / Gjer i tret zemrat fare”…). Për poetin, dashuria është një ndjenjë e tallazitur, e fuqishme, që e bën të vuajë, e turbullon. Këtë kompleksitet ai e ka emërtuar me fjalën llaftari, aq e pëlqyeshme e aq e përdorur dendur prej tij:

Kujtimi im që më s’më jep të qetë, / kujtimi im q’u llaftaris pas teje,

          Në qetësi ësht’ iskër prej rrufeje,/ në ças llaftari zjarr e flakë vetë.

I tillë qe Lasgushi, poeti i dhembjeve më të fisme, më sublime, i gatshëm gjithnjë për t’u bërë fli e tyre:

“E në dhembjet venë-e-vinë, / Jam gati të vuajë më:

          Kush ma njohu dhëmbshurinë, / S’ pati njohur kurrëgjë.”

Brezni pas breznie, bota shqiptare, duke lexuar vargjet lasgushiane me bukuri të rrallë, do të dritësohet në dhembjet e veta, dhe vetëm atëherë do të mund të thotë se kuptoi diçka nga madhështia e shpirtit të poetit, nga madhështia e dhimbjeve të tij të buruara e të përjetësuara nga dashuritë.

Sqarime dhe refernca :

1). Studiuesi Aurel Plasari dukurinë e pavetëdijes poetike të moskuvendimit, a siç e quan ai “gjendje e pashprehshme, e papërcaktueme e përjetimit poetik”, a gatishmëri “për një nivel tjetër jetësor”, Lasgushi e ka të përbashkët me poetin gjerman Rilke, i cili e emërton si “të pafolur”. (“Shih: Princi përballë princërve” në “Don Kishoti zbret në Shqipëri dhe ese të tjera”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1990, f.249 dhe 245)

2). Gjyrmashë, pasardhës.

3). Petraq Kolevica, “Lasgushi më ka thënë. Shënime dhe biseda me Lasgush Poradecin. Botimi i dytë, “Toena”, Tiranë 1999, f. 424.

4). Myzafer Xhaxhiu: “Lasgush Poradeci – Lirika”, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë, f.5.

5). Sabri Hamiti: “Lasgush Poradeci – Vdekja e Nositit”, Rilindja, Prishtinë, 1978, faqe 21.

6). Po aty, f. 8.

7). Anton Nikë Berisha: “Hyji dhe mbretëria hyjnore në poezinë shqipe”, në “Njëmendësia e fjalëve”, “Shpresa & Konica”, Prishtinë, 2006, f. 51-52.

8).Lasgush Poradeci: “Poezi et Coetera . . .”, tek: Sevdai Kastrati, “Lufta e penave – Zgjedhje antologjike e polemikës shqipe”, “Botimet Toena”, Tiranë, 2002, f. 424.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa- Kuptimesia e dhembjes- Poezia e Poradecit

Speciale e DIELLI-it: Ndodhi edhe në Kosovë gjenocidi, si në Srebrenicë

July 11, 2019 by dgreca

Presidenti Thaçi: Masakra e Srebrenicës, 24 vjet më parë, rikthej tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore – të popullvrasjeve masive…Regjim vrastar serb vazhdoi masakrat edhe në Kosovë në vitet 1998-1999/

-Kryeparlamentari Veseli: Serbia do të përgjigjet për gjenocidin në Kosovë, siç është përgjigjur për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo është e pashmangshme/

-Qeveria e Kosovës, një minutë heshtje në nderim dhe respekt të viktimave në 24 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës. Kryeministri Haradinaj: Bota asnjëherë nuk duhet të heshtë karshi asnjë gjenocidi, viktimë e së cilës ishin populli kosovar dhe ai boshnjak/

 -Në korrik të vitit 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën/

-Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Gruda: Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocidi të forcave serbe kundër shqiptarëve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 11 Korrik 2019/ Masakra e Srebrenicës e para 24 viteve përkujtohet edhe në Kosovë, ku po ashtu bënë masakra, spastrim etnik e gjenocid forcat serbe të Slobodan Milosheviçit, i cili pas ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, të para mëse 20 viteve, në zhvillimet e mëtejme në rajon ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përkujton se, Masakra e Srebrenicës, 24 vjet më parë, rikthej tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore – të popullvrasjeve masive. “Ky gjenocid i urdhëruar nga regjimi i Millosheviçit, ku u vranë rreth 8 mijë njerëz, ishte edhe një paralajmërim se deri në çfarë mase mund të shkonte çmenduria e regjimit serb. Me të njëjtën logjikë, ky regjim vrastar vazhdoi masakrat edhe në Kosovë në vitet 1998-1999. Është fatkeqësi që edhe pas dy dekadave, kriminelët serbë, autorë të këtyre krimeve makabre në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare. Sot, 24 vjet pas masakrës së Srebrenicës, me dhimbje të madhe i kujtojmë tmerret që ndodhën atje”, është shprehur presidenti Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar: “Sot, në përvjetorin e 24-të, ne i bashkohemi përkujtimit të masakrës së Srebrenicës, një prej krimeve më mizore në Europën e pasluftës së dytë botërore. Kjo masakër nuk ishte as fillimi dhe as fundi i krimeve të regjimit të atëhershëm serb. Vetëm tre vjet pas Srebrenicës, të njëjtat pamje të mizorisë u shfaqën në fshatrat dhe qytetet e Kosovës. Dhe ndonëse kanë kaluar dekada, drejtësia ende nuk është vendosur, por koha nuk e zhvlerëson krimin dhe as drejtësinë. Serbia do të përgjigjet për gjenocidin në Kosovë, siç është përgjigjur për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo është e pashmangshme”.

QEVERIA E KOSOVËS, NJË MINUTË HESHTJE NË 24 VJETORIN E MASAKRËS SË SREBRENICËS

Në fillim të mbledhjes së 110-të, pasditën e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka mbajtur një minutë heshtje në nderim dhe respekt të viktimave në 24 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës.

Me rastin e 24 vjetorit të Masakrës së Srebrenicës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim përfaqësues të komunitetit boshnjak në Kosovë – ministrin e Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, deputeten e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje dhe ish-deputetin Xhezair Murati.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, në emër të popullit të Kosovës, shprehu nderimin dhe respektin që ka për viktimat, duke theksuar se populli i Kosovës gjithmonë do të ndajë dhimbjen me popullin boshnjak.

“Edhe në Kosovë ka pasur masakra shumë të rënda, të kryera nga regjimi i egër i Millosheviçit, për të cilat ende ndjejmë dhimbje të madhe”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Masakra në Srebrenicë dhe masakrat e tjera masive në Ballkan, mbeten njolla të pa shlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia e munguar.

Kryeministri Haradinaj, theksoi gjithashtu se bota asnjëherë nuk duhet të heshtë karshi asnjë gjenocidi, viktimë e së cilës ishin populli kosovar dhe ai boshnjak.

Nga ana e tyre, ministri Demiri, deputetja Balje dhe ish-deputeti Murati, falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe respektin që ai ka në vazhdimësi për komunitetin boshnjak dhe që bashkëndjen me dhimbjen për viktimat e Srebrenicës, masakër kjo më e madhja në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

NË KORRIK TË VITIT 1998 RAPORTOJA: NË KOSOVË PO NDODH BOSNJA, NË RAHOVEC PO NDODH SREBRENICA

 “Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 21 vitesh, në korrik të vitit 1998.

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Para 21 viteve, në 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.
Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Në raportimet për situatën në Rahovec para 21 viteve, në 23 korrik në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” bëja të ditur se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para
ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj. Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.
Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojneë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec e krahasojnë me Srebrenicën.”

24 KORRIK 1998: RUGOVA KËRKON MBROJTJE NDËRKOMBETARE PËR KOSOVËN


Ndërsa, në 24 korrik 1998 me titullin “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”  raportoja: “’Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombetare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.

‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga
qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.
‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

NË KOSOVË KANË NDODHUR KRIME LUFTE, KRIME KUNDËR NJERËZIMIT DHE AKTE GJENOCIDI TË FORCAVE SERBE KUNDËR SHQIPTARËVE

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocidi të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar në një bisedë që kam zhvilluar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda.

Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.

 “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”,  ka thënë Gruda.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare vazhdonte të flasë:

“Argumente ka sa të duash. Është një numër i madh i personave, të cilët kanë pësuar, e sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare është dashur të gëzojnë mbrojtje, të jenë të përjashtuar nga veprimet luftarake, dhe këta janë pjesa më e  madhe e viktimave. Këtu është para së gjithash ai grupi që llogaritet si popullsi civile, në të cilin hyjnë fëmijtë, pleqtë, femrat, e kategori tjera që gëzojnë mbrojtje sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Këtu është personeli mjekësor, personeli i shoqatave ndërkombëtare humanitare për ndihmë viktimave të luftës, personeli fetar, janë të sëmurët, të plagosurit, që nuk duhet të jenë në asnjë rast objekt i veprimeve luftarake…

Në Kosova ka ndodhur, edhe është fatkeqësi e madhe, që pjesa më e madhe e viktimave u takojnë këtyre grupeve që është dashtë të jenë të mbrojtura, të përjashtuara nga veprimet luftarake. Këta janë me qinda e me mijëra e atyre që i takojnë popullsisë civile, janë pleqtë,  gratë, edhe gra shtatzëna, janë fëmijë, madje edhe fëmijë nën moshën shtatëvjeçare… Vetëm në familjen Jashari në Prekaz janë nëntë fëmijë… Në asnjë rast nuk kanë guxuar të jenë objekt i sulmeve, ose objekt i vrasjeve, në asnjë moment.

Këto janë ato kategoritë, këto janë ato shkeljet e madha që bëjnë përjashtim nga rregullat e të drejtës ndërkombëtare të luftës, të cilat i ndalojnë këto veprime. Kemi pasë të vrarë edhe mjekë, edhe misionarë të organiztave humanitare, që janë marrë me ndihmë viktimave të luftës, edhe klerikë ose persona fetarë…Kemi pasë të vrarë ndër civilë edhe percona të sëmurë, me të meta të rënda, të verbër, të shurdhër, të paralizuar, të sëmurë mentalë. Kanë qenë objekt i sulmeve, çka është shkelje e jashtëzakonshme…”

 “Edhe dhunimet, të cilat kanë ndodhur, gjithashtu janë të ndaluara me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare. Është një prej atyre shkeljeve të rënda”, ka thënë Gruda.

Ai ka theksuar se gjithashtu janë të dënueshme veprimet për t’i zhdukur gjurmët e krimeve, dërgimi dhe groposja e trupave të tyre në varreza masive në Serbi.

“Janë mijëra të zhdukur, për të cilët nuk ka kurrëfarë të dhëne çka ka nodhur me ta, që kanë përfunduar diku në përpjekje për t’i zhdukë gjurmët e krimeve”, ka thënë profesor Gruda.

Në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë civilë shqiptarë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur. Menjëherë pas luftës  në Kosovë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.

Filed Under: Histori Tagged With: Srbenica- Gjenocidi-Ndodhi ne Kosove- Behlul jashari

Koalicioni që synon pajtimin në Kosovë

July 11, 2019 by dgreca

Nga Arjana Kasapolli-Selani/ *

‘Koalicioni i Kosovës për Pajtim’ quhet iniciativa e përbashkët e lansuar nga disa organizata joqeveritare që si synim kanë pajtimin ndëretnik në Kosovë, marrë parasysh historinë e hidhur të dekadave të fundit dhe konfliktit të viteve 1998-’99 dhe pasojave të tij.

Mbështetur nga Bashkimi Evropian, tri organizata joqeveritare, Fondi për të Drejtën Humanitare, Organizata Joqeveritare Aktiv nga Mitrovica dhe ArtPolis nga Prishtina, kanë lansuar zyrtarisht ‘Koalicionin e Kosovës për Pajtim’.

Hyrja në partneritet e këtyre organizatave po synon të trajtojë dhe kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve etnike në Kosovë, duke ngritur mirëkuptimin dhe pjesëmarrjen e nismave bazë të komunitetit, që kanë për qëllim nxitjen e procesit të pajtimit në Kosovë.

Bekim Blakaj, drejtor i “Fondit për të Drejtën Humanitare”, në Prishtinë tha se këtë herë kanë vendosur që të bashkohen forcat me organizata të ndryshme, për të kontribuuar në arritjen e paqes së qëndrueshme dhe pajtimit në Kosovë. Opinioni do të duhej të jetë më i informuar, nënvizoi Blakaj, duke shtuar se përmes këtij projekti, po synohet që të zbardhet e vërteta.

“Dokumentimi i së kaluarës dhe dokumentimi i humbjeve në njerëz gjatë periudhës së luftës dhe pas luftës, si dhe monitorimi i gjykimeve të krimeve të luftës, duhet të raportohen, pasi mendoj se njerëzit duhet të dinë më shumë për këto gjëra”, tha Blakaj.

Në anën tjetër, Miodrag Miliçeviq, drejtor i organizatës joqeveritare “Aktiv’’ nga Mitrovica, tha se për të gjitha bashkësitë etnike në Kosovës është i rëndësishëm avancimi i kualitetit të jetesës, të drejtat e barabarta dhe respektimi i të gjitha bashkësive. Ai u angazhua për ndërtimin e vlerave, qëllimeve dhe të ardhmes së përbashkët brenda dhe jo jashtë Kosovës.

“Pajtimi është kategori e vetme, më e ndryshme, më e gjerë dhe më e lartë. Kjo është shprehje e vullnetit tonë personal. Mënyra e vetme që ne t’i sjellim njerëzit deri tek ai nivel, është që ne, të gjithë, në anët tona të tregojmë se jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me të kaluarën dhe në atë mënyrë ta hapim rrugën kah dialogu i hapur, i cili mund të na udhëheqë më tutje drejt ndërtimit më të mirë të shoqërisë, të cilën, jam i sigurt që e meritojmë të gjithë”.

“Ky është parakushti themelor që shoqëritë në Kosovë ta ndërtojnë veten në përputhje me vlerat qytetare, me të drejtat dhe liritë e secilit individ që jeton këtu”, tha Miliçeviq.

Ndërkaq, Zana Hoxha nga organizata “ArtPolis”, tha se adresimi i problemeve ka qenë një aktivitet i vazhdueshëm, duke veçuar shkollën pranverore me vajza nga Kosova e Serbia, ku ato me angazhimin e tyre si aktiviste, kanë punuar për ndërtimin e paqes për vendet e tyre.

“Ky bashkëpunim nuk është vetëm projekt, por është një mision, është një punë të cilën do ta bëjmë në kuadër të strategjive tona, zhvillimit tonë për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për një Kosovë më të mirë dhe jo të ndarë nëpërmes komuniteteve etnike, por ajo që krijon kushte për gëzimin e të drejtave të të gjithëve përfshirë komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha Hoxha.

Edhe Adriatik Kelmendi, gazetar tha se në aspektin medial, mediat shpeshherë kanë qenë vegël e politikës, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

“Jemi 20 vjet pas luftës në Kosovë. Ne po e trajtojmë këtë temë sikur të kishte ndodhur para një, dy apo pesë vjetësh, dhe kjo tregon për një dështim të madh tonin. Nëse i kthejmë reflektorët nga vetvetja pa ndonjë hezitim mund të them se edhe ne, media, nuk e kemi kryer punën ashtu siç është dashur. Pse ka qenë shpesh më e lehtë të bien në agjendat e politikës”.

“Por, duhet nënvizuar se ka organizata dhe individë, që kanë bërë përpjekje që konfliktet dhe viktima të mos ndodhin, por edhe të bëjnë evidentimin, punësimin, të vërtetat për luftën, qëndruarit pranë familjarëve, monitorimin e gjykimeve, pra është punuar më shumë se nga institucionet që kanë buxhet.“ tha Kelmendi.

Derisa Edis Galushi, nga komuniteti rom, tha se ky komunitet në vazhdimësi është manipuluar nga të dyja palët, si nga ajo kosovare, po ashtu edhe ajo serbe.

Ai potencoi faktin se kur bëhet fjalë për pajtimin, dhe ftohen palët për diskutim, janë zakonisht palët kosovare dhe serbe, duke i përjashtuar komunitetet tjera, e që siç thotë ai, ata kanë qenë të përfshirë me ose pa dashje në procese.

“Secilën herë, jo vetëm në këtë luftë, por edhe në luftëra të tjera në vende të ndryshme, romët janë manipuluar. Janë shfrytëzuar për qëllimet e të tjerëve” tha Galushi.

Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, që kanë përkrahur formimin e këtij koalicioni, kanë thënë se është e rëndësishme që të merren iniciativa të tilla dhe se Kosova duhet të marrë shembull vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian që e kanë gjetur rrugën drejt pajtimit pas së kaluarës së hidhur.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, më shumë se 13.500 persona konsiderohen të vrarë në konfliktin e viteve 1998-’99. Prej tyre,rreth 11 mijë shqiptarë dhe mbi 2 mijë serbë dhe pjesëtarë të etnive tjera. Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur.(Kortezi-Evropa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Arjana Kasapolli-Selani- Koalcioni I Pajtimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT