• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2019

EDHE SHQIPET PO IKIN NGA ÇERDHET SHEKULLORE…

August 24, 2019 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Duhet theksue se Shqipnia nuk ishte shtet i angazhuem në Luftën Botnore, në asnjë bllok, prandej edhe nuk u zharit e shkatrrue nga bombardimet e asnjënës palë; madje mbas Luftës II Botnore Shqipnia dhe Shqiptarët dolën edhe ma mirë se ishin para saj. Shqipnia që në vitin 1942 ishte ma mirë ekonomikisht se Italia, Jugosllavia dhe Greqia… Mbas vitit 1943, janë partizanët tanë, që nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, i vunë flakën Jugut dhe e shkatrruen për me i tregue Popullit Shqiptar se çka sjell komunizmi. Parimi i  “barazisë për të gjithë asht vorfnimi i tejskajshëm i Popullit” dhe pasunimi i  tyne!

Me zhdukjen e “aparatit të vjetër tradhëtar”, intelektualёve dhe lidhjeve shumё tё vjetra me Europën, fillon edhe shpronsimi dhe shtetizimi i pronave dhe pasunive private, tatimet dhe konfiskimet, të cilat marrin me veti edhe mija kilogram ar e monedha të shqiptarëve, të ruejtuna për me i shpenzue kur të vinte dita që populli ka me hangër bar … “me lugë ari…” Enver Hoxha, mbasi shiti Trojet Shqiptare dhe u pajtue me robnimin sllavokomunist të Shqipnisë, punoi për ruejtjen e kolltukut të vet dhe pasunimin personal. Këte e arrijti me një terror të pashembullt, siç e shpjegon edhe Brajan Capmen nё librin e tij që: “Thesari ma i çmueshëm i një diktatori janë spijunët dhe informatorët, mbasi me ta mbillet përçarja në popull, ndërsa me vrasësit ruhet sundimi. Spijunët janë njerëz të stërvitun për vepra të ulta, të rritun mjedis poshtnimit”. Mbasi të rilexoni edhe njëherë këte citat keni me kuptue se cila kjé arësyeja që Enver Hoxha me të gjithë aparatin e tij terrorist qeverisës vorfnoi popullin, e shpërftyroi njeriun, e mbajti 47 vjet nën diktaturë komuniste, tue aplikue metodat ma të mnershme e djallzore të “luftës së kllasave”, tue privilegjue dhunuesit e torturuesit apo organet e korruptueme të hetuesisё e “drejtësisë”, që shtonin numurin e këtyne spijunëve, të gjithë të lindun, të rritun dhe të edukuem në kurset e analfabetizmit dhe nga “shkolla e re socialiste e partisë” e kudondodhun…

Reforma e parë mbas fillimit të pushkatimeve e interrnimeve, me të cilën krenohen “shokët” e Partisë komuniste e agjentёt e saj edhe sot, ishte: “Arsimimi i gjerë i masave dhe revolucionarizimi i shkollës sonë…” Qendrat ku Shqiptari humbi tiparet e Tij shekullore, Burrni, Besë e Bujari. Ja vendi ku u shemb Ideali “Atdhé e Fé”,ja çerdhja ku Shqipja Dykrenare çili dikur zogjët e vet:

Malësia, tue ikë rrugave të gërbetit dhe tue harrue zakon e traditë mijavjeçare. Ja “shkolla” ku formohej breznia e “re socialiste” pa korajo civile, servile dhe hipokrite, opurtuniste pa pikë burrnije, me parime marksiste – leniniste dhe ateiste, parime të cilat synojnë me shpartallue Atdhetarizmin dhe Familjen Shqiptare. Ja Populli Shqiptar i njohun në Evropë e në gjithë Botën me Dy nga Simbolet e Paqës, Drejtësisë dhe të Lirisë së të Drejtave njerëzore : Të Madhin Gjergj Kastriotin – Skenderbeun dhe Nanë Terezën e Shqipnisë… “në mes të Evropës”… por, jashtë Saj!..

Komunizmi asht sistemi i sundimit ma përbindsh i Shekullit XX.

Duheshin sa ma shumë kampe pune dhe shfarosje, të interrnuem dhe ushtarë për të sigurue me punën e tyne të pashpërblyeme fitimet përrallore dhe garancinë e sotme nga ata kapitale qё janё ndër të gjitha bankat dhe shtetet Perëndimore e deri në Arabi!

Terrorizmi dhe krimi i organizuem nga shteti mbi popullin e pambrojtun dhe të mbyllun mbrenda “perdes së hekurt” arrijnë me kthye të gjithë njerëzit në një kope të lidhun kambësh e duersh, me një leckë të kuqe të zhublosun në gojë, që vetëm shohin një dorë nalt, të gjakosun, me thikë të shtërngueme fort, e që asht dora e diktatorit që mbjell frikë, terror, pasiguri, dhe kërcënim tue shpërba edhe pamjen e tyne si njerëz…

Perkufizimin e saktë të sistemit komunist e ka lanë i masakruemi mendsisht Bep Shantoja nga Shkodra: “Vetëm të marrët nuk çmendën nga sistemi komunist!”…

Sinteza e krimeve të bame në Shqipninë “sociliste” mund të permblidhet me pak shifra me faktin që ka tregue ish shefi i zyres sekrete të ministrisë së mbrendshme në Tiranë kur ishte në burgun e Spaçit: “…deri ditën që jam arrestuar, në shkurt të këtij viti (1974, shenimi FR}, numuri i të pushkatuarëve, të vrarëve me gjyq e pa gjyq, të mbeturve në hetuesi në tortura, të vdekurve në kampe pune dhe çfarosje, të vdekur në kampe internimi dhe ferma pune, në spitale psiqiatrike dhe çmendira, të vrarë në kufinj e reparte pune e ushtarake ose, gjoja të “vetvrarë”…pa shifrën e atyre që Sigurimi i shtetit ka zhdukur në botën e jashtme, mbasi ata nuk ishin në kasafortën time, shifra ka arritur:

45.000 Shqiptarë pa varr…në tokën e tyre shqiptare..!

Ndërsa mbas vitit 1991 Shqipnia nuk mund të rreshtohet as me vëndet e Botës së katërt. Sot Populli asht ma i vorfën në të gjithë shtetet e Europës Lindore e Perёndimore.

Kush e solli Ate këtu, përveç ditës së kobëshme të 29 nandorit 1944 ?

Po kush po e mban edhe sot prap Shqipninё nder vendet ma të mbrapambetuna?  

–  Sigurisht vetem klasa e saj politike, që ka ndrrue masken e djeshme të diktaturës me konvertimin “demokratik”, tue pasue shtetin tek trashigimtarët e vet hajdutë e agjentё, me pikpamje orientale anadollake, veç me mbajtë kolltukët e shtetit. Sot ata me cilin nga pushtuesit e Atdheut nuk po bajnë marrveshje e tradhëti veç me mbushë xhepat!?

Sot Shqiptarët janë një Popull shumë i vorfën, me një “kllasë” politike jo vetem të pasun, por nder ma të pasunat e Europës, që kanë nxjerrë në treg të turpit dhe tradhëtisë së tyne Atdheun dhe Lirinë, të cilat as nuk duen me dijtë se të kujt janë dhe i perkasin.

Ka shumë nga “ata” që bajnë sikur nuk kuptojnë… ka edhe nga “ata” që kuptojnë e bajnë sikur nuk shohin… Ndryshimi nuk asht aq i madh sa i duket ndokujt…

“Yllit” partizan me të cilin ata zhigatën Flamurin Kombtar… me 29 nandor 1944, tashti po mendojnë në vendin e Shqipes Dykrenare pranё tij me i vue “hanën” !

“Gati…gati si e kemi pasë para 100 vjetësh!..” Tash po ju kujtohet!!

Melbourne, 2019.

Filed Under: ESSE Tagged With: Frtiz Radovani-Edhe shqipet-po ikin

VENDKALIMET E REJA NË FAVOR TË INTEGRIMIT TË ZONËS KUFITARE

August 22, 2019 by dgreca

Diskursi sociopolitik/

Në rrëthana të reja shoqërore zonat kufitare duhet të kenë një tretman tjetër, përmes hapjes së vendkalimeve të reja jo vetëm zyrtare por edhe atyre jozyrtare, që do të ishte në favor të popullsisë vendore, ku kërkesën nga komuna e Plavës për rihapjën e vendkalimit  kufitar në Çakorr, e vlerësojmë pozitive dhe në favor të  qytetarëve  të komunës së Plavës dhe të Gucisë me mundësi të komunikimit me qytetin e Pejës përkatësisht me  Kosovën, duke dalur nga izolimi i imponuar disavjeçar, andaj një iniciativë e tillë duhet të mbeshtet nga Qeveria e Malit të Zi, ndërsa  nuk duhet anashkaluar rrugën Plavë-Deçan e cila është me peshë të veçantë për ketë regjion dhe në favor të bashkëpunimit ndërkufitar e ndërshetëror në mes dy vendëve.

Shkruan: Dr.Nail Draga/

Sipas mediave kohë më parë u bë e ditur se Komuna e Plavës ka paraqitur  kërkesën në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Malit të Zi, për hapjen e vendkalimit kufitar në Çakorr, qëllimi i të cilit është zhvillimi i lidhjes sa më të mirë me Kosovën, duke patur parasysh rëndësinë e kësaj lidhjeje për zhvillim të mëtejshëm të mundësive ekonomiko-turistike, si dhe orientimin tradicional të banorëve në këtë vendkalim kufitar.

Me hapjen e kalimit kufitar në Çakorr, zyrtarët vendorë të Plavës mendojnë se do të krijoheshin lidhjet më të mira mes dy vendeve, do të forcohej bashkëpunimi i ndërsjellë ekonomik, do të lehtësohej udhëtimi i shtetasve të Malit të Zi dhe Kosovës, por edhe i turistëve të shumtë, veçanërisht gjatë sezonit turistik. “Lidhshmëria komunikative është njëra ndër parakushtet themelore infrastrukturore për vlerat turistike dhe ekonomike të një treve. Pa rrugë të mira dhe vlerësim të madh ekonomik, ato mbeten të pashfrytëzuara. Komuna e Plavës, përveç pozitës së mirë gjeografike, me të cilën kufizohet dy shtete dhe disa komuna të Malit të Zi, ka lidhje joadekuate të komunikacionit”, theksojnë zyrtarët e komunës në shkresën e dërguar qeverisë.

Në shkresë, mes tjerash thuhet se prej Plavës deri në Pejë janë rreth 70 kilometra, kurse rrugës nëpër Rozhajë nëpërmjet vendkalimit kufitar “Kulla”, Peja dhe Plava janë në largësi prej rreth 130 kilometra.

Zyrtarët e Plavës theksojnë se për këtë arsye qytetarët e tyre presin me pa durim hapjen e aksit rrugor, veçanërisht duke patur parasysh rëndësinë e kësaj lidhjeje të komunikacionit për zhvillim të mëtejmë të mundësive ekonomiko-turistike të kësaj ane, si dhe orientimin tradicional të banorëve por edhe të tjera mundësive.

Duke marrë parasysh se “lidhja me Shqipërinë pa dyshim është avancuar me ndërtimin e aksit rrugor Guci-Vermosh  dhe me hapjen e vendkalimit kufitar Gërnçar-Vermosh, derisa lidhja me Kosovën mund të avancohet me vënien në funksion të plotë të aksit rrugor Murinë-Çakorr-Pejë, i cili para disa vitesh është rikonstruktuar nga ana e Drejtorisë për Komunikacion”, thuhet në mes tjerash në kërkesën e Komunës së Plavës drejtuar Qeverisë së Malit të Zi.

Vendkalime të reja jashtë atyre zyrtare

Qarkullimi  i njerëzëve është nevojë elementare e lirisë në çdo vend ndërsa zonat kufitare në këtë aspekt  janë të veçanta, sepse kanë pasur një të kaluar me probleme të mëdha  kryesisht të aspektit   politik e ekonomik ku si të tilla ishin më të pazhvilluarat dhe të pa perspektivë  për të jetuar. Në këtë aspekt nuk bën përjashtim zona kufitare Mali i Zi-Shqipëri, ku pasojat janë ende të pranishme, ku shqiptarët dëshmitarë okularë të vitëve të shkuara në kohën e monizmit. Por, në rrethana të reja duhet bërë përpjekje për të ndryshuar gjendjen ekzistuese ku qarkullimi i lirë përmes vendkalimeve  të reja kufitare  jashtë atyre zyrtare do të ishte në favor të popullsisë në të dy anët e kufirit.

Pikërisht në këtë aspekt duhet cekur një marrëveshje pozitive që është arritur në gusht të vitit 2018 në mes  Malit të Zi dhe  Serbisë  për hapjen e  21 vendkalimeve të reja  kufitare(VKK) jashtë atyre zyrtare, sepse  aty ekziston nevoja e qarkullimit të popullsisë në zonën kufitare në mes  dy vendeve, duke respektuar nevojën e popullsisë lokale në komunat e zonës kufitare, për kalim të lirë të kufirit, me qellim të zhvillimit e të bashkëpunimit  ekonomik, arsimit, shëndetësisë, kulturor, social, sportiv etj. Në zonën kufitare në distancë prej 10 km nga kufiri, janë përfshi 131 vendbanime në Mal të Zi e 113 në Serbi.Një marrëveshje e tillë është në harmoni me Udhëzimet e Bashkësisë Europiane(EU 1931/06) mbi qarkullimin ndërkufitar.Popullsia e zonës kufitare në të dy anët e kufirit është pajisur me Leje të kalimitku është  përcaktuar  vendi së ku mund të kalojnë kufirin shtetëror. 

Më këtë rast duhet cekur së vendkalime të tilla ka pasur në mes dy luftërave botërore në mes Mbretërisë së Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, duke iu mundësuar qytetarëve të zonës kufitare qarkullim të lirë pa pengesa.E dhëna së  nga liqeni i Shkodrës e deri të gryka e Bunës kanë qenë në funksion tetë VKK të tilla, dëshmon demokracinë e kohës, e cila pas Luftës së Dytë Botërore për shkaqe politike-ideologjike   një e drejtë e tillë iu mohua, që ishte fatale për shqiptarët në të dy anët e kufirit më pasoja të mëdha që janë të pranishme deri në ditët tona.

Model edhe për vendet tjera në regjion

Ndonëse nuk iu bë publicitet mediatik marrëveshja malazezo-serbe si e tillë mund të shërbej si model për vendet tjera në regjion, madje  një  e tillë do të ishte e nevojshme  të arrihet edhe në mes Malit të Zi, Kosovës e Shqipërisë. Pikërisht, duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve të zonës kufitare ku jetojnë shqiptarët në të dy anët e kufirit, si ma emergjente në këtë moment janë hapja e VKK të reja jashtë atyre zyrtare  në: 

1.Qafë Vranicë-Plavë, qëndodhet në afërsi të fshatit Çerem të rrethit të Tropojës. Pas përmirësimit të infrastrukturës rrugore ky vendkalim do të bëjë të mundur lidhjen e të gjithë zonave të Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës me Plavën dhe Gucinë.

2.Grabom – Cemi i Trieshit,   ndonëse rruga në pjesën e Shqipërisë ka përfunduar dhe kemi një komunikim të vazhdueshëm në relacionin  Guci-Tamarë-Shkodër  ka mbetur pa u përfunduar pjesa në Malin e Zi, që lidh Grabomin me Podgoricën, ku sipas informatave qe kemi gjatë këtij viti do të filloj ndërtimi i kësaj rruge si dhe VKK në Grabom që do të jetë në funksion të qytetarëve të Kelmendit e Malësisë si dhe të tjerëve qe do të frekuentojnë në këtë krahinë.

3.Zogaj-Hutaj(Skje)që do të ishte në favor të krahinës së Krajës për lidhjen e saj me qytetin e Shkodrës, lidhje kjo e cila është ndërprerë në vitin 1948 Ndonëse në Shkodër me 1 korrik 2018 u mbajt mbledhja e përbashkët në mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi, në sajë marrëveshjeve të nënshkruara ishte ajo në lidhje me hapjen e këtij  VKK, por ndonëse kemi të bëjmë me ndërtimin e një rruge me distance 1.2km   në sajë të informacioneve që kemi  deri më tash nuk është punuar asgjë në këtë drejtim.

Do të ishte kjo lidhja unazore e liqenit të Shkodrës nga ana juglindore e tij, ndërsa Kraja do të ishte 12 km larg Shkodrës, duke qenë pjesë e zonës gravituese të këtij qyteti.

4.Shënkollë-Pulaj,do të ishte rruga e vetme ujore me traget  përmes lumit Buna, në mes dy vendëve e cila ka kohë që është e prezantuar në opinion si vazhdimëshi e rrugës Shën Gjin-Velipojë-Shtoj-Ulqin. Në veçanti gjatë verës do të ishte një atrakcion i veçantë turistik për tërë regjionin dhe me gjerë, deri sa nuk do të ndërtohet ura mbi Bunë e cila është në projektët e investimeve kapitale  të Qeverisë së Shqipërisë.

Hapja e VKK të tilla jo zyrtare  por edhe të tjera që nuk u cekën më këtë rast, do të dëshmonte bashkëpunimin  në mes dy vendëve dhe prezantimin praktik të politikës së fqinjësisë së mirë në favor të integrimeve europriane, që është në favor të popullsisë së zonave kufitare si kudo në vendet me demokraci të konsoliduar.

Rruga Plavë- Deçan duhet të përshpejtohet 

Si vazhdimësi logjike e rrugës Shkodër-Plavë, apo Podgoricë-Plavë, është rruga në drejtim të Kosovës. Nëse nga Plava në drejtim të Kosovës ekziston rruga tradicionale ajo përmes Çakorrit, ajo ka pasur tretman të kufizuar gjashtë mujor, sepse qarkullimi ishte i mundur vetëm gjatë verës, sepse dimrit kjo rrugë ishte e bllokuar. 

Andaj e vetmja linjë rrugore për Kosovë nga krahina e Plavë-Gucisë, është vetëm nga ana e Rozhajës në drejtim të Pejës apo të Mitrovicës. Por, pas çlirimit të Kosovës(1999), është prezentuar idea e ndërtimit të rrugës në drejtimin Deçan-Plavë. Përfundimisht kjo rrugë me gjatësi 35km ka filluar së ndërtuari me 25 shtator 2014. Në kuadër të komunës së Deçanit nga kjo gjatësi rrugore  janë 20 km ndërsa pjesa tjetër prej 15 km është në kuadër të komunës së Plavës.  Ndonëse është parashikuar që kjo rrugë  të ndërtohet ne tre faza dhe përfundimi është parashikuar të pëfundojë në vitin 2017, por  ka kohë që punimet janë ndërprerë pjesërisht sepse pengesë paraqet Manastiri ortodoks i Deçanit, pa ndonjë arsyetim bindës për opinionin. 

Mendoj se një veprim i tillë është më prapavi politike, për të pënguar realizimin e një projekti të tillë infrastrukturor  që është në favor të komunikimit të Deçanit me Plavën në aspektin e zhvillmit të përgjithshëm ekonomik e  po ashtu bën bashkimin natyror të viseve shqiptaresi asnjëherë më parë, duke qenë një arterie me vlera shumëdimensionale, e sidomos për krahinën e Plavës dhe Gucisë.

Nëse nuk do të ketë pengesa tjera subjektive, dhe angazhim konkret në komunën e Plavës, sepse ata ende nuk punuar në këtë drejtim mendoj se deri në fund të vitit 2020 kjo rrugë duhet të përfundohet.

Nga Rozhaja në Pejë për 18 minuta

Ndonëse ideja për mundësinë e lidhjës së Rozhajës me Pejën permes tunelit ka ekzistuar edhe më parë, informata konkrete në këtë aspekt kemi nga maji i vitit 2008. Ishte pikërisht takimi I përfaqësuesve të Qeverisë së Malit të Zi dhe të Kosovës të cilët paralajmëruan e një mundësi të tillë që do të ishte në favor të lidhjeve  bashkëkohore rrugore në mes dy qytetëve. Një financim i tillë mund të realizohej nga buxheti i shtetëve përkatëse por   edhe nga fondet europiane. 

Në takim është cekur se duhet nisur procedura ne lidhje mbi mbledhjen e dokumentacionit për hartimin e studimit të lokacionit ku do të definohen elementet teknike të projektit. Realizimi i një projekti të tillë do kishte benificione për Malin e Zi e  në veçanti për qytetarët e Rozhajës dhe të Pejës.

Rruga ekzistuese Rozhajë-Pejë  është e gjatë 46.9km, ndërsa sipas llogaritjeve teknike nëse hapet tuneli më gjatësi  7,25 km kjo rrugë do të ishte e gjatë 23.5km, ku në Pejë do të arrihej me shpëjtësi prej 18 minutave.

Një qarkullim i tillë do ta bënte Rozhajën si pjesë integrale të zonës gravituese të  Pejës jo vetëm në aspektin tregtar, duke rikthyer kohërat e kaluara. Angazhimi  konkret i qeverive  të dy vendëve në realizimin e  një projekti të tillë do të ishte në favor të integrimit të zonës kufitare duke eliminuar  spekulimet se kemi të bëjmë vetëm deklarime të rastit sikurse në fushatat zgjedhore. 

Rruga Deçan-Plavë në favor të integrimit të zones kufitare

Filed Under: Ekonomi, Opinion

Doni të ndryshoni Kosovën…?

August 22, 2019 by dgreca

Opinion nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI/

   Doni të ndryshoni Kosovën, votoni  demokratët Albin Kurti dhe Avni Klinaku !/

***  Qoftë në koalicion apo jashtë koalicioni, është momenti i fundit që qytetarët  në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, të  mos i votojnë “ZELENASHËT” korrupsionistë milionerë (ata që kanë krijuar 2 klasa të ndryshme: klasën e  vet të  lartë të pasur dhe klasën e vrafër që mbijeton me mëditje nga “mëshira” e më të pasurëve), POR ata që realizojnë premtimet e tyre, duke zbatuar me konsekuencë vetëm interesin e përgjithshëm të popullit dhe të shtetit të Republikës së Kosovës.

 -Pra, votoni patriotët demokratë vizionarë-përfaqësues të denjë legjitimë të populli sikundër që ishte dikur demokrati shqiptar Avni Rrustemi, që kanë program politik, kombëtar dhe shtetëror për ta shpëtuar popullin dhe shtetin e Kosovës nga kriza institucionale, nga varfëria, nga papunësia dhe nga pazhvillueshmëria,  JO,  MOS I VOTONI “zelenashët” e dëshmuar kolltukofagë  të deritanishëm, që kanë rrjepur popullin për të jetuar vetë në mirëqenie, në bgeati dhe në luks evropian vetëm, familjet ,miqtë, klanet dhe partitë  e tyre , të cilët brenda 20-vjeçarit të shkuar ia arritën ta kapin pudhtetin dhe  gjithë pasurinë e popullit, e të bëhen milionerë-klasa më e lartë korrupcioniste dhe shfrytëzuese , e diferencuar nga shumica dërrmuese e masave të popullsisë së varfëruar dhe të papunë.

Pa asnjë hezitim dhe, pa asnjë frikë, logjika e shëndoshë politike e thotë, të votohen masovikisht Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja për Bashkim, sepse këto kanë program dhe vizion pragmatik dhe realist për shpëtimin e Kosovës nga papunësia, nga prapambeturia, nga dekadenca, nga varfëria, nga ekzodi, nga korrupsioni, nga krimi i organizuar, nga plaçka dhe nga shfrytëzimi brutal i njeriut prej njeriut. 

–Votoni këto dy lëvizje, sepse asnjëra dhe as tjetra nuk janë nën hipotekën e tradhtisë, të mashtrimit dhe të shfrytëzimit të egër të popullit.

– Votoni këto DY LËVIZJE  se nuk do t’u lënë sokaqeve të papunë, pa bukë, pa strehë, nuk do t’iu vjedhin, nuk do t’iu plaçkisin, nuk do t’iu gjobisin, që të jetoni “sot për nesër” në mëshirën e “ZELENASHËVE”  oligarkistë dhe të korruptuar të derisotëm. 

– Kuptoni se, mbijetsa me mëditje,  me fajde dhe me fajdegjinjë shfrytëzues, është skllavëri, robëri dhe tirani e egër antinjerëzore, antiligjore dhe antihumane. 

Prandaj, kujdes, të mos i votoni “zelenashët’ e derisotëm, të cilët qe më se 2o vjet  ua kanë hangër votën tuaj të lirë dhe demokratike, ua kanë hangër rininë, ua kanë hequr kafshatën nga goja, duke iu lënë rrugëve si “nomadë” dhe si “apatridë” nëpër vende të ndryshme të botës (pastrues dhe lypësarë të përjetshëm), duke  ua siguruar statusin e pandyrshuar të lypësit dhe të varfanjakut prototip të  “ Les  Misérables” të Viktor Ygosë.

-Votoni   kryeliderët Albin Kurti dhe Avni Klinaku dhe përfaqësuesit e tjerë të këtyre 2 lëvizjeve kombëtare patriotike dhe demokratike shqiptare

Kjo  është alternativa e vetme racionale dhe shpëtimtare e çdo qytetari të Kosovës, që me votën e tij të arsyeshme, hedhur këtyre 2 kryeliderëve dhe përfaqësuesve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lëvizjes për Bashkim, që realisht, do të  mund ta ndryshonte në themel gjendjen e tanishme të rëndë sociale, ekzistenciale, ekonomike, shpirtërore, materiale dhe të mirëqenies etj.

Prandaj, qytetarët me të drejtë vote kanë vetëm këtë alternativë reale, t’i votojnë  përfaqësuesit e këtyre  2 subjekteve politike, të cilët nuk janë infektuar nga virusi epidemik i korrupsionit, i hajnisë, i plaçkës, i krimit të organizuar, i nepotizmit dhe i despotizmit oligarkist dhe provincialist. 

 -Albin, në koalicion vetëm me Lëvizjen për Bashkim

– Jo në koalicion me ata, që Kosovën e kanë sjellë  buzë gremine, sepse ata, do ta “lëshonin mjekrrën” shumë keq, mbase  tanimë qe 20 vjet janë mësuar ta shfrytëzojnë popullin dhe Kosovën, nuk mund të jetojnë pa korrupsion dhe pa paushtet absolut të llojit petty despotism etj.

Duke qenë se partitë e tjera politike kanë filluar me formimin e koalicioneve parazgjedhore,  atëherë Lëvizja Vetëvendosje  ka vetëm një partner të natyrshëm dhe të besueshëm, kjo është vetëm Lëvizja për Bashkim e themeluesit, përkatësisht e kryeliderit të saj historik, Avni Klinaku. –Asnjë parti tjetër, sepse do të ishte vetëm dështim dhe kompremetim i Lëvizjes Vetëvendosje. 

Pas dorëheqjes së kryeministrit Rasmush Haradinaj (17 korrik 2019) në skenën politike në Kosovë, kanë filluar “pazaret” për formimin e koalicioneve parazgjedhore të subjekteve politike se kush me kë, do të garojë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje të “nxehtë”, kohëve të fundit po zhvillohen edhe takime mes  liderëve të partive politike, që të formojnë aleancat e tyre të përbashkëta, në mënyrë që të sigurojnë më shumë vota për të hyrë në parlamenin e Kosovës. 

Nuk ka dilemë se, formimi i koalicioneve të tilla, është i ligjshëm dhe demokratik në një sistem parlamentar demokratik siç është shteti i pavarur i Kosovës.

Mirëpo, për votuesit  nuk do të duhej të ishte fare e vështirë, të përcaktohen se cilit subjekt politik do t’ia hedhin votën e tyre, duke qenë se gjatë 20 viteve të shkuara, të gjitha votat e tyre nuk janë arsyetuar nga “vjelësit” e partive politike, përfaqësuesit e të cilave për 2 dekada rresht asnjëherë nuk kanë qenë në gjendje t’i përmbushin premtimet ndaj qytetarëve dhe të justifikojnë votëbesimin e tyre.

Kjo është arsyeja kryesore, pse qytetarët e Kosovës (edhe pas 20 vitesh në liri) po ballafaqohen me varfërinë ekstreme mbi 50 për qind dhe me papunësinë mbi 40 për qind, me ekzodin sistematik të institucionalizuar, me korrupsionin, me krimin e organizuar, me plaçkën dhe me shfrytëzimin e egër të njeriut prej njeriut si shkak dhe pasojë e keqmenxhimit të pushtetit shtetëror nga liderët e dobët dhe të korruptuar politikë, të cilët në vend të zbatimit dhe të respektimit të ligjit, të kushtetutës dhe të demokracisë, që garantojnë funksionimin e drejtë të institucioneve dhe të organeve shtetërore në  krijimin e kushteve dhe të klimës së drejtësisë, të barazisë, të solidaritetit, të sigurisë dhe të realizimit të së  drejtave dhe lirive elementare të çdo qytetari për të jetuar i lirë dhe në mirëqenie të plotë, duke pasur bukë, strehë, punë, përkujdesje mjekësore dhe shëndetësore, edukim dhe arsim të plotë (parashkollor, fillor, të mesëm dhe universitar) pa “haraç” , zhvillim dhe përparim ekonomik, kulturor, sportiv etj., ‘ZELENASHËT” – PETTY DESPOTS zgjodhën dhe praktikuan  despotizmin, nepotizmin, kurrupsionin, krimin, plaçkën, burokracinë dhe tjetërsimin e gjithë pasurisë së  Kosovës, gjë që kjo çoi në mjerimin  social dhe ekzistencial të shumicës dërrmuese të popullit, i cili sot, kinse në liri, është ndër popujt më të varfër dhe më të pazhvilluar në Evropë.

Për të dalë nga kjo gjendje e mjeruar ekonomike, sociale, shpirtërore dhe materiale ekzistenciale, tani, në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare të Kosovës(që do të mbahen në shtator a në tetor), qytetarët me të drejtë votimi kanë vetëm këtë alternativë reale, t’i votojnë ata përfaqësues të subjekteve politike, të cilët nuk janë infektuar nga virusi epidemik i korrupsionit, i hajnisë, i plaçkës, i krimit të organizuar, i nepotizmit dhe i despotizmit oligarkist dhe provincialist.

Duke qenë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja për Bashkim ende nuk janë të prekura nga epidemia virusoide e petty despotism, nga korrupsionii, nga krimi, nga plaçka dhe nga shfrytëzimi i popullit sikurse që janë infektuar qe më se 20 vjet disa parti politike në Kosovë, në asnjë mënyrë nuk parapëlqehet që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja për Bashkim të bëjnë koalicion me ndonjë  parti tjetër politike, të cilat qe 20 vjet e kanë shkretuar Kosovën, duke e plaçkitur dhe vjedhur pasurinë e saj, duke u thirrur në emër të privatizimit të pronës publike.

Pra, potezi më i qëlluar, më i drejtë dhe më racional politik, kombëtar, demokratik e shtetëror, do të ishte formimi i KOALICIONIT  të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lëvizjes për Bashkim.

Ndyrshe, nëse   Lëvizja Vetëvendosje dhe  Lëvizja për Bashkim pranojnë të hyjnë në koalicion me LDK-në, ose me PDK-në etj…, do të jenë humbësit më të mëdhenj në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare në Kosovë.

Që të mos ndodh një “fiasco” e tillë  e kredibiliteti politik, është e domosdoshme që Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit të hyjë në koalicion të natyrshëm dhe të pranueshëm me Lëvizjen për Bashkim të demokratit Avni Klinaku.  Vetëm fitorja e këtyre dy lëvizjeve politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do të mund  t’i  linte  në opozitë LDK-në dhe PDK-në, të cilat janë fjatorët kryesorë për gjendjen e përgjithshme politike, juridike, ekonomike, sociale, zhvillimore  dhe të mirëqenies në Kosovës, si shkak dhe pasojë e kapjes së pushtetit dhe e korruptimit të tyre në të gjitha sferat e jetës institucionale shtetërore dhe shoqërore.

Nëse këto dy lëvizje hyjnë në kolicion të përbashkët parazgjedhor, sigurisht se, do të fitonin numrin më të madh të votave në krahasim me partitë e tjera politike, të cilat, edhe nëse do të fitonin  në saje të koalicioneve të tyre,  shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës, sërish do ngelinin  “me gishta në gojë”, sepse prapë, do të fitonte politika korrupsioniste, shfrytëzuese, krimi i organizuar,  padrejtësia, pabarazia, nepotizmi dhe despotizmi absolute.

Për ta shmangur një rrezik të tillë, të gjithë qytetarët  e Kosovës (jo vetëm shqiptarët), duhet  të votojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lëvizjen për Bashkim, pavarësisht  se si këto dy lëvizje, do të hyjnë zgjdhjet parlamentare, në koalicion të përbashkët apo veç e veç.

Pra, nëse shumica dërrmuese e qytetarëve të varfër dhe të papunë të Kosovës dëshirojnë që sine qua non të ndryshojnë gjendjen ekzistuese të mjeriueshme politike, juridike, ekonomike, materiale, sociale dhe të mirëqenies, domosdo nevojitet që ta votojnë LËVIZJEN VETËVENDOSJE DHE LËVIZJEN PËR BASHKIM, sepse ky është shansi historik, që të gjithë qytetarët e Kosovës, ta merrnin në dorë fatin evet, duke i votuar ata përfaqësues të tyre, të cilët me çdo kusht do ta luftonin korrupsionin, nepotizmin, krimin e organizuar dhe  shthurjen e së drejtës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. Dr. Mehdi Hyseni- Votoni dy Levizjet

KOSOVA NË ZGJEDHJE, VETËSHPËRNDAHET KUVENDI

August 22, 2019 by dgreca

-PRITET DEKRETIMI I ZGJEDHJEVE NË KOSOVË/

-Kosova drejt zgjedhjeve, Kuvendi 120 anëtarësh votoi vetëshpërndarjen me 89 deputetë pro. Presidenti i Republikës pritet të caktojë datën e  zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sipas Kushtetutës së Kosovës duhet të mbahen brenda 45 ditëve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Gusht 2019/ Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh pak më parë votoi vetëshpërndarjen me 89 vota pro dhe sot a nesër Presidenti i Republikës pritet të caktojë datën e  zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sipas Kushtetutës duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Pritet që 6 tetori 2019 të jetëdata e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, sipas burimeve të shtypit të sotëm të Prishtinës. Në momentin e votimit për vetëshpërndarje në sallën e Kuvendit të Kosovës ishin 106 deputetë.

“Shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë (6) të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ishte në axhendën e seancës, ku fillimisht u ratifikua me 103 vota pro Marrëveshja Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Para seancës së sotme, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka pritur dje në takim kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, ku  është biseduar për përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve, pas paralajmërimit te partive politike parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Duhet të bëhen të gjitha përgatitjet teknike, profesionale si dhe të sigurohen mjetet buxhetore, për të organizuar një proces zgjedhor, i cili përmbush kriteret më të larta demokratike”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Në takim u bë e ditur se në KQZ tashmë kanë filluar të bëhen përgatitjet teknike për organizimin e zgjedhjeve demokratike në Kosovë, pas shpërndarjes së Kuvendit dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit.

Kosova shkon në zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme, pasi në 19 korrik 2019, kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e 111-të të qeverisë që nga zgjedhja e tij, njoftoi vendimin për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, për intervistimin  që u zhvillua në 24 korrik.

Kuvendi i Kosovës që sapo u vetëshpërnda kishte këtë përbërje të grupeve parlamentare: Lidhja Demokratike e Kosovës 25 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 23, Lëvizje Vetëvendosje 19, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 12, Partia Social Demokrate 12, Lista Serbe 10, Nisma Socialdemokrate 8 dhe Grupi 6+ (i komuniteteve pakicë) 6. Ndërsa, pa grup parlamentar janë 5 deputetë.

Në mbledhjen e paralajmëruar për 26 korrik 2019 qeveria e Kosovës në detyrë nuk ka proceduar me rendin e ditës, por vetëm ka diskutuar për ligjshmërinë e proceduarve të takimeve dhe vendimmarrjes së qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit e më pas nuk është mbajtur asnjë mbledhje tjetër.

Qeveria  e Kosovës e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën para më pak se dy viteve – në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.Me kryeminitër Haradinajn, Qeveria e Kosovës në bilancin e punës së saj ka edhe dy mbledhje të përbashkëta me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë – në 27 nëntor 2017 në Korçë, e cila ishte e katërta,  dhe në 26 nëntor 2018 në Pejë, e cila ishte e pesta. Këto dy mbledhje të qeverive Shqipëri-Kosovë pasonin të parën historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytën në Tiranë në 23 mars 2015 dhe  të tretën në 3 qershor 2016 në Prishtinë.

***

SË SHPEJTI DEKRETIMI I ZGJEDHJEVE NË KOSOVË

-Deklaratë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi/

PRISHTINË, 19 Gusht 2019- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Nga Presidenca sot na u dërgua kjo Deklaratë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:

Shpërndarja e sotme e Parlamentit të Republikës së Kosovës, përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re.

Tani është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri.

Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.

Këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore.

Pavarësisht shpërndarjes së Parlamentit, Republika e Kosovës vazhdon t’i ketë institucionet funksionale dhe te qëndrueshme, duke garantuar vazhdimin e punës së institucioneve në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Vetshperndahet Kuvendi-Kosova ne zgjedhje

Shqiptarë ne shqiptarë ata

August 22, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Si është e mundur që Kosova shkon në zgjedhje të reja, kurse shteti amë thellë e më thellë në kriza të tjera? Çfarë ka ndryshe mes mentalitet politik shqiptar në shtetin amë dhe në shtetin e dytë apo atë më të riun për shqiptarët? Çfarë ka brenda gatitjes intelektuale midis shtetarëve këtej dhe andej kufirit, një vije të cilën na i vazhdën të tjerët, por që ne po e ngjyejmë akoma më shumë me ca trarë a sportele të çuditshme? Shqiptarë ne shqiptarë ata? Shkurt dhe thjesht, pas dorëheqjes së kryeministrit Kuvendi i Kosovës sapo u shpërnda dhe vendi do shkojë në zgjedhje të parakohëshme. Kjo për faktin se numri një i qeverisë u thirr nga gjykata e Hagës. Dorëheqja në këtë rast nuk ishte domosdo akt i detyrueshëm për vendin, por sfidë normale aq e domosdoshme për shëndetin e demokracisë. Për më tepër që Kosova nuk ishte në krizë ekonomike, kësisoj qeveria qe në rregull. Nuk ishte dhe është në krizë politike me skandale përgjimesh për vjedhje elektorale, përfshirje personash publik në afera fondesh a bashkëpunime me kartelin dhe trafikun e drogës. Nuk ishte në krizë për shkak të djegies publike të mandateve në një masë 99% nga opozita. Nuk ishte dhe nuk është në krizë institucionale qeveri, president, institucione  deri komisionerësh. E vetmja sfidë e saj qe ajo e vendosjes së një takse maksimale karshi Serbisë, e cila nuk u hoq pavarësisht trysnisë nga jashtë përfshi këtu edhe qeverinë shqiptare apo qeverinë e shtetit amë, por që nuk solli debat publik. Nuk ishte dhe nuk është as në krizë sociale. Eshtë në unison si shoqëri, nuk është e ndarë sa të ketë luksin të debatoj një tentativë për rrahje publike midis një pronari lokali dhe një pushuesi të huaj, duke harruar 100% një fatalitet publik nga ca skela me kate ku humbën jetën disa qytetarë bash në kryeqytetin e vendit etj. Në Shqipëri debatohet për nervat e Mihalit dhe pushuesin e huaj, për fadromat që prishin me zell propogande, kur duan dhe çfarë të duan, ashtu gjoja pa e kuptuar asnjëherë se njëshat po bëjnë spastrime nga armiqtë e klasës. Dhe çfarë nuk diskutohet në Shqipëri dhe për çfarë nuk luftohet deri tek aforizma a fluturon apo jo pata e pjekur? Në Shqipëri shteti është bërë kërrmë megjithatë zgjedhjet nuk çohen nëpër mend. Demokracia kryekërrmë, por dorëheqje a zgjedhje të reja nuk ka. Çfarë na dallon pra? Çfarë na ndanë? Kam përshtypjen ndonjëherë se edukata shtetarë vjen edhe nga koha. Dhe sipas gjasave koha jonë, koha e një shteti të rrudhur në diktaturë paska qënë më e qelbur se ajo e shqiptarëve nën diktatin e të huajve. Si me thënë se shqiptarët në Kosovën e uzurpuar nga Serbia kanë mësuar diçka nga bërja e shtetit. Kurse shqpitarët e uzurpuar nga komunistët, nga shqiptari për shqiptarin, kanë mësuar dhe janë bërë rob të një strategjie të vetme, se si të shqyejnë njëri-tjetrin.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Shqiptarë ne shqiptarë ata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT