– LETËR URIMI NË PËRVJETORIN E 111-të TË GAZETËS QË VJEN NGA KOHA E RILINDJES KOMBËTARE-DIELLI I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS- /
“DIELLIT”
I dashur Kryeredaktor,
Mik Dalip Greca,
Duke u nisur që nga 15 shkurti i vitit 1909, ne, shqiptarëve,
na ngjan se bashkë me Diellin jetëdhënës të botës së pafund, lindi dhe një
copëz “dielli” i dytë, yni, vetëm për shqiptarët, që do të na duhej për
errësirën tonë, për mëngjeset kombëtare, për ditët e ardhmërisë…
Dhe ku lindi ky “Diell” yni, ”andej nga perëndon”, do
të përgjigjeshim, po të përdorim një varg të Naimit profet, në SHBA, në Shtetet
e Bekuara, siç i thoshin shqiptarët e mëparshëm.
Kuptohet që është fjala për gazetën “Dielli”, që do të bëhej
“besa-besë”, program, mbrojtje, shpresë, lajm, vizion, kronikë, porosi,
kalendar, bashkim, kushtrim, antidiktaturë, kulturë, letërsi, enciklopedi, u bë
100 vjeç, duke u kthyer dhe në traditë të çmuar, arkiv, muze shpirteror,
përvojë, mençuri, duke mbetur Atdhe, Kosovë, Çamëri, shqiptar!
Shqiptar në Amerikë.
“Dielli” punoi fuqishëm për pavarēsinë e Kombit Shqiptar dhe
na tregoi se mbeshtetja e SHBA ishte dhe është jetike, ka atë s’do të kishte
Shqipëri, as Kosovë tani.
Vlera e “Diellit” është e veçantë dhe e jashtzakonshme, jo
vetëm e shqiptarëve, por dhe e gjithë diasporave në Amerikë, vlerë e lirisë dhe
e fuqisë së SHBA, nderkohë është dhe një urë e hijshme dhe e qëndrueshme
që lidh dy popujve tanë, dy vendet tona, dy shtetet tona, forcon miqësinë
dhe aleancën, bashkon metaforikisht të madhin me të voglin duke na treguar se e
madhja ndjen edhe si e vogla, dhe e vogla është pjesë e shqetësimeve të mëdha,
që njeriu në fund të fundit duhet të jetë njeri i lumtur kudo, siç e ka dhe
Kushtetuta e SHBA-së, e vetmja në botë me një nen të tillë.
Shumë e më shumë mund të thuhen për “Diellin” tonë në ditën e
sotme, që u themelua me rilindasit e fundit per një rilindje të re, me
etërit Faik Konica e Fan Noli, patriotë të mëdhenj, mendimtarë të mëdhenj,
shkrimtarë të mëdhenj, qytetarë të mëdhenj të botës.
Nderim për të gjithë ata që e drejtuan “Diellin” tonë, që e
mbajtën ndezur, me dritë të gjallë, megjithëse regjimi në dheun amë i harronte,
i perndiqte, madje dhe i vrau. Ndjesë nga çdo shqiptar…
Dhe dua të ndal këtu te bashkëvuajtësi im, Prof. Arshi Pipa,
që doli nga burgu i diktaturës komuniste me poezitë e ferrit në gji, u arratis,
erdhi këtej dhe u bë dhe pjesë e “Vatrës” dhe e “Diellit” të saj. Ai solli
guxim të ri, qendrim të pakompromis me ideologjitë e së keqes, përballje jo
vetëm filozofike me totalitarizmin…
Edhe ju, bashkëqytetar dhe mik,
z. Dalip Greca,
vini nga Shqipëria jonë, me përvojë të begatë gazetari, i dy
kohëve, kur binte nata e gjatë e diktaturës dhe po zbardhëllonte agu i
demokracisë dhe shkrimet tona së bashku atëhere i shërbenin këtij shndërrimi,
kërkonin afrimin e dritës, liri e demokraci, drejtësi e paqe, një Shqipëri
euroatlantike!
Fati deshi që Ju te vinit vetë te “Dielli”. E çmoj shumë
mundin Tuaj, perkushtimin Tuaj, aftesitë dhe urtesinë që gazeta jonë “Dielli”
të vazhdojë të dalë, e dashur dhe e duhur si përherë, të çojë kujtesë dhe
arritje në dyert e shqiptaro-amerikanëve gjithandej në kontinent.
Ju dëshirojmë mbarësi e suksese, duke e rindezur frymën
Perëndimire të Konicës dhe Imzot Nolit, të Profesor Pipës, të gjithë
prijëtarëve të “Diellit”, të çdo shqiptari, shqiptaro-amerikani, qytetari të
SHBA, të Shqipërisë së përjetëshme!
Përzemërsisht
dhe me besë, siç thoshin rilindasit tanë,
Juaji,
Visar Zhiti
Chicago, 15 shkurt 2020