“NE NUK VAJTOJMË, KREMTOJMË JETËN”*
-Nga ceremonia mortore në kishën e Shën Gjergjit në Boston, në nderim të kryepeshkop Nikonit, i cili ndroi jetë të dielën e kaluar-/
Nga Fuat Memelli/*
Të mërkurën, më 4 shtator, në kishën e Shën Gjergjit në Boston, u zhvillua ceremonia mortore në nderim të Përnderëshmit Nikon, kryepeshkop i Bostonit, New Englandit , njëkohësisht dhe i ArkDioqezës Shqiptare në Amerikë, i cili ndërroi jetë të dielën që kaloi më 1 shtator. Si rrrallëherë kishin ardhur në kishë për t’i shprehur ngushëllimet vëllait të tij, At Artur Liolinit dhe familjes së tij, shqiptarë jo vetëm nga Bostoni e qytetet rreth tij, por edhe nga New Yorku, Virginia, Detrioti, San Francisko, etj.
Nuk janë vetëm besimtarë orthodoksë por edhe të besimeve të tjera, pasi në gëzime e hidhërime, shqiptarët janë pranë njëri-tjetrit. Ndër të parët që ngushëlluan At Arturin dhe familjen e tij, ishte një grup i Federatës Pan Shqiptare “Vatra” i përbërë nga nga kryetari i saj , Dritan Mishto si dhe anëtarët e kryesisë Marjan Cubi, Zef Balaj, anetari i Keshillit Idriz Lamaj, vatrani Asllan Bushati dhe editori i Diellit, Dalip Greca.Kryetari i Vatres Dritan Mishto i ka percjelle ngushellimet me te thella te Tij dhe te gjithe vatraneve ne SHBA e Kanada At Arturit. Vatra dhe kisha e Shën Gjergjit,dy qendra të shqiptarizmës në Amerikë, kanë patur lidhje të ngushta qysh në kohën e Nolit e deri në ditët e sotme. Nga Virginia kishte ardhur tok me bashkëshorten dhe djalin e tij, ish kryetari i Vatrës, Gjon Buçaj.-Kemi udhëtuar rreth 8 orë për t’i shprehur ngushëllimet Artur Liolinit dhe besimtarëve orthodoksë për ndarjen nga jeta të Krypeshkop Nikonit. Të dy vëllezrit na kanë nderuar disa herë duke marë pjesë në veprimtaritë tona, thotë Gjon Buçaj. Ndër shqiptarët e largët të ardhur nga New Yorku, është edhe biznesmeni i njohur Hari Bajraktari, themelues i gazetës “Illyria”. Pranë arkmortit me trupin e të ndjerit, vendosën një kurorë me lule edhe përfaqësuesit e Këshillit Shqiptaro-Amerikan, Haxhi Dauti e Kalosh Sela, përkatësisht kryetar dhe nën kryetar i këtij këshilli. Edhe z. Mark Kosmo, kryetar i Mass Besa i ka shprehe ngushellimet me te thella At Arturit.
Në emër të kishës shqiptare Shën Trinia në Boston, ngushëlluan At Arturin përfqaqëuesit e kishës, Gjergji Nini dhe Aleko Dhima.
Megjithëse i zënë në çdo çast me pritjen e njerëzve që vijnë për ngushëllim, mundëm t’i shkëputim disa fjalë Artur Liolinit, për cilësitë që vërente ai te vëllai i tij, i ndjeri Nikon. Dhe ai na tha:” Kishte një përkushtim të veçantë ndaj fesë, me të cilën e lidhi jetën. Ai i trupëzoi vetitë e lidershipit në këtë fushë. Ishte njeri zemërbardhë dhe nuk kishte kundërshtarë. Shquhej për një humor të veçantë dhe të pa pritur. Shpesh e shprehte humorine tij edhe me një fjalë të vetme. Qëllimi i tij ishte që të shtohet numuri i besimtarëve, pa dallim feje e kulture, pasi të gjithë kemi një Zot. Peshkop Nikoni është një trashëgimi Noliane. Ai la plot gjurmë të pashlyera. Megjithë dhimbjen që kemi sot, ne nuk vajtojmë, kremtojmë jetën”. Dhe si për vërtetuar mos vajtimin, ai i kërkon këngëtarit operistik , Bashkim Paçuku që kishte ardhur për ngushëllim, të këndojë një fragment tyë këngëve që interpreton ai. Bashkimi këndoi dhe në fund At Arturi i emocionuar, e përqafoi fort .
Veprimtaria mortore në kishën e Shën Gjergjit, u mbyll me përshpirtjen në nderim të të ndjerit ,nga një grup klerikësh të kryesuar nga Nathiel, kryepeshkopi i kishës rumune në Detroit, Pasi vlerësoi figurën e të ndjerit, ai theksoi se Kryepeshkop Nikoni, ju ka dashur me gjithë shpirt juve shqiptarët. Ma kishte shprehur edhe mua këtë dashuri. Ai i kishte bërë të vetat mësimet e Jezu Krishtit, mësime të cilat na tregojnë rrugën që duhet të ecim.
Të enjte në mbrëmje do të zhvillohet një ceremoni mortore edhe në kishën Holy Trinity Orthodox Catedral në Boston, ndërsa të premte më 6 shtator, trupi i tij do të përcillet me avion për në Detroit, i shoqëruar nga familjarët dhe peshkop Ilia Ketri. Ai do të varroset aty ku prehet edhe bashkëshortja e tij. Lamtumirë kryepeshkop Nikoni! Të qoftë dheu i lehtë!
Boston , 5 shtator, 2019
*Per me shume foto shihni ne Facebook-dielli vatra