–fragmente nga poema /
Kënga e Parë /
6.4 ballë tmerr/
Një nga një shtëpitë/
u shkundën,/
një nga një shtëpitë/
u krisën. /
Një nga një/
u shembën. /
një nga një/
ata vdiqën…/
Shikoj /
Durrësin, /
Fushë Krujën,/
Thumanën,/
Tiranën…
Dridhet dheu,
dridhem dhe unë,
dhe qaj me gjëmë…
Sa afër
dhe
sa larg.
Sa më larg
aq më e madhe plaga,
6.4 ballë
dhe dy
oqeane larg.
Një nga një,
njerëzit po ikin,
si dallëndyshet,
kur u shembet foleja,
dhe deti rrëqethet
nga kujat grisur.
E shtëpitë si gur dominoje
përdhè pllatiten
e makthet
zhdaravitin
ankthet
ndër re,
arratisur.
Shtëpitë
ku ata jetonin,
rrugët,
ku ata,
gjer dje ecnin,
s’janë më njësoj,
kanë lëvizur.
Dhe gjithë frikë,
tok me to, dhe
dhjetëra shpirtra
po ngjiten në qiell
fluturimthi,
duke rrëmbyer,
dhimbjen time
9 ballëshe
të akullt
flakurimthi.
-“Jashtë, jashtë, jashtë!”
-“Në rrugë, në rrugë, në rrugë!!!”
Bota dridhet nën këmbë,
shungullit,” Ik, ik, ik…
panik….”
Njerëz
gjithë frikë…
Aty perënditë e vdekjes po zgjohen
dhe pulëbardhat po këlthasin
e me klithmat e tyre
çjerrin qiellin …
dhe dhimbja si tramundanë,
çjerr faqet
piskamë,
e i thellon zgavrat e ullinjve
ndër kodra…
Dhe anijet në molo
si dele të trembura në vathë
turfullojnë me ankth
duke u kolovajzur pa timon barkat e shpëtimit,
tragetet, peshkatoret dhe vinçat
që përplasen mes shkulmat
dhe u hedhin dallgëve
salvaxhente
shprese…
Për kë ?
Medet
aty
s’ka njeri.
( Sot është më frikë
në stere se në det).
6.4 ballë
dridhërima
dhe dritat e farit
humbasin drejt peshimin
e rrëkëllehen
në theqafje argjilash
drejt Currilash…
E në stere,
strehët,
nëse mund të quhen
ashtu
shtëpitë vatra-shuar
aty këtu
shkatërruar,
aty këtu
rrëzuar,
aty këtu
me muret anuar
ku qindra zemra,
shkërmoqen
në trishtim,
ashtu
shkretohen
vetmuar
e presin një vegim.
Oh Zot,
në dorë të kujt i ke lënë
shpirtrat e tyre?
Sa gënjeshtra
u kanë thënë njerëzve,
me ëndrra pasurie,
me turistë
me jahte?
Me sa errësirë
e kanë kërcënuar?
pa mëshirë
natyrën,
dhe thua
vallë
varret apo gurët e qytetit,
po hakmerren kështu?
Me 6.4 ballë,
vetëm për lakminë e tyre,
vetëm për paratë e tyre,
duke na lëbyrë,
majtas, djathtas
me shkëlqime false,
me tallje përqeshëse
“Hë, hë ndiqni paratë, hë!?,
Nga reklamat mashtruese
nga ekranet e tyre,
neronët,
perandorët klouna
të politikës
së shekullit të facebookut.
Zgërdhihet
cezar- marrëzia
nga NRTV-ja
dhe servilët
duke nënqeshur
duartrokasin
pacipërisht,
gjithë sqimë
zgërdheshur …
Sa urrejtje
kemi mes nesh
ne shqipot?!
Dhe pse kur jemi në hall
atëherë veç kujtohemi
se pse flamuri ynë
ka një zog me dy krerë,
kujtojmë pse Kosovës i dhemb
kur ne na dhemb,
dhe ne që jemi larg,
me një fjalë asgjëkundi
diasporë mallhumbur,
dhimbja na duket edhe më e madhe
nga një ndjenjë faji …
Por se kuptoj
pse Shkodra, Korça e Vlora
s’po bëjnë për Durrësin,
atë që bëjnë bijtë në Amerikë;
pse shqiptarët presin vetëm
nga qeveritë,
që se kuptojnë se paraja e bardhë
duhet për ditë të zezë
se shqiptaria bën për shqiptarin,
por vetëm 2 milionë euro s’mjaftojnë
për hakmarrjen e natyrës,
një miliardëshe.
Dhe një lider që përbetohet
për njerëzit e tij
dhe ka më shumë taborre
për të prishur shtëpi,
dhe asnjë qen shpëtimtar
për të nxjerrë nga gërmadhat frymët,
aty ku shpresa tani
po rrëmon me duar
para se shpirtrat në amshim
të kenë shkuar?
“Nënë mos ki frikë, nënë mos ki frikë,
se ne jemi këtu përtej partive,
përtej qeverive,
pse e kuptojmë jemi, sadopak, fajtorë
që kemi ikur.
“Nënë mos ki frikë, Durrës mos ki frikë …
Ky është testi për ne
ky
6.4 ballë
tërmet.
Po pse ne shqipet
veprojmë
kaq sinqerisht
armiqësisht,
pa zgjidhur asgjë?
Pse?
pushtetarë,
bashkiakë,
ndërtues,
betonues,
aprovues,
hipotekues,
nënshkrues
ndërtesa- shpërthyes…
dhe ju njerëz fatkeq
ëndërrues
vajtues
ankues.
Ju viktima,
zombi të shpresës,
nëse ende jeni
përgjysmë gjallë,
pse vallë
kaq
marrëzisht,
e pafajësish
keni vepruar?
Kur nderin
në fytyrë
ua shkelin
e parasysh
haptas
ju fyejnë
pafytyrësisht,
e aq pamasë…
sa me gjasë,
nuk shkallë
intensiteti tërmeti
Rihter
ta masë?
Kënga e III-të
Kënga e IV-t
I dashur tërmet !
Në trotuar zbathur,
një djalë me xhup të verdhë,
me një celular në dorë
përpiqet të dijë fatin e të dashurve të tij.
Njerëzit enden aty-këtu;
gjithë frikë,
gjithkund
me sy të përhumbtë,
pa interes.
Fytyra pa shpresë,
sy të përlotur,
që vetëm
luten “ O zot”,
duke menduar,
vetëm
për të mbijetuar.
E prej syve të tyre
një zë bërtet:
“I dashur tërmet,
pse po na ndjek
prapë e prapë
përsëri
me lëkundje
e paslëkundje
ti?
Tunde, shkunde
dridhe, shembe
përkunde, lëkunde
më shumë se dheun
shpresat tona,
që epiqendrën
se kanë
poshtë nga toka
po nga
nga zemrat.
Këtu një tragjedi u shkrua
dhe emrin sa tragjik dhe përtallësh
“Mira mare”,
“Shihe detin” po prej nga ku …
Veç një selvi ka mbetur prej hotelit
si për të treguar varret e hapur,
për bujtësit e pafajësisë.
Sërish tinëzisht
ti tërmet …
tunde, shkunde
dridhe, shembe
fatin tonë
me rrahje zemre
Medet,
o tërmet!
Korja e dheut
poshtë nesh dridhet.
Shtëpitë dhe toka nën këmbë
ja po lëvizin,
njerëzve,
tmerri u ulurin
në fytyrë.
Dhe enden aty-këtu ;
gjithë frikë,
gjithkund
me sy të përhumbtë,
pa interes
fytyra pa shpresë,
sy të përlotur,
që vetëm luten
duke menduar,
vetëm e vetëm
për t’mbijetuar.
Dhe një zë vëngon
nga kodrat buron
lebetitet e thërret:
“I dashur tërmet,
O fat i zi,
pse po na ndjek
prapë e prapë
përsëri,
ti?”
Tunde, shkunde
dridhe, shembe
nëpërkëmbe…
“Prapë do t’na nxjerrësh
atë ujin
e zi?”
E mbi dhe,
tallu, përrallu
për pesë ditë
me pesë yje hotel,
rrena dhe shpresë,
tallje prapë
e prapë jashtë
nën diell.
-“Na ruaj,
o qiell…”
Tallu, përrallu
Jo më,
ngjallu !
Për hir të vërtetës
të jetës,
Ngrihu ti !
Mos u tërhiq
përsëri!
Një nga një shtëpitë
u shkundën,
një nga një shtëpitë
u krisën.
Një nga një
u shembën
një nga një
ata vdiqën…
“Në burg të gjithë”,
gjëmon Neroni.
Të gjithë fajtorët do t’i dënoj!”
Por kryefajtorin e kam mik
S’kam çfarë t’i boj”.
E për të mbuluar
sadopak gjëmën,
rrit si lolo zhurmën.
Dhe si Neroni
i mbushet mendja
se di të aktrojë,
qysh prej Thumane
gjer
“I love Tropojë!”
Po ç’ rëndësi
ka sot,
kur shpirtrat
askush
s’mundet
t’i zëvendësojë.
Jo, jo
Veç dhimbje e përmallim
sheh.
jetën dhe vdekjen
papre,
në një përqafim
pa zgjim…
Kënga e V-të
Tërmet brenda teje
Bota po zhvendoset rreth jush,
duke shkundur zemrën tuaj,
duke tronditur mendjen tuaj,
duke ju humbur kontrollin
derisa të bini dhe ju,
të pafuqishëm dhe të pambrojtur,
të frikësuar dhe të lëkundur
o njerëz.
Sepse gërmadhat po bien rreth jush
dhe kjo u mjegullon pamjen
dhe në mos qofshin
gërmadha në të vërtetë.
janë emocionet tuaja,
të mbingopura, gjithëpërfshirëse,
gjithë dhimbje dhe lot.
Kjo është shumëçka që mund të shohësh,
o njeri,
ndërsa ulesh i rrethuar nga vetmia,
mbi ata gur a plis emocionesh,
që po të mbysin,
sa dhe të marrësh frymë kërkon aq mund.
Ti me zor po merr frymë,
o njeri.
Mos u bë mizor i vetes,
nxirre dhe mbaje frymën brenda.
Mbaje në kontroll atë ç’ ka ke humbur,
sepse je i hutuar si fillim
dhe nuk e di se ç’po ndodh,
por mund ta kuptosh
disi më vonë
se tani konfuzioni sërish po të mbyt,
çorientues dhe poshtërues,
duke të bërë të paaftë
për të ndihmuar vetveten.
Ndaj në këtë tërmet,
ti po lufton
vetëm sa për të marrë frymë
sa të mbetesh gjallë.
Sheh
shkatërrim dhe ngatërrim ngado,
ndaj gjith’ajo çfarë mund të bësh
është të luftosh,
po, po të luftosh.
Përpiqu të kapësh skajet e botës,
qofshin ato dhe fijet e kashtës.
sa për ta mbajtur pak veten,
për ta qetësuar,
por ti nuk mund t’ia dalësh kurrë vetëm
me sukses një tërmeti si ky,
sepse nuk ke fare fuqi
as dëshirë
tani.
Dije
ti nuk mund ta qetësosh botën
po nuk qetësove së pari
veten!
E pastaj, o njeri
Lëri lotët të burojnë,
lëri të rrjedhin poshtë fytyrës;
dhe e vetmja alibi e tërmetit,
o njeri,
është
tërmeti brenda teje.