• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2020

Nga Durrësi në Las Vegas: Sfidat e pafund në 70 vitet e Pirro Dollanit

February 17, 2020 by dgreca

Nga Gëzim Kabashi/

Nuk njoh njeri që të ketë lindur më 15 shkurt, në ditën e Vetmisë, dhe të ketë më shumë shokë e miq se sa ka Pirro Dollani. Bashkëqytetarë, ish-nxënës, kolegë mësues apo krijues, e respektojnë njëlloj, pavarësisht se prej 26 vitesh ai ka zgjedhur të jetojë në SHBA.   

Së bashku me familjen , Pirro është kthyer në një mbështetje të rëndësishme për bashkëatdhëtarët që mbërrijnë rishtas në “tokën e premtuar”. Ndërsa çdo vit ai sjell rregullisht në gjuhën shqipe një përkthim të ri nga autorë të njohur e më pak të njohur, kryesisht amerikanë, nga një letërsi pak e lëçitur në vendin tonë.

“Beti-tregime të zgjedhura” (2018), “Kokoro” nga Natsume Soseki (2017), “Ura e Mbretit Shën Luigj” nga Thornton Wilder (2016); “Piktorja që sfidoi kohën” nga Robert Baird Shuman (2015), dhe më parë “Hoteli I bardhë” nga D. M. Thomas (2014), “Bel canto” nga Anne Patchet; “Jehona e kujtesës” nga Richard Power; “Lamtumirë fjalë” nga Hart Wegner; “Virgjëresha shqiptare” nga Alice Munro; “Pragu i ferrit” nga Michel Hugo; “Duke lexuar Turgenievin” nga William Trevor; “E vërteta dhe trillimi në librin Kodi da Vinçi”, janë disa nga librat e përkthyer nga Pirro Dollani.

Pirro Dollani do të festojë sot 70-vjetorin e lindjes mes familjarëve dhe të afërmëve në Las Vegas, mijra km larg prej këtu. Do ti pëlqente të ishte mes shokësh dhe miqsh në Durrës, ashtu siç bën prej vitesh në çdo sezon veror. 

Verën që kaloi munguan përkthimet e përvitshme, përmes të cilave ai i ka dhënë në dorë lexuesit emra më të shquar të letërsisë së kontinentit amerikan. 

Kohët e fundit miku ynë Pirro Dollani është përballur me një sfidë shumë më të vështirë se sa përkthimi. Përballë tij këtë herë është sëmundja, por Pirro do tia dalë përsëri, falë kujdesit mjekësor dhe vullnetit të pakufi, por edhe të dashurisë së ndërsjellë, me të cilën e duan dhe i do njerëzit.

Gjithnjë përballë sfidave

Ai e ka zgjedhur shumë herët modelin e tij të preferuar: babain Dudë, njeriun që pas burgimit të padrejtë komunist për shkak të shkollimit dhe njohjes së gjuhës angleze, punoi gjithë jetën si llustraxhi për të mbajtur familjen. 

Njëlloj si i jati, Pirro ende nxënës, nuk është dorëzuar edhe kur e përjashtuan nga liceu artistik në Tiranë, ku kishte mbërritur në sajë të pasionit për violinën; edhe kur punoi si punëtor në disa ndërmarrje të qytetit, pa hequr dorë nga shkollimi ne filialin universitar të Durrësit; kur në të njejtën kohë falë dashurisë për muzikën bëhej instrumentist në Orkestrën sinfonike dhe në varietenë e Durrësit; nuk dorëzohet edhe kur pasi martohet e venë të jetojë në një nga banesat e çuditshme të qytetit, përkundrazi, e bën familjen e tij të vogël, bashkëshorten Frida dhe fëmijët, Gjergj dhe Arba, mbështetjen më të sigurtë për ta përballuar jetën.

Pirro Dollani shfaq anën e tij më të mirë, kur si mësues në shkollat 8-vjeçare apo në gjimnazin “Gjergj Kastrioti” ku arrin pas ndërhyrjeve të njerëzve që e duan, ai dallon dhe nxit djemtë e vajzat e talentuar në muzikë, art apo letërsi. I vlerëson ata dhe i drejton në fushat ku do të japin aq shumë në të ardhmen.  Me të njejtin seriozitet kryen detyrat e para në tranzicionin postkomunist, si shef i Kulturës në bashki, si dhe atë të drejtorit të Bibliotekës së Durrësit.

Shumë kohë më vonë edhe në Universitetin e Nevadës, në Institutin e Filmit, ai do të njohë dhe do të fitojë miqësinë e figurave të shquara të kulturës botërore dhe do të punojë intensivisht deri kur del në pension.

Pasioni për përkthimin si lidhje me Atdheun

Në një intervistë të disa viteve më parë Pirro Dollani ka treguar se hyri në botën e përkthimit “kur Katedra, në të cilën studioja më kërkoi të sjell në gjuhën angleze novelën “Ditë Kafenesh” (në anglisht “Coffeehouse Days”) të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare”. Ai kujton vitin 2004, kur ky përkthim u publikua në Las Vegas si botim mjaft luksoz me letër të prodhuar enkas për të, me kopertinë metalike. Për më tepër, të gjitha kopjet janë me autografin e autorit Ismail Kadare. 

Pirro tregon se Instituti Ndërkombëtar i Letrave në SHBA prodhoi vetëm 125 kopje dhe çmimi për një libër ishte … 780 USD. 

Që nga viti 2004 kur në Durrës ushtoi për herë të parë sirena e festivalit ndërkombëtar të poezisë “Poeteka” Pirro Dollani ka sjellë në Shqipëri disa nga emrat më të njohur të letrave amerikane si, shkrimtari Hart Wegner i cili në 2007 referoi mbi “Yjet e zinj të Paul Celanit”; poetesha Claudia Keelan që në Poetekën 2008 mbajti kumtesën “Kujtojmë Wallace Stevens”; apo Tom Sleigh në 2009 që referoi “Surealizmi përballë klasicizmit ose përse bëj vrima te toga ime”. Bashkë me organizimin Pirro Dollani ka përkthyer edhe kumtesat e tyre nga anglishtja në shqip.

Një tjetër bashkëpunim i rëndësishëm ai me Teatrin Kombëtar në vitin 2010, kur Dollani “bëri bashkë” regjisorin dhe aktorin hollivudian Clarence Gilliard dhe aktorin e njohur shqiptar Mirush Kabashi, bashkëregjisorë dhe intepretë kryesorë në dramën “Koleksioni i përhershëm” të Tomas Gibson, përkthyer mjeshtërisht nga durrsaku i mirë. “E kuqja” nga Xhon Llogan, kushtuar jetës së piktorit Mark Rothko,  është drama tjetër që Pirro përkthen si pjesë repertori e ardhshme, por realizimi i saj mbeti gjithnjë një projekt.

“Nuk ka lidhje më të fuqishme me Shqipërinë dhe Durrësin, vendlindjen time, sesa lidhja gjuhësore, që realizohet nëpërmjet përkthimeve”-thotë i sigurtë ai. 

Pirro Dollani është me siguri nga ata burra që ka lënë në vendin nga ku largohen një boshllëk intelektual, krijues dhe njerëzor. Njëkohësisht është nga ata shqiptarë që kontribuojnë çdo ditë për ta bërë më të mirë Amerikën, duke i dhënë edhe asaj frymën e Shqipërisë së vërtetë. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Kabashi-70 vitet-Pirro Dollani-Las Vegas

SIMULIM

February 17, 2020 by dgreca

Simulim/
Nga Astrit Lulushi/

A do të bëhet Shqipëria? Më shumë se një shekull që nga formimi, njerëzit brez pas brezi ende pyesin, si për të ngushëlluar veten sepse përgjigjia është e qartë. Pas ushqimit me nacionalizëm e ideologji tani villet, duke ndotur çdo ide të pastër. Gjithnjë në ankth paditë pagjumë pashpresë, i stisur artificial, gënjeshtar ordiner, tregtar politik, mashtrues, karikaturë pa maskë, që synon të zërë vendin në krye për të zhvatur, si udhëqës që kurrë nuk jep. Sa ka botëkuptimin aq edhe zemrën, të ngushtë. Rrëmben kryesinë për të marrë e përfituar për vete dhe jo ndryshe, të japë. Simulant në realitet që merr pamjen e tij, të simuluar, me heshtje torturuese a lajme boshe, prandaj policë e burgje shtohen. Të gjitha janë vepra të frymëzuara nga urrejtja, mburrja, arroganca, nuk janë detyra, pavarësisht çfarëdo dhimbje e vetëflijimi që mund të përfshijnë. Ajo që është për të dëshiruar nuk është simulimi as skenat me drita marramendëse. Një kozmopolitizëm i tillë me mungesa të karakteristikave kombëtare është rezultat i humbjes, jo i fitimit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Simulim

Pavaresia- OSMANI: Rugova, ideator dhe arkitekt i Kosovës së pavarur

February 17, 2020 by dgreca

Në 12- vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora me lule te varri i presidentit Ibrahim Rugova, në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz, si dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Kryeparlamentarja Osmani e ka cilësuar presidentin historik dr. Ibrahim Rugova, ideator dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës.

 “Me respektin më të thellë nderuam kujtimin për Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. Kështu nderuam ideatorin e arkitektin e pavarësisë së vendit, njeriun që e sublimoi vullnetin politik të qytetarëve të vendit për liri e pavarësi, atin themelues të shtetit, por edhe gjithë ata bij e bija të këtij vendi që u angazhuan në lëvizjen e madhe, gjithëpopullore, për pavarësi”, ka thënë Osmani.

Gjatë qëndrimit në Prekaz, zonja Osmani ka ngre lart kontributin e familjes Jashari në çlirimin e vendit.

 “Është ky vend që dëshmon atdhedashurinë, dëshmi si duhet vendi, udhërrëfyes për punën tonë dhe brezat e ardhshëm”, është shprehur Osmani.

Ndërkaq në homazhin te varri i veprimtarit Adem Demaçi, kryeparlamentarja Osmani ka thënë se simboli i rezistencës u sakrifikua për të mirën e përgjithshme.

 “Adem Demaçi, simboli i rezistencës, i cili dëshmoi se si liria individuale sakrifikohet për lirinë kolektive. Ai e vuri lirinë e popullit të tij para çdo interesi tjetër”, ka theksuar Osmani.​

Filed Under: Featured Tagged With: Vjosa Osmani-Pavaresia-Rugova

DITA E PAVARESISE-PDK, VIZITA NE VARREZAT E DESHMOREVE

February 17, 2020 by dgreca

Kryesia dhe deputetët e PDK-së bënë homazhe në Prekaz, aty ku nisi liria/

Me rastin e 12 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, anëtarët e Kryesisë dhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurora me lule në memorialin e Jasharajve në Prekaz.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se këtë ditë kanë zgjedhur ta fillojnë pikërisht në vendin ku filloi historia e Kosovës.

“Sot në këtë ditë të veçantë për Kosovën, kryesia e PDK-së kemi zgjedhur ta fillojmë ditën nga një vend i veçantë, këtu ku ka filluar historia e Kosovës”, tha Hamza.

Ai shprehu urime për të gjithë qytetarët e Kosovës duke cekur se shteti i Kosovës për këto vite ka pasur të arritura dhe besojmë se shteti i Kosovës do të ketë të arritura edhe më të mëdha në vitet në vijim.

Filed Under: Kronike Tagged With: Pavaresia-PDK-Viziat ne Prekaz

NOSTALGJIKËT E KOMUNIZMIT –MORALISHT TË FALIMENTUAR DHE MATERIALISHT TË KORRUPTUAR

February 16, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

“Ne duhet të shkruajmë me një gjuhë që përhapë në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne.” Vladimir Lenini/

Ishte e pamundur që javët e fundit të lexoje një pjesë të madhe të shtypit shqiptar dhe të mos shihje faqe e faqe të tëra të botuara, marrë nga libri i fundit i kujtimeve të Nexhmije Hoxhës, bashkshortes së diktatorit, një e drejtë kjo e saj që dikur nuk ua lejonte kundërshtarëve të saj.  Këto media– në fakt — ashtu si atëherë në diktaturën komuniste, po luajnë rolin kolektiv propagandist në shërbim të një agjitatori dhe organizatori të masave, por kësaj radhe në një sistem post-komunist që quhet demokraci, madje edhe në emër të lirisë së shtypit dhe të fjalës së lirë.  Një mik imi nga Tirana më tha se shkrime të tilla lexohen shumë nga shqiptarët.  Qëllimi pra është të shiten gazetat, pa marrë parsysh përmbajtjen e botimeve të tilla si “kujtimet” e Nexhmijes Hoxhës dhe libri i mjekut personal të diktatorit, Z. Isuf Kalo një rrëfim i rrallë i jetës së Bllokut, ku i thuren lëvdata jo vetëm Enver Hoxhës por edhe bashkshortes së tij dh e ish-udhheqësve të tjerë komunistë.  Botimi i këtyre dy librave u pasqyrua dhe u diskutua gjërësisht me javë të tëra në programet televizive “prime time” dhe në shtypin e vendit.  Një reflektim ky i falimentimit moral politik dhe i korrupcionit material, jo vetëm i politikës së ditës por edhe i medias shqiptare.

Mund të ishte një kohë dikur, dekada më parë, që ndoshta përkushtimi ndaj komunizmit dhe diktatorëve si Enver Hoxha të konsiderohej si një idealizëm i gabuar ose naiv, por sot jemi në një botë dhe në një shekull tjetër.  Për pjesën më të madhe të botës ish-komuniste dhe për njerëzit normal, periudha e komunizmit ka kaluar, është mbyllur me shembjen e Murit të Berlinit.  Por, kjo magjepsje me të kaluarën komuniste në Shqipëri, siç dëshmon edhe vëmëndja që po i kushtohet, ditët dhe javët e fundit, “kujtimeve” të Nexhmije Hoxhës dhe të mjekut të Enver Hoxhës, Z. Isuf Kalo në median shqiptare si dhe nga opinionistë të ndryshëm, është absolutisht e pabesueshme, kur të konsiderohen krimet e atij regjimi, tani një pjesë e madhe e të cilave janë dokumentuar nga ente të vendit, nga individë e historianë si dhe nga dëshmitë e shumë të vuajturve dhe të persekutuarve nga regjimi enverist.  Vetëm ata që janë moralisht të falimentuar anashkalojnë faktin se terrori dhe krimet anti-njerëzore ishin një prej mjeteve bazë që komunizmi ka përdorur për të qëndruar në pushtet, duke zhdukur, pa mëshirë, kundërshtarët e vet.  Në vend që të kërkojnë ndëshkimin e krimeve të komunizmit, ose të pakën përballimin zyrtar me të kaluarën komuniste, media dhe nostalgjikët e komunizmit, për interesa të momentit, promovojnë figurat më të shëmtuara të regjimit komunist shqiptar.

Një përjashtim nga ky grup është analisti i njohur Agron Gjekmarkaj, i cili në një artikull të ditëve të fundit, komentoi, ndër të tjera, pikërisht rolin e medias në këtë mes. “Në shumë media” shkruan Gjekmarkaj, “ka një rendje, një dihamë, një garë, një lëbyrje për të botuar e ribotuar kujtimet e Nexhmije Hoxhës.  Po të pyesësh pse ndodh kjo, të përgjigjen: “Po ja, këto klikohen, lexohen, i kërkon publiku”.  Në këtë rast, të dyja palët po bashkëpunojnë në revizionimin dhe modifikimin e një epoke kriminale”, thekson ai. “Ata po masturbohen me mashtrimin hakmarrës që u ofron zonja plakë.  Ajo po përqesh iluzionin tonë për liri e demokraci.  Mbi plagët e shqiptarëve-viktima të saj, gjuan gëlbazë e cinizëm të ftohtë.  Nexhmija po sillet si fitimtare”, thekson Agron Gjekmarkaj.

Krahasoni, ju lutem, vëmendjen që media dhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare u ka kushtuar këtyre dy botimeve të kohëve të fundit të Nexhmije Hoxhës dhe Isuf Kalo, me mungesën pothuaj totale të pasqyrimit në media të hapjes më 13 shkurt, 2020 të edicionit të pestë i Ditëve të Kujtesës nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC), që synon të ndërgjegjësojë dhe të forcojë dialogun rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale.  Sipas portalit të (IDMC) aktivitetet nisën me ekspozitën ndërkombëtare, “Totalitarizmi në Evropë” dhe një diskutim mes ekspertëve vendas dhe të huaj rreth represionit stalinist duke vënë në analizë diktaturën që përjetoi Shqipëria në krahasim me shtetet e tjera ish-komuniste.  Në ceremoninë që u mbajt në hotel Tirana të ënjtën, Drejtoresha e këtij enti, Dr. Jonila Godole kujtoi synimet që Ditët e Kujtesës kanë pasur që në vitin 2015 kur u organizua aktiviteti i parë.  Ajo theksoi se, “Situata nuk ka ndryshuar shumë, pasi ish-të përndjekurit nuk kanë ende një memorial, e shkuara vazhdon të jetë e trajtuar me mangësi në tekstet shkollore ndërsa shoqëria mbetet pak e ndërgjegjësuar.”

Pikërisht, ky është edhe problemi kryesor: ndërgjegjësimi dhe prëgjegjësia e shoqërisë shqiptare për të kaluarën komuniste, një përgjegjësi dhe një rol që duhet të luaj edhe media shqiptare – si një përgjegjësi morale dhe qytetare, sepse siç u shpreh edhe Dr. Jonila Godole: “Jetojmë në demokraci, e mbajmë veten për ithtarë të saj, por pranojmë të heshtim për krimet e djeshme dhe mbyllim gjithashtu sytë për krimet që pasuan, sepse mentaliteti dhe kultura politike e ngritur mbi frikën nuk e lë një popull të ecë përpara, por ia vret zërin.  Ai preferon të mos përzihet dhe të rrijë mënjanë, duke pranuar me heshtjen e tij të gjitha regjimet dhe duke mos marrë një pozicion të qartë për t’i ndryshuar ato”, tha ajo në fjalën e hapjes së aktivitetit “Ditët e Kujtesës”.  E botoi kush njoftimin për media për veprimtaritë e “Ditët e Kujtesës” të organizuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë, me mbështetje të fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS). Falënderojmë Zotin për ndihmën e Fondacionit gjerman Konrad Adenauer, pa ndihmën e të cilit nuk do të kishte as këtë aktivitet.

30-vjetë më parë, menduam më kot – megjithë thirrjet se e donim Shqipërinë si e gjithë Evropa –ishim të bindur se do të fillonte një epokë e re e demokracisë dhe lirisë.  Shpresonim dhe mendonim se epoka e lirisë dhe demokracisë kurrë nuk do të merrte fund pas shembjes njëherë e mirë të komunizmit.  Por, fatkeqësisht, nostalgjia për komunizmin në Shqipëri është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve e që shprehet haptas nga trashgimtarët apologjetë të atij regjimi në media dhe panele televizive, e të cilët ende mbajnë detyra në nivelet më të larta qeveritare dhe akademike.  Ata janë shkaku që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita ditës në Shqipëri.  Është gjithashtu provë se një shumicë e shqiptarëve janë me prirje të majta dhe nuk ia dinë vlerën lirisë së vërtetë dhe demokracisë –një situatë kjo që, rrjedhimisht, ka krijuar një boshllëk dhe një mungesë të moralit dhe të përgjegjësisë në udhëheqjen e vendit.  Për botën e lirë, sidomos për Shtetet e Bashkuara dhe për shumicën e vendeve ish-komuniste, gjatë fund shekullit të kaluar ishte e qartë se komunizmi kishte falimentuar moralisht dhe materialisht, gjë që frymëzoi kundërshtarët e komunizmit dhe njëkohësisht turpëroi despotët komunistë, por siç duket jo ata nostalgjikë të komunizmit në Shqipëri, të cilët mbrojnë ende me mburrje të kaluarën komuniste në atë vend .


Unë nuk habitem për nostalgjinë që mund të shprehin disa persona e grupe—brenda dhe jashtë Shqipërisë — për Enver Hoxhën për regjimin e tij ose për “kujtimet” e Nexhmije Hoxhës, ose të mjekut personal të Enver Hoxhës, sepse gjithmonë ka patur e do të ketë njerëz ideologjikë e fanatikë, jo të mirë-informuar, për të bërat e këqia të regjimit komunist shqiptar kundër popullit të vet.  Një gjë e tillë ndodhë edhe në vende të tjera, përfshiër edhe ato demokartike perendimore, por jo në përmasata që shohim në Shqipëri.  Në fund të fundit, demokracia i ka këto.  Por unë nuk e kam të qartë, se cila është agjenda e këtyre personave dhe grupeve të caktuara në Shqipëri, ndërkohë që nuk e kuptoj as seriozitetin e tyre që tregojnë për zbatimin e agjendës së tyre, të ringjalljes së enverizmit.  A është kjo një përpjekje për të mbuluar mizoritë e regjimit enverist, apo po përpiqen të krijojnë një histori gënjeshtrash në dëmin afatgjatë të kombit shqiptar?

Por gjëja që më çuditë pa masë dhe në të njëjtën kohë më dëshpëron, është mosreagimi serioz ndaj këtyre dukurive nga ana e medies, nga qarqet zyrtare, nga intelektualë, nga organizata të ndryshme, nga komentues e vëzhgues, nga njerëz të arsimit e të kulturës, nga politika në përgjithësi, nga të shtypurit e të përndjekurit, nga shoqëria civile e tjerë.  Si është e mundur që njeri prej “stalinëve të vegjël” të Evropës dhe njëri prej kasapëve më të egër të shekullit të kaluar, të konsiderohet si një udhëheqës me merita për kombin?

Analisti Agron Gjekmarkaj në artikullin e cituar më lartë, “Ne i meritojmë kujtimet e Nexhmije Hoxhës”, shkruan se klasa politike shqiptare nuk është as nuk ka qenë serioze këto 30-vjet postkomunizëm në lidhje me dekomunistizimin e vendit:“Jo vetëm kaq, por nuk e patën kurrë seriozisht atë, as e djathta, për të cilën pritshmëritë ishin më të larta e as e majta, e cila nuk u nda kurrë prej së vërteti me partinë e Enverit për të ruajtur bazën elektorale.  Vend i vogël ky i yni me krime kaq të mëdha e të kobshme, saqë s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban.  Të pazotë e të pandershëm si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si shtet për t’u përballur me to, zgjodhëm një rrugë, atë më të pështirën, por të lehtë, ama: harresën, tjetërsimin, anashkalimin.”  Aktivisti i të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, Martin Luther King ka thënë se, “Jeta jonë fillon të marrë fund në ditën që ne heshtim për gjërat më rëndësi”.  Unë jam munduar ta them shpeshëherë se për derisa kombi shqiptar nuk përballet në mënyrë të ndershme dhe të sinqert me krimet dhe trashëgiminë e vërtetë të regjimit komunist të Enver Hoxhës – ashtu siç bëri Gjermania me të kaluarën e saj naziste dhe komuniste –përpjekjet e kombit shqiptar për dinjitet, liri e demokraci dhe për bashkim kombëtar do të mbeten gjithnjë ëndërr e pa realizueshme.  30-vjet postkomunizëm dhe propaganda që u bën media botimeve të fundit në Shqipëri të protagonistëve kryesorë të komunizmit dëshmon se fryma e urrejtjes ndaj kundërshtarëve dhe amaneti i Leninit se “Ne duhet të shkruajmë me një gjuhë që përhapë në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne”, është më e pranueshme në Shqipëri se sa dëshira për tu ballafaquar me të kaluarën komuniste.

Prandaj, i dashur lexues, shkrimtar, gazetar, opinionist, intelektual, politikanë të gjitha ngjyrave, e tjerë: në qoftë se ia doni të mirën vetes, familjeve tuaja dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi, përgjigju thirrjes së atyre, të cilët nga regjimi hoxhist vuajtën dhe humbën jetën në kampet e përqendrimit e në burgje komuniste: përgjigju thirrjes së viktimave të masakrës së Tivarit; përgjigju thirrjes së kombit të vuajtur dhe të ndarë pesë copash si dhe të dëshmorëve të tij që dhanë jetën për liri, demokraci e dinjitet dhe për të vërtetën historike.

Shkundu e mos rri i ngathtë – se heshtja nuk na ka hije!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli- Nostalgjiket e komunizmit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT