• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

Qeveria të ndalojë “taksën e gjakut” për të përndjekurit politikë

July 29, 2019 by dgreca

Qeveria të ndalojë “taksën e gjakut” për të përndjekurit politikë/

*Nga Nebil Çika */

Tiranë 29 Korrik 2019/Kalvarit të të ashtuquajturës hapje e dosjeve të Sigurimit të Shtetit i është shtuar edhe një tjetër pengesë serioze. “Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” ka vënë në zbatim një VKM që detyron të përndjekurit politike antikomunistë, familjarët e tyre, studiuesit, gazetarët e të tjerë të interesuar për këto dosje të paguajnë para në se duan të marrin informacionin që kërkojnë.

Kjo VKM është në vazhdën e përpjekjeve që qeveria Rama, në konflikt interesi, po bën për të mbuluar me çdo kusht krimet e komunizmit dhe autorët e tyre.

Ky akt është vazhdimësi e krimit komunist jo vetëm për faktin se po u kërkohet para nga shteti, viktimave për informacionin mbi krimet që vetë shteti ka kryer mbi ta dhe familjarët e tyre, por edhe për faktin se shumica e tyre nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë për të parë gjëmën e tyre.

Për ta bërë më të kuptueshme po ju sjell një shembull konkret. Familjarëve të Havzi Nelës poetit antikomunist të varur në 1988 ju duhen sot më shumë se 1 milionë lekë të vjetra rreth 1 mijë euro për të marrë dosjen e tij.

Bëhet fjalë për një dosje voluminoze rreth 4 mijë faqe pasi ka hetime për një arratisje, tre dënime politike, një internim; pra pesë dosje që përmbajnë brenda nga tre dosje secila. 1- dosje përpunimi. 2- dosje hetimore , 3-dosje gjyqësore, pra në total 15 dosje voluminoze. Për ti marrë të gjitha këto, përfshi edhe vendimin për varjen e tij të firmosur nga i ati i kryeministrit, Kristaq Rama, atyre do t’iu duhet ti paguajnë para shtetit shqiptar.

Aplikimi i kësaj praktike ka bërë që shumë nga të përndjekurit politike dhe studiuesit e krimeve të komunizmit të tërhiqen nga kërkesat e tyre për të marrë nga Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit të dhëna mbi persekutimin dhe persekutorët komuniste, që ne besojmë se është edhe qëllimi kryesor i vendosjes së kësaj tarife kriminale nga qeveria.

Kjo sjellje e qeverisë me të përndjekurit politikë të komunizmit nuk është një risi, është vazhdimësi e qartë e politikave të luftës së klasave dhe përpjekjeve të persekutorëve komunistë në pushtet dhe pinjollëve të tyre politikë, juridikë e gjenetikë, për të bllokuar zbardhjen e krimeve dhe të autorëve të tyre.

Kjo VKM, praktikisht i jep fund çdo pretendimi se shteti shqiptar “po hap” dosjet e krimeve të komunizmit. Pas ligjit gjysmak të përgatitur nga kjo qeveri, po i shtohet edhe kjo “taksë gjaku” që xhelatët po ju vendosin viktimave të tyre duke i detyruar të blejnë informacionet për krimet, torturat, burgosjet, internimet, përndjekjet dhe autorët e tyre.

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë e indinjuar nga kjo VKM i kërkon qeverisë anulimin e menjëhershëm të saj. Ndërsa Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i kërkon pezullimin e menjëhershëm të “taksës së gjakut”.

Ne i kërkojmë opozitës, opinionit publik dhe përfaqësive diplomatike të institucioneve e vendeve perëndimore, të ushtrojnë gjithë influencën dhe presionin e mundshëm, në ndalimin e këtyre politikave e praktikave të zbatuara nga qeveria Rama, si vazhdimësi e politikave komuniste të luftës së klasave ndaj të përndjekurve politikë antikomunistë, duke bërë të pa mundur zbardhjen dhe ndëshkimin e krimeve që komunistët kryen ndaj tyre.

*Kryetar i Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë- DEKLARATE PËR SHTYP E SHOQATES

Filed Under: Politike Tagged With: Nebil Cika- taksa e Gjakut

DARSIA, GJURMËT ILIRE PËRMES GJETJEVE ARKEOLOGJIKE

July 29, 2019 by dgreca

Shfletime 2 – DARSIA-Autor Harun Greca-/

Studiuesi Harun Greca do të mbetet i pari që i ka hyrë me themel zbulimit të shtresave dhe nënshtresave të fjetura të historisë së Darsisë. Jo se të tjerët nuk kanë tentuar, por thjeshtë sa kanë gërvishur në koren e sipërme, pa shkuar në zgafellat e historisë, atje ku qëndron e rrinë fshehur mademet e darsiane. Siç shkruan autori, ai i vetëm ka ecur nëpër muzg me pishtarin ndezur për të ndriçuar sadopak atë që është konservuar që prej lashtësisë: Mijëra vjet më parë, afërsisht në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit, Darsia, skalioni i dytë i kodrave, mendohet të ketë qenë më i rëndësishmi se kodrat e Karatoprakut, dhe mbante e ushqente një popullsi të shumtë e të dendur, që ushtronte një aktivitet ekonomik, tregtar e kulturor të zhvilluar.

HISTORIA “FLE” NËN TOKË

Gjetjet e vazhdushme të objekteve të kulturës material të përdorura prej popullsisë vendase, të zbuluara rastësisht gjatë punimeve me karakter bujqësor në kohën e plugimit të tokave, në tararcimin e kodrave, hapje themelesh për ndërtime banimi, ose prej ekspeditave arkologjike sporadike e sipërfaqësore, dëshmojnë për një zonë të pasur, interesante që përbën një arsye më tepër për studimin e historisë së saj të harruar.

  Në Darsi shihen rrjedhimet e kulturës së lashtë vendase, e cila duket si e heshtur, rri si e vdekur, me sytë e gojën mbyllur….Jeta dhe vetë historia” fle” nën tokë, pret të zgjohet e të dalë sheshit, të pastrojë dheun që e ka ngrënë….

Autori përmes të dhënave arkivore dhe shfletimeve të shumta, referencave të pafundme, përpiqet të tregojë se zona ka qenë e banuar që në kohën e ngulimeve të para, atherë kur akujt shkrinë e moti u ngroh, kur drejt saj vërshuan popujt e lindjes, kapërcyen male e detra për kushte jete më të mirë.

MJETET PREJ GURI TË GJETURA NË DARSI, DËSHMI TË JETËS NË EPOKËN NEOLITIKE

Fale përkujdesjes së mësuesëve të historisë së asaj zone është arritë zbulimi i mjeteve prej guri, pasuria më e madhe dhe më me vlerë e gjetur ndonjëherë në pjesë të ndryshme të krahinës, që tregojnë fillesën e jetës që i përket epokës neolitike(të gurit ose 3200 vjet para Krishtit). Kjo përbën risinë më interesantë të lashtësisë së saj.

  Studiuesi Harun Greca tregon se gjeografia e shtrirjes së këtyre gjetjeve nis me kodrat në lindje të qytetit të Lushnjës, ku u gjet një sëpatë guri e fortë, ngjyrë ulliri, me formë trapezoidale me gjatësi 13 cm, që i përkiste kohës së Neolitit të vonë.

Një e tillë u gjet edhe në Karbunarë të Vogël, në faqet e kodrave lindore të saj. Kjo sopatë është prej guri të fortë, ngjyrë gri, e errët, me gjatësi 4.2 cm, e përdorur si mjet pune gjatë kohës Neolitike.

Një gjetje tjetër interesante doli në dritë gjatë plugimit me traktor të tokave në fshatin Gjuzaj. Ajo ishte një sopatë prej guri të brimuar, e gjetur dhe e dorëzuar nga një traktorist. Guri i punuar është i fortë, ka ngjyrë jeshile, është me teh të mprehtë e tunj të sheshtë. Ajo ka gjatësi 21 cm, me vrimë tuni në qendër për vendosjen e bishtit, diametri i vrimës është 3 cm.

Në tri sëpata të gjetura në rrethin e Lushnjës, tri i përkasin Darsisë, ndërsa vetëm një, e gjetur në qytetin antik të Babunjës (Arnisa), i përket popullsisë së lashtë të vendosur në kodrat e Karatoprakut.Gjetja e veglave prej guri që datojnë në periudhën e antikitetit, dëshmojnë se krahina kishte filluar të banohej e popullohej shumë shekuj para lindjes së Krishtit. Vendbanimet e para kanë qenë guvat dhe më pas kasollet. Objektet e gjetura japin sinajle të besueshme se DARSIA ka folur që në lashtësi, në kohët prehistorike 3200-1500 vjet para Krishtit.

DËSHMITË QË VIJNË NGA GJETJET E QERAMIKËS ANTIKE

Libri “Darsia” sjell dëshmi të shumta dhe i jep vend të rëndësishëm në kulturën material prehistorike gjetjeve masive të qeramikës antike. Janë gjetur me shumicë fragmente të qeramikës antike, enë  të ushqyerjes, të ujit, si dhe ato me qëllime luksi e zbukurimi. Ndër to përmenden: lekita, skifose, amfora, pitosa, kana, kupa, pjata, kandila ndriçimi, enë e tuba uji. Shumica u gjetën në varre, zbuluar rastësisht nga plugimi i tokave me traktorë, gjatë hapjes së themeleve për ndërtim banesash. Zbulime të atilla datojnë në shekujt IV-III para Krishtit. Në shumatoren e objekteve prej qeramike dallohen tjegullat për mbulesën e çative të shtëpive dhe atyre që përdoreshin për varre. Ato janë të mëdha e me ullukë të përkulur, por edhe të sheshta. Të tilla janë gjetë në Hysgjokaj, Ballagat, Gramsh, Rrumbullakë, Dushk  e Shegas. Në kodrën pranë Rrumbullakës, bashkë me skeletin e njeriut, brenda u gjetën enë balte(amfora) të zakonshme sferike, të fryra, me qafë e fund të sheshtë.Ornamenti i përdorur prej mjeshtrave që i kanë punuar, duket se është rrëshqitja e gishtave mbi sipërfaqe të enës gjatë përpunimit . Paretet e tyre ishin të holla dhe me pjekje të mirë. Në vendbanimin e lashtë u gjet edhe një varkë.

          VARRET E LASHTË, NË DARSI SI DËSHMI TË KULTURËS DHE RITEVE ILIRE

       Vlen të përmendet dhe varreza e madhe që u gjet nën këmbët e faqes së kodrës të Gramitorit, gjatë tarracimeve. Studiuesit pasi i kaluan në proces studimi arritën në përfundim se varreza i përkiste periudhës së Shekullit të IV-II para Krishtit. Brenda varrezës u gjetën sasi të mëdha enësh prej balte të pjekur e prodhimit vendas si dhe të importuara nga përtej detit, një sasi armësh, kryesisht maja heshtash prej hekuri, si dhe një përkrenare bronxi e luftëtarit ilir. Objektet hedhin dritë për një qendër të madhe të dikurshme banimi me kulturë materiale, rite varrimi dhe armatime. Me këto gjetje është marrë edhe S. Anamali tek”Arkeologjia e Bujqësisë”, Tiranë 1980.

Në Mollagjeç, pranë fshatit Ballagat, u gjetën varre me konstruksion tjegulle, brenda të cilave janë gjetur amfora të madhësive të ndryshme që i takojnë shekullit IV-II para Krishtit. Mbeturian të qeramikës antike në siërfaqe gjenden me shumicë. Ato janë ndeshë në lartësinë maksimale, që zbresin e degëzohen në dy drejtime; njera vargon në perëndim dhe mbërrinë deri në Gjuzaj dhe tjetra zgjatet në jugë  e përfudon në fshatin Gjyshaj.

Autori arrinë në përfundim se shtrirja urbanistike e këtij vendbanimi të çon tek mendimi se në lashtësi, mbi lartësinë e kodrës ka qenë një qytezë e rëndësishme, e cila ka ndikuar në jetën politike, ekonomike e kulturore të krahinës.

Gjetje interesante janë konstatuar në Dushk dhe kodrat në Lindje të qytetit të Lushnjës. Gjatë punimeve bujqësore traktoristët kanë zbuluar tuba në formë cilindrike, të vjaskuar, me gjatësi të ndryshme që varion nga 25 deri në 50 cm, me diametër 10-14 cm, të destinuar për ujë të pishëm e ujitje, të cilat dëshmojnë jo vetëm për teknikën e përkryer të punimit të tyre, por edhe për teknikën e ndërtimit të ujësjellësave. Studiuesi S. Anamali është marrë gjersisht me studimin dhe interprimin e atyre gjetjeve.

 Mbeturina të shumta të qeramikës gjenden edhe në lartësinë e kodrës së Shkujkës, në veri dhe jug të saj. Në pjerrësinë veriore deri deri në rrugën këmbësore që vjen e ngjitet në qafë prej Shegasit, janë konstatuar në sasi të mëdha mbetje gurësh e tjegullash.Nën këtë rrugë, gjithnjë, në veri të saj, ndodhet vendbanimi”Varret e Vjetra”. Mbi sipërfaqjen prej 1-2 ha këto material gjenden sheshit. Përfund saj, kufi me teqenë e Matjanit, ndeshen gurë varresh të një periudhe të vjetër.

Autori sjell dëshmi: Në qafën e kodrës”Varret e Vjetra”, aty ku kryqzohen rrugët këmbësore që vijnë nga Shegasi, Allprenaj e Matjani, 30 m në lindje, del ujë që vjen e rrjedh prej ujësjellësit të ndërtuar me tuba qeramike që i takojnë një kohe shumë të lashtë dhe që është i ngjajshëm me ujësjellësin e  Dushkut. Në Jug, nën këmbët e Shkujkës ndodhet vendbanimi i lashtë”Dergina”. Në sipërfaqen e saj prej 2-3 ha nuk ka pëllëmbë pa mbeturina të qeramikës antike. Mes mbeturianve has: tjegulla, pjesë enësh prej balte, gurë dhe tuba qeramike të copëtuara të ujësjellësit. Në lashtësi i gjithë vendbanimi ka qenë mjaft i populluar e i urbanizuar, ai furnizohej  me ujë prej burimeve të shumta , që Shkujka i ka patur me shumicë dhe nuk i kanë munguar kurrë, dhe që shpërndahej përmes tubave qeramike. Vendbanimi ka qenë një qendër e madhe urbane. Ai plotësohej me vargun tjetër të ndërtimeve, të ndodhur në lindje të Derginës, pothuaj pranë saj. Ato shkonin paralen në drejtimin jugperëndim, që niste nga Sopi i Kozmait deri në Harbor, për të cilin legjendat dëshmojnë se ka pasë një numër të madh shtëpishë.

SHKUJKA, NJË VENDBANIM I HERSHËM?

Pyetjes se ka qenë Shkujka një vendbanim i shumë populluar, autori i përgjigje:PO për këto arsye: Pamja që ofron maja e Shkujkës(282m) është fantastike. Ajo ndodhet në pozita të favorshme gjeostrategjike. Mbi kupolën e saj të sheshtë , në perëndim zotërohet e gjithë Myzeqeja që nga Fieri deri tek Shkëmbi i Kavajës, po ashtu bregdeti i Adriatikut nga grykderdhja e Semanit, bregu I Divjakës, deri ën Durrës. Në lindje zotëron të gjitëh Darsinë, kalon përtej saj, vështrimi rrok mallet e Tiranës, të Elbasanit, të Beratit, madje dhe të Labërisë. Në lashtësi kishte përballë Karavastanë, Arnisën, Bishçukëzën, ndërsa në lindje Klodianën, në jug qytezën antike të Belshit. Ajo kontrollonte rrugët Egnatia që vinin nga Durrësi dhe Apolonia. Në Mesjetë kishte pranë Bashtovën e Pirgun, survejonte të gjitha rrugët që përshkonin Myzeqenë e Drasinë.Pra, që gjithçka në majën e Shkujkës duket si në pëllëmbë të dorës.

Një anonim venedikas që shëtiti Shqipërinë në vitin 1570, në relacionin dërgur qeverisë së tij, përshkruan qytete, lumenj, kodra, male e fusha. Për zonë e Darsisë e të Myzeqesë shkruan” ka dhe kodrina të banuara dhe të kultivuara, ka fusha shumë të bukura e të gjera, duke nisur nga fushat e hapëta të Savrës, e cila me emër tjetër quhet Myzeqe, dhe (këto fusha) janë ndërmjet Vlorës deri te qyteti I Beratit, kurse në veri deri tek lumi Shkumbin, deri tek kështjella e Daistit(Darsit ose Dorsit-sipas I. Zamputit, e cila lidhet me emrin e DARSISË.

Studiuesit mendojnë se në Shkujkë ka pasë edhe kështjellë. Këtë pikpamje e favorizon pozicioni gjeostrategjik; tri anët e saj  janë gati të pakapërcyeshme, dhe siguronin mbrojtje natyrore; në lindje, jugë e perëndim, janë shpate të pjerrët, të thepisur, me hyrje vetëm në anën veriore. Natyra i ka dhuruar kështjellës vendin më të bukur, të përshtatshëm e strategjik.

                       VARRI ILIR NË GARUNJAS

       Me interes paraqitet një zbulim i vonshëm i një varri ilir në fshatin Garunjas, jo shumë larg Shkujkës. Varri u zbulua më 1983. Gjatë gërmimit për hapjen e themeleve për ndërtimin e një magazine të madhe drithi, u gjet skeleti i një njeriu, të shtrirë në pozicionin perëndim –lindje.Trupi ndodhej brenda një arkëze të përgatitur me tjegulla të sheshta, i mbuluar sipër me dy copë tjegulla të harkuara e të trasha 4-5 cm. Mënyra e varrimit kishte  të bënte me kultin e besimit. Në periudhën e paganizmit ilirët e konsideronin Diellin-Perëndi.Vendosja e trupit me kokë në perëndim i jepte mundësi të vdekurit të ishte me fytyrë të kthyer nga Dielli, në lindje.Fetë që u përhapën pas paganizmit nuk e ndryshuan këtë mënyrë varrimi. Brenda me të vdekurin, në fund të këmbëve u gjetën dy objekte; një enë qeramike e fryrë, me pozicionin në këmbë, me grykë të gjatë, me buzë të dala jasht dhe të zgjeruara; me fund të sheshtë, njëlitroshe, pa vegjë, e veshur me llak gri, mbi sipërfaqe e pikëluar në ngjyrën e bardhë të vezës, paretet e punuara me material të hollë. Mesi i enës zbukurohej me dy vija të holla si unaza, të barazlarguara, në ngjyrë të njëjtë me atë të piklave.

 Ngjitur, e të vendosur përmbys, u gjet një gotë uji qelqi, e holluar prej shekujve, në madhësinë e gotës së sotme, zbukuruar në mes me ornamente zigzake, ngjyrë portokalli. Enët nga forma e jashtme ngjajnë me ato të zbukuara në shumë vende të Shqipërisë që i përkasin periudhës së hekurit të hershëm 1100-500 vjet para Krishtit, por më afër u qëndrojnë enëve të gjetura në Vajzë të Vlorës, të cilat i takojnë shekullit VI-V para Krishtit. Në kohën parakristiane mendohej se njeriu vazhdonte jetën edhe pas vdekjes duke u ushqyer si më parë, kur ishte i gjallë, prandaj në varr shoqërohej me enët e ushqimit.

 Një gjetje tjetër intersante e gjetur në Darsi i takon fshatit Konjat, afër Dushkut.Është një objekt prej qeramike e llojit terrakotë.Objekti përfaqëson truporen e një gruaje me një fëmijë të kapur për dore. Studiuesit mendojnë se përfaqëson kultin e një Perëndie që merr në mbrojtje fëmijët. Teknika, forma e dimensionet janë të njëjta me ato të gjetura në Durrës dhe Apoloni, që i takojnë shekullit VI para Krishtit.

 Janë zbuluar edhe objekte prej hekuri, kryesisht heshta të luftës dhe vegla bujqësore të cilat janë gjetur në kodrat e Dushkut.

Autori I librit DARSIA shpreh mendimin se kodra e Gramitorit, mbi Dushk, duhet të ketë pasur rëndësi jo vetëm kulturore, por dhe ekonomike e ushtarake. Ajo mund të mbajë fshehur jetën e shumë objekteve që presin të zgjohen.

   Në rajonin e fshatit Hajdaraj, në një varr të zbuluar aty, të vdekurin e kishin shoqërur me gjërat vetjake; një drapër, e një latushë prej hekuri(sqepar marangozi), që i përkasin antikitetit të vonë, shekullit IV pas Krishtit.

Të shekullit të II dhe të IV, pas Krishtit, i përket edhe iventari i gjetur në një varr pranë fshatit Hysgjokaj. Brenda varrit u gjetën vegla bujku: dy kosore e një sëpatë. Po ashtu u gjetën vegla pune edhe në një varr të zbuluar në Mollagjeç, që i përkisnin të njëjtës periudhe historike. Ato ngajsojnë me objekte të ngjashme të gjetura në Koman dhe në Krujë. Ç’ka përforcon vazhdimësinë e popullimit e të kulturës ilire në Darsi.

        ****

Në Darsi gjallonte një tregti e zhvilluar. Nëpër rrugët e saj lëviznin mallra të shumtë drusorë, bujqësorë, blegtoralë drejt tregjeve, brenda dhe jasht krahinës, si dhe përtej brigjeve të Adriatikut. Duke filluar që nga shekulli IV para Krishtit tregtia kryhej me monedha. Megjithëse disponohet pak, vetëm një e gjetur në Hysgjokaj, prerja e perandorir Romak, Aleksander Severit, 222-235 pas Krishtit, dëshmon për një lehtësi në këmbimet tregtare të përhapura gjerësisht jo vetëm në Iliri, por edhe në Darsi.

Përfundimi i autorit të librit”Darsia” për gjetjet arkologjike: Të marar së toku gjetjet arkeologjike, të përmenduara pak ose aspak prej studiuesve, ia ngrenë rëndësinë, rrisin vlerat e krahinës dhe të banorëve të saj, që e sollën stafetë pas stafete eksperiencën, kulturën, mjeshtrinë e paraardhësve ilirë. Ata i përkasin këtij trungu.(Përgatiti:Dalip Greca)

(VIJON- Fakte dhe Argumente për Darsinë ILIRE-Neser do te lexoni: Perse e mori emrin DARSIA? )

Filed Under: Histori Tagged With: Harun Greca- Darsia- Gjetjet arkeologjike

E megjithatë faleminderit Mehdi Malka!

July 29, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Dje mbrëma u bë virale në internet një monodramë e interpetuar nga Mehdi Malka. Titullohej “Marr guximin”, me autor Vangjel Kozma. Rezulton se është një dramë e shkruar disa vite më parë dhe që është interpretuar prej Mehdiut në një teatër tjetër. Një dramë me disa akte ku tema ishin tufëzimi i intelektualit apo interpordhacakët, derrat, kungujt, këlyshët, gomerët etj. Madje kjo e fundit rezulton me hori duartrokitjesh kur aktori tha se, gomerët janë krijuar për të punuar, pëllitur hedhur dhe ndonjë shqelm ndonjëherë, por kurrë për të drejtuar punët e shtetit. Megjithatë tërësia e këtyre figura më shumë se nxjerrja në pah e këtyre intelektualëve interpodhacalë etj., më shumë se fakti që e shkatërrojmë katin e parë të shtetit dhe vazhdojmë punimet në katin e katërt a të pestë të tij., më shumë se fakti që prej kaq vitesh na kanë drejtuar dhe po na drejtojnë derrat aq më mut do shkojnë punët e vendit tonë., më shumë se fakti që prej aq kaq vitesh na dhuntojnë gomerët, poshtë e më poshtë do bëjmë etj. Pra tërësia e këtyre krahasimeve nuk ka si qëllim faktin që të qeshim me derrat, gomerët apo intelktualë pordhacët, por na tregon me gisht ne si shoqëri, që i pranojmë derrat, gomerët dhe pordhacakët të na sundojnë, shtypin, përçajnë me të njëjta metoda otomane shekullore. Se 40 e kusur vite na i mori socializma e 30 vjet u bënë me këtë dëmdemokraci, ku ca tifozë të laros e ca balos, por kurrë respekt plotë të vetvetes. Pra tërësi e fjalës së interpretuesit dhe e horive të duarve është e gjitha një dhimbje sociale, mungesa e respektit për vetveten. Ndaj jo rastësisht sot shqiptarët janë tifozë me shumicë të palëve. Ngërthyer në një luftë palësh, aq sa është e trishtueshme të tejdebatohet një shembje teatri, të përçahet komuniteti kur mjetet e zgjedhjes janë aty dhe tërheqja është më shumë se respekt është virtyt i mendje ndriturit jo mendje mbushurit.

Eshtë e trishtueshme dhe jo rastësisht një shoqëri e tillë neglizhon deri verdiktin e saj, deri ekonimë e saj, deri drejtësinë. Shtyllat bazë dhe të munguara të këtij shteti që pretendon se ka kapur katin e shtatë pa ngritur akoma të dytin. E përgjithshmja është kjo që shqiptarë mjaft u lodhët për emrat, lodhuni një herë për vetveten se mbase e kuptoni pastaj se si u bënë Franca, Gjermania, Anglia, apo Amerika e madhe, vende ku ka fluturuar dhe po fluturon vitaliteti yt kombëtar. Dhe do ta shikoni se sa të thjeshta bëhen edhe të tjerat përmes jush se sa përmes gallofëve të tipit Edi Rama etj. E megjithatë faleminderit Mehdi Malka se na dhe mundësinë të na njomen sytë, prekëm teatrin e vertetë, atë të cilin duket sikur e ka mbytur teknologjia, babëzia për të mundur të tjerët duke i rrjepur nga gjithçka. Por jo, aty qenka idili shpirtëror, më i fortë se çdo pordhacak, se çdo dështak, çdo derr a turi derr. Faleminderit se është e vërtetë, erdhëm në demokraci me një uri nga uria e stomakut të diktaturës, uri që na ka transformuar duke na kthyer në qenie që gjithçka e shikojmë dhe gjykojmë me urinë e rrjepjes dhe përvetësimit, shkurt në kafshë të mirëfillta. Ndaj edhe po vdesim prej vetes dhe veç prej saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-Marr guximin-Mehdi Malka

Kryepeshkopi Janullatos te Mitsotakis

July 29, 2019 by dgreca

Kryeministri grek: Mbështetje Kryepeshkopit në trajtimin e problemeve të Kishës/

Kryeministri i ri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka pritur në takim kreun e Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatos. Në takimin e zhvilluar në Athinë, Mitsotakis thotë se i ka dhënë mbështetje Janullatosit në trajtimin e atyre që i quan “problemet e Kishës Ortodokse të Shqipërisë”.“Me Kryepeshkopin fisnik të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas. Ai ka të gjithë mbështetjen time në përpjekjet e tij për të trajtuar problemet e Kishës Ortodokse të Shqipërisë dhe për të siguruar funksionimin dhe zbatimin e duhur të punës së saj”, është shprehur kryeministri Mitsotakis.(Top Channel)

***

Gazeta Dielli ka marre kete koment nga Sali Bollati:

“Shqiptari” janullos I raporton kryeministrit grek.

Pamvarësisht moshës 90- vjecare dhe te nxehtit te jashtzakonshëm të sivjetëm; “shqiptari Janullos” u nis me vrap nga selia e Tiranës për ta “pershendetur” kryeministrin e e porsa vendosur, Micotaqin e ri ne Athinë
bashkë me urimet per mbarëvajtjen e Greqisë mëmë; Janullua I raportoi z. Micotaqisit se detyrat e vena nga babai I tije Konstantin para 30 vjetesh, po thuajse jane realizuar me se miri.
Sot ne Shqiperi jane hapur shkolla greke edhe aty ku nuk jeton asnjë grek. Në një pjese te madhe te Shqiperisë(ose me qarte ashtu sic duam ta quajmë ne grekët Epir); janë ngritur vareza te ushtarve “çlirimtar” grekë me kockat e femijeve dhe te moshuareve te vendit. Kur vijnë për vizita “miqesore” qeveritarët e Athinës ne Tiranë, faleminderit Zotit viziten e pare e kryejne ne seline qe drejtoj une; bile ne klubin e kishes tonë në rrugn e Kavajes kam ftuar dhe pritur me kenaqesi edhe deputete europuane bga Qiproja qe deklarojnë me te madhe  se ketu eshte greqi; pamvaresisht se edhe konsujt grekë ne Korçe krenohen se I sherbejne tokës se greqise se vertete.
Dhe për të mos harruar asnjeherë se flamurët  e zhgaravitur te vorio epirit siç e quajmë ne grekët (me fal edhe une si grek I shqiptarizuar), ngrihen me madhështi edhe kur varosim një vendas qe vjen I armatosur nga Greqia mëme.. Nuk mund te mos ju kujtoj se kisha greke kam ngritur anë e mbane Shqipërisëtime.
Dhe sa per tu kujtuar jo vetem realizojmë udherin e udheheqesave te Greqise per tafshire dhe harruar emrin e Camerise(Thesprotise), bile nepermjet perpjekjeve tona kemi boshatisur Parlamentin e Tiranes nga  perfaqesuesit e Camerise, duke e fshire edhe ate emer nga librat e histories se Shqiperise. Dhe jo pa krenari e them gjate kohes 30 vjecare, jo vetem nuk kam mbajtur asnje meshe per te ashtuquajturit Shqiptarocame por as kam mare pjese ne meshat qe  organizojn besimet etjera aty ne Tirane
Dhe “last but not least” per ato qindra mijera qe kane ardhr per pune ne greqi, jo vetem qe nuk kemi shkolla per ata por  kam kerkuar as mos te happen kisha ne gjuhen shqipe. ( me fal, por dua t,ju kujtoj se para mbi 150 vjeteve eshte perkthyer edhe Dhjata ne Shqip?!)
Ju e dini edhe me mire se as emrat si Gjin, Arber, Gjon e Skender nuk u lejohet atyre ti mbajne ketu ne Greqine tone. Bile ketu dua t,ju veje ne dijeni se mbas ndrimit te emrit nga Skender ne Jorgo; mbas vdekjes I varosim ne Tirane me emerin grek Jorgo qe dali e”verteta” neser se esht toke greke e jo shqiptare.
Z. Kryeminster e di qe keni studjuar ne Amerike, por e shoh te nevojshme t,ju kujtoj se aty sidomos Ne New York, vazhdojne deklarimet se Chameria is Albanian dhe me gazeta e parada madheshtore I tregojne Amerikaneve dhe Botes Mbare se moslejimi Injerezve te lindur atje per vizita,  dhe mos njohja e masakrave dhe debimeve te Cameve nga  trojet e tyre mijeravjecare,jane shprehje mohimi I te Drejtave te Njeriut.( Pavaresisht se gjenerali Zerva ka shkruajtur me doren e vete se duhet te krenohehem se I debuam Camet nga tokat tyre pjellor duke umundesuar malesorvetane greke te zbresin e te jetojne e tokat pjellore)
Pra erdha me shume gezim per t,ju uruar suksese ne punen tuaj per te miren e Greqise dhe njekohesisht te mos harroni se urdherporosite e babait tuaj I ka ndjekur motra e juaj Bakojanis me te drejten e marjes e nje pjese te cmuar te detit te pasur shqiptar e mbrojtjen e te drejtave te grekeve qe jetojne ne Shqiperi e per te penguar me te gjitha menyrat pranimin e Shqiperise ne BE.Vetëm me kembenguljen greke do te mund te realizohet “megalidea” e jonë. Nuk ka aresye te hiqet Ligji I luftes I 1940 dhe aqe me pake fshirja e emrave te Permetit, Kelcyres, Korces e Gjirokaster e Himares nga muret  e lashtme te Parlamentit te Athines. Vetem ne kete menyre do vihet ne jete protokolli I Korfuzit I 1914

Para largimit nga Athena e dashur ju uroj edhe nje here Perendia te jete me ju per te miren e Greqise sone

Sali Bollati-Çam Shqiptaro Amerikan                

New York 28 Korrik 2019

Filed Under: Komente Tagged With: Kryepeshkopi Janullatos- Micotaqis-Sali Bollati

“BOLSHEVIKËT E RILINDJES” DHE AT GJERGJ FISHTA

July 28, 2019 by dgreca


Oh! edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rroftë,/nami i sajë përjetë u trashigoftë! (Gjergj Fishta)/
Shkruan: Frank Shkreli/ Kohët e fundit mora një mesazh nga një mik imi i cili ishte i zemëruar nga lajmet që kishte lexuar në median shqiptare se Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës kishin vendosur që të këthejnë në muze, shtëpitë e shkrimtarëve të njohur të Kombit shqiptar, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli.   Miku im nuk ishte i zemëruar për vendimin që shtëpitë e tyre të kthehen në muze – pasi ai, ashtu siç mendoj edhe unë, këta shkrimtarë shqiptarë i kanë meritat e tyre dhe duhet të njihen për kontributet, madje edhe me një shtëpi muze.   Por miku im e drejtonte zemërimin e tij tek ata që ai i quan, “bolshevikët modernë shqiptarë”, të cilët, sipas tij, mendojnë se periudha e artë e gjithë historisë – fillimi dhe mbarimi– kulturës dhe gjuhës shqipe, është ajo e gjysëm shekull komunizëm.   Se vetëm shkrimtarët dhe historianët e kësaj periudhe, janë ata të cilët meritojnë të respektohen, të lexohen, të studiohen dhe të admirohen, tu ndë rtohen shtëpi muze dhe përmendore.  
 Unë kam respektin më të madh për Ismail Kadarenë, si patriot dhe si shkrimtar – megjithse nuk e konsideroj veten të aftë për të vlerësuar njerëz të mëdhej si Z. Kadare, sepse njeriu duhet të jetë në nivelin e njerëzve të tillë për të vlerësuar punën dhe veprat e tyre.  Argumentet e mia dhe shumë të tjerëve si unë nuk janë me shkrimtarët e nivelit të Kadaresë, por me këtë klasë politike, të cilës duket se i ka mbetur ora në periudhën komuniste, përsa i përket ringjalljes së vlerave kombëtare dhe të shkrimtarëve të mëdhej të Kombit, si At Gjergj Fishta, të cilët megjithë kontributet e tyre të mëdha, në periudhën para komuniste – regjimi i Enver Hoxhës i kishte shpallur “armiq të popullit”.  Ndërkohë që shtëpia e diktatorit Enver Hoxha në Gjirokastër është këthyer në muze, sot At Gjergj Fishta, jo vetëm që nuk ka një shtëpi të vogël muze, një përmendore në kryeqytetin e shqiptarëve në Tiranë, ose në vendlindjen e tij, por as një varr ku ti pushojnë eshtërat e tij.   Regjimi i Enver Hoxhës ia hodhi eshtërat në lumin Buna, me shpresë se ashtu do ta zhdukte përgjithmonë kujtesën e tij nga historia e Kombit shqiptar.  Të njëjtën mendojnë sot edhe udhëheqsit e “rilindjes” të qeverisë shqiptare, se duke e lënë pas dore, duke mos e kujtuar atë dhe veprën e tij — se me një qëndrim indiference ndaj tij – mendojnë se Gjergj Fishta do të harrohet nga brezat e sotëm dhe të ardhëshëm.   Ky ishte edhe objektivi i regjimit të Enver Hoxhës dhe i bashkpuntorëve të tij sllavo-komunistë.   U lumtë se po ua ua çoni amanetin në vend. Urime!
 
Unë me disa të tjerë, modestësisht, jemi marrë me këtë subjekt për disa vite, por më kot.   Ndoshta është mosha, por gjithnjë e më tepër jam i bindur se nga ata, që miku im i quan si, “bolshevikë të rilindjes”, nuk duhet të presim asgjë më prej tyre në lidhje me Gjergj Fishtën, ose të tjerë si Fishta, pasi tashti jam i bindur se me mosveprimin e tyre e kanë bërë të qartë, se me Gjergj Fishtën nuk duan të merren.   Shpresa ishte se pas 30-vjet post-komunizëm –të lirë nga imponimet e ideologjisë komuniste sllavo- aziatike, do të donim, që më në fund, të çmonin njerzit e mëdhej të Kombit, të mohuar dhe të deingruar për një kohë aq të gjatë nga komunizmi.  Por që, një mohim i tillë zyrtar nga qeveritë shqiptare, ndaj një personi si At Gjergj Fishta, do të zgjaste edhe tre dekada pas shembjes së një regjimi, i cili ia treti edhe eshtrat e tij në lum, nuk ma merrte mendja.   Shpresoja se një brez i ri politikanësh shqiptarë, të lindur ose të rritur pas komunizmit – disa prej të cilëve pretendojnë se edhe janë edukuar në perëndim – do të ishin më tolerant, do silleshin ndryshe ndaj personaliteteve të njohura të historisë kombëtare të periudhës para komuniste, si Gjergj Fishta.   Fatkeqsisht, duket se edhe ky brez i politikanëve të rinjë shqiptarë ka renë pre e influencës dhe mësimeve të një ideologjie bolshevike të ish-regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, se viti 1945 ishte fillimi i historisë së Kombit shqiptar dhe Enver Hoxha protagonisti i saj, i të gjitha kohërave.   Nuk e dinë këta se pa At Gjergj Fishtën dhe bashkpuntorët e tij në Kongresin e Manastirit, ndoshta asnjë prej nesh nuk do të shkruanim shqip në alfabetin që ata na e lanë trashëgim. 
 
Këta të realizmit socialist kanë më shumë të përbashkëta me vlerat komuniste të Enverin dhe asgjë të përbashkët nuk kanë me At Gjergj Fishtën, as me vlerat që përfaqëson Gjergj Fishta.   Ka ardhur koha tu themi — më shumë nga dëshpërimi — mos u lodhni hiç shokë të “rilindjes”, se Gjergj Fishta mbijetoi gjysëm shekulli harresë zyrtare, pasi veprat e tija jetojnë në zemërat e Kombit shqiptar dhe nuk harrohen.   Fishta nuk ka nevojën tuaj as për ndonjë monument as për ndonjë muze.   Muze dhe monument i pavdekshëm janë veprat e tija, duke filluar nga epopeja Kombëtare, Lahuta e Malcisë.   Doni, s’doni, At Gjergj Fishta, përjetësoi me pendë të gjitha ato vlera, karakteristika dhe tradita që e bëjnë Shqipërinë dhe shqiptarët ata që që janë sot, dhe që kanë qenë gjatë gjithë historisë, krenarë për: “besë e burrëri, mikëpritje e bujari”.  Kam drojë se u nuk i kuptoni këto vlera, e si rrjedhim nuk kuptoni as Gjergj Fishtën.
 
Me rastin e hapjes së shtëpisë muze nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në fund të muajit maj, mos qofsha gabim, mori pjesë edhe vet shkrimtari Ismail Kadare, i cili, me atë rast, tha ndër të tjera se,“Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij.   Ne kemi nevojë, sidomos Shqipëria ka nevojë, për një afirmim pozitiv, për besim për të ardhmen e saj, ëndërron dhe bëhet gati për të hyrë në Evropë”.   Më vjen keq, por me mentalitetin bolshevik të kësaj politike antifishtjane të këtyre 30-viteve të fundit, Shqipëria nuk hynë në Evropë, madje nuk shkon as deri në Stambollë, por do të mbetet në “kënetën ballkanike”.
 
Ku janë shkrimtarët dhe njerëzit e kulturës dhe të letrave shqip, në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare që nuk e çoni zërin lartë në mbrojtje të vlerave kombëtare dhe përfaqsuesve të tyre.  Kuptohet se në kohën e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe të komunizmit jugosllav në Kosovë nuk kishit guxim të përmendnit emrin e Gjergj Fishtës se do e pësonit keq.   Po sot ku është solidarizimi me Fishtën.   Pse nuk flisni?   Ke kini frikë sot?   Shyqyr që janë Françeskanët e Shkodrës që e ruajnë kujtimin e tij!   Diçka nuk është në rregull me një Komb që mohon bij dhe bija të tij të nivelit të At Gjergj Fishtës!
 
Është e qartë se “Rilindja” socialiste ka vendosur të vazhdojë ta lejë qellimisht, në harresën pothuaj një shekullore, At Gjergj Fishtën: pa lexues, pa gjuhë, pa vend, pa komb dhe pa miqë, faktorë këta që sipas Kadaresë, një shkrimtar ka nevojë për to.   Por mbi të gjitha është i nevojshëm një “afirmim njohjeje të Kombit shqiptar” për të cilin Fishta punoi aq shumë, gjithë jetën e tij.   Sot Fishta është i harruar, pa miq dhe i braktisur, i mohuar nga Kombi i vet, deri në banalitet.   Sikur e kishte parashikuar fatin e tij pas vdekjes si dhe trajtimin kriminal ndaj kujtimit të tij nga regjimi enverist –por edhe indiferencën dhe arrogancën që do i ofronin bashkatdhetarët e tij pas shembjes së atij regjimi, në të ashtuquajturën demokraci shqiptare:   Ndryshe nga këta që e gjykojnë dhe e dënojnë edhe sot në frymën më bolshevike që është e mundur, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, me qëllim për të “shue çdo mëni mizore për Shqiptari”, prap se prap Fishta i falë ata dhe është gati të bëhet fli:
 
                                  “Qe, mue tek më keni, merrni e m’bani fli
                                    Për Shqiptari, me shue çdo mëni mizore.
                                    Oh! Edhe pa mue Shqipnia kjoftë e rroftë,
                                    E nami i saj përjetë u trashigoftë!” 
Eshtë e qartë se klasa politike post-komuniste shqiptare ose siç e quan miku im në mesazhin e fundit, “bolshevikët e rilindjes” kanë vendosur me kohë që kujtimi i At Gjergj Fishtës të mos mbetet i gjallë ndër brezat e ardhëshëm të shqiptarëve.   Kanë vendosur që vlerat dhe atdhedashuria e tij për vendin e vet, të mos jenë shembull për shqiptarët dhe që ata të mos ndjekin idealet e shënjta të At Gjergj Fishtës në mbrojtje të Atdheut dhe të interesave të Kombit, për të cilat ai luftoi dhe punoi gjithë jetën e tij.   Por kot e kini, sepse ashtu siç kishte parashikuar trajtimin kriminel kundër tij nga bashkatdhetarët e vet për pothuaj një shekull, Fishta ka parashikuar gjithashtu se veprat dhe trashëgimia e vlerave të tija nuk do të vdesin kurrë për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, pa marrë parasyshë se ç’mendojnë kundërshtarët e tij të kaluar dhe të sotëshëm:
                               “Veçse po moj Zanë Shqyptare 
                                 Krah m’krah bashkë na tue këndue
                                 Ndërtue kemi nji pomendore
                                 Rrfe as mot mos m’e dërmue”…

Shtëpia e At Gjergj Fishtës, e shpallur monument kulture nën mbrojtje të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë –Sipas lajmeve, kjo shtëpi ku ka jetuar Gjergj Fishta është shpallur më 2008 monument kulture — i mbrojtur me ligj– për të cilën, sipas lajmeve, janë paraqitur të pakën tre projekte, por që kanë hasur në heshtje, në një indiferencë dhe arrogancë jo kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe enteve të tjera qeveritare të Republikës së Shqipërisë. 

               Shtëpia e diktatorit, Enver Hoxha -Muzeu Etnografik, Gjirokastër/

Shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastë, monument i trashëgimisë kulturore. Po ashtu edhe palalti i tij ne Tirane esatte kthyer ne shtepi muze.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank Shkreli-At Fishtailing-Bolsheviket e Rilndjes

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT