• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2020

Ambasadorja Floreta Faber Uroi Kryetarin e Vatrës

February 16, 2020 by dgreca

Paraditen e së Shtunës, 15 Shkurt 2020, ambasadorja e Shqipërisë në Washington zonja Floreta Faber vizitoi selinë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA dhe uroi Kryetarin e ri të zgjedhur nga Kuvendi i 19 Janarit në Michigan, z. Elmi Berisha .Fillimisht ambasadorja informoi për veprimtarinë e ambasadës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kontaktetet e saj me komunitetin shqiptar në më shumë se 30 shtete të Amerikës ,takimet dhe me të rinjtë,foli për bashkëpunimin me ambasadën e Republikës së Kosovës etj. Ambasadorja ka përcjellë edhe urimin për 111 vjetorin e gazetës Dielli. Me mbërritjen e saj në shtëpinë e Vatrës, ambasadorja Floreta Faber u prit fillimisht nga Nën-Kryetari i Vatrës, z. Alfons Grishaj dhe vatranë të tjerë të ardhur për mbledhjen e Këshillit të Vatrës.  Zoti Alfons Grishaj e filloi fjalën e tij duke i kërkuar shpjegim ambasadores Faber për mospjesëmarrjen e saj në Kuvendin e Vatrës mbas ftesës që i ishte dërguar. Ai vazhdoi se komuniteti shqiptar i Michiganit me rreth 200 000 shqiptarë kërkon më shumë vëmendje jo vetëm nga ambasada por edhe nga vetë shteti shqiptar. Më pas Ai u ndal tek Kuvendi i Vatrës së datës 19 Janar. Ky Kuvend tha z.Grishaj I organizuar nga dega e Vatrës së Michiganit, ishte model dhe I suksesshëm  për nga organizimi po ashtu me arritjen e qëllimeve të tij. Pjesëmarrja e lartë, bashkëpunimi konstruktiv dhe zgjedhja e Kryetrit të Vatrës dhe Presidentit të Ri të Vatrës, treguan nivelin e lartë të emancipimit të Vatrës. Z. Grishaj theksoi se Vatra doli më e fortë ng ky Kuvend, në gjirin e saj janë mbledhur bijtë e familjeve më të mira patriotike dhe nacionaliste shqiptare nga Shqipëria, Dardania dhe Maqedonia në USA dhe se Vatra është në ditët e saj më të mira. Ai theksoi se Vatra nuk do të futet nën ombrellën e asnjë shoqate apo grupimi tjetër pasi vatra është një Federatë pan-Shqiptare, është një institucion kombëtar, ashtu sic është Kisha dhe Xhamia, e Teqeja, ku rriten dhe edukohen brezat. Ai tha se Vatra do të punojë fort që të gjitha shoqatat e tjera në Amerikë të mblidhen nën ombrellën e Vatrës. Vatra do të arrijë në atë nivel sa do të jetë e aftë që t’u kërkojë llogari qeverive shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë dhe funksioni i saj do të jetë si një qeveri në hije e shqiptarëve. Z. Grishaj shprehi po ashtu edhe pakënaqësinë me qeverinë aktuale shqiptare, e cila bashkëpunimin me diasporën e bën në mënyrë selective, duke ofruar një pjesë dhe duke lënë jashtë vëmendjes pjesën tjetër. 

Me pas Presidenti i nderit i Federatës Vatra Agim Rexhaj, i cili i tha asaj se Vatra qëndron mbi partitë politike dhe se do të respektojë vullnetin e votuesëve në Shqipëri e Kosovë, por Vatra kërkon respektim të votës së Lirë; është kundër manipulimit dhe shitblerjes së votës dhe u bën thirrje qeverive shqiptare që të përmirësojnë qeverisjen, të luftojnë korrupsionin dhe të rrisin mirëqenien e qytetarëve me qëllim që të ndalet migrimi masiv i shqiptarëve që po zbrazin trojet amtare.
Kryetari i Vatrës ka mirëpritur urimet e ambasadores dhe ka premtuar se nën mandatin e tij Vatra do të ngrihet në lartësinë e shekullit XXI dhe do t’i ndihmojë Kombit në zgjidhjen e problemeve kombëtare dhe se do të jetë një zë i fuqishëm edhe në Washington.

.  Biseda me znj. Faber vazhdoi në formë debati. Ambasadorja theksoi ndër të tjera se e kishte marrë ftesën por shkak të ngarkesës së punës në ato ditë dhe impenjimeve të tjera nuk kishte arritur të merrte pjesë në Kuvendin e Vatrës. Ajo tha se kishte qenë disa herë në Michigan dhe se komuniteti I Michiganit do të jetë në vëmendjen e saj.

Z. Valentin Lumaj iu drejtua ambasadores Faber me tre pyetje:

1- Meqenëse Ambasada Shqiptare dhe Vatra  kanë misione të ngjashme në mbrojtjen e çështjeve shqiptare në Amerikë, a ka në planin e saj ambasadorja bashkëpunimin me Vatrën në ato pika të përbashkëta  dhe çështje konkrete shqiptare. 

2- Si e shpjegoni klimën e miqësisë së Kryeministrit shqiptar  me Serbinë dhe klimën e konfliktit me shtetarët e Kosovës? 

3- A keni kontakte me komunitetin shqiptar në Chicago, mbasi një numër I madh shqiptarësh jetojnë atje dhe themelimit të një Katedre të Albanologjisë në Universitetin De Pol nga professor Gazmend Kapllani?

 Pyetjes së parë Ambasadorja iu përgjigj gjatë dukë thënë ndër të tjera se Vatra dhe ambasada duhet të bashkëpunojnë për çështjet shqiptare, ndërsa refuzoi që ti përgjigjet pyetjes së dytë në lidhje me kryeministrin me arsyetimin se nuk dëshiron t’u përgjigjet pyetjeve politike. Megjithatë theksojmë se kjo pyetje nuk kishte të bënte me politiken por ishte për një çështje kombëtare.

Në lidhje me Shqiptarët në Chicago, ajo tha se kishte komunikim të vazhdueshëm, dhe se disa shoqata atdhetare në Chicago janë mbledhur duke krijuar një grup të posacem si ombrelle për të gjitha shoqatat që veprojnë atje. Ne u interesuam me miqtë tanë në Chicago dhe ata konfirmuan që nuk ka asnjë mbledhje shoqatash apo krijimin e një ombrelle për shoqatat atje. Në lidhje me Katedrën e Albanologjisë ajo tha se ishte e informuar dhe këtë vepër ia atribuoi fondeve të posaçme të trashëguara nga një shqiptaro-amerikan për këtë qëllim pa dhënë ndonjë vlerësim për punën e palodhur të Dr. Gazmend Kapllani për krijimin e kësaj Katedre.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Abasadorja Faber-Vatra-Elmi berisha

DIELLI, SOT 111 VJEÇ

February 15, 2020 by dgreca

15 SHKURT 1909-2020- DIELLI I VATRËS NË SHBA MBUSHI 111 VJEÇ/

– Programi i Diellit ishte një dokument historik; një trumbetë që ftonte emigrantët shqiptarë analfabetë të armatoseshin dhe të shpëtonin vendin nga robëri e huaj…Autori i programit nuk i përtyp fjalët, ..S’është njeri memec. S’ka frikë. Nuk iu drodh dora kur e shkroi. Nuk iu tremb syri. Vuri në kartë ato që i ndjente zemra dhe shpirti i tij.”….

NGA DALIP GRECA-Editor I DIELLIT

15 Shkurt. Sot është Ditëlindja e 111-të e Gazetës “Dielli”, e të vetmes Gazetë që vjen nga koha e Rilindjes Kombëtare, dhe që ende botohet në print SHBA, dhe e përditshme online e rrjetet sociale. Me 15 Shkurt 1909, 36 ditë pas mbylljes së Gazetës”Kombi”, e cila pushoi së botuari me 10 Janar 1909, nisi të ndriçoi Dielli i  shqiptarëve të Amerikës. Gazeta “Dielli” ishte gazetë e Shoqatës Kombëtare  Besën-Besën, e themeluar me 6 Janar 1907, Shoqatë që drejtohej nga Fan S. Noli-Kryetar, Goni Katundi-nënkryetar, Angelo Stefanson(Katundi)- arkëtar , Nini Fani Katundi- sekretar, ndërsa:John Gjoka,  Mihal Panajot Katundi, Lazo Kozma, Nisi Kozma dhe Lambi Josif, përbënin Komisionin e pleqësisë. Shumë prej bordit drejtues ishin me origjinë nga Katundi. Menaxher i Diellit ishte George Konda Gjoleka(Gjergj Konda).

Edhe pse ishte gazetë e një shoqate krahinore, programi i Diellit i kalonte kufijët e një shoqate dhe merrte përmasa kombëtare. Botimi i Programit të Dielli në numrin e parë të tij nuk ishte thjesht një program publicistik të një të përjavshmje mërgimtare, por një program i një lëvizjeje programatike mbarëkombëtare me idetë e Rilindjes Kombëtare që dha kushtrimin për zgjim Kombëtar. Studiuesit që janë marrë me studimin e atij programi janë në ndarë në pikpamjen se kush ishte autori që e kishte shkruar atë program; një pjesë këmbëngulin se autori ishte Fan S. Noli, dhje kjo s’ka pse vihet në diskutim-një pjesë tjetër kanë shprehë mendimin se atë program e ka shkruar Faik Konica, por studiuesit bashkohen në pikë të përbashkët, në vlerësimin dhe rëndësinë, duke e cilësuar si dokument historik që i parapriu Lëvizjes Kombëtare në SHBA. Vetë gazeta Dielli tek e komentonte programin e vet në numrin e 50 vjetorit, e cilësonte programin si program që i priu Pavarësisë së Shqipërisë, pavarësisht se në faqen e parë Dielli kërkonte Autonomi.Tek festonte 50 vjetorin gazeta e quante veten: “Dielli, Shkëmb i patundur i Rilindjes Kombëtare”. Ndërsa editori më jetëgjatë i Diellit, për më shumë se dy dekada, Qerim Panariti, tek e komentontenë buletinin e 50 vjetorit të gazetës historinë e Diellit, shkruante: ”Programi i Diellit është një dokument historik; një trumbetë që ftonte emigrantët shqiptarë analfabetë të armatoseshin dhe të shpëtonin vendin nga robëri e huaj…Autori i programit nuk i përtyp fjalët, ..S’është njeri memec. S’ka frikë. Nuk iu drodh dora kur e shkroi. Nuk iu tremb syri. Vuri në kartë ato që i ndjente zemra dhe shpirti i tij.”. Sipas Panaritit autor i këtij programi ishte “Fan S. Noli, njeri i lindur jashtë Shqipërisë, por që guxojë të kërkojë një Shqipëri për Shqiptarët”.

Një arsye tjetër se përse autor i programit dhe editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli(edhe pse emri i tij si editor nuk u shkrua ne faqet e gazetes derisa DIELLI u bë prone e Federatës VATRA)- është se Faik Konica, u lakua për tu emëruar drejtor i Diellit shumë kohë më pas se sa Dielli nisi botimin. Kjo ndodhi në mbledhjen e Shoqatës Besa-Besë të datës 14 Mars 1909, pra një muaj pasi kishte nisë botimi i Dielli, ai mberriti 8 muaj me vone; numri i parë i gazetes i edituar prej tij do të dilte me 22 tetor 1909, pra 8 muaj gazeta doli me Fan S Nolin. Emri i Faik Konicës u publikua në Diellin me numër rendor 30, dhe i takon 22 tetorit 1909. Numerikisht 29 numrat e parë i drejtoi Fan S. Noli.

Në numrin e vet të parë me 15 shkurt 1909, Dielli e shpallte publikisht: Kryefjala jonë është “SHQIPËRIA PËR SHQIPTARËT”. Në programin e vet Dielli kërkonte:Njohjen e kombësisë shqiptare prej qeverisë Turke. Në kombësinë Shqiptare hyjnë të gjithë ata që flasin shqip, pa vënë re çfar besimi, shkruante gazeta. Dielli kërkonte njohjen e  gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Shqipëri, në të gjithë hapsirën ku flitej gjuha shqipe Në gjykatoret dhe sundimoret e vendit të përdorej vetëm gjuha shqipe. As një gjykatës apo sundimtar që nuk e njeh gjuhën shqipe, nuk mund të punonte në këto institucione. E njëjta gjë vlente edhe për drjetuesit e feve.

Dielli kërkonte Arsim Kombëtar Shqiptar, shkolla për djem e për vajza vetëm në gjuhën shqipe. Mësuesit të mos ishin fetar, por të shkolluar në shkolla profesionale.Të merrej si model shkolla amerikane, ku nuk bëhen mësime fetare në shkollat fillore. Po ashtu kërkohej zhvillimi i arsimit profesional , shkolla bujqësore, mjeshtrije etj. Programi i Diellit kërkonte zhvillim ekonomik Kombëtar,po ashtu kërkohej që të shkoqiteshin kufijtë e Shqipërisë. Në programin e vet me 15 Shkurt 1909, e shihet Shqipërinë autonome, që kishet të përbashkët me Turqinë vetëm ushtrinë, punët e luftës dhe punët e Jashtme. Gjithçka tjetër duhej të ishte në dorën e shqiptarëve.

Kur festohej 50 vjetori i gazetës Dielli, me 24 gusht 1959, editori i parë , Fan S Noli, u deklaroi vatranëve: “Kur themeluam Diellin me 15 të shkurtit 1909, nuk besonim që Turqia do shkonte nga Ballkani aq shpejt, ndonëse e dinim që ditët i kishte të shkurtëra, pranadaj për atë shkak, në programin e Diellit, kërkonim nga Turqia, pikat maksimume, por jo çkëputje prej saj. Kërkonim shkolla në gjuhën tonë, kërkonim kufi të caktuara me katër vilajetet: Kosovën, Shkodrën, Janinën dhe Manastirin brenda, dhe më në fund shtonim në program-Shqipëria të mos ketë gjë të përbashkët me Turqinë, veç ushtrinë, punët e jashtme dhe punët e luftës…Sot 50 vjet më vonë, gëzojmë një Shqipëri indipendente, por jo një shtet me katër vilajetet sikundër e dëshironim neve asi kohe.Për shpëtimin e kësaj copë Shqipërie të vogël, neve shqiptarët e Amerikës, me anë të Vatrës dhe Diellit, duhet të jemi kryelartë, se me sakrificat tona, shpëtuam Shqipërinë nga copëtimi, krijuam Kishën Kombëtare, botuam libra me rëndësi letrare, kombëtare dhe kishtare, dhe me anë të Diellit mundëm të mbajmë gjuhën dhe zakonet tona të gjalla për një gjysëm shekulli.

Në mbyllje të fjalës së tij Imzot Noli uronte”Urojmë me gjithë zemër që Dielli, gazetë e parë në gjuhën shqipe , që u botua e përditme, të arrinjë të festonjë dhe njëqind vjeçarin.100 vjeçarin e uruar nga Noli, Dielli u ringjall, pas dy vite e gjysëm mosbotim, dhe organizoi një festim madhështor në një nga Universitetet e New York-ut, në Monroe College.

Vitin e kaluar DIELLI festoi me madhështi 110 vjetorin e numrit të parë dhe festa nisi që në dhjetor 2018, kur u shpall programi, konkursi mbarëkombëtar dhe Konferenca shkencore. Për të parën herë festa e Diellit përfshiu jo vetëm shqiptarët e Amerikës por edhe edhe trojet kombëtare, duke u festuar edhe ne Tirane.

Sot DIELLIT I festojmë Ditëlindjen e 111-të dhe urojme qe t’i festohet edhe 200 vjetori.Dielli është cilësuar si një “Kandil kombëtar” që u ndez me 15 Shkurt 1909 dhe është mbajtë ndezë deri më sot. 29 numrat e parë të Diellit i nxori Fan S. Noli, ndërkohë që nga 22 tetori 1909 gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës, që u thirr nga Londra.

Përveç Nolit dhe Konicës, Diellin e  kanë drejtuar pena dinjitoze, intelektualë të shquar, atdhetarë të përkushtuar si: Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, që e bëri gazetën të përditshme( 7 nëntor 1914), Bahri Omari(1916-1919), Andon Frashëri, Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari,Peter Tikco, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj , Bilal Xhaferri, Xhevat Kallajxhiu, Dr. Eduard Liço, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa etj.

Prej 10 vitesh Dielli drejtohet nga Editori i sotshëm,duke pasur luksin qe si rralle em pare te kete edhe nje editore per gjuhen angleze, Rafaela Prifti.  Gjate kesaj dekade Dielli ka patur një cikël të stabilizuar botimi në print dhe në Online, ndërkohë që çdo 28 Nëntor publikohet numri special me më shumë se 100 faqe.

Gazeta Dielli u themelua prej Shoqerise Besa-Besen me 15 Shkurt, 1909, si fletore e perjavshme. Me 11 Mars, 1913, pasi Shoqeria Besa-Besen u-tret( lexo: bashkua) ne Vatren dhe Dielli u-be proprietet i Federates, nisi te dale dy here ne jave. Me 18 Nentor,1914 nisi te dale tri here ne jave. Me 9 Nentor, 1915, nisi te dale e perditshme.

Koleksioni I gazetës prej 15 Shkurtit 1909 e deri më sot dëshmon se ai u drejtua nga këta redaktorë : I Per. At Fan Noli qe me 15 Shkurt, 1909, gjer me Tetor 15, 1909. Z. Faik Be Konitza qe me Tetor 22, 1909, gjer me 18 Mars, 1910. Komisioni i Shoqerise Vatra e drejtoj Diellin pa redaktor qe me 25 Mars gjer me 29 Prill, 1910. Faik Be Konitza qe me 6 Maj, gjer me 1 Korrik, 1910. Dielli pushoj se botuari qe me 1 Korrik gjer me Tetor 1910. I Per. At Fan Noli qe me 7 Tetor, 1910 gjer me 7 Korrik, 1911. Z. Efthim Natsi qe me Korrik 13 gjer me Shtator 14, 1911. Z. Kristo Floqi qe me 21 Shtator, 1911, gjer 18 Korrik, 1912. Z. Faik Be Konitza qe me 1 Gusht, 1912 gjer me 8 Korrik, 1913, po ne Janar te ketij moti Faik Beu shkoj ne Evrope dhe barra e redaksise qe ahere I mbeti me teper Z.-it Efthim Natsi. Z. Kristo Dako qe me 11 Korrik gjer me 26 Gusht, 1913. Z. Paskal Aleksi qe me Gusht 29, 1913 gjer me 13 Shkurt, 1914. Z. Denis Kamburi qe me 17 Shkurt gjer me 14 Kristo Kirika, 1914. Z. Efthim Natsi qe me 10 Korrik, gjer me 6 Nentor, 1914. Z.Koste Çekrezi qe 10 Nentor 1914 gjer me 20 Dhjtor 1915. I Per. At Fan Noli qe me 21 Dhjetor gjer 6 Korrik 1916. Z. Bahri Omari qe me 7 Korrik e gjer me 1919, më pas do të rikthehej sërish Kostë Çekrezi, për t’ia lënë vendin me radhë: Andon Frashërit, Aqile Tasit, Refat R. Gurrazezit, Nelo Drizarit,(parallel tek Dielli I Detroitit Refat Gurrazezi), Peter Tyko, Qerim Panariti,Peter R. Prifti(Co Editor) Bilal Xhaferri(Co Editor), Athanas Gegaj, Xhevat Kallajxhiu, Arshi Pipa, Anton Çefa(1994—2009), Dalip Greca( nga 2009). Dielli prej 17 dhjetorit 2017  edhe editor për Gjuhën angleze, gazetaren Rafaela Prifti.

Në jetëgjatësinë e Diellit kanë meritën e tyre edhe menaxherët e gazetës.

I pari manager i Diellit ishte Z. George Konda Gjoleka qe kur u-themelua gazeta gjer me 5 MAj, 1911. Z. Lambi Çikozi qe me 12 Maj, 1911 gjer me 25 Prill, 1912. Z.Kristo Kirka qe me 9 Maj 1912, gjer me 20 Maj, 1913. Z.Lambi Çikozi qe me 23 Maj gjer me 8 Korrik 1913. Z.Kristo Dako qe me 11 gjer me 22 Korrik, 1913. Z.Hamid Lumi qe me 25 Korrik, gjer me 26 Gusht, 1913. Z.Vangjel Gjika qe me 29 Gusht, 1913, gjer me 8 Maj, 1914. Z. Dennis Kamburi qe me 12 MAj, gjer me 3 Korrik, 1914. Z.Loni Kristo qe me 7 Korrik, 1914, gjer me 7 Korrik, 1915. Z.Muke Permeti qe me 9 Korrik, 1915, gjer me 21 Prill, 1917. Z.Akif  Permeti qe me 16 Korrik 1917 deri me 1920. Më pas rolin e menaxherëve e kanë luajtur kryetarët e Vatrës.

Gazeta ”Dielli” mbetet regjistri më i vjetër i Shqiptarëve të Amerikës me një kontribut të jashtzakonshëm në historinë e shtypit shqiptar. Gazeta u kthye në një shkollë për shqiptarët e pashkolluar të Amerikës dhe mbajti ndezur idealet Kombëtare, ruajti gjuhën shqipe, traditat dhe Kulturën Kombëtare, promovoi arritjet e shqiptarëve në SHBA, dhe ndërtoi ura miqësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kombit Shqiptar. Dielli është vlerësuar si gazetë serioze e komuniteteve në Amerikën e Veriut, madje është edhe fituese çmimesh, siç ishte çmimi i fituar në konkursin “Common Council For American Unite”, ku morën pjesë njëmijë gazeta në gjuhë të huaja që botoheshin në SHBA në fillim vitet ’50.Editor ishte Qerim Panariti.

Dielli ka merita të mëdha edhe në fushën e Letërsisë dhe Kritikës Letrare; në faqet e tij u botuan përkthimet e para nga klasikët e huaj, dhe u stimulua krijimtaria letrare. Gazeta”Dielli” mbetet zëdhënsja dhe misionarja më e respektuar dhe më e çmuar e shqiptarizmit në SHBA.

Dielli u predikoi mërgimtarëve detyrën kundrejt Atdheut. Gazeta u kthye në ushqim mendor dhe shpirtëror i domosdoshëm për shqiptarët e Amerikës, të cilët i mëkoi me dashurinë ndaj Atdheut.Diktatura komuniste u përpoq ta shuante Diellin, por nuk ia arriti, edhe pse i pushkatori apo i burgosi disa nga editoret dhe menaxheret e saj si: Bahri Omari, Kristo Floqi, Kristo Kirka, Aqif Përmeti, Aqile Tasi e të tjerë.

Vatra dhe Gazeat e saj “Dielli” përbëjnë një binom të pandashëm, që i lidh e i mbanë bashkë çështja Kombëtare. Kanë thënë shpesh se Dielli dhe Vatra do të shuheshin, por jo, ato e kaluan shekullin dhe përjetojnë shekulline  dytë. Jetëgjatësia e Vatrës dhe e Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm.Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi janë të lidhura ngushtë me shqiptarinë.

Filed Under: Featured Tagged With: 111 Vjet-Dielli-Pervjetori

SHKRIMTARI VISAR ZHITI:”DIELLI”- BESA-BESË, PROGRAM, MBROJTJE, SHPRESË….

February 15, 2020 by dgreca

– LETËR URIMI NË PËRVJETORIN E 111-të TË GAZETËS QË VJEN NGA KOHA E RILINDJES KOMBËTARE-DIELLI I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS- /

“DIELLIT”
I dashur Kryeredaktor,
Mik Dalip Greca,

Duke u nisur që nga 15 shkurti i vitit 1909, ne, shqiptarëve, na ngjan se bashkë me Diellin jetëdhënës të botës së pafund, lindi dhe një copëz “dielli” i dytë, yni, vetëm për shqiptarët, që do të na duhej për errësirën tonë, për mëngjeset kombëtare, për ditët e ardhmërisë…
Dhe  ku lindi ky “Diell” yni, ”andej nga perëndon”, do të përgjigjeshim, po të përdorim një varg të Naimit profet, në SHBA, në Shtetet e Bekuara, siç i thoshin shqiptarët e mëparshëm.
Kuptohet që është fjala për gazetën “Dielli”, që do të bëhej “besa-besë”, program, mbrojtje, shpresë, lajm, vizion, kronikë, porosi, kalendar, bashkim, kushtrim, antidiktaturë, kulturë, letërsi, enciklopedi, u bë 100 vjeç, duke u kthyer dhe në traditë të çmuar, arkiv, muze shpirteror, përvojë, mençuri, duke mbetur Atdhe, Kosovë, Çamëri, shqiptar!
Shqiptar në Amerikë.
“Dielli” punoi fuqishëm për pavarēsinë e Kombit Shqiptar dhe na tregoi se mbeshtetja e SHBA ishte dhe është jetike, ka atë s’do të kishte Shqipëri, as Kosovë tani.
Vlera e “Diellit” është e veçantë dhe e jashtzakonshme, jo vetëm e shqiptarëve, por dhe e gjithë diasporave në Amerikë, vlerë e lirisë dhe e fuqisë së SHBA, nderkohë është dhe një urë e hijshme dhe e qëndrueshme që  lidh dy popujve tanë, dy vendet tona, dy shtetet tona, forcon miqësinë dhe aleancën, bashkon metaforikisht të madhin me të voglin duke na treguar se e madhja ndjen edhe si e vogla, dhe e vogla është pjesë e shqetësimeve të mëdha, që njeriu në fund të fundit duhet të jetë njeri i lumtur kudo, siç e ka dhe Kushtetuta e SHBA-së, e vetmja në botë me një nen të tillë.
Shumë e më shumë mund të thuhen për “Diellin” tonë në ditën e sotme, që u themelua  me rilindasit e fundit per një rilindje të re, me etërit Faik Konica e Fan Noli, patriotë të mëdhenj, mendimtarë të mëdhenj, shkrimtarë të mëdhenj, qytetarë të mëdhenj të botës.
Nderim për të gjithë ata që e drejtuan “Diellin” tonë, që e mbajtën ndezur, me dritë të gjallë, megjithëse regjimi në dheun amë i harronte, i perndiqte, madje dhe i vrau. Ndjesë nga çdo shqiptar…
Dhe dua të ndal këtu te bashkëvuajtësi im, Prof. Arshi Pipa, që doli nga burgu i diktaturës komuniste me poezitë e ferrit në gji, u arratis, erdhi këtej dhe u bë dhe pjesë e “Vatrës” dhe e “Diellit” të saj. Ai solli guxim të ri, qendrim të pakompromis me ideologjitë e së keqes, përballje jo vetëm filozofike me totalitarizmin…
Edhe ju, bashkëqytetar dhe mik,
z. Dalip Greca,
vini nga Shqipëria jonë, me përvojë të begatë gazetari, i dy kohëve, kur binte nata e gjatë e diktaturës dhe po zbardhëllonte agu i demokracisë dhe shkrimet tona së bashku atëhere i shërbenin këtij shndërrimi, kërkonin afrimin e dritës, liri e demokraci, drejtësi e paqe, një Shqipëri euroatlantike!
Fati deshi që Ju te vinit vetë te “Dielli”. E çmoj shumë mundin Tuaj, perkushtimin Tuaj, aftesitë dhe urtesinë që gazeta jonë “Dielli” të vazhdojë të dalë, e dashur dhe e duhur si përherë, të çojë kujtesë dhe arritje në dyert e shqiptaro-amerikanëve gjithandej në kontinent.
Ju dëshirojmë mbarësi e suksese, duke e rindezur frymën Perëndimire të Konicës dhe Imzot Nolit, të Profesor Pipës, të gjithë prijëtarëve të “Diellit”, të çdo shqiptari, shqiptaro-amerikani, qytetari të SHBA,  të Shqipërisë së përjetëshme!

Përzemërsisht
dhe me besë, siç thoshin rilindasit tanë,
Juaji,
Visar Zhiti

Chicago, 15 shkurt 2020

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Visar Zhiti-Leter-111 Vjet-Dielli

Aromë Shën Valentini

February 14, 2020 by dgreca

Poezi Rafael Floqi/

    Për ty/


Nëse ndonjëherë dy vetë janë një,/

     atëherë me siguri jemi ne, e dashur. /
Dashuria jote edhe kur nxehesh/

     është si kjo fjollë bore sot,/

     që bën të ndizen brenda nesh/

     zjarret./

     Kjo puhi si vello tantellamardhur  /

     në një qiell që shkëlqen. /

     “ Shum po shndrit e pak po nxeh”,/

     thotë legjenda e Ajkunës.  /

     Është si ajo turfullima jote e papritur/

     kur t’i merr flakë ndonjëherë, /

     nga ndonjë veprim im mitur./

     Dhe unë them: Më fal, si ta kem ditur

     Atë që vetëm tani shkenca e zbuloi

     se burrat u piqkan pasi mbushin 55.

     E këtë moshë e kam kaluar e dashur,

     Ndaj e di se kjo puhi bryme shkrin shpejt   

     veç sa zbardhi poshtë pyllin e zhveshur,

     kur vetëm tani unë pashë qartë,

     se sa degë kishin thyer kohërat. 

     Dashuria jote nuk kërkon shpërblim.
e ngrohtë, e ngrohtë, e vazhdueshme
dashuria jote qe e tillë qysh në fillim.

     Prandaj me që marrim frymë

     me që jetojmë, me dashuri

     jemi kaq këmbëngulës për të,
se pa të s’mund të jetojmë kurrsesi.

Aromë Shën Valentini

Një ditë para, vajza ime 16 vjeçe

I bënte një  pyetje te çuditshme s ’ëmës

Ç’ keni planifikuar ju  

për Shën Valentin?

Ime shoqe më vështroi befas, 

unë ndjeva një sekret kuptimplotë

kur më shfajësoi me sykuptim.

Se ajo priste një vjershë si çdo mot.

“Ne, tha ajo, shpejt vendosim

dhe  vetëm kur vjen dita”.

Dhe në atë çast u ndjeva fajtor

pse ato vargje ende s’i shkuajta.

Por sot është Shën Valentin,

ajri është mbushur me zemra,

ndaj thashë udhës për në punë

t’i blija një tufë lulesh të freskëta.

Sot është dita e Shën Valentinit,

e ime bijë u zgjua herët për shkollë,

E ajo që si ndan nga trupi pantallonat

kishte veshur fundin e zi e një bluzë kuqe të hollë.

Sot bën ftohtë i thashë, minus 4 gradë

dhe e  përgëzova për veshjen patriotike,

I menduar, psenë e pyetjes e kuptova vetë,

U rrit thashë me vete 16 plot  

e m’u duk mjaft më simpatike.

***

Pasdite e Shën Valentini

Një tullumbace me formë

Si  zemër e kuqe delikate me helium,

Që shkuan me germa të arta

“ I love you”

Qe përvjedhur përmes një dritareje

gjysmë të hapur makine

e po fluturonte drejt për diku.

Pat rrëshqitur nga kyçi i një fëmije

A nga sedilja  e një dashnori të nxituar,

Qe ngritur shoqëruar nga bryma

Dhe fjollat e borës që mbulonin pishat. 

Si një re e ngrirë me shkëlqim vjollcë

drejt qielli rrëmujë gri ngjitej lart 

duke tërhequr pas fjongon e saj

me shkrimin e  artë si vetëtima

“ Të dua

Atë kurrë nuk do të godasë asgjë

apo të rrëzohet diku në një tokë të braktisur,

dashuria e saj e guximshme,

gjithnjë e më e pafajshme,

do të ngrihej lart mbi lisat e mardhur,

e shtytur nga rryma të shpejtë

drejt horizontit,

ku e priste krahëhapur hëna,

si një vegim i kuq i përkundur

nga shikimi im dhe i ndjekur nga zemra.

Filed Under: Featured

TIRANA IME E VOGEL …

February 14, 2020 by dgreca

{sa e vogel ne Universin e madh}/


Nga EGLANTNA MANDIA

TIRANA E VOGËL/
Tirana e vogël/
Papritur një rreze dielli/
Ndriçoi/
Emrin tënd/
Dhe rininë time të herëshme/
E të pashë krejt e habitur/
Dëgjova nëpër ajër,/
Tingujt e lashtë të një melodie/
Që kumbonte/
E shoqëronte këngën/
E muezinit/
Simbolet e para të dashurisë/
Që më ngjitën drejt qiellit/
E një lot/
Ma njomi zemrën/
Të thirra atëherë/
Tirana ime e vogël/

Dhe prita të dëgjoj
Me drithmë jehonën e Dajtit
Po dielli u zu
Dhe ndjeva
Një rrënqethje fantazmash
Gjoksin të ma shtërngonte

NERMIN VLORA,1967
POETJA

Ato ishin vitet e pritjes pa fund të ëndrrave pa shprese. E kur qielli u ça u përballem me një realitet të pa imagjinuar buzë një krateri, llava e të cilit valonte tash sa mot, shpërtheu me një urrejtje e zemërim të frikshëm.

Shpirtëra të trazuar, të shkretë e të humbur, që kërkojnë vetëvehten me delirë të cuditëshme,me sy të marrur,gjysëm të verbër nga errësira e gjatë e jetës. Në një përplasje të egër iluzionesh e diziluzionesh për të vendosur një ekuilibër të ri.
Ne në bulozën e dhjetvjecarit të fundit të shekullit të xx, shqiptarët e gjetën vehten jashtëzakonisht të pafuqishëm të pa mbrojtur, krejtësisht të hutuar.

Vjeshtë Tirane, që cfarëdo të ndodhte ishte aty,si mali i Dajtit dhe përvijimet e detit që duken prej tij,një ngushëllim jo i vogël.

Pikërisht atëherë,u shfaqën nën qielli me re të kryeqytetit,Një Papë,Një Shenjtore dhe Një zonjë e aristokracisë së lartë,POETJA.

Zonja elegante,me një gjerdan perlash në qafën e gjatë si të një mjellme,qe një ëndërr e prekeshme,disi e besueshme,tek zbriste shkallët e hotel Dajtit,me një buzëqeshje gati hyjnore,një vegim yllësie me flokë të bardhë e fytyrën fisnike pa asnjë rrudhë,me sy të zinj ,depërtuse të butë e jashtëzakonisht inteligjente,dukej si një dhuratë nga zoti,si një oaz shlodhje ,pas një rrugëtimi të gjatë.

E ca ëndërrimtare, si puna jonë,që nuk u pat vdekur fare shpresa për mrekulli të rralla,u kuturisëm të bënim një dokumentar në T.V.Sh,për Nermin Vlorën.

Po sikurse ca flluska të tjera,edhe kjo mbeti e tillë,sepse grupi i xhirimit u shpërnda në “drejtime të panjohura” dhe mua më mbeti në dorë shkrimi,me titull:Tirana e vogël,sipas një poezie brilante të saj.
= = =
Ditë me shi në Tiranë.

Shi shi i rrëmbyer tirane.Një vajzë e vogël me emrin Nermin,mbetet befas matanë lumit të Lanës,ndërsa nëna e saj Zonja Belkiz e pret në anën tjetër.Vajza e vogël e përlotur s’di nga t’ja mbajë.Një burrë i moshuar e pyet: – ç’ke moj bijë?
Vajza dëgjon zërin e nënës dhe tregon ,me dorën e vocër,se nuk e kapërxen dot lumin e rrëmbyer,dhe atje, atje është nëna e saj që po e thërret”NERMIN!”……

Ç’qe ky episod i çuditshëm?

Një shenjëzë,një parathënie e viteve të më vonëshme të pritjes së gjatë,tepër të gjatë për takimin e shumëpritur midis nënës dhe bijës?

Asaj cupëze të vogël për vuajtejen dhe pritjen plot durim,fati I fali hapësirat e detrave,oqeaneve,kontinenteve dhe mundësinë e fjalës me yllësitë.

Goca e Tiranës së vogël u bë një zonjë e nderuar,intelektuale e ndritur,që me humanizmin,dijet enciklopedike arrijti të futej në thellësitë e shekujve për të njohur të sotmen dhe parathënë të ardhmen.Forca kreative e Nermin Vlorës ka një opus shumë të gjerë,në fushën e gjuhësisë,prozës dhe vecanerisht poezisë.Me një sensibilitet të rrallë poetik ku dendësohet një mall e brengë njerëzore dhjetravjecare,për Tiranën e vogël, nënën, gjyshen shkollën ,shoqet,shtëpinë ,atdheun e gjithecka shqiptare.
“Muza e poezisë sime lindi në Shqipëri[poezia e parë u botua këtu në moshën 12 vjecare]u rrit në Shqipëri,këndoi për Shqipërinë në masën e një harmonie midis popujve të Europës,si qytetare të Europës që jemi”

Më se e vërtetë ,në këtë KOHË kur thirrja e brendëshme e shpirtit të Kombit kërkon të ketë Shqipëri të bashkuar “Si gjithë Europa”Krijimtaria poliedrike e NerminVlorës është një shembull i forces kreative të këtij populli të lashtë e fisnik,bijtë e të cilit ,sic ka shkruar Barleti”Ndjekin gjurmët e fisit e gjakut të vet”

Poezia “NJË KRIZË’vjen pas pas lajmit të vdekjes së gjyshes në Tiranë.Fytyra e së cilës është vizatuar në poemën”ARRATISJA”që është vjershërimi më i bukur i vëllimit”Nga gjysëm hëna tek Hena,1973”Një ditar i plotë poetik,që lidhet me Atdheun, fëmininë,rininë ,dashurinë,martesën ,arratisjen nga ardhja e nazistëve në Shqipëri me njëmijë rreziqe,poema si një elegji largimi nga lufta shkatërrimtare,e mjaftë për t’i dhënë njeriut që e ka parë në sy për të gjithë jetën të bëhet kundër saj,kundër kasapëve të njerëzisë.

Dhe kudo mesazhe të Atdheut,sado larg që të jetë POETJA,sado që në poezinë e saj të fryjë flladi i kozmosit, i universit, yllësive, misterit të jetës dhe vdekjes, do të dali pa pritur një mall tjetër i largët që të kujton dhimbjen e thellë të ndarjes.sic qe vdekja e gjyshes Mevedet aq të dashur e të respektuar nga Nermini.

Mevedetin,vajzën e madhe të Ismait Qemalit vdekur në një varfëri ekstreme, sa që të bijës,Belkizit i pat mbetur peng në zemër,se nuk pati as sheqer për një caj në castet e fundit,se gjithcka që patën ua rrëmbeu pushteti popullor.
”Në mjegullën e kohës
,ende kujtoj lamtumirën e gjyshes
dhe buzëqeshjen e ëmbël të ngrirë
nga hidhërimi ,që s’e pashë më kurrë!”
Asgjë më tepër.Poezia e Nerminit frymëzon ligjin e mirësisë.
”Vjersha është gjuhë ndërkombëtare.
vjersha nuk pranon dallime klasash.

Vjersha nxirret nga burimi i misterit të krijimit,me forcën e artit duke kaluar nëpër vijat e imëta të fjalës,e cila dhuron atë që i është caktuar për të pushtuar vetveten në kërkesë të vlerave madhështore të shpirtit”shkruan autorja në parathënien e librit me vjersha ’Zotëruesi i kohës’1967.”

Nga Tirana e vogël në hapësirat e pafundme ,shpirtin e etur të POETES nuk e pengon asgjë për të kërkuar misterin e jetës e të gjejë afërsitë shpirtërore në gjithësinë e pamatë.
“Në dritën e rrufesë
sytë e tu pashë
në një natë me stuhi
Pastaj zbardhi
Dita

======
” Oh jo,o diell,
Ti i madh je
Dhe për njerëzimin në lëvozhgë
Cak i pakalueshëm je
Po jo aq fort
për mendmet
Shkëndija të shpirtit
që hapësirën marrin
përtej orbitës sate
thesare duke kërkuar
shekujve përt’u falë”


Poezia është një bukuri që shihet me sy,futet thellë në zemër dhe pasuron shpirtin.Një shpirt i pasur bëhet i mëshirshëm ndaj vuajtjes së të tjerëve.

Poeti edhe kur është i vobektë nuk është kurrë i varfër,me që ka mundësi të përvetësoje si madhështinë e pafundme,ashtu edhe të vuajë për mediokritet dhe padrejtësitë e kësaj botë”-thotë Nermini.
=====
NËNËS,
“TË GJITHË NËNAVE,QË PUSHOJNË NË KOPËSHTIN E KUJTIMEVE”

Kur s’isha,Ti ishe
Kur linda,Ti më buzëqeshe
Kur u rrita,Ti më udhëhoqe
Kur gabova,Ti më qortove
se Ti më deshe
Dashurinë për gjithësinë,Ti ma mësove
Bukurinë e ndjenjave,Ti m’këshillove
Me universin n’harmoni t’jetoj,Ti më urdhërove
Dritën e vërtetë,ti ma tregove
pse Ti më deshe
Ti nënë,vlla,motër,shoqe
Ti në lundrimet e vështira t’kësaj bote
Ti eksperiencën e flokëve t’bardha ma
Dorëzove
Ti n’heshtje përgjithëmonë u largove,
pse Ti më deshe
Në gjirin e universit Ti u ktheve
Por prej meje
Ti kurrë s’u ndave
Në yjtë e qiellit xixëllojnë sytë e Tu
Kudo n’ajër marr frymë shpirtin t’ënd
Sa shumë të paskam dashur!
====
Harku që përshkon dijet e Nerminit,lashtësinë,kulturat e herëshme të botuara në librin e saj të fundit”LASHTËSIA E GJUHËS SHQIPE”Sipas dokumentave epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik[BARDI EDITORE-Roma,Gusht 1991],është një nga kulmet e punës së imët hulumtuese prej një shkencëtareje të mirëfilltë.E të duket pak si cudi ku bashkohet Poetja me studjuesen.,ndoshta tek ngulmimi i raportit të njeriut me botën,mesazhet që pret shpirti i etur nga universi.pyetjet e një zëri human,që kërkon të zbulojë misterin e fatit të njeriut,filozofinë dhe të vërtetën,e sa e sa pyetje që kërkojnë përgjigje si kjo:
“ Ku duhet kërkuar misteri i gjuhës Ilire?
Ajo nuk u helenizua,megjithëse përdori shkrimin grek për shumë shekuj,nuk u latinizua pas zaptimit të Romës,nuk u sllavizua,as nuk u turqizua.
Këtë gjë të mrekullueshme e kreu dashuria e shqiptarit për kulturën,traditat,nevojën shpirtërore dhe me ndihmën e maleve vigane,që mbrojtën një popull me të kaluar po aq vigane.
Dhuna dhe egërsia I mshehin kulturat nën shkure të helmatisura.Po kultura është dritë,që edhe kur duket e mshehur,nuk asgjësohet dhe shpejt a vonë del dhe vezullon në një trevë kulture të zhvilluar me finikëri të vërtetë.
Fitimet tokësore të popujve shkojnë e vijnë.fitimet shpirtërore mbesin të vulosura në kohë si dritë e vërtetë që nuk shuhet gjatë shekujve,po bëhet energji,shkencë,dituri.
Si përfundim,e gjithë vepra e kësaj humatiste të shquar,Nermin Vlora –Falaschi ,është thirrje kundër dhunës,cdo lloj mekati e krimi,për të qenë i pastër,kur të përballesh me vehten, përtej Robikonit
Zbrazëtira
Asgjëja
Dhe shpirti që në hapësirë udhëton
I etshëm përdituri
Hapat e parë
Të sigurt
Luhaten
sikur mbështetje t’kërkonin
Por në asgjë mbështetje nuk ka
Zbrazëtira vend nuk zë
Dhe shpirti zhytet në prsosmëri
Në asgjë
Atëherë vezullojnë yjet
Që ndricojnë udhën
Drejt Asgjësë së madhe
Që është gjithcka
Që është ,Dritë Hyjnore

Filed Under: Fejton Tagged With: Eglantina Mania-Tirana ime e vogel-Nermin Vlora

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT