Fjala e Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z. Dritan Mishto mbajtur në mbledhjen e zgjeruar të Kryesisë më 11 Dhjetor 2019./
Të nderuar anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit të Federatës!
Të dashur vatranë!
Siç e dini, viti 2019 shënon edhe përfundimin e mandatit tim si Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, i zgjedhur me një shumicë të cilësuar në Kuvendin e vitit 2017, i pari kuvend pas dekadash të tëra, në të cilin kandidatët paraqitën platformat e tyre duke marrë besimin e delegatëve në formën më transparente. Ky besim i madh i vatranëve, më ka qëndruar gjithmonë si “shpata e Demokleut” duke më shtyrë drejt maturisë dhe përkushtimit në përmbushjen e kësaj detyre të lartë shoqërore dhe vullnetare.
Dua të falenderoj nga zemra dhe të shpreh mirënjohjen time të thellë për punën tuaj të mirë dhe bashkëpunimin, që kemi pasur. Dua të përulem me nderimin më të madh edhe përpara vatranëve të të gjithë epokave, për sakrificat e tyre deri në vetëmohim në dobi të Federatës sonë, Shqipërisë dhe kombit.
Këto dy vite, Federata Pashqiptare e Amerikës Vatra ka njohur rritje të dukshme. Pas Kuvendit 2017, Kryesia ka pasur në përbërjen e saj një gërshetim brezash të ndryshëm, por me të njëjtin përkushtim për përmbushur objetivat e marra përsipër. U ruajt pothuaj e pandryshuar përbërja e anëtarësisë së Këshillit të Vatrës, jo vetëm si vlerësim për punën e mëparshme të anëtarëve të këtij Këshilli, por edhe sepse gjithnjë kam këmbëngulur që Këshilli i Vatrës duhet të ketë autoritet mbi Kryesinë. Në çdo rast kundërshtie, Këshilli do të ishte i painfluencuar nga kryesia e re, pasi kishte përbërjen e mëparshme. Sjellja e Kryesisë dhe profesionalizmi i të dy strukturave bëri që gjatë kësaj periudhe të ketë bashkëpunim të shkëlqyer, duke ruajtur stabilitetin e Federatës sonë. Ndjehem mirë që të gjitha vendimet dhe sugjerimet e Kryesisë kanë gjetur miratimin e Këshillit dhe anasjelltas.
Për herë të parë, Kryesia dhe Këshilli i Federatës miratuan formimin e Komisionit për Garantimin e Kanunores, si një organ që ishte dhe mbetet gardiani i rregullave të funksionimit tonë. Ky Komision, me një përgjegjësi të lartë po përfundon detyrën e ngarkuar për rishikimet kanunore, një punë e lënë e papërfunduar prej vitesh, me synimin që t’i japë Federatës Vatra një përshtatje sa më të plotë me kuadrin bashkëkohor të funksionimit të organizatave vullnetare.
Në një kohë të shkurtër ne arritëm të afrojmë rreth Vatrës mjaft të rinj dhe mbështetës. Figurat më të njohura të artit shqiptar në nivel ndërkombëtar vizituan Vatrën. Aktivitetet e Federatës VATRA dy vitet e fundit kanë qenë me pjesëmarrjen më të lartë të shënuar ndër vite, gjë që na ka mbushur me gëzim. Vatra po lëviz dhe po rimerr prestigjin e dikurshëm. Festimet e 106 vjetorit dhe 107 vjetorit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA ishin me motot: “Vatra nuk është Politike – Vatra është Mbipolitike” dhe “Jam vatran se jam shqiptar / jam shqiptar se jam vatran”. Ditëlindjet e Vatrës duhen festuar gjithmonë, siç e vendosëm këto dy vjet ashtu le ta vazhdojmë, sepse ato na ndërgjegjësojnë gjithnjë e më shumë për kujdesin që duhet të tregojmë për shëndetin e Federatës sonë të dashur.
Filluam të kërkojmë grupet e hershme të emigrantëve vatranë dhe e nisëm me rivendosjen e kontakteve me zagoritët gjirokastritë, ardhja e të cilëve në selinë e Vatrës ishte emocionuese.
Federata jonë ka tashmë një kategori nderimi të veçantë për anëtarët e saj, të cilët vazhdojnë të jenë aktivë: “50 vjet anëtarësi” duke përbërë diçka të rrallë edhe për organizatat amerikane. Gjithashtu, ndonëse drejtues të rinj, ne vendosëm të nderojmë figura të njohura të komunitetit tonë, njerëz me reputacion dhe kontribut prej dekadash për çështjen tonë kombëtare, të cilët duhet të ishin nderuar prej kohësh si: Prof. Sami Repishti, Prof. Nicholas Pano, Dr. Elez Biberaj, z. Ekrem Bardha, ish sekretari i Vatres-shkrimtari Naum Prifti etj.
Figura të nderuara të nacionalizmit shqiptar kanë qenë pjesë e aktiviteteve tona, si akademia për Hysni Lepenicën apo aktivitetet në nderim të Mid’hat Frashërit, për të cilin u krye edhe rivarrimi në Shqipëri. Federata VATRA shprehu publikisht qëndrimin e saj se Mid’hat Frashëri duhej të sillej në atdhe i plotë dhe jo i cunguar, si edhe të mos përdorej për qëllime politike. Rivarrimi i tij vetëm si Lumo Skëndo, duke lënë në errësirë kontributin e madh patriotik, ishte dhe është për VATRËN, i papranueshëm. Qeveria Shqiptare duhej t’i paraprinte fushatës dhe debatit të gjerë intelektual për veprat dhe veprimtarinë e tij patriotike dhe të ndërmerrte nisma konkrete administrative në nderim të këtij personaliteti. Koha provoi qëndrimin e Federatës VATRA, që nuk pranoi të bëhej pjesë e fasadës qeveritare sepse edhe pas kaq kohësh akoma nuk kemi parë një qëndrim institucional në vlerësimin e kësaj figure, por një harresë të plotë.
Gjatë këtij mandati ne patëm fatin e rrallë të ishim dëshmitarë të festimit me madhështinë që meriton, të 110 vjetorit të Gazetës Dielli. Me këtë rast dua të shpreh respektim tim më të madh dhe të falenderoj publikisht në emër të Federatës Vatra, Editorin e Gazetës z. Dalip Greca, për punën e tij të shkëlqyer, mençurinë dhe durimin në drejtimin e saj. Ne arritëm të sjellim në gazetë pas kaq dekadash edhe Editoren për botimin në Anglisht Znj. Rafela Prifti, pasuese e denjë e Peter dhe Naum Priftit, së cilës dua t’i shpreh respektin tim më të thellë. Simpoziumi shkencor me pjesëmarrjen e studiuesve të njohur shqiptarë dhe amerikanë, nga Libraria e Kongresit Amerikan, evidentoi faktin që na bën vërtet krenar se Gazeta Dielli është sot gazeta më e vjetër e kombeve, që jetojnë në Amerikë dhe që vazhdon të botohet. Ndaj ne duhet ta ruajmë me fanatizëm këtë dhuratë të artë që na kanë dhënë koha: Gazetën Dielli.
Dihet se Federata Vatra ka trashëguar shumë libra, por nuk ka pasur një bibliotekë. Dua të falenderoj veçanërisht z. Idriz Lamaj dhe znj. Arjeta Ferlushkaj, të cilët profesionalisht arritën të ngrejnë bibliotekën e Vatrës, me një sistem bashkëkohor inventarizimi, regjistrimi dhe skedimi. Për herë të parë është kryer digjitalizimi profesional i koleksionit të numrave të Gazetës Dielli. Numrat e vjetër dhe të rinj, të ruajtur me fanatizëm ndër dekada tashmë janë kthyer në kopje elektronike dhe mund të përdoren lehtësisht.
Të dashur vatranë!
Periudha e drejtimit tim të Federatës Vatra përkoi me mandatin e dytë qeverisës të socialistëve në Shqipëri. Qeveria Socialiste Rama, në vlerësimin tonë mbetet një qeveri pinjolle fizike dhe shpirtërore e ish-diktaturës shqiptare. Shkeljet e të drejtave të njeriut në të gjitha format, lirisë dhe pronës janë kthyer tashmë në një sjellje normale qeveritare. Kriminalizimi i parlamentit dhe vjedhjet e hapura të financave publike nëpërmjet një sërë projektesh të dyshimta, të denoncuara publikisht edhe nga Zëri i Amerikës, po e varfërojnë dhe do ta zhysim akoma më shumë ekonominë në kolaps. Tërmeti i fundit në Shqipëri nxorri krejtësisht zbuluar paaftësinë e kësaj qeverie për të menaxhuar kriza të tilla, e cila shpërdorimet dhe mungesat buxhetore kërkon t’i mbulojë me donacionet e shteteve mike dhe ndihmat e shqiptarëve nga e tërë bota. Arroganca qeveritare socialiste arriti deri në daljen hapur kundër qëndrimeve të Qeverisë Amerikane, në disa votime në OKB, akt i cili befasoi dhe shqetësoi shqiptarët kudo në botë. VATRA e shprehu qëndrimin e saj në instancat më të larta të administratës amerikane dhe argumentoi rrezikshmërinë dhe pasojat e veprimeve të tilla nga ana e Kryeministrit Rama. Edhe në takimin e fundit në Departamentin e Shtetit, në Shtator 2019, takim i cili hapi një faqe të re në marrëdhëniet e Federatës Vatra me Departamentin e Shtetit pas disa dekadash, ne paraqitëm shqetësimet tona për situatën në Shqipëri. Gjithashtu i jam drejtuar personalisht Presidentit Trump me një letër ku e kam cilësuar Qeverinë Socialiste Rama si një qeveri me mentalitet totalitar, të korruptuar dhe të lidhur me trafikun e narkotikëve, dhe duke i kërkuar kësisoj Z. Trump kthimin e vëmendjes ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dashuria e shqiptarëve për Amerikën duhet mbajtur gjallë dhe duhet ushqyer edhe duke rritur vëmendjen amerikane ndaj shqiptarëve.
Për këto arsye ne shpallëm në vitin 2018 në Vatër “Strategjinë për Mbrojtjen dhe Thellimin e Marrëdhënieve Shqiptaro – Amerikane” gjatë publikimit të librit më të fundit të studiuesit të mirënjohur Frank Shkreli. Kjo strategji konsiston në një rol aktiv të VATRËS për mbajtjen gjallë të këtyre marrëdhënieve, pavarësisht qëndrimeve të qeverive shqiptare, që për interesa të ngushta, në periudha të ndryshme kanë ndikuar në dobësimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona.
Gjatë vitit 2018 ne patëm një bashkëpunim të mirë me Autoritetin e Dosjeve nga Shqipëria. Gjatë këtij projekti mes Federatës Vatra, Autoritetit të Dosjeve dhe Zërit të Amerikës u arrit të sigurohen një sërë intervistash, histori të jetës dhe dëshmi, që tashmë janë depozituar në arkivën e Autoritetit të Dosjeve në Tiranë dhe i shërbejnë studiuesve. Po ashtu Federata Vatra mori konform legjislacionit Dosjen e Sigurimit të Shtetit, e cila për arsye studimore po shfrytëzohet nga Editori për botimin e librit të tij përmbledhës për Editorët e Gazetës Dielli ndër vite. Po ashtu ne kryem disa aktivitete në nderim të viktimave të komunizmit me pjesëmarrjen në aktivitetet vjetore të organizuara nga Fondacioni për Viktimat e Komunizmit dhe po ashtu në shtatoren e ngritur në Washington DC.
Të dashur vatranë!
Si gjithmonë, Vatra ka ndjekur me vëmendje shqetësimet kombëtare që vinin nga të gjitha trojet shqiptare, pas asnjë dallim. Jemi shprehur haptazi kundër bisedimeve Kosovë – Serbi për rishikimin e kufinjve, si një strategji e rrezikshme, që mund të vinte në pikëpyetje procesin e njohjeve të Repulikës së Kosovës dhe një precedent i rrezikshëm në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Konsolidimi i shtetit dhe jo vënia në dyshim e tërësisë territoriale të tij është rruga e vetme e Kosovës si shtet i sigurtë. Federata Vatra ka kërkuar me forcë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Vatikani, gjatë vizitës që Nunci Apostolik i Vatikanit në Shqipëri zhvilloi në selinë tonë.
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe ardhja në krye të Parlamentit të një politikani shqiptar është padyshim një arritje, por jo më e madhja dhe as e mjaftueshme. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë akoma punë për të konsoliduar bashkëpunimin, si mundësia më e mirë për të rritur faktorizimin e tyre në shoqëri dhe politikëbërje.
Në Malin e Zi, politika shqiptare shënoi një arritje të madhe, fitoren në Komunën e Tuzit, si pasojë e bashkimit të subjekteve politike dhe vetë elektoratit shqiptar, gjë e cila përbën një sinjal dhe mesazh të qartë për të gjithë shqiptarët, kudo qofshin.
Është një zhvillim pozitiv rritja e vëmendjes ndaj çështjes çame, gjë që tregon nevojën për më shumë diskutim dhe zgjidhje të saj. Unë përsonalisht jam i mendimit se çështja çame, si një plagë e dhimbshme duhet trajtuar me kujdes, mençuri dhe dashuri. Duhet trajtuar me kujdes sepse kërkimet më të fundit po tregojnë gjithnjë e më shumë afrimin genetik mes shqiptarëve dhe grekëve. Duhet trajtuar me mençuri sepse prej shekujsh shqiptarët, apo të njohur si arvanitasit, kanë jetuar dhe jetojnë në Greqi, duke u pasuar tre dekadat e fundit edhe me qindra mijëra shqiptarë, mes të cilëve ka një numër të lartë martesash mikse, me lindjen e dhjetëra fëmijëve shqiptaro-grekë dhe greko-shqiptarë. Duhet trajtuar me dashuri sepse me kaq shumë ura lidhëse, vetëm një marrëdhënie e mirë dhe e afërt mes dy vendeve dhe popujve do të lehtësojë zgjidhjen e çështjes çame. Dashuria mes popujve tanë duhet t’i paraprijë qëndrimeve të qeverive, të cilat kur bien në duar të gabuara dhe dritëshkurtra shkaktojnë tragjedi. Faktet historike tregojnë se marrëdhëniet shqiptaro – greke kanë njohur përkeqësim të dukshëm pas pushtimit të Ballkanit nga Perandoria Osmane dhe është detyra e çdo shqiptari të mirë të dalë mbi këtë mentalitet përçarës oriental.
Të dashur vatranë!
Gjatë drejtimit të Federatës ruaj si një nga momentet më të bukura të jetës vizitën e delegacionit tonë në Kishën Orthodhokse të Shën Gjergjit në Boston. Kjo vizitë shënoi edhe nisjen e aktiviteteve për kremtimin e 110 vjetorit të gazetës Dielli. E ku më mirë se tek Kisha e Nolit do të mund ta nisnim një aktivitet të tillë? M’u dha mundësia që të isha i pari kryetar i Federatës Panshqiptare VATRA, të ulem në karrigen dhe tryezën e punës së Fan Nolit. Gjithashtu pata rastin të bisedoj konfidencialisht me At Artur Liolin pikërisht në zyrën e Nolit, hyrja në të cilën i nënshtohet një protokolli të veçantë dhe për afro gjysëm orë zhvilluam në këtë zyrë të shenjtë një bisedë sa shpirtërore aq edhe tokësore, për të shkuarën dhe të ardhmen. Me këtë rast dua të falenderoj publikisht At Artur Liolin për gjithë respektin dhe bashkëpunimin! Zoti e bekoftë!
Të dashur anëtarë të Kryesisë, të Këshillit dhe të Degëve!
Gjithmonë kam qenë i hapur ndaj sugjerimeve e kritikave dhe mendoj se Federata VATRA nuk ka pasur ndonjëherë demokraci të brendshme më shumë sesa kësaj periudhe. Kam ndjekur gjithmonë konceptin filozofik platonian: E pyetën Platonin se cila është zgjidhja kur të bëjnë kritika? – Shqyrtoji kritikat me dashuri, u përgjigj Platoni. Po kur të kritikojnë ashpër? – Sërish shqyrtoji me dashuri. Po kur shpifin, intrigojnë, sulmojnë në mënyrat më të ulëta, çfarë duhet të bëjmë Platon? – Atëherë duhet të shtosh dozën e dashurisë.
Federata VATRA sot është një stad më lart se dje. Nesër do të jetë një stad më lart se sot. Kështu Vatra jonë e dashur forcohet gjithnjë e më shumë. Kryetarët e Vatrës janë të gjithë kalimtarë, përveç Nolit e Konicës, të cilët shërbejnë për vatranët e mirë si modeli i vendosjes së dashurisë mbi urrejtjen, përunjësisë mbi arrogancën dhe argumentit mbi forcën e injorancës.
E kam shprehur edhe më parë në mbledhjet e strukturave tona, edhe në mbledhjen e Këshillit që në Mars 2018, se unë nuk do të rikandidoj për postin e kryetarit të Federatës Vatra me arsyen e vetme se qarkullimi i elitës drejtuese e shëndosh strukturën tonë. Noli e Konica e kanë përcaktuar drejt në Kanunoren e Vatrës, duke vendosur mandat afatshkurtër për kryetarin. Kjo është bërë pikërisht për të qarkulluar elitat drejtuese dhe jo që kryetarët të qëndrojnë me vite të tëra në drejtim, pa sjellur asnjë dobi. Çdo kryetar, duke e konsideruar këtë detyrë vullnetare si një përgjegjësi dhe jo si një privilegj, duhet të përmbushë mandatin e tij kohor duke dhënë sa më shumë dhe jo të mendojë se si të rizgjidhet. Ashtu siç nga ana tjetër, askujt nuk mund t’i shkojë ndër mend që Kryetari i Vatrës do të mund të largohet jashtë dëshirës së tij, përpara mbarimit të mandatit, si pasojë e sulmeve, shpifjeve dhe inskenimeve.
Ndaj, ndonëse me mbështetjen unanime të Kryesisë, të shumicës së cilësuar të Këshillit, të Degëve dhe të Anëtarësisë, duke falenderuar përzemërsisht secilin prej jush, pas plotësimit me sukses të mandatit tim, ju përsëris vendimin tim e parevokueshëm për të mos rikandiduar.
Si një ndër kryetarët e rradhës të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, jam i kënaqur kur shoh se Federata Vatra dhe Gazeta Dielli mbesin autoriteti më i lartë moral i botës shqiptare dhe të vendosura të mbajnë në supe peshën e rëndë që u ka vënë historia mbi shpinë, për të dërguar çështjen shqiptare drejt destinacionit të zgjidhjes së plotë. Jam i bindur se vatranët do të ecin përpara me ritëm të shpejtë, pa e ndalur hapin dhe do të vazhdojnë të bëjnë punë të mira, sepse gara jonë nuk është me të shkuarën. Gara jonë është me atë që na kërkon koha. Me të ardhmen!
Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA!