• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2019

A do të jetë 13 Tetori, “vetëvrasja virtuale” alla Alende e Metës

September 6, 2019 by dgreca

Nga Rafael Floqi /

Nyje gordiane mbetet ende Gjykata Kushtetuese. As Parlamenti s’ka fuqi ta kapërcejë, as Venecia ta vulosë, dhe as Rama nuk është Demokleu.

Sfida e Korabit

Një javë më parë Ilir Meta i bëri një sfidë figurative kundërshtarëve të tij, duke u ngjitur në majën më të lartë të maleve shqiptare, mbi Korab.” Ngjitja ishte sfidë jo e lehtë, por bukuritë dhe monumentet e rralla natyrore të këtij mali madhështor, të frymëzojnë dhe të japin energji të reja për të kaluar me sukses çdo pengesë!, shkroi Meta në Twitter “Dhe kjo dukej si një mesazh i koduar dërguar, Edi Ramës, kështu e artikuloi edhe shtypi, apo si të ishte karshillëk i bërë nga Meta po me stilin e Ramës, por drejtuar me kod po Ramës.

 E kjo aventurë u bë pak ditë para se në Shqipëri, Komisioni hetimor parlamentar i ngritur për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, vendosi se mund ta thërrasë këtë të fundit në seancë dëgjimore që javën e ardhshme. Partia Socialiste nisi procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, teksa ky i fundit nuk njohu zgjedhjet e 30-qershorit, në të cilat maxhoranca garoi e vetme duke marrë pothuajse të gjitha bashkitë. Komisioni sqaroi gjithashtu gjatë mbledhjes së tij ditën e martë, se për nxjerrjen e raportit të tij përfundimtar do të presë opinionin e Komisionit të Venecias. Presidenti Ilir Meta reagoi, duke folur për një propagandë të nxitur ndaj tij, me synim largimin e vëmendjes nga zgjidhja e krizës politike. 

Pra nëse komisioni nuk mund të nxjerrë konkluzion pa Komisionin e Venecias, kjo tregon se Meta nuk të akuzohet shkoqur për shkelje kushtetute, atëherë përse shërbejnë hetimet e tij? Nuk mund të dënosh dikë kur në kohën, kur është kryer “shkelja”, nuk kishte ligj. Këtë e di dhe Rama dhe PS-ja ndaj nisma për shkarkim duke më shumë si flakë e luftës politike.

Skenar për destabilizimin e Shqipërisë ?

Për t’i fryrë zjarrit Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh dhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, ka bërë një deklaratë “të fortë” në lidhje me vendimet dhe dekretet e ndërmarra nga Presidenti Ilir Meta. Ajo e ftuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, u shpreh se “Meta e ka shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët dhe se ka qenë pjesë e një skenari për destabilizimin e Shqipërisë”.

Por ajo nuk ishte në gjendje të thoshte se ku Meta e kish shkelur kushtetutën. 

Duke e parë nga pikëpamja e interesit elektoral, harakiri i opozitës, ndihmoi forcimin e pushtetit mono partiak të Qeverisë. Por a thua se ishte vendimi i 13 Tetorit, “vetëvrasja virtuale e paralajmëruar” alla Alende e Metës? Mendoj se jo.

Rama thotë se di të luajë shah, por a ishte blofi i pokerit të Metës më i thellë se kaq. Kjo mbetet për t’u parë. Si nyje gordiane mbetet ende Gjykata Kushtetuese. As Parlamenti s’ka fuqi ta kapërcejë, as Venecia ta vulosë, dhe as Rama nuk është Demokleu. Zgjatja e krijimit të saj nuk ka pasur vetëm arsye burokratike, por edhe motive politike nga ana e Qeverisë. Zgjedhja e saj sa mund ta ndihmojë, aq dhe mund ta rrezikojë Ramën. P.sh këto ligjet e PPP-ve mund t’i kishte hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese dhe pa të drejtë apelimi. Pasi vërtet mungesa e saj ka krijuar një sistem drejtësie të paplotësuar me mungesa pa “check and balances” që lejon edhe kalimin e ligjeve të PPP-së të makutërisë të qeverisë të kritikuar aq shume dhe nga FMN-ja.

Presidenti i vendit Ilir Meta, në një intervistë për median italiane “il giornale.it” ka deklaruar se zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin legjitime “Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet në 13 tetor, një datë jo rastësore, sepse procesi i pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian diskutohet më 18 tetor, një përplasje mes dy forcave do të kishte qenë e pashmangshme fraksionet politike. Ndërsa unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e kryeministrit ishte që ai nuk e kuptonte që zgjedhjet e mbajtura në këtë mënyrë ishin problem për negociatat. Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të sfidojë dekretin e Presidentit, për të ardhur keq që veprimtaria e tij të pezullohet nga vullneti i Ramës, për të kuptuar parregullsinë”, shprehet ai.

Zëdhënësja e qeverisë nuk elaboroi më tej mbi akuzën “pjesë e një skenari për të destabilizuar Shqipërinë”, por nëse akuza pre shkeljen e Kushtetutës për datën e zgjedhjeve ha arsyetime e justifikime politike, juridike, kushtetuese dhe kohore, akuza për skenar për të destabilizuar Shqipërinë, duhet sqaruar e elaboruar. Nuk mund të rrijë në ajër, ashtu si Meta në majë të Korabit, dhe as të hetohet nga një deputet i përlyer në mashtrime elektorale si Ulsi Manja.

Vjedhësi i zgjedhjeve, gjykatës i zgjedhjeve

Komisioni hetimor parlamentar i cili do të vlerësojë ligjshmërinë e akteve të presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit miratoi të martën planin e tij të veprimit. Pika e parë është përcaktuar seanca dëgjimore me kreun e Shtetit. “Data më e shpejtë mund të jetë fillimi i javës së ardhshme, por datën dhe orën do ta caktojmë në bashkëpunim me nënkryetarin”, deklaroi drejtuesi i Komisionit, socialisti Ulsi Manja. Por a do të paraqitet Meta në komision edhe kjo është e panjohur? Meta thotë se do të shkojë me dëshirë dhe mund të jetë kështu. 

Pasi nuk ka proces “empeachment “ në kushtetutën shqiptare. Nëse Presidenti ka vepruar brenda kompetencave të tij, apo nëse ka vepruar me ndërgjegje, në emër të paqes sociale, apo në emër të çdo alibie, që ai mund të nxjerrë. Çdo hetim do të duhet të nxirrte në pah motivin. Akuzat pa motiv si ajo e Spiropalit lenë shteg për interpretim dhe propagandë, në mos për shpifje.

Komisioni ka marrë në ndërkohë përgjigjet e disa institucioneve të cilave ai është drejtuar, por duket se vendimtar do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias. Një delegacion i tij ka paralajmëruar një vizitë javën e ardhshme në Tiranë. “Opinioni i Komisionit të Venecias, do të duhet të pritet nga Komision i Posaçëm hetimor, për të arritur në një përfundim lidhur me objektin e hetimit”, shpjegoi zoti Manja. Komisioni ka afat deri më 8 tetor, por nëse opinioni i Venecias do të publikohet përtej kësaj date, atëherë pritet të kërkohet shtyrja e afatit.

Vendimi i Venecias do mbetet në lagunë

Por c ‘rëndësi ka se çdo të thotë Komisioni i Venecias. Gjuha e tij do të jetë e tillë “Komisioni i Venecias vlerëson se “duke pasur parasysh dispozitat ekzistuese kushtetuese, legjislacionin përkatës dhe mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, Komisioni i Venecias beson se vlera e amendamenteve të propozuara është e diskutueshme”. Komisioni i Venecias jep opinion për një paqartësi ligjore. Opinioni i tij ka vlerë vetëm konsultative. Çfarë do të jetë opinioni i Venecias , do t’i shërbejë më shumë fryrjes se propagandës partiake sesa shkarkimit të Metës. Dhe Venecia do të thotë në thelb atë që tha Departamenti i Shtetit që fjalën e fundit e ka Kushtetuesja.

Nga pikëpamja morale, fakti që ky komision drejtohet nga Ulsi Manja, i dalë me zë dhe figurë për manipulimet me zgjedhjet në Dibër, e bën atë person të papërshtatshëm, për të drejtuar këtë si çështje në këtë komision. Nga ana tjetër, opozita parlamentare me gjithë dëshirën e av. Ngjelës, vështirë “të jetë në gjendje që në Parlamentin shqiptar të ngrihet në rangun e një opozite të theksit kombëtar e perëndimor” Është naive të besosh që vetëm” me forcën e kësaj opozite të re parlamentare dhe me forcën e politikës amerikane, maxhorancën aktuale nuk do të këtë mundësi që të lëvizë drejt bllokimit të Reformës, ndonëse mendohet se do të jetë e nxitur kundër reformës nga liderët e saj që i kap antikorrupsioni ”. 

Ndërsa Komisioni parlamentar po zhvillonte seancën e tij, presidenti Ilir Meta reagoi përmes një statusi në Facebook. Sipas tij “propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit, që është kusht për çeljen e negociatave në 18 tetor nga Bashkimi Europian për vendin tonë. Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore, nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj”, shkruajti zoti Meta, duke e mbështetur kështu me qëndrimin e tij në shqetësimet e ngritura për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ky është një farë presioni, por nuk besoj është motivi. 

Dhe i vetëm gati për zgjedhje 

Nga ana tjetër, duket se vetëm Meta, do të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit dhe zgjedhjet e dekretuara nga ai vështirë të ndodhin, kur edhe PD duket se është tërhequr tani nga ajo datë. Largimi i opozitës kështu nga parulla “Rama ik” mund të jetë taktikë e saj, pasi as Rama nuk iku dhe as opozita nuk u bë më e fortë, por kjo kthesë mund të jetë më shumë rezultat i një presioni ndërkombëtar, apo i një kompromisi të fshehur.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, deklaroi se data “13” është praktikisht e hedhur poshtë, dhe se Shqipëria do të shkojë në zgjedhje brenda pranverës të vitit të ardhshëm, bashkë me Edi Ramën. Ne po përgatitemi, besoj se do shkojmë në zgjedhje. Për pak kohë do na duhet të shkojmë në zgjedhje. 13 tetori është i rënë. Deri në pranverë, do shkojmë në zgjedhje bashkë me Ramën.13 tetori ishte një datë prefekte edhe për vetë Ramën, që di të kishte mundësi të zgjidhte kandidatë, por ai prapë procesin e shkatërroi”.

“I vetmi që propozon datën është Presidenti dhe nëse Presidenti e ka gabim, këtë datë e hedh poshtë vetëm Gjykata Kushtetuese”, tha Paloka. 

Ky ndryshim i kursit te PD-se në mos është edhe një marrëveshje e fshehtë me PS-ne, e lë Metën vetëm përballë Ramës. Por gjithashtu reagimi i fundit i Presidentit duket se kishte të bënte gjithashtu dhe me faktin se po dje Komisionet e përhershme parlamentare rrëzuan një sërë dekretesh të firmosura prej tij në fund të muajit korrik, përmes së cilave ai i ktheu pas Parlamentit disa projektligje, që nga kontratat koncesionare për ndërtimin e dy akseve rrugore, të ndryshimet në ligjin për Koncesionet, ato në Kodin Penal apo dhe ligjin për Privatizimet si dhe një tjetër për Akademinë e Shkencave. 

Të çmendurit, për t’i shpëtuar shiut, futen në pellg

I menjëhershëm ishte reagimi i Tedi Blushit, Këshilltar për Mediat dhe Zëdhënës i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një mesazhi publik në Facebook, reagoi pas mbledhjes së Komisionit Hetimor Parlamentar, “Të çmendurit, për t’i shpëtuar shiut, futen në pellg. Njësoj si e çmendura E., e cila u zhyt edhe sot në llumin e shpifjes, për t’i shpëtuar shiut të së vërtetës, duke lëshuar tymuesen e radhës, me shpresën se do largohet sadopak vëmendja nga keqpërdorimi i Kuvendit për mbulimin e PPP-ve të paligjshme që u miratuan, duke përmendur me shembuj abuzimet në tenderë. 

Presion i pasosur ndaj PPP-ve

Në fakt, Meta e dinte se nuk i rrëzonte dot këto dekrete, kur qeveria Rama ka maxhorancën absolute, ato më tepër i shërbyen atij për dy qëllime: për të demaskuar politikat korruptive të shumta të qeverisë për t’i dhënë një mbrojtje procesi të paligjshëm të PPP-ve. Ku për të shmangur çdo përgjegjësi nesër, qeveria ka miratuar një rregull të ri, për t’ia kaluar përgjegjësinë Kuvendit, me qëllim administrimin e gjithë procesit të zhvilluar në paligjshmëri të plotë dhe së dyti, për ta paraqitur Presidentin Meta, supra partes, në kushtet e mungesës së oponencës parlamentare dhe Gjykatës Kushtetuese, si mbrojtës i vetëm ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.  Sado sinqerisht, apo për luftë politike, apo thjesht për të shlyer haraçin e një videoje të vjetër në opinion Presidenti me kthimet e këtyre ligjeve ka vepruar drejt dhe, pavarësisht motiveve politike, apo personale ai duhet mbështetur. Për të mos qenë i vetëm përsëri në majë të Korabit, pasi siç duket, se ka zgjedhur më mirë të mbetet fillikat, sesa të ndajë pushtetin me një autokrat si Rama. Siç shihen premisa akuzave të Rilindjes “Meta ik”, Presidenti ka të ngjarë t’i përgjigjet si Rama : “Do të iki kur të dua vetë” dhe nëse e ka me gjithë mend apo blof, shpejt do shihet, pasi Meta ka treguar se i di mirë punët e veta. 

Filed Under: Politike Tagged With: Rafael Floqi-Presidenti Meta-Alende

Shën Nëna jonë Tereze – Nëna e Paqes

September 5, 2019 by dgreca

Sivjet, në 40 – vjetorin e Shpërblimit Nobel për Paqe të Nënës Tereze, në festën e saj, do ta shqyrtojmë, vlerësojmë, mundësisht edhe imitojmë atë në këto këndvështrime: paqja me Zotin, me të tjerët dhe me vetveten, si burim dhe fryt jete dhe dashuri, sipas shembullit dhe dëshmisë së saj ndër ne dhe në botë.

Nga Don Lush Gjergji/

NËNA E JETËS

Nëna Tereze e ka çmuar, nderuar, dashur dhe përkrahur jetën e njeriut në çdo kënd dhe vend të botës,  prej ngjizjes deri te ofshama e fundit para kalimit në amshim, duke e mbrojtur nga kërcënimet dhe rrezikimet e ndryshme, me parimin e njohur të saj: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”. 

Rreziku i parë i jetës është mospranimi dhe shkatërrimi i jetës së fëmijëve ende të palindur, aborti apo dështimi. Tradita jonë e mirë shqiptare mbështetet në pranimin e jetës dhe të familjes, në kujdes për fëmijë dhe për pleq. “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë” dhe “Mjerë ajo shtëpi që nuk ka pleq dhe fëmijë”.

Këtë parim ungjillor dhe  fryt të traditës sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, Nëna Tereze e ka shpallur dhe mbrojtur vendosmërisht  nga “Katedra e Paqes” në ditën e marrjes së Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979). Ajo  para gjithë botës,me guxim, bindje, përkushtim dhe dashuri kathënë kështu: “Shkatërruesi më i madh i paqes sot është vaji i fëmijëve të pafajshëm të palindur. Sepse, nëse një nënë mund ta vras fëmijën në kraharorin e saj, çfarë na ndal ty dhe mua që të vrasim njëri-tjetrin? … Për mua kombet që kanë legalizuar abortin, janë kombet më të varfra. Ata kanë frikë nga një fëmijë, ata janë të frikësuat nga fëmijët e palindur dhe ata duhet të vriten, sepse ata nuk donë ta ushqejnë një fëmijë më shumë, ta edukojnë një fëmijë më shumë, dhe fëmija duhet të vdes… Aborti është fillimi i të gjitha të ligave në botë”.

Kështu Shenjtëresha jonë ka dëshmuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, si përgjigje më të mirë ndaj frikës së jetës së re, fëmijës,  dhe braktisjes së të moshuarve, duke i “varrosur” ata për së gjalli, edhe para vdekjes. Kjo dukuri është vetëshkatërrimi i të ashtuquajturës  botës së të pasurve material, pra, kultura e vdekjes,  varfëria  dhe të mjerimi  shpirtëror i botës së sotme.

Jeta është e rrezikuar edhe nga varfëria, sëmundjet, mungesa e shkollimit dhe kulturës, mospërfilljeve, sidomos sot nga egoizmi, materializmi, konsumizmi, hedonizmi dhe ateizmi praktik, që njeriun e trajton më shumë si gjësend, objekt,vegël pune dhe përfitimi,  se subjekt, person, qenie njerëzore, edhe më pak vëlla apo motër.

Mu për këtë Nëna Tereze ka thënë: “Sëmundja më e rëndë nuk është gërbula apo kanceri, por mungesa e kujdesit dhe dashurisë, vetmia… Nëse vejmë në veprim dashurinë, nëse jetojmë dhe bëjmë çdo gjë për Jezusin, atëherë jeta jonë bëhet shërbim për Zotin dhe për vëllezërit tanë”.

Feja dhe dashuria e frymëzonin dhe aftësonin Nënën Tereze për dashuri flijuese dhe dhuruese, pa asnjë dallim dhe përjashtim, si Nënë universale. “Nuk ka asnjë sëmundje që mund ta shëmtojë njeriun aq,  saqë  unë në të mos ta njoh Njeriun, Vëlla apo Motër, edhe më tepër vetë Jezusin. Unë jam më e lumtura në botë sepse, 24 orë në ditë jetoj me Jezusin dhe për Jezusin… Ai për mua është çdo gjë që unë jam dhe kam. Ai është zemra dhe jeta ime, buka e jetës. Atë unë e shoh, njoh, dua dhe shërbej në çdo njeri, sidomos në të varfër ndër më të varfër, në të gërbulur, në ata që janë në buzë të vdekjes…”

NËNA E DASHURISË

Jeta ka kuptim, shije, bukuri, lumturi vetëm në dashuri. Burimi i jetës dhe dashurisë, për ne të krishterët, në veçanti për Nënën Tereze, është Zoti – Dashuri, që na ndihmon, udhëzon, aftëson për takim, afrim dhe bashkim me Vëllain apo Motrën Njeri.

Sipas Nënës Tereze, feja pa dashuri është si kandili pa vaj, si trupi pa shpirt, si jeta pa frymëmarrje. “Sekreti im është Jezusi, dashuria e tij për ne… Çdo gjë për Jezusin, apo ungjilli në pesë gishta: Ç’do të bëj sot për Zotin?” .

Ajo me dorën dhe zemrën e saj na ka shkruar dhe dhuruar këtë porosi: “Dashnija fillon n’familje  Dhe familja qi lutet bashk, mbetet bashk”.

NËNA E PAQES

Porosia e saj për të gjithë ne është kjo: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim. Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën. Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Në këto tri shtylla mbështet e tërë jeta dhe vepra e Shën Nënës Tereze, edhe më mirë, jeta dhe vepra e Jezu Krishtit nëpërmjet saj, si “ungjilli i pestë”, që aq bindshëm ka dëshmuar në mbarë botën nëpërmjet jetës, dashurisë dhe paqes.

Porositë e Shën Nënës Tereze për paqe mund të përmblidhen në këto qëndrime dhe parime:

“Për ta mbajtur që ndezur një llambë, duhet vazhdimisht të shtojmë vajin”.

“Nëse gjykon dikë, nuk ke kohë për ta dashur”.

“Në këtë botë mund të bëjmë shumë pak. Atëherë të bëjmë  vepra të vogla me dashuri të madhe”.

“Një buzëqeshje e vogël është fillimi i paqes”.

“Mos të përdorim armë për ta fituar luftën. Arma jonë është mirëkuptimi dhe dashuria”.

“Buzëqeshu së paku pesë herë në ditë. Dikush ka nevojë për ty dhe për buzëqeshjen tënde”.

“Nëse nuk e gjejmë paqen, kemi harruar që jemi bijtë e Hyjit, pra, vëllezër apo motra me njëri-tjetrin”.

“Të tjerët dalin nëpër sheshe në manifestime për paqe. Unë lutëm dhe jetoj për Paqe. Paqja ime është Jezusi, Eukaristia”. 

“Dikush më pyeti:  “Çka mund të bëj unë për Paqe? I thashë kështu: “Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”.

“Paqja fillon në mua dhe në ty, në ne. Me Zotin Dashuri dhe Vëllain apo Motrën Njeri, ne jetojmë në paqe dhe jemi bartësit, dëshmitarët e Paqes”.

“Dashuria është përgjigjja e vetme për vetmi”.

“Njerëzia fillon me shenjtëri”.

“Gëzimi është dashuri. Gëzimi është uratë. Gëzimi është fuqi”.

“Sa e dhimbshme është jeta pa Zotin”.

Deri tash ndoshta ne e kemi njohur, nderuar dhe dashur Bijën, Motrën, Nënën, Shenjtëreshën tonë Terezen si emër, si shqiptare, si përfaqësuese të Kishës dhe Popullit tonë shqiptar. Tash, pas shenjtërimit të saj, në praninë e gjakut – reliktit të gjakut këtu në Shenjtërore dhe Katedrale, ajo na thërret, pret dhe frymëzon për jetë me Zotin dhe me të afërmin, për dashuri dhe paqe, që buron nga ndërgjegjja dhe zemra e pastër, me ndihmën e Zotit dhe përkrahjen vëllazërore.

Shën Nëna Tereze, lutu për ne, për Kishën dhe Popullin tonë!/drita.info

Filed Under: Politike Tagged With: Dom Lush Gjergji-Shen Nene Tereza

Festë në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë

September 5, 2019 by dgreca

-Në mesditë u zhvillua Mesha solemne e festës, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, ndërsa në mbrëmjen  e sotme mbahet  Mesha e shenjtë/

-Në Kosovë, Ditët e Shën Nënë Terezës nisën në 26 Gusht 2019 me Akademi për Ditëlindjen e Shenjëtëreshes Shqiptare në 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe që iu dha në vitin 1979/

-Vjosa Osmani nderon Shën Terezën për Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë-

Festë në Katedralen Shën Nënë Tereza në PrishtinëGazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 5 Shtator 2019/ Ditëfesta liturgjike e Shenjtës sonë Shën Nënë Tereza po kremtohet solemnisht në këtë 5 Shtator 2019 në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ku fillimisht ishte pritja e besimtarëve, miqve dhe njerëzve vullnetmirë.

Në Katedrale në mesditë u zhvillua Mesha solemne e festës, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, ndërsa në mbrëmjen  e sotme mbahet  Mesha e shenjtë. 

Në Kosovë aktivitetet e Ditëve të Nënë Terezës, të cilat zgjasin deri në 5 Shtator, kanë nisur në ditëlindjen e saj në 26 Gusht kur Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë organizon Akademi për të shënuar  40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe (1979) të Nënë Terezës.

Pjesë e programit ishte edhe promovimi i librit të Don Lush Gjergjit “E kam në zemër popullin tem Shqiptar. Bisedime me Shën Nënën Tereze”,  botuar nga  nga Shtëpa Botuese “Drita” më  2019. 

Në këto aktivitete u theksua se, “sivjet Ditët e Nënë Terezës, nëntëditëshi përgatitor dhe devocioni ndaj saj, kanë qenë të kremtuara në mënyrë të veçantë duke e kujtuar 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe të Nënë Terezës, e cila e mori në vitin 1979 në Oslo”.

E lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu u bë Motra Tereze e Loretos në vitin 1929; Nënë Tereza – Misionare e Dashurisë ne 1950-tën; Nobelistja e Paqes në 1979-tën, e Lumja Nënë Tereza  në 2003-tën dhe Shën Nënë Tereza  në 2016-tën.

Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja,  Nëna Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 Gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë  u bë para dy viteve – në 5 Shtator 2017, në ditën e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe shqiptarësh-vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet.

Madje, ishte edhe pjesë e celebrimit në meshën solemne të shugurimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, njëherësh  arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.

Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

***

Vjosa Osmani nderon Shën Terezën për Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë

Prishtinë, 5 shtator 2019

Sot, në “Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë”, kandidatja e LDK-së, për kryeministre znj. Vjosa Osmani, nderoi simbolin universal të dashurisë ndaj njerëzimit, humanisten e madhe shqiptare, Agnes Gonxhe Bojaxhiut – Shën Terezën. Nëpërmjet respektit ndaj figurës së saj, znj. Osmani shpreh mirënjohje edhe ndaj të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, të cilët na dhanë shëmbëlltyra se si duhet të kultivohet dashuria ndaj njerëzimit dhe i falën atij shumë dashuri. 

Përkushtimi i saj human, të bashkëjetuarit me më të braktisurit e kësaj bote, të varfrit dhe dhe të sëmurët, e kthyen këtë grua shqiptare në shëmbëlltyrë rrezatuese të njerëzimit. Edhe sot, shëmbëlltyra e saj na shërben për vepra paqeje, dashurie e respekti, si dhe për ta përlindur rolin e gruas shqiptare në familje dhe në shoqëri. Nëpërmjet shembullit të saj, bota i njohu vlerat e shpirtit bujar të shqiptarëve. Miku i madh i popullit tonë, ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, theksonte se “ishte personaliteti i Nënë Terezës ai që e kishte shtyrë ta njihte e ta donte popullin shqiptar”. 

Sot, më shumë se kurrë, populli ynë ka nevojë për ta kultivuar besimin në njëri-tjetrin dhe rikthejë shpresën, besimin dhe vullnetin për të ecur drejt një të ardhmeje më prosperuese.

Filed Under: Opinion Tagged With: Feste-Katedralja-Nene Tereza

MUZAT…

September 5, 2019 by dgreca



Nga Astrit Lulushi/

Mali Olimp, greqisht Olympos, sepse greqishtja moderne gjithashtu e përktheu ˈolimbos’ ose ‘olibos’, është mali më i lartë në Greqi. Ndodhet në vargun Olimp në kufirin midis Thesalisë dhe Maqedonisë, midis njësive rajonale të Pierias dhe Larisës, në jug-perëndim të Selanikut.
Mali Olimp ka mbi 50 maja e gryka të thella. Maja më e lartë është Mytikas, që do të thotë “hundë” (e mprehtë si ose me thikë?), është një nga majat më të larta në Evropë.
Prejardhja e emrit Olumpos është e panjohur dhe zakonisht konsiderohet me origjinë “para-greke”. Në kohët homerike, ky mal jepet i konceptuar si selia e perëndive, Oulumpos (ku ulen perënditë?). Homeri gjithashtu e përdor “oulumpos”, edhe si emër të përgjithshëm (vend ku uleshin për kuvend heronjtë e Trojës?)
Mali Olympus njihej historikisht edhe si Mali Belus, sipas Iliadës, ku selia e perëndive përmendet “Ouranus”, perëndia e Qiellit (pragu qiellor, ku binte ose ku ra qielli?).
Në mitologjinë e lashtë, “Olympus” ishte emri i shtëpisë së Dymbëdhjetë perëndive të botës antike. Në Pieria (peria ose e bukura?), në këmbën veriore të Olimpit, kishin vendin 9 Muzat e Arteve të Bukura. Ato ishin hyjnitë që u jepnin artistëve, filozofëve dhe individëve frymëzimin (mërmërinë?) që u duhej për krijimtari. Të gjithë shkrimtarët e antikitetit u bënin thirrje Muzave në fillim të punës së tyre. Homeri u lutej Muzave si në Iliada ashtu edhe në Odiseu që ta ndihmonin të tregonte në vargje në mënyrën më të duhur të gjitha çfarë kishin ndodhur me heronjtë në Luftën e Trojës dhe pas saj.
Edhe sot Muzat janë simbole të frymëzimit dhe krijimit artistik, dhe i trazojnë mendjet e tyre që nuk dinë seç’ shkruajnë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Muzat

KRYEPESHKOPI NIKON DO TE VARROSET PRANE BASHKESHORTES, NE DETROIT

September 5, 2019 by dgreca

“NE NUK VAJTOJMË, KREMTOJMË JETËN”*

-Nga ceremonia mortore në kishën e Shën Gjergjit në Boston, në nderim të kryepeshkop Nikonit, i cili ndroi jetë të dielën e kaluar-/

  Nga Fuat Memelli/*

Të mërkurën, më 4 shtator, në kishën e Shën Gjergjit në Boston, u zhvillua ceremonia mortore në nderim të Përnderëshmit Nikon, kryepeshkop i Bostonit, New Englandit , njëkohësisht dhe i  ArkDioqezës Shqiptare në Amerikë, i cili ndërroi jetë të dielën që kaloi më 1 shtator. Si rrrallëherë kishin ardhur në kishë për t’i shprehur ngushëllimet vëllait të tij, At Artur Liolinit dhe familjes së tij,  shqiptarë jo vetëm nga Bostoni e qytetet rreth tij, por edhe nga New Yorku, Virginia, Detrioti, San Francisko, etj.

Nuk janë vetëm besimtarë orthodoksë por edhe të besimeve të tjera, pasi në gëzime e hidhërime, shqiptarët janë pranë njëri-tjetrit. Ndër të parët që ngushëlluan At Arturin dhe familjen e tij, ishte një grup i Federatës Pan Shqiptare “Vatra” i përbërë nga nga kryetari i saj , Dritan Mishto si dhe anëtarët e kryesisë Marjan Cubi, Zef Balaj, anetari i Keshillit Idriz Lamaj, vatrani Asllan Bushati dhe editori i Diellit, Dalip Greca.Kryetari i Vatres Dritan Mishto i ka percjelle ngushellimet me te thella te Tij dhe te gjithe vatraneve ne SHBA e Kanada At Arturit. Vatra dhe kisha e Shën Gjergjit,dy qendra të shqiptarizmës në Amerikë, kanë patur lidhje të ngushta  qysh në kohën e Nolit e deri në ditët e sotme. Nga Virginia kishte ardhur tok me bashkëshorten dhe djalin e tij, ish kryetari i Vatrës, Gjon Buçaj.-Kemi udhëtuar rreth 8 orë për t’i shprehur ngushëllimet Artur Liolinit dhe besimtarëve orthodoksë për ndarjen nga jeta të Krypeshkop Nikonit. Të dy vëllezrit na kanë nderuar disa herë duke marë pjesë në veprimtaritë tona, thotë Gjon Buçaj. Ndër shqiptarët e largët të ardhur nga New Yorku, është edhe biznesmeni i njohur Hari Bajraktari, themelues i gazetës “Illyria”. Pranë arkmortit me trupin e të ndjerit, vendosën një kurorë me lule edhe përfaqësuesit e Këshillit Shqiptaro-Amerikan, Haxhi Dauti e Kalosh Sela, përkatësisht kryetar dhe nën kryetar i këtij këshilli. Edhe  z. Mark Kosmo, kryetar i Mass Besa i ka shprehe ngushellimet me te thella At Arturit.

Në emër të kishës  shqiptare Shën Trinia në Boston, ngushëlluan At Arturin përfqaqëuesit e kishës, Gjergji Nini dhe Aleko Dhima.

Megjithëse i zënë në çdo çast me pritjen e njerëzve që vijnë për ngushëllim, mundëm t’i shkëputim disa fjalë Artur Liolinit, për cilësitë që vërente ai te vëllai i tij, i ndjeri Nikon. Dhe ai na tha:” Kishte një përkushtim të veçantë ndaj fesë, me të cilën e lidhi jetën.  Ai i trupëzoi vetitë e lidershipit në këtë fushë. Ishte njeri zemërbardhë dhe nuk kishte kundërshtarë. Shquhej për një humor të veçantë dhe të pa pritur. Shpesh e shprehte humorine tij edhe me një fjalë të vetme. Qëllimi i tij ishte që të shtohet numuri i besimtarëve, pa dallim feje e kulture, pasi të gjithë kemi një Zot.  Peshkop Nikoni është një trashëgimi Noliane. Ai la plot gjurmë të pashlyera. Megjithë dhimbjen që kemi sot, ne nuk vajtojmë, kremtojmë jetën”.  Dhe si për vërtetuar mos vajtimin, ai i kërkon këngëtarit operistik , Bashkim Paçuku që kishte ardhur për ngushëllim, të këndojë një fragment tyë këngëve që interpreton ai. Bashkimi këndoi dhe në fund At Arturi i emocionuar, e përqafoi fort .

Veprimtaria mortore në kishën e Shën Gjergjit, u mbyll me përshpirtjen në nderim të të ndjerit ,nga një grup klerikësh  të kryesuar nga Nathiel, kryepeshkopi i kishës rumune në Detroit, Pasi vlerësoi figurën e të ndjerit, ai theksoi se Kryepeshkop Nikoni, ju ka dashur me gjithë shpirt juve shqiptarët. Ma kishte shprehur edhe mua këtë dashuri. Ai i kishte bërë të vetat mësimet e Jezu Krishtit, mësime të cilat na tregojnë rrugën që duhet të ecim.

Të enjte në mbrëmje do të zhvillohet një ceremoni mortore edhe në kishën Holy Trinity Orthodox Catedral në Boston, ndërsa të premte më 6 shtator, trupi i tij do të përcillet me avion për në Detroit, i shoqëruar nga familjarët dhe peshkop Ilia Ketri. Ai do të varroset aty ku prehet edhe bashkëshortja e tij. Lamtumirë kryepeshkop Nikoni! Të qoftë dheu i lehtë!

Boston , 5 shtator, 2019

*Per me shume foto shihni ne Facebook-dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Kryepeshkopi Nikon-varrimi-Detroit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT