• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

Dominimi i kulturës politike autoritare

July 30, 2019 by dgreca

Nikë Gashaj/

Kur federalizmi ka qenë i vendosur në Jugosllavi, njësitë federale kanë qenë kryesisht të organizuara në bazë të kombeve etnike, sipas modelit Sovjetik. Në të ashtuquajturën Jugosllavinë e Dytë, marrëdhëniet ndërmjet kombeve etnike, që nga viti 1960, gjithnjë e më tepër janë keqësuar. Duke analizuar eksperiencat dhe shkaqet e dezintegrimit Jugosllav, Sovjetik dhe Çekosllovak, teoricienti Valeri Bans thekson se struktura federative ka qenë shkaku më i rëndësishëm, që ka çuar deri te shthurja, sepse federalizmi njëpartiak, në kontekstin socialist i ka krijuar proto-kombet dhe proto-shtetet.

Dezintegrimi ka ndodhë për arsye se struktura politike-administrative e këtyre shteteve federative ka qenë e themeluar në njësitë të cilat kanë qenë të caktuara në kategoritë etnoterritoriale (Valerie Bunce). Nuk ka dyshim, përpos shkaqeve të tjera, se edhe defektet e inkorporuara në sistemin politik dhe karakteristikat konfederative e kanë lehtësuar shthurjen respektivisht dezintegrimin.

Arsyeja kryesore e kundërshtimit dhe e rezistencës së federalizmit është eksperienca me federalizmin, që ka shërbyer si udhë e secesionizmit dhe e shthurjes së tri ish-federatave komuniste. Mu për këtë arsye, federalizmin e shikojnë si një mjet që me hapa gradualë e sendërton secesionizmin.

Pas vdekjes së Titos në Jugosllavi ka arrdhur deri te tensionimi i gjendjes politike dhe acarimi i marrëdhënieve etnike dhe konfliktet e armatosura. Si pasojë e kësaj, në disa republika, veçanërisht në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë ka arrdhur deri te koncentrimi i pushtetit në duar të kryetarëve të republikave të lartpërmendura, kurse në popull ka qenë i përhapur një botëkuptim, të cilin mund ta vlerësojmë si shprehje e dominimit të një kulture politike autoritare, e cila ka rezultuar në personalitete autoritare, të cilët i ka përkrahë pjesa dërmuese apo absulute e popullatës aktive politike, e shkaku kryesor nuk ishte dashria ndaj udhëheqësve, por frika për identitet kolektiv dhe ekzistencë, në qoftë se në konflikt të fuqisë dhe të interesit mbeten pa koordinatorë ose dirigjentë.

Pa marrë parasysh se autorët e orientimit liberalo-demokratik si psh. Huan Linc, Arend Lajphart, Alfred Stepan dhe të tjerë, që merren me problematikën e transformimit nga format politike autoritare në ato demokratike në Amerikën Jugore, në Europën Jugore (me çka më së pari mendohet në Spajë dhe Portogali, pastaj në Itali, Greqi dhe Turqi) dhe në Europën Lindore (duke përfshirë dhe Ballkanin) theksojnë përparësitë, të cilat për një transformim të tillë do t-iu afrojë sistemi parlamentar, atyre iu është dashur të konstatojnë shtrirjen dhe zgjerimin e madh të sistemit presidencial, kryesisht me presidenta të fortë, çka kur të merret parasysh tradita autoritare dhe kultura politike, manifeston (me përjashtime) më tepër autoritarizëm sesa ndonjë tipar tjetër të bindjes politike.

Kur presidenti rus ishte në konflikt me parlamentin, i cili ka arritur kulmin më 1993, në përpjekjet që me ndërrimin e kushtetutës ta forcojë poziten e vet, disa shkencëtarë amerikanë, njohës të mirë të Rusisë, si Robert Daniels, e kanë përshkruar pozitën dhe ambicjet e tij si lindje “të mbretit të ri”. Në të njëjten kohë, një pjesë e mirë e shtypit perëndimor e ka parë si një interes për momentin më të rëndësishëm, që në pushtet të mbetet negociatori i gatshëm për koncesione, sesa të vihet deri te zhvillimi i institucioneve demokratike dhe i pushtetit ligjor, nëpërmjet ndarjes dhe baraspeshës së pushtetit, si dhe i forcimit të sistemit parlamentar.

Situatë e ngjashme ishte edhe në vendet e tjera të Europës Lindore dhe në hapësirën e ish Bashkimit Sovjetik.

Ne këtu duhet të cekim se teoreticientët e demokracisë konsociale vlerësojnë se parlamentarizmi, për mbrojtjen dhe për mbushjen e synimeve të pakicave etnike (nacionale), është më i mirë se sa presidencializmi.

                               Rreziqet e trilluara dhe diktatura politike

Disa hulumtime të opinionit publik dhe stereotipet dominuese në kulturën politike në hapësirën e Serbisë dhe Malit të Zi kanë treguar, e për këtë ekziston edhe një numër i madh indikatorësh në mbishkrime, në korrespodencat e lexuesve dhe në deklaratat e botuara, që një numër i madh i qytetarëve ka menduar dhe mendon se situata detyron pranimin e presidentit të fortë si udhëheqës.

Në një mënyrë kjo ka të bëjë në mënyrë të ngjashme me situatat e rrezikshme ose të rreziqeve të supozuara, në të cilat romakët e vjetër dikuj ia kanë besuar pushtetin e pakufizuar. Rreziku për ç‘arsye kërkohen autorizime të jashtëzakonshme mund të jetë i trilluar dhe joreal, ndërsa efektet në pikëpamje të përkrahjes janë gati të njëjta.

Romakët atë formë fillestare të diktaturës e kanë kufizuar në pikëpamje kohore dhe të përmbajtjeve të kompetencave, e kur ka kaluar koha e caktuar ose eliminimi i rrezikut, përsëri janë kthyer në një formë “normale” të jetës politike. Mirëpo, edhe atëherë është dëshmuar se paraftyrimet mbi rreziqet ose vetërreziqet mund të përkrahen apo të mbahen edhe artificialisht dhe ashtu të vazhdohet diktatura.

Nuk guxojmë të mos e kemi parasysh fatin se një numër i madh i argumentave dhe rezoneve në favor të decentralizimit, vetëqeverisjes, demokracisë, të kufizimit të pushtetit etj. mund të kundërshtohet me heshtje, ose shprehimisht me një sërë kundërargumentash nga katalogu i “arsyeve shtetërore”, të “interesave kombetare”, të “arsyeve të sigurimit kombëtar”, të teorisë së sovranitetit, të nevojave dhe detyrave të shtetit për të ruajtur rendin publik si supozim të paqes shoqërore dhe të pengojë trendet nga fragmentizmi i mëtejshëm, që mund të rrezikojë jo vetëm integritetin e tij territorial, por mund të çojë edhe deri te konfliktet me përpjestime të mëdha dhe me pasoja jashtëzakonisht tragjike.

                                      Xhon Loku – prijësi i ideve demokratike

Si prijës i ideve dhe i institucioneve të demokracisë liberale, e cila kërkon edhe vetëqeverisje, decentralizim dhe ndarjen e pushtetit, në një masë të madhe konsiderohet Xhon Loku. Ndërsa, si përfaqësues dhe ithtar radikal i mbrojtjes së rendit autoritar, të rregullit publik  dhe sigurimit të shtetit ose interesave kombëtare (shtetërore), mund të merret Tomas Hobs.

Loku e ka paraparë dhe supozuar një situatë, ku trupi politik dhe qeveria formohen mbi bazat e veprimit racional dhe të marrëveshjes së njerëzve mbi të ashtuquajturat sende themelore, që kanë të bëjnë me karakterin e jetës së përbashkët nën pushtetin e zgjedhur dhe në bazë të respektimit reciprok të të drejtave dhe lirive themelore.

Ai është nisur nga një koncept i karakterit njerëzor, që llogarit në mprehtësinë e arsyes, të urtësisë dhe të gjykimit njerëzor. Por, në qoftëse dikush supozon ndryshe karakterin e njeriut, duke parë në të egoizmin dhe karrierizmin si tipare kryesore, dhe nëse e konsideron se ajo manifestohet në mënyra të ndryshme në jetën e përditshme (krime, pasiguria e jetës dhe e pronës, korrupsioni, lufta rreth pushtetit nga grupet mafioze deri në krye të shtetit) dhe përpos kësaj, po ashtu shton se në përpjestimet botërore gjatë tërë historisë zhvillohet lufta për superioritet dhe dominim, atëherë një paraftyrim i tillë i zi mund edhe për zgjidhjen e problemeve të pushtetit dhe të rendit publik, të drejtojë me mjete të tjera.

                                         Tomas Hobsi-ithtar i pushtetit autoritar

Udhë tjetër është ajo mbi të cilët kanë treguar mbrojtësit e shumtë të pushtetit të fortë, dhe zakonishtt të pakufizuar. Për një rezonim të tillë është vendi reprezentues nga Leviatani, ku Hobsi e shqyrton karakterin dhe mënyrën e themelimit të shtetit: mënyra e vetme që të vendoset pushteti i tillë i përbashkët, i cili mund të jetë i aftë për t’i mbrojtur njerëzit nga pushteti i jashtëm dhe nga lëndimet që ia bëjnë njëri tjetrit dhe t’i sigurojnë që me zellin e tyre dhe me frytet e tokës mund të ushqehen dhe t’i kënaqin nevojat dhe kërkesat e veta, është e domosdoshme që tërë forcën dhe fuqinë e vet t’ia besojnë një njeriut, ose një grupi të njerëzve të cilët do të kenë mundësi që të gjitha  dëshirat e tyre nëpërmjet shumicës  së votave të reduktohen  në një dëshirë.

E kjo do të thotë të caktojmë një njeri ose një grup njerëzish të cilët do të jenë mbartësit e personalitetit të tyre dhe gjykimeve të tyre. Dhe në tërë atë qëndron esenca e shtetit të cilin do ta definojnë si një personalitet ku mbartësi i këtij personaliteti quhet sovran dhe thuhet se atij i takon pushteti sovran, ndërsa të gjithë qytetarët e tjerë  janë shërbëtorë të tij.

Shumë fakte ne na drejtojnë në konkludim se pikërisht  ndeshemi me shumë elemente të shtetit autoritar Leviatan: mirëpo, shteti në fjalë nuk përmbush atë rol të cilin  një shteti të tillë ia ka përcaktuar Hobsi në teorinë e vet. Ky rol kishte për synim ofrimin e paqes dhe sigurisë.

                         Sovraniteti shtetëror rigjid- pengesë e demokratizimit

Pa marrë parasysh se mendojmë që do të ishte e preferueshme dhe e nevojshme që shtetet e Ballkanit Prendimor: Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia dhe BeH, të zhvillohen në drejtim demokratik, të sendërtimit adekuat të pushtetit ligjor, të decentralizimit demokratik dhe të vetëqeverisjes rajonale dhe lokale, të respektimit, mbrojtjes dhe realizimit konsekuent të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave kombëtare, duhet të themi se ekzistojnë disa grupe të faktorëve të cilët do të drejtojnë në një drejtim të kundërt.

Në rend të parë, kryesisht, koncepti i pushtetit ka qenë dhe është i përcaktuar me botëkuptimet  mbi sovranitetin shtetëror dhe ndërtimin e shtetit nacional, i cili ka më tepër ngjashmëri me kompetencat dhe me zgjidhjet institucionale nga e kaluara historike e sistemit politik centralist sesa me idetë dhe institucionet liberal-demokratike.

Mu për këtë arsye një ndër potezat kryesorë të pushtetit tek këto shtete, që në fillim të ashtuquajturës – periudhë të transicionit, ka qenë koncentrimi i pushtetit dhe i resurseve.

Pastaj, interesat e pushtetmbajtësve që të ruajnë pushtetin dhe fotelet kanë imponuar nevojën e shpenzimit të një energjie të madhe dhe të mjeteve për të realizuar atë qëllim duke mos u kujdesur që shteti ta arsyetojë veten, madje as me përmbushjen e këtyre qëllimeve dhe detyrave, për çka sipas Hobsit edhe formohet shteti, e ajo është sigurimi i rendit shoqëror, paqes dhe sigurisë, nga jashtë dhe nga brenda. Në këtë situatë pushtetmbajtësit janë shumë të rrezikuar, sikur të inicionin reformat e vërteta, të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit juridik dhe demokratik, të cilat do të “shkrinin” dhe do të dobësonin sistemin e tyre rigjid të kontrollit, i cili është treguar joefikas, jozhvillimor dhe jodemokratik

Filed Under: Opinion Tagged With: Nik Gashaj-Politika Autoritare

Gjamë për kohën që po e hanë njerëzinë

July 29, 2019 by dgreca

Shkruan: Nue Oroshi/ Të qenurit njeri është një vyrtyt shumë i madh që nuk mund ta ketë çdokush. Njeriu dhe njerëzia nëpër kohëra të ndryshme historike janë ballafaquar me njëri-tjetrin.Njerëzia në të kaluarën ka qenë një vyrtyt i shenjët që është përcjellur  brez pas brezi në trojet shqiptare. 

Madje shumë familje atdhetare dhe të përkushtuara iu kanë përcjellur fëmijëve dhe pasardhësve të tyre se dy vyrtyte të shenjëta janë që duhet mbajtur me një përkushtim të pashoq.E ato janë njerëzia dhe atdhedashuria.Në të shumtën e rasteve njerëzia dhe atdhedashuria kanë shkuar paralel tek populli ynë shqiptar që historikisht nuk ju ka munguar trimëria dhe atdhedashuria por që fatkeqësisht në shumë periudha historike prijësit dhe drejtuesit e popullit shqiptarë kanë lakmuar shpeshherë dhë në të shumtën e rasteve kjo lakmi na ka kushtuar me humbje teritorësh dhe nuk është rastësisht në popull fjala popullore:“se mos i hani paret e krajlit se shenjë t’zezë po i leni djalit “

Në çdo periudhë historike trevat shqiptare janë zvogëluar dhe kanë humbur me qindra kilometra tokë,det e qiell duke i lënë fshatra dhe krahina të tëra në mëshirën e pushtusve.Të cilët ditën në të shumtën e rasteve të bëjnë masakra të mëdha në tokat shqiptare që u lanë me gjak.E fatkeqësisht këto masakra ende nuk jemi në gjendje që ti evidentojmë dhe të paraqesim një dosje në Gjykatën e Hagës lidhur me krimet serbe,greke,turke,malazeze dhe maqedone në trojet shqiptare.Asnjëherë nuk është vonë që të mblidhen faktët historike, dëshmitë e shumta të krimeve që janë kryer në popullin shqiptarë.

Por është fatkeqësi se projektët e tilla nuk mbështetën dhe nuk financohen nga vetë qeveritë shqiptare.Jam plotësisht i bindur se vetëm sa kanë vjedhur dhe keqpërdorur buxhetin e  Republikës së Kosovës politikanët tanë në këto njëzet vitet e fundit kishim mundur që të përgatisim dhe përpilojmë hiq më pak se njëqind dosje lidhur me krimet e pushtusve shqiptarë në trojet tona.Kishim mundur që të botojmë më shumë se njëqind libra enciklopedike më se paku në njëzet gjuhë të huaja botërore.

Dhe kishim mundurë të themelojmë tri akademi diplomatike për krijimin e diplomatëve të rinj të Kosovës që do ta mësonin kodin e diplomacisë.Është fatkeqësi se posa kanë kaluar njëzet vite të krimeve serbe në trojet shqiptare,politikanët tanë e kanë sjell gjendjën në atë menyrë sa që krimet serbe të barazohën me luftën çlirimtare të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës. Kjo është shumë e dhimshme, është një gjamë për kohën që po e hanë njerëzinë,kjo është një vaj për popullin tonë që po e humb atdhedashurinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nua Gjomarkaj-Gjamë për kohën

Dorëheqja e Kryeministrit : Kulmi i tërbimit shovenist serb dhe padrejtësisë ndërkombëtare

July 29, 2019 by dgreca

Nga Magjister Agim Aliçkaj* /

Ishte ky një lajm shqetësues, por jo i papritur. Për Kryeministrin Haradinaj, edhe pse politikisht të dobësuar, shpëtim nga “koalicioni jolojal i dëmshëm për Kosovën”, dhe këthim në vendin e merituar të patriotëve dhe heronjve të kombit.  Për Kosovën, kulmi i  çfrenimit të shovenizmit serb, dhe, për më keq kulmi i padrejtësisë ndërkombëtare ndaj popullit të Republikës së Kosovës. Për ata që janë optimist, shans dhe shpresë për një ngritje të madhe kombëtare.

Akti i gjykates së Hagës për ta marrë Kryeministrin e Kosovës në pyetje, i cili ishte faktor dominant që e shtyri atë në dorëheqje, pa marrë parasyshë arësyen, ngjallë dyshime, dhe e dëmton autoritetin e saj si vend i drejtësisë. Pse tash, pse Kryeministri Haradinaj, luftëtarë i lirisë, për herë të tretë në Hagë, po ku janë shumë kriminel të vërtetë ?!  Kjo gjykatë rrezikon të vlerësohet dhe dëshmohet si gjykatë politike. 

Politika ndërkombëtare 20 vjeçare, fundamentalisht e gabuar, e barazimit të agresorit serb me viktimën shqiptare, e përkrahjes së  “politikanëve servil” siç thojnë amerikanët  “politically correct” të Kosovës, e kombinuar me ledhatim të Serbisë, dhe lëshime të njëpasnjishme në dëm të Kosovës, dështoi përfundimisht.  Është absurde dhe e pakupëtueshme, si u lejua Serbia  agresore dhe humbëse e luftës të shëndrrohet në “viktimë”, në vend se të dënohet për krimet e dokumentuara monstruoze.

Duhet shpresuar dhe besuar se erdhi koha për një rrugë tjetër!Erdhi, koha për një thyerje të madhe, ngritje të madhe kombëtare. Erdhi koha për një rezistencë të re, e të organizuar paqësore. Rezistencë gjithëpopullore me zgjedhje të reja dhe forma tjera, kundër padrjetësisë ndërkombëtare dhe klasës politike të korruptuar e të dështuar. Populli i Kosovës  nuk ka ç ka të humbë më shumë. Liria nuk mund ti merret më kurrë, luftën e ka fituar  dhe luftërat kan përfunduar. Kosova, është e shenjtë për kombin shqiptar, është vija e fundit të mbrojtjes kombëtare. Nuk bën dhe  nuk mund të ndahet. Shkëmbimi i teritorit është katastrofal dhe i parealizueshëm . Zgjidhja e imponuar është burim i konfliktit të pafund dhe nuk bën të pranohet  kurrë nga populli i Kosovës.

Dhe kështu duhet shpresuar se klasa politike ( pozitë dhe opozitë) do të ballafaqohet me realitetin, do ti kuptojë dhe pranojë dështimet, dhe do të fillojë me ndryshimin e kursit të veprimit. Duhet shpresuar, se ky popull i shumëvuajtur, do të nxjerr në krye, si shumë herë më parë gjatë një historie të vështirë, por të lavdishme, lider të fortë, patriot  të vërtetë, që e duan kombin më shumë se veten, pa ngarkesa nga e kaluara, të pakorruptuar e të pafrikë, që afrojnë dhe angazhojnë kuadro të fortë dhe të aftë për ta çuar çështjen përpara për një zgjidhje të drejtë, në të mirë të Kosovës, Serbisë dhe të mbarë Evropës. 

Njohja zyrtare e Republikës së Kosovës nga Serbia, dhe të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe  pranimi në OKB, në kufijt  ekzistues, të pranuar me shpalljen e pavarësisë, është parakusht  i panegociushëm për një  zgjidhje të vërtetë dhe të përherëshme. Vetëm kjo mund të hapë rrugë për bisedime qenësore me Sërbinë, në lidhje me marëdhënjet ndërshtetërore dhe trajtim të minoriteteve në të dyja shtetet. Pa këtë njohje nuk ka për çfarë të bisedohet.

Koha e bisedimeve të kota antishqiptare ka kaluar.

E drejta është në anën tonë. Evropa dhe Amerika duhet ballafaquar me fakte dhe argumente. Serbët në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat  dhe shumë privilegje, më shumë se çdo minoritet tjetër në botë.  Me ta duhet biseduar vazhdimisht për integrimin e tyre në shtetin e Kosovës. Nga ana tjetër, shqiptarët në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi  dhe në Greqi janë sistematikisht të diskriminuar, gjë që shumë lehtë mund të dokumentohet. Sankcionet ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës, janë  të domosdoshme dhe përgjigje e merituar ndaj sjelljeve destruktive të klasës politike shoveniste serbe. Ata që kërkojnë të hiqen apo suspendohen, duhet ta përdorin trurin dhe ta pyesin veten, pse Amerika, nuk i suspendon sankcionet kundër Iranit dhe Koresë Veriore  për të biseduar.  Amerika e thotë vetë se, terroristët, diktatorët , shovenistët dhe komunistët, e kuptojnë dhe e respektojnë vetëm gjuhën e forcës dhe presionit të vërtetë. Lehtë mund të spjegohet se nuk ka kurrëfarë dallimi në mes të Iranit dhe Sërbisë, natyrisht në shkallë të ndryshme.

Përpjekjet e fundit serbe për ta siguruar përkrahjen amerikane në realizimin e synimeve të tyre shoveniste dhe ekspanzioniste në Ballkan dhe më gjërë do të dështojë. Amerikanet e dinë fare mirë se serbët me shumicë janë pro-rus dhe anti-amerikan të përbetuar kurse shqiptarët anti-rus dhe pro-amerikanë të përjetshëm. Nuk ka  logjikë të besohet se administrata  patriotike  amerikane  “America First” e presidentit Trump mund të heqë dorë nga interesat strategjike në Evropë dhe investimin e madh në Kosovë, që do ti shërbente Interesave të hegjemonizmit ruso-serb.Interesat strategjike të shqiptarëve dhe të amerikanëve janë të njëjta.     

Por, Amerika, nuk ka kohë t’i kryej punët tona. Ne duhet  të punojmë shumë vetë. Me veprimin, luftimin e korrupsionit, angazhimin dhe organizimin tonë, ne duhet  ta meritojmë përkrahjen amerikane. Ndryshimet  qenësore janë të domosdoshme dhe duhet urgjentisht të fillojnë  në Kosovë, Shqipëri, dhe trojet tjera shqiptare. Mërgata shqiptare është në ankth dhe pritje të këtyre ndryshimeve. Është e gatëshme për përkrahje, por jo pa kushte, që me veprime lobiste dhe aktivitete tjera të ndihmojë në arritjen e zgjidhjes së drejtë dhe përfundimtare  të çështjes sonë kombëtare.  

Pas të gjitha humbjeve dhe dështimeve njëzetvjecare, përfshirë rënjen e qeverisë Haradinaj, ka ardhur koha që politikanët shqiptarë të punojnë për  kombin e vet, pra ta qesin interesin e vendit të tyre të parin. Kombi ynë  e ka dëshmuar se është i drejtë dhe tolerant ndaj kombeve, racave dhe besimeve të ndryshme fetare

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Shqiptaro Amerikane -Anetar iKeshillit te VATRES

Filed Under: Emigracion Tagged With: Agi Aliçka-Doreheqja e Kryeministrit-terbimi Serb

..heronj e mite

July 29, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Duke lexuar mitologjinë, atë klasike, njeriu njihet me karaktere a tipa të çuditshëm, si dhe me atë që në shikim të parë mund të duket konceptim i papërgjegjshëm, i gabuar i njeriut dhe fenomeneve.
Mite janë krijuar me “gjigantë” të tmerrshëm që hedhin gurë, përçmojnë e shembin male dhe shkaktojnë dallgë e tërmete që gllabërojnë anije e ushtri të tëra; që megjithatë, mund të llogariten si dridhje të tmerrshme të natyrës që ishin në veprim, si sot, edhe atëhere, në ato kohë të lashta historike.
Përsëri, fenomenet e përhershme të përditshme, rezultate të disa ligjeve të natyrës, janë aq të njohura sa nxisin vërejtje; por atëhere ishin çështje spekulimesh të shkaktuara nga frika dhe alarmimi.
Për shembull, kur dëgjonin zhurmën e tmerrshme të bubullimës dhe shihnin rrufe të ndezura, të shoqëruara me re të zeza dhe rrëke shiu, njerëzit besonin se Perëndia ishte zemëruar dhe ata terrorizoheshin nga zemërimi i tij. Nëse deti i qetë bëhej befas me dallgë të larta që përplaseshin fuqishëm ndaj shkëmbinjve, ata drejtonin fytyrat drejt qiellit të nxirë nga retë e shiu dhe pranonin çdo gabim që u shkonte në mendje se mund të kishin bërë. Kur herët shihnin qiellin me ngjyra të ndezura të ditës, mendonin se Perëndia e agimit, me gishtat e kuq, po tërhiqte velin e errët të natës, për të lejuar vëllanë, Perëndinë e diellit, të fillonte karierën e tij të shkëlqyer…
Kështu duke personifikiar të gjitha fuqitë e natyrës, njerëzit me shumë imagjinatë dhe shumë dell poetik, shihnin një Hyjni në çdo pemë që rritej, në çdo rrymë që derdhej, apo në rrezet si trarë të ndritshëm të diellit dhe në rrezet e bardha të ftohta të hënës së argjendtë; për ‘ta i gjithë universi jetonte dhe zgjerohej, populluar nga mijëra forma hiri dhe bukurie.
Më e rëndësishmja mund të ketë qenë se këto Hyjni ndoshta ishin më shumë sesa krijime të thjeshta të një imagjinate aktive; mund të kenë qenë qenie njerëzore që u dalluan në jetën e tyre me përparësinë e tyre mbi të afërmit e tyre; kur vdiqën ata u ndanë nga njerëzit në mesin e të cilëve kishin jetuar dhe poetët prekën si me shkop magjik detajet e jetës, të cilat, herë prozaike, u regjistruan thjesht si bëma të shquara.
Është shumë e mundshme që punët dhe emri i mirë i tyre u përkujtuan nga rapsodë, të cilët, duke udhëtuar nga një vend në tjetrin, me këngë e tregime, përhapën lavdinë e tyre; prandaj është jashtëzakonisht e vështirë, madje pothuajse e pamundur, të ndash faktet nga ekzagjerimet që kurrë nuk dështojnë të shoqërojnë traditat gojore rreth tyre.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-heronj mite

Shaban Murati dhe libri i tij ‘Bosnja, një pikëpamje nga Tirana’

July 29, 2019 by dgreca

Shkruan: Duda Balje*/

Shaban Murati, mjeshtër i madh në diplomaci, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analist dilpomatik për mbi 5 dekada, ambasador i Shqipërisë në Suedi, Norvegji, Finlandë, Islandë dhe Maqedoni, autor i mbi dhjetë librave të spektrit ndërkombëtar, rivjen sërish para publikut me librin dygjuhësh, shqip dhe boshnjakisht, “Bosnja, një pikëpamje nga Tirana”, por edhe që mund të titullohej edhe “Bosnja, sipas pikëpamjes euroatlantike” pasi autori ka fundekrye një frymë properëndimore, si zgjidhje e vetme për këtë rajon ende të trazuar.

Në këtë libër, nëpërmjet një këndvështrimi origjinal, vijnë ngjarjet më të rëndësisishme që ka përjetuar ky vend ballkanik që prej agresionit të përgjakshëm të shtetit të Millosheviçit, marrëveshjen e Dejtonit, angazhimin e drejtpërdrejtë të protagonistëve kryesorë të SHBA dhe Bashkimit Europian dhe rolit që kanë luajtur përfaqësuesit lokalë politikë të Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës, etj.

Në libër janë përfshirë 38 analiza që ngërthejnë një periudhë kohore të tri dhjetëvjeçarëve të fundit, por që shkojnë edhe më herët në periudha të tjera që lidhen me problematikat e Ballkanit dhe në fokus të veçantë të Bosnjë-Hercegovinës. Secili nga artikujt kërkon një hulumtim më vete për densitetin e ngjarjeve, personazhet e lartë të përfshirë në këtë konflikt të stërgjatë, qëndrimet pro dhe kundër që janë mbajtur në zhvillime të caktuara në kohë dhe vende të ndryshme, samite të suksesshme dhe të dështuara dhe plot ngjarje të tjera që vazhdojnë ta preokuojnë aktualisht Ballkanin. Shumë herë autori mban qëndrim kritik ndaj segmenteve të caktuara të politikës europiane apo të OSBE, por në çdo rast ballafaqon pikëpamjet e kryeqendrave shtetvendosëse duke u rreshtuar vetë ta ato që janë më racionale dhe më të mundshme për t’u realizuar.

Libri ka vlera të shumëfishta dhe fare mirë ai mund të jetë pjesë e bibliotekave të ministrive të jashmte në vendet e Ballkanit dhe jo vetëm, madje shërben edhe si një maual se si mund të hartohet një libër diplomatik që ka në thelb, dashurinë, paqen dhe është kundër urrjetjes dhe diskriminimit.

Si pjestare e komuniteti boshnjak në parlamentit e shtetit më të ri të Europës, pra në Kosovë i jemi pafundësisht mirënjohës këtij autori për këtë ndihmesë jo vetëm për Bosnjën, por edhe për krej Ballkanin dhe bashkohem me vlerësimin e ish-kryeministrit shqiptar Meksi që thotë: “ambasador nga më të mirët e vendit…patriarku i analizës diplomatike dhe politikës së jashtme, sepse është e pashoqe krijimtaria e tij në këtë lëmë; krijues i mendimit diplomatik shqiptar, të përgjithësimit të përvojës diplomatike shqiptare, kontribues në shkencën e mendimit diplomatik, me guxim profesional dhe novacion mendimor të një niveli mjaft të lartë”.

*Autorja është deputete e Kuvendit të Kosovës dhe kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Filed Under: Analiza Tagged With: Shaban Murati-Bosnja-Duda Balje

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT