• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2020

Durrës, tërmet në shpirt

February 19, 2020 by dgreca

–fragmente nga poema /

Emergency personnel carry a body during a search for survivors in a collapsed building in Durres, after an earthquake shook Albania, November 28, 2019. REUTERS/Florion Goga – RC2DKD97F0FV

Kënga e Parë /

6.4 ballë tmerr/

Një nga një shtëpitë/

u shkundën,/

një nga një shtëpitë/

u krisën. /

Një nga një/

u shembën. /

një nga një/

ata vdiqën…/

Shikoj /

Durrësin, /

Fushë Krujën,/

Thumanën,/

Tiranën…

Dridhet dheu,

dridhem dhe unë,

dhe qaj me gjëmë…

Sa afër

dhe

sa larg.

Sa më larg

aq më e madhe plaga,

6.4 ballë

dhe dy

oqeane larg.

Një nga një,

njerëzit po ikin,

si dallëndyshet,

kur u shembet foleja,

dhe deti rrëqethet

nga kujat grisur.

E shtëpitë si gur dominoje

përdhè pllatiten

e makthet

zhdaravitin

ankthet

ndër re,

arratisur.

Shtëpitë

ku ata jetonin,

rrugët,

ku ata,

gjer dje ecnin,

s’janë më njësoj,

kanë lëvizur.

Dhe gjithë frikë,

tok me to, dhe

dhjetëra shpirtra

po ngjiten në qiell

fluturimthi,

duke rrëmbyer,

dhimbjen time

9 ballëshe

të akullt

flakurimthi.

-“Jashtë, jashtë, jashtë!”

-“Në rrugë, në rrugë, në rrugë!!!”

Bota dridhet nën këmbë,

shungullit,” Ik, ik, ik…

panik….”

Njerëz

gjithë frikë…

Aty perënditë e vdekjes po zgjohen

dhe pulëbardhat po këlthasin

e me klithmat e tyre

çjerrin qiellin …

dhe dhimbja si tramundanë,

çjerr faqet  

piskamë,

e i thellon zgavrat e ullinjve

ndër kodra…

Dhe anijet në molo

si dele të trembura në vathë

turfullojnë me ankth

duke u kolovajzur pa timon barkat e shpëtimit,

tragetet, peshkatoret dhe vinçat

që përplasen mes shkulmat

dhe u hedhin dallgëve  

salvaxhente

shprese…

Për kë ?

Medet

aty

s’ka njeri.

( Sot është më frikë

 në stere se në det).

6.4 ballë

dridhërima

dhe dritat e farit

humbasin drejt peshimin

e rrëkëllehen

në theqafje argjilash

drejt Currilash…

E në stere,

strehët,

nëse mund të quhen

ashtu

shtëpitë vatra-shuar

aty këtu

shkatërruar,

aty këtu

rrëzuar,

aty këtu

me muret anuar

ku qindra zemra,

shkërmoqen

në trishtim,

ashtu

shkretohen

vetmuar

e presin një vegim.

Oh Zot,

në dorë të kujt i ke lënë

shpirtrat e tyre?

Sa gënjeshtra

u kanë thënë njerëzve,

me ëndrra pasurie,

me turistë

me jahte?

Me sa errësirë

e kanë kërcënuar?

pa mëshirë

natyrën,

dhe thua

vallë

varret apo gurët e qytetit,

po hakmerren kështu?

Me 6.4 ballë,

vetëm për lakminë e tyre,

vetëm për paratë e tyre,

duke na lëbyrë,

majtas, djathtas

me shkëlqime false,

me tallje përqeshëse

“Hë, hë ndiqni paratë, hë!?,  

Nga reklamat mashtruese

nga ekranet e tyre,

neronët,

perandorët  klouna

të politikës

së shekullit të facebookut.

Zgërdhihet

cezar- marrëzia

nga NRTV-ja

dhe servilët

duke nënqeshur

duartrokasin

pacipërisht,

gjithë sqimë

zgërdheshur …

Sa urrejtje

kemi mes nesh

ne shqipot?!

Dhe pse kur jemi në hall

atëherë veç kujtohemi

se pse flamuri ynë

ka një zog me dy krerë,

kujtojmë pse Kosovës i dhemb

kur ne na dhemb,

dhe ne që jemi larg,

me një fjalë asgjëkundi

diasporë  mallhumbur,

dhimbja na duket edhe më e madhe

nga një ndjenjë faji …

Por se kuptoj

pse Shkodra, Korça e Vlora

s’po bëjnë për Durrësin,

atë që bëjnë bijtë në Amerikë;

pse shqiptarët presin vetëm

nga qeveritë,

që se kuptojnë se paraja e bardhë

duhet për ditë të zezë

se shqiptaria bën për shqiptarin,

por vetëm 2 milionë euro s’mjaftojnë

për hakmarrjen e natyrës,

një miliardëshe.

Dhe një lider që përbetohet

për njerëzit e tij

dhe ka më shumë taborre

për të prishur shtëpi,

dhe asnjë qen shpëtimtar

për të nxjerrë nga gërmadhat frymët,

aty ku shpresa tani

po rrëmon me duar

para se shpirtrat në amshim

të kenë shkuar?

“Nënë mos ki frikë, nënë mos ki frikë,

se ne jemi këtu përtej partive,

përtej qeverive,

pse e kuptojmë jemi, sadopak, fajtorë

që kemi ikur.

“Nënë mos ki frikë, Durrës mos ki frikë …

Ky është testi për ne 

ky

6.4 ballë

tërmet.

Po pse ne shqipet

veprojmë

kaq sinqerisht

armiqësisht,

pa zgjidhur asgjë?

Pse?

pushtetarë,

bashkiakë,

ndërtues,

betonues,

aprovues,

hipotekues,

nënshkrues

ndërtesa- shpërthyes…

dhe ju njerëz fatkeq

ëndërrues

vajtues

ankues.

Ju viktima,

zombi të shpresës,

nëse ende jeni

përgjysmë gjallë,

pse vallë

kaq

marrëzisht,

e pafajësish

keni vepruar?

Kur nderin  

në fytyrë

ua shkelin

e parasysh

haptas

ju fyejnë

pafytyrësisht,

e aq pamasë…

sa me gjasë,

nuk shkallë

intensiteti tërmeti

Rihter

ta masë?

Kënga e III-të

Kënga e IV-t

I dashur tërmet !

Në trotuar zbathur,

një djalë me xhup të verdhë,

me një celular në dorë

përpiqet të dijë fatin e të dashurve të tij.

Njerëzit enden aty-këtu;

gjithë frikë,

gjithkund

me sy të përhumbtë,

pa interes.

Fytyra pa shpresë,

sy të përlotur,

që vetëm

luten “ O zot”,

duke menduar,

vetëm

për të mbijetuar.

E prej syve të tyre

një zë bërtet:

“I dashur tërmet,

pse po na ndjek

prapë e prapë

përsëri

me lëkundje

e paslëkundje

ti?

Tunde, shkunde

dridhe, shembe

përkunde, lëkunde

më shumë se dheun

shpresat tona,

që epiqendrën

se kanë

poshtë nga toka

po nga

nga zemrat.

Këtu një tragjedi u shkrua

dhe emrin sa tragjik dhe përtallësh

“Mira mare”,

“Shihe detin” po prej nga ku …

Veç një selvi ka mbetur prej hotelit

si për të treguar varret e hapur,

për bujtësit e pafajësisë.

Sërish tinëzisht

ti tërmet …

tunde, shkunde

dridhe, shembe

fatin tonë

me rrahje zemre

Medet,

o tërmet!

Korja e dheut

poshtë nesh dridhet.

Shtëpitë dhe toka nën këmbë

ja po lëvizin,

njerëzve,

tmerri u ulurin

në fytyrë.

Dhe enden aty-këtu ;

gjithë frikë,

gjithkund

me sy të përhumbtë,

pa interes

fytyra pa shpresë,

sy të përlotur,

që vetëm luten

duke menduar,

vetëm e vetëm

për t’mbijetuar.

Dhe një zë vëngon

nga kodrat buron

lebetitet e thërret:

“I dashur tërmet,

O fat i zi,

pse po na ndjek

prapë e prapë

përsëri,

ti?”

Tunde, shkunde

dridhe, shembe

nëpërkëmbe…

“Prapë do t’na nxjerrësh

atë ujin

e zi?”

E mbi dhe,

tallu, përrallu

për pesë ditë

me pesë yje hotel,

rrena dhe shpresë,

tallje prapë

e prapë jashtë

nën diell.

-“Na ruaj,

 o qiell…”

Tallu, përrallu

Jo më,

ngjallu !

Për hir të vërtetës

të jetës,  

Ngrihu ti !

Mos u tërhiq

përsëri!

Një nga një shtëpitë

u shkundën,

një nga një shtëpitë

u krisën.

Një nga një

u shembën

një nga një

ata vdiqën…

“Në burg të gjithë”,

gjëmon Neroni.

Të gjithë fajtorët do t’i dënoj!”

Por kryefajtorin e kam mik

S’kam çfarë t’i boj”.  

E për të mbuluar

sadopak gjëmën,

rrit si lolo zhurmën.

Dhe si Neroni

i mbushet mendja

se di të aktrojë,

qysh prej Thumane

gjer

“I love Tropojë!”

Po ç’ rëndësi

ka sot,

kur shpirtrat

askush

s’mundet

t’i zëvendësojë.

Jo, jo

Veç dhimbje e përmallim

sheh.

jetën dhe vdekjen

papre,

në një përqafim

pa zgjim…

Kënga e V-të

Tërmet brenda teje

Bota po zhvendoset rreth jush,

duke shkundur zemrën tuaj,

duke tronditur mendjen tuaj,

duke ju humbur kontrollin

derisa të bini dhe ju,

të pafuqishëm dhe të pambrojtur,

të frikësuar dhe të lëkundur

o njerëz.

Sepse gërmadhat po bien rreth jush

dhe kjo u mjegullon pamjen

dhe në mos qofshin

gërmadha në të vërtetë.

janë emocionet tuaja,

të mbingopura, gjithëpërfshirëse,

gjithë dhimbje dhe lot.

Kjo është shumëçka që mund të shohësh,

o njeri,

ndërsa ulesh i rrethuar nga vetmia,

mbi ata gur a plis emocionesh,

që po të mbysin,

sa dhe të marrësh frymë kërkon aq mund.

Ti me zor po merr frymë,

o njeri.

Mos u bë mizor i vetes,

nxirre dhe mbaje frymën brenda.

Mbaje në kontroll atë ç’ ka ke humbur,

sepse je i hutuar si fillim

dhe nuk e di se ç’po ndodh,

por mund ta kuptosh

disi më vonë

se tani konfuzioni sërish po të mbyt,

çorientues dhe poshtërues,

duke të bërë të paaftë

për të ndihmuar vetveten.

Ndaj në këtë tërmet,

ti po lufton

vetëm sa për të marrë frymë

sa të mbetesh gjallë.

Sheh

shkatërrim dhe ngatërrim ngado,

ndaj gjith’ajo çfarë mund të bësh

është të luftosh,

po, po të luftosh.

Përpiqu të kapësh skajet e botës,

qofshin ato dhe fijet e kashtës.

sa për ta mbajtur pak veten,

për ta qetësuar,

por ti nuk mund t’ia dalësh kurrë vetëm

me sukses një tërmeti si ky,

sepse nuk ke fare fuqi

as dëshirë

tani.

Dije

ti nuk mund ta qetësosh botën

po nuk qetësove së pari

veten!

E pastaj, o njeri

Lëri lotët të burojnë,

lëri të rrjedhin poshtë fytyrës;

dhe e vetmja alibi e tërmetit,

o njeri,

është

tërmeti brenda teje.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Rafael Floqi-Durres-Termet

AMERIKA UROI PAVARËSINË E KOSOVËS

February 19, 2020 by dgreca

Me rastin e 12-vjetorit, 2020)/

                                                      Nga Frank Shkreli/

20-vjet pas çlirimit dhe 12 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë mbështetësi kryesor i integritetit dhe sovranitetit të Kosovës së pavarur, ndërsa vazhdon angazhimet dhe përpjekjet në nivel rajonal për një marrëveshje përfundimtare midis Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë që nivelin ndërkombëtar, Washingtoni lobon gjithnjë për më shumë njohje të Republikës së Kosovës nga vendet e botës që nuk e kanë njohur ende.  Të gjitha këto me synimin për anëtarësimin eventual të Republikës së Kosovës në organizmat euro-atlantike dhe në organizatat kryesore ndërkombëtare, përfshir Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në të vërtetë, duket sikur Shtetet e Bashkuara po bëjnë më shumë në këtë drejtim se vetë Kosova dhe Shqipëria, marrë së bashku.  Zyrtarët amerikanë të niveleve të ndryshme, kanë theksuar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara janë mbeten një partner i vendosur i Kosovës dhe kanë nënvizuar, vazhdimisht, në deklaratat e tyre në Prishtinë dhe në Washington, se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara për një Kosovë demokratike, të bazuar në ligj, tolerante dhe e begatë, që do të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane dhe euro-atlantike, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta dhe në paqe me fqinjët e saj.

Vazhdimësia e këti partneriteti, jo aq të zakonshëm në marrdhëniet ndërkombëtare, është mbështetur gjatë dy dekadave të fundit nga administratat amerikane, demokrate dhe republikane, pa dallim, si një nga prioritetet e politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe në kontinentin evropian.  Administrata republikane e Presidentit Trump ka caktuar dy përfaqsues të saj, muajt e fundit, për tu marrë me Kosovën.  Presidenti amerikan, Donald Trump i ka dërguar një telegram Presidentit të Kosovës, Z. Hashim Thaçi me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës duke shkruar se, “Populli Amerikan dhe unë së bashku, urojmë të gjithë qytetarët e Kosovës për 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.  Lidhjet e fuqishme në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë farkëtuar nga përkushtimi i përbashkët për bërjen e Kosovës vend sovran, të pavarur, multi-etnik dhe demokratik.  E përgëzojmë Kosovën për zgjedhjet demokratike të muajit tetor dhe mirëpresim angazhimin e vazhdueshëm për të çuar përpara paqen, drejtësinë dhe prosperitetin për popullin e Kosovës si dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”,  është shprehur Presidenti Trump në mesazhin e tij me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe premtoi se ,”Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale, të mbështetura në punën e vyeshme të popullatës tuaj dinamike dhe në përcaktimin e përhershëm për vlerat tona të përbashkëta” ka nënvijuar Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Trump.

Në 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, uroi me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës ndërsa ka thekësuar rëndësinë që Washingtoni i kushton sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, duke thënë se ato janë thelbësore për sigurinë dhe qëndueshmërinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  Në urimin e tij, Kryediplomati amerikan shkruan se, “Për më shumë se një dekadë dy vendet tona kanë gëzuar një partneritet të fortë mbështetur në vlera të përbashkëta.  Sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës mbeten thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor.   Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën në udhëtimin e saj drejt integrimit në institucionet transatlantike dhe do të vazhdojnë të punojnë për të forcuar sundimin e ligjit, për të çrrënjosur korrupsionin dhe për të nxitur përparimin ekonomik për të gjithë qytetarët e Kosovës”, është shprehur Mike Pompeo në mesazhin e tij.

Z. Pompeo iu referua edhe zgjedhjeve të fundit në Kosovë, duke thënë se me formimin e qeverisë së re, Kosova ka një mundësi të re për të realizuar mundësitë e saj të plota, si për qytetarët ashtu edhe për marrëdhëniet me vendet fqinje.  Ai u shpreh i inkurajuar nga ngjarjet e fundit, siç duket në reference të dy marrveshjeve të nënshkruara në Berlin,  që sipas tij, “sinjalizojnë një lëvizje drejt lehtësimit të investimeve, turizmit dhe lidhjeve tregtare dhe të njerëzve me Serbinë, të cilat paraqesin themelet për përparim të mëtejshëm në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në të ardhmen e afërt”midis dy vendeve, ka thekësuar Sekretari I Shtetetit, Mike Pompeo në urimin e tij me rastin e përvjetorit të 12-të të pavarësisë së Kosovës.

Këtë vazhdimësi të partneritetit historik midis Amerikës dhe Kosovës e theksoi edhe Partia Demokrate e Shteteve të Bashkuara nepërmjet Kryetarit të Komisionit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shteteve të Bashkuara, Z. Tom Perez, gjë që, sin ë të kaluarën, tregon qëndrimin e përbashkët të politikës amerikane karshi Kosovës. “Sot ne bashkohemi me të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, por sidomos me shqiptaro-amerikanët në Shtetet e Bashkuara, për të festuar pavarësinë e Kosovës.  Ne jemi krenarë për rolin që ka luajtur Amerika në mbështetje të paqës, begatisë dhe demokracisë në Ballkan gjatë gjithë shekullit të kaluar.”

“Shtetet e Bashkuara”, nënvijoi Kryetari i Komisionit Kombëtar të Partisë Demokrate të Amerikës, “nën udhëheqjen e Presidentit Woodrow Wilson, luajtën rolin kritik në mbështetje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Shqipërisë.  Në vitin 1999, Shtetet e Bashkuara, suksesshëm, udhëhoqën misionin ushtarak për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë”, u shpreh, demokrati Tom Perez

Duke thekësuar mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe duke u zotuar për ndihmën e pa kursyer për Republikën e Kosovës në të ardhmen në rrugën si demokracia më e re në Evropë, Z. Perez përshëndeti me këtë rast edhe komunitetin shqiptaro-amerikan, i cili tha ai, feston pavarësinë e Kosovës dhe të cilët kanë punuar aq shumë për të bërë këtë ëndërr realitet.  Emigrantët shqiptarë, si shumë të tjerë para tyre, kanë adaptuar Shtetet e Bashkuara si vendin e tyre dhe kanë dhënë kontribute të dukëshme komuniteteve anë e mbanë këtij vendi.  Duke filluar nga antarët e sindikatave në Nju Jork e deri tek tregëtitë e vogëla në Miçigen, përfshir artistët frymëzues shqiptarë, shqiptaro-amerikanët i shtojnë vlera atij mozaiku, që e quajmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me besimin për një vazhdimësi të marrëdhënieve të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, është shprehur Kreu i Komisionit Kombëtar të Partisë Demorkate amerikane, Z. Tom Perez.

Fjalët e udhëheqësve më të lartë të Shteteve të Bashkuara, përfaqsues të dy partive politike në Amerikë, me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, janë tepër miqësore.  Angazhimi si edhe dëshirat e tyre për një zhvillim edhe më të fortë të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë gjithashtu të sinqerta.  Por, mbetet për tu parë nëse udhëheqësit e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, përfshësirë Tiranën zyrtare do të punojnë të bashkuar, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, drejtë realizimit të vizionit të hershëm të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, i cili i dëshironte shqiptarët në përgjithësi si pjesëtarë të vlerave të përbashkëta me perëndimin dhe Kosovën, “Shtet të pavarur e sovran, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

  

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-Amerika-Pavaresia e Kosoves

DIELLI LIND NË UASHINGTON

February 19, 2020 by dgreca

Shkruan: Prend Ndoja, SHBA/

Nga e kaluara e jonë kemi mësuar se në orientimet ideologjike në shërbim të atdheut vërehej laramani e theksuar. Shumë orientime të tilla gabuara të së kaluarës tani më janë të pariparueshme. Sa njerëz të “dijes e politikanë të shquar” me tërë potencialin e tyre luftuan për pesë shekuj kundër vetvetes, për ta përqafuar kulturën e lindjes, kulturën e pushtuesit e për ta rrënjosur atë në tokën tonë, ndërsa ata që ndiznin kandila në errsirën e asj kohe dhe ruanin autoktoninë e tyre u vranë pas shpine nga bashkëkombasit  e tyre. Ata i vranë për të fituar tituj turpi që u dhuronte Perandoria, pasi ata ishin bërë vegla të pushtuesit. Ata luftonin, shkruanin dhe predikonin ideologji të gabuara që errësonin mendjen dhe fatin e popullit tonë. Pastaj, po të njëjtën gjë e vazhduann “dijetarët” me ide të gabuara, që luftonin, shkruanin dhe propagandonin gjoja se fati i popullit tonë lind nga dera e komunizmit. Shkruanin dhe luftonin kundër miqve të tyre të vërtetë anglo-amerikanë, për ta sjellë komunizmin-sllavizmin në vendin tonë. I gjithë ky tmerr ishte rrjedhojë e veprimeve armiqësore të mëparme dhe ata që i pasuan ia kishin ndaluar shkollimin popullit tonë në gjuhën amtare, që të mos kenë përgatitjen e duhur për t’i kuptuar intrigat e njerëzve tanë që ishin kthyer në shërbim të pushtuesve.

Në fund të shekullit të kaluar u bë një kthesë historike në të mirë të vendit tonë; është hapur një dritare që ishte  mbyllur që nga koha e Gjergj Kastriotit në tokën dardane. Kjo kthesë, ky orientim i mbarë për fatin tonë nuk erdhi vetvetiu, apo si dhuratë për popullin tone. Kjo qe një sakrificë, një përgatitje diplomatike që me shumë vështirësi zhvishte dogmat e mbeturinave të turqizmit, sllavizmit dhe komunizmit, që kishin vënë myk në mendjet e shumë njerëzve tanë, që për shumë shekuj lëvronin mbarë e mbrapashtë  në fushën e kombit tonë.

Emigrantët shqiptarë qenë dhe mbetën damari më i fuqishëm në zemrën e kombit. Ata nuk e njohën kurrë servilizmin, apo pajtimin në asnjë aspekt, në asnjë moment me pushtuesin. Ata, me një ndjenjë malli e dhembsurie të thellë e bënë të pamundurën të mundur për vendlindjen e tyre të robëruar. Mbi peshën e rëndë të mërgimit, ata i shpenzuan rezervat e fundit të energjisë kundër çdo pushtuesi, ndërsa në anën tjetër i kërkonin të gjitha variantet e depërtimit për ta përfituar dorën ndihmëtare të shtetit amerikan dhe të shteteve me ndikim për çlirimin e vendit tonë. Por, edhe në mërgim në të shumtën e rasteve ndihej mungesa e një organizimi të mirëfilltë në fushën e diplomacisë dhe të organizimi të aktiviteteve politike.

Në mungesë të vetëdijësimit të plotë, zëri i partive, klubeve, shoqatave të ndara ideologjikisht e kishte zbehur forcën, nuk kumbonte ashtu siç kërkohej. Pra, ndihej mungesë e madhe e një mendjeje të ndritur që t‘i ngjante Kuvendit të Lezhës, që t‘i bashkonte gjithë shqiptarët, të cilët njëzëri do t‘i shpalosnin problemet e kombit tonë në mënyrë unike para fuqive të mëdha. Në SHBA e gjithë kjo mungesë që vërehej vite me radhë u plotësua me ardhjen e Ibrahim Rugovës këtu. Kështu filloi epoka e re duke i bërë jehonë bashkimit dhe veprimit njëzëri, duke i shkrirë të gjitha partitë tjera politike në një forcë të përbashkët që ishte LDK. Kjo parti në krye me Ibrahim Rugovën nuk ishte vetëm parti politike, por ishte shndërruar në një armatë diplomatike, që e mbante në këmbë skeletin e kombit brenda dhe jashtë atdheut. Ajo ishte shtetësia e jonë, shpresa e jonë përballë armikut të tmerrshëm. Por, prapë, si gjithmonë në skenën  tonë politike dilnin në pah figura të sojit të Hamzait, që si hijena e sulmonin nga mbrapa. Ai ia doli me diplomaci dhe butësi që t‘i izolonte efektet e tyre në skenën politike. Ai, me rezistencën paqësore u bë arma më e fuqishme dhe e pakompromis në luftë kundër armikut. Në kushte të vështira nën regjimin e egër serb, ai arriti  t‘i lidhte urat e miqësisë me vendet dhe miqtë famëmëdhenj të botës, nga ku dhe i vuri themelet e shtetit shqiptar në Dardanin e vjetër.

Dr. Ibrahim Rugova me armët paqësore i shpëtoi me mijëra jetë, e shmangu Srebrenicën që mos të ndodhtë në Kosovë. Sot bashkëveprimtarët e kohës së tij e udhëheqin LDK-në e dhuruar nga Rugova, por, edhe sot ka nga ata që dhuratën e mbajnë si pasaportë nderi për të qëndruar lart në duelet politike, ndërsa në realitet, parimet bazë i kanë fundosur për interesat e tyre personale. Nga dritarja e hapur që Rugova e freskonte shtëpinë tonë me rreze lirie, andej duhet edhe sot t’i projektojmë udhët e ardhmërisë sonë. Gabimet tona e kanë boshatisur këtë udhë, gjë që na kushtoi shumë gjatë këtyre viteve. Tani, timoni i udhës së shpresës është afër udhëtarëve të denjë, që me padurim e kanë pritur këtë ditë që të vazhdojnë aty ku kishte mbetur. Orientimet e gabuara politike, ndarjet, pavetëdije apo të qëllimshme e lëndojnë vazhdimisht mirëqenien e popullit tonë, gjë që kërkon një korrektim, për një përqëndrim të saktë.

Ne vitet ‘90, në shtetin e New York-ut, i dhamë shqelmin njëherë e përgjithmonë kësaj dukurie negative. Në emër të Lirisë, u bashkuam të gjithë në shtetin e Neë York-ut dhe më gjerë, nga të gjitha rajonet, religjionet, partitë, ideologjitë, që njëzëri t’i përgjigjemi zërit të Atdheut. Nga ky bashkim, nga ky zë i përbashkët, u fuqizua liria e vendit tonë. Ashtu si atëherë, edhe sot është mëse e nevojshme që në radhë të parë të vihen interesat e kombit, interesat e këtij populli të shumëvuajtur, qe ta gëzojnë një jetë të lumtur me plot begati e në liri, në vendin e tyre të dashur. Përndryshe, ne vetë po e mallkojmë fatin tonë dhe një ditë kur do të jetë shumë vonë, do të pendohemi dhe do të turpërohemi nga gabimet tona. Toka dardane nën sqetullën e saj e mban nje ditar, ku do të lexohet e vërteta përgjatë shekujve që do të vijnë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Prend Ndoja-Dielli Lindi-Washington

Albania Hails ‘Magic’ Donor Pledges for Earthquake Recovery

February 18, 2020 by dgreca

Donors dug deep on Monday to help fund Albania’s recovery from a major earthquake late last year. “Some magic has happened,” Albanian PM Edi Rama said./

By Gjergj Erebara*/

Donors from across the world have pledged 330 million euros in cash and in-kind donations and 850 million euros in long-term projects and loans to address the effects of a November 2019 earthquake in Albania that killed 51 people and razed 11,000 homes.

Albanian Prime Minister Edi Rama said the aid toll was “beyond our wildest imagination.”

At a conference on Monday called by the European Commission, the executive arm of the European Union, Commission President Ursula von der Leyen announced a 115 million-euro package of financial help to rebuilt public infrastructure while the EU’s lending arm, the European Investment Bank, announced loans up to 100 million for both the private and public sector.

The United Arab Emirates pledged to help rebuild 2,000 homes for a total cost of 70 million euros; Turkey offered to erect some 500 homes for up to 45 million euros; Italy pledged 65 million euros in grants, while France said it would provide 150 million euros in development projects and loans.

In the Balkans, Serbia, which has long had a difficult relationship with Albania, pledged two million euros.

“This is a real wow and the fact that I don’t have a speech with me tells about my expectations,” Rama said at the end of the conference. “Some magic has happened. This is beyond our wildest imagination.”

Von der Leyen said: “It is clear Albania cannot hold alone this burden. This is what brings us here. We pledge a sustained wave of investment for reconstruction.”-*Kortezi Balkaninsight

Filed Under: Analiza Tagged With: Albania Hails-Magic Donor-Earthquake Recovery

ELEGJI PER BREZIN TIM

February 18, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/
“…Nga luftërat vijmë, në luftëra shkojmë…”/
Ismail  Kadare/
Duke shëtitur në një rrugicë pylli  të një fshati turistik malor të Alpeve italiane, një mëngjez të kthjellët gushti, mendimi vuri flatrat dhe më ktheu prapa në kohë. Para syve të mi u ripërtërinë skena ngjarjesh, njerëzish e mjedisesh, që ishin palosur si fletët e zverdhura të një ditari të vjetër në mëndjen time. E shkuara u shpalos me fytyrat e njohura të shokëve e të shoqeve të fëminisë, të shkollës, të punës, të kampeve të internimit, të burgjeve, të të njohurve të rastësishëm në udhëtime, në plazhe, në ceremoni vdekjesh, në dasma, në… Më dukej se i kisha pranë, se bisedonja me ta, se së bashku shëtisnim në këtë pyll magjepsës, se shkonim drejt një teleferiku që do të na ngrinte në majën e një mali, ku horizonti zgjerohej e ku shikimi tretej në këto bukuri të natyrës…
            E shkuara, sa e fuqishme mbetet gjithmonë ajo në veten tonë. Sido që të ketë qenë, e trishtuar apo e gëzuar, e dhimbëshme apo e këndëshme, na mban gjithmonë robër të saj. Ne çdo ditë flasim e mendojmë për të nesërmen, për muajt e vitet që do të vijnë, por instiktivisht, pa dashur kthehemi mbrapa tek muajt e vitet e kaluara, tek bëmat e më shumë tek ato që nuk mundëm të bënim, tek ato shpresa e ëndrra që i futëm nëpër sirtare sepse nuk qemë të aftë t’i realizonim, sepse nuk ditëm t’i sendërtojmë, sepse nuk na lanë të tjera krijesa si neve t’i vinim në jetë…
            Në këto çaste, kur përfytyrimi më ka bashkuar me qindra njerëz që sot janë të shpërndarë në të katër anët e vëndit tim dhe të botës së madhe, më duket vetja si ujët e një pellgu, në të cilin hidhet një gur e valët në formë rrathësh ngrihen e zgjerohen duke u përplasur në breg. Ndoshta gurin e hodhi kjo natyrë e bukur, që më solli ndërmënd një tjetër vënd po kaqë të bukur në të cilin, shumë vite më parë, kryeja shërbimin ushtarak: Martaneshi, Vërvjaka, Liqeni i zi, Kaptina…Valët e ujit janë si ato të kujtimeve, të mendimit që në këtë rast më çon në bangot e shkollës, në kantjeret e ndërtimit, në fusha, në shëtitore qytetesh, në qeli burgjesh, në plazhe, në galeri minierash, në reparte ushtarake, në të gjitha ato brigje ku rrodhi plot dallgë e shkumë lumi i jetës sime.
            Në këtë mori skenash, që pushtojnë në këto çaste trurin tim, merr formë e trupëzohet një qënie e stërmadhe, që përmbledh gjithshka, vë rregull në mendimet e mia të davaritura dhe më kërkon, në heshtje, të flas për të. Eshtë Brezi im, një mori njerëzish të lindur në dhjetëvjeçarët e katërt e të pestë të shekullit që shkoi. Një dhimbje e njohur fillon të më sëmbojë zemrën, një dhimbje e herëshme, për të cilën mjeku kohë nuk gjeti kurrë barin e shërimit. Eshtë dhimbja për Brezin tim, për fatin e tij, për fatkeqësitë e tij, për ëndrrat e tij të shkërmoqura, për shpresat e tij të cunguara, për mundin e tij prej Sizifi të shkuar kot, për lirinë e tij të panjohur, për varfërinë e tij të njohur, për…
            Ne lindëm e u rritëm me ajrin e luftës. Nga prindët tanë trashëguam një Vend, në të cilin sundonte një regjim, që i kishte rrënjët në gjak e që mbillte urrejtje. Ishte një kastë njerëzish, të sjellë nga koha dhe tragjedia e luftës së dytë botërore në krye të Vendit. Kaqë shumë i ishin mirënjohës asaj lufte, që u kishte dhënë pushtet mbi një popull me njëmijë probleme të trashëguara nga historia, saqë fjalën “luftë” nuk e hoqën kurrë nga goja, e bënë lejtmotivin e të qënurit në jetë, alfën dhe omegën e jetës dhe veprës së tyre. Fëmininë dhe rininë tonë na e mbushën me shfaqjet më të ndryshme të këtij koncepti, me lakimet e togfjalëshat më të larmishme të atij emri, që zakonisht shoqërohej nga ndajfolja kundër. Luftë kundër borgjezisë, kundër kapitalizmit, kundër revizionizmit, kundër pronës private, kundër interesit personal, kundër ideologjisë së huaj, kundër shfaqjeve të huaja, kundër besimeve fetare, kundër “botës së vjetër“, kundër kanunit dhe mbi të gjitha kundër  “armikut të kllasës “ të brendshëm e të jashtëm…
            Krahas kësaj lukunie të lemerishme termash, të afta të atrofizonin çdo ndjenjë njerëzore, na u desh të mësonim dhe termin “ dashuri “, por jo atë që gjen të spjeguar në cilindo fjalor të botës. Dashuria jonë duhet të ishte diçka e veçantë, e pakufishme, por jo për prindërit tanë, për djalin a vajzën që na tërhiqte, për lirinë a të drejtat tona si njerëz. Ajo duhet të ishte e tillë për marksizëm-leninizmin, për Stalinin, për Partinë e Punës, për internacionalizmin proletar, për atdheun socialist, për Mao Ce Dunin e mbi të gjitha për “udhëheqësin e shtrenjtë” të partisë e të popullit, Enver Hoxhën. Këto dy fjalë, të lashta sa bota, bashkëudhëtaret e njerëzimit në mijëvjeçarë, sinonime konceptesh të bastarduara e të përmbysura nga idhtarë të ideve marramendëse si molla biblike e Evës, na përkundën djepin, na shoqëruan hapat e para të fëmijës, lodrat e të miturit, fantazitë e të riut.
            Në mëndjet tona fëminore, bota përfytyrohej si një fushë e përjetëshme beteje, ku luftohej vazhdimisht mes të mirësh e të këqijsh, ku të mirët kishin një emër të përbashkët: bolshevik, partizan, komunist. Të këqijtë ishin gjithmonë po ata: gjermanët, fashistët, ballistët. Secili prej nesh mundohej të njëjtësohej me kampin e të mirëve, për të ushqyer shpresën se një ditë do të arrinim “parajsën tokësore”, ku shndriste i paperëndueshëm dielli i komunizmit. Ky ishte iluzioni fëminor, e vërteta ishte diçka tjetër. Ajo përkonte me idenë e fushës së betejës, por pa dashje, pa kuptuar ne ishim pjesëmarrës në këtë luftë. Ne luftonim me njëri tjetrin, me shokun e bangës në shkollë, me fqinjin, me të afërmin.
            Në shkolla mësuesit na shpjegonin se nazistët vrisnin hebrejtë, romët, jevgjitët në emër të pastërtisë së racës ariane. Bëhej fjalë për miliona njerëz, viktima të urrejtjes raciale. Ne ishim pak më shumë se një milion dhe ishim të ndarë më dysh: “ne” dhe “ ata”. “Ne” ishin të mirët, njerëzit e partisë e të pushtetit, kurse “ata” ishin të këqijtë, “armiqtë e kllasës”, ata që bënin tërë prapësitë. Ne duhet të shiheshim vëngër, të mos i flisnim njëri tjetrit, paçka se ishim komshij me shtëpi, se shkonim në të njëjtën shkollë, se barisnim në të njëjtën rrugë, se shihnim të njëjtin qiell, se kishim të njëjtat dëshira, se ishim e njëjta racë, se flisnim të njëjtën gjuhë, se ishim i njëjti popull…
            Ne duhet të ishim në luftë të përherëshme, në një luftë tinzare, të pabesë, sepse kishim lindur nga prindër të ndryshëm, që në të ashtuquajturën “luftën e madhe kundër okupatorit e tradhëtarëve” kishin patur mendime e qëndrime të ndryshme. Ne atëhere nuk kishim lindur, por megjithatë ne mbanim në kurriz “fajet” apo në gjoks “meritat”, të cilat mbeteshin të përjetëshme. Në të vërtetë të paluajtëshme mbeteshin vetëm “fajet”, që përcilleshin në breza, ndërsa “ meritat”, në mjaft raste zbeheshin, zhdukeshin e bartësit e tyre shpesh përfundonin në rradhët e “ atyre”, duke pësuar ato qëndrime, që deri atëhere mbanin me të tjerët. Kjo ishte mendësia që shoqëronte rritjen tonë, në një Vend ku vënia në jetë e saj krijonte tabllonë e lemerishme të burgjeve, të kampeve të internimit, të mohimeve nga më të ndryshmet, të dallimeve raciale nën emrin”klasore”, të fyerjeve, të dhunës, të nëpërkëmbjes.
            Në këtë rend absurd idesh, konceptesh, qëndrimesh e veprimesh mëndja jonë nuk mund të zhvillohej normalisht. Ajo qe si një arë e palëruar , në të cilën mbinë vetëm ferra e barishte të këqia. Në të u mbollën e u kultivuan urrejtja, mosbesimi, frika, hipokrizia, puthadorja. Horizonti ynë u ngushtua. Ne nuk mundëm të përceptojmë vlerën dhe fuqinë e koncepteve të tilla si: liria, toleranca, nderimi për tjetrin, për mendimet e ndryshme nga tonat, për aftësinë e pakufizuar dhe të pakufizueshme të njeriut, për nismën e tij, respekti për botën e huaj, për kulturën dhe përparimin, për prindët, për traditën, për historinë.
            Bota jonë niste më 8 nëndor 1941 dhe çdo raport kongresi shënonte një etapë zhvillimi të saj. Modeli ynë i imitimit ishte Pavlik Morozovi, një fëmijë që kishte paditur babanë, sepse nuk kishte dorëzuar drithin në pushtet, heronjtë tanë ishin Lej Feni, Fuat Cela, Alo Qosja, Shkurte Pal Vata etj…Ç’mund të dilte nga një përzjerje e tillë kundërvlerash? Dolëm ne, Brezi im i gjymtuar, që nuk pati kurajon as të përpiqet të ndryshojë diçka, megjithëse bota, rreth e larg nesh, ndryshonte çdo ditë. Ne ditëm vetëm të njëjtësoheshim, të vazhdonim lojën e llahtarëshme të prindërve tanë të xhelatit e të viktimës, të duartrokisnim çdo trill e delir të Neronit tonë, çdo proçes ku dënoheshin njerëz të pafajshëm, çdo sulm kundër çdo lloj ndryshimi në të mirë të sistemit komunist jashtë, çdo lloj goditjeje të vlerave shpirtërore tonat, madje dhe kundër besimit tek Zoti.
            Ne nuk jetuam, ne mbijetuam si zvaranikët që tërhiqen në kërkim të një qosheje me diell. Ne humbëm vitet më të bukura të rinisë sonë, duke gërmuar me kazma malet e fushat sepse malet do t’i bënim si fushat. Ne, skllevërit modernë të shekullit të njëzetë, në ndryshim nga ata të botës së lashtë, nuk kishim të drejtë të mbanim dhe flokët siç dëshironim. Pantallonat dhe fundet duhet të kishin përmasat e përcaktuara e të miratuara nga “Faraoni” dhe vartësit e tij. Ne shkrimë të gjithë talentin e aftësitë tona për t’i kënduar madhështisë së “Sulltanit”, me vargje, me këngë, me piktura, me gdhendje, madje duke gdhendur dhe malet që emrat e dyshes me nga pesë shkronja të shiheshin së larti nga qielli, mbasi “ Dielli” ynë ishte më i shndritëshmi i gjithësisë.
            Ç’ndodhi me ne? A jemi ne tërësisht përgjegjës për atë që nuk bëmë, që nuk mundëm, nuk ditëm apo nuk deshëm të bëjmë? Apo një fatalitet historik, shumë më i madh e më i fuqishëm se “vullnetet tona të ndrydhuna”, na shtypi pa mëshirë e ne nuk patëm forcë të ngrihemi? Të tjerët na i dhanë shembujt: polakët, hungarezët, çekët kishin afërsisht histori të ngjajshme me ne. Ata luftonin, organizoheshin, qëndronin, flijoheshin për t’a ndryshuar jetën e tyre. Ata përballeshin me përbindshin e, megjithëse humbisnin, fitonin diçka, jo vetëm për të patur më shumë liri, por dhe për të lënë një gjurmë në të ardhmen, në historinë e tyre. Ata do të kujtohen si brezi i Kryengritjes së Budapestit, i Pranverës së Pragës, i Solidarnostit. Po ne, Brezi im, për çfarë do të mbahemi mënd? Për hosanatë e pambarim zinxhirit të pafund të krimeve të një regjimi jashtë çdo përmase njerëzore? Për frikën tonë proverbiale, që na e kishte vënë cakun e bisedave brënda vijave të një fushe futbolli? Për mungesën e kurajos e të guximit për të kërkuar gjërat më të domosdoshme: të drejtën për të menduar me trurin tonë, për të lexuar librat që na pëlqenin, për të dëgjuar muzikën që na pëlqente, për të mësuar gjuhën që na pëlqente, për të mos u ndjerë të përgjuar, të ndjekur, të spiunuar në çdo çast?
            Ç’farë bënë të shkolluarit, intelektualët e Brezit tim për t’a ndryshuar sadopak këtë gjëndje të pazakontë, për të ndërgjegjësuar të tjerët, kur Vendi ishte katandisur të qeverisej nga ish shoferë, ish karrocjerë, ish elektriçista, madje ish mjelëse lopësh (pa vënë në dyshim respektin për zanatet) në fundin e shekullit të njëzetë? Në Vendet e tjera kishin qenë klubet Petefi, Karta 77, Sollzhenicinët, Pasternakët e Zakarovët që ngritën zërin e i treguan botës të vërtetën rrënqethëse të “socializmit real”. Tek ne s’kishin të mbaruar sagat për komisarët e kantatat për partinë e Enver Hoxhën. Shkrimtarët simbolë të brezit tonë që, me talentet e tyre të zakontë e të pazakontë, i ngritën monumente letrare të pavdekëshme komunizmit dhe dyshes majakovskiane parti-Enver, për viktimat e dhunës së tyre përdorën vetëm sarkazmën, u tallën duke i paraqitur si qënie të dobëta, pa dinjitet e pa personalitet. Ndërsa ata e kishin treguar personalitetin e tyre, duke qëndruar me armë maleve të Shqipërisë, në mbrojtje të lirisë së humbur të popullit të tyre. Ende sot, mbas dhjetëra vjetësh leksionesh antikomuniste, nuk gjejnë frymëzimin të shkruajnë diçka për Vloçishtin, Orman-Pojanin,Tepelenën, Spaçin, Qafën e Barit…
            A jemi në gjendje sadopak dhe sot të matemi me dobësitë tona, me një të shkuar, në të cilën shumë pak prej nesh morën guximin të vetëflijoheshin për të thënë të vërtetën? Emrat e tyre, të panjohur ende sot për pjesën më të madhe, janë çengelët e shpëtimit për Brezin tonë, janë yjet që ndriçojnë qiellin sterrë të një të shkuare që, sa më shumë kalon koha aqë më shumë na bën të skuqemi. Le të tregojmë një minimum ndershmërie e t’i ngremë një monument këtyre njerëzve, këtyre shokëve tanë, që e dinin se do të vdisnin ose do të kalbeshin nëpër burgje, por nuk nguruan të thonë të vërtetën e të akuzojnë haptas regjimin, që po martirizonte një popull duke paragjykuar zhvillimin dhe mirëqënien e tij. Në këto monumente do të ketë një vazo për lule të freskëta, ndofta do të jenë të vetmet vende në të cilat Brezi ynë i meriton  lulet. Së bashku me lulet t’i kërkojmë dhe të falur mbasi,  në kohën që ata u therorizuan, ne nuk patëm as në vetvete kurajo t’i admirojmë, por i quajtëm të papërgjegjshëm, sepse një proverb i lashtë i yni thoshte:”Nuk i bihet murit me kokë”. Filozofinë e këtij proverbi ne e bëmë lejtmotiv të qenësisë sonë mjerane, sepse nëpërmjet saj justifikonim dobësitë tona, nënshtrimin e vullnetshëm ose të forcuar ndaj së keqes.
                                                                                                            
                                                                                                (vijon në numurin tjetër)

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika-Elegji Per brazen tim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT