Nga Don Lush Gjergji/
Pas 16 veprave kushtuar jetës dhe veprës së Shën Nënës Tereze, ja edhe botimi im i 17 -të, me titull”E kam në zemër popullin tem Shqiptar”. Pse ky libër i ri për Shën Nënën Tereze?
Çka pashë, dëgjova, përjetova për së afërmi me Nënën Tereze, atë po ua dhuroj edhe juve, që të jeni disi “pjesëmarrës” në këtë risi dhe mrekulli të shekulli XX, edhe më tepër, të shumë shekujve, të njerëzimit dhe krishterimit.
Tri janë arsyet kryesore: ditëlindja e Gonxhe Bojaxhiut, 40 – vjetori i Shpërblimit Nobel për Paqe, si dhe një jubile i vogël i imi, 50 – vjetori i takimit tim të parë me të në Romë (29 mars 1969).
Ky botim është shumë burimor, i rrallë, mjaft i dalluar, një lloj “Ungjilli sipas Nënës Tereze”, apo “Ungjiili i pestë”, sepse botohen si tërësi: 7 intervista të saja ekskluzive, 6 më mua dhe një me Mons. Nikollë Minit, pesë vizitat e saja në Kosovë (1970, 1978, 1980, 1982, 1986), fjala e rastit të Nënës Tereze nga “Katedra e Paqes” dhe përshtypjet, përjetimet, përvojat e mia me të gjatë gjithë këtyre viteve.
Çfarë risie sjell ky libër? Atë që Shën Nëna Tereze ka thënë në kohë dhe në hapësira të ndryshme; atë që ajo na ka lënë si testament – amanet shpirtëror; atë që ajo ka mbjellë në ndërgjegje, shpirt, mendje, zemër dhe në jetën tonë, që të jemi bijtë dhe bijat shpirtërore të Nënës sonë të madhe.
Prandaj, dëshira ime është kjo: mbarë populli Shqiptar që, sa ajo ishte e gjallë dhe ndër ne, nuk ka pasur mundësi ta shohin, dëgjonin, përjetonin për së afërmi, tani nëpërmjet teksteve, fotografive, dorëshkrimeve burimore, leximeve dhe meditimeve,ta njohim Shenjtëreshën e Jetës dhe të Dashurisë, Bijën, Motrën, Nënën tonë, tashmë edhe Nënën e mbarë njerëzimit, me këto synime dhe qëllime:
Për ta njohur atë si vërtet ishte dhe është, sidomos në lidhje me Popullin dhe Kishën tonë;
Për ta nderuar dhe falënderuar për dëshmi të mrekullueshme të historisë, lashtësisë, autoktonisë sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, që na ngriti edhe ne në piedestalin e Nobelizmit dhe të Shenjtërisë; veçmas me ata të vuajtjes, pësimit, mjerimit, vetmisë, mungesës së kujdesit dhe të dashurisë;
Për ta imituar, së paku në mirësi dhe dashuri, ne rrethe tona personale, familjare dhe shoqërore, apo si do të na thoshte ajo me gojën dhe zemrën e saj: “jepe pjesën më të mirë të vetvetes” dhe “vepra të vogla me dashuri të madhe”;
Për të krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, shtylla këto pa të cilat jeta s’ka kuptim: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”; “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.
Për ta mësuar artin e jetës dhe të dashurisë, sipas parimi: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne”.
Për t’iu lutur dhe kërkuar ndihmën dhe ndërmjetësimin e saj te Zoti, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë dhe të lumtur.
Me një fjalë: unë atë po ia kthej Kishës dhe Popullit tonë Shqiptar, duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, bashkime, mendime, porosi, fotografi, dorëshkrime, që çdo njeri i mendjes së hapur, zemrës së mirë, në Shenjtëreshën tonë ta ketë një model jete dhe veprimi, një frymëzim feje dhe dashuri, një ndërmjetëse të fortë dhe të dashur për hapat tanë jetësor në të tashmen dhe në të ardhmen.
Kjo trashëgimi, dhuratë, si shpërblim flijimi dhe martirizimi shekullor, si dëshmi e krishterimit ndër ne, të Ungjillit dhe traditës tonë, duhet gjithnjë të përkujtohet dhe kurrë mos të harrohet.
Shën Nëna Tereze lutu për Popullin tonë Shqiptar!/drita.info
(Fjala në Akademinë për ditëlindjen e Nënë Terezës në 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe, Qendra “BogdaniPolis”, Prishtinë, 26 gusht 2019)
——–
Veprat e Don Lush Gjergji-t kushtuar Nënës Tereze:
Nëna jonë Tereze, shqip, 1980; 1990; kroatisht, 1982; 1990; sllovenisht , 1983; italisht, 1983; 1985, 1988; frëngjisht, 1985; spanjollisht, 1988, 2016; hungarisht, 1990; anglisht, 1992.
Lule për Nënën, shqip, 1986; italisht, 1987.
Dashuria në vepër: Nëna Tereze, shqip, 1992; kroatisht, 1995.
Gonxhja jonë – Nëna e botës, 1998.
Madre della carità, italisht, 1990, ribotohet për çdo vit; anglisht, 1991; 2010; frëngjisht, 1993; spanjolisht, 1993, 2010; polakisht, 1994; gjermanisht, 1995; shqip, 2000; 2010; kroatisht, 2007; sllovenisht 2009.
Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, Poezi dhe Uratë, zgjodhi: Dr. don Lush Gjergji, 1998; 2000.
Vivere, amare, testimoniare, La spiritualità di Madre Teresa, dy vëllime, italisht, 1995, ribotohet për çdo vit; anglisht, 1998; polakisht, 1999.
Živjeti s Kristom, kroatisht, 1997.
Ljubiti s Marijom, kroatisht, 1997.
Svjedočiti s Crkvom, kroatisht, 1998.
Zraka Božje Ljubavi, kroatisht, 1998.
Madre Teresa, L’amore in azione, italisht, 2002; 2003, 2007; 2009; polakisht, 2002; 2003; litvuanisht, 2003; anglisht 2008; 2010.
Bog ljubi danas preko nas, kroatisht, 2003, sllovenisht, 2009.
Nëna Tereze, dashuria në veprim, 2010; anglisht, 2010; italisht, 2010; polakisht, 2010.
Nëna Tereze, Shenjtëresha e Dashurisë, shqip, 2010; italisht, 2010; anglisht, 2010; polakisht, 2010; rumanisht, 2010.
Jeta, Dashuria, Dëshmia. Përshpirtëria e Nënës Tereze, 2016
Shenjtëresha e Dashurisë. Prej Shën Palit te Shën Nëna Tereze, italisht, shqip, kroatisht, 2017.
E kam në zemër popullim tem Shqiptar, 2019.