• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2020

TURP NUK KENI?!

January 25, 2020 by dgreca

– PA AMERIKËN NUK DO TË KISHTE SHQIPËRI DHE KOSOVË!-

Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë historik dhe strategjik!/

NGA EKREM BARDHA/

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, ku janë angazhuar më shumë se çdo shtet tjetër, për të mirën e përgjithshme, ndërmorrën aktin e tyre parapritës, duke eleminuar njërën ndër kokat më agresive kundër lirisë dhe përgjegjës për sulme të ndryshme terroriste, i cili, edhe ditët e fundit, po planifikonte katër aksione vdekjeprurëse në shumë shtete ndaj civilëve.

        Vrasja e një terroristi, të veshur me pushtet absolut dhe i njohur për natyrën e tij agresive, ishte sinjali më i qartë që lëshoi administrata amerikane, dëshmi e qëndrimit të saj të prerë si gjithmonë dhe në vazhdimësinë mbrojtjen e lirisë dhe e hekurt në qëndrimin e saj në goditjen  ndaj lëvizjeve thellësisht radikale. Mesazh  për të mbledhur mendtë ata që mendojnë të sulmojnë demokraciën amerikane.Ishte thirrja e fundit se, ky shtet i fuqishëm dhe aleatët e tij, nuk do të lejojnë më përsëritjen e 11 shtatorit, por as sulmet ndaj strukturave të bashkësisë euroatllantike.

             Shteti shqiptar, shteti i Kosovës,demokracitë e zhvilluara,njerëzit paqedashës e mbështetën këtë akt, i cili në vetvete, aq sa është parandalues, aq ka të bëjë me jetën e njerëzve, lirinë e tyre për të jetuar në paqe, pa ankthin e vdekjes dhe të sulmeve terroriste. Në fund të fundit, ky akt, eleminimi i një personi të veshur me pushtet dhe synime terroriste, është edhe demokratik, pasi mbron mijra jetë njerëzish, të drejtën e një jete normale dhe të sigurtë, stilin tone të jetesës, të lire dhe demokratik.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë strategjik dhe historikisht i dëshmuar në mbështetje të aspiratave të lirisë dhe prosperitetit tone demokratik e jetësor.

Por, disa gazetarë, të konsideruar analistë, opinionistë, sulmuan pikërisht Shtetet e Bashkuara, duke e quajtur Aktin parapritës të saj si një sulm terrorist, të papërgjegjshëm,duke shkuar edhe më tej se kaq: e cilësuan si një Turp!

Si nuk keni turp që sulmoni një shtet, nga i cili rrjedh pavarësia e shtetit shqiptar, që edhe në kohën më të rëndë për fatet e Shqipërisë i është gjendur pranë shqiptarëve; i cili, edhe në kohën e komunizmit nuk ka lejuar copëtimin e vendit tonë nga Junta e kolonelëve grekë, që kërkonin jugun e mëmëdheut tonë.

Pa vendosmërinë e shtetit amerikan nuk do të kishim sot Kosovën e pavarur, shtet i mëvetshëm, i  cili, në mos tani, në një të ardhme, do të bashkohet me shtetin amë dhe do të realizohet kështu ëndrra e madhe e Rilindasve tanë.

20 vite më parë, gjysma e kombit shqiptar rrezikohej të zhdukej nga gjenocidi serb i Millosheviqit dhe armatave serbe. Në më pak se një vit u vranë rreth 15 mijë shqiptarë; vetëm në një ditë në fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, ku ka lindur e vepruar filozofi i madh atdhetar Ukshin Hoti, u vranë  274 meshkuj,  që nga fëmijët e porsa lindur e deri tek pleqtë. A ju thonë gjë të vrarët në Kosovë, apo, sipas “ mendjes” suaj,edhe ndëshkimi i terrrorizmit serb nuk duhej ndërmarrë dhe më mire të vriteshin edhe më  tej mijra shqiptarë?

E drejta e shqiptarëve për të besuar te liria, e drejta e fjalës dhe e pronës, të kenë institucionet e tyre fetare, liria e lëvizjes, të jenë pjesë e NATO-s, si garanci e sigurtë e paprekshmërisë së saj, vjen pikërisht nga fuqia e Shtetit Amerikan, këmbëngulja dhe lufta  e tij për demokracinë në Shqipëri, për të drejtën e fjalës – që ju,e shpërdoroni mizorisht; për të drejtën e besimit, të pronës, të lëvizjes së lirë.

Në jetën time prej një gjysëm shekulli e më shumë në shtetin amerikan kam pasur fatin e madh të takohem, të bisedoj dhe të shtroj shqetësime të ndryshme para 6 presidentëve amerikanë; edhe në kohën kur shteti ynë ishte nën diktaturën komuniste, edhe më pas, në fillimet pluraliste dhe shtetin plural. Asnjëherë , në mënyrë absolute asnjëherë, nuk kam dëgjuar një fjalë mospërfillëse për shqiptarët, kudo që jetonin. Presidenti Nixon ishte Ai  që nuk e lejoi juntën ushtarake greke të ndërmerrte akte agresive ndaj shtetit tone, megjithëse ishim nën diktaturën komuniste dhe presidenti ishte antikomunist i njohur; ishte presidenti Klinton që urdhëroi fuqinë ushtarake më të madhe të të gjitha kohrave për të sulmuar pushtetin fashist serb; ishte presidenti GEORG BUSH Jr, – i cili që nga Tirana, shpalli mëvetsinë e shtetit të Kosovës.

E mirëkuptoj që nuk i dini të gjitha këto fakte, sepse nuk paraqiten ende në librat e Historisë Shqiptare, dikur për shkak të izolimit nga bota e më pas, si demokraci e re e si duket me shumë problem, sepse nuk e besoj dot që gazetarë profesionistë të dëshirojnë vetdijshëm të keqinformojnë opionin publik dhe të nxisin keqdashësi ndaj aleatit dhe mbrojtësit tone kryesor amerikan. Falë të së cilës ekzistojmë në këtë formë dhe masë, siç jemi sot, dy shtete shqiptare, të pavarur, të lire dhe demokratik, evropian.

Shqiptarët ,kudo që jetojnë, janë ndër popujt më pro amerikanë dhe kanë arsye të jenë, pasi ekzistenca e djeshme  dhe e ardhmja e tyre janë të lidhura pikërisht me këtë shtet të fuqishëm, I cili n aka dale krahë në të drejtën tone, të cilën nuk e mbronim dot vetë si një shtet i vogël që jemi.

I detyruar nga diktatura komuniste të arratisesha, të gjeja vendbanim në shtetin amerikan, të ndërtoja në Amerikë një jetë të re, nuk e harrova kurrë Atdheun, e pata gjithmonë në zemër dhe fati e deshi të isha dëshmitar aktiv në 5 situata, ku, falë Vendimit të prerë dhe të palëkundur të presidentëve amerikanë, në bazë të mirëinformimit të verifikuar, paraprinë mos-shpërbërjen e Shqipërisë, duke luftuar fort diplomatikisht, por edhe duke sakrifikuar jetë ushtarësh amerikanë, kur ishte e nevojshme,në mbrojtje të ekzistencës sonë si Shqipëri, si shtetas të një shteti të vogël, kundrejt interesave të padrejta, përsonale të shteteve shumë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm se ne, qoftë edhe aleatë më të vlefshëm se sa ne për Amerikën.

Të duash me shpirt popullin dhe vendin që i takon dhe, një nga shenjat e kësaj dashurie është mirënjohja për ATA që na janë gjendur në momentet më të vështira të jetës dhe të histories sonë, të cilët kanë pasur qartësinë, vendosmërinë dhe dashamirësinë të luftonin për të drejtat tona, kur ne vetë nuk i mbronim dot ata.

Filed Under: Opinion Tagged With: aleati Yne

Silvana BEGAJ:Mirupafshim Shqipëri!

January 25, 2020 by dgreca

– Rekomandim nga Dielli:Të mos e lexojë kryeministri me qeveritarët e tij që ç‘qeverisin Shqipërinë-/*

Faik Konica: “Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”.
Mirupafshim Shqipëri! Unë po iki!

Po lë familjen, po lë shokët e shoqet, po lë diellin, po lë kafen time të preferuar, po lë kujtimet dhe me to po lë dhe gjysmën time! Po e lë se do vi prapë ose se ndoshta do ta marr se s’dua të vi më!

Mirupafshim Shqipëria ime! Po lë çdo gjë në duart e të paepurve, krimit, drogës, injorancës. Unë nuk mund ta bëj shpirtin pis në emër të dashurisë për këtë vend!

Mirupafshim Shqipëri! Unë do të mendoj e do më marrë malli! Vras mendjen a do të marrë dhe ty për mua? E nëse do të merrte, pse më le të iki!

Mirupafshim Shqipëri! Vërja flakës veten se unë nuk dua të digjem! Le të digjen ata që duan ty në zjarr.

Mirupafshim Shqipëri e  Gjergj Kastriot Skënderbeut! Luftuam kaq vite për ty dhe në fund të shesim me politikë. Turqia që të deshi aq shumë të ka marrë ka kohë me xhamitë e saj dhe telenovelat turke, e Serbia të mori me marrëveshje zotërinjsh.

Mirupafshim Shqipëri se dhe po të rri nuk kam me kë. Vendi po boshatiset çdo ditë dhe ata që janë aty janë thjesht fizikisht se me mendje janë larg nga ti!

Mirupafshim Shqipëri! Po të lë me vendet e tua të bukura që Naim Frashëri shkruante ditë e natë! Po të lë me dy detet më të bukura të rruzullit, me malet më të thepisura, po të lë me ajrin më të ëmbël dhe me diellin që ndriçon më shumë! Tani që e mendoj, po të lë dhe me hënën që të qan hallet çdo natë.

Shqipëri, ti ndoshta nuk e di, por në asnjë vend nuk ngroh dielli si aty dhe nuk ndriçon hëna si aty!

Mirupafshim Shqipëri! Do iki dhe do gjej një vend për qetësinë e shpirtit tim. Një vend që mos të ketë aq vrasje çdo ditë. Kam nevojë të di që jam e sigurt se jam shumë e re të vdes nga rastësia.

Mirupafshim Shqipëri!

Mirupafshim o Shqipëri e pasur për 0.001 përqind të popullsisë dhe mjerim për pjesën tjetër.

Hap sytë Shqipëri!

Lufta nuk sjell fitore!

Tradhëtarët sjellin fitore të pisët!

Eh, do të më mungosh e marrtë dreqi!

Do të më mungosh aq shumë sa do pres vetëm një shenjë nga ti dhe unë do të vi përsëri.

Silvana BEGAJ-Pedagoge ne Suedi

Filed Under: ESSE Tagged With: Silvana Begaj-Mirupafshim-Shqiperi

A duhet të na shqetësojë zbrazja e shkollave shqipe në Zvicër & Shtimi i fëmijëve që frekuentojnë xhamitë e mësojnë arabisht?

January 24, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ju ftoj që t’i shihni këto foto dhe këta fëmijë, këto vajza të vogla të veshura me soj hixhabi (hijab).

Ku janë bërë këto foto sipas mendjes tuaj?

Në Iran, Arabinë Saudite?

Përgjigjen po e jap unë.

Ata janë fëmijët tanë, emrat i kanë Erblina, Ermal, Diella, Shkumbin, Tomorr, Vesa, Shqiponjë dhe janë pjesë e gjeneratës të re të komunitetit shqiptar në Zvicër, të cilët marrin edukim fetar dhe në vend të gjuhës shqipe, mësojnë arabisht;

Skandaloze apo jo!

Për traditën shqiptare e kam fjalën!

Ata fëmijë të fiksuar në foto kanë lindur në Zvicër, në një vend sekular, që respekton besimin me kushtetutë, por që, në jetën publike të vendit, besimi i takon tërësisht sferës private, ndërsa ato vajza të vogla shqiptare që posa kanë filluar pubertetin apo jetën e bukur të adoleshencës janë të detyruara të mbajnë veshje të imponuar nga feja dhe flokët e tyre të bukura prej fëmije t’i lidhin me shami!

Ka një trend shumë alarmant. Ndërsa shkollat shqipe në Zvicër po zbrazen nga fëmijët e komunitetit shqiptar, po shtohet frekuentimi i tyre nëpër xhamitë shqiptare, frekuentim që nis prej moshës minorene.

Një mendje diabolike po i orienton prindërit e komunitetit shqiptar që t’i çojnë fëmijët e tyre të nxejnë mësime të fesë dhe t’ju binden rregullave të saj, sikur të jetë shtet teokratik në zemrën e një vendi laik si Zvicra që i bindet dhe respekton ligjet e Kushtetutës.

Besimi fetar në kushtetutën e Zvicrës është zgjedhje e lirë, pa cënuar sekularitetin e Konfederatës Helvetike. Seicili beson, pa prishur lirinë e besimit të tjetrit, në respekt të rregullave të një vendi të emancipuar dhe modern.

Zvicra po ashtu e ka të rregulluar me ligj edhe finacimin e institucioneve te kulteve te besimit kristian, që financohen zakonisht nga komunat ose nga taksa e fesë.

Mos harrojme se në një të shkuar jo të largët Zvicra i përkiste pothuaj e gjitha besimit krisitian. Ndërsa sot në përbërjen e saj ka edhe një komunitet mysliman, që mendohet se shkon rreth 700 mijë, por që praktikantë janë një pjesë e vogël.

Këtu është përfshirë edhe ajo pjesë praktikante e komunitetit mysliman shqiptar, që erdhi në Zvicër, jo si etnitet fetar, por si emigrantë, në kërkim të strehës, të sigurisë, punës dhe dinjitetit. Dikur, prindërit e këtyre fëmijëve që sot i çojnë nëpër imamë, ishin njerëz pa asnjë bazë ekonomike, në mëshirë të fatit, të larguar nga vendi i prejardhjes pasi aty nuk kishte asnjë shpresë. Kur erdhën në Zvicër fillimisht ata nuk e kishin mendjen tek feja por të gjenin punë, një pjesë tjetër gjetën strehë si azilantë politikë.

Për çudi vokacioni për të praktikuar fenë islame u lindi nga mesi i dhjetëvjeçarit të parë të milenarit të ri, kur papritmas një pjesë ateistësh shqiptarë bënë ndryshim drastik të jetës së tyre shpirtërore, u shpallën besimtarë të islamit, zgjatën mjekrat dhe i veshën gratë e tyre me hixhab!

***

Pak histori

Në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve feja islame është me tipare thellësisht kombëtare, imamët shqiptarë kanë qenë njerëz të dijes, shkencës, mbrojtjes të gjuhës dhe veprimtarë politikë, të lidhur me Rilindasit.

Kujtojmë këtu Ymer Prizrenin, një nga organizatorët e Lidhjes të Prizrenit apo Hoxha Tahsinin nga Konispoli, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, apo Myderriz Ismail Ndroqin, një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjes më 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë dhe ai e emërua kryetari i parë i bashkisë. Institucionet fetare shqiptare, qoftë kristiane apo islame, i bashkonte dashuria për kombin, fe dhe atdhe, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Në Medresenë e Tiranës kanë studjuar mendje të ndritura si Vexhi Buharaja, përkthyes i Hoxha Tahsinit, Sami Frasherit, Naim Frasherit, dokumenteve të Lidhjes të Prizrenit deri tek Firdusi apo shkencëtari i gjuhës shqipe Shaban Demiraj etj dhe programi i Medresesë miratohej nga shteti. Studentët pas Medresese mund te vijonin rrugën e fesë apo të ndryshonin drejtim.

Në Medrese ka studjuar edhe im atë, poeti Vehbi Skënderi. Aty e çoi im gjysh, kryemyftiu Demir Skënderi, ndërsa djalin tjetër të tij, xhaxhain tim Kadri Skënderi e regjistroi në Shkollën Amerikane të Kavajës. E kam përsëritur këtë fakt, për të treguar se cili ishte islami shqiptar. Gjyshja ime, gruaja e Demir Efendiut, falej shtatë herë në ditë në shtëpinë e saj, por vishej si të gjitha gratë, jo sikur sot këto vajza të vogla shqiptare, të lindura në mes të Zvicrës.

Sipas Prof.Ferit Duka, “Islami shqiptar menjëherë pas shpalljes të pavarësisë lujti një rol konstruktiv dhe paqëtues në jetën e shqiptarëve…Kongresi myslima i 1929 e shpalli gjuhën shqipe si gjuhë e vetme e lutjeve dhe predikimit.” Prej asaj kohe Kurani u përkthye shqip.

Pas Luftës së Dytë Botërore fati i fesë në Shqipëri ka qenë tragjik. Diktatura sapo erdhi në pushtet nisi burgosjen dhe vrasjen e elitës shqiptare, pjese e së cilës ishin edhe klerikët katolikë dhe myslimane dhe me 1967 e ndali me ligj, duke u kthyer në vendin e vetëm ateist në botë. Ishte kohë e tmerrit, kur shkaterroheshin objektet e kultit, pa marre parasysh se ishin pjese e trashegimisë kulturore dhe duke vijuar persekutimi i klerit. E megjithatë, shqiptarët nuk e humbën lidhjen me Zotin. Ata bënin pelegronazhe të fshehta dhe individuale nepër teqe dhe vende të shenjta që tashmë ishin kthyer në gërmadha dhe ku shërbimi fetar ndalohej me ligj.

Në 1991 posa në Shqipëri u lejua liria e besimit, më kujtohet se Profesor Shefqet Ndroqi, pasardhës i myderriz Ismail Ndroqit u përfshi në organizimin e fesë islame në Shqipëri, sipas traditës shqiptare. Ai vetë kishte studjuar mjekësi në Paris dhe ishte mjek i shquar, por u angazhua për të mbrojtur identitetin shqiptar të fesë islame. Në 1991 në Shqipëri u ribotua Kurani në gjuhën shqipe.

Me këtë rast pyes, ato fëmijë nga Komuniteti shqiptar në Zvicër nëse e lexojnë Kuranin në shqip? Jo, e lexojnë arabisht!

E pra, ky islam që praktikojnë këta fëmijë nuk është i njëjtë me islamin shqiptar.

***

Financimet e dyshimta të xhamive në Ballkan deri në Zvicër

Problemi i financimeve të dyshimta lindi në Shqipëri prej 1991, në Kosovë pas çlirimit, kur nga Arabia Saudite dhe vende islamike filluan të vinin ndihma, para dhe bashkë me të edhe islami ndryshe, me hixhab, burkë dhe në gjuhën arabisht.

Është e qartë se financimet lidhen me qëllime të mbrapshta.

Edhe në Zvicër vitet e fundit janë ngritur shpesh dyshime për financimin e xhamive, të cilat po ashtu janë denoncuar si frymëzuese të qendrimeve ekstreme deri edhe furnizuese të islamit radikal me rekrutë të ISIS. Midis tyre pati edhe të rinj shqiptarë të lindur apo rritur në Zvicër, që u vranë në Siri.

Po përse ? Islami në vetvete dhe islami shqiptar, si besim është paqsor.

Zvicra ka mbyllur xhami sepse ka patur prova të pakundërshtueshme se në vendin e kultit nxitej urrejtja dhe radikalizmi.

Kohët e fundit në gjithë mediat botërore u shpërnda lajmi se një hoxheshë shqiptare me emrin Ikballe Berisha Huduti u arrestua në Kosovë sepse bënte thirrje për hakmarrje ndaj SHBA dhe Izraelit për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Solimani. Kjo hoxheshë financohet nga Irani, ajo ka fondacionin e saj dhe në kushtet e varfërisë që mbizotëron në Kosovë, ajo përdor mjerimin e popullësisë për të afruar njerëz të cilëve u ofron “mëshirë” të helmatisur në emër të një islami agresiv, që nuk ka lidhje me islamin shqiptar.

Ka dyshime edhe për financimet e xhamive shqiptare që kanë ndikuar deri në organizimin e fesë islame në komunitetin shqiptar në Zvicër.

Por nëse për dyshimet e financimeve duhen prova, praktikimi i fesë, në arabisht bie ndesh direkt me rregullat e Islamit shqiptar.

Jemi duke folur për numër të kufizuar praktikantësh, por me tendencë rritje, ndërsa mësimi i gjuhës shqipe ka tendencë rënie.

Këtu marrin rëndësi të dorës të parë ata përfaqësues shqiptarë të fesë islame në Zvicër që janë trashëgimtarë të besimit Islam sipas traditës shqiptare.

Përpara tre dekadave, komuniteti shqiptar në Zvicër financonte për kauzën e lirisë dhe dije, sot për xhami dhe arabisht !

Kur kemi ardhur në Zvicër më 1992 dhe vendosur këtu prej fillimvitit 1996, komuniteti shqiptar jepte 3% të pagës për të financuar institucionet paralele të shtetit dhe arsimin në Kosovë pasi krimineli Milosheviç i mbylli të gjitha shkollat shqipe, në të gjitha nivelet deri edhe Universitetin e Prishtinës. Prej asaj kohe në Zvicër u krijua edhe LAPSH-i, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër dhe në të gjithë Konfederatën u hapën shkollat e para të gjuhës shqipe, të cilat prej asaj kohe frekuentohen nga fëmijët shqiptarë.

Deri sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, komuniteti shqiptar në Zvicër kishte një orientim thellësisht Perëndimor. Vizioni i këtij komuniteti pati si kauzë lirinë, pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe po ashtu i kontribuonte edukimit të brezit të ri, duke krijuar kushte që fëmijët të mësonin gjuhën amëtare, historinë dhe kulturën.

Me vdekjen e Rugovës, komuniteti shqiptar në Zvicer është futur në qorrsokak. Për shkak të ndikimit shumë negativ që vjen prej politikave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, përfaqësitë diplomatike këtu në vend se të jenë unifikuese, përmes urave kulturore dhe gjuhësore, kthehen në instrumenta përçarëse.

Përpara 3 dekadave në Zvicër nuk kishte xhami shqiptare. Në dhjetëvjetëshin e fundit numëri i xhamive shqiptare ka arritur 85 dhe tendenca është në rritje. Ndërsa shkollat shqipe në zbritje. Ndërtimi i xhamive apo blerja e objekteve të kultit kanë kushtruar qindra milionë franga, të cilat mund të ishin investuar për shkollat shqipe, mediat, jetën kulturore dhe artistike në të mirë të interesit të komunitetit dhe sidomos brezit të ri.

Po pyetja legjitime vjen? Keto miliona franga nga vijnë? Nga komuniteti shqiptar apo nga vende islamike?

Nëse komuniteti shqiptar në Zvicër do të investonte  për një zhvillim normal të shkollës shqipe, për 30 vjet rrugëtim, sot shkolla shqipe dhe mësimi shqip do të duhej të ishte i përhapur në çdo komunë zvicerane dhe frekuentimi do të duhej të vinte gjithmonë në rritje. Vetë Zvicra është e interesuar duke vënë në dipozicion objektet e mësimit dhe shpesh herë edhe ka financuar vetë.

Por një dorë e zezë i orienton prindërit e fëmijëve shqiptarë jo drejt shkollave shqipe, por nga xhamitë ku fëmijët suret e Kuranit dhe lutjet i thonë në gjuhën arabe.

Kur kam biseduar me mësuesit e LAPSH-i, ata pohojnë faktet e trishta me zemër të plagosur, por nuk kanë fuqi të ndikojnë në komunitet; ndërsa përfaqësitë diplomatike shqiptare edhe pse kanë marrë sinjale të qarta nga shteti zviceran bëjnë shejtanin indiferent. Dhe dihet se indiferentët marrin anën e regresit dhe çallmave.

Kjo është situata e një pjese të brezit të ri të komunitetit shqiptar në Zvicër, (uroj të jetë sa më e vogël) që rrezikon të marrë një orientim dhe formim fetar krejt ndryshe nga tradita e tre feve shqiptare.

Imamët shqiptarë në Zvicër e (sh)përdorin Kushtetutën zvicerane dhe abuzojnë me lirinë fetare, sepse u imponojnë fëmijëve rregullat islame, jo vetëm brenda objekteve të kultit, por edhe jashtë tyre, duke krijuar barriera në integrimin e fëmijëve në jetën sociale, pasi vajzat janë të detyruara të mbajnë hixhabë.

Unë mendoj se kushtetutshmëria e shtetit sekular zviceran cënohet edhe në faktin se zgjedhjen fetare njeriu e bën në moshë madhore, kur vendos vetë se cilës fe i përket, të jetë monoteist, politeist apo ateist. Dërgimi i fëmijëve nëpër xhami dhe imamë për t’u edukuar me fe dhe mësuar arabisht bëhet nga prindërit, çka duket qartë si shkelje e lirive të individit, pasi fëmijëve u imponohen rregulla, që nuk i ka shoqëria ku jetojnë.

Natyrisht shteti zviceran është shumë i kujdeshëm dhe vigjilent për të mbajtur nën kontroll situatën dhe sigurinë kombëtare. Kur rrezikon të dalë situata jashtë kontrollit veprojnë mekanizmat demokratike, sikur janë referendumet dhe iniciativat që nëse marrin shumicën e votave kanë fuqi ekzekutive ligjore.

Sikur është vepruar në kantonet e Tiçinos dhe Sant Gallen ku prej disa vitesh është ndaluar me ligj mbajtja e burkës dhe nikab-it.

Kambanat e alarmit po bien edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër, që të organizojë forcat e veta, për t’u orientuar drejt rrjedhave që përkojnë me sistemin që ka Zvicra, ku shteti i së drejtës mbaron me kushtetutë plurikulturalizmin.

Mos harrojmë se feja e shqiptarit, sipas Vaso Pashës është shqiptaria;

mos harrojmë, poetin e Rilindjes, Naim Frashëri, që na e ka lënë amanet se vetëm drita nga dija e diturisë përpara do të na shpjerë;

mos harrojmë se orientimi i shqiptarëve si europianë është Perëndimi dhe vlerat e humanizmit.

Mos harrojmë se Zvicra na mikpriti, na dha strehë e dinjitet, na krijoi kushte për integrim dhe zhvillim, na bëri pjesën e saj, sepse pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar është e natyralizuar dhe ne e kemi detyrë të respektojmë kodin e rregullave të mikpritësit me të cilin unifikohemi si europianë!

Por mos harrojmë kryesoren se fëmijëve u kemi borxh t’i edukojmë e t’i shkollojmë si qytetarë të ndershëm, në një shoqëri të lirë me sistem demokratik.

Gjeneratave të reja u takon e ardhmja, progresi, ata i ndriçon dija dhe vetëdija si qytetarë të një shoqërie Perëndimore, sekulare që kanë mision ta ndryshojnë botën për më mirë dhe kurrësesi ta kthejnë pas.

Fjalë kyçe: Elida Buçpapaj, komuniteti shqiptar, shkolla shqipe, Zvicër, Fëmijët, Islami, mësimi fetar

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, femijet, Islami, komuniteti shqiptar, mësimi fetar, Shkolla shqipe, zvicer

MJESHTËR I KUJTIMEVE DHE I HOLLËSIVE ARTISTIKE

January 24, 2020 by dgreca

– Ese kushtuar shkrimtarit Ylli Demneri –

Nga Thanas L. Gjika/



Ylli Demneri tërhoqi vëmendjen e drejtuesve dhe krijuesve të Kinostudios me dokumentarin “Kur flasim për poezi“ (1984) me të cilin mbrojti dipllomën dhe u kërkua të punësohej atje si ndihmëregjisor. Ky krijues ka një jetë dhe një krijimtari të ndryshme nga kineastët dhe shkrimtarët shqiptarë.
          Ai u lind nga bashkimi i një nëne të bukur skraparlie me një baba të urtë tiranas në një ditë të bukur fundshkurti 1961 kur kishin çelur mimozat. “Bukuria më ka ndjekur gjithnjë”, do të shprehet ai. Në maternitet e priti mamia e bukur Lili Toptani (sipas rrëfimeve të nënës së tij); në klasën e parë ia mësoi alfabetin mësuesja më e bukur e shkollës; në gjimnaz puthi së pari shoqen më të bukur të klasës. Gjatë viteve studentore në Institutin e lartë të arteve do të marrë pjesë si aktor në filmin “Në çdo stinë”, ku subjektin e mban pezull bukuroshja shqiptaro-armene Anisa Markarian. Më 1988 u dërgua për studime pasuniversitare në kryeqytetin më të bukur të Europës, në Paris, ku u specializua për kinematografi dhe që prej njëzet vitesh punon si drejtor artistik në revistën parisiane “Le journal des Acteurs Sociaux”. Intelekti i tij ndikoi që këto llastime të jetës të mos e bënin atë një nostalgjik të regjimit socialist, por një kritik i tij.
Për çudinë e të gjithëve, ky djalosh që filloi të shkruante poezi e ditar që në bankat e gjimnazit, botoi së pari pasi arriti pjekurinë e tij, pas të pesëdhjetave. Për vonesën e daljes si shkrimtar, ai të kujton disi italianin Giacomo Casanova (Xhakomo Kazanova), i cili filloi të shkruante e botonte romane pasi mbushi të gjashtëdhjetat. Mirëpo ardhja e këtyre dy krijuesve në letërsi ka ndryshime thelbësore në motivet shtytëse, në përmbajtjet ideo-artistike që trajtojnë dhe në gjininë letrare që lëvrojnë. Casanova, nga fundi i shekullit XVIII, rrëmbeu penën e romancierit për t’u hakmarrë ndaj shoqërisë së lartë e cila e pati braktisur dhe mënjanuar si të pavlerë. Kurse Demneri, pasi mbushi të pesëdhjetat, në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XXI, iu fut krijimtarisë letrare jo për hakmarrje, por për të shprehur mendimet e tij të pjekura për emancipimin e shoqërisë sonë, shoqëri e cila në shumicën e saj ende vuan nga nostalgjia ndaj sistemit komunist. Kur kritikon dukuri të së kaluarës komuniste, Ylli përdor fjalë e shprehje kritike me emocionalitet të butë, aspak hakmarrës.
          Duke qenë kineast i mirëformuar, Ylli krijon me lehtësi imazhe e tablo jetësore. Ai ka tre pasione: të shkruajë, të pikturojë dhe të fotografojë. Një ditë do të kemi prej tij edhe albume me vepra vizuale, por sot për sot prej tij kemi në qarkullim nga shtëpia botuese ODEON pesë botime të librit të parë “Më kujtohet” (Tiranë, 2011, 260 f). në format xhepi; një vëllim me korrespondenca “E dashur A.” (botuar dy herë, 2015 dhe 2016, 219 f).; librin “Bloc-notes”, (2016, 280 f). në format të zakonshëm me vëzhgime, skica portrete dhe tregime; përmbledhjen poetike “Njëqind e njëmbëdhjetë haiku”, (2017, 120 f). dhe volumin e dytë të librit “Më kujtohet” 2018, (266 f).
          * * *
 
          Mbi të gjitha Tirona e dashur, gjyshja dhe Kadareja
 
          Ylli Demneri erdhi në letrat shqipe me një gjini të re të palëvruar më parë në letërsinë tonë: me fragmentin memuaristik. I sinqertë, si është ai, e tha hapur se nuk e shpiku këtë lloj të ri letrar, por e gjeti te libri “Je me souviens” (Më kujtohet) të shkrimtarit francez Georges Peres. Pas leximit të këtij libri, ai sqaron: “fjalët u shpenguan, imazhet morën krahë”. Kështu Demneri rrëfimtar u çlirua duke na dhuruar copëza kujtimesh ku nuk ndiqet një vijimësi kohore, as një ose disa linja subjekti, dhe as ndonjë tematikë e caktuar. Në këto copëza kujtimesh ka shumë jetë edhe pse ato nuk përbëjnë një autobiografi, një grup tregimesh a novelash dhe as ndonjë roman. Këto fragmente memuaristike, ose copëza kujtimesh, në vetvete janë vepra letrare të mirëfillta edhe pse janë të shkurta, pa subjekte dhe pa personazhë. Ato janë një lloj vepre letrare, sepse aty jepet një copë jetë, përmes një ndjeshmërie komplekse nga ana pamore, dëgjimore, ndjeshmëria dhe kryesorja është se në shumicën e tyre jepet vlerësimi ideo-emocional i autorit. Po sjell një prej tyre:
          “Më kujtohet podiumi i rrumbullakët me viza të zeza anash vendosur në mes të Sheshit Skënderbej, mbi të cilin qëndronte polici i veshur me kapele, xhaketë e doreza të bardha. Siç shkruanin zakonisht edhe ata pak gazetarë të huaj që hynin në Shqipëri: ‘Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, qarkullojnë vetëm makinat e zyrtarëve të lartë. Megjithatë në mesin e sheshit qendror ka një polic që drejton një trafik imagjina.’” Këtu si dhe në rastet e tjera fjalët “Më kujtohet” shërbejnë si hyrje, më tej jepet përmbajtja e shkrimit që përbëhet nga përshkrimi i podiumit në mes të Sheshit Skënderbej mbi të cilin rrinte polici i veshur me xhaketë, kapele dhe doreza të bardha për t’u dhënë drejtimin makinave. Mbas përmbajtjes jepet mbyllja, ku zbërthehet sarkazma ndaj këtij realiteti, përmes thënies së gazetarëve të huaj se polici drejtonte një trafik aq të rrallë sa që ata e quajtën ‘trafik imagjinar’. Kjo mbyllje shpalos dhe qëndrimin tallës të autorit.    
          Dy librat “Më kujtohet” (vol. I, me 590 copëza dhe vol. II, me 359 copëza) janë një kolanë e hapur, e cila mund të vijohet prej po këtij autori, por dhe prej krijuesish të tjerë. Këto sprova mund të na japin kurajë të gjithëve të nxjerrim nga thellësitë e kujtesës sonë copëza kujtimesh nga jeta familjare e shoqerore në çdo kënd të Shqipërisë ku kemi jetuar.
          Unë, si korçar i vajtur në Tiranë, ku jetova 34 vjet në vitet 1962 – 1996, pata rastin të jetoja dhe punoja nga afër me banorë origjinalë tironas dhe kam vënë re karakterin mikpritës, qëndrimin e butë dhe larg sherreve, ndershmërinë dhe karakterin punëtor e qefli të tyre. Ylli Demneri, si djalë vendali dhe i talentuar di të driçojë këto tipare dhe dukuri, si dhe tipare të tjera të kryeqytetit tonë dhe të banorëve të tij.
          Mërrëdhëniet kryesore të autorit me bashkëfamiljarët e tij përqendrohen te marrëdhëniet e tij me gjyshen, njeriun që ishte gjithë kohës prezente në shtëpinë Demneri. Babai e mamaja punonin jashtë shtëpisë, iknin herët e vinin vonë, por Ylli nuk u rrit me çelësin e shtëpisë në qafë, sepse gjyshja e përcillte për në shkollë dhe po ajo e priste kur ai kthehej nga shkolla me gjellën e ngrohtë te soba. Të djelave për mengjes i bënte përshesh bukë të thata duke i përzier me ujë të valë dhe ca gjalpë e djathë të bardhë, që gjyshja e quante “valë” (apo «papare» siç i thoshte gjyshja tjetër toske nga Skrapari).
          Nëpërmjet skenave të vizatuara me shumë ekonomi e shohim atë tek fshin oborrin, mbledh e pastron hurmat e rëna natën. Për të bërë muhabet me të, vinte ndonjë komshie që pinte kafe te kuzhina. Sjelljet dhe gjuha e gjyshes plot përkëdhelje e bënë djaloshin të ëmbël. Në kontrast me ëmbëlsinë e gjyshes jepet ashpërsia e babait, të cilin autori guxon të thotë se e merrte inat në ato momente kur i thoshte: “Mos të dëgjoj të qash!”, pasi i kishte dhënë një shuplakë djegëse.
          Në librat e tij ndjejmë Tiranën dhe Tironën. Jetën e Tiranës gjatë viteve të diktaturës dhe Tironën e shtëpive prej qerpiçi ku ai ka lindur e është rritur. Jeta e djaloshit tironas ndjehet edhe në kalimet nga njëra kinema te tjetra, blerja e biletave me shtyrje të forta, shikimi i filmave edhe më këmbë, ndonjë puthje në errësirë gjatë shfaqjes, etj. Ai rikujton radhët e popullit nëpër dyqane për të blerë prodhimet e pakta, bërtitjet: “Ka dalë ullinj!”, pritjet në radhë për një pllakë bukë të shumë aktorëve, këngëtarëve, shkrimtarëve, muzikantëve:
          “Më kujtohet dyqani i bukës në rrugën Asim Vokshi. Rreth drekës aty mund të shikoje: Fitnete Rexhën, Skënder Sallakun, Odise Paskalin, Gaqo Çakon, Kadri Roshin, Sulejman Pitarkën, Llazar Siliqin, Ramadan Sokolin, Fatmir Gjatën, Dhimitër Xhuvanin, Kel Kodhelin, Mentor Xhemalin, Gjon Athanasin, Pirro Milkanin ose Margarita Kristidhin, Violeta Manushin, Xhanfize Kekon, Drita Pelinkun (më shpesh Hysen Pelinkun), Vera Zhejin, Besa Imamin, Nasho Jorgaqin, Alfred Uçin, Margarita Xhepën, Safo Markon, Spiro Çomorën, Aleks Budën, Rifat Teqen, Kristo Themelkon – duke mbajtur radhën për të blerë bukë.”
          Kur lexova emrat e gjithë këtyre intelektualëve, ndjeva një keqardhje për mjaft prej tyre. Ndjeva keqardhje për mjaft prej tyre sepse mbas ndërrimit të regjimit mbetën nostalgjikë të sistemit komunist, sepse mendonin si skllevër se partia i bëri të ishin dikushi, dhe nuk e kuptonin se ishin aftësitë e tyre individuale, që ua shfrytëzoi partia për t’i bërë ushtarë të propagandës së saj.
          Një kontrast të këndshëm me sjelljen socialiste të shveshur nga mirësjellja krijojnë kujtimet për gjuhën që përdorte kushëriri i autorit, shitësi i bulmetit Demneri te Rruga e Durrësit, i cili vijonte të thoshte «zotni, zonjë, të lutem dhe faleminderit», si në kohën kur e kishte pasur dyqanin e vet.
          Puna dhe jeta e regjisorit Viktor Gjika e ka frymëzuar regjisorin e ri, të shkruajë një portret për këtë krijues të talentuar, për të cilin thekson: “Megjithë epokën dhe rrethanat ku punoi, si kineast krijoi vlera kinematografike, si artist vuri në shërbim të këtij arti gjithë talentin dhe pasionin e tij. Profesionist i vërtetë, ai hodhi bazat e kinemasë moderne shqiptare në kuadrin e realizmit socialist.” (“Bloc – notes” f. 42). Këtu nuk mund të mos them se këtij karakterizimi të regjisorit Gjika i duhej shtuar fakti se ai krahas filmave të realizmit socialist krijoi dhe filma realistë si “Gjeneral Gramafoni” dhe “Nëntori i Dytë”, që përbëjnë një kapital të çmuar regjisorial për të gjitha kohët.
          Mes shkrimeve te libri “Bloc-notes” vemë re dhe mrënjohjen ndaj Petraq Kolevicës, për librin “Lasgushi më ka thënë” ku ai përmblodhi thënie e kujtime të Lasgushit, për të zbuluar papajtueshmërinë e poetit kombëtar ndaj regjimit komunist. Vepra e Kolevicës, thekson Ylli, zëvendësoi mungesën e një autobiografie të këtij poeti të shquar që u largua nga krijimtaria origjinale mbas nëntorit 1944.
          Mes kujtimeve të tjera përmenden dhe ndjekja e disa koncerteve të Vitit të Ri të Orkestrës Simfonike të Vjenës, shikimi i varieteteve Canzonissima të këngëtarëve italianë të shtunave mbrëma, emisionet e drekës së Radio Rait, etj.
          I shqetësuar prej atmosferës armiqësore që u krijua ndaj Ismail Kadaresë pas botimit të romanit “Nëpunësi i Pallatit të Endrrave”, Ylli vetë pa ëndërr sikur Kadareja po binte nga shkallët (që përkon me titullin e librit të George Orwell), një natë para se Dritëro Agolli ta kritikonte në Plenumin e KQ të PPSH të vitit 1984 (“Më kujtohet”, 2, f. 63). Dyshja Kadare – Agolli, si dyshe kryesore e krijuesve të letësisë sonë të viteve 1960-1990 është bërë objekt pasqyrimi edhe në copa të tjera për të shprehur mendimin se midis tyre kishte ndryshime të mëdha jo vetëm në krijimtari, por edhe në karakter dhe në mendësi. Ata jetonin të dy te i njëjti pallat te Rruga e Dibrës, karshi MAPO-s, Kadareja te kati i dytë, kurse Dritëroi te kati i tretë. Në katin e parë ishte një restorant ku pianikët bënin zhurmë dhe Kadareja ankohej për shqetësimin që ata i shkaktonin, kurse Dritëroi nuk ankohej. Autori sqaron: “Dritëroi nuk ankohej, jo pse banonte më lart, por ishte vetë gjithmonë tapë.” (“Më kujtohet” 1, f. 178). Ndryshimet midis këtyre krijuesve, Demneri gjen rast t’i vërë re që në rininë e tyre duke riprodhuar dhe interpretuar dy foto të tyre ku kanë dalë si zboristë ushtarakë të kohës studentore. Këto dy foto ai i kishte gjetur rastësisht në internet dhe si kineast që di t’i lexojë, zbërthen domethëniet e tyre duke krijuar një vëzhgim kritiko-letrar të spikatur.

Duke parë portretin e Dritëro Agollit, autori sqaron:
          “Dritëroi pozon. Ndjehet mirë i ulur mbi stolin përpara bezes së zezë. Eshtë përgatitur për këtë pozë. Krehur me shumë, shumë kujdes. Asnjë fije floku nuk lëviz. Qaforja e bardhë qepur po ashtu me kudes rreth jakës; vetullat e ngrysura, shikim i ngrysur duke pozuar (sipas idesë naivo-romantike) mendimtarin. Njërën shpatull më të ulët se tjetra për të formuar diagonalen që krijon dinamizëm, sipas modës së viteve 40-50. Shikon nga aparati (nga ne), por nuk vështron plotësisht drejt e në sy. Një pjesë e vështrimit është kthyer nga imazhi i tij. I përqendruar në kurorën e flokëve. Asnjë lëvizje të shkujdesur, që të mundë të prishë krehjen, maskën (atë që dëshiron të tregojë).”
          Kurse duke parë portretin e Ismail Kadaresë, vëren:
          “Ndërsa Kadare ngjan sikur e kanë ulur me forcë përpara aparatit fotografik. Qëndron, por nuk pozon. Asnjë kënaqësi në të pozuarit. Eshtë i kthyer në objekt. Një imazh i vjedhur. Flokët e pakrehura, xhaketa e kopsitur minutën e fundit (me urdhër), pa qafore dhe, mbi të gjitha, vështrimi: një përzierje revolte, indinjimi e frike njëkohësisht. Ngjan më tepër si fotogarafi e një robi lufte apo e një të burgosuri. Kadare shikon nga aparati duke ia ngulur sytë. Një vështrim që të gozhdon për nga intensiteti duke të kujtuar shprehjen e R. Barthes-it se ‘Kushdo që vështron drejt e në sy është i çmendur.”
          Për të mbyllur vëzhgimin e tij, autori ia vendos dy fotot përpara vajzës së vet, një adoleshente, pa i dhënë asnjë sqarim se kur, ku dhe pse janë bërë ato. Ajo jep shpjegimin e saj: “Së pari kemi të bëjmë me dy epoka të ndryshme”, i përgjigjet ajo. “Si të ndryshme?” e pyet babai i befasuar nga komenti i saj. “Ai majtas (Dritëroi) i përket një periudhe më të herdshme, ndërsa ky djathtas (Kadareja) një periudhe më moderne”. Dhe autori shton se vajza e tij “i ka thënë të gjitha. Ka thënë atë që thuhej për stilin e tyre. Për t’i rënë shkurt, njëri me një stil të vjetëruar, tjetri modren.” (“Bloc – notes” f. 128-129).
          Formimi letrar solid dhe leximi i vëmendshëm i veprave të Kadaresë, vetvetiu e ka çuar Demnerin te disa vlerësime personale me vlerë: “Gjatë viteve të diktaturës, dalja e romaneve të Kadaresë (vini re, jo i poemave, – Th. Gj.), ishte ngjarja më e madhe artistike. Çudia ishte se në atë jetë pa ngjyra e monotone, ku në të gjitha fushat e artit mbizotëronte një mediokritet i larë, i filtruar mirë nga sita e ideologjisë komuniste dhe i ekspozuar me një lloj kujdesi muzeal, arti i Kadaresë shfaqej si një mbrekulli e rënë nga qielli (qielli ishte e vetmja mundësi për të futur diçka në Shqipëri). Pra në atë art të sterilizuar çdo ditë e më shumë nga ‘mësimet’ e Enver Hoxhës, shkrimet e tij qenë e vetmja gjë që na bënte të ndiheshim bashkëkohës me botën e qytetëruar. Më tepër se aq ato ishin një mbijetesë morale… Ai solli një letërsi moderne. Dhe si thotë Deleuse ‘Çka është e re ( e paparë) është e paharrueshme’.” (“Bloc – notes”, f. 48-49).
          Gjatë vizitës që bëra unë me Julian në Paris në nëntor-dhjetor 2019, pata rast tv takohesha me Yllin. Duke ditur se ai dhe Kadareja mbas tetorit 1990 jetojnë në Paris, si dy krijues shqiptarë që kanë fituar azil politik, e pyeta për marrëdhëniet e tij me Kadarenë, shkrimtarin që ai e ka simpatizuar dhe e simpatizon më shumë se krijuesit e tjerë shqiptarë.
          “Kadarenë e kam xhiruar dy herë, tregoi Demneri, një herë në shtëpinë e tij në Tiranë më 1984, kur po krijonim me Diana Gjiknurin dokumentarin ‘Kur flasim për poezinë’ dhe një herë në Paris kur kërkoi azilin politik. Kësaj radhe isha me një regjisor francez. Shtëpia ku ai banon është jo larg nga vendi ku punoj unë. Por nuk kam kërkuar ta takoj për kafe a biseda private. Lidhjet e mia me veprën e tij janë shumë ‘të ngushta’, kurse me vetë autorin, jo.”
          “Po, a keni rezerva ndaj Kadaresë si njeri dhe krijues?”, e çpova, për të mësuar opinionin e tij të mëtejshëm.
          “Për krijuesit e talentuar, tha Ylli, lexuesit nuk duan të dijnë për karakterin dhe dobësitë e tyre. Askush nuk do të dijë sot për karakterin e Homerit. Kurse për lëkundjet ideore të veprës, unë, si e kam thënë dhe në librat e mij, Kadaresë duhet t’ia falim lëkundjet, sepse e tillë ishte koha e diktaturës, ku askush nuk mund të shkruante e botonte pa paguar haraçin ndaj sistemit. Kryesore është se letërsia jonë dhe ajo botërore përfitoi shumë prej veprës së tij.”
          Mendësia e lirë e krijuesve shqiptarë të Jugosllavisë, si ajo e poetes Edi Shukriu, e studiuesit Rexhep Qosja dhe e disa krijuesve brenda Shqipërisë si e përkthyesit Pashko Gjeçi, piktorit Sadik Kaceli, Maks Velo, shkrimtarit Petro Marko, etj. e ka tërhequr Demnerin, prandaj ai e ndjen për detyrë qytetare të riprodhojë kujtimet që i kanë lënë leximi ose shikimi i veprave të tyre, ose lënia në anonimat e P. Gjeçit, mbajtja në Bibliotekën Kombëtare “në rezervat” e librave të krijuesve shqiptarë të Jugosllavisë, etj. Mes “fotografive” të ndaluara gjatë periudhës komuniste, por të regjistruara në kujtesën e tij, gjejmë dhe atë të votimeve qesharake me 99.99 % pa kaluar te dhoma e izoluar, mbledhjet e shumta nëpër ndërmarrje e lagje, që autori i quan “Kohë burgu” (“Më Kujtohet” 1, f. 166).
          Leximi i këtyre copave e njeh lexuesin me aspekte të shumtë të jetës reale të kryeqytetit tonë dhe të banorëve të tij, ia shton nostalgjinë ndaj jetës së dlirë të popullit tiranas, natyrisht larg nostalgjisë ndaj diktaturës dhe diktatorit. Konkretisht e bën lexuesin të ndjehet më tiranas, se sa djehej para leximit të këtyre copave. Kështu, autori e ka kryer misionin e tij si bir i denjë i kryeqytetit.
          Që në parathënien e librit të parë «Më kujtohet» 2011, autori jep sqarimin e vet: “Në tekstet e mëposhtme flitet për ngjarje, situata, dialogë, imazhe, fjalë, shprehje, gjeste, sende, persona, etj., që, në një mënyrë apo një tjetër, ishin pjesë e jetës sonë të përditshme. Në disa prej tyre ndihet një lloj nostalgjie, por kjo s’ka të bëjë aspak me kohën e diktaturës. Aspak. Është nostalgjia që ndjen gjithkush për kohën e fëmijërisë dhe rinisë së tij, në çfarëdolloj sistemi politik qoftë, e që është e lidhur më shumë me shqisat e të parit, të dëgjuarit, të prekurit, të nuhaturit e të shijuarit.”
* **

   Letra së dashurës A. të shkruara nga “kafazi i artë


Veprat e Ylli Demnerit …

Gjendjen e të gjithë shqiptarëve, që ikën nga atdheu drejt Perëndimit pas vitit 1990, të shtyrë nga mungesa e lirisë dhe varfëria, ky autor e karakterizon si një kalim nga një burg në një tjetër. Këtë lloj të ri burgu ai e quan “kafazi i artë” që krijohet nga malli për vendlindjen. Të shpërngulurit jetojnë midis dy vendeve, dy gjuhëve, dy kohëve. Dhe këtë dyzim ai përpiqet t’ia transmetojë së dashurës “A” përmes letrash të mbushura me aspekte të ndryshme jete. Momentet dashurore janë përshkruar me ndjeshmëri të lartë, por ato janë dhënë me masë pa teprime. Synimi kryesor i autorit janë transmetimi i mendimeve, meditimeve, përvojës së jetës, pasuritë mendore dhe shpirtërore të autorit, i cili ia rrëfen së dashurës për ta pasuruar dhe botën e saj. Ai tregon si i kalon ditët, ç’ libra lexon, ç’ filma, ç’ ekspozita ka parë, ç’mësime ka nxjerrë nga jeta e pastakimeve të para lakuriqe nën kuvertë te pullazi i shtëpisë, apo në mbrëmjet dehëse nëpër rrugët e Tiranës. Pas disa deklaratash e përshkrimesh dashurie, autori ngutet të deklarojë: “Sonte të mbaj në kujtesë, ashtu siç mbaj zemrën” (f. 14).

          I rrëmbyer prej librit me kujtime “Vivre avec Picasso” shkruar prej gruas së këtij piktori, Demneri ndalet te përshkrimet e laboratorit krijues të Pablo Picasso-s. Ai riprodhon prej librit të asaj që do bëhet më vonë gruaja e piktorit pjesë nga ato kujtime ku tregohet puna me përqendrim të lartë, zbërthimi i imazheve të Picasso-s që punonte pa model, dhe së fundi riprodhon dhe dy vizatime, modele të një gruaje që mban botën, si të ishte një lodër, etj.

          Duke qenë njohës i historisë së kinemasë, autori ka dëshirë t’ia tregojë së dashurës, pra dhe lexuesit, idilin që lindi pas këmbim letrash dhe këmbënguljes për lidhje telefonike, midis aktores amerikana Ingrid Bergman me regjisorin italian Roberto Roselini. U kuptuan aq shumë midis tyre, sa që gjatë xhirimeve të filmit pati një lidhje dashurie edhe pse të dy ishin të martuar e me fëmijë. Një aventurë që përfundoi me skandal, të cilin Ingridi e vuajti gjatë pa kuptuar se kishte gabuar…

          Dashuritë e krijuesve të mëdhenj si Pushkini e Çehovi janë subjekte letrash të tjera, të cilat nuk po ndalem t’i tregoj.

          Në një letër tjetër, Demneri tregon me kënaqësi emocionet që përjetoi gjatë një vizite turistke në brigjet turke të detit Egje. Çfarë gërmadhash dhe monumentesh pa në Efes, ç’ përshtypje i la afërsia fizionomike midis popullit turk dhe atij shqiptar, afërsi të cilën ai nuk e di se buron nga fakti që fiset mongole selxhukide (të parët e popullit turk) u përzienë së pari me popullsinë trake të Azisë së Vogël, pra me një popull vëlla me ilirët. Populli turk pasi u përzie me trakët i humbi tiparet mongoloide, sytë me bisht dhe ngjyrën e verdhë, mori shumë fjalë prej trakishtes dhe u bë i ngjashëm me banorët e gadishillit Ballkanik me të cilët vijoi të përzihej edhe më tej pas formimit të Perandorisë.

          Jeta plot mundime e mëdyshje e emigrantit e mundon edhe Demnerin. Edhe ai jeton midis atdheut dhe vendit të ri. Dashuria që i kishte falur e dashura A, e mban lidhur me atdheun. Flirtet që ajo i pati dhuruar me trup e shpirt, janë kthyer në mendjen e tij në shtëpi, atdhe, gjuhë, pra në ato gjëra të çmuara që e mbajnë në këmbë në dheun e huaj. Më tepër se një letër ky shkrim është një skicë kushtuar emigranitit në përgjithësi. Për ta përforcuar idenë e vet, autori përdor si ilustrim artistik pikturën «Emigranti» të piktorit shqiptar Agim Sulaj, ku shihet një burrë i fortë që ecën i vendosur drejt së ardhmes duke mbajtur në dorë një valicë, së cilës i ka rënë fundi dhe nuk mban asgjë brenda saj. Në fund, kur emigranti arrin pas shumë vuajtjesh të blerë një shtëpi të madhe për familjen e tij, shikon se fëmijët nuk i flasin shqip, se ai ka mundësi të shkojë me pushime në atdhe, por atje çdo gjë ka ndryshuar, nuk është më atdheu që ai sheh në ëndrrat e tij, madje dhe njerëzit janë tjetërsuar…

          Pasi lexoi kujtimet e vajzës së Stalinit, Svetlana Alliluyeva (Svjetllana Alilujeva), Demneri i shkruan së dashurës: “Kam qenë i emocionuar nga sinqeriteti dhe nga forca e saj për t’u ngritur mbi lidhjet e gjakut dhe i befasuar nga qartësia në gjykimet e të atit” (f. 160). Autorin e kap dëshpërimi sepse midis fëmijëve të diktatorit shqiptar Hoxha nuk ka asnjë që të jetë ngritur e t’i afrohet sado pak nivelit qytetar të vajzës së diktatorit Stalin. Ajo pati deklaruar me shumë sinqeritet: “Kur të vijnë sytë është e pamundur të kalosh si e verbër” (f. 160). Svjetlana, pasi analizon veprën e Stalinit, arrin në konkluzionin e vet: “Krijimi i një bote gjysëm-birrucë, gjysëm-kazermë, ja thelbi i “meritave të mëdha historike të babait tim” (f.173). Për çudi në Shqipëri vijojnë të jetojnë si të verbër jo vetëm familjarët e diktatorit Hoxha, por edhe shumë ish-komunistë e ish-funksionarë të regjimit diktatorial. Ata janë sot deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, mburren me bëmat e tyre të dikurshme dhe kërcënojnë për marrje të jetës ndaj të gjithë atyre si Agron Tufa, Kastriot Dervishi, Uran Butka, Çelo Hoxha, që zbulojnë e denoncojnë krimet e diktatorit dhe të shërbëtorëve të tij.

* * *

          Krijimtari e mirëfilltë letrare artistike

          Për një regjisor që është marrë me krijim filmash artistikë, skenarë filmash, etj nuk është e vështirë të krijojë dhe vepra letrare të mirëfillta si poezi, skica, tregime, novela, romane, drama, etj. Një shembull të suksesshëm e dha regjisori Dhmitër Anagnosti me hartimin dhe botimin e romanit “Koburja nga Europa” 2014 dhe të përmbledhjes me skica, tregime e novela “Ulliri, pema e dhimbjes” 2019. Kështu ndodhi dhe me Ylli Demnerin. Pasi e sprovoi veten si memuarist i dy librave “Më kujtohet” dhe autor letrash “E dashur A.”, ai është edhe autor poezish të llojit Haiku japonez te libri “Njëqind e njëmbëdhjetë haiku”.  Në librin me skica, ese, portrete dhe tregime “Bloc – notes”, arritja më e spikatur është tregimi “Fotografia” (f. 207 – 212), ku subjekti, i cili përbëhet nga një ngjarje e krijuar prej autorit dhe jo i mbështetur mbi kujtimet e tij, shtjellohet me përthyerje dhe digresione të herëpasherëshme. Tregimi ka një ndërtim kompozicional shumë premtues që dëshmon se së shpejti prej këtij autori do të kemi dhe krijime të tjerë të suksesshëm. Fillohet me zhurmën që bën telefoni pasi kishte marrë një sms: “Ke mundësi të takohemi sot rreth orës 11:00 në kafenenë ‘Tre shokët’? Do jem dhe dy ditë në Tiranë, Ana.” Më tej vijon rrëfimi në vetën e parë. Tregohet se Ana ishte e dashura e autorit 29 vjet më parë. Ishin nxënës gjimnazi në Tiranë. Përshkruhet nata e fundit e ndarjes së tyre, plot lot e ngashërime. Pastaj portretizohet Ana Drishti, vajzë e bukur e padrojtje, e cila iu afrua e para. Ajo kishte dy buzë të plota që dukej sikur donte ta kafshonte jetën, ishte bijë e një funksionari të diktaturës. Jepen më tej disa marrëdhënie shoqërore në klasë e shtëpi të Anës, dhurimi i një stilolapsi Blic nga ana e saj, disa shikime të Hit Parade në kohë dreke në TV te shtëpia e saj, etj.

          Pa vijuar më tej tregimin, autori e ndërpret rrëfimin e linjës së dashurisë dhe kalon te pika kulminante, te ndërhyrja e një oficeri të Sigurimit, i cili e thëret djaloshin një ditë të hënë te zyra e sekretares së partisë së shkollës. Nga kërcënimet e oficerit të Sigurimit marrim vesh se djaloshi quhej Arben Dajti, dhe se ky kishte ardhur prej Shkodre në Tiranë për të marrë maturën. Për shkak të biografisë ai kishte ndërruar mbiemrin dhe kishte marrë mbiemrin e dajës së tij. Arbenit iu kërkua që të ndërpriste lidhjet me Anën dhe të ndërronte klasën, përndryshe do ta plasnin dhe atë në burg ku do të piqej me të atin. Djaloshi e ndjeu veten të trembur dhe të poshtëruar…

          Më tej tregohet se dashuria midis tyre kishte lindur me një të parë dhe pa treguar se në çfarë rrethanash lindi kjo dashuri e parë e tyre, autori përmend shkurt një takim nga Liqeni Artificial dhe kthimin nga një ekskursion me autobuz nga Saranda në Tiranë. Ata kishin qëndruar në rreshtin e fundit, Ana ia kishte marrë kokën mbi gjunjët e saj dhe ia krihte një cullufe të pabindur flokësh. Dashuria e tyre ishte zhvilluar në fshehtësi, por ja Sigurimi e nxori nën dritën e prozhektorëve për ta asgjësuar…

          Kalohet te takimi pas 29 vjetësh te kafe ‘Tre shokët’. Arbeni kishte vite që punonte si fotograf. Rrëfimi vijon në vetën e parë: “Kur hyra në kafenenë ‘Tre shokët’, për disa çaste nuk e njoha. Ndryshimi, shndërrimi, ishte i madh. I paimagjinueshëm. Ai theu brutalisht imazhin që kisha ruajtur përgjatë atyre njëzet e nëntë viteve; atë të një gjimnazisteje me belin e hollë (që arrija t’ia mbërtheja me dy duart), ovalen e bukur të fytyrës, atë refleks të bukur mbi flokët ngjyrë gështenjë, që tani ishin lyer për të fshehur thinjat. Sytë, vetëm sytë ishin po ato, i njëjti shkëlqim, sidomos kur buzëqeshi. Edhe pse u mundova që të mos e jap veten, m’u duk se arriti ta lexonte atë mbi fytyrën time…”

          Ana kërkoi që Arbeni ta uronte, sepse ishte bërë gjyshe, por ai nuk nxjerr dot asnjë fjalë. Më tej, kur ajo e pyeti: “Më trego, çfarë ke bërë gjatë kësaj kohe?” Ai iu përgjigj: “Asgjë.” dhe shtoi me vete: “Në fakt, asgjë nuk kisha bërë gjatë atyre viteve. Kisha jetuar me kujtimin e saj. Mes mallit dhe urrejtjes. Çdo gjë tjetër kishte qenë vetëm arrati. Arratisje nga kujtimet. Tek të gjitha vajzat që kisha njohur më pas, kisha kërkuar atë…”

          Tregimi mbyllet me kërkesën e Anës për t’i bërë një foto sepse donte ta kishte gati për gurin e varrit. Kjo kërkesë Agronit i kujtoi rrobat e vdekjes që gjyshja e tij kishte bërë gati dhe i ruante te sëndyqi, shumë vjet para se të vdiste.

          Thjesht e qartë transmetohet ideja, se të dy kishin shtyrë vitet si viktima të diktaturës komuniste…

Filed Under: ESSE Tagged With: Thanas Gjika-Mjeshter i Kujtimeve-Ylli Demneri

KALVARI I FAMILJES MIRDITORE KADELI NËPËR BURGJE E KAMPE INTERNIMI

January 24, 2020 by dgreca

SHKRUAN: LEONORA LAÇI/

Jeta është plotë të papritura, të panjohura, kthesa të forta, progrese e regrese. Ndonjëherë ajo mund të të përplasë fort përtokë, por e rëndësishme është të gjesh forcën për tu ngritur dhe për të vazhduar pavarësisht çmimit që duhet të paguash. Dhe këto na i dëshmon z.Gjon Kadeli në librin e jetës së tij “Kujtimet e nji t’merguemi”.

Libri “Kujtimet e nji t’merguemi” i z.Gjon Kadelit është botuar në vitin 2018 nga Shtëpia Botuese Volaj në Shkodër. Ndonëse ka veç 194 faqe, ky libër është mjaft domëthënës për ngjarjet që trajton nga këndvështrimi i autorit, ku përfshihen shumë njerëz të tjerë, ngjarjet ndjekin një kronologji kohore që përfshijnë disa dekada duke e mbyllur me mberritjen në tokën e premtuar që i ofroi autorit jetën e dëshiruar.

Po shkëpusim ca fragmente nga kujtimet rreth kalvarit të familjes së tij në burgje dhe kampe internimi, sesi dinjiteti njerëzor vihej në pikëpyetje, sesi njeriu bëhej shtazë, shtaza aspironte për njeri, sesi kafshata bëhej aq e rëndësishme, sesi jeta humbiste çdo kuptim, sesi ideologjia verboi atin e birin, sesi komunizmi mundi shqiptarët, sesi fati mundet të të buzëqesh kur ti nuk je në gjendje as të qeshësh.

INTERNIMI I PARË NË KAMPIN E PËRQENDRIMIT NË TEPELENË.

Disa ditë mbas vrasjes së Bardhok Bibës, si shumë të tjerë, arrestuen edhe babën tim (Pjetrin). Ai u arrestue kur po zhvillonte mësimin në klasë, në shkollën e Shpalit dhe e çuen në burgun e Rrëshenit, antarët e tjerë të familjes i internuan në kampin e përqendrimit në Tepelenë. Mbas rreth nji viti na liruen nga kampi dhe u kthyem në shtëpinë tonë. Mbas një kohe të shkurt, baba im me tre shokë; Preng Vorfin, Ndue Dedë Lasken dhe Ndue Shkurt Prengën, thyen burgun. Gjatë këtij procesi Ndue Shkurt Prenga u vra në dritare dhe nji tjetër u vra jo larg burgut, kurse baba im me nji tjetër pshtuen dhe iken në mal.

DY FJALË RRETH VËSHTIRËSIVE QË KALOI BABA MBASI IKU NGA BURGU

Nga torturat dhe mungesa e ushqimit, ai ishte dobësue deri në pikën e fundit. Natën që theu burgun me shumë vështirsi mbërrijti në katundin Valeç që ndodhet vetem nji orë larg Rrëshenit. Ai shkoi te nji familje që kishte njoftësi me te. Familja në fjalë e pa si diçysh me veshmbathje dhe e çoi në nji pyll të dendun aty afër dhe për nji javë e furnizoi me ushqim. Mbas nji jave baba shkoi te Preng Dodë Vuka në Thkellë të Epër. Prenga bani çdo përpjekje per t’a ndihmue babën tim. Ai e çoi babën në nji vend, jo larg shtëpisë së tij, i cili ishte shumë i pyllzuem. Prenga gjatë dy javëve e furnizoi baben me ushqim e me ujë. Gjatë kësaj kohe Prenga u përpoq dhe ra në lidhje me nji grup të arratisunish, dhe njikohësisht i gjeti dhe nji pushkë me disa fishekë, kështu që baba mbas dy javëve u lidhë me të arratisunit.

Mbas disa ditëve baba u takue me grupin e të arratisuve nga zona e Kurbinit që kryesohej nga Gjergj Nikollë Ndreu. Kur Gjergji vuni re sa i dobsue ishte baba im nga vuajtjet në burg, e pyti baben: “ Or Pjetër, si po të duket, a ma mirë në burg apo në mal?” Baba ju përgjegj: “Shumë ma mirë në mal se sa në burg”, dhe shtoi:- Sa të kem“grykëhollen” (pushkën) nuk do të më kapi ma kush gjallë me dorë”. Kjo gja në vetvedi tregon vuajtjet që baba pësoi gjatë kohës që ishte në burg.

Mbasi baba ndejti disa kohë në mal së bashku me disa të arratisun të tjerë, iu drejtuan kufinit dhe hynë në zonën e Kosovës në Jugosllavi.

Internimi për herë të dytë në Tepelenë, 1950

Si rrjedhim i hikjes së babës nga burgu në Kreshë, pjesa e familjes së tij si edhe e vellaznve të tij Gjokës e Zefit u internuen në Kampin e perqendrimit në Tepelenë, kurse Gjokën e çuen në burgun e Porto Palermos dhe Zefin në burgun e Tiranës.

Një përshkrim i shkurtër mbi gjendjen e përgjithshme në atë kamp.

Kampi kishte disa kazerma të mëdha ushtarake në të cilat ishin ndërtue platforma dyshtresese me dërrasa ku rrishin e fleshin njerëzit. Përsa i përket ushqimit, rracioni i bukës ishte 450/gr në ditë. Mbas disa kohe, si gjellë filluen me na dhanë njifarë totolangu groshesh, kërtollash ose laknash, në të vërtetë kishte vetëm emnin gjellë. Me përjashtim të moshuemve dhe të fëmijëve, të gjithë të tjerët ishin të detyruem të shkoshin në punë të ndryshme herët në mëngjes deri sa errej në mbramje. Në rastin tim që ishem rreth 13 vjeç, më çuen me nji grup njerëzish në nji zonë tepër të thyeshme malore në afërsi të Tepelenës. Në atë zonë disa njerëz pritshin dru, disa të tjerë i grumbulloshin ato, dhe përpara se të ktheheshim në kamp në mbramje  njerëzit ngarkoshin nji sasi drushë në shpinë dhe i çoshin në Tepelenë për të furnizue me to furrën e qytetit dhe qendrën administrative të tij. Gjatë gjithë kohës ishim të shoqnuem me policë. Disa prej këtyne policëve ishin tepër të egër. Më kujtohet nji rast kur njeni prej policëve i detyroi dy gra të ngarkoshin ma shumë drue se sa kishin ngarkue, kur ato vunë edhe disa drue të tjerë në shpinë, prej peshës së rand, njenën prej tyre e lëshuen gjuejtë dhe u rrëzue për tokë.

Në atë zonë punën e bante edhe ma të vështirë mungesa e ujit. Aty ndodhej nji vend ku buronte shumë pak uji, dhe si rrjedhim duhej shumë kohë me mbushë nji gotë të vogël me uji, kështu që vetëm disa njerëz mund të pishin pak uji.

Në kampin e Tepelenës, si rrjedhim i mungesës së ushqimit të mjaftueshëm dhe e pastërtisë ma elementare, sëmundjet e ndryshme banë kerdinë në fëmijë. Rreth 300 fëmijë, shumica e tyne nga Mirdita vdiqën në atë kamp. Edhe nji numër i konsiderushëm i të moshuemve pësoi të njëjtin fat.

Dinjiteti njerëzor në atë kamp

Në kampin e Tepelenës dinjiteti njerëzor pothuejse nuk ekzistonte, shembujt janë të të shumtë, por unë po përmendi rastet që u ngja me antarët e familjes time. Kur mue më liruen nga kampi me disa të rinj të tjerë, na çuen te dera e kampit me pritë për kamionin që do vinte me na marrë e me na kthye në zonën nga ishim. Kur mbërrijti kamioni dhe njerëzit që ishin në rresht filluen me hyp në kamion, nana eme desh me ardhë e me përshëndet dhe njiherë perpara se të nisej kamioni, nji polic e ndali dhe e shtyni me forcë kështu që ajo u përplas për tokë, por për fat nuk pësoi ndonji plagosje. Nji rast tjetër, ky tejet shtazak, axhen tim Lalë Gjoken po e mbante nana ime në prehnin e saj, sepse ai ishte në momentet e fundit të jetës së tij. Rastësisht aty pranë kaloi kapterri i kampit që besoj se quhej Selfo, i cili mbante nën mbikqyrje qetësinë në kamp. Ai e pa axhen tim se me shumë vështirësi po merrte frymë e i tha:-“ O derr derri, a je duke vdekur” dhe i ra me shqelm gjujvet të axhes tim. Shembull tjeter, ky i përgjithshëm. Ishin vorret e kampit. Si rrjedhim i vdekjeve të shumta në atë kamp, në afërsi të tij u mbush nji copë tokë plotë me vorre. Trupat e pajetë të njerëzve u zhvendosen tri herë. Herën e fundit nji pjesë e tyne u rivarrosen në bregun e lumit të Bençes që kalonte aty afër. Me kohë ato kufoma përfunduen në atë lum, sigurisht ma vonë në detin Adriatik.

Shumë njerëz kanë shkue te kampi i Tepelenës me shpresë se do të gjejshin varrin e ndonji antari të familjes që kishte ndërrue jetë në atë kamp, por fatkeqësisht nuk kanë muejt me gjetun asgja. Kjo i ngjau edhe babës tim, i cili mbas 40-të vjetesh u kthye në vendlindje , dhe kur shkoi në Tepelenë për të gjetun varret e tre antarëve të familjes së tij, domethanë vëllaut të tij Gjokes, vajzes së vëllaut të tij Zefit se edhe vajzes së tij, të dyja këto të moshës rreth 2 vjeçare, nuk gjeti asgja.

Shtoj këtu, se përsa i përket kampit të Tepelenës, vuajtjet baheshin edhe ma të randa, kur njerëzit herë mbas here ndigjoshin qamjet e fëmijve, disa prej tyne krejt  kerthija, nga zentia apo nga sëmundjet për të cilat nuk kishim mjekime, e ndoshta kjo e qamje ishte e fundit për ta. Kur ndigjohej fshamja e nji nanëzeze kur merrte lajmin për vrasjen e djalit të saj në mal, ose vdekjen e tij në burg. Kur ndigjohej vaji i nji motre për pushkatimin e vëllaut të saj. Kur gratë merrshin lajmin e pushkatimit ose të vdekjes së bashkëshortit të tyne. Megjithëse ato, ndoshta nuk qashin se në disa zona të vendit kështu ka qenë zakoni, megjithëkëtë, zemra e tyne e dinte se sa e rand ishte kjo humbje për to.

Gjatë kohës që unë kam qenë në kamp më kujtohen dy raste tejet të dhimbshme. Rasti i parë, njanës i vdiqen dy fëmijë mbrenda 24 orëve dhe tjetres i vdiq nji fëmijë, të dyja këto nga dëshprimi varen vetën. Rasti tjetër kishte të bante me nji djalë 8-9 vjeçar nga zona e Tropojës. Ai po luante në gërmadhat e nji kazerme të kampit të shkatrrueme gjatë luftës. Gjatë kësaj loje ai hasi ne nji predhë e cila shpërtheu dhe ia çau barkun nga i cili i dolen edhe përmbrendesat e barkut. Ai i shkreti ndërroi jetë pothuejse menjiherë. Unë po kaloshem aty pranë kur kjo ngjarje tragjike e trishtuese i shkurtoi jeten këtij djali. Kjo ngjarje shkaktoi nji trondijte të jashtëzakonshme për mue. Se si i ri që ishem, nuk kishem pa ndonji gja të tillë aq të dhimbshme si edhe trishtuese. Në të vërtetë vendi ishte murane e kazermës, duhet të ishte rrethue me tela mirëpo autoritetet e kampit nuk çashin kryet për këtë gja.

Lirimi nga Kampi i Tepelenës me 1951

Në bazë të nji vendimi nga Ministria e Mbrendshme, të gjithë ata fëmijë që nuk kishin mbushun moshën 14 vjeçare mund të kthehen në shtëpitë e tyne. Si disa të tjerë, edhe unë me vëllan tim Gjetën përfituem nga ky rast dhe shkuem te tezja jonë Shkurte, e cila ishte e martueme me Cub Gjin Danën nga Rrësheni.

Prania ime me vëllanë në shtëpinë e Cub Gjin Danës ishte mjaft e rrezikshme për te, sepse familja jonë ishte e prekun, se quheshin familje antikomuniste, në atë kohë, përveç kësaj babi im kishte thye burgun e ishte arratisun në mal. Mbrenda nji kohe të shkurt dajat e mij e morën Gjetën në shtëpinë e tyne për t’i lehtësu barren Cubit e tezes. Si rrjedhim i këtij veprimi edhe dajat; Bibe, Preng e Gjin Kaçorri e vunë vetën e tyne në rrezik. Si Cub Gjin Dana po ashtu edhe dajat, përveç rrezikut të madh që paraqitet për ta, veprimi i tyne që ndanë me ne edhe kafshatën e gojës. Tuej qenë se unë nuk dashem t’iu bashem tepër barrë e rand ekonomike Cubit e tezes Shkurte, shkova në Bulqizë për të gjetur ndonji punë ne minjeren e kromit, ku punonte kushrini im Nikolli. Tuej qenë se unë ishem tepër i ri në moshë, nuk më pranuen në punë. Mbasi nuk më pranuen në punë u ktheva te tezja ime në Rrëshen. Në këtë kohë në Rrëshen kishin fillue me ndertue shkollen 7 vjeçare dhe kërkoshin njerëz me bajtë materiale ndertimi, si gurë etj, për t’i çue në vendin ku po ndërtohej shkolla. Unë deshta të shfrytzoshem rastin dhe kështu shkova te axha i babës në Orosh dhe mora mushken. Fillova pune tuej bajtë gurë me mushken, për të ndertue shkollën e naltpermendun. Fatkeqësisht tri ditë mbasi fillova punën, nji rrasë e madhe guri rreshqiti nga barra e mushkes e me preu pak mbi thembër të kambës së majtë, plaga ishte e madhe dhe e rrezikshme. Natyrisht m’u dasht me e lanë mushkën ashtu siç ishte e ngarkueme me gurë, dhe shkova drejt te rruga e makines në qendër të Rrëshenit. Aty vinin nga Bulqiza kamionë të ngarkur me krom, kështu që unë mund të hypshem në ndonji prej tyne, e të shkoshem në spitalin e Rubikut. Shoferat e kamionave nuk pranoshin me më marrë. Ndejta gati dy orë tuj pritë, ndërkohë që kamba kullonte gjak. Kur kalonte pranë ndonji femen dhe shifte kamben time të përgjakun thoshte:- “ O qyqja ç’të paska ngja”? Për fat, ma në fund kaloi aty pranë nji oficer i ushtrisë. Ai më pyti se çfarë më kishte ngja, i tregova dhe mandej i thashë se shoferat e kamionave nuk pranojnë me më marrë e me më çue në Rubik. Oficeri në fjalë qëndroi pranë meje deri sa mbërriti nji kamion. Oficeri iu drejtue shoferit e i tha, merre këtë djalë e çoje në Rubik. Shoferi iu përgjigj nuk lejohen me marrë njerëz. Atëherë oficeri i tha patjetër do ta marrish dhe kështu shoferi pranoi me më marrë. Në të vërtetë oficeri bani nji veprim burrnor e njerëzor ndaj meje.

Kur mbërrijta në spitalin e Rubikut, doktorët kishin qenë të zanun me punë. Kështu që nji infermier nga Shkodra filloi mjekimin e kambes time. Kur ai filloi qepjen e plagës, nga dhimta e padurueshme, unë bertitshem sikur bagtija kur e therë kasapi. Natyrisht, në atë kohë mungojshin shumë nga barnat e nevojshme, ndoshta ato për mpimje as nuk ekzistoshin. Mbasi infermieri më lidhi plagën, më shtruen në spital. Mbas dy-tri ditësh erdhi nji inspektor në spital. Kur ai erdhi te shtrati ku ishem unë më pyeti:- Djali i kujt je ti ? Unë iu përgjigja që jam djali i Pjetër Kadelit. Ai më tha”- A ti je mistreci i Pjeter Kadelit?! Inspektori në fjalë e dinte fare mirë se baba im ishte i arratisun në mal. Inspektori në fjalë menjiherë dha urdhër që unë të përjashtoheshe nga spitali dhe ashtu u ba. Po shtoj se inspektori në fjalë ishte nëpunës i sigurimit, dhe si i tillë inspektonte spitalet për të zbulue nëse në to mund të ishte i shtruem ndonji nga të arratisunit, që mund të ishte plagosun në ndonji ndeshje me forcat e ndjekjes…”

Filed Under: Histori Tagged With: Leonora Laci-Kujtimet e nji te Merguemi_Gjon kadeli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT