• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2019

NË VEND TË HOMAZHIT PËR AVOKAT ARTURIN….

December 13, 2019 by dgreca

Ne Foto:Artur Kice ne kohen e arrestimit, 11 tetor 1976/

…. PËR ISH TË BURGOSURIN POLITIK , ARRESTUAR NE MOSHEN 14 VJECARE, ARTUR KICE, NDARË NGA JETA ME 6 DHJETOR 2019…./

Arturi ishte 14 vjeç, nxënës i klasës së tetë, kur u arrestua me 21 tetor 1976 për shkak se kishte shkruar trakte kundër udhëheqjes lokale, kundër partisë, Enver Hoxhës dhe pro Amerikës e presidentit Ford-

Nga Dalip Greca/

Autori i shkrimit me Arturin ne veprimtarine e organizuar me 11 tetor 1995-

Në shenjë homazhi e dhimbje për ikjen e parakohshme të avokatit Artur Kice, që u përcoll për në jetën tjetër me 6 dhjetor 2019, po risjell një shkrim të para 24 vitesh, shkruar prej meje me rastin e një veprimtarie kushtuar mbrojtjes së fëmijëve prej dhunës, veprimtari që kishte në qendër Artur Kice, organizuar në 19 vjetorin e arrestimit të tij, kur ishte nxënës i klasës së tetë në qytetin e Lushnjës.

Artikulli i botuar ne Gazeten “Republika” 7 tetor 1993/


Shkrimi është botuar në gazetën”Ora e fjalës” me 13 Nëntor 1995, ndërkohë që pata shkruar edhe gjatët vitit 1993 nje shkrim ne “Republika”.
Shkrimi, që po i referohem, mbanë titullin “19 Vjet pas aventurës”…
Citoj: Kanë kaluar 19 vjet që nga ai mëngjes i alarmuar, kur mendja e një fëmije përpëlitej mes reales dhe absurdes, mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, realitetit dhe absurdit. Ecejake të zhurmshme të operativëve dhe sigurmsve që nxitonin nëpër korridoret e shkollës; mësues të habitur, e fëmijë të tmerruar; ç’po ndodhte? Dukej si një film me dedektivë që po shfaqej në shkollën e tyre.

Artikull i publikuar ne Gazeten”Ora e Fjales”( Gazeta e themeluar nga Shpend Sollaku dhe Gezim Hajdari, nisi botimin ne shtator 1991 ne qytetin e Lushnjes)/
– Ja ky është- kishte thënë njeriu që i printe eskortës! Prangat u shtërnguan pamëshirshëm në duart e njoma.
Lamtumirë shkollë!
Pastaj vetëm errësirë dhe qelia e errët. Pastaj…? Jetë në terr; vetmi, kurthe, presione, provokime, kërcënime, …Jetë qelie….Përgjumje gjatë seancave të hetimit, kotje, uri, etje per nje pike uje, dhe hetuesi që nuk stepej: S’ka gjumë sonte! Po deshe të flesh na trego… Ti vetëm na thuaj-Kush të tha t’i shpërndaje ato trakte? Ti nuk i ke shkruar vetë apo jo? Ne e kuptojmë, vetëm dora është jotja, dikush tjetër ti ka diktuar. Na thuaj dhe ne do të çojmë në shtëpi të flesh i qetë, nesër të shkosh në shkollë, të mesosh, të luash, të bashkohesh me shokët dhe shoqet e shkollës, të përqafosh mamin , motrën, dhe babin….

FOTOGRAFI QË AKUZON

Shiheni këtë fotografi fëmije. Një fotografi që akuzon. Shihini sytë e pafajshëm, fytyrën engjëllore, Si mund t’a dënosh si armik një fëmijë? Shiheni me kujdes fytyrën njomzake që donte të përmbyste “pushtetin popullor”. Sapo kapërcente të 13 vjetët dhe po hynte tek të 14-tat. E pikërisht ky do t’i përmbyste ata; do të përmbyste”shtetin e Vogël në Lushnje” dhe “shtetin e madh” në Tiranë.
Kjo fotografi akuzon ata që e kurdisën skenarin e atij arrestimi absurd:
– Ç’patët me atë fëmijë?
Si patët zemër e shpirt për ta torturuar?
Po sikur të ishte fëmi i juaj?
Pastaj, ç’ndodh me psikqikën e një fëmije përballë seancave të pafundme të hetimit ?

DIALOG ME ARTURIN

E pyes Arturin:-Si e kujton momentin e arrestimit? Ç’ditë ishte? Sa ishte ora…
ARTURI:- Më duket se ende e shoh atë ëndërrë të frikshme. Sapo çoj në mend sistemi nervor alarmohet dhe ndjej dhimbje, ja këtu, dhe çon dorën në gjoks, mbi zemër. Ishte ditë e Hënë. Ora e parë e mësimit. Kishin kaluar rreth 10 ose 15 minuta nga fillimi i orës së mësimit. Kishim hartim. Erdhën dy civilë dhe më morën nga banka ku qëndroja. U tremba. Më shtynë brenda një makine të errët dhe më dërguan në hetuesi.
Unë: – Po le të kthemi tek aventuara e trakteve. Si dhe kur nisi aventura që Ju çoi në qeli?
ARTURI: Po, duhet të kthehemi 6 muaj para arrestimit. U arrestova në tetor 1976, ndërsa traktet i kisha shpërndarë herët, por si duket nuk i kishin gjetë gjurmët e shkrusit. Ka qenë muaji Maj, kur nisa aventurën e trakteve. Kishte kohë që më ishte fiksuar ideja që të shkruaja traktet. Një fëmij e ndjenë shumë padrejtësinë dhe kundërshton në mënyrën e vet. Më dukej se kishte shumë padrejtësi në shoqërinë tonë. Kishte diferencë mes udhëheqësve komunistë dhe qytetarëve të thjeshtë.Traktet e mia godisnin udhëheqësit lokal. Gjeta letër të bardhë, jo me vija, dhe i shkrova.
Parullat ishin të tilla:”Poshtë Miti Rrapo”(Ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv),
– “Poshtë Partia!”,
– “Poshtë Enver Hoxha”,
– “Rroftë Amerika”!
– “Rroftë Presidenti Ford”!..
Shkrova dhe shpërndava rreth 80 letra të tilla, në rrugët e qytetit, tek Kinemaja, tek elektriku, tek një lokal ngrënie-vetshërbim… dhe në vende të tjera publike gjatë natës. Në mëngjes po prisja me ankth-çfarë do të ndodhte? Mirëpo asgjë nuk ndodhi.Qetësi. Me shokun më të ngushtë që kisha atë kohë shkuam deri tek elektriku. Më shkoi në mend që t’ia tregoja atij aksionin, por ndërrova mendje, e kyça thellë sekretin, brenda vetes…
Unë: Artur, si u ndjeve në qeli?
ARTURI: Në fillim nuk po orientohesha,u tremba nga errësira e saj. Nganjëherë më dukej se po luaja me moshatarët e lagjes “symbyllurazi”…por jo, qelia ishte aty, dhe unë brenda saj, i mbështejllë me shumë pikëpyetje misterioze.
– Ç’po ndodhte me mua? Nganjëherë ëndrroja përgjumësh siç ëndrrojnë të gjithë fëmijët, por ftohtësia e qelisë ma përzinte ëndrrën.
Zëri i hetuesit S. Korriku më sillte në realitet. Fillimisht ai më mori me të mirë; më premtonte se gjithçka do të kalonte, ai do t’më nxirrte nga qelia dhe unë do të shkoja në shtëpi tek pridërit e mi. Madje, si për të më mbushë mendjen se ai ishte në anën time të pafajësisë, i gërthiti fort një polici, që shërbente pranë qelisë time: Pse e keni futë kot djaloshin në qeli? Por unë nuk flisja. Atëherë ngrinte zërin dhe më bërtiste me zë të lartë dhe qëllonte me grusht tavolinën. Pastaj më ngrinte kurthe, tamam siç u ngremë leqe zogjëve në kodrat e qytetit…
Unë: Ju kujtohet numri i qelisë?
Arturi- Po si mund ta harroj. Isha në qelinë nr. 9…Aty qëndrova jo pak, por 6 muaj.
Unë: Ju kujtohet dita e gjyqit?
Ai: Ahhh, si JO. Ishte një ditë e dhimbshme. Kam qarë shumë atë ditë.Lotët e kursyer në qeli shpërthyen ditën e gjyqit.
Unë:- Cili ishte shkaku?
Ai- Përballja me njerëzit e familjes. M’u dhimbën ata më shumë se vetja. Sapo hidhja sytë nga nëna, baba dhe motra, lotët nuk përmbaheshin.Si nëpër mjegull dëgjoja prokurorin trupmadh N.Cani, që formulonte aktakuzën për agjitacion e propogandë kundër pushtetit popullor, dhe kërkonte heqje liri për 6 vjet, si njeri i rrëzikshëm për shoqërinë, dhe shihja sytë e nënës.
Oh, ç’dhimbje….!
Babai më dukej i mpirë.
Motra qante….Duke qenë se isha i mitur, dëgjova gjyqtarin që shqiptoi shifrën: 4 vjet heqje lirie!
Unë: Dhe ku e kryet dënimin?
Ai:- Nga burgu i Lushnjës më përcollën tek burgu i Tiranës, me të dënuarit e tjerë të rritur, politik; e më pas që andej në Lezhë, mes të dënuarëve ordinerë. Zoti më ruajti nga veset e njerëzve me vese.

NGA “SHIRITI” I KUJTESËS

Rikthim në sallën e aktivitetit-JO DHUNË KUNDËR FËMIJËVE!:Tetor 1995 ne Shkollen Foto Puka- Kujtesa nuk shlyhet. Ish bashkënxënësit e rikujtojnë dhimbshëm arrestimin e Arturit dhe propagandën pas ikjes së tij në qeli. Mësuesit nuk e kanë të vështirë të rikujtojnë, por jo pa dhimbje. Ndërsa prindërit, mjaftohen me zbrazjen e dhimbjes prej shpirtrave të lodhur. Ata i luten Zotit që ia ruajti mendjen djalit….Si mund të duronte një fëmijë tortura, qeli, burg…
Por le ti sjellim disa nga prononcimet e atyre që e patën përjetuar ngjarjen dhe që e patën pranë Arturin:
– Dhimitrulla Duri:- Atë kohë kur ndodhi ngjarja isha mësuese e Arturit. T’ju them të vërtetën atë kohë nuk guxonim të flisnim me njeri-tjetrin për arrestimin e nxënësit tonë. Veshët e sigurimit ishin të zgjatur kudo. Veçse me vete i mallkonim ata që ishin marrë me një fëmijë dhe e ia kishin shkatërruar jetën. Arturi ishte një djalë i mbarë, pak çapkën, i pëlqente veshja e pastër, e bukur, estetika. Nuk mund ta harroj atë ditë kur njerëzit e sigurimit na tromaksën me zhurmën e tyre dhe arrogancën e shfrenuar, sikur kishin përpara një grup armiqësh dhe jo një fëmije të klasës së tetë.
Mësusja Vera Karalliu:- Atë ditë klasa e Arturit kishte hartim në dy orët e para. Ata të sigurimit erdhën me zhurmë e kërcitje çizmesh nëpër korridore e klasa. Kur e morën forcërisht, dukeshin triumfatorë-kishin zbuluar armikun e rrezikshëm.
Babai i Arturit-Mësues Leonidha, që e humbi punën e mësimdhënies: Zoti qenka i madh. Habitem sot se si kam arritë të ruaj mendjen nga ajo çfarë i ndodhi djalit. Edhe sot më duket se pamjet e arrestimit dhe të gjyqit, nuk i takojnë djalit tim, nganjëherë më duket se i kam parë në një film të frikshëm. Pas arrestimit më thirrën menjëherë në degë. Unë nuk nuk dija ç’kishte ndodhë. E kisha nisë djalin në shkollë. Oficeri i Sigurimit më gërthiste sa fuqi kishte: Keni rritë një krimiel kundër pushtetit popullor!
Unë i zverdhur në fytyrë, pyes: Po më thoni, çfarë ka ndodhë?
Ai ma kthente, ju e keni frymëzuar që të shkruajë e të shpërndajë trakte kundër Partisë.
Kur e pashë në sallën e gjyqit, të lodhur, të dobësuar, nuk e di se si e mbajta veten, si nuk rashë në dysheme!
Nëna e Arturit- Lefteria: Atë ditë, pasi kishin rrëmbyer Arturin nga shkolla, erdhën në shtëpi; operativi i Sigurimit, hetuesi, policë dhe përmbysën shtëpinë. Kontrollonin gjithçka. S’po merrja vesh asgjë. Nuk kisha informacion për arrestim.
Po i them atij të Këshillit:-Po më tregoni çfarë ka ndodhë?
– Do ta marrësh vesh shpejt, -ngriti zërin operativi i Sigurimit.
Kur e mësova të vërtetën sa nuk më ra pika. Rashë pa ndjenja.

VEPRIMTARIA- JO DHUNË KUNDËR FËMIJËJËVE- SI SHKAS

Artur Kice, pas 19 vitesh, pikërish një të Hënë(Si ajo e hënë e 11 tetorit të vitit 1976, ditë kur u arrestua) u vu në qendër të një veprimtarie të organizuar nga Drejtoria Arsimore e Lushnjës(Kur unë punoja si inspektor për Letërsinë dhe drejtoja njëkohësisht gazetën “Ora e Fjalës”), veprimtari që i kushtohej mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna. Edhe Arturi që kishte kaluar përmes ferrit të dhunës, ashtu i emocionuar, përmes emocioneve të forta dhe një kontraktimi të pashmangshëm, përcolli mesazhin e tij:
JO DHUNË KUNDËR FËMIJËVE!
Veprimtaria pati për zot shtëpie Shkollën “Foto Puka”, ekzaktsisht Klasën e 8b, klasë kur pati mësuar edhe Arturi, nga ku e shkëputi dhunshëm diktatura. Dhe nxënsja Irida Hasalla(Tash mjeke ne SHBA), më e shkëlqyera e shkollës, tek do të merrte bashkë me shoqen e saj një dhuratë simbolike për klasën, të dhuruar nga Arturi, do të përcillte mesazhin:
JO DHUNË KUNDËR FËMIJËVE!

EPILOG

Ngjarja që pat për personazh Artur Kicen u bë publike fillimisht nga Gazeta”Ora e Fjalës”, pastaj tek”Republika”, më pas në ekranet e TV, dhe sërish tek “ORA…” si apel kundër dhunës.
Heroi i aventurës, Arturi, qe shprehur: S’kërkoj asgjë, përveç pendesës prej atyre që më ndërruan klasën e mësimit me qelinë dhe burgun, që më rrëmbyen lodrat duke m’i këmbyer me dhunën…Dhe së fundi Apeli im:
JO DHUNË KUNDËR FËMIJËVE!
PS: Në kohën që u shkrua ky shkrim, nëntor 1995, Arturi ishte punësuar në Gjykatën e Lushnjës, ndërkohë që studionte në Fakultetin Juridik, pa shkëputje nga puna.Shume domethense, ish femija i denuar nga padrejtesia e diktatures, po studente per DREJTESI…
Me 6 Dhjetor 2019 Arturi shkoi të pushoi në përjetësi. Pusho në Paqë ti shpirt i vuajtur padrejtësisht!

Filed Under: Opinion Tagged With: Dalip Greca-Homazh per avokatin- Artur Kice

Gara e Vatrës është me të Ardhmen!

December 12, 2019 by dgreca

Fjala e Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z. Dritan Mishto mbajtur në mbledhjen e zgjeruar të Kryesisë më 11 Dhjetor 2019./

Të nderuar anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit të Federatës!

Të dashur vatranë!

Siç e dini, viti 2019 shënon edhe përfundimin e mandatit tim si Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, i zgjedhur me një shumicë të cilësuar në Kuvendin e vitit 2017, i pari kuvend pas dekadash të tëra, në të cilin kandidatët paraqitën platformat e tyre duke marrë besimin e delegatëve në formën më transparente. Ky besim i madh i vatranëve, më ka qëndruar gjithmonë si “shpata e Demokleut” duke më shtyrë drejt maturisë dhe përkushtimit në përmbushjen e kësaj detyre të lartë shoqërore dhe vullnetare.

Dua të falenderoj nga zemra dhe të shpreh mirënjohjen time të thellë për punën tuaj të mirë dhe bashkëpunimin, që kemi pasur. Dua të përulem me nderimin më të madh edhe përpara vatranëve të të gjithë  epokave, për sakrificat e tyre deri në vetëmohim në dobi të Federatës sonë, Shqipërisë dhe kombit.

Këto dy vite, Federata Pashqiptare e Amerikës Vatra ka njohur rritje të dukshme. Pas Kuvendit 2017, Kryesia ka pasur në përbërjen e saj një gërshetim brezash të ndryshëm, por me të njëjtin përkushtim për përmbushur objetivat e marra përsipër. U ruajt pothuaj e pandryshuar përbërja e anëtarësisë së Këshillit të Vatrës, jo vetëm si vlerësim për punën e mëparshme të anëtarëve të këtij Këshilli, por edhe sepse gjithnjë kam këmbëngulur që Këshilli i Vatrës duhet të ketë autoritet mbi Kryesinë. Në çdo rast kundërshtie, Këshilli do të ishte i painfluencuar nga kryesia e re, pasi kishte përbërjen e mëparshme. Sjellja e Kryesisë dhe profesionalizmi i të dy strukturave bëri që gjatë kësaj periudhe të ketë bashkëpunim të shkëlqyer, duke ruajtur stabilitetin e Federatës sonë. Ndjehem mirë që të gjitha vendimet dhe sugjerimet e Kryesisë kanë gjetur miratimin e Këshillit dhe anasjelltas.

Për herë të parë, Kryesia dhe Këshilli i Federatës miratuan formimin e Komisionit për Garantimin e Kanunores, si një organ që ishte dhe mbetet gardiani i rregullave të funksionimit tonë. Ky Komision, me një përgjegjësi të lartë po përfundon detyrën e ngarkuar për rishikimet kanunore, një punë e lënë e papërfunduar prej vitesh, me synimin që t’i japë Federatës Vatra një përshtatje sa më të plotë me kuadrin bashkëkohor të funksionimit të organizatave vullnetare.

Në një kohë të shkurtër ne arritëm të afrojmë rreth Vatrës mjaft të rinj dhe mbështetës. Figurat më të njohura të artit shqiptar në nivel ndërkombëtar vizituan Vatrën. Aktivitetet e Federatës VATRA dy vitet e fundit kanë qenë me pjesëmarrjen më të lartë të shënuar ndër vite, gjë që na ka mbushur me gëzim. Vatra po lëviz dhe po rimerr prestigjin e dikurshëm. Festimet e 106 vjetorit dhe 107 vjetorit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA ishin me motot: “Vatra nuk është Politike – Vatra është Mbipolitike” dhe “Jam vatran se jam shqiptar / jam shqiptar se jam vatran”. Ditëlindjet e Vatrës duhen festuar gjithmonë, siç e vendosëm këto dy vjet ashtu le ta vazhdojmë, sepse ato na ndërgjegjësojnë gjithnjë e më shumë për kujdesin që duhet të tregojmë për shëndetin e Federatës sonë të dashur.

Filluam të kërkojmë grupet e hershme të emigrantëve vatranë dhe e nisëm me rivendosjen e kontakteve me zagoritët gjirokastritë, ardhja e të cilëve në selinë e Vatrës ishte emocionuese.

Federata jonë ka tashmë një kategori nderimi të veçantë për anëtarët e saj, të cilët vazhdojnë të jenë aktivë: “50 vjet anëtarësi” duke përbërë diçka të rrallë edhe për organizatat amerikane. Gjithashtu, ndonëse drejtues të rinj, ne vendosëm të nderojmë figura të njohura të komunitetit tonë, njerëz me reputacion dhe kontribut prej dekadash për çështjen tonë kombëtare, të cilët duhet të ishin nderuar prej kohësh si: Prof. Sami Repishti, Prof. Nicholas Pano, Dr. Elez Biberaj, z. Ekrem Bardha, ish sekretari i Vatres-shkrimtari Naum Prifti etj.

Figura të nderuara të nacionalizmit shqiptar kanë qenë pjesë e aktiviteteve tona, si akademia për Hysni Lepenicën apo aktivitetet në nderim të Mid’hat Frashërit, për të cilin u krye edhe rivarrimi në Shqipëri. Federata VATRA shprehu publikisht qëndrimin e saj se Mid’hat Frashëri duhej të sillej në atdhe i plotë dhe jo i cunguar, si edhe të mos përdorej për qëllime politike. Rivarrimi i tij vetëm si Lumo Skëndo, duke lënë në errësirë kontributin e madh patriotik, ishte dhe është për VATRËN, i papranueshëm. Qeveria Shqiptare duhej t’i paraprinte fushatës dhe debatit të gjerë intelektual për veprat dhe veprimtarinë e tij patriotike dhe të ndërmerrte nisma konkrete  administrative në nderim të këtij personaliteti. Koha provoi qëndrimin e Federatës VATRA, që nuk pranoi të bëhej pjesë e fasadës qeveritare sepse edhe pas kaq kohësh akoma nuk kemi parë një qëndrim institucional në vlerësimin e kësaj figure, por një harresë të plotë.

Gjatë këtij mandati ne patëm fatin e rrallë të ishim dëshmitarë të festimit me madhështinë që meriton, të 110 vjetorit të Gazetës Dielli. Me këtë rast dua të shpreh respektim tim më të madh dhe të falenderoj publikisht në emër të Federatës Vatra, Editorin e Gazetës z. Dalip Greca, për punën e tij të shkëlqyer, mençurinë dhe durimin në drejtimin e saj. Ne arritëm të sjellim në gazetë pas kaq dekadash edhe Editoren për botimin në Anglisht Znj. Rafela Prifti, pasuese e denjë e Peter dhe Naum Priftit, së cilës dua t’i shpreh respektin tim më të thellë. Simpoziumi shkencor me pjesëmarrjen e studiuesve të njohur shqiptarë dhe amerikanë, nga Libraria e Kongresit Amerikan, evidentoi faktin që na bën vërtet krenar se Gazeta Dielli është sot gazeta më e vjetër e kombeve, që jetojnë në Amerikë dhe që vazhdon të botohet. Ndaj ne duhet ta ruajmë me fanatizëm këtë dhuratë të artë që na kanë dhënë koha: Gazetën Dielli.

Dihet se Federata Vatra ka trashëguar shumë libra, por nuk ka pasur një bibliotekë. Dua të falenderoj veçanërisht z. Idriz Lamaj dhe znj. Arjeta Ferlushkaj, të cilët profesionalisht arritën të ngrejnë bibliotekën e Vatrës, me një sistem bashkëkohor inventarizimi, regjistrimi dhe skedimi. Për herë të parë është kryer digjitalizimi profesional i koleksionit të numrave të Gazetës Dielli. Numrat e vjetër dhe të rinj, të ruajtur me fanatizëm ndër dekada tashmë janë kthyer në kopje elektronike dhe mund të përdoren lehtësisht.  

Të dashur vatranë!

Periudha e drejtimit tim të Federatës Vatra përkoi me mandatin e dytë qeverisës të socialistëve në Shqipëri. Qeveria Socialiste Rama, në vlerësimin tonë mbetet një qeveri pinjolle fizike dhe shpirtërore e ish-diktaturës shqiptare. Shkeljet e të drejtave të njeriut në të gjitha format, lirisë dhe pronës janë kthyer tashmë në një sjellje normale qeveritare. Kriminalizimi i parlamentit dhe vjedhjet e hapura të financave publike nëpërmjet një sërë projektesh të dyshimta, të denoncuara publikisht edhe nga Zëri i Amerikës, po e varfërojnë dhe do ta zhysim akoma më shumë ekonominë në kolaps. Tërmeti i fundit në Shqipëri nxorri krejtësisht zbuluar paaftësinë e kësaj qeverie për të menaxhuar kriza të tilla, e cila shpërdorimet dhe mungesat buxhetore kërkon t’i mbulojë me donacionet e shteteve mike dhe ndihmat e shqiptarëve nga e tërë bota. Arroganca qeveritare socialiste arriti deri në daljen hapur kundër qëndrimeve të Qeverisë Amerikane, në disa votime në OKB, akt i cili befasoi dhe shqetësoi shqiptarët kudo në botë. VATRA e shprehu qëndrimin e saj në instancat më të larta të administratës amerikane dhe argumentoi rrezikshmërinë dhe pasojat e veprimeve të tilla nga ana e Kryeministrit Rama. Edhe në takimin e fundit në Departamentin e Shtetit, në Shtator 2019, takim i cili hapi një faqe të re në marrëdhëniet e Federatës Vatra me Departamentin e Shtetit pas disa dekadash, ne paraqitëm shqetësimet tona për situatën në Shqipëri. Gjithashtu i jam drejtuar personalisht Presidentit Trump me një letër ku e kam cilësuar Qeverinë Socialiste Rama si një qeveri me mentalitet totalitar, të korruptuar dhe të lidhur me trafikun e narkotikëve, dhe duke i kërkuar kësisoj Z. Trump kthimin e vëmendjes ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dashuria e shqiptarëve për Amerikën duhet mbajtur gjallë dhe duhet ushqyer edhe duke rritur vëmendjen amerikane ndaj shqiptarëve.

Për këto arsye ne shpallëm në vitin 2018 në Vatër “Strategjinë për Mbrojtjen dhe Thellimin e Marrëdhënieve Shqiptaro – Amerikane” gjatë publikimit të librit më të fundit të studiuesit të mirënjohur Frank Shkreli.  Kjo strategji konsiston në një rol aktiv të VATRËS për mbajtjen gjallë të këtyre marrëdhënieve, pavarësisht qëndrimeve të qeverive shqiptare, që për interesa të ngushta, në periudha të ndryshme kanë ndikuar në dobësimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona.

Gjatë vitit 2018 ne patëm një bashkëpunim të mirë me Autoritetin e Dosjeve nga Shqipëria. Gjatë këtij projekti mes Federatës Vatra, Autoritetit të Dosjeve dhe Zërit të Amerikës u arrit të sigurohen një sërë intervistash, histori të jetës dhe dëshmi, që tashmë janë depozituar në arkivën e Autoritetit të Dosjeve në Tiranë dhe i shërbejnë studiuesve. Po ashtu Federata Vatra mori konform legjislacionit Dosjen e Sigurimit të Shtetit, e cila për arsye studimore po shfrytëzohet nga Editori për botimin e librit të tij përmbledhës për Editorët e Gazetës Dielli ndër vite. Po ashtu ne kryem disa aktivitete në nderim të viktimave të komunizmit me pjesëmarrjen në aktivitetet vjetore të organizuara nga Fondacioni për Viktimat e Komunizmit dhe po ashtu në shtatoren e ngritur në Washington DC.

Të dashur vatranë!

Si gjithmonë, Vatra ka ndjekur me vëmendje shqetësimet kombëtare që vinin nga të gjitha trojet shqiptare, pas asnjë dallim. Jemi shprehur haptazi kundër bisedimeve Kosovë – Serbi për rishikimin e kufinjve, si një strategji e rrezikshme, që mund të vinte në pikëpyetje procesin e njohjeve të Repulikës së Kosovës dhe një precedent i rrezikshëm në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Konsolidimi i shtetit dhe jo vënia në dyshim e tërësisë territoriale të tij është rruga e vetme e Kosovës si shtet i sigurtë. Federata Vatra ka kërkuar me forcë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Vatikani, gjatë vizitës që Nunci Apostolik i Vatikanit në Shqipëri zhvilloi në selinë tonë.

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe ardhja në krye të Parlamentit të një politikani shqiptar është padyshim një arritje, por jo më e madhja dhe as e mjaftueshme. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë akoma punë për të konsoliduar bashkëpunimin, si mundësia më e mirë për të rritur faktorizimin e tyre në shoqëri dhe politikëbërje.

Në Malin e Zi, politika shqiptare shënoi një arritje të madhe, fitoren në Komunën e Tuzit, si pasojë e bashkimit të subjekteve politike dhe vetë elektoratit shqiptar, gjë e cila përbën një sinjal dhe mesazh të qartë për të gjithë shqiptarët, kudo qofshin.

Është një zhvillim pozitiv rritja e vëmendjes ndaj çështjes çame, gjë që tregon nevojën për më shumë diskutim dhe zgjidhje të saj. Unë përsonalisht jam i mendimit se çështja çame, si një plagë e dhimbshme duhet trajtuar me kujdes, mençuri dhe dashuri. Duhet trajtuar me kujdes sepse kërkimet më të fundit po tregojnë gjithnjë e më shumë afrimin genetik mes shqiptarëve dhe grekëve. Duhet trajtuar me mençuri sepse prej shekujsh shqiptarët, apo të njohur si arvanitasit, kanë jetuar dhe jetojnë në Greqi, duke u pasuar tre dekadat e fundit edhe me qindra mijëra shqiptarë, mes të cilëve ka një numër të lartë martesash mikse, me lindjen e dhjetëra fëmijëve shqiptaro-grekë dhe greko-shqiptarë. Duhet trajtuar me dashuri sepse me kaq shumë ura lidhëse, vetëm një marrëdhënie e mirë dhe e afërt mes dy vendeve dhe popujve do të lehtësojë zgjidhjen e çështjes çame. Dashuria mes popujve tanë duhet t’i paraprijë qëndrimeve të qeverive, të cilat kur bien në duar të gabuara dhe dritëshkurtra shkaktojnë tragjedi. Faktet historike tregojnë se marrëdhëniet shqiptaro – greke kanë njohur përkeqësim të dukshëm pas pushtimit të Ballkanit nga Perandoria Osmane dhe është detyra e çdo shqiptari të mirë të dalë mbi këtë mentalitet përçarës oriental.  

Të dashur vatranë!

Gjatë drejtimit të Federatës ruaj si një nga momentet më të bukura të jetës vizitën e  delegacionit tonë në Kishën Orthodhokse të Shën Gjergjit në Boston. Kjo vizitë shënoi edhe nisjen e aktiviteteve për kremtimin e 110 vjetorit të gazetës Dielli. E ku më mirë se tek Kisha e Nolit do të mund ta nisnim një aktivitet të tillë? M’u dha mundësia që të isha i pari kryetar i Federatës Panshqiptare VATRA, të ulem në karrigen dhe tryezën e punës së Fan Nolit. Gjithashtu pata rastin të bisedoj konfidencialisht me At Artur Liolin pikërisht në zyrën e Nolit, hyrja në të cilën i nënshtohet një protokolli të veçantë dhe për afro gjysëm orë zhvilluam në këtë zyrë të shenjtë një bisedë sa shpirtërore aq edhe tokësore, për të shkuarën dhe të ardhmen. Me këtë rast dua të falenderoj publikisht At Artur Liolin për gjithë respektin dhe bashkëpunimin! Zoti e bekoftë!

Të dashur anëtarë të Kryesisë, të Këshillit dhe të Degëve!

Gjithmonë kam qenë i hapur ndaj sugjerimeve e kritikave dhe mendoj se Federata VATRA nuk ka pasur ndonjëherë demokraci të brendshme më shumë sesa kësaj periudhe. Kam ndjekur gjithmonë konceptin filozofik platonian: E pyetën Platonin se cila është zgjidhja kur të bëjnë kritika? – Shqyrtoji kritikat me dashuri, u përgjigj Platoni. Po kur të kritikojnë ashpër?  – Sërish shqyrtoji me dashuri. Po kur shpifin, intrigojnë, sulmojnë në mënyrat më të ulëta, çfarë duhet të bëjmë Platon? – Atëherë duhet të shtosh dozën e dashurisë.

Federata VATRA sot është një stad më lart se dje. Nesër do të jetë një stad më lart se sot. Kështu Vatra jonë e dashur forcohet gjithnjë e më shumë. Kryetarët e Vatrës janë të gjithë kalimtarë, përveç Nolit e Konicës, të cilët shërbejnë për vatranët e mirë si modeli i vendosjes së dashurisë mbi urrejtjen, përunjësisë mbi arrogancën dhe argumentit mbi forcën e injorancës.  

E kam shprehur edhe më parë në mbledhjet e strukturave tona, edhe në mbledhjen e Këshillit që në Mars 2018, se unë nuk do të rikandidoj për postin e kryetarit të Federatës Vatra me arsyen e vetme se qarkullimi i elitës drejtuese e shëndosh strukturën tonë. Noli e Konica e kanë përcaktuar drejt në Kanunoren e Vatrës, duke vendosur mandat afatshkurtër për kryetarin. Kjo është bërë pikërisht për të qarkulluar elitat drejtuese dhe jo që kryetarët të qëndrojnë me vite të tëra në drejtim, pa sjellur asnjë dobi. Çdo kryetar, duke e konsideruar këtë detyrë vullnetare si një përgjegjësi dhe jo si një privilegj, duhet të përmbushë  mandatin e tij kohor duke dhënë sa më shumë dhe jo të mendojë se si të rizgjidhet. Ashtu siç nga ana tjetër, askujt nuk mund t’i shkojë ndër mend që Kryetari i Vatrës do të mund të largohet jashtë dëshirës së tij, përpara mbarimit të mandatit, si pasojë e sulmeve, shpifjeve dhe inskenimeve.

Ndaj, ndonëse me mbështetjen unanime të Kryesisë, të shumicës së cilësuar të Këshillit, të Degëve dhe të Anëtarësisë, duke falenderuar përzemërsisht secilin prej jush, pas plotësimit me sukses të mandatit tim, ju përsëris vendimin tim e parevokueshëm për të mos rikandiduar.

Si një ndër kryetarët e rradhës të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, jam i kënaqur kur shoh se Federata Vatra dhe Gazeta Dielli mbesin autoriteti më i lartë moral i botës shqiptare dhe të vendosura të mbajnë në supe peshën e rëndë që u ka vënë historia mbi shpinë, për të dërguar çështjen shqiptare drejt destinacionit të zgjidhjes së plotë. Jam i bindur se vatranët do të ecin përpara me ritëm të shpejtë, pa e ndalur hapin dhe do të vazhdojnë të bëjnë punë të mira, sepse gara jonë nuk është me të shkuarën. Gara jonë është me atë që na kërkon koha. Me të ardhmen!

Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA!

Filed Under: Featured Tagged With: Dritan Mishto-Gara e Vatrës- është me të Ardhmen!

KUVENDI I VATRËS DO TË MBAHET ME 19 JANAR 2020 NË MICHIGAN

December 12, 2019 by dgreca

– U zhvillua mbledhja e radhës e Kryesisë së Federatës Pan shqiptare të Amerikës VATRA/

-Kryetari përsëriti vendimin e tij për të mos rikandiduar, gjë e shprehur vazhdimisht në strukturat e Vatrës, që në Mars 2018, me arsyetimin se qarkullimi i elitës drejtuese është procesi më i rëndësishëm për Federatën, dhe se i jep fund praktikës së drejtimit me vite të tëra. /

— Ftohen Kandidatet qe duan te kandidojne per postin e Kryetarit te paraqesin kandidaturat me shkrim prane ketij Komisioni, deri ne 10 Janar 2020./

  • Te gjithe Kryetaret e degeve kane kohe deri me 31 Dhjetor te shlyejne kuotat e anetaresive. Vetem mbi bazen e ketij treguesi do te llogaritet numri i delegateve per ne Kuvend.

Më 11 Dhjetor 2019 u mblodh Kryesia e zgjeruar e Federatës Pan shqiptare të Amerikës VATRA. Fillimisht, kryetari Dritan Mishto paraqiti një raport të zgjeruar të punës së Federatës për vitin 2019, fjalim i cili do të botohet i plotë. Kryesia e zgjeruar dhe shumica e degëve i kërkuan unanimisht disa herë z. Mishto rikandidimin e tij në Kuvendin 2020. Kryetari përsëriti vendimin e tij për të mos rikandiduar, gjë e shprehur vazhdimisht në strukturat e Vatrës, që në Mars 2018, me arsyetimin se qarkullimi i elitës drejtuese është procesi më i rëndësishëm për Federatën, dhe se i jep fund praktikës së drejtimit me vite të tëra.  

Kryesia, mbi bazën e një konsultimi me Komisionin e Garancive Kanunore dhe me shumicën e degëve vendosën:Kuvendi i Federatës Panshqiptare VATRA do të mbahet në datën 19 Janar 2020 në Michigan. (Kjo në bazë të traditës së mëparshme për mbajtjen e kuvendeve në shtete të ndryshme, sic ishte Kuvendi i Floridës 2015, Kuvendi i Nju Jorkut 2017).

Komisioni i Vatrës për Kuvendin 2020 është:

Agim Rexhaj – Kryetar

Bashkim Musabelliu – Komisioni i Garancive Kanunore

Mehmet Kadria – Komisioni i Garancive Kanunore

Kujtim Porja – Komisioni i Garancive Kanunore

Nazo Veliu, Marjan Cubi, Marjana Bulku, Besim Malota, Zef Balaj, Pashko Camaj, Agustin Mirakaj, Ervin Dine, Mark Mrnacaj, Koordinator- Valentin Lumaj

Ftohen Kandidatet qe duan te kandidojne per postin e Kryetarit te paraqesin kandidaturat me shkrim prane ketij Komisioni, deri ne 10 Janar 2020-adresa:

VATRA

2437 Southern BLVD

Bronx, NY 10458

Te gjithe Kryetaret e degeve kane kohe deri me 31 Dhjetor te shlyejne kuotat e anetaresive. Vetem mbi bazen e ketij treguesi do te llogaritet numri i delegateve per ne Kuvend.

Filed Under: Politike Tagged With: Vatar-Kryesia-Kuvendi-Dritan Mishto

Ekrem Bardha, thirrje shqiptarëve të mos braktisin vendin

December 12, 2019 by dgreca

Ekrem Bardha, Konsull nderi i Shqipërisë në Miçigan, u bën thirrje shqiptarëve të vazhdojnë të jenë të bashkuar, ashtu siç treguan të jenë pas tërmetit që goditi Shqipërinë. Veprimtari dhe biznesmeni shqiptaro-amerikan u bëri thirrje shqiptarëve të mos e braktisin vendlindjen megjithë situatën e krijuar. Kolegu Burim Goxhuli bisedoi me zotin Bardha dhe përgatiti këtë material.Konsulli i nderit i Shqipërisë në Miçigan, Ekrem Bardha, i tha Zërit të Amerikës se atmosfera e krijuar pas goditjes së tërmetit famëkeq që u mori jetën 51 banorëve, solli gjithashtu rastin unik që shqiptarët të forcojnë lidhjet mes tyre.

“Ata që humbën jetën nuk i sjellim më. Por, ata janë shembull dhe janë martirë, përgjithmonë të jetës sonë. Dhe dua që shqiptarët, të bashkohen në kohë të vështira. Është rasti historik, sidomos i politikanëve në Shqipëri, që kanë krijuar një atmosferë negative, ose mund të them një urrejtje që mua më ka mërzitur shumë. Dëshiroj që shqiptarët të bashkohen sepse historikisht shqiptarët kur janë bashkuar, kanë fituar”, tha ai.

Veprimtari dhe biznesmeni bën thirrje që të jepen ndihma për viktimat e tërmetit, pa përmendur shumat që dhurohen. 

“Kam vënë re që i japim shumë rëndësi, o filani dha kaq, dha një million, 500 mijë, 100 mijë. Të fillojmë të gjithë të bëjmë një kontribut, të kuptojmë që kjo me të vërtetë është një rast tragjik”, tha zoti Bardha.

Sipas zotit Bardha, paratë e grumbulluara edhe mund të keqpërdoren.

“Ka dhe besoj se do të ketë probleme. Kur e them problem, dua të them se do të abuzohet me këto para. Këtu duhet të ndërhyjë shteti, duhet të ndërhyjë zoti Kryeministër Edi Rama, dhe të bëjë gjithçka që është e mundur për të patur një kontroll total të menaxhimit të parave”, tha ai.

Para 66 vitesh Ekrem Bardha braktisi Shqipërinë, por jo përgjithmonë. Pas rënies së komunizmit, ai ishte ndër investitorët e parë, në një kohë kur pak kush besonte në demokracinë e re të Ballkanit.

“Kur arrita në Shqipëri pas 40 vitesh, e gjeta Shqipërinë sikur ishte Hiroshima, sikur i kishte rënë bomba atomike”, tha zoti Bardha për Zërin e Amerikës.

86-vjeçari thotë se janë politikat jo të favorshme ato që mbajnë larg Shqipërisë investimet e huaja.

“Kanë shkuar seriozisht në Shqipëri për të investuar dhe shembull konkret isha unë. Dhe unë kurrë nuk u kam thënë t’i dekurajoja, përkundrazi i inkurajoja që ata të investonin. Dhe një pjesë investuan, por atë investim e humbën për një kohë të shkurtër”.

Ekrem Bardha, si shumë shqiptaro-amerikanë të tjerë, ka ndihmuar në çështjen kombëtare. Në takimet që ka patur me gjashtë presidentë amerikanë, veç mirënjohjes për punën e bërë nga Shtetet e Bashkuara, ai ka ngritur gjithmonë shqetësimet e komunitetit për mbrojtjen e çështjes kombëtare.

“Duhet të jemi krenarë, duhet të jemi mirënjohës. Në shumë raste, më vjen keq ta them por, nuk jemi aq të bindur dhe t’i japim merita Amerikës se çfarë ka bërë për vendin tonë, për Shqipërinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Zoti Bardha shprehet i shqetësuar për largimin e madh të të rinjëve nga Shqipëria dhe Kosova, por shton se është në duart e politikanëve që t’i japin fund kësaj dukurie.

“Po s’pati zhvillim ekonomik, nuk ka se si shqiptarët të mos largohen të marrin rrugët e mërgimit. Zhdukja e korrupsionit është problem i vetëm, që do t’i jap zgjidhje edhe problemit ekonomik…”

“…E shihni këtë vend këtu, nuk dua ta bëj shembull që shqiptarët të largohen nga Shqipëria se ka Amerika ose Evropa mrekulli. Mrekullia për mua dhe lumturi në jetë është të jesh në Shqipëri, në vendin tonë, që është një vend i bekuar”. 

Veç këtyre çështjeve, zoti Bardha thotë se shqiptarët nuk duhet të lënë mënjanë çështjen e bashkimit.

“Kam dhe një ëndërr, nuk e di nëse unë do t’a mbërrij ose jo, që Shqipërinë etnike, të mos e harrojmë. Që Shqipëria dhe Kosova një ditë duhet të bashkohen”, përfundon ai.

Filed Under: Interviste Tagged With: Ekrem Bardha-Thirrje shqiptarve-Mos e braktisni Shqiperine

KUR KISHA ORTHODOKSE SHQIPTARE SHKEPUEJ NGA KISHA GREKE

December 12, 2019 by dgreca

Histori shqiptare ne shtypin francez/

LE TEMPS (1921) / KISHA ORTODOKSE SHQIPTARE, ME INICIATIVË TË FAN NOLIT, ËSHTË SHKËPUTUR NGA AJO GREKE

Kisha shqiptare, pas atyre rumune, serbe dhe bullgare, bëhet kombëtare dhe shkëputet nga patriarkana e Fanarit.”…/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Dhjetor 2019/

“Le Temps” ka botuar, të premten e 2 shtatorit 1921, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me shkëputjen e kishës ortodokse shqiptare nga ajo greke, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Kisha shqiptare ndahet nga ajo greke

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Na shkruajnë nga Korça :

“Lëvizja separatiste fetare në Shqipëri e udhëhequr nga imzot Fan Noli, president i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, sapo mori formë.

Kisha shqiptare është shkëputur nga ajo greke dhe ky lajm, i shpallur nëpërmjet një manifesti, është përshëndetur me entuziazëm nga popullsia ortodokse.

Kisha shqiptare, pas atyre rumune, serbe dhe bullgare, bëhet kombëtare dhe shkëputet nga patriarkana e Fanarit.”…

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja- Le Temps-Kisha shqiptare- Noli-Kisha Greke

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT