• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2019

VIT ZIE PER MEDIAN SHQIPTARE

December 20, 2019 by dgreca

PO MBYLLET NJË VIT I ZI PËR LIRINË E SHPREHJES NË TROJET SHQIPTARE – HIPOKRIZIA E DIASPORËS? /

                                                 Nga Frank Shkreli/

Viti 2019 po përfundon si është më zi për lirinë e fjalës, për lirinë e të shprehurit dhe për lirinë e medies në përgjithësi, anë e mbanë trojeve shqiptare.

Janë tri ngjarje, vetëm të javëve të fundit të këtij viti, që e bëjnë 2019-tën, një vit që nuk u jep nder pushtetarëve shqiptarë në Tiranë as atyre në Prishtinë, për mënyrën se si ata merren me gazetarët dhe me lirinë për të kryer detyrën e tyre në një vend demokratik.  Po ndalem tek këto tri raste të javëve të fundit, pasi janë ende të freskëta në mendjen e njerëzve dhe në media.  Jo se nuk ka pasur shkelje të tjera serioze të fjalës së lirë, me vepra dhe me fjalë – nga pushtetarët më të lartë shqiptarë  gjatë vitit të kaluar dhe gjatë tre dekadave të fundit post-komunizëm, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Më 18 Dhjetor, 2019, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë miratoi me 82 vota pro “paketën antishpifje”, por që do të ishte më korrekt të quhej paketa anti-shprehje, pasi e tillë është.  Kjo paketë kundër lirisë së fjalës në Shqipëri e propozuar nga Kryeministri Rama dhe e miratuar nga shumica e tij socialiste në Kuvend, me të drejtë është kundërshtuar dhe po kundërshtohet nga një mori organizatash kombëtare dhe ndërkombëtare, si një ligj që (nëqoftse dekretohet nga Presidenti Meta ) është në kundërshtim të hapur me Komisionin Europian dhe Zyrën e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës dhe të konventave dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare mbi lirinë e medias dhe mbi të drejtat bazë të njeriut.  Fatbardhësisht, ky akt antilgjot dhe antidemokratik kundër lirisë së fjalës dhe medias në Shqipëri, po kundërshtohet nga organizata mediatike mbrenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që premtojnë se do të vazhdojnë një fushatë të gjërë dhe të gjatë, për përmbysjen e të ashtuquajturës, “paketë anti-shpifje”.  Shumë prej tyre i kanë bërë thirrje Presidentit Ilir Meta që të mos dekrektojë këtë projektligj, ndërsa disa organizata ndërkombëtare, mbështetëse të lirisë në botë, kanë premtuar se do të informojnë qeveritë dhe institucionet përkatëse ndërkombëtare, sidomos ato evropiane, për efektet negative të këtij ligji shqiptar ndaj lirisë së medias, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe për influencat negative që mund të ketë ky ligj në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë.

Rasti i dytë që goditi rëndë lirinë e fjalës në Shqipëri kohët e fundit, ishte largimi nga Shqipëria, për të kërkuar strehim politik në një vend të Evropës, shkrimtari, poeti dhe publicisti, Z. Agron Tufa, ish-Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe të Pasojave të Komunizmit.  Siç dihet, Z. Tufa u detyrua të arratisej nga Shqipëria për të kërkuar azik politik në një vend të Evropës, si pasojë e kërcënimeve serioze ndaj tij dhe familjes, madje edhe nga figura të njohura të politikës shqiptare dhe të jetës publike.  Kërcënime, pra me jetë, për t’i mbyllur një shkrimtari e akademiku – jo nga nodnjë rrugaç, por nga pushtetarë, përfaqësues të institucioneve politike aktuale shqitare!  Unë nuk besoj të ketë shkelje më serioze të lirisë së të shprehurit se kërcënimi me jetë si ai ndaj Z. Tufa për arsye të natyrës së punës akademike ose publicistike të tij.  Mbrojtja e jetës dhe e të drejtave të qytetarëve duhet të jetë obligimi dhe përgjegjësia e parë e qeverisë, përfshir mbrojtjen nga kërcënimet me jetë ndaj shtetasve të vet e sidomos ndaj zyrtarëve të shtetit, siç ishte Z. Tufa.  Por, kur qeveria nuk e bën këtë, si në rastin Tufa, atëherë dikush tjetër duhet të ngrejë zërin.  Fatkeqsisht, ndryshe nga protestat kundër ligjit “anti-shpifës” ose anti-shprehje, që siguruan mbështetje të fortë, mbrenda dhe jashtë vendit, rasti i Z. Agron Tufa nuk tërhoqi vëmendjen që meritonte, madje as nga media shqiptare, as nga ndërkombëtarët dhe as nga diaspora.

Dhe rasti i tretë i sulmeve ndaj lirisë së fjalës dhe lirisë së gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre, na vjen nga Kosova këto ditë të fundit të vitit 2019. Një rast ky sikur Kosova nuk dëshironte të mbetej mbrapa Shqipërisë dhe ta mbyllte këtë vit pa një sulm fatzi kundër lirisë së fjalës edhe atje, pikërisht nga një përfaqsues i politikës aktuale, bile, bile, nga një ministër, i cili sulmoi fjalën e lirë duke ngritur dorën kundër lirisë së fjalës me një sulm fizik ndaj një gazetari.Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me anë të deklarate për publikun tha se, “Dënon ashpër sulmin që i është bërë gazetarit të IndeksOnline, Ensar Ramadanit nga ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala”.  Sipas Indeksonline, thuhet në deklaratën e gazetarëve të Kosovës, “Ministri Shala e ka goditur në fytyrë gazetarin Ramadani, përderisa ky i fundit ishte në kryerje të detyrës”.  Në deklaratë thuhet gjithashtu se Policia e Kosovës po bën hetime rreth këtij rasti dhe shton se AGK, “Dënon këtë sulm dhe çdo sulm tjetër fizik e verbal që bëhet nga politikanët dhe bartësit e institucioneve dhe fton policinë, prokurorinë dhe të gjithë sistemin e drejtësisë, të trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve”.

Megjithëse këto tre raste kanë ndodhur kohët e fundit, ato nuk janë të lidhura me njëra tjetrën, por ama të trija paraqesin një përfytyrim tronditës të mungesës së lirisë së fjalës në Shqipëri dhe në Kosovë ndërsa pasqyrojnë prirjet anti-demokratike të kësaj klase politike shqiptare, e cila po tregon për dekada tani se nuk është mike e lirisë së fjalës as edhe e gazetarisë së pavarur dhe as e demokracisë së vërtetë.  Fatkeqësisht, pushtetarët shqiptarë, të periudhës post komuniste, deri më sot, na kanë mësuar që prej tyre të presim vetëm zhgënjime përsa u përket zhvillimeve demokratike, lirisë së fjalës dhe të gazetarisë në përgjithësi – anë e mbanë trojeve shqiptare.  Natyrisht, se këto mangësi në zhvillimet demokratike kanë rezultuar në ngërçin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kjo situatë nuk më habit aspak, por ajo që më habit dhe më shqetëson është reagimi ose mos reagimi i diasporës shqiptare, sidomos asaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj këtyre dukurive dhe prirjeve anti-demokratike të kësaj klase politike shqiptare 30-vjeçare.  Unë ju garantoj se cilido qoftë prej këtyre tre rasteve të sulmeve dhe shkeljes së lirisë së fjalës të shqiptarëve në trojet tona, po të ishte bërë kundër tyre një gjë e tillë nga Serbia ose ndonjë vend tjetër, diaspora shqiptare në Amerikë, ashtu siç e ka pasë zakon e traditë gjatë 50-viteve të fundit, do të protestonte fuqishëm para Kongresit Amerikan në Washington dhe para Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ose me mënyra të tjera –me letra e memorandume — do të protestonte keqtrajtimin dhe shkeljen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve nga armiqtë e tyre.  Në të vërtetë, kohët e fundit kishim një rast, për të cilin unë vet jam në dijeni, ku një numër organizatash të komunitetit shqiptaro-amerikan protestuan arrestimin dhe largimin nga Mali i Zi i një shqiptari, vetëm e vetëm sepse valviti flamurin shqiptar në një takim folkorik në Krajë, duke dërguar letër protestë Presidentit të Malit të Zi dhe zyrtarëve të lartë në Shtetete Bashkuara.  Si është e mundur atëherë që komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe ai në Evropë, bie në gjumë kur autoritetet shqiptare abuzojnë me të drejtat dhe shkelin liritë themelore të shqiptarëve, siç është liria e shtypit.  Si, dhe pse, keqtrajtimi i shqiptarëve nga pushtetarët shqiptarë nuk na qenka aq i keq sa keqtrajtimi i shqiptarëve, le të themi nga serbët, për të merituar protetsën tonë.  Për cilindo rast që përmenda më lartë, po të ishin ndërmarrë këto masa shtypëse nga autoritetet serbe kundër shqiptarëve, komuniteti shqiptaro-amerikan do të kishte dalë nepër rrugë të Amerikës për të protestuar shkeljen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve nga qeveria serbe.

Fatkeqësisht, për rastet e lartëpërmendura të shkeljes flagrante të të drejtave të shqiptarëve nga autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë — nga komuniteti shqiptaro-amerikan nuk pati pothuaj asnjë reagim, as nga orgnaizata as edhe nga perosnalitete të shquara të komunitetit, lëre më që të presim ndonjë protestë të organizuar prej komunitetit, në mbështetje të lirisë së fjalës dhe të gazetarëve shqiptarë në Atdhe.Tirana dhe Prishtina zyrtare, për fat të keq, e kanë përçarë dhe neutralizuar, politikisht, komunitetin shqiptaro-amerikan, sa që sot komuniteti këtu mund të jetë më i shkatërruar se kurrë. Autoritetet shqiptare janë të interesuara në dollarët dhe eurotë e diasporës shqiptare dhe jo në idetë, liritë dhe vlerat demokratike të perëndimit ku ata jetojnë.

Në fillim të Vitit të Ri, diaspora shqiptare në perëndim, në përgjithësi, dhe komuniteti shqiptaro-amerikan në veçanti, duhet të jenë të vetëdijshëm se, “paketa antishpifje” e anti-shprehjes të qeverisë Rama, e miratuar këto ditë në parlamentin shqiptar, largimi i shkrimtarit dhe publicistit Agron Tufa nga Atdheu nën kërcënim për jetën e tij dhe të familjes nga përfaqsues të politikës aktuale shqiptare, i detyruar të kërkojë azil politik në Evropë, si dhe sulmi fizik I ditëve të fundit kundër gazetarit Ensar Ramadanit nga një ministër në Kosovë –tregojnë se politikanët shqiptarë sot, me mendimet, pikëpamjet dhe prirjet e tyre politike, janë shumë më afër politikave autoritare putiniste dhe erdoganiste se sa vlerave dhe lirive të demokracive perëndimore, ku të gjithë ne kemi gjetur mikpritje dhe strehim.  Si të tillë, nuk na falet që të mbetemi me gojë, me sy dhe me veshë mbyllur ndaj këtyre shkeljeve flagrante të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në përgjithësi dhe lirisë së fjalës dhe të gazetarëve në veçanti, nga vet autoritetet qeveritare në Tiranë dhe në Prishtinë.

Mohimi i lirive themelore të shqiptarëve nga vet pushtetarët shqiptarë, nuk është më pak i rëndësishëm se kur këto liri u mohohen shqiptarëve nga të huajt. Mohuesit e lirive bazë, cilët do qofshin ata, duhet të luftohen kudo dhe kurdoherë.  Nuk duhet të kënaqemi as nuk duhet të pranojmë një demokraci të pjesëshme në trojet tona.  Për ne që jetojmë në liri, demokracia e pjesëshme dhe liritë e kufizuara përfshirë lirinë e fjalës për vëllëzërit dhe motrat tona në Atdhe, duhet të jenë të paranueshme, ashtu siç ishte i papranueshëm komunizmi në Shqipëri dhe pushtimi i Kosovës nga Serbia.  Prandaj, ashtu siç ishte dikurë i angazhuar komuniteti shqiptaro-amerikan për çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe për shembjen e komunizmit në Shqipëri, ashtu duhet të jemi edhe sot të angazhuar dhe jo më pak të organizuar për të kundërshtuar shkeljen e lirive të shqiptarëve nga autoritetet që e kanë obligim dhe përgjegjësi t’i mbrojnë ato të drejta dhe liri universale për të gjithë shqiptarët, pa dallim.

Për fat të keq, standardet e plota demokratike, zbatimi i të drejtave universale dhe lirive bazë të njeriut – përfshir edhe lirinë e medias — mbeten ende objektiva të parealizuara në trojet tona.  Për realizimin e vërtetë të këtyre të drejtave, puna jonë si diasporë dhe si komunitet shqiptaro-amerikan, duhet të vazhdojë si kauzë e gjallë dhe e shenjtë, si një ëndërr që nuk shuhet kurrë deri në realizimin e të drejtave të plota për të gjithë shqiptarët!  Kjo nuk është një ëndërr e pa realizueshme.  Përvoja ndërkombëtare tregon se gjatë historisë, armiqtë e demokracisë dhe sulmuesit e fjalës së lirë, mund të shënojnë ndonjë fitore të përkohëshëme, aty këtu por më në fund ata përfundojnë me faqe të zezë.  Heret ose vonë, në luftën e tyre kundër medias dhe fjalës së lirë, ata do të pësojnë disfatë politike.  Ndërkohë që, përpjekjet e tyre kundër të drejtave themelore të njeriut dhe lirisë së fjalës – përfshir lirinë e medies dhe të gazetarëve do të mbeten një pikë e zezë në historinë e tyre të dështuar, si shqiptarë dhe si politikanë!

Filed Under: Featured Tagged With: Frank Shkreli-Vit Zie -Media Shqiptare

ALBANIAN-AMERICAN STUDENT RECOGNIZED FOR PROPOSING THE KOFI ANNAN AWARD AT SCHOOL

December 19, 2019 by dgreca

The December Issue of the United Nations International School Newsletter recognized its student for suggesting that the school establish an award to honor the UN legacy and UNIS connection of the late Secretary General Kofi Annan. Here is the acknowledgment from the High School Principal.

[This year] as noted in my last newsletter, we are pleased to have the Kofi Annan Alumni Award being offered for the first time and we are currently receiving nominations.[…] our own Rea Kondi (T4) had raised the idea of granting an award in Mr. Annan’s name last year, when she was in T3. We are always proud of students, such as Rea, who show initiative in thinking of ways to embrace UNIS and the UN mission.

Nominations have been rolling in for UNIS alumni who you think deserve the Kofi Annan Award for Global Impact. How will we decide?  We have put together an esteemed Selection Committee, consisting of successful alumni and former faculty who are committed to the betterment of our world. The selection committee will meet two to three times — in person and video-conferenced in, with consideration of global time zones — for 1-2 hour meetings to discuss and select awardee(s).Deadlines for nominations is January 17, 2020.
Last fall shortly after the passing of former Secretary General Kofi Annan, Rea suggested to the school’s administration and the student council to grant an award in his name. She was invited to give her remarks on UN day 2018:

TRIBUTE TO KOFI ANNAN ON UN DAY 2018

I am standing here today to present a tribute to the late UN Secretary General, Kofi Annan who passed away this summer. I would like to thank the student council, the T3 representatives, Ms. Neda and Ms. Bertrand for bringing this tribute to life. While the world community misses Kofi Annan’s wisdom and remembers his leadership, UNIS is the place where his ideals come together every day. The current Secretary General, Antonio Guterres conveyed the qualities of Annan as “an extraordinary leader” and “also a man that everyone in the world, even those living in extreme poverty, conflict and despondency, could see as an ally. Indeed he was relatable and was able to draw connections in order to focus the global conversation on larger issues. Just as an example, Mr. Annan compared the World Cup with the United Nations in terms of country members and working towards… a goal, pun intended! Also, when he received the Nobel Peace Prize jointly with the UN, he courageously reflected on the criticism of his past mistakes and argued for changes to the International Law with regards to preventing future wars. One of his initiatives as the 7th Secretary General from 1997 to 2006 were the Millennium Development Goals, which were eight objectives advocating for the improvement of the lives of people living in developing countries. These were the predecessors of Sustainable Development Goals which we continue to follow today. Mr. Annan has an established connection with UNIS since he served as the Chair of the UNIS Board of Trustees from 1987 to 1995 and made an indelible mark on our school, firmly embedding its mission with the UN ideals. Speaking at the graduation ceremony to the class of 2006, Mr. Annan’s message was. “You must have the courage to believe that what you do really does make a difference. You are not in a “waiting period” — waiting to be leaders, waiting to make a difference. You matter now. You can make a difference now”.
Our message to you, Mr. Annan, is that we are prepared to fulfill your vision!

Filed Under: Featured Tagged With: Rea-Letra- Kofi Annan

RIKTHIM TEK ATJONI DHE KUMTET E TIJ

December 19, 2019 by dgreca

(In Memoriam nw pesëvjetorin e parë të ngjitjes në qiell)/

NGA EUGJEN MERLIKA/

            “Kur fati na ka hequr një shok, nuk ka ilaç më të mirë se sa mundësia për të shijuar kujtesën e tij e për të rizbuluar atë që është thënë mprehtësisht, apo trajtuar urtësisht prej tij.”

                        Niccolò Macchiavelli (1469 – 1527) Shkrimtar politik e mendimtar italian

            Kanë kaluar pesë vjet nga ajo ditë tragjike e 20 dhjetorit 2014, kur lajmi i zi i një aksidenti me motorr u përhap me shpejtësinë e vetëtimës në botën shqiptare, duke lënë në të një dhimbje të thellë. Ajo dhimbje, largimi nga jeta i Atjon V. Zhitit, vazhdon të jetë e gjallë në kujtesën shqiptare, edhe se koha me shpejtësinë marramendëse të fluturimit të saj, mundohet të na verë melhemin e saj në plagët tona.

            Sot, në këtë pesëvjetor të parë, mendimi nuk kufizohet vetëm në dhimbjen që lëndohet, por shkon edhe më tej, në përfytyrimin e asaj që do të kishte qënë jeta e Tij, personaliteti i Tij, ndihmesa e Tij në jetën tonë.

            Atjon Zhiti ndërroi jetë shumë shpejt, në një moshë që vetëm ndonjë gjeni i parakohshëm mund të lerë vulën e tij në jetën e shoqërisë apo të Vendit ku jeton. Studenti i filozofisë në Universitetin Katolik të Milanos e kishte nisur atë rrugë dhe, nëpërmjet dy shkrimeve të botuara në të përditëshmen MAPO në shkurt dhe maj 2014, e të një të treti, të vënë në internet nga Balkan Web në ditët e fundit, kishte ravijëzuar portretin e tij në fushën e publiçistikës. Ai ka patur edhe shkrime të tjera, të botuara më vonë nga prindërit fisnikë, por për mendimin tim modest, edhe  këta tre shkrime mjaftonin për të dhënë profilin e një publiçisti filozof, që kishte pak ose aspak të ngjajshëm në gazetarinë shqiptare.

            Vlerat e vërteta në fushën sociologjike apo letrare, nuk maten detyrimisht vetëm me vëllimin e prodhimit. Kritika botërore është e një mëndjeje në vlerësimin e poetit Edgar Allan Poe që, simbas saj, do të kishte patur vendin e tij në letërsinë e madhe, edhe sikur të kishte shkruar vetëm poezitë “Korbi” dhe “Annabel Lee”. Tre shkrimet e Atjon Zhitit, përkatësisht : “A jemi gati për atë që duam?”, “Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe Shteti…..”, “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia”, janë artikuj që do të kishin nderuar edhe publiçistë të shquar, madje edhe me dhjetra vjet veprimtari. Janë modele të mendimit bashkëkohor mbi filozofinë e politikës dhe kanë një kostante që i përshkon e mbetet përherë e pranishme : është shqetësimi për realitetin shqiptar, për anët e tij t’errta, për sëmundjet e tij kronike, për rrugën në të cilën ecën shoqëria dhe institucionet e saj. Analiza e Djaloshit filozof ishte sa e thellë aq edhe e gjërë. Ajo merrte jetë nga një vëzhgim i mprehtë dhe i imtë i së vërtetës jetësore, mbi të cilën përsiatja vepron katërcipërisht me thikën e kirurgut, duke operuar mbi një trup që kishte të meta të lindjes, por më shumë të edukimit, të cilat Autori i ri  i vendoste mirë në kohë e që përkonin me 70 vitet e fundit të historisë shqiptare.

            Shkrimi i parë ishte tfillimi i një pyetjeje që djaloshi i drejtonte së pari vetes e, më pas, edhe mjedisit të ngushtë e më pak të ngushtë të bashkatdhetarëve të tij : “ A është vërtetë vendi i im i gatshëm për atë çka aspiron dhe, a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë së ambicjes dhe të veprimit të duhur, apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?”. Pyetja vinte si  përfundim i një arsyetimi 360° mbi Shqipërinë dhe botën në të cilën ajo hidhte hapat e saj. Autori kishte lindur më 1995, në periudhën e pas komunizmit, ishte përfaqësues i një brezi që nuk njihte “mëkatin origjinal”, i cili vazhdonte të ndikonte dukshëm atë shoqëri, të cilën Ai e kërkonte më të zhdërvjelltë, më të urtë, më të moralshme, më të shëndoshë. Komunizmin Ai e njihte si dukuri shoqërore më shumë nga librat e çmuara të babait të tij se sa nga “kujtimet e veteranëvet”, apo nga “veprat” e historishkruesve të tij. Ai nuk merrej me të si dukuri historike apo shoqërore, e quante të kaluar, e hidhte mbas krahëve e shikonte përpara. Por perspektiva e një Vendi, që ecte si kërmilli në një botë që vraponte, e bënte të kthehej mbrapa në kujtesën historike, në rrënjët, në kohë të lashta kur, në këtë truall lulëzonte një kulturë e ardhur nëpërmjet fuqisë së armëve dhe fatalitetit historik, por që kishte rezultatet e saj në mësimet që jepte në rrugën e qytetërimit. Qytetërimi nuk është vetëm luftë për lirinë, është edhe përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një bashkësi njerëzish që të mos jetë “pré e depredimeve të barbarëve, pré e nepotizmit, pré e korrupsionit, pré e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, pré e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.” Kjo ishte tablloja e shoqërisë shqiptare sot, në sytë e një të riu të ndritur, që kishte ruajtur virgjërinë intelektuale, si rrallë kush ndër moshatarët e tij, një i ri që ishte i vetëdijshëm për gjëndjen e atdheut, “një rrethinë e errët” në “mega-qytetin” e dukurisë  së globalizimit. Filozofi i ri e shikonte me dhimbje këtë tabllo e arrinte në përcaktimin e diagnozës së një gjendjeje, të cilën mendonte t’a ndryshonte duke vënë gishtin mbi plagën më të majisur të saj, korrupsionin.

Me dhimbje vinte ré se mungonte “kujtesa kolektive”, që duhej të na bënte të nxirrnim mësimet e duhura nga e shkuara jonë, për të mos i përsëritur gabimet e saj sot e, aq më tepër nesër. Shqetësimi për këtë gjëndje merrte përmasa sarkastike, kur Autori, në kontekstin e një bote ku nuk mungojnë shembujt e luftës kundër korrupsionit, vërente se në Vendin e tij “mëkatarët gjithashtu janë tepër naivë për të ditur se ç’bënin e ç’bëjnë e jo më për të pranuar fajet e tyre.”. Më shumë idhtar i filozofisë klasike e i parimeve tolstojane për ndryshimin e shoqërisë, se sa i “gijotinës”, Atjon Zhiti arrinte në përfundimin se “Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë.” Ishte  shprehje e një strategjie të qartë, në të cilën tejdukej roli i drejtuesit në një rrugë që ishte pothuaj e pashkelur, në përvojën tonë si komb. A do të kishte patur fuqinë dhe përkrahjen për t’i a dalë në krye me sukses ? Mosbesimi bëhet i detyruar….

            Shkrimi i dytë ishte një traktat i shkurtër mbi koncepte të njohura si ligji dhe e drejta, si shteti, origjina dhe institucionet e tij, shoqëria dhe politika që prodhon ajo, raportet në format e ndryshme të organizimit e të mbarështimit të marrёdhënieve shoqërore e të mënyrave të ndryshme të qeverimit. Duke anashkaluar pjesën teorike të shpalosjes së koncepteve, hasim edhe në këtë shkrim konstatime, që nuk janë gjetje të fshehtash misterioze, por fotografime të përpikta të një realiteti prej një idealisti që ruante me ngulm opinionet e tij, duke mos pranuar asnjë kompromis për hir të rrethanave apo “llogarive” të s’ardhmes. Për Të Shqipëria politike, një Vend ku “ligji e ligjshmëria në këtë tokë paradoksesh….. janë të kundërt e përplasen”, “ku të gjithë ne kemi mundësi të barabarta të përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona” , ku qytetari, edhe kalimtar, mbetet i “vrerosur ndaj mahnitjes karshi shëmtisë, shëmtisë jo vetëm konkrete”, me standartet e saj anadollake e komuniste, mbetej e papranueshme, duke paraqitur simptoma të rrezikëshme që kërkonin një ndërhyrje të shpejtë.

            “Pa dyshim një Shtet i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet”. Nuk kursente askënd Djaloshi filozof e, para një palëvizshmërie alarmuese të shoqërisë, që ishte gangrenizuar në format e projektet fillestare të ndryshimit të regjimit, në krijimin e një polarizimi pasuror ku pushteti ishte kthyer në një oligarki, ku pasuria e paligjëshme kishte pushtuar institucionet dhe rrezikonte demokracinë, duke vënë në pikëpyetje moralin dhe vlerat e trashëguara, Ai thërriste në ndihmë “revolucionin jo të dhunshëm” të Sokratit të lashtë, por përfundonte duke nxjerrë në pah një fragment të Faik Konicës, mbas një gjykimi tepër lartësues e subjektiv për të. Fragmenti ishte një seri pyetjesh në lidhje me rolin e të rinjve në ndryshimet shoqërore të Shqipërisë. Mbetej problemi i përjetshëm, ai i shpresës tek të rinjtë, tek vrulli i tyre, tek pastërtia e idealeve, tek gatishmëria për të luftuar në sendërtimin e tyre, tek horizonti i hapur dhe mos pajtimi me “kënetën”, ujin e palëvizshëm. Autori ishte i bindur se duhet të ishte brezi i tij që duhej të kërkonte me forcë ndryshimet, larg demagogjisë e premtimeve të pambajtura të baballarëve të tyre, “studentëve të dhjetorit”, që çdo vit përkujtonin, pa patur kurajën asnjëherë të bënin “mea culpa”, për gjëndjen e cila revoltonte Atjonin, e për të cilën kishin dhe ata një pjesë përgjegjësie….

            Shkrimi i tretë “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia” me shumë dhimbje mund të quhej “testamenti” i Djaloshit Zhiti. Ishte një “lectio magistralis” mbi gjëndjen e Shqipërisë e plagët më të thella të shoqërisë së saj, që kishin në qendër të tyre një term që përdorej, pa kursim, edhe në shkrimet e tjera : korrupsioni. Ishte kjo sëmundja që kërcënonte t’ardhmen e Shqipërisë, që e mbante atë jashtë proçeseve përbashkuese të kontinentit, që çorodiste funksionimin e institucioneve, duke filluar nga ata të Drejtësisë, që krijonte mosbesim në Shtetin, brënda e jashtë tij, që mbillte pasiguri e mosbesim tek ata, si Atjoni, që e shihnin t’ardhmen e tyre të lidhur me atë të Atdheut. Pyetjet vazhdonin edhe në këtë shkrim, ishte një bashkëbisedim i hapur e i sinqertë i Djaloshit me Vendin e tij, në të cilin Ai i vinte një pasqyrë para syve Atdheut. Autori sulej me tërbim kundër një rendi gjërash, në të cilin “seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit”, ku rrezikohej kataklizma e shoqërisë, mbasi “Kur politika nuk  dallohet më nga rruga, pasoja e menjëherëshme dhe e pashmangëshme është një mynxyrë”. Për të shmangur këtë rrezik “Urgjentisht duhet katalizatori i një reforme intelektuale e morale”. Ai shihte në një prirje përtrirëse të klasës politike, që duhej të kishte burrërinë të njihte mangësitë e gabimet e saj “një rreze drite që na lejon të dalim nga terri i shpellës së injorancës tonë”. Djaloshi iluminist, që kalonte në sitën e parimeve të gjithë spektrin e njohur të shoqërisë, vërente me keqardhje se “populli” ose “shoqëria” i qëndron larg, si kundrejt një murtaje politikanit vizionar dhe ideologut idealist”. Shkrimi në mbyllje pasqyronte këtë zhgënjim, sepse ai shihte se ata që mbanin ”monopolin” e së vërtetës, që drejtonin politikën ishin bartës e propagandues të “pseudo të vërtetave e pseudo vlerave” dhe shtonte : “Shëmbujt i kemi vazhdimisht përpara, prej shtatëdhjetë vitesh. Fasada është e bukur, plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat….”

            Këta ishin disa nga kumtet që na linte Djaloshi filozof, Atjon Zhiti, që dëshmojnë përmasat e personalitetit, të karakterit e të intelektit të tij, ai i një pararendësi të iluminizmit shqiptar, nëse do të vijë ndonjëherë…..

            20 dhjetori 2014 qe një ditë e zezë jo vetëm për familjen Zhiti, së cilës i shoi dritën e syrit, por edhe për Shqipërinë, që pësoi humbjen e njërit prej bijve të saj më të vlefshëm, një pionieri të palodhshëm të përparimit, një shprese, një rreze drite, që ndoshta do të kishte qënë një nga pishtarët ndriçues të s’ardhmes së saj. “Vdes i ri ai që për qiellin është i shtrenjtë” shkruante 2200 vjet më parë Menandri, athinasi i madh i komedise.

            I përjetshëm qoftë kujtimi i ëmbël i Atjon Zhitit, së bashku me idetë që lëvrinin në mëndjen e Tij e që i shërbenin gjithmonë të njëjtit synim : lartësimit shpirtëror, kulturor dhe moral të shqiptarëve e të Shtetit të tyre e institucioneve të tij, të një bote të vogël, me të cilën Ai ishte i lidhur në një dashuri të sinqertë që ushqente për të.

Filed Under: Opinion Tagged With: Atjon Zhiti, Eugjen Merlika, Kumtet

JOHAN PELUSHI: “KU KA DASHURI, NUK KA VEND PËR URREJTJE”

December 19, 2019 by dgreca

-Mesazh i mitropolitit të Korçës, Hirësisë së tij, Johan Pelushi, me besimtarët e kishës shqiptare “Shën Trinia” në Boston-/

  Shkruan: Fuat Memelli / Dielli

Ditët e fundit ishte në Boston , mitropoliti i Korçës, Johan Pelushi. Kishte ardhur te qyteti  ku ka  studjuar për teologji, ku ka edhe njerzit e tij. Si njeri në shërbim të fesë, nuk mund të rinte pa bërë vizitë te kishat shqiptare në Boston. Një javë më parë kishte qënë te kisha e “Shën Gjergjit” dhe tani  e kishte rradhën ajo e Shën Trinisë, ku shumica e besimtarëve janë nga qyteti i Korçës dhe fshatrat e këtij rrethi. Shumë nga besimtarët e njohin Johanin si bir i qytetit të tyre. Në mbarim të meshës së mbajtur nga At Jani Trebicka, pasi mitropoliti Ilia Ketri ndodhej jashtë Bostonit me shërbim, përshëndeti Hirësi Johani, ku ndër të tjera, theksoi: “Isha në Boston dhe nuk mud të rija pa vizituar kishat shqiptare këtu. Sot  në këtë kohë të globalizmit, shqiptarët janë shpërndarë në Shqipëri e nëpër botë. Fatkeqësisht mjaft njerëz janë dhënë pas parasë, pas fitimeve të padrejta, janë dhënë pas pijeve dhe narkotikëve.  Kjo ka bërë që njerzit të urrejnë njëri-tjetrin. Fatkeqësisht këtë fenomen e vëren edhe brenda familjes. Kjo ndodh se ata janë larguar nga jeta shpirtërore. Për këtë është e nevojshme të studjohet ungjilli. Shumë pyetje që shtrohen sot, e kanë përgjgjen në ungjill. Mbi të gjitha ne duhet të duam njëri-tjetrin. Ku ka dashuri, nuk ka vend për urrejtje, pasi forca e dashurisë, e mposht urrejtjen. Me që jemi në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, dua t’ju uroj: gëzuar këto ditë të shënuara!”. Në emër të besimtarëve  si dhe të mitropolitit Ilia Ketri, Aleko Dhima falenderoi Hirësi Johanin për vizitën që bëri te kisha e tyre dhe për fjalët që tha.

Bashkëbisedimi me Johan Pelushin vazhdoi edhe gjatë kafes. Duke ditur pasionin e tij për letërsinë dhe artin, e ngacmuam për këto fusha dhe ai foli për shkrimtarët e tij të preferua si Dostojevski, Tolstoin, Gëten, etj. Autori i këtij shkrimi e njoftoi se vitin që vjen është 170  vjetori i kishës së Sinicës në rrethin e Devollit dhe, i kërkoi që Mitrop[olia e Korçës të bashkëpunojë që kjo ngjarje të përkujtohet sa më bukur, njëkohësisht e ftoi për të marë pjesë në këtë ditë të shënuar për bashkëfshatarët e tij. Besimtarët bënë pastaj foto me mitropolitinJohanin dhe e uruan për Krishtlindjet e Vtin e Ri.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fuat Memelli, Johan Pelushi- Dashuri

U MBLODH KOMISIONI I PËRGATITJES SË KUVENDIT TË VATRËS

December 19, 2019 by dgreca

Listat e anëtarësisë dhe pagesat duhet të mbyllen me datë 31 Dhjetor 2019.

– Raporti i përfaqësimit në Kuvend: 1 delegat për 10 anëtarë.

– Kandidatët për Kryetar të Vatrës duhet të paraqesin me shkrim kandidaturën deri me 10 Janar 2020, shoqëruar me deklaratën se nuk kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste dhe as pjesë e shërbimeve sekrete.

– Kuvendi fillon me 19 Janar 2020, në orën 9.00 A.M. në Sallën e aktiviteteve të Teqesë Bektashiane”Baba Rexhepi” në Tayleor, Michigan, ku do të jenë të pranishëm klerikë nga të gjitha besimet fetare.

Të Mërkurën me 18 dhjetor 2019, në orën 6 të mbrëmjes u mblodh në selinë e Vatrës Komisioni i përgatitjes së Kuvendit nën drejtimin e kryetarit të këtij Komisioni, nënkryetar i Vatrës , Agim Rexhaj. Përveç kryetarit Rexhaj, ishin të pranishëm edhe: Sekretarja Nazo Veliu, Pashko Camaj, Besim Malota, Ervin Dine, Marjana Bulku, Kujtim Porja, Mehmet Kadrija, Zef Balaj dhe Dr. Skender Murtezani. Për shkak të angazhimeve anëtarët e komisionit, që nuk mundën të ishin të pranishëm e deleguan votën e tyre në këtë mënyrë: Marjan Cubi, ia delegoi Agim Rexhaj, Bashkim Musabelliu ia delegoi Kujtim Porja, Mark Mrnaçaj ia kishet deleguar Ervin Dine.

 Komisioni diskutoi dhe mori vendime për masat përgatitore të Kuvendit, i cili siç është njoftuar, sipas vendimit të datës 11 dhjetor 2019, do të mbahet në Michigan me 19 janar 2020.

 Fillimisht kryetari i komisionit u lidh me kryetarin e degës së Vatrës në Michigan Mondi Rakaj, njëkohësisht anëtar i Komisionit përgatitor të kuvendit, i cili raportoi se: Kuvendi do të organizohet në sallën e aktiviteteve të Teqesë Bektashiane”Baba Rexhepi” në Taylor, Michigan, dhe Këshilli i Teqesë e ka mirëpritur Kuvendin, ku do të jenë të ftuar edhe klerikët e dy kishave Katolike shqiptare si dhe Imami.

Po ashtu ai raportoi se z. Mynyr Nazifi, pjesë e kryesisë së degës së Vatrës në Michigan, ka vënë në dispozicion hotelin e tij për delegattë e Vatrës.

Më pas janë diskutuar në frymën e Kushtetutës së Vatrës masat përgatitore.  Edhe një herë u ra dakord që degët duhet të dërgojnë listat e plota dhe pagesate  anëtarësisë deri me 31 Dhjetor 2019. Editori raportoi se deri tani dega e Michiganit ka kryer pagesat e plota për 88 anëtarët e saj dhe ka dërguar listat e plota, dega e Hudson Vally ka kryer pagesat për 16 anëtarë dhe dega e Hartfordit ka kryer pagesat për 21 anëtarë. Degët e tjera janë në proces.

Gjatë mbledhjes debatuan: Agim Rexhaj, Nazo Veliu, Pashko Camaj, Kujtim Porja, Besim Malota, Skender Murtezani, Zef Balaj, Ervin Dine, Mehmet Kadrija.

VENDIMET E MBLEDHJES

1- Dërgimi i Listave dhe pagesave të anëtrësive mbyllet me 31 Dhjetor 2019.

2- Raporti i përfaqësimit për degët në Kuvend do të jetë 1 delegat për 10 anëtarë të rregullt .

3- Pas mbylljes së listave të anëtarësisë dhe të pagesave, degët në mbledhje të rregullta të përcaktojnë emrat e delegatëve dhe t’i dërgojnë në Qendër. Brenda datës 10 Janar 2020, Komisioni u dërgon degëve mandatet e delegatëve, të vlefshëm për përfaqësim në Kuvend.

4-Kandidatët që dëshirojnë të kandidojnë për postin e Kryetarit kanë kohë deri me 10 Janar 2020. Në këtë datë mbyllet depozitimi i kandidaturave. Kandidatët duhet të jenë vatrënë të rregullt dhe të devotshëm, të mos kenë qenë anëtarë të Partisë Komuniste dhe të mos kenë qenë pjesë e shërbimve sekrete komuniste. Për të dyja këto kërkesa ata duhet të lëshojnë deklarata me shkrim.

5- Kandidati fitues në Kuvend duhet që të ketë gati bordin me të cilin ai do të punojë si dhe Platformën e tij gjatë mandatit të drejtimit të Vatrës.

6-Kuvendi do t’i zhvillojë punimet në Taylor, Michigan. Punimet fillojnë ditën e Shtunë, 19 Janar, ora 9.00 A.M, ku do të jenë të pranishëm edhe të ftuarit. Në seancën e dytë do të jenë vetëm delegatët e Vatrës.

Filed Under: Featured Tagged With: Komisioni i Vatres- Kuvendi- delegatet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT