• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2019

ËNDRRA E STUDENTIT DHE STUDENTI I ËNDRRËS

August 30, 2019 by dgreca

Nga Atjon Zhiti/

PËRSËRI NJË SHOK I ATJONIT:/

Është viti i pestë që përkujtojmë datëlindjen e Atjonit me atë në Qiell. Sot ai do të mbushte 24 vjeç. 

Ëndërroi dhe u bë student i ëndrrës më të bukur, që atdheu të ishte gjithnjë e më i begatë, human dhe i qeshur, prandaj dhe shkoi të studiojë filozofi në Milano dhe u bë dha antar i Paralemntit Europian Rinor, që të sillte “Europë” në vendin e tij, por dhe që Europa të shikonin “Europë” tek ne, siç dhe shprehej.              E dëshpëronte aq shumë varfëria dhe korrupsion dhe padije dhe nisi të shkruajë, kritikonte duke sjellë shpresë.

Edhe pse fare i ri, Atoni na ka dhënë një libër-udhëzues, që na tregon nga ato që duam, nga ëndrra dhe si të veprojmë, si qytetarë, prandaj dhe titullohet “Për atë që dua(m)”, por kemi dhe një album të madh, “Opera Atjon”, plot me ngjyra fëminore të shpirtit të tij, harenë e moshës, diej, kaltërsi, një album dy gjuhësh, shqip dhe italisht, që ka patur jehonë dhe jashtë vendit.

Me emrin e Atjonit jepen dy çmime ndërkombëtare, një në kinematografi nga Festivali i Filmit “Giffoni” dhe tjetri në poezi nga “International Writers Association”.

Rruga në Tiranë poshtë shtëpisë së tij mban emrin “Rruga e Atjonit”. Ai vërtet krijoi një rrugë, të vogël e të çiltër, po aty janë hapat e tij drejt pafundësive.

Më pëlqen të eci shpesh andej…

Nga dashuria dhe nderimi i “studentit të përhershëm”,  shokut tonë Atjon V. Zhiti, por risjellim edhe këtë vit tre pjesë nga shkrimet e tij, që janë botuar dhe jashtë, aktuale për freskinë e mendimit dhe shqetësimet që mbartin. Janë zëri ynë…

ZOGU KRAHË-THYER I MENDIMIT

…një ditë vere do te më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe papritshmerisht na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetem të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim.                                                          Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme m’u shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i permbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paralirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara.                                                                                       Po a jemi gati për atë që duam?                                                              

NË KËRKIM TË AGARTIT

Shumë kërkues, studiues dhe arkeologë të famshëm, madje çuditërisht dhe Hitleri, kërkonin Agartin, një vend fantastik, ndoshta jo ekzistues, dhe thuhet se portat e kësaj mbretërie ndodhen në Indi.                                          Agarti mendohet se është një mbretëri e nëndheshme e krijuar për njerëz të përsosur për të shpëtuar nga një kataklizëm. Këta banorë me inteligjencën dhe diturinë e tyre të pamasë, nuk bënin luftëra, por ata krijuan një rrjet komunikimi të nëndheshëm.

Agarti është thjesht një mit, është thjesht një kërkim përsosmërie, paqeje që neve njerëzve bashkëkohorë na mungon. Kërkimi i Agartit është thjeshtë një sinonim i kërkimit të vetvetes, sepse të gjithë neve na mungon ajo përsosmëri, pak njerëz ia kanë dalë të gjejnë vetveten, atë përsosmëri ose mund të them se vetëm një njeri ia ka dalë dhe ai është Sokrati me Dajmonin e tij, (δατμον), shpirtin e tij paqësor e të përsosur, megjithëse koha, demokracia, Athina, e cila është shembull i të gjitha qeverive në botë njëkohësisht ishte dhe simbol korruptimi si qeveritë sot.

Si mundi një shëmbëlltyrë si Athina të dëmtonte të Përsosurin? Mirë, e lëmë Sokratin…                                                                                       Kërkimin e Agartit në mënyrë simbolike e ka bërë dhe përfaqësuesi më i famshëm i rrymës filozofike cinike Diogjeni. Ai gjatë ditës shëtiste me disa kandilë të ndezur, njerëzit e pyesnin se çfarë kërkonte e ai përgjigjej:         Njeriun.
         Njerëzit për këtë e mendonin si ai ishte i çmendur, por ama ai kishte të drejtë, kërkonte vërtet njeriun e përsosur që ndodhej në Agart. Prandaj Agarti është thjeshtë kërkim i vetvetes, i asaj pastërtie, çiltërsie e përsosmërie. Ajo çiltërsi, pastërti e përsosmëri që te njerëzit e sotëm na mungon. 

EUTROFIZIMI POLITIK                                                                   

Shumë shpesh në mediat vendase dëgjojmë “personazhet publikë” të flasin për të ashtuquajturën periudhë tranzicioni. Në kushtet që ndodhemi duhet të ketë një debat të hapur e konstruktiv e jo një justifikim ose tinguj për të mbushur fjalimet shterpe politike.                                                          Kjo gjendje e brishtë konsiston në kalimin nga një status i të qenit në një tjetër, në një lak kohor relativisht të shkurtër ose të gjatë që tejkalohet.        Në rastin tonë është kalimi nga një regjim diktatorial në një republikë demokratike, ku në të ka patur dhe një minifaze tjetër tranzicioni nga republikë presidenciale në atë parlamentare, totalisht e paparashikuar, në limitet e absurditetit dhe simbol mosfunksionimi.                            Tranzicioni në demokraci është një periudhë kohore e dyzuar dhe e paqartë, ku janë braktisur disa karakteristika të aseteve të mëparshëm, por njëkohësisht nuk janë krijuar të reja.                                                         Kjo periudhë ka disa faza zhvillimi që kalojnë nëpërmjet konfuzionit institucional, dizinteresit institucional, hipokrizisë institucionale, të cilat përmbajnë një respekt të rremë nga ana e shtetarëve ndaj institucioneve , të cilët sjellin dhe shtetasit në gjurmët e tyre.                                                Gjithçka deri tani është e ditur, por jo e mirëkuptuar.

Kisha marr trenin Tiranë-Durrës për arsyen e thjeshtë se gjithmonë më kishin tërhequr muzeumet dhe kurrë s’kisha parë një repert industrial në një muze ambulant.                                                                                                   Në një pikë të “udhëtimit” dhe nuk di se ku, pashë një moçal, i cili me tërhoqi e më bëri kurioz. Doja të dija se si qe krijuar dhe me pak kërkim mësova se procesi i krijimit të tyre quhet eutrofizimi i ujrave, ku pellgjet me ujra të embël, liqenet, kur nuk kanë më fluksin e një lumi ose rrëkeje, pasurohen me nitrat e fosfat, të cilat janë ushqyese per alga dhe mikrovegjetacione që konsumojnë gjithë oksigjenin duke ja mohuar gjithë krijesave të tjera dhe në fund dhe vetë vetes, derisa ekosistemi kthehet në moçal e kurth vdekjeprures. Gjithsesi.                                                               Para fillimit të konsolidimit real të demokracisë, funksionimit të mekanizmave shteterore, mendoj se ka një fazë tjetër e të ndërmjetme, që do ta quaja eutrofizim politik dhe ndodhemi pikerisht në të. Moçali ose moçalishtja e politikës.                                                                                                           Ky është një moment shumë delikat e jo si entitet në vetvete. Aty duket fillimi i një pasurimi me substanca të ndryshme, që në të vërtetë përthithen nga pak, nga ana tjetër shkaktohet vdekje e ata pak harrojnë se shuhen bashkë me atë çka krijuan.                                                                     Politika duket sikur ka mbërritur një periudhë stabiliteti dhe simptomat e tumorit kurohen si të një migrene, pasi nuk është realisht e stabilizuar e bashkë me të dhe vendi, por vetëm shtresa e “politikëbërsave”.                      Po të vërejmë rreth e rrotull, jo me shumë vëmendje, shohim se ka vetëm një rotacion mbiemrash e jo ndërrime metodash pune e idealesh, të paktën sa për të respektuar denominacionin partiak.                                      Duhet të pranoj ama se çdokush ka ardhur me ide të ndryshme mbi “ç’do bej”, por duhet të pranohet nga ne të gjithë se këto kanë lindur nga intuita të paplota dhe si të tilla janë të pamjaftueshme. Pamja ndryshon, por konsistenca mbetet e njëjta e kjo gjë kuptohet thjesht duke i hedhur një sy realitetit.                                                                                                     A jemi në njohje të faktit se nuk janë shtetarët ata që i japin fund periudhës së tranzicionit, por janë shtetasit?                                                       E përsëris: shtetari pa shtetasin është një hiç.

Filed Under: Opinion Tagged With: Atjon Zhiti-Endrra

Pse botimi “E kam në zemër popullin tem Shqiptar”?

August 29, 2019 by dgreca

Nga Don Lush Gjergji/

Pas 16 veprave kushtuar jetës dhe veprës së Shën Nënës Tereze, ja edhe botimi im i 17 -të, me titull”E kam në zemër popullin tem Shqiptar”. Pse ky libër i ri për Shën Nënën Tereze?

Çka pashë, dëgjova, përjetova për së afërmi me Nënën Tereze, atë po ua dhuroj edhe juve, që të jeni disi “pjesëmarrës” në këtë risi dhe mrekulli të shekulli XX, edhe më tepër, të shumë shekujve, të njerëzimit dhe krishterimit.

Tri janë arsyet kryesore: ditëlindja e Gonxhe Bojaxhiut, 40 – vjetori i Shpërblimit Nobel për Paqe, si dhe një jubile i vogël i imi, 50 – vjetori i takimit tim të parë me të në Romë (29 mars 1969).

Ky botim është shumë burimor, i rrallë, mjaft i dalluar, një lloj “Ungjilli sipas Nënës Tereze”, apo “Ungjiili i pestë”, sepse botohen si tërësi: 7 intervista të saja ekskluzive, 6 më mua dhe një me Mons. Nikollë Minit, pesë vizitat e saja në Kosovë (1970, 1978, 1980, 1982, 1986), fjala e rastit të Nënës Tereze nga “Katedra e Paqes” dhe përshtypjet, përjetimet, përvojat e mia me të gjatë gjithë këtyre viteve.

Çfarë risie sjell ky libër? Atë që Shën Nëna Tereze ka thënë në kohë dhe në hapësira të ndryshme; atë që ajo na ka lënë si testament – amanet shpirtëror; atë që ajo ka mbjellë në ndërgjegje, shpirt, mendje, zemër dhe në jetën tonë, që të jemi bijtë dhe bijat shpirtërore të Nënës sonë të madhe.

Prandaj, dëshira ime është kjo: mbarë populli Shqiptar që, sa ajo ishte e gjallë dhe ndër ne, nuk ka pasur mundësi ta shohin, dëgjonin, përjetonin për së afërmi, tani nëpërmjet teksteve, fotografive, dorëshkrimeve burimore, leximeve dhe meditimeve,ta njohim Shenjtëreshën e Jetës dhe të Dashurisë, Bijën, Motrën, Nënën tonë, tashmë edhe Nënën e mbarë njerëzimit, me këto synime dhe qëllime:

Për ta njohur atë si vërtet ishte dhe është, sidomos në lidhje me Popullin dhe Kishën tonë;

Për ta nderuar dhe falënderuar për dëshmi të mrekullueshme të historisë, lashtësisë, autoktonisë sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, që na ngriti edhe ne në piedestalin e Nobelizmit dhe të Shenjtërisë; veçmas me ata të vuajtjes, pësimit, mjerimit, vetmisë, mungesës së kujdesit dhe të dashurisë;

Për ta imituar, së paku në mirësi dhe dashuri, ne rrethe tona personale, familjare dhe shoqërore, apo si do të na thoshte ajo me gojën dhe zemrën e saj: “jepe pjesën më të mirë të vetvetes” dhe “vepra të vogla me dashuri të madhe”;

Për të krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, shtylla këto pa të cilat jeta s’ka kuptim: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”; “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.

Për ta mësuar artin e jetës dhe të dashurisë, sipas parimi: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne”.

Për t’iu lutur dhe kërkuar ndihmën dhe ndërmjetësimin e saj te Zoti, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë dhe të lumtur.

Me një fjalë: unë atë po ia kthej Kishës dhe Popullit tonë Shqiptar, duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, bashkime, mendime, porosi, fotografi, dorëshkrime, që çdo njeri i mendjes së hapur, zemrës së mirë, në Shenjtëreshën tonë ta ketë një model jete dhe veprimi, një frymëzim feje dhe dashuri, një ndërmjetëse të fortë dhe të dashur për hapat tanë jetësor në të tashmen dhe në të ardhmen.

Kjo trashëgimi, dhuratë, si shpërblim flijimi dhe martirizimi shekullor, si dëshmi e krishterimit ndër ne, të Ungjillit dhe traditës tonë, duhet gjithnjë të përkujtohet dhe kurrë mos të harrohet.

Shën Nëna Tereze lutu për Popullin tonë Shqiptar!/drita.info

(Fjala në Akademinë për ditëlindjen e Nënë Terezës në 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe, Qendra “BogdaniPolis”, Prishtinë, 26 gusht 2019)

——–

Veprat e Don Lush Gjergji-t kushtuar Nënës Tereze:

Nëna jonë Tereze, shqip, 1980; 1990; kroatisht, 1982; 1990; sllovenisht , 1983; italisht, 1983; 1985, 1988;  frëngjisht, 1985; spanjollisht, 1988, 2016; hungarisht, 1990; anglisht, 1992.

Lule për Nënën, shqip, 1986; italisht, 1987.

Dashuria në vepër: Nëna Tereze, shqip, 1992; kroatisht, 1995.

Gonxhja jonë – Nëna  e botës, 1998.

Madre della carità, italisht, 1990, ribotohet për çdo vit; anglisht, 1991; 2010; frëngjisht, 1993; spanjolisht, 1993, 2010; polakisht, 1994; gjermanisht, 1995; shqip, 2000; 2010; kroatisht, 2007; sllovenisht 2009.

Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, Poezi dhe Uratë, zgjodhi: Dr. don Lush Gjergji, 1998; 2000.

Vivere, amare, testimoniare, La spiritualità  di Madre Teresa, dy vëllime, italisht, 1995, ribotohet për çdo vit;  anglisht, 1998; polakisht, 1999.

Živjeti s Kristom, kroatisht, 1997.

Ljubiti s Marijom, kroatisht, 1997.

Svjedočiti s Crkvom, kroatisht, 1998.

Zraka Božje Ljubavi, kroatisht, 1998.

Madre Teresa, L’amore in azione, italisht, 2002; 2003, 2007; 2009; polakisht, 2002; 2003; litvuanisht, 2003; anglisht 2008; 2010.

Bog ljubi danas preko nas, kroatisht, 2003, sllovenisht, 2009.

Nëna Tereze, dashuria në veprim, 2010; anglisht, 2010; italisht, 2010; polakisht, 2010.

Nëna Tereze, Shenjtëresha e Dashurisë, shqip, 2010; italisht, 2010; anglisht, 2010; polakisht, 2010; rumanisht, 2010.

Jeta, Dashuria, Dëshmia. Përshpirtëria e Nënës Tereze, 2016

Shenjtëresha e Dashurisë. Prej Shën Palit te Shën Nëna Tereze, italisht, shqip, kroatisht, 2017.

E kam në zemër popullim tem Shqiptar, 2019.

Filed Under: Featured Tagged With: Dom Lush Gjergji-Pse e Kam ne zemer -Popullin Tem Shqiptar

Shqiptarët dhe Dita e Punës në kohën e Trump-it

August 29, 2019 by dgreca

  • Shqiptarët- dembelë në Shqipëri, punëtorë në Amerikë-
  • NGA RAFAEL FLOQI/

Shpesh kur flitet për punën dhe shqiptarët, duke i parë ata nëpër kafene në Shqipëri, apo në kafiqe në Kosovë, të krijohet përshtypja se shqiptarët janë dembelë. Nuk e duan punën.  Por kur pyet këtu në Detroit ndonjë punëdhënës të huaj, ndonjë pronar restoranti italian me emër në Michigan, apo në ndonjë fabrikë ata të thonë me plot gojën se shqiptarët janë punëtorë shumë të mirë. Ata gjithnjë dalin vullnetarë për punë jashtë orarit. Por atëherë si shpjegohet kjo kontradiktë?

Udhëtari francez Amie Boue para 200 vjetësh, më 1840, shkruante se “Shqiptarët janë të gjallë, të qeshur, të shkathët, i kapin shpejt gjërat; janë krenarë dhe trima; por punojnë sa u duket e domosdoshme”. Të jetë kjo, “ Punojnë sa u duket e domosdoshme”.

Por sa e domosdoshme është të punosh në Amerikë? “Po duhen paguar billat( faturat) ”, të thotë dikush. Pra, ekzistenca, përparimi dhe mbijetesa varet nga puna. Ndaj dhe shqiptarët përfshirë dhe mua bëjnë dy ose më shumë punë shpesh dhe overtime, jashtë orarit. Ndaj në Amerikë shqiptarët e nderojnë punën dhe nderohen nga puna. Është interesant, kur takohen disa shqiptarë që se njohin nga afër njëri-tjetrin e pyesin: Si po shkon me punë?”  Por e bukura është se te gjithë që pyesin, sikur kënaqen që t’i punon, apo, sikur kënaqen, që nuk punojnë vetëm ata.

Puna është punë

Por le të kthehemi tek Dita e Punës në SHBA dhe domethënia për Shqiptarët e Amerikës. E hëna e parë e shtatorit që u bë festa zyrtare e punës në Shtetet e Bashkuara në vitin 1894 dhe në dekadat që pasuan qendrat e rëndësishme industriale organizonin parada të mëdha që nderonin punëtorët e sindikatave.

Më 2 Shtator 2019, Departamenti Amerikan i Punës feston dhe nderon punëtorin më të madh në botë – punëtorin amerikan. Dita e Punës 2019 është 125 vjetori i Ditës së Punës që po festohet si festë kombëtare. Njohja e parë qeveritare erdhi përmes rregullave komunale të miratuara në 1885 dhe 1886. Pas pushimeve te verës, në prag te fillimit te shkollës për gjithë moshat, nga fëmijët e kopshti e deri te universitarët, familjet sot në SHBA e kalojnë ditën bashkë të gjithë si familje, duke shënuar kështu pragun e një viti tjetër shkolle dhe punë! Një praktikë krejt ndryshe nga sa jemi mësuar me paradat dhe pompozitetet e 1 Majit në Shqipërinë komuniste, apo në 1 Maj-et e demokracisë që janë një parodi e vërtetë.

Festimi i Ditës së Punës në SHBA ka të bëjë me perceptimin dhe nderimin mbi punën. Për vite me radhë sa kam jetuar në Amerikë kam parë që njerëzit, së pari kanë “respekt për punën”, për çfarëdo pune dhe për ato që quhen – punë të rënda! Një respekt krejt i natyrshëm dhe jo i shtirur, siç jemi mësuar në Shqipëri nga koha e punës për kooperativa apo ndërmarrje shtetërore te komunizmit, jo vetëm nga fakti që puna paguhet më mirë, pasi puna është punë, por edhe pse ajo nderohet.

Festimi i parë i Ditës së Punës u bë të martën, 5 shtator 1882, në New York City, në përputhje me planet e Unionit Qendror të Punës. Sindikata Qendrore e Punës mbajti festën e dytë të Ditës së Punës vetëm një vit më vonë, më 5 shtator 1883. Deri në 1894, 23 shtete të tjera kishin adoptuar festën, dhe më 28 qershor 1894, Presidenti Grover Cleveland nënshkroi një ligj që e bëri të hënën e parë të shtatorit të çdo viti një festë kombëtare.

Rënia e sindikatave dhe iluzionet e sotme socialiste

Por me rritjen e teknologjisë dhe globalizimin e ekonomisë botërore, lëvizja e sindikatave ka rënë thellë. Shumë kërkesa të sindikatave, si java e punës me pesë ditë dhe kujdesi shëndetësor dhe pushimet e paguara nga punëdhënësi, janë garantuar në shumicën e vendeve të punës. 

Shumë korporata amerikane vazhdojnë të jenë kundër organizimit të sindikatave. Vetëm një ndër tetë punonjës në Amerikë merr pjesë në një sindikatë, një shifër sa gjysma e asaj të para 40 vjetëve më parë. Me gjithë përhapjen e ideve të majta socialiste, sidomos në brezin e të ashtuquajturve Millennials (Gjenerata Y te lindur nga 1990-2000) dhe me mbështetjen e kongresistëve të majta, të quajtura “The Scuad”,- skuadra, apo dhe të kandidatëve të majtës të Partisë Demokrate për president, rruga kapitaliste e punës në SHBA ka shënuar arritje ekonomike.

Ndonëse sindikatat e kanë humbur emrin që kanë pasur në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadave të fundit ato ende kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur. Sindikatat kanë ndihmuar popullin amerikan. Madje edhe ata që nuk kanë qenë pjesë e sindikatave kanë arritur shumë, për sa u përket pagave, apo përfitimeve”. Por pjesëmarrja në sindikatë ka rënë me rreth 50 për qind, gjatë 40 viteve të fundit. Shumë ekonomistë mendojnë se ulja e pjesëmarrjes në sindikata është një faktor i rëndësishëm në rënien e pagave, duke marrë parasysh edhe rritjen e inflacionit. Kjo situatë është krijuar për shkak të papunësisë së lartë gjatë viteve të fundit para Trump-it, si dhe për shkak të faktit se gjatë 30 viteve të fundit, si rezultat i globalizmit, punonjësit amerikanë po konkurrojnë me punonjës të vendeve të tjera që paguhen me rroga shumë më të ulëta. Kjo ka çuar në erozionin e sindikalizmit”. Rendimenti i punonjësve amerikanë është rritur me 80 për qind gjatë tre dekadave të fundit. Por paga e tyre është rritur vetëm me 11 për qind. Më pak para po shkon për rrogat dhe përfitimet. Ky nuk është shfrytëzim në vetvete. Kjo ka ardhur si rezultat i shtimit të kostos së kujdesit shëndetësor dhe shpenzimet duhet të dalin nga diku. Obamacare ishte një përpjekje vullnetmirë, por dështoi ekonomikisht.

Lutje për recension për të larguar Presidentin Trump

Por duket se ekonomia e presidentit Trump me nivelet  më të ulëta të papunësisë i ka trembur demokratët sa ata po luten për një recension, vetëm që të heqin “ qafe “Trump-in” Ata dhe media e majtë po përpiqet ta argumentojë me gjoja frikën e recensionit dhe duke e quajtur se arritjet e Trump në ekonomi vijnë si pasojë e punës që nisi Obama ndërsa komediani “Bill Mahr” i HBO, e pohoi shkoqur se ishte, duke u lutur për recension, vetëm që ta “ heqim qafe Trump”.

Steven Rattner, ish këshilltar i Thesarit në administratën Obama në një op/ed në New York Times pohonte “frikën e recesionit mund të jetë thellë i ngulitur në agjendën kombëtare, porse Presidenti Trump vazhdon të mburret me faktin se sa e fortë e madhe është ekonomia amerikane – “më e mira në botë, deri më tani”.

Mbështetësit e Demokrateve për të mos i dhënë kredi Trump për nivelin e Ekonomisë, kërkojnë të krahasojnë të pakrahasueshmen, duke thënë “se performanca e ekonomisë nuk është shumë e ndryshme, nga sa ishte nën presidencën e Pres. Obama dhe shumë dhe më pak nga sa premtoi zoti Trump.”  Në lidhje me nivelin e papunësisë që ka qenë më i miri në 50 vjet, kritikët e Trump-it përpiqen te arsyetojnë se “ Po, është e vërtetë që  shumë amerikanë të papunë janë rikthyer në listat e pagesave. Po, shkalla e papunësisë vazhdon të bjerë, siç ndodhi nën Z. Obama. Por jo, ritmi i punësimit nuk ka qenë më i shpejtë se sa ishte gjatë një periudhe të ngjashme nën administratën Obama”.

Shembulli i Michiganit

Por le të shohim çfarë tregon shembulli i Michiganit. Në vitin 2009, në kohën e recensionit, shkalla e papunësisë në Michigan arriti në 14.6 për qind. Punëdhënësit po mbyllnin vendet e punës dhe miliona punonjës u lanë të kujdesen për veten e tyre.   Një dekadë më vonë, shkalla e papunësisë së shtetit ka rënë në afërsisht 4 përqind, dhe shumë prej atyre punëtorëve janë bekuar me mundësi të mira për karrierë. Në fakt, Michigani, aktualisht është duke përjetuar rritjen më domethënëse në krijimin e vendeve të punës, qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Nën Presidentin Trump, papunësia në Michigan ka arritur nivelin e saj më të ulët të shekullit. Për shkak të Ligjit për Shkurtimet e Taksave – nënshkruar nga Presidenti Trump në vitin 2017 – dhjetëra punëdhënës të Michigan tani kanë më shumë para për të shpenzuar për zgjerimin e biznesit dhe krijimin e vendeve të punës. Për shkak të niveleve më të ulëta të taksave dhe shkurtimeve  kompanitë po i shpërblejnë punëtorët me paga më të larta, dhe kanë rritur kontributet 401 (k) dhe kanë pasur madje shpërblime bujare. Kjo nuk është parullë politike. Mjafton të shohësh, tabelat me shënimet “Help needed”, “We are hiring  now”, kërkojmë të punësojmë, në çdo cep rruge.

Iluzionet socialiste dhe puna kapitaliste

Puna do t’i jepte mundësi “për të pasur siguri financiare për familjen dhe të drejtën për t’u anëtarësuar në sindikatë”  thoshte presidenti Obama qe theksonte, nga ana tjetër se ai nuk kishte shkopin magjik për të kthyer punët e manifakturës. Por si mundi Trump-i t’i kthejë ato, thjesht me “Amerika e Para” ?

Më shqetëson shumë opinioni në të rinjtë amerikanë dhe në kandidatët demokratë se të gjitha do të jenë falas dhe arsimi dhe shëndetësia dhe kompensimet për zezakët, të gjitha dhe kujdesi shëndetësor për emigrantet e paligjshëm. Kjo është shumë e bukur për të qenë e vërtete. Atyre do t’u bëja disa pyetje të thjeshta. Në cilat vende në SHBA ka radhë për shërbime?

Dhe përgjigja është vetëm në zyrat shtetërore; në Postë, në Sekretarinë e shtetit, në Zyrat e Social Security ( Sigurimeve Sociale). Pse?  Dhe për t’i bindur, do t’u tregoja atyre shembullin e Shqipërisë komuniste. Kur shqiptarët nuk punonin më, madje as aq sa ishte e nevojshme, promovimi ishte vetëm një fletë lavdërimi, si shpërblim për punën e mirë!?…Njerëzit u përshtaten me perceptimin: “Shteti bën sikur paguan dhe ne bëjmë sikur punojmë!”…Për pasojë u krijua një sistem i përmbysur vlerash si rezultat i çoroditjes ekonomike me emrin ekonomi socialiste…Çoroditja ekonomike solli edhe çoroditjen sociale për pasojë lulëzuan veset; dembelizmi dhe hajdutëria masive!…Këto janë rezultat i drejtpërdrejtë i eksperimentit shqiptar me emrin ekonomi socialiste! Kjo shihet dhe në Kubë kjo shihet edhe sot në Venezuelë, vendi më i pasur ne naftë në Amerikën Jugore, që ka ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike.  Ne shqiptarët e dimë mire këtë, lypset ta dinë dhe amerikanët. 

Ballafaqimi me botën Perëndimore mbas vitit 1990 pastaj e tregoi më qartë shëmtinë e moralit socialist sepse shumë shqiptarë të mësuar në atë sistem hileqar menjëherë sa dolën ne perëndim nisen të kërkojnë mënyrat me te lehta të të fituarit! Disa u dhanë pas fitimeve të menjëhershme, pra jo të ligjshme, drogës prostitucionit, disa tjerë mbas të jetuarit qyl domethënë me format me parazitare të mundshme, ndihmat sociale te shteteve, ku kërkuan azil dhe menjëherë nisën të luajnë me sistemin si në socializëm !

Shtete te mira për shumë shqiptare mbeten ato shtete “Qe kanë sistem social! Që të paguajnë shtëpi e ushqime pa punuar!”…Si Suedia apo Danimarka, apo Irlanda…( Çuditërisht ato që aspirojnë të majtët amerikanë të tipit të kandidatit të majtë për president Bernnie  Sanders apo kongresistja Alexandra Octavio Cortez. Por janë ato, vërtet vende socialiste, natyrisht që jo)

Kësaj vere po kthehesha nga Shqipëria ne aeroportin e Frankfurtit, takova një shqiptar nga Tropoja që nuk dinte as dy fjalë anglisht, që po kthehej në Irlandë, u përpoqa ta ndihmoj. Ai po më theksonte rëndësinë e sistemit social, të Irlandës që jepte atij shtëpi, dhe mundësi të punonte vetëm 6 orë në javë në një piceri. A kishte punuar në piceri në Itali më parë. Mendimi i tij me ngriti nervat. E përcolla deri tek gate, i Irlandës dhe e lashë me përbuzje.

 Nuk kanë qenë gjithmonë kështu shqiptarët, në fakt! Njerëzit kanë punuar përpara kohës së marrëzisë kolektive me emrin socializëm…Kanë punuar sepse kishin token e tyre, gjënë e tyre dhe kujdeseshin për mallin e vet!… apo ndoshta kanë punuar “sa u duket e domosdoshme”, por kanë punuar ama. Dhe për këtë arsye Shqipërinë e kanë dashur më shumë.

Por sa është e domosdoshmja është vështirë te caktohet, kjo varet nga kufiri që i vë vetes.  Shqiptarët në Shqipëri ambicien e kane te madhe, por dëshirën për punë të vogël. Tregojini paranë shqiptarit dhe ata do të vënë në rrezik dhe jetën për të. Por në SHBA kufiri është caktuar duhet guxim dhe punë. Dhe ndodh paradoksi, që intelektualë me shkolla të mbaruara në Shqipëri punojnë në një kompani pastrimi, të një biznesmeni shqiptar me shkolle të mesme. Në SHBA, puna qiellin ka kufi, ndaj e nderojnë punën.

Ndaj për ne shqiptarët, duhet nxitje, rregulla, dhe jo punë shteti, që varet nga politika. Jo më kot Konica, thërriste  “Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri , f. 214).

Së pari, ekonomia do të mbetet vetëm e fortë për sa kohë që politikat reale mbështesin rritjen reale. Kush e mohon këtë nuk e kupton vlerën e punës .

Konsumi- zhgënjimi i recensionistëve 

“Një re e errët ka zënë vendin e saj në horizont, një  telash i mundshëm i madh për ekonominë Trump.” “Kërcënimi i recesionit është real.” Thonë këta histerikë që urrejnë Trump – të gjithë ata, natyrisht, duke jetuar jetë të rehatshme – në të vërtetë dëshirojnë një recesion, sepse ata mendojnë se kjo është mënyra më e mirë për të hequr qafe Trump-in.

Gjëja më e keqe është se ata mendojnë se idiotësia e tyre panik mund të ketë efekte në botën reale. Në fund të fundit, ekonomia nuk është diçka abstrakte. Është një gjë njerëzore, rezultat kolektiv i vendimeve të panumërta njerëzore. A duhet ta blej atë mobilje të re ? Apo jo. A duhet të punësoj atë punëtor shtesë? A duhet ta hap atë fabrikë të re? Të gjitha këto vendime njerëzore bazohen në besimin për të ardhmen. Pra, në të vërtetë, idiotët e Wall Street-it dhe main stream mediave, mendojnë, fjalë për fjalë, se ata mund të shkaktojnë një recesion, vetëm duke vazhduar këtë propagande .

Gjëja më e zgjuar që kam dëgjuar javën e kaluar për frikën e recesionit erdhi nga Brian Moynihan, CEO i Bank of America – dikush që e di mirë se për çfarë po flet. Ai fajësoi faktorët ndërkombëtarë për trazirat në tregjet financiare dhe theksoi disa fakte themelore në lidhje me ekonominë reale, dhe shtoi se “Punëtori mesatar po punon, po paguhet më shumë”. ” Në ekonominë reale, agjenda e administratës Trump mbi sipërmarrjen po funksionon. Taksat më të ulëta dhe më pak rregullore u dhanë bizneseve besimin për të investuar. Kjo do të thotë më shumë risi dhe prodhimtari më e lartë e punëtorëve. Kjo do të thotë se krijohen më shumë vende pune, dhe punëtorët paguhen më shumë sepse prodhojnë më shumë. Ky është vlerësimi më i madh që mund t’i bësh punës. Kjo do të përkthehet në një ecuri të mirë krediti nga ana e konsumatorit. Rreziku i vërtetë për ekonominë e SHBA është nëse blerjet e konsumit ngadalësohen. “Pika më e rëndësishme që bëri Moynihan ishte kur ai tha këtë: “Ne nuk kemi asgjë për t’u frikësuar për një recesion tani, përveç frikës nga recesioni”. Shqiptaro-amerikanët duhet ta mbajnë parasysh edhe këtë. Punë të mbarë !

Filed Under: Analiza Tagged With: Rafael Floqi- Shqiptaret-Dita e Punes-Koha Trump

AKADEMI PERKUJTIMORE ME PERKRAHJEN E DEGES SE VATRES NE HARTFORD, CT

August 29, 2019 by dgreca

AKADEMI PERKUJTIMORE ME PERKRAHJEN E DEGES SE VATRES NE HARTFORD, CT

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Akademi-Fehmi Agani-Dega e Vatres-Hartford

Kosovë-Ambasadori Amerikan Kosnett vizitoi KQZ-në

August 29, 2019 by dgreca

-Ambasadori Amerikan Philip Kosnett shprehu mbështetje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës në 6 Tetor 2019/

PRISHTINË, 29 Gusht 2019-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve qëndroi për vizitë Ambsadori Amerikan në Prishtinë, Philip S. Kosnett, i cili u prit në takim nga Kryetarja Valdete Daka dhe anëtarët e Komisionit.

     Kryetarja Daka i uroi mirëseardhje Ambasadorit Kosnett për këtë vizitë, të cilën e vlerësoi lartë në këtë fazë të rëndësishme të angazhimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

     Ambasadori Kosnett shprehu mbështetje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 6 Tetor 2019.

     Ambasadori Amerikan Kosnett në mesazhin e tij vuri theksin në rolin thelbësor të KQZ-së për proceset demorkatike në Republikën e Kosovës si dhe përgëzoi KQZ-në për punën e deritanishme, duke e inkurajuar për të vazhduar në këtë drejtim.

     Ambasadori Konsett bashkëbisedoi me anëtarët e KQZ-së lidhur me procesin zgjedhor, të cilët falënderuan Ambasadorin Amerikan për vizitën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrhahjen e vazhdueshme të Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe KQZ-në në veçanti.

     Anëtarët e KQZ-së shprehën përkushtimin e përbashkët për të punuar në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore në organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: - Vizite en KQZ

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT