• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

SEIT TAFAJ, PEDAGOGU, VEPRIMTARI

July 11, 2019 by dgreca

NGA MURAT GECAJ/

1.Një njoftim të shkurtër dhe të papritur, lexova sot paradite në Internet: Është ndarë përgjithnjë nga jeta, duke lënë në pikëllim familjarët, kolegët e dashamirët e shumtë dhe anëtarët e Shoqatës “Tirana”, Seit Tafaj! Njëkohësisht, ai ishte dhe koleg e mik i mirë i imi, me të cilin njihesha që para viteve 90-të, të shekullit të kaluar.Lajmin e dhimbshëm e publikoi dhëndrri i tij, Adnan Mehmeti, me origjinë nga Lugina e Preshëvës dhe me banim familjarisht në Nju Jork. Bile, disa takime të kohëve të fundit i kam bërë me të ndjerin Seit, kur ai gëzonte shëndet të plotë edhe për shkak se Adi merret me veprimtari botuese e shoqërore. Prandaj, përmes Seitit, më ka dërguar botime të ndryshme. Adnani ka qenë, për disa vite, kryetar i Shoqatës së Shrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Ndër të tjera, ka botuar një libër për jetën dhe veprimtaritë e kësaj Shoqate, si  dhe është kujdesur që të botohet libri për amerikanen e verbër, Carrie Hooper. Kjo e shkruan mjaft mirë gjuhën shqipe e ka lidhje, përmes Internetit, me disa krijues, në Shqipëri e më gjerë.

Ndër takimet më të fundit, me të ndjerin Seit, ishte ai që bëmë e pimë kafe bashkë, jo shumë ditë më parë, në Lokalin “Galxy-Bar”, aty ku fillon Bulevardhi i Ri i kryeqytetit. Ai më kishte sjellë një libër, të cilin e ka shkruar Dr.Besim Muhadri, me titullin “Poezia e Adnan Mehmetit-Vështrim”(Nga SHB “Bogdani, Prizren, 2019).

2.

Seit Tafaj, ka qenë një ndër arsimtarët më të përgatitur e të njohur të ish-Shkollës së Mesme Industriale të Tiranës. Aty i vazhdonte mësimet djali ynë i madh, Ariani e ai tregohej dashamirës dhe kujdesesj për çdo problem, që kishim. Fjalë të mira, që i meritonte plotësisht, shprehnin edhe kolegët e punës, drejtuesit e shkollës e prindërit.

Në vazhdimësi, ai shërbeu në detyra të ndryshme, arsimore e pedagogjike, si në Institutin e Studimeve Pedagogjike dhe në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor etj.

Por edhe kur doli në pension, ashtu buzagas e i papërtuar, Seiti ishte i kudogjendur, në veprimtaritë arsimore-pedagogjike, kulturore-artistike e sportive, që zhvilloheshin në kryeqytet. Ishte një ndër veprimtarët e dalluar të Shoqatës “Tirana”, e cila vepron tash disa vite në kryeqytet.

Pa u zgjatur në këto pak radhë, në nderim e kujtim të kolegut e mikut të paharruar Seit Tafaj, kërkoj falje nga autori Bujar Qesja, që po riprodhoj një fragmnt, nga shkrimi “In memorium”, që e publikoi për atë, në “Gazetën e Durrësit”:

“Seit Tafaj është nga mbështetësit e fuqishëm, jo vetëm te ruajtjes së vlerave njerëzore të qytetarisë së njohur tironase, duke mbrojtur traditat dhe historinë e saj, por edhe i forcimit të veprimtarive të shoqatës së Shqipërise së Mesme, të përbërë nga: Tirona, Durresi, Elbasani dhe Kruja”.

…Në mbyllje, u dërgojmë ngushëllimet më të sinqerta,të gjithë familjarëve të tij, kolegëve e miqëve dhe dashamirësve të tij të panumërt! I ndjeri Seit Tafaj do të mbetet përherë i paharruar, se këtë gjë e mëritoi me tërë jetën e tij të përkushtuar, për arsimin tonë kombëtar dhe atdhetarizmin shqiptar!

Këtë shënim timin modest, po e shoqëroj me një fotografi, që i kam bërë Seit Tafajt, kur pinim bashkë kafe, në datën 4 tetor 2018.

-I paharruar qoftë kujtimi i Seit Tafajt!

Nga: Prof.Murat Gecaj, publicist e studiues

Tiranë, 11 korrik 2019

Filed Under: Komunitet Tagged With: Pedagogu-Veprimtari, Seit Tafaj

KAFSHIMI I QENIT

July 10, 2019 by dgreca

nga Albana M. Lifschin/*

Më kishte folur edhe gjyshja për vitet e internimit,
për fëmijët e rritur pas telave me gjemba. Atë kohë kisha
hyrë në gjimnaz. Një ditë, papritur, sytë më shkuan
te një shenjë në ije të gjyshes.
– Çfarë është kjo, nana?
Ajo tërhoqi bluzën poshtë dhe e futi nën fund.
– Mua po më shikon ti?
– Çfarë e ke atë shenjë? – pyeta unë përsëri. – Je vrarë
gjëkundi, nana?
– Eh, bijo… E kam kujtim nga internimi. Kemi qenë
në Bënçë të Tepelenës atë kohë. Pranë kalasë. Ah! Çfarë
kemi kalu në internim, mos e kaloftë kush! Na detyronin
të banim punë të randa e nuk na mbushej barku kurrë
me bukë. Na jepnin një supë, ashtu i thoshin, por
zor se të zinte gja luga në të, veç krimbave. Shkonim në
pyjoren pranë grykës së lumit,disa kilometra larg kampit.
Ishim rreth 100 gra që ngarkoheshim me dru në kurriz.
Një polic ishte në krye të kolonës e një në fund. Kisha
kohë që e baja këtë punë, por fuqitë erdhën duke më
lanë. Ishte një ditë shiu. Turra e druve erdhi duke m’u
rëndu. Më mundi lodhja dhe e pangrëna. M’u veshën
sytë. Nuk mbaj mend si u rrëzova në përrua dhe nuk
kisha fuqi të ngrihesha, kur ndjeva kafshimin e një qeni
këtu në ijë.
Mua më kishte ngrirë fytyra nga përfytyrimi i gjyshes
së rrëzuar në përrua dhe e një qeni të zi mbi të.
– Që atë ditë rashë e sëmurë e nuk shkova ma për
dru. Por kisha dy fëmijë të vegjël me vete dhe sido që të
vinte puna, nuk duhej t’u dorëzohesha mundimeve. Ata
s’kishin kërkend tjetër. Kemi kalu sëmundje të randa.
Askush nuk kujdesej për të sëmurët. Njerëzit i këpuste
vdekja. Uria na mundonte përditë. Njëherë, Leka
solli në kazermë një 20 lekëshe. Ishte e lagun. “Kush
ta dha këtë?” e pyeta. “Askush. E gjeta rrugës. E ka lag
shiu, por unë e fshiva pas pantallonave. Nanë, ne mund
blejmë një racion bukë me te.” – “Shko vene në vendin
ku e gjete. Dikujt i ka ranë nga xhepi dhe ai njeri
ka dëshpërim sot. Do të kthehet ta kërkojë rrugës nga
ka ecun”, i thashë, “dhe mos harro: veni një copë gur
përsipër që të mos e marrë era.” 
Edhe në ato kushte me bark thatë, fëmijët doja t’i edukoja mirë. Ata do të rriteshin një ditë me vullnet të Zotit.

– Një herë tjetër, im bir më tha se një shoku i tij i
klasës kish nevojë për fanellë, por nana e vet nuk dinte
të punonte me shtiza. Kështu, të nesërmen më sollën
leshin dhe tanë natën kam punu me shtiza fanellën e atij
djali. Të nesërmen, im bir e mori fanellën dhe ia çoi në
shtëpi. U kthye prej andej me një bukë gruri të mbështjellë.
Ishte haku i punës.
Unë s’ia ndaja sytë gjyshes.
– Do prapë?
Unë kisha harruar të merrja frymë…
– S’janë për ty këto, bijo.
– Më thuaj edhe një histori vetëm, vetëm edhe një, –
iu luta unë dhe u ngjesha pas saj në divanin e kuzhinës.
– Mirë pra, kjo do të jetë e fundit, ë?
Tunda kokën në shenjë pohimi.
– Një pasdite na urdhnun të dilnim jashtë kazermave
të tanë, pa përjashtim. Përpara nesh, disa metra më
tutje, qe vendosur një mitraloz i mbështetun në dy kambë.
Fëmijët u trembën. Disa filluan të qanin. Çfarë do
të banin me ne? Do të na vrisnin? U krijua panik. Komandanti
i kampit doli përpara dhe foli me zë të rreptë:
“Mungon një kandil i kazermës. Kush e ka vjedhur, të
dalë përpara!” Ra heshtje. Dikur, një djalë i ri bëri një
hap para e tha: “E kam unë.” – “Pse e ke vjedhur kandilin?
Ai është i komandës s’është i yti!” – “E pashë që
ishte prishur dhe mora ta rregulloja.” Nuk u duk se komandanti
i kampit e besoi. “Ju të tjerët shpërndahuni, ti
dil mënjanë”, tha ai. Pranë zyrave ishe një dhomë izolimi
për ata që dënoheshin. Atë djalin e futën atje. Mitralozi
dykambësh në mes të kazermave dhe tmerri që u
hyni të internuarve s’harrohen.
– Po sikur t’ju kishin vrarë? – e pyeta unë.
– Nuk kishim ba kurrgja që të na vrisnin.
Habitesha me gjyshen. As ajo s’kishte bërë asgjë që
ta meritonte internimin, por i kishte duruar të gjitha
dhimbje- dënimet në heshtje. Mos ishte pak dhimbja
për burrin e djalin e arratisur? Apo për djalin e madh që
ishte vrarë si tradhtar e nuk i dihej varri? E kishin quajtur
herë ‘nënë komunisti’ e herë ‘nënë tradhtari’. Më
ishte rrënjosur që nga fëmijëria një çast kur e kam pyetur
nënën time se sa vjet shkollë kishte gjyshja dhe ajo
mu përgjigj: “12 vjet”. Nuk m’u besua. Më pas e pata
pyetur edhe gjyshen dhe ajo më tha tekstualisht: “Kam
12 vjet shkollë e kurse”.Vonë, ime ëmë më ka shpjeguar
se gjyshja kishte parasysh 12 vitet e internimit. Ato ishin
shkolla e saj, prej ku ajo kishte mësuar shumë. Shkollë
jete. Vonë, kur dëgjoja të më thoshin se gjyshja jote flet
me ‘proverba’, e dija që nënkuptonin mençurinë e saj.
Besoja që më shumë se çdo gjë ishte përvoja e jetës si e
internuar, që e bënte të fliste shkurt dhe thellë.

*(Fragment nga libri “Yjet nuk jane te kuq”,botuar ne 2013)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kafshimi I Qenit-Albana M Lifshin-Yjet nuk jane te kuq

MESAZHE PËR TË MOS HARRUAR “RRËNJËT” NGA VIJMË

July 10, 2019 by dgreca


Mbresa nga vëllimi me tregime “Rrënjët” i shkrimtarit shqiptaro-amerikan, Resmi Çorbaxhi- /

NGA FUAT MEMELLI/

E kisha “takuar” krijuesin Resmi Çorbaxhiun  në faqet e shtypit qysh para viteve ’90, pasi ai ishte një firmë e njohur. U desh të kalonin vite dhe ta takoja nga afër në ceremoninë e 110 vjetorit të gazetës “Dielli” në Neë York. E ka lënë Maliqin nga është me origjinë dhe prej vitesh jeton në qytetin Albany afër Neë Yorkut. “Mikrobi” i krijuesit nuk e le rehat dhe ai vazhdon të shkruajë në faqet e gazetave shqiptare që dalin në Amerikë. Atë ditë që u takuam, më dhuroi edhe vëllimin e tij me tregime “Rrënjët”. I lexova  tregimet, ndërsa disa prej tyre edhe i rilexova. Nga kënaqësia që përjetova, po shkruaj  disa mbresa, thjesht si një lexuas, pasi nuk jam kritik letërsie. Vëllimi “Rrënjët”  nuk ka të bëjë aspak me rrënjët e ndonjë peme, por me “rrënjët” ku je lindur e  rritur e ku mjaft njerëz duan edhe të treten aty, siç ndodh me ndonjë nga personazhet e tregimeve. Është “magneti” i vendlindjes, është zëri i të parëve që i thërret aty, pasi këmbët shkojnë aty ku i urdhëron zemra. Në këto vite të tranzicionit, kur shumë familje u larguan nga fshati e shkuan në qytete e një pjesë në emigracion,  autori na sjell edhe peronazhe që tranzicioni nuk i shkuli dot nga “rrënjët”. Shumica e “brumit” të tregimeve, është marë nga atdheu ynë ku autori ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, por edhe nga Amerika ku jeton prej disa vjetësh. Personazhet e tregimeve janë njerëz të kategorive të ndryshme: fshatarë, mësues, nxënës ( autori ka punuar shumë vjet si mësues dhe e njeh deri në themel arsimin) specialistë të fushave të ndryshme, emigrantë, etj. Janë njerëz që autori i ka njohur në rrugën e jetës . Mbresat që i kanë lënë , i ka “arkivuar” në kujtesë e më pas i ka “zbrazur” në faqet e tregimeve. Janë personazhe realë e autori vetëm sa i ka ndruar emrat dhe i ka veshur me “gëzofin” artistik. Janë njerëz tokësorë, me të mirat e të këqiat e tyre. Tregimet e tij të thjeshtë e të bukur, mesazhet jetësore që ata përcjellin, më ngjajnë me poezitë e Dritëroit. Është kjo një vlerë e tregimeve të Resmi Çorbaxhiut. Plaku Baze, personazh kryesor i tregimit “Rrënjët”, nuk do të largohet nga fshati, nga “sarajet” e tij. “Këtu, vetëm këtu do të më dalë shpirti, qoftë edhe i vetëm” thotë ai. Tregimi ka një kolorit të pasur gjuhësor, veçanërisht të krahinës së Korçës, ka dialogje të bukur e retrospektiva, që të mbeten në kujtesë.

Një tregim jetësor, është edhe ai me titull “ Dëshira e fundit”, ku një çift fshatarësh, janë dashur e duhen deri në minutën e fundit. Siç thotë autori “ ata ishin bastun për njëri-tjetrin”. Krati, persoazhi kryesor i tregimit, nuk do të ligështojë pjesëtarët e familjes dhe do të japë shpirt në krahët e shokut të tij të vjetër. Dhe shkon më tej kur le amanetin: “dasma të bëhet sikur të isha gjallë”. Janë dëshira njerëzore këto që burojnë nga një shpirt i brishtë. 

Tronditës është tregimi “ Vetmia”, dramë e cila nuk ka fund në jetën e një gruaje, pas burgosjes së të shoqit, gjoja si agjent i të huajve. Ne që e kemi njohur atë sistem, dimë plot raste të ndarjes për së gjalli të njerëzve të afërt prej “njollave” në biografi. Njerzit u largoheshin atyre sikur të kishin zgjebe. Dhe ngriheshin mure mes shtëpive të tyre për mos komunikuar, por më të lartë se ata, ishin “muret” shpirtërore. Njerzit përçmoheshin nga pushteti i kohës. Te tregimi “Vetmia” brigadieri e dërgon gruan të punojnë vetëm, e përzenë nga mbledhja e frontit,  i kërkojnë të ndahet nga burri. Vetmia arin deri aty sa edhe i jati le amanet që “vajza mos vijë as në varrimin e tij”. I gjithë “mëkati” ishte se Besiani, i shoqi i Nëntores, kishte strehuar çifutë gjatë luftës. Duke lexuar këtë tregim, m’u kujtua familja e të ndjerit Hamit Qyteza, që e kam njohur pas viteve ‘90 në fshatin Rov të Korçës e përgatita një kronikë dhe një shkrim . Hamiti, ish student i liceut të Korçës dhe mjeshtër i ritjes së luleve, kishte patur “njolla” në biografi, dhe krahas ndëshkimeve të tjera, brigadieri e veçonte tok me gruan, duke i dërguar  edhe në punët më të rënda.

Puna e Resmiut si mësues por edhe si gazetar te “Koha jonë”, e ka bërë që të njohë një mori ngjarjesh e karakteresh.  Një ngjarje me një ish nxënëse , e ndodhur në vitin e mbrapshtë ’97, është bërë shkas për tregimin e bukur “Telefonata e papritur”. Atëhere vajza e urrente mësuesin, pasi nuk i jepte lejë për t’u takuar me të dashurin. Më pas doli që ai kishte qënë mashtrues dhe kish dashur ta trafikonte vajzën. Pas vitesh vjen një telefonatë e papritur nga jashtë ku tashmë jetonte vajza dhe falenderon mësuesin ( duket që është vetë mësues Resmiu) që e kishte shpëtuar nga prangat e trafikantit. Është një ngjarje bindëse, pasi të gjithë e dimë si lulëzoi ky fenomen në Shqipëri pas viteve ’90. 

Të mbetet në kujtesë edhe tregimi “Lalai”, një fshatar i zgjuar e hokatar, që “të jepte ujë në bisht të lugës” e që godet me “armën “ e humorit kryetarin e kooperativës, “një djalurçinë nga qyteti, që rinte me kollare edhe në majë të malit”, por që i kishte shpatullat e ngrohta nga pushteti. Kryetari shpif ndaj tij dhe Lalai arrestohet , por mësohet e vërteta, ai del shpejt nga biruca dhe kryetari shkarkohet. Kjo ngjarje na kujton disa kuadro të atij sistemi, që “shinin lëmë” pasi i kishin shpatullat e ngrohta.

 Me tregimet e bukur të këtij vëllimi, mund të vazhdonim por po i mbyll këto rradhë me urimin që Resmi Çorbaxhiu, i thjeshtë si vetë tregimet e tij, të na dhurojë vëlllime  të tjera të bukur.

Filed Under: Histori, LETERSI Tagged With: Resmi Çorbaxhiu-RRenjet-Fuat Memelli

SHBA-ja synon krijimin e një force ndërkombëtare në ujërat rreth Iranit dhe Jemenit

July 10, 2019 by dgreca

Një gjeneral i lartë amerikan ka thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të krijojnë një koalicion ushtarak ndërkombëtar për të mbrojtur ujërat rreth Iranit dhe Jemenit.Gjenerali i marinës, Joseph Dunford, tha se iniciativa ka për qëllim të “sigurojë lirinë e lundrimit” në rajon, përmes të cilit sigurohen rrugë të rëndësishme tregtare.Muajin e kaluar, SHBA-ja akuzoi Iranin për sulme ndaj cisternave të naftës.

Gjenerali Dunford tha se SHBA-ja është në bisedime me një numër vendesh të cilat kanë “vullnet politik” për të mbështetur këtë plan.

Sipas planit, SHBA-ja do të siguronte anije “komanduese dhe kontrolluese”, tha ai. Megjithatë, qëllimi do të ishte që vendet e tjera të ofrojnë anije për të ngritur patrullat afër dhe për të shoqëruar anijet tregtare nëpër zonë.

Gjenerali Dunford po ashtu tha se SHBA-ja do të “punonte drejtpërdrejt me ushtarakët për të identifikuar aftësitë specifike” të çdo vendi që duhet ta mbështesë iniciativën.

Çfarë po ndodh në këtë rajon?

Ngushtica e Hormuzit dhe Bab al-Mandab janë lokacionet strategjike detare, që sigurojnë qasje nga oqeani në Gjirin Persik dhe Detin e Kuq.

Gjenerali tha se madhësia e iniciativës varet nga numri i vendeve që vendosin të marrin pjesë.

“Me një numër të vogël të kontribuuesve, mund të kemi një mision të vogël. Ne do të zgjerojmë atë, krahas numrit të vendeve që janë të gatshëm të marrin pjesë “, tha ai.

Çdo ditë, afro katër milionë fuçi nafte kalojnë nëpër Mandab Bab-al për pjesën tjetër të botës.

SHBA akuzuan Iranin për sulmin ndaj dy cisternave të naftës në qershor, në ngushticën e Hormuzit – një akuzë e mohuar nga Irani.

Disa ditë më vonë, një fluturake amerikane pa pilot u rrëzua nga forcat iraniane në Gjirin Persik.

Irani tha se droni kishte shkelur hapësirën ajrore iraniane dhe përmes rrëzimit të tij po dërgonte një “mesazh të qartë në Amerikë”.

SHBA-ja këmbënguli se avioni kishte qenë mbi ujërat ndërkombëtare.

Presidenti amerikan, Donald Trump shkroi më pas se “Irani bëri një gabim shumë të madh!”.

Irani ka thënë se do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit nëse nuk do të jetë jetë në gjendje që të eksportojë naftë.

Pse kjo sjellje e Iranit?

SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj eksporteve të naftës iraniane, pasi dëshiron që Irani të rinegociojë një marrëveshje bërthamore.

“Irani nuk po kërkon luftë me asnjë vend, por ne jemi plotësisht të përgatitur për të mbrojtur Iranin”, tha gjenerali Hossein Salami, kreu i Gardës Revolucionare Islamike e Iranit, pas rrëzimit të dronit.

Ndërkohë tensionet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Iranit po rriten, pasi Britania tha se regjimi iranian ishte “pothuajse me siguri” përgjegjës për sulmet ndaj dy cisternave të naftës në qershor.

Ndërkohë, Teherani ka njoftuar se ka rritur nivelet e uraniumit të pasuruar, i cili shërben për krijimin e armës bërthamore.

Ky veprim ka alarmuar vendet perëndimore, të cilat i kanë kërkuar Iranit të respektojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të cilën e ka nënshkruar me disa vende evropiane, Rusinë, Kinën dhe SHBA-në.

Me marrëveshjen e vitit 2015, Irani ka kufizuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Por, vitin e kaluar, SHBA-ja është tërhequr nga kjo marrëveshje duke thënë se ajo nuk kufizon mjaftueshëm kapacitetet e Iranit për zhvillimin e armës bërthamore.SHBA-ja ka thënë se Irani paraqet rrezik për rajonin dhe botën dhe se kurrë nuk do ta lejojë të posedojë armë bërthamore.Zyrtarët iranianë janë ankuar se palët e mbetura në marrëveshje – Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia – nuk kanë arritur t’i zbusin efektet e sanksioneve të SHBA-së mbi ekonominë e Iranit.

Por, pas informacioneve për rritjen e nivelit të uraniumit të pasuruar nga ana e Iranit, fuqitë evropiane i bën thirrje Teheranit të tërhiqet nga hapat e fundit për të rritur nivelin e uraniumit të pasuruar.Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar më 9 korrik, Gjermania, Britania, Franca dhe Bashkimi Evropian shprehën “shqetësim të thellë se Irani nuk po përmbush disa nga angazhimet e tij, sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015”. Përgatiti: Kestrin Kumnova-RFL

Filed Under: Rajon Tagged With: SHBA- Iran-Jemen

Shkrimtari Maku Pone u nda nga Jeta

July 10, 2019 by dgreca

MAKU PONE, U NDA NGA NE…/

Nga Pellumb KULLA?
Janë të hidhur lajme si këta. 
Largësia sikur ua shton goditjen mbi ne, që e vuajmë humbjen e miqve të dashur, të tillë si poeti dhe dramaturgu Maku Pone.
Jeta e solli që ai dhe unë të njiheshim në një fushë ku u lodhëm, vuajtëm dhe gëzuam tok. Fjalët që vumë ne, në buzët e artistëve të skenës, frymëzimi, emocionet që sollëm na e bënë lidhjen tonë miqësore më të fortë
Në teatrin dhe estradën e qytetit tonë të bukur të Fierit, në jetën letraro-artistike të qytetit, miku im fjalë ëmbël, krijoi një atmosferë pjellorie, një filtër të çmuar për krijimtarinë time dhe të bashkëpunëtorëve tanë. 
Ishte mjaft i sinqertë dhe produktiv inkurajimi i krijimtarisë, teksa i miri Maku udhëhoqi për shumë vite me radhë shoqatën e krijuesve letraro-artistikë të atij qarku, me krijimtarinë e tij vetjake dhe me sendërtimin e një mjedisi aq miqësor për shkrimtarët, piktorët, skulptorët dhe kompozitorët fierakë.
Veçanërisht ne, që punuam në teatër falenderojmë fatin që shkrimtari Maku Pone erdhi në krye të këshillit artistik të teatrit dhe të estradës, në përkujdesjen e lëndës, si të thuash, të miellit, për magjen e skenës të teatrit “Bylis” Janë shumë kuptimplotë homazhet dhe përcjellja që do t’i bëhen nesër, të mërkurën, nga parasalla e atij teatri. Është një pikëllim i shtuar për mua mungesa ime dhe e Xhuljetës në atë nderim dhe në atë përcjellje. 
Se nuk mund të rri pa nënvizuar, që personalisht unë i detyrohem më tepër se kujtdo, atij njeriu të mirë dhe kurajoz për nxitjen dhe mbrojtjen e gjithanëshme që, në mënyrë të veçantë, unë e pata më shumë se kushdo nevojë jetike të ethëshme.

Ndjej një lehtësim që para disa muajsh vrapova të gëzoja tok me të përvjetorin e tij të tetëdhjetë. Është e pangushëllueshme që urimet tona patën shpirt, por jo forcë që t’ia zgjatnin edhe ca jetën këtij njeriu të rrallë. Dhe pikërisht nga shkrimi që publikova asaj dite, po huazoj edhe një herë falenderimin tim:
Të faleminderit, Maku i shtrenjtë, që për mua, njërin nga miqtë e tu të afërt dhe për familjen tënde të dashur, jetove aq bukur! 
Të qoftë i lehtë dheu që do të të hedhin shokët tonë të përbashkët dhe rrugë të mbarë të kesh nëpër kujtimet tona të bukura!…

Florida, 8 korrik 2019

Filed Under: ESSE Tagged With: Maku Pone-iku-Pellumb Kulla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT