• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2020

Dy javë kohë për Albin Kurtin pas Dekretit të Presidentit…

January 21, 2020 by dgreca

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka afat prej dy javësh që ta formojë Qeverinë e re të Kosovës, kryeministër i së cilës do të ishte ai ose në të kundërtën, mbetet në diskrecionin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, se kush do të jetë mandatari i dytë për formimin e qeverisë së re, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Pas propozimit të Albin Kurtit si mandatar për kryeministër të ri të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe dekretimit të këtij propozimi nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të cilin ky i fundit e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës, të hënën, ka nisur rrjedhja e afatit të parë ligjor prej 15 ditësh, për krijimin e qeverisë së re të vendit.

Thaci shkroi ne fb: Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. HTH

Marrë parasysh tentativat e deritashme të pasuksesshme për krijimin e një koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas njohësve të zhvillimeve politike, gjatë dy javëve të ardhshme priten skenarë të ndryshëm për gjetjen e një zgjidhjeje për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që vendi t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme.

Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që gjatë 15 ditëve të ardhshme, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mund të synojnë sërish që të konkretizojnë një marrëveshje për koalicion qeverisës. Në të kundërtën, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje mund të propozojë një qeveri të pakicës nga ana e saj, me shpresën që t’i marrë 61 vota në Kuvendin e Kosovës për të nisur mandatin qeverisës.

“Nëse brenda këtyre 15 ditëve nuk e kemi një marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së për një koalicion dhe e dyta, ku qeveria Kurti, e pakicës, nuk do t’i merrte votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, atëherë shkojmë të skenari i tretë. Ky ka të bëjë me mandatarin e dytë, që e parasheh Kushtetuta e Kosovës, në kuadër të së cilës i mbetet një rol më aktiv dhe më i përfshirë i presidentit të Republikës, ku me anë të Kushtetutës do t’i jepet mandati partisë, të cilën e vlerëson presidenti i vendit se do të mund të formojë qeverinë”, ka thënë Krasniqi.(Evropa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti-Presidenti Thaci- 2 Jave kohe

“KUSH KUJDESET PER TE MJERIN”

January 21, 2020 by dgreca

“KUSH KUJDESET PER TE MJERIN” SIPAS PATER PAULIN MARGJOKAJ OFM, FRATI PUKJAN NË REVISTEN JETA KATHOLIKE SHQIPTARE /

SHKRUAN: LEONORA LAÇI/

Ishte viti 1966 kur nisi rrugëtimin buletini Jeta Katholike Shqiptare, dhe mblodhi rreth saj intelektualët e shpërndarë nëpër botë, por duke u përqendruar më shumë tek botime të karakterit fetar, duke pasur parasysh që në Shqipëri në këtë kohë nuk lejoheshin buletinët fetar. Themelues të saj pati Mons. dr. Zef Oroshin që nuk u ndal me kaq, pasi gjeti mbështetjen morale dhe materiale tek komuniteti shqiptar që endej mes shumë vështirësive të jetës së përditshme, pak vite më vonë u hodhën dhe themelet e kishës së parë katolike shqiptare në SHBA. Jetëgjatësia e kësaj reviste i kaloi parashikimet fillestare të botuesit, dhe dita-ditës u përfeksionua me emrat më të njohur të letrave shqipe të kohës.

  Artikujt janë mjaft të vlefshëm jo vetëm për kohën kur shkruan Patër Paulin Margjokaj OFM, por edhe për të sotmen, na evidentohet ajo që ne shpesh e harrojmë, dhe jepemi pas materiales dhe pangopësisë për të pasur më tepër, dhe dalngadal zhveshemi nga vlerat reale njerëzore; ekzistenca, mirënjohja, lumturia, dashuria dhe shkojmë drejt mjerimit shpirtërorë, e bëhemi më të mjerë se të mjerët.

 Ai na sjell përpara nesh njerëzit që janë sakrifikuar dhe kanë lënë shenjën e vet në historinë e krishtërimit e të njerëzimit, po ashtu ai e fillon artikullin duke hedhur poshtë me fakte veprimtarinë e komunistëve që rrihnin gjoksin fortë për përpjekjet e tyre për të lehtësuar jetën të varfërve dhe se mbaheshin si flamurtar të shtresës së varfër, po shkëpus një fragment nga artikulli i parë i tij në Revistën Jeta Katholike Shqiptare: “Me u vû e me pershkrue shka Kisha ka bâ per të vorfnin e per të smundin, per puntorin e per njerz e lanun mbas doret, do të lypeshin libra të trashë. Na duem nder kto pak faqe me prû vetem disá nder ata mâ të permendunt njerz qi me veprimin e tyne u dalluen veçanerisht në shekullin e XIX-të. Ky âsht shekulli në të cilin ká jetue Marksi, ai ká lé në 1818 e ká vdekë në 1883.A thue pernjimend Marksit i ka plasë shpirti e zembra tue pá mjerimin e njerzvet, nuk do t’a shkoqisim tashti. Na pernjiherë duem me prû vetem êmnat e atyne njerzve qi kan jetue në kohë të Marksit. Njerz qi sigurisht Marksi i ká njoftë apor nemose i ká ndie tue i permendë veprat e tyne të jashtzakonshme. Na i kemi zgjedhë emnat e njerzve prej atyne vendeve kû Marksi ka jetue e ká veprue.”

Artikujt nën titullin “Kush kujdeset per te mjerin” janë botuar në disa numra të revistës në vitin 1967 numri 3 dhe 4, ndërsa në vitin 1968, nr 1. Ai sjell përpara nesh njerëzit që kanë kontribuar për të varfërit dhe emrat e tyre që janë bërë frymëzim për popujt.  Këtu përmenden si; Adolf Kolping, Wilhelm Emmanuel Ketteler, Antoine-Frédêric Ozanam etj.

“Kush kujdeset per te mjerin”- Dr. Pater Paulin Margjokaj

Revista Jeta Katholike, viti 1967, nr 3

Ish-komunisti freng, Ignace Lepp, na thotë në librin e vet “Prej Marksit te Krishti” (perkthimi tedeshk dalë në Graz 1961) se as atij as shokvet të tij komunista, me të cilët jetoi e punoi per 10 vjet rresht, nuk u â asht thanë asnjiherë ndoj gjâ per shka Kisha ka bâ per të lehtësue mjerimet e njerzvet. Se Kisha Katolike ka zhvillue edhe nji doktrinë sociale të veten, as kurrkund me e ndie ndojherë nder kurset e veçanta qi atij e shokvet u dote me ndjehë tash e parë. Un kam pasë besue se Karl Marksi âsht kenë i pari qi âsht interesue pernjimend per fatin e proletarjatit”. Mbasi thotë kto fjalë, Lepp në faqe 343 vêhet e na ndjehë do êmna të famshme qi ai kurr nuk i kishte pasë ndie para se të fillonte me marrë msim per t’u kthye në fenë e Krishtit. Njerz kta qi shi në kohen e Marksit janë dá në shêj per perpjekjet qi ata bânë per të permirsue gjendjen e puntorit dhe, në pergjithsi, per të lenue mjerimet e njerzimit. Jo vetem Lepp, por sigurisht edhe shum prej nesh kanë pasë rasen me i ndie anmiqt e religjionit e të Kishës tue thanë qi vetem Marksi e shokët e tij komunistë kujdesen per të lanun e per të vorfen e per puntorë të shkretë.

Me u vû e me pershkrue shka Kisha ka bâ per të vorfnin e per të smundin, per puntorin e per njerz e lanun mbas doret, do të lypeshin libra të trashë. Na duem nder kto pak faqe me prû vetem disá nder ata mâ të permendunt njerz qi me veprimin e tyne u dalluen veçanerisht në shekullin e XIX-të. Ky âsht shekulli në të cilin ká jetue Marksi, ai ká lé në 1818 e ká vdekë në 1883.

A thue pernjimend Marksit i ka plasë shpirti e zembra tue pá mjerimin e njerzvet, nuk do t’a shkoqisim tashti. Na pernjiherë duem me prû vetem êmnat e atyne njerzve qi kan jetue në kohë të Marksit. Njerz qi sigurisht Marksi i ká njoftë apor nemose i ká ndie tue i permendë veprat e tyne të jashtzakonshme. Na i kemi zgjedhë emnat e njerzve prej atyne vendeve kû Marksi ka jetue e ká veprue.

Kto vende janë: Gjermanija, prej kah ishte Marksi, mandej Franca kû ka kalue do kohë e në fund Anglija kû Marksi kaloi gjysen e dytë të jetës së vet.

Na kemi me prû êmna njerzish jo vetem nga Kisha katolike, por edhe nga protestantizmi.

Fillojmë me Gjermani. Ktu kemi të bâjmë me dy njerz qi kan jetue shi në krahinen nga ishte ishte Marksi. Kjo krahinë âsht provinça e Renanjes ose krahina qi pershkohet prej lumit Ren.

I pari nder kta âsht Adolf Kolping, i lindun në vj.1813 dhe i vdekun në 1865. Rjedhte nga nji familje e numrueshme qi jetojshin me mëditje (paga e perditshme e puntorit). Ai nxuni mâ parë zanatin e këpuctarit. Qyshë i ri pat kshtu rasë jo vetem me e provue vetë se shka âsht vorfnimi, por edhe me e pá nder tjerë njerz skamin e fatin e mjerë. Mâ vonë, mbasi kapercei veshtrisi të mdhaja, kje i zoti të studjojë në gjimnaz dhe në shkollë të naltë e në vj.1845 u bâ meshtarë. Në qytetin Elberfeld (në Wuppertal) nji msues me êmen Breuer kishte pasë themelue në vj.1846 Shoqninë katolike të shegertavet. Kolpingu qi vjett e para të meshtarisë i kaloi n’Elberfeld si ndimës i famullitarit t’atjeshem, kaloi në vj.1849 në Koln. Shka kishte pasë pá e provue në Shoqninë e shegertavet t’Elberfeld, në të cilën vetë Kolpingu kje i dyti kryetar, ai e vijon edhe në Koln, kû me 6 mâj 1849 Kolpingu i vûni themelet Shoqnisë së shegertavet qi tash e mbas sotit u bâ nji organizatë e madhe qi, mbasi pat marrë pelqimin e Papës, u perhap në Gjermani, Svicer e Austro-Hungeri. Edhe nder Shtete të Bashkueme (St. Louis) pat kenë themelue qyshë në 1863 nji degë e Kolpingut të Gjermanisë. Zyrtarisht quhet kshtu kjo organizatë: Vepra e Kolpingut. Ktij i ká mbetë êmni: Baba i shegertavet. Në ket Shoqni katolike të Kolpingut bâjnë pjesë vetem burra. Progami i saj âsht:

Me e msue burrin puntuer të bâjë nji jetë plotsisht të krishtenë;

Të mbrrijë me u bâ mjeshter i vertetë në zanatin qi kâ zgjedhë;

Të bâhet nji babë i mirë familjet;

Të dahet në shêj si qytetas shembull në çdo pikpamje.

Tash per tash âsht e perhapun Shoqnija e Kolpingut nder kto vende: Gjermania, Austria, Svicer, Shtete të Bashkueme, Itali (Tirol i Jugut), Belgjikë, Holandë, Francë, Luksemburg, Kanadë, Brazil, Argjentinë, Venezuela, Afrikë Jugore e Australi. Në Poloni, Ungeri, Çekosllavaki, Rumeni e Jugosllavi janë mbyllë gjithëkund qandrat e Shoqnisë së Kolpingut.

Simbas statistikës së vj.1960 Shoqnija pershite 250 mijë vetë, të shperdamë nder 2800 shpija ase familje të Kolpingut. Nder kto qandrra mbahen kurse msimit per zanate të ndryshme, fjalime e diskutime mbi problemet socjale-politike, organizohen çfaqje shoqnore e sportive, bâhen mbledhje familjare etj. Shoqnija ka edhe nji shtyp të vetin e me tê mbahet lidhnija e të tana qandrrave të Kolpingut në mbarë boten.

Kolpingu do të ndjehet si nji nder prisa mâ të randsishme e katolicizmit socjal të shekullit të XIX-të. Ai âsht krijuesi i nji lëvizje shoqnore, ai na mson se kur njeri t’a ketë gjetë rrâjen në familje, ai ká per të marrë hov e per të perparue në zanatin e vet dhe ká per të naltue kshtu perherë e mâ fort popullin të cilit i perket.

Puna e dorës (puna fizike) âsht per Kolpingun e per dishepujt e tij jo vetem sigurimi i mjeteve të gjallnesës, po âsht edhe nji fuqi e lartë etike qi, e bashkueme me religjion, âsht e zoja të formojë persona me karakter e me ndergjegje të shndoshë. Po të kishin të tanë njerzit nji çmim aq të naltë per punë fizike si e kishte Kolpingu e po t’ishin të mbushun mendësh per letersinë etike të punës, sigurisht kishte per t’u hjekë shum mjerim prej botet. Nji tjeter prisë lëvizjes shoqnore të shekullit të XIX-të âsht kenë ipezhgvi Ketteler. Sypri patem të bâjmë me nji njeri nga nji familje e vorfen, tashti kemi para vedit nji qi rridhte nga nji shpi e pasun.

Wilhelm Emmanuel Ketteler u lind në Munster (Westfalen) në vj.1811 e vdiq në 1877. Mbasi kreu studjimet e nalta në Drejtsi, hini në punë shtetnore. Në moshen 30 vjeçare e ndau me marrë rrugë e meshtarisë. Mbasi kreu teologjinë në Munster, u shugurue meshtar në vj.1844. Vjetet e para sherbei si famullitar në Hopsten, në 1848/49 muer pjesë si deputat n’Asemblenë Kombtare të Frankfurtit. Në 1850 Papa Piu IX-të e emnoi ipezhgev në Mainz.

Ktu na flasim vetem per Ketteler në lidhje me çashtjen shoqnore. Jemi në nji kohë kur zhvillimi i teknikës kishte prû me vedi shndrrime të mdhaja në shoqninë njerzore. Pér t’a pá disi gjendjen e keqe t’atëhershme le të mendohet katunder minjere ose nder fabrika shtiheshin në punë edhe fmijët me moshë mâ pak se 10 vjeçarë dhe do të punohej si diten si edhe naten; 15 orë punë e mâ teper në ditë ishte gjâ e zakonshme. Qyshë i ri i kishte djegë zemra Ketteler tue i pá e tue i ndie kto të zeza të shoqnisë se rè industriale t’Europës Perendimore. Në Gjermani e shi në krahinën kû veprote Ketteler (qendra industriale Ruhr ndodhet ktu) kishte fillue të marrë hov mâ së fortit industrija. Në vj.1848 mbajti ai në kishen katedrale të Mainz predke permbi “çashtjet e mdhaja shoqnore të kohës së tashme”. Per Ketteler rrin në krye të vendit njeri. Nuk duhet prandej qi njeri të kaperdihet prej shtetit modern sido qi të duesh me e çuejtë ktê: absolutizem, monarki parlamentare, ekonomi liberale etj. Kundra ksilloj shteti Ketteler shei të vetmin pshtim per puntorë, qi ata të bashkohen a nder sindikata apo nder koporacjone ase tjera ksi soj bashksish qi të sigurojnë të drejtat puntorisë. Tue u bashkue, e ká puntorija mâ të lehtë me i qindrue shtetit kur ky merr me e konsiderue njerin si nji burmë të nji maqine e jo mâ tper. Nuk do të harrohen kto fjalë të forta të Ketteler: ”gjendja ekonomike e kohës së ré e çon puntorin në shkallë aq t’ultë, saqi atij i bâhet e pamundun me i mbajtë urdhnimet qi i vên Krishtênimi.” Çashtja shoqnore per ipezhgvin e madh ishte nji problem fetar.

Katteler e pau kjartë se puntorija pa ndimen e tjerve nuk mund të delte prej gjendjes së mjerueme. Inicijativa private ishte per tê edhe ajo e pamjaftueshme per t’a zgidhë si duhet çashtjen. Prandej në vj.1869, në nji fjalim të madh qi mbajti, theksoi ai detyren qi ká shteti me çpallë ligjë përkatse per mprojen e puntorisë. Natyrisht edhe tjeret do të jepshin ndimen e vet per ket gjâ: jo vetem kisha, por edhe personat privat ai edhe shoqnitë jo-shtetnore. Si pak perpara u pa, Ketteler e njifte mirë rrezikun qi mund të paraqesë nderhymja shtetnore per lirinë e njerit; me gjith atê perpá pasë ligjë të kjarta nga ana e shtetit, nuk mund të ndreqej si duhet çashtja e puntorisë.

Idetë e mendimet e Ketteler i pat bâ të vetat partija katholike e shtetit t’athershme gjerman, qi quhej “Centrum”. Edhe mâ vonë ká vijue kjo parti t’i ketë msimet e ipezhgvit të Mainz si bazë në veprimtarinë e vet shoqnore. Ligja per mprojen e puntorisë qi kje pranue me 6 mâj 1891 në parlamentin gjerman, rridhte sigurisht nga doktrina e Ketteler. Papa Leoni XIII-të ka shti shum mendime të tijat n’ençikliken e vet shoqnore “Rerum Novarum” qi pat çpallë me 15 mâj 1891. Asht kenë vetë ky Papë qi e ka quejtë Ipezhgvin e Mainz “grand prédécesseur” (para-arrdhës të madh të vetin).

Tue mos mujtë me shkue mâ gjatë, po bimë vetem ndoj êmen tjeter nga bota tedeshke, asish qi në mndyrë të veçantë u dalluen në lamen shoqnore. Njani âsht Karl Vogelsang, i lindun në 1818 në Gjermani, në fillim protestant, mâ vonë (qysh në 1850) katolik, qi jetoi n’Austri e vdiq në Wien në 1890. Tjetri âsht Princi Alois Liechtenstein, i lindun në 1846 e vdekë në 1920. Të dy kta si edhe dy austriakët Lueger e Schindler luejten pjesen mâ të randsishmen në lëvizjen kristjano-socijale n’Austri. Mâ vonë kemi per të pasë rasë t’a permendim prap Ketteler. Tash njiherë po ndalemi ktû. Në numrin e ardhshem do të kalojmë në Francë, per të pá atje njerz tjerë qi u interesuen per të permirsue gjendjen e shoqnisë njerzore.

Filed Under: Fejton Tagged With: Leonora Laci-Jeta Katholike

Joseph DioGuardi, Presidentit Pavlopulos: Griseni këtë Dekret Mbretëror!…

January 21, 2020 by dgreca

15 Janar 2020/
I nderuar Presidenti Pavlopulos,/

Emri im është Joseph DioGuardi. Unë jam një ish anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA (përfaqësues nga Nju Jorku) dhe themeluesi e Presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, një organizatë e regjistruar në SHBA që promovon të drejtat e njeriut të shqiptarëve në Evropën Juglindore si dhe marrëdhënie të forta me Shtetet e Bashkuara.

Paraardhësit e mi e kanë origjinën nga një fshat i vogël shqipfolës, Greçi, në provincën Avellino, Itali. Ata i përkasin pakicës Arbëreshe në Itali, më saktë nga një batalion i ushtrisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut që i dha ndihmë të rëndësishme ushtarake Mbretit të Napolit në Shekullin XV dhe që prej atëherë u vendosën atje.

Grekët dhe Shqiptarët janë popujt më të vjetër në Gadishullin Ballkanik. Ndjenjat e tyre të miqësisë dhe lidhjeve të përbashkëta janë shekullore. Ngjashëm me popullin arbëresh të Italisë, Arbërorët ose Arvanitët e Greqisë kanë dhënë një kontribut thelbësor në Revolucionit të 1821 dhe në themelimin dhe zhvillimin e Greqisë Moderne. Pakicat tona përkatëse sot përbëjnë një urë të fortë miqësie të ndërsjellë, të vazhdueshme dhe të sinqertë.

Për fat të keq, ndërsa i afrohemi 75 vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore, Dekreti grek Nr. 2636/1940 për Statusin e Luftës me Shqipërinë mbetet akoma në fuqi si një relike absurde e asaj Lufte dhe një pengesë e madhe midis shteteve të Greqisë dhe Shqipërisë [shiko dokumentin bashkëlidhur, ribotuar nga shtypi lokal].

Siç e dini, Shqipëria humbi pavarësinë dhe sovranitetin e saj pasi Italia pushtoi vendin ushtarakisht më 7 Prill 1939. Sunduesi i ligjshëm i Shqipërisë, Mbreti Zog, drejtoi një rezistencë simbolike dhe u detyrua të largohej nga vendi së bashku me gruan e tij amerikano – hungareze dhe djali i tyre 2 ditësh. Ndërsa Presidenti Ruzvelt nuk e njohu kurrë pushtimin e Shqipërisë, fqinjët e saj nuk lëvizën as gishtin për të mbështetur rezistencën e Shqipërisë kundër Italisë Fashiste.

Ne e dimë nga historia se Italia shpalli luftë kundër Greqisë në Tetor 1940, e ndjekur nga një deklaratë e ngjashme e qeverisë kukull të Shqipërisë së okupuar, e cila nxiti deklaratën reciproke të Greqisë dhe rezistencën heroike të popullit grek. Por, në sytë e Ligjit Ndërkombëtar, çdo shpallje lufte nga një vend i okupuar, siç është Shqipëria, kundër çdo vendi të tretë është e pavlefshme dhe pa asnjë efekt.
Në mënyrë të ngjashme, në dhjetor 1941 Qeveria italiane shpalli luftë kundër Shteteve të Bashkuara, dhe kështu bëri edhe qeveria bashkëpunëtore shqiptare.

A do të thotë kjo që Shtetet e Bashkuara ishin de jure në luftë me Shqipërinë në 1941, dhe për pasojë, a është de jure tani në luftë?

Unë po sjell në vëmendjen tuaj pozitën parimore të qeverisë amerikane që shpreh:

“Aneksimi i Shqipërisë nga mbretëria italiane nuk është njohur kurrë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara. Qeveria e kukullave e Shqipërisë i shpalli luftë Shteteve të Bashkuara më 17 dhjetor 1941. Shtetet e Bashkuara nuk i kanë shpallur luftë Shqipërisë” *
Z. President, me sa di unë Greqia nuk i ka mbajtur premtimet e saj për Shqipërinë për shfuqizimin e këtij Dekreti. Në të vërtetë, rifillimi i marrëdhënieve dypalëshe greko-shqiptare në vitet 1970 ishte parakusht për një hap të tillë. Gjithashtu me sa kuptoj unë, Qeveria e Shqipërisë ka kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë të përsëritur shfuqizimin e këtij Dekreti. Ish Presidenti i Shqipërisë Prof. Dr. Rexhep Meidani e ngriti këtë çështje edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB në SHBA në Shtator 2000. Duket se Presidenca greke ka bllokuar një veprim të tillë kaq të domosdoshëm dhe të tejzgjatur.

Me respekt po ju tërheq vëmendjen se Ligji grek për Statusin e Luftës me Shqipërinë, si një shkelje e ashpër e së drejtës ndërkombëtare, përbën një shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara, sepse në thelb ajo minon “paqen dhe sigurinë”. 1, Neni 1. Qëllimi] dhe indirekt përbën “një kërcënim … kundër tërësisë territoriale” të Shqipërisë [Nyja 2.4, Parimet].

Shfuqizimi i këtij Dekreti është një çështje urgjente me rëndësi jetike për popullin e Shqipërisë dhe për paqen dhe sigurinë në Evropën Jug-Lindore, dhe nuk mund të zgjidhet përmes “negociatave”, ndonjë “marrëveshje pakete” ose ndonjë programi shkëmbimi të diçkaje që kërkohet për diçka tjetër.

Nga ju, si President i Republikës miqësore greke, kërkohet një hap i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: të shfuqizohet ky ligj menjëherë, pa kushte dhe ex tunc, d.m.th në mënyrë retroaktive dhe sikur të mos ketë ekzistuar kurrë që nga dita e hyrjes në fuqi të tij.

Ky do të jetë një kontribut i madh për miqësinë e lashtë midis dy popujve tanë, për paqen dhe stabilitetin në Evropë, dhe me siguri do t’i tregojë botës se Greqia me të vërtetë respekton të drejtën ndërkombëtare, siç pretendon ajo.

Do ju kujtohet, zoti President, atë që i tha Presidenti ynë i madh Ronald Reagan Presidentit të BRSS në Berlin në 12 qershor 1987: “Z. Gorbaçov, SHEMBE KËTË MUR”.

Pa dashur të bëj ndonjë krahasim me personalitete kaq të mëdha, lirisht dhe publikisht i bëj Shkëlqesisë tuaj një thirrje të ngjashme historike:

“Z. Pavlopoulos: GRISENI KËTË DEKRET MBRETËROR”.

Populli i Greqisë dhe Shqipërisë e meritojnë atë, dhe ata e meritojnë atë tani.

Me urimet më të mira për Shkëlqesinë Tuaj dhe popullit grek për një vit të mrekullueshëm dhe Gëzuar Vitin e Ri 2020.

Me respekt,

Joseph J. DioGuardi

Në dijeni:
H.E. Ilir Meta, President of the Republic of Albania
Honorable Mike R. Pence, Vice President of the United States of America
H.E. Edi Rama, Prime Minister of the Republic Albania
Hon. Besiana Kadare, Permanent Representative of the Republic of Albania to the U.N.
Hon. Floreta Faber, Ambassador of the Republic of Albania to the United States

*Procesverbali i Departamentit të Shtetit në lidhje me Punët e Brendshme të Shqipërisë, 1910 —1944, Administrata e Shërbimeve të Arkivave Kombëtare, Letra e Paul T. Culbertson, Ndihmës-shefi i Divizionit të Çështjeve Europiane, 9 nëntor 1942, 875.01 / 426

Filed Under: Editorial Tagged With: DioGuardi-Pavlopulos-Dekreti

Morton F.Eden, miku besnik i Kongresit të Lushnjës

January 21, 2020 by dgreca

Nga Petro LUARASI/ Morton F.Eden, miku besnik i Kongresit të Lushnjës.   Është nder e kënaqësi e veçantë të shlyesh një detyrim të hershëm për një personalitet, për më tepër një anglezi,  që iu gjend përkrah Shqipërisë sonë hallemadhe në periudha  të vështira, madje duke e vuajtur rëndë ndihmën e tij bujare.  Ky libër, vijon atë të botuar në pragun e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,  kur  përfaqësuesit më të lartë të republikës kërkojnë me këmbëngulje studimin, publikimin  e saktë të historisë kombëtare, vlerësimin si duhet të   ngjarjeve kulmore të saj  dhe nderimin e  personaliteteve  kontribues  shqiptarë e të huaj.

       Krahas  Atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit, i cili ngrehu sërish pas  shekujsh robërie  simbolin kombëtar, flamurin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,    synohet  të ndriçohen, siç e meritojnë, veprimtaritë e qindra atdhetarëve të shquar,  nga  tërë trevat etnike shqiptare e diaspora, të cilët me sakrifica e therrori të tejskajshme programuan, përgatitën dhe realizuan dëshirën  shumëshekullore të popullit shqiptar për pavarësi. 

Gjithashtu  synohet të njihen dhe të vlerësohen edhe të gjithë ata që kontribuan për ideimin, themelimin,  ndërtimin dhe forcimin e shtetit sovran shqiptar.

Në këtë përvjetor  historik,  kombi shqiptar  ka rastin të tregohet fisnik me  mirënjohjen dhe   nderimin e tij  kundrejt miqve   të shquar të huaj, të cilët me përkushtimin e tyre e ndihmuan  të rilindë duke mbrojtur e shpallur vlerat e tij, përkundër përfoljeve e lakmisë së armiqve shovinistë. Atyre ua  ka më të madhin borxh, jo vetëm për  t’i përmendur, por  dhe për  t’i vlerësuar siç e meritojnë.

Në vargun e  miqve të shquar të huaj, përkatësisht atyre anglezë, prej Lord Bajronit deri  tek shqiptarofilët e mirënjohur Hebrey Herbert  e Mary Edith Durham, meriton nderimin e shqiptarëve  edhe Morton F. Eden.

Morton Frederick Eden (16 qershor 1865 – 2 janar 1948) qe djalë i vetëm  i  familjes fisnike britanike të   Charles Calvert Eden dhe Cecile Freiin von Sinner, të cilët patën edhe vajzat Evelyn e  Violet. Mbas arsimimit të përgjithshëm, ai ndoqi traditën familjare duke iu përkushtuar   karierës në fushën e shërbimit ushtarak dhe  informativ.

Në vitin  1889 u caktua të shërbente në Australi ku  për 25 vjet  u  dallua si  eksplorues i trevave të virgjëra të kontinentit.

Udhëtimet plot aventura e vëzhgime të rëndësishme që ngërthehen në  rajone të gjera në jug e lindje të Australisë, në Tasmani, Hong-Kong e SHBA, përgjatë periudhës 1890-1940,  i  ka përshkruar  në ditarin e tij i cili gjendet në dorëshkrim në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Australisë.  Kjo  lëndë e ka frymëzuar  shkrimtarin Jim Barrett  për të shkruar librin mbresëlënës “The first bushwalker: the story of Fred Eden” ( “Eksploruesi i parë: historia e Fred Eden”)

Ndërkohë, si ushtarak, Morton F. Eden mori pjesë në luftën e Boerëve.

Në mesin e vitit 1915, ai u caktua në vartësi  të shtabit të përgjithshëm  të forcave aleate me qendër në Selanik. Si anëtar i stafit të Misionit Britanik u ngarkua  për të ndjekur   ngjarjet   në Shqipëri deri në nënshkrimin e  armëpushimit mes palëve ndërluftuese. Në vitet 1916-1919 veproi në Korçë   si agjent i shërbimit anglez Inteligence Servic dhe në periudhën 1919-1920  u gjend në stafin e Gjeneral Phillips-it, komandant i  trupave angleze në përbërje të forcave aleate me qendër në Shkodër.

Për aktivitetin e gjerë dhe meritat e spikatura, në vitin 1919 u vlerësua  Anëtar i Urdhërit të Perandorisë Britanike (M.B.E)

Në këtë kohë Morton F.Eden u shqua në   ndërgjegjësimin e atdhetarëve shqiptarë për fatet e vendit  në momentet delikate të mbarimit të luftës, për qartësimin e tyre  mbi   synimet e vërteta të diplomacisë evropiane dhe të  fqinjëve shovinistë, për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e Kongresit të Lushnjës, për ndihmesën gjatë  luftës së Vlorës në dëbimin e trupave  italiane nga Shqipëria, për forcimin e shtetit dhe ushtrisë shqiptare, etj.

Anglezi Morton F.Eden, eksploruesi trim, ushtaraku i rreptë,  agjenti dinak dhe politikani mendjehollë,  në kontakt me popullin dhe  realitetin tragjik, shfaq dhembshurinë e humanizmin  prej  miku  të  përkushtuar me mish e me shpirt për shpalljen dhe mbrojtjen e të drejtave thelbësore të kombit shqiptar, duke rrezikuar edhe jetën.

Pas katër vjet veprimtarie të suksesshme në Shqipëri, më 1920, ai u zgjodh  anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqërisë Anglo-Shqiptare, me kryetar Sir Aubrey Herbertin dhe sekretare Ms.Mery Edith Durham. Sipas dëshmive të ndryshme,  ai erdhi disa herë në Shqipëri dhe  bashkëpunoi me mjaft personalitete shqiptare si Sulejman Delvina, Aqif Pashë Elbasani,  Ahmet Zogu, Fan Noli,Abdi Toptani, Abdyl Ypi,  Hafiz Ibrahim Dalliu, Qazim Koculi, Ali Këlcyra etj. 

Sipas  atdhetarit A.Këlcyra sinqeriteti i ndjenjave të Morton F. Edenit shprehej në interesimin dhe simpatinë që tregonte vazhdimisht për problemet shqiptare gjatë shumë viteve edhe kur nuk kishte asnjë lidhje pune.

Rëndësia e informacioneve të Morton F.Edenit  dëshmohen edhe në  librin  “Miku më i madh i Shqipërisë: Aubrey Herbert dhe bërja e Shqipërisë moderne. Ditare dhe dokumenta” (f. 218) “Albania’s Greatest Friend: Aubrey Herbert and the Making of Modern Albania: Diaries and Papers 1904-1923) të përgatitur për botim nga  studjuesi Bejtulla Destani. Atje paraqitet  edhe  një letër që Aubrey Herbert i dërgon përfaqësuesit britanik të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sir Eyre Crowe, më 22 shtator 1919, në lidhje me gjendjen në frontin e Shqipërisë Jugore. Sir Herbert  shkruan: ‘’Siç nuk kemi dyshim, ju do të dëshironit  që grekërit të posedonin territoret e tyre  dhe shqiptarët të Shqipërisë. Ne mendojmë se një test  i ndershëm etnik duhej të bëhej meqë grekërit kanë djegur qytete e fshatra. Ata  i kanë djegur sepse këto ishin të populluara nga një kombësi e huaj. Nëqoftëse do të lexoni raportin e Mr. Morton F.Eden (në atë kohë sekretar pranë shtabit të  gjeneralit Phillips në Shkodër) i cili ka qenë në ato anë tre vitet e fundit, ndonjë dyshim që ju mund të kini rreth kombësisë do të tretet. Evidenca amerikane  është veçanërisht e vlefshme  meqë ata kishin njohuri  të para luftës  mbi vendin.” ëKëtu Sir Herbert  ka parasysh informacionet e çiftit Kenedi (Kenedy) përkatësisht  Violeta (Violett) dhe Fines (Phineas) misionarët  e parë protestantë amerikanë në Shqipëri, të  vendosur në Korçë më 1908ç

Personaliteti i Morton F.Eden, ndjeshmëria  dhe   përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare shqiptare shpalosen edhe në korespondencën e tij që gjendet në fondin  e Edit Durhamit në Institutin Antropologjik Mbretëror, Londër (Royal Anthropological Institute, 50 Fitzroy Street, London W1T 5BT, United Kingdom, Durham, Mary Edith “collection” MS 57) . Atje gjendet edhe  një letër e  Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës e nënshkruar nga  Fan Noli,  i cili ia drejton Komandantit të Trupave Aleate në Shkodër Gjeneralit Phillips dhe letra apel  që Morton F. Eden i dërgon në gusht 1920  kryeministrit Lloyd George mbi invazionin e trupave serbe në Shqipëri.

          Gjatë okupacionit  fashist ai  u bëri thirrje patriotëve shqiptarë që të ktheheshin një orë e më parë në atdhe. Ali Këlcyrës i tha: ‘’Kam besim dhe bindjen e plotë se Ju mund t’i bëni më shumë shërbim çështjes kombëtare në Shqipëri, sepse ajo rishtazi ka për të shpëtuar si në vitet 1912 dhe në 1920, me luftë në malet e saj dhe prej djemve të saj. Këto nuk janë vetëm mendimet e mia, por edhe të disa qarqeve politike londineze që merren me çështjet e Shqipërisë dhe të Ballkanit e sidomos miqve të Shqipërisë”.

Morton F.Eden kontribuoi familjarisht në luftën kundër fashizmit duke mbetur  me mendje e zemër pranë kombit shqiptar deri sa  u nda nga jeta në  moshën 82 vjeçare.

             Morton F. Eden njihet pak dhe i dyzuar ndër shqiptarët e sotëm.  Ai vlerësohet në disa shkrime gazetash e opinione  të viteve 20-30-të, haset si “agjent i huaj” tek ndonjë paragraf i Historisë së Shqipërisë të shkruar gjatë  sistemit diktatorial apo  në ndonjë memuar, korespondencë a dokument arkivor të botuar  vitet e fundit. Sidoqoftë, personaliteti i tij, humanizmi dhe dashuria për shqiptarët, provohen  nga sa dëshmojnë bashkëpunëtorët e tij, por dhe  më shumë nga kundërshtarët, të cilët theksojnë se  ai vepronte me ndërgjegje e jo pse ia kërkonte pozita e misioni si zyrtar britanik.

             Ndër ato pak shkrime të botuara  mbi veprën dhe meritat  e Morton F. Eden, dallohet  ekstrakti  i studjuesit  Uran Asllani  me referenca e  opinione personalitetesh bashkëkohës. Ai argumenton  bindshëm se “majori Iden, agjenti anglez i kongresit të Lushnjës”, edhe vetëm për këtë kontribut të vyer duhej të vlerësohej nga historianët shqiptarë dhe burokracia shtetërore  me studime, dekorata dhe emërtesat institucionale përkatëse që i takojnë normalisht rangut të shërbimit të tij madhor.

               Rivlerësimi ndaj tij dhe  albanofilëve të tjerë anglezë të kryesuar nga miku i madh  Sir Hebrey Herbert,   do t’i përgjigjej denjësisht kuotës së marrëdhënieve miqësore me Mbretërinë e Bashkuar  edhe si përkrahëse e madhe  e  pavarësisë së Kosovës.  

 Në hyrjen e  librit “Miku më i madh i Shqipërisë: Aubrey Herbert dhe bërja e Shqipërisë moderne. Ditare dhe dokumenta”,  Noel Malcolm shkruan: “Kur vizitoi Herberti Shqiperinë e Jugut, në shtator 1913, një turmë e grumbulluar përballë banesës thërriste: O Paladin i Lirisë, i bekuari i nipërve tanë…Por e vërteta e hidhur është që shumica e nipërve të këtyre shqiptarëve mirënjohës nuk janë në gjendje të bekojnë emrin e Aubrey Herbert dhe madje as nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për të.” A është në nderin e kombit shqiptar  që ky mënjanim nga regjimi diktatorial çuditërisht të vazhdojë edhe në ditët e sotme ndaj këtij personaliteti të rangut të lartë, i cili në krye të një grupi të vogël filoshqiptarësh anglezë si Morton F.Eden, Edit Durham etj, realizoi mrekullinë e shpalljes, njohjes dhe analizimit me simpati të problemit shqiptar në qarqet britanike, historikisht të lidhura me politikat shoviniste të vendeve fqinje.Në pragun e 100-vjetorit të Pavarësisë, ne shqiptarët le të shprehim mirënjohjen  për miqtë tanë të cilët na ndihmuan aq shumë kur qemë të rrezikuar nga coptimi dhe asimilimi kombëtar.

           Morton F. Eden  ka dhënë edhe një tjetër kontribut të çmuar, si albanolog, me veprën   “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre” (“Albania: its discontents and their origin”, 1920).

 Ky  libërth i përmendur në literaturën e huaj albanologjike për origjinalitetin dhe objektivitetin e mesazheve “magjike”, tepër domethënëse për vlerat dhe historinë e kombit shqiptar, përbën një  “xhevahir” i cili   ndriçon me nuancat e tij jetësore, vizionin, misionin, strategjinë, mendimin historik, politik dhe  diplomatik të kombit shqiptar. Ai i ndriçon popullit të thjeshtë dhe përfaqësuesve elitarë të tij shumë të fshehta dhe enigmën  e  madhe: Shqipëria, si ka qenë e si duhet të jetë, sipas këndvështrimit të  qarqeve  mike  dhe armike. Në përgjithësi  na kujton veprën “Shqipëtarët” (“The Skypetars“) të albanofilit amerikan  George Fred Williams,  të botuar thuajse në të njëjtën kohë,  me të njëjtin qëllim dashamirës por me një spektër  më vezullues.

             Në veprën e  Edenit përshkruhet prejardhja  e shqiptarëve dhe europianizmi i tyre i natyrshëm, kontributi i tyre historik e kulturor në Europë, prapaskenat politike në vorbullat e luftës së parë botërore, ngjarjet madhore dhe personazhet kryesore  historikë, interesat që  mbajnë peng kombin shqiptar, ballafaqimi i platformës së Rilindjes Kombëtare me politikat shoviniste antishqiptare, tendencat  e kombit shqiptar në rivalitetin midis Perëndimit dhe Lindjes, etj.

             Në vepër mbizotëron mendimi se “gjendja e pakënaqshme në Shqipërinë e sotme, është  krijuar nga  fakti që nuk u është dhënë konsiderata e duhur aspiratave të popullit shqiptar për shkak të interesave të fuqishme që synojnë  prishjen e Shqipërisë.”

            Ky mesazh është aktual edhe në shek.XXI, kur pak gjë ka ndryshuar për kombin tonë i cili për të përballuar sfidat e  rreziqet duhet të bashkojë e të bashkërendojë tërë gjymtyrët e energjitë e tij në tërë popullatën e “Komunuelthit shqiptar” në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, në  Greqi, Turqi  e kudo.

            Sikurse u deklaroi zyrtarisht parlamentarëve shqiptarë z. Behgjet Pacolli, si President i Kosovës, “me këtë qasje, unë dua t’i thërras ndërgjegjes suaj kombëtare, vetëdijes suaj politike, aftësive tuaja profesionale, për të menduar pak: A duhet të kënaqemi me këtë nivel të bashkëpunimit ekonomik, kulturor, shpirtëror mes veti?… Ne duhet t’i japim kuptim sakrificave të mëdha historike të heronjve tanë të përbashkët, angazhimit shekullor të paraardhësve tanë, duke hapur pista të reja bashkëpunimi.” (1)

              Se përse ndodh kështu, cilët janë faktorët e aktorët e kësaj gjendje ka dashur të na e sqarojë edhe përkthyesi i kësaj vepre, atdhetar Skënder Luarasi, i cili shprehej:  “Më dhimbset e vërteta në histori dhe do të isha i lumtur të ndriçoja, në dritën e së vërtetës, qoftë dhe ndonjë ngjarje ose persona të kësaj historie të së kaluarës. Se ja, do s’do, vjen një kohë, kur duhet të bëjmë bilancin e jetës e t’i japim përgjigje shoqërisë: Ç’i lamë vendit tonë?”

              Vepra e Edenit, “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre”, e përkthyer prej origjinalit nga Skënder Luarasi në vitet 60’,  u  bllokua në  Institutin  e Historisë  pa e parë dritën e botimit. Indikacionet e saj  rastisën të gjenden në regjistrat e institutit ku vepra e pabotuar përcaktohej si përkthim i Skënder Luarasit. 

             Materialin  e   plotë të daktilografuar fatmirësisht e gjeta  në një nga dosjet e përkthyesit, i cili edhe  si  historian  nuk bëri kurrë pazar me të vërtetat historike.

            Në kushte të vështira censure, ai nuk rreshti  së shpalluri nderimin e tij  ndaj jetës dhe veprës së miqve të vërtetë të kombit shqiptar duke shkruar me dashuri   edhe për albanofilët  anglezë: Lord George Byron, Lord Tennyson, Sir Aubrey Herbert e Lady Elisabet Carnarvon, Lady Mary Worthey Montag, Lucy M.J.Garnett, Mary Edith Durham, etj.

            Botimi në shqip i  veprës “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre”    në prag të festës së  100-vjetorit të  pavarësisë  së Shqipërisë është një dëshmi mirënjohje ndaj albanofilit Morton F. Eden  dhe përmbush dëshirën e hershme të  atdhetarit Skënder Luarasi për t’ia bërë të njohur kombit shqiptar. (*)

                  *     *      *

Në përkujtim   të 95-vjetorit të  Kongresit Kombëtar të Lushnjës,  ndër programet  festive u shfaq edhe një  film dokumentar ku  ndër  delegatët  shqiptarë  të kongresit  u publikua  edhe  fotoja dhe kontributi i  konsullit anglez Morton Frederik Eden.

Bashkia e qytetit të Lushnjës e vlerësoi me  titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin: “Misionar i Shqipërisë në kohë të vështira, dha kontribut të veçantë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës”.  Nga ana e tij  Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon, të cilit iu dorëzua ky titull, u shpreh: “Shteti im ka qenë prezent me trupin diplomatik për të stabilizuar fatet e Shqipërisë. Ndërsa Konsulli Eden ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit në momentet kur ekzistenca e shtetit shqiptar vihej në rrezik.”

Ndër ata që ndihmuan  këtë publicitet  veçoj  studjuesin Engjëll Zerdelia me  librin e tij të suksesshëm ‘’Kongresi Kombëtar i Lushnjës’’,  që i kushtoi  vëmendjen e duhur edhe kontributit dhe nderimit të miqve të huaj me në krye Morton F. Edenin. (2) 

Sikurse në raste të tjera harrese, për  personalitete dhe ngjarje të rëndësishme kombëtare,  atdhedashësit shqiptarë  shqetësohen  përse do të duhej të kalonte rreth  një shekull  për ta përmendur dhe vlerësuar  konsullin anglez që  jo vetëm ‘’ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit’’,  por dhe  për shumë e  më shumë vepra bamirësie  ‘’në ditët e sterrosura’’ për  shqiptarët?!

Dritë-hijet e kësaj  enigme: rrethanat, tjetërsimi i të vërtetës,  atentatet  dhe   kërcënimet deri në nivelet më të larta ndërqeveritare, që çuan në largimin e tij  nga detyra  dhe përpjekjet për t’ia shuar përjetë  emrin dhe veprën,  i  qartëson  më së miri  studjuesi grek  Lampros Psomas, edhe pse bazohet  në interesave  politike greke.(3)

Përmes dokumentave dhe kritereve profesionale ai zbërthen paradokse dhe u jep përgjigje dilemave: Nga kush e përse akuzohej dhe si u largua nga detyra Konsulli Eden? A qe ai një ushtarak  i aftë, i bindur  dhe i përkushtuar  në ushtrimin e detyrave shtetërore  që i qenë ngarkuar nga eprorët? Informacionet që u dërgoi autoriteteve britanike  qenë objektive apo sajesa në favor të shqiptarëve për  përfitime vetiake?

Mbi të gjitha paraqet interes konkluzioni i studjuesit  se akuzat që iu bënë Konsullit Eden se kinse  shpërdoronte detyrën duke sajuar  rrethana të paqëna  për  mbrojtjen e të drejtave dhe trojeve  të shqiptarëve, se dizinformonte  shtetin britanik  për interes  të një kompanie private nafte, qenë akuza të  pa provuara.  Dhe këto sajesa që i përkasin  një situate të tejkaluar shekullore   marrëdhëniesh ndërshtetërore u imponohen kancelarive përkatëse prej një shekulli,  për paradoks  edhe vetë politikës dhe historiografisë  shqiptare,  që pasardhësit   të mos njohin  e vlerësojnë aftësinë  profesionale dhe që  të nderojnë humanizmin shembullor të  Konsullit Eden, si mbrojtës i të drejtave shtetformuese të shqiptarëve  dhe tërësisë territoriale të nëpërkëmbur mizorisht.

Ndjenja  atdhetare më obligoi të përkthej dhe botoj edhe studimin  e dytë të tij,  ‘’Shqipëria dhe fqinjët e saj’’, botuar në korrik të vitit 1921, të cilin  ia ofroj pa komente  shqiptarëve të përgjegjshëm. (**) 

——————-

(1) Nga fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, në Parlamentin Shqiptar: “Aspiratat tona kombëtare, në përputhje me rregullat e hapësirës evropiane”, më 21 Mars, 2011.

(2) Engjëll Zerdelia, Kongresi Kombëtar i Lushnjës, Agim Bakushi ,Tiranë , Emal, 2014, 220 f.

(3) Lampros Psomas, A Spy in Albania: Southern Albanian Oil and Morton Frederic Eden, International Journal of Intelligence and Counter Intelligence, Volume 28, 2015 – Issue 3. http://www.academia.edu/12399538/A_Spy_in_Albania_Southern_Albanian_Oil_and_Morton_Frederic_Eden

Filed Under: Histori Tagged With: Petro Luarasi- Morton F.Eden-miku besnik-Kongresi i Lushnjes

MAJOR AHMET LEPENICA NË MBROJTJE TË KONGRESIT TË LUSHNJËS

January 21, 2020 by dgreca

Kush e mbrojti me armë Kongresin e Lushnjës më 1920?/

        MAJOR AHMET LEPENICA NË MBROJTJE TË KONGRESIT TË LUSHNJËS/

Si përfundim pa këtë përkrahje dhe mbrojtje ushtarake, nuk do të ishte mbajtur Kongresi i Lushnjës dhe nuk do kishte ndodhur Epopeja e Vlorës, pra nuk do ta kishim rifituar Pavarësinë e Shqipërisë. Prandaj, ushtarakëve si major Ahmet Lepenica u duhet dhënë vëndi që meritojnë, sepse ishin kohë të trubullta dhe asnjë problem i madh kombëtar nuk mund të zgjidhej pa forcën e armëve.

Nga Enver MEMISHAJ/

Në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar të Kongresit të Lushnjës, vizitori do të përballet me fotografinë  madhështore të major Ahmet Lepenicës që mbrojti me armë atë kongres.

Po cili ishte major Ahmet Lelenica, dekoruar NDER I KOMBIT SHQIPTAR ?

Major Ahmet Lepenica lindi në Lepenicë të Vlorës në vitin 1872. Në ushtrinë turke, u dallua si ushtarak i lindur dhe u dërgua  në një kurs dy vjeçar ushtarak që e kreu me rezultate të shkëlqyera. Nga ushtar për vleftë trimërie arriti gradën kapiten, po për vleftë trimërie kundër rebelëve të Haxhi Qamilit, më 1914,  u gradua  major nga qeveria shqiptare e Turhan Pashë Përmetit, ku ministër i brendshëm ishte patrioti Aqif Pashë Elbasani.

Më 1912, u arratis prej trupave turke, për t`i shërbyer shtetit të ri shqiptar. Më 1913,u emrua Komandant i Xhandarmërisë së Lushnjes. Më 1914 në krye të forcave shqiptare dhe kosovare çliroi krahinat jugore të Shqipërisë nga pushtimi grek. Në vitin 1920, ishte mbrojtës me armë i Kongresit të Lushnjës. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” , që po përgatiste Luftën e Vlorës, më 4 qershor 1920, në mal të Beunit, mbi fshatin Vajzë të Vlorës e emroi “Komandant të Përgjithshëm të  Trupave Kombëtare, mbështetur në burrërin dhe atdhetarinë e tij”

Në vitin 1921 Shqipëria ishte ndarë në katër zona. Më 12 shkurt 1921 u emrua komandant i zonës, Krahut të Vjosës, pra Lepenica shfaqet si një nga katër ushtarakët e shquar të Shqipërisë.

Më 1 qershor  1921, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, bashkon me armë me trungun e shtetit shqiptar krahinën e Himarës.

Në tetor të vitit 1921, në krye të një batalioni vlonjatësh lufton në veri kundër sërbëve, nën komandën e komandantit të operacionit kolonel Ahmet Zogut i cili shkruan se major Lepenica ka treguar një trimëri të tërbuar.

Më 17 janar 1922 emrohet Qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës. Në prill 1924 vihet në krye të Lëvizjes së Qershorit. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit qëndroi i arratisur dhe në mars 1925 emigroi jashte shtetit.

Në fund të vitit 1926, u fal dhe u kthye  në  vëndlindje në Lepenicë, ku jetoi deri sa vdiq në janar 1941, pa lënë pas as fëmijë as pasuri, por vetëm emrin e mirë të një atdhetari të pa njollë dhe të paharruar.

Eshte vlerësuar nga të gjith presidentët e Shqipërisë dhe së fundi NDER I KOMBIT SHQIPTAR.

                                                   *       *       *

Me interesimin e major Kasëm Qafëzezit, major Ismail Haki Tatzatit dhe të disa atdhetarëve të tjerë, major Ahmet Lepenica filloi punën si komandant  xhandarmërie, në Lushnjë, ku kishte shërbyer në të njëjtën detyrë edhe në vitin 1913, kur prefekt ishte patrioti shquar Qazim Kokoshi.

Nga një telegram i datës 1 gusht 1919, marrim vesh se major Ahmet Lepenica ushtron detyrën Qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës. Po nga ky telegram kuptojmë edhe punën shumë

të vështirë që kryente xhandarmëria duke kaluar muaj të tërë pa u paguar.89)

Më 31 dhjetor 1919, në Lushnjë ka qënë kryetar bashkie Besim Nuri, nënprefekt Veli Vasiari dhe komandant xhandarmërie Meleq Frashëri, të tre janë shprehur në mbështetje të mbajtjes së Kongresit, haptazi në kundështim me urdhërat e qeverisë së Durrësit. Major Ahmet Lepenica është transferuar në këtë kohë komandant i xhandarmërisë së Lushnjës, me qëllim që të mbronte Kongresin. Këtë fakt e pohon edhe Bardhosh Gaçe: “Në ditët e para të janarit disa herë u dërgua nga nënprefekti i Lushnjës për të biseduar me nënkomitetin e Vlorës, ushtaraku Ahmet Lepenica, i cili këmbëngulte në përfaqësimin e Vlorës në Kongres… Vlonjatët u bashkuan me përfaqësuesit e tjerë në Lushnjë”. 90)

Kundër Kongresit të Lushnjës bëri sa kishte mundësi edhe Qeveria e Durrësit duke kordinuar veprimet e sajë me pushtuesin italian. 91)

Në prag të mbajtjes së Kongresit të Lushnjës, më 10 janar 1920, u vra në Shkodër atdhetari Sali Nivica (1891-1920), kryeredaktor i gazetës atdhetare “Populli” që dilte në Shkodër. Më 27 janar 1920, u vra me atentat në Durrës atdhetari tjetër Abdyl bej Ypi (1878-1920), pasi qe shkarkuar më parë nga detyra e prefektit të Durrësit “ i cili, me qëllim që të mos rrezikohet mbledhja kombiare

e Lushnjës, u ba theror, dëshmor i Shqipnisë, tue u ba kafshatë e nji pushke mizore që asht zbrazë nga nji dorë tradhëtare”, i shkruan familjes, kryetari i Mbledhjes së Lushnjës Aqif Pashë Elbasani.

Po në janar Myfit bej Libohova kurdisi plane e realizoi vrasjen e përhapësit të gjuhës shqipe, mësuesit, e patriotit zemërzjarr Shuko Dalipi (1876-1920), kushëri i Sali Nivicës.92)

Myfit bej Libohova, ministër i kabinetit të qeverisë së Durrësit, ka treguar veprimtarinë

e tij antikombëtare kundër Kongresit: “Si ministër i brëndshëm, {i qeverisë së Durrësit } lipsej të ndaloja Kongresin e Lushnjës, me fuqinë e xhandarmërisë, po oficerët e këtij trupi ishin bashkuar me të mbledhurit dhe qeveria kishte mbetur pa fuqi… Atëhere pas akordit që kishim me italianët i kërkova gjeneral Piaçentinit të vinte nën komandën time dy kompani të milicisë shqiptare, të cilat Piaçentini m`i dha dhe u nisa për në Fier me automobil… Aqif Pasha … i kishte shkruar … Gjeneral Piaçentinit një letër me të cilën thoshte të mos ta njohë Qeverinë e Durrësit…

Nisa ushtrinë për në Kolonjë të Myzeqesë dhe andej për në Lushnjë. Plani ishte të rrethoja këtë qytet dhe të përndaja mbledhjen tuke proklamuar në tërë Shqipërinë zgjedhje të përgjithshme për një Asamble Kushtetuese. Kolonelin e Italisë që gjëndej në Lushnjë e trembën duke e bërë të besojë se rreth e qark Lushnjes qenë mbledhur 3 a 4000 shpirt dhe do derdhej gjak i tepërt, po unë kishja

lajme të sakta prej Lushnjës edhe dinja se veç 150 dyfeqe që kish Shehu i Karbunarës dhe nja 100 dyfeqe që kishin prurë bejlerët e Gegërisë, tjetër fuqi kundështare nuk kish … Prisnja të më harrinin me të çpejtë edhe 200 milicë nga Gjirokastra, dhe po nisesha vetë për në Manastir të Adrenicës, ku gjeneral Piaçentini, pa lajmëruar I dha ushtrisë që gjendej në Kolonjë urdhër të mos niset për në Lushnjë por të presi urdhërin e dytë të Komandës. Kësisoj më iku nga duart edhe fuqia e milicisë.

E pashë që u munda dhe u nisa atë çast per në Vlorë. Tre, katër ditë dhash e mora ta bind Piaçentinin të më jepte 700 milicë ndën urdhër. Me këtë fuqi doja të mbaja Durrësin dhe  jirokastrën dhe të bëja një mbledhje më të madhe dhe më të rregullt nga të Lushnjës, duke vendosur zgjedhjet e përgjithëshme . Piaçentini nuk donte të trubullohej Shqipëria”. 93)

“Në ditët e para të janarit 1920, në Vlorë u shfaq Ministri i Brendshëm i Qeverisë së Durrësit, Myfit bej Libohova, i cili mobolizoi mjaft milicë kundër Kongresit Kombëtar të Lushnjës. Ahmet Lepenica, me anën e një letre e vinte në dijeni Ibrahim Abdullahun dhe “Komitetin e Vlorës”, se vizita e Myfit bej Libohovës në Vlorë, bëhej me qëllim për të penguar organizimin e “Mbledhjes në Lushnjë”. Ibrahim Abdullahu kujton: “Më 12–13 janar 1920, në Vlorë sosi ministri i brëndshëm Myfit bej Libohova, për të mbledhur milicë. Ahmet Lepenica, nga Lushnja më dërgonte një letër, ku midis të tjerash më thoshte të lajmëronim popullin në qytet, se milicët që po mbledh Myfit beu i do si forca kundër Lushnjës.” 94)

“Si ndërlidhës ndërmjet Komisionit të Vlorës dhe atdhetarëve të tjerë në qytetin e Lushnjës, Kavajës dhe Elbasanit ishte Ahmet Lepenica, një ushtarak i zoti e mik i Osmën Haxhiut dhe Hamza Isait”.95)

Thirrje për të mos marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës përfaqësuesve vlonjatë, u bëri edhe Syrja bej Vlora, ai thirri në bashkëbisedim Aristidh Rucin, Ymer Radhimën, e Tod Filipin, të cilët “i këshilloi” se Vlora, nën qeverinë e Durrësit“ do të kishte mjaft përfitime ekonomike prej Italisë…”. 96)

Ideali i përbashkët atdhetar, dhe miqësia që kishin që nga koha që shërbenin në Turqi, i bashkoi edhe kësaj radhe majorët Ahmet Lepenica, Ismail Haki Tatzatin, Kasem Qafzezin, Ismail Haki

Kuçin dhe kapiten Meleq Frashërin në një detyrë tjetër të shenjtë, në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës. 97)

Komandant i Xhandarmërisë së Qarkut të Beratit, Ismail Haki Tatzati dha një ndihmë të çmuar për furnizimin e kryengritësve  vlonjatë, me armë, municione dhe ushqime, por pati një fund tragjik: Fan Noli kur erdhi në fuqi e harroi, ndërsa komunistët e “shpërblyen” duke i dhënë një plumb kokës në vitin 1945! Detyra e mbrojtjes së Kongresit ishte e vështirë. Në radhë të parë duhej të garantohej rendi dhe qetësia në qytet, pasi delegatët dhe ata që i shoqëronin ishin shumë dhe ishin strehuar në banesat e qytetarëve. Në këtë detyrë kanë vepruar edhe shumë patriotë, qytetarë lushnjarë si Rasim Hoxha, Besim Nuri, Llazi Bozo, Emin Vokopola, Qemal Mullai, veçojmë Sheh Karbunarën, e shumë të tjerë, si Iliaz Vrioni në Berat, etj. Me kongresistët u bashkuan edhe disa oficerë shqiptarë të milicisë si Kasëm Radovicka etj.

Përballë qëndrimit armiqësor të qeverisë së Durrësit dhe pushtuesit italian, u përgatitën edhe forcat në mbrojtje të Kongresit. Brënda në qytet ishin më se 150 xhandarë të armatosur nën komandën e major Ahmet Lepenicës. Krahas xhandarëve, patriotët kishin grumbulluar edhe 350 vullnetarë nga rrethi i Lushnjes dhe i Dumresë nën komandën e Meleq Frashërit, që treguan vetmohim në mbrojtjen e Kongresit. Përveç këtyre forcave në periferi ishte në gatshmëri populli i Lushnjës, si dhe skuadra patriotësh me armë në dorë.

Ishte kohë e trubullt ku çdo gjë vendosej me grykën e pushkësPa këtë mbrojtje Kongresi nuk do të ishte mbajtur dhe fati Shqipërisë nuk dihej si do të shkonte. Ndofta Shqipëria do të humbiste përgjithmonë, prandaj atdhetarëve si Ahmet Lepenica,

Ismail Haki Kuçi, Ismail Haki Tatzati, Riza Cerova, Meleq Frashëri, Kasem Qafzezi etj që organizuan dhe komanduan forcat e armatosura për mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës, duhet të

vlerësohen, lartësohen e të zenë vendin e tyre në histori. 98)

Duke parë dështimin e qeverisë së Durrësit, për të ndalur mbajtjen e Kongresit, komandanti i përgjithshëm italian, gjenerali Setimio Piaçentini dërgoi një ultimatum më datën 31 janar 1920,

por atdhetarët shqiptarë nuk e përfillën dhe vazhduan rregullisht punimet.

Ish sekretar i Kongresit të Lushnjës Ferit Vokopola, na ka lënë këtë dëshmi: “Ushtria italiane deshi të ndërhynte me armë për të ndalue Kongresin, por priste të arrinte ma parë milicia shqiptare

nga Gjirokastra e Vlora, por kjo e udhëhequr prej oficerëve patriotë  nuk guxoi të luftojë me çetat nacionaliste që kishin pre udhën në lumin Osum dhe menjeherë aderoi me kongresistat…Vlora shpëtoi me kryengritjen e famëshme që ashtë e pjellma e këtij Kongresi” 99)

Bardhosh Gaçe thotë se, në takimin e Sulejman Delvinës, me parinë e Vlorës në Lepenicë, Ahmeti kishte marrë me vete edhe 14 ushtarakë të tjerë, që kishin shërbyer në mbrojtje të Kongresit të

Lushnjës, gjë që do të thotë se Ahmeti gjithë fuqinë e xhandarmarisë që komandante në Lushnjë e kishte vënë në mbrojtje të Kongresit. Stilian Adhami përmënd kapiten Meleq Frashërin në

xhandarmarinë e Lushnjës, i cili ishte vënë në mbrojtje të Kongresit duke kthyer prapa 500 forca të Myfit Libohovës dhe Sami Vrionit, që kishin mbërritur në Fier për të ndaluar mbajtjen e Kongresit të Lushnjës.  100)

Murat Tërbaçi, anëtar i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” që drejtoi Luftën e Vlorës më 1920, në kujtimet e tij shkruan: “Në Kongresin e Lushnjës, pas letrës që na dërgoi Halim Xhelo (i cili qe

shpirti organizator i Kongresit të Lushnjës) dhe Besim Nuri, u poqa përsëri me Hamza Isain, Ahmet Lepenicën, Ibrahim Abdullahun, Dhimitër Qypin, Spiro J. Kolekën e Osmën Haxhiun, që morën

pjesë si përfaqësues të Vlorës vetëm ditët e fundit të Kongresit, pasi nuk kishin mandate delegati, sepse nuk i lejonte ushtria italiane. Pushtuesi dërgoi në Mbrostar forca për të penguar vlonjatët të

shkonin në Lushnjë…”  101)

Hamza Isai, përfaqësues i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, me botën e jashtëme, me qëndër në Korfuz, konfirmon veprimtarinë atdhetare të Ahmet Lepenicës në mbrojtje të Kongresit të

Lushnjës: “Kongresi i Lushnjës hasi në kundështimin e komandës italiane në Vlorë… Më 13 janar u shpall se mbledhja e Lushnjës ishte e ndaluar.Me inisiativën e Ymer Radhimës, Halim Xhelos,

Myqerem Hamzarajt dhe Osmën efendiut u bë një takim tjetër i fshehtë ku qeshë edhe unë…Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Ahmet Lepenica, që ishte dërguar këtu nga nënprefekti i

Lushnjës, që kërkonte përfaqësimin eVlorës në Lushnjë. Më pas Ahmeti më kërkoi një deklaratë që ja dhashë me fjalët: “Zotëri e  Tij Ahmet Lepenica ka dhënë një ndihmë të çmuet në organizim të  gjindarmërisë për mbrojtjen e mbledhjes së Lushnjës, duke i bërë një shërbim të çmuar Atdheut.” Deklarata është lëshuar më 29 tetor 1924.102)

Antoneta Radhima, një autore tjetër që ka shkruar për atë kohë thotë se: “Mbledhja tjetër u bë në shtëpinë e Ymer Radhimës, takimi ishte tepër i fshehtë. Ky takim ishte bërë me iniciativë të

Ymer Radhimës. I pranishëm në këtë mbledhje ishte dhe Ahmet Lepenica, i cili , si ushtarak i asaj kohe, ka dhënë një ndihmë të çmuar për përgatitjen dhe mbrojtjen e Kuvëndit të Lushnjës”. 103)

Aktivitetin e shquar të major Ahmet Lepenicës në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës e pohon indirekt, përpara parlamentit shqiptar më datën 9 tetor 1922 edhe Myfit bej Libohova, duke folur

për atentatin që ju bë atij, më 29 gusht 1922, akuzon pa prova, për këtë atentat major Ahmet Lepenicën, duke thënë se:

“Vrasësin e kujtoj prej anës së atyne që kanë ba Kongresin e Lushnjës, se gjoja unë shkova kundër tyre me u vra me ta, e se gjoja gjeneral Piaçentini më ndaloi. Se komandanti i gjindarmërisë së Gjirokastrës {major Ahmet Lepenica} u kishte mbushë mëndjen se z. Myfit Libohova u paska

shit Vlorën italianëve e se edhe më përpara kishte vu pritë. Kur u bë atentati, Gjindarmëria e vendit qe e shpërndame andej këtej…” 104)

Nga sa paraqitëm, del e qartë se Ahmeti është shquar në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës, në këtë detyrë të shenjtë kombëtare, sa që e gjejmë në disa gazeta, si pjesmarrës në këtë Kongres. 105)

Si përfundim pa këtë përkrahje dhe mbrojtje ushtarake, nuk do të ishte mbajtur Kongresi i Lushnjës dhe nuk do kishte ndodhur Epopeja e Vlorës, pra nuk do ta kishim rifituar Pavarësinë e Shqipërisë. Prandaj, ushtarakëve si major Ahmet Lepenica u duhet dhënë vëndi që meritojnë, sepse ishin kohë të trubullta dhe asnjë problem i madh kombëtar nuk mund të zgjidhej pa forcën e armëve.

Marrë nga: Enver Memishaj – Lepenica “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës 1920”, Tiranë 2012, f. 75 – 80

Libri vlerësuar nga prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe prof. dr. Uran Asllani, promovuar nga Akademia e Shkencave

Burimet arkivore:

89) AQSH, F. 154, V. 1919, D.12, f.3 Telegram. Fort i ngutshëm, nr. 3996 datë 1. 8. 1919. Komandës Përgjithshme Gjindarmërisë Tiranë “Për bajram nëpunësit po marrin rrogën e gjindarmërisë. S`paguhen se s`ka patur kredi. Të holla s`ka për ta. Gjindarmëria mbetet edhe me përshtypje të ligë kur shohin se nëpunësit me rroga të nalta dhe policia nuk paguhet. Rrethkomanda e Përmetit s`është paguar as për qershorin stop. Lutem merrni masat. Komandanti i Qarkut, major Ahmet Lepenica”

 Në një telegram tjetër Ahmet Lepenica njofton komandën eprore: “Krye 24 orëve qetësi stop”

AQSH, F. 154, V. 1919, D.12, f. 1

90) Bardhosh Gaçe “Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, Tiranë 2001, f. 91

91) Fane Veizi “Kongresi i Lushnjes”, Tiranë 1959, f. 30-33

92) AQSH F. 152, V. 1920, D. 1, f. 2

“Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920” (Përmbledhje dokumentash), Vëll. II, Tiranë 1976, f. 56; Prof. dr. Nasip Meçaj “Tepelena”, Toena, Tiranë 2007. f. 255

93. Myfid Libohova “Politika ime ndë Shqipëri 1916-1920”, Gjirokastër 1921, f.18-19

94) Bardhosh Gaçe “Rilindasi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”, Tiranë 2009, f. 293

95) Bardhosh Gaçe “Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, 2001. f. 77

96) Bardhosh Gaçe “Rilindasi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”, Toena, Tiranë 2009, f. 159

97) Gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë, dt.15.2.1922; Hasan Luçi “Ismail Haki Kuçi”, Mokra, Tiranë 1999

98) Shih: Fane Veizi “Kongresi i Lushnjës”, Tiranë 1959

99) Gazeta “Bashkimi i Kombit”, Nr.17, Tiranë, dt. 21.1.1944

100) Shih: Stilian Adhami “Përmeti dhe përmetarët “, Tiranë 2001, f.43

101) Bardhosh Gaçe “Hamza Isai … “ Tiranë 2000, f. 293

102) Bardhosh Gaçe “Hamza Isai, një jetë në shërbim të kombit”, Tiranë 2000, f. 70, 151, Hamza Isai “Kujtime”, Vlorë 1937.

103) Antoneta Radhima “Ymer Radhima, vullkan i pashterur”, “Maluka”, Tiranë 2004, f. 58

104) “Fletore Zyrtare”, nr. 44, dt. 30. 8. 1923, nr. 45, dt. 2. 9. 1923

105) Gazeta “Tomorri”, Tiranë, dt. 22. 2. 1941

Komiteti Mbrojtja Kombëtare e emron Komandant të Përgjithshëm të Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës 1920.

Major Ahmet Lepenica (1872 – 1941), Shef i Shtabit dhe Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës në vitin 1920.

Firma, vula që përdorte Ahmet Lepenica.

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Lepenica- Mbrojtja-Kongresi i Lushnjes-Ahmet Lepenica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT