• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2020

SHOQATA “SKËNDERBEJ” NË NEW YORK FEDEROHET NË VATËR

February 7, 2020 by dgreca

Të Mërkurën pasdite, 5 Shkurt 2020, në selinë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”VATRA” erdhën për të uruar kryetarin e Vatrës z. Elmi Berisha kryesia e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane”Skënderbej INC” e kryesuar nga Kryetari Mark Qehaja, presidenti i nderit Bashkim Shehu si dhe anëtarë të kryesisë. Kryetari Qehaja uroi z. Berisha për detyrën e re që i besoi Kuvendi i vatranëve dhe garantoi bashkëpunim e mbështetje prej shoqatës së tij.

– Ne, tha Qehaja, e kemi ndjerë veten nën ombrellën e  Vatrës dhe kemi bashkëpunuar me kryetarin Mishto. Edhe tash vijmë këtu për të dhënë mbështetjen tonë dhe për të shprehur dëshirën për bashkëpunim.

        Kryetari Qehaja përshkroi qëllimet e shoqatës që mbanë emrin e Heroit Kombëtar,duke thënë se në fokus të saj mbeten ruajtja e Identitetit Kombëtar, Kulturës dhe gjuhës shqipe, promovimi i vlerave historike dhe traditave, si dhe promovimi i vlerave dhe figurave historike kombetare të ndaluara gjatë regjimit diktatorial në Shqipëri etj. Ai evidentoi vlerat që solli Simpoziumi shkencor, që u organizua nga kjo shoqatë në bashkëpunim me Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” zhvilluar në Qendrën “Nëna Terezë”, kushtuar At’ Gjergj Fishtës. Ndërsa për ruajtjen e gjuhës dhe përcjlljen e vlerave tek fëmijët dhe brezi i ri, ai evidentoi punën e plaodhur të Kozeta dhe Qemal Zylo, pjesë të shoqatës, të cilët krahas televizionit mbajnë dhe shkollat shqipe në New York.

Presidenti i nderit, Bashkim Shehu, e garantoi kryetarin Berisha se Shoqata e sheh veten të federuar në Vatër, duke ruajtur identitetin e saj si Shoqatë.

-Ju, tha ish zv. ministri i mbrjojtjes i Qeverise dmeokratike 1992-96, jeni dhe kryetari ynë.

Një përshëndetje të veçantë e urim i ka drejtuar kryetarit të Vatrës edhe nën/kryetari i shoqatës Imer Laçaj, anëtarja e kryesisë Alketa Veshi, anëtari i kryesisë Gleni Nutaj dhe aktivisti Genti Veshi.
Keze Kozeta Zylo, e përgëzoi z. Berisha, dhe e quajti historike ardhjen për të parën herë në 108 vite histori në krye të Vatrës të një bashkatdhetari nga Kosova. Ne , tha ajo, e shohim Vatrën si institucion kombëtar, me vlera historike. Unë, theksoi Zylo, jam mbesë Vatrani dhe nga fshati im ishin këtu 23 vatranë Mezhgoranas. Unë kam shumë besim, shtoi ajo, që Vatra do të ngrihet në lartësinë e kolosëve të saj themelues Noli e Konica.E falenderoj ish kryetarin Mishto, i cili ishte mbështetës i fuqishëm i shkollave, që ne mbajmë për më shumë se një dekadë.

Kryetari  Berisha i falenderoi mysafirët për vizitën dhe urimet e ngrohta që i përcollën. Ai informoi ata për atmosferën demokratike të Kuvendit të Vatrës në Teqen e Baba Rexhebit në Michigan me 19 Janar. Ne ishim dy kandidatë, tha ai, dhe me dy platforma, me një synim të përbashkët-forcimin dhe gjallërimin e Vatrës, u përfshimë në një garë demokratike, ku mirëkuptimi i shërbeu ardhmërisë së Vatrës. Ish Nënkryetari Agim Rexhaj u votua për President Nderi, ndërsa unë për Kryetar i Vatrës. Në vizionin tim dhe ekipit që më shoqëron, Vatra do të ngrihet në standartet e Shekullit që jetojmë, Shekullit XXI.

Kryetari i Vatrës tregoi se si mendon që të bashkëpunojë me komunitetin në qëllimin e përbashkët për t’i shërbyer çështjes Kombëtare, se si do ta afrojë Vatrën në Washington, si do të bëhet Vatra -Vatër e ngrohët edhe për brezin e ri, fëmijët tanë, si do të shtohet numri i femrave etj. etj.

Kreu i shoqatës Mark Qehaja i dhuroi Vatrës një punim artistik me portretin e Heroit Kombëtar.

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Shoqata Skenderbej- Vizite ne Vater-Kryetari Elmi Berisha

Shuhet këngëtarja Nexhmije Pagarusha

February 7, 2020 by dgreca

– Presidenti Thaçi: Nexhmije Pagarusha përjetësoi muzikën shqipe “duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare”./

– Kryeparlamentarja Osmani: Osmani: Këngët e Nexhmije Pagarushës do të mbeten vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë-/

Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare këngëtarja e njohur nga Kosova, Nexhmije Pagarusha.

Vajza e saj, Cuca Pagarusha, ka publikuar një fotografi zie në profilin e saj në Facebook.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Nexhmije Pagarusha përjetësoi muzikën shqipe “duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare”.

Të pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare.

Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar.

Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës!

“Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar”, shkroi Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

Osmani: Këngët e Nexhmije Pagarushës do të mbeten vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, i ka dërguar këtë telegram ngushëllimi familjes Pagarusha, miqve të saj dhe gjithë popullit të Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare, znj. Nexhmije Pagarusha.

 “Sot, me dhimbje të madhe, mësova se është ndarë nga jeta ikona e muzikës shqipe, znj. Nexhmije Pagarusha. Për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj. 

Nga “Baresha” te “Zambaku i Prizrenit”, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë.  

Ne e kemi rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat e “Bilbilit të Kosovës”. Pavarësisht që prej vitesh ajo nuk ishte pjesë e skenës, ikja fizike e saj nga kjo botë, lë boshllëk të madh në muzikën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.  

Shëmbëlltyra e Nexhmije Pagarushës do të kujtohet përjetësisht me respekt të veçantë, ndërsa zëri unik e i papërsëritshëm dhe këngët që ajo i këndoi, do të jenë gjithëherë të pranishme në kujtesën e brezave.

Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e kryetares së Kuvendit, dr. Osmanit. ​

Filed Under: Kulture Tagged With: Vdiq Nexhmije Pagarusha- Osmani-Thaci

RAMUSH HARADINAJ U TAKUA ME SEKRETARIN AMERIKAN TE SHTETIT

February 7, 2020 by dgreca

Haradinaj takon Sekretarin Amerikan të Shtetit/

-Kryetari i AAK Ramush Haradinaj takohet me Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Pompeo/

SHBA, 6 Shkurt 2020- Gazeta DIELLI/  Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës RamushHaradinaj po vazhdon vizitën e tij në ShBA, ku në vazhdën e takimeve që po zhvillon me zyrtarë të lartë amerikanë, sot mori pjesë në aktivitetin e lutjeve të mëngjesit ku edhe ndau tavolinën me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo.

Me Sekretarin Pompeo diskutuan për aktualitetin politik dhe rolin e Kosovës në rajon e më gjërë. Kryetari Haradinaj tha se Kosova ka treguar se është në krah të Amerikës dhe partneri më besnik i saj në të gjitha aspektet globale si ato të sigurisë, ekonomike, politikës së jashtme dhe paqes e demokracisë.

“Sekretarin Pompeo e sigurova se ne qëndrojmë të palëkundur në besimin se Kosova dhe SHBA përveç interesave të përbashkëta strategjike ndajnë edhe sistemin e vlerave të lirisë e demokracisë”, tha Kryetari Haradinaj.”Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Kryetari Haradinaj./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Haradinaj-Pompeo-Takim

TENORI TOLI ADHAM PANO, “BILBILI” I KORIT LIRA

February 6, 2020 by dgreca

Sot 107 Vjetori i Lindjes- Portret i ripunuar pas bisedave me të birin, ing. Gjergj Pano)/

Shkruan: Thanas L GJIKA/

   

          Midis njerëzve të shquar të fisit tonë nga ana e nënës kam pasur kushëririn Toli Adham Pano, tenori i “Korit Lira”, kor të cilin ne korçarët e rinj e quanim “Kori Karakteristik i Korçës”, ose “Kori i Pleqve”.

   

      Ky qytetar i talentuar edhe pse është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar” prej qeverisë së para vitit 1991, për mua është një personalitet i artit që meriton nderime e vlerësime shumë më të mëdha për kontributin vullnetar që ka dhënë për gati 60 vjet në mëkëmbjen dhe zhvilimin e artit muzikor popullor me nivel të lartë cilësor. Vlera këto që i përkasin mbarë popullit shqiptar. Edhe pse nuk jam njohës dhe specialist i historisë së muzikës, po e shkruaj këtë portret të thjeshtë për njërin prej dy solistëve të këtij kori, me synim që të nxit studiuesit e historisë së muzikës sonë popullore për të shkruar një monografi gjithëpërfshirëse për historinë dhe vlerat e “Korit Lira”, punë e cila nuk është kryer ende. E them këtë sepse përpjekjet e derisotme për të shkruar historinë e “Korit Lira” prej ish-koristit Fori Tërpini dhe vajzës së vogël të solistit Gaqo Jorganxhi, lenë për të dëshiruar. I pari shkroi e botoi një histori të këtij kori duke u ndalur kryesisht në vitet kur ishte vetë pjesëtar i tij, pra që nga vitet 1945-1947 e këtej. Kurse poetja Zhuliana Jorganxhi u ndal kryesisht në jetën dhe arritjet e babait të saj.

        Në ditët tona duhet të shkruhet një studim shkencor historik gjithëpërfshirës për “Korin Lira” duke trajtuar së pari atmosferën e muzikës qytetare popullore para krijimit të këtij kori, pastaj pse dhe nga kush u krijua ky kor vullnetar, si funksionoi, si dhe nga kush u shtua, cilat ishin arritjet e tij në aspektin e muzikës dhe të tekstit, në rolin edukativ patriotik, erotik, moral e qytetar gjatë viteve para pushtimit italian, gjatë luftës Antifashiste, pas kësaj lufte deri më 1992 dhe pas ndërrimit të regjimit. Në një vepër të tillë nuk mund të lihen jashtë biografitë e secilit këngëtar dhe sidomos të solistëve, të dirigjentëve, etj. Një studim nonografik për “Korin Lira” do t’i ngjajë një lisi me rrënjë e degë të shumta, të cilat duhen studiuar e vlerësuar në veçanti dhe në kompleks…

* * *

          Toli Adham Pano u lind në fshatin Panarit të Korçës më 6 shkurt 1913. Kur ushtria greke (andartët) dogjën fshatrat e Shqipërisë së Jugut më 1914 dhe më 1916, shumica e banorëve të Panaritit, Treskës, Trebickës, Katundit, Stratobërdës dhe Vithkuqit, ashtu si ato të Përmetit e Sarandës, u shpërngulën dhe u detyruan të shkonin ku kishin farë e fis, ose të njohur. Familja e Adham Panos e përbërë nga prindërit e tij, nga bashkëshortja Kristina (Kristano-ja si e quante populli) dhe katër djem: Kole, Rako, Spiro dhe Toli, u vendos në qytetin e Korçës. Këtu familja u shtua më 1917 me një djalë tjetër, Vangjalin, i cili gjatë Luftës Antifashiste doli malit partizan dhe ra dëshmor më 1944. Kristanoja, kjo vajzë nga Trebicka që ishte martuar në Panarit, u bë një burrneshë, që vepronte me kokën e saj pa pyetur se ç’ do të thoshte opinioni shoqëror, pra gratë llafazane të qytetit. Kështu i edukoi dhe djemtë e saj, të ishin trima e të vendosur në jetën e tyre. Ajo shumë shpejt u bë një grua me emër si bashkëshorte trime dhe nënë trimash, për këtë arsye djemtë e saj nuk quheshin “djemtë e Adhamit”, por quheshin “djemtë e Kristanos”.

          Në të tilla kondita familjare u rrit këngëtari i ardhshëm, i cili më 1929, në moshën 16-vjeçare, u detyrua për nevoja familjare të ndërpriste studimet në “Liceu Klasik Francez” dhe të fillonte punën si ndihmës-rrobaqepës. Pikërisht në këtë kohë, kur Toli (Apostoli) ishte vetëm 16-vjeçar filloi edhe jetën e këngëtarit. Kur e dëgjoi dirigjenti i “Korit Lira”, Sotir Kozmo, i cili kishte mbaruar studimet në Konservatorin e Bukureshtit e mori menjëherë si pjesëtar të atij kori. Të gjithë këngëtarët ishin punëtorë, zanaçinj të ndryshëm që kishin pasion dhe talent këngëtari. Bashkimi i tenorit Toli Adham e kompletoi “Korin Lira” në 12 këngëtarë.

          Populli nga ana e vet, i ngazëllyer prej këngëve virtuoze, për të shprehur admirimin dhe respektin e tij, e emëroi korin me një emër të ri, me emrin “Kori i dymbëdhjetë apostujve”. Kurse dirigjenti cilësoi Gaqo Jorganxhiun, solistin me zë bas/baritoni “Këmbana e Korit” dhe tenorin Toli Adham e quajti “Bilbili i Korit”.

          Lëvizja muzikore në qytetin e Korçës kishte filluar që në vitet e Rilindjes me grupin “Banda Liria” (tetor 1908-nëntor 1912) nën drejtimin e kompozitorit arbëresh Paskale de Anibale, të cilin e dërgoi Thanas Tashkoja nga Egjypti, vijoi me “Bandën Vatra” (1920-1922), por “Kori i 12 Apostujve” ishte formacioni më i përsosur. Në vijim të traditës së Rilindjes, pjesëmarrja në këtë kor ishte vullnetare. Si këngëtarët dhe orkestrantët bashkë me dirigjentin jepnin shfaqje falas për popullin si në qytet dhe në fshatra të ndryshëm të mbarë zonës juglindore të Shqipërisë. Ai i dha jetës kulturore e artistike të qytetit, një ngritje që nuk ishte përjetuar më parë, e cila vijon edhe sot. Kjo arritje i ka nxitur shumë njerëz për ta konsideruar këtë kor “Simboli i këngës qytetare korçare”, ose “Ikona muzikore e qytetit të Korçës”.  

          Gjatë viteve 1932-1933 Toli kreu shërbimin ushtarak në Elbasan dhe pasi u kthye në qytetin e tij, rifilloi menjëherë veprimtarinë te vullentare “Korin Lira”.

          Gaqo Jorganxhiu dhe Tole Adhami ishin jo vetëm këngëtarë të këtij kori, por dhe solistët e tij për mbi 60 vjet. “Bilbili” i korit u shqua si solist i shumë këngëve si “Dua më shumë Shqipërinë”, “S’ kam ç’ e dua pasurinë”, “O moj korçare”, “Kënga e mullirit”, “Dashuria është djallush”, “Muaji i majit”, etj. Në vitin 1936 tenori Toli Adham këndoi vetë në skenë Arjen e Druvarit nga opera Turandot të G. Puccini-t, arritje që nuk është regjistruar.

          Në vitet 1934-1944 “Kori Lira” në bashkëpunim me poetin satirik Kapa (Kristaq Cepa) krijoi e këndoi mjaft këngë humoristike e satirike me të cilat thumboheshin vese e të meta të shoqërisë së kohës. Në po ato vite ky kor dha shumë koncerte me pjesëmarrjen në të edhe të këngëtareve lirike Tefta Tashko Koço, Jorgjia Truja, Kristaq Antoniu, dhe në vitet 1960-1980 Gaqo Cako, etj. Pas vitit 1944 dirigjenti i ri Kostaq Osmanlliu e zmadhoi korin me këngëtarë dhe orkestrantë të rinj, por solistë mbetën po ata.

          John-i (Xhoni) Athanas pasi këndoi me Tolin në Korçë iu lut që të vintë në Tiranë për t’u punësuar në trupën e Operas, se atje do të kishte një të ardhme shumë më të mirë, por Toli iu përgjigj: “Unë kam dy pasione prej të cilëve nuk mund të heq dorë, sepse të dy më japin kënaqësi. Si rrobaqepës, sa herë pres dhe qep xhaketa, kostume, pallto, pandallona, marr falenderime prej myshterinjve. Si këngëtar, sa herë këndoj te “Kori Lira” marr duartrokitje nga dëgjuesit. Po të vij në Tiranë  do të punoj vetëm si këngëtar. Këtu në Korçë ndjehem me dy këmbë, kurse në Tiranë do të ndjehem si me një këmbë. Xhoni, këtu kam fisin, shoqërinë, publikun tim, të cilët nuk mund t’i braktis.”

          John-i kuptoi se bilbili i “Korit Lira” dhe rrobaqepsi i talentuar nuk mund të rronin pa njëri tjetrin, prandaj i tha punonjësit të kuadrit që të mos e formulonte kërkesën zyrtare.

          Tole Adhami binte në sy për bukurinë fizike, ndershmërinë dhe qytetarinë e lartë. Askush nuk mban mend që ky rrobaqepës të jetë grindur me ndonjë qytetar, ose të ketë gënjyer a mashtruar. Zotnillëku ishte tipar i tij me të cilin mburret sot gjithë fisi dhe qyteti i Korçrës. Karakteri i tij prej zotnie ishte në harmoni edhe me bukurinë trupore. Toli ishte një burrë i gjatë e i pashëm që të bënte për vete sapo ta shikoje, të bënte ta doje pasi të qepte ndonjë veshje me duart e tij të arta dhe të bënte ta admiroje pasi ia dëgjoje zërin e ëmbël si këngëtar serenatash ose solist i “Korit Lira”. Këto karakteristika dhe talenti i tij prej këngëtari bënë që një nga vajzat më të bukura të qytetit të Korçës, Manda, të binte në dashuri me këtë djalosh të kompletuar si njeri, profesionist dhe artist.

          Kur e takoja Tolen, dora ime mbështillej prej pëllëmbës së tij të madhe sa zhdukej krejt. Në dorën e tij të djathtë binin në sy nyjet e gishtit tregues dhe gishtit të madh që bashkonin këto gishta me pëllëmbën. Këto nyje ishin shumë shumë të zmadhuara nga puna e tij si rrobaqepës, sepse ai punonte kryesisht si modelist e prerës dhe duke prerë me gërshërët e mëdha copat e trasha dhe shajaqet, nyjet e këtyre dy gishtave ishin zmadhuar. Një dukuri profesionale e rrobaqepësve që punonin shumë.

          Regjisori Mevlan Shanaj në vitin 1981 realizoi një film dokumentar televiziv kushtuar “Korit Lira” të Korçës, ku spikat dhe figura e solistit dhe koristit Tole Adham Pano. Kjo ishte e vetmja punë kinematografike ku u përjetësuan deri diku vlerat e këngëtarëve të atij kori. Tenori Toli Adham dhe basi Gaqo Jorganxhiu e arritën kulmin e cilësisë zanore si këngëtarë në vitet 1935-1975, por incizimet e asaj kohe nuk ishin të cilësisë së lartë. Cilësia e këtyre pllakave sot le për të dëshiruar, prandaj ato duhen rigjeneruar me teknikën e sotme.

          Këngët e atij kori ishin këngë lirike, patriotike dhe qytetare, ku nuk i këndohej partisë dhe udhëheqësit të saj. Për pasojë jeta dhe krijimtaria e këtij kori, e solistëve kryesorë dhe orkestrantëve të talentuar të tij në vitet 1945-1991 nuk morën vlerësimet që meritonin. Nuk u shkrua për jetën dhe krijimtarinë e tyre asnjë studim monografik, madje as ndonjë temë për mbrojtje diplome prej studentëve të Institutit të Lartë të Arteve. Kjo mendësi nënvlerësimi vijoi edhe në vitet e pas ndërrimit të regjimit, si dhe deri sot edhe pse të gjithë e dijmë se “Kori Lira” është një thesar i madh i papësëritshëm i kulturës dhe muzikës sonë kombëtare. Ai nxiti dhe ndikoi në krijimin dhe lulëzimin e koreve popullore karakteristike të qyteteve të tjerë si Berati, Kruja, Elbasani, etj.

          Gjatë jetës artistike të “Bilbilit” të “Korit Lira” u ndëruan jo vetëm shumë koristë e instrumentistë, por dhe tre dirigjentë: Sotir Kozmo, Kristaq Osmanlliu e Jorgji Nano, kurse Toli qëndroi aty si garanci e suksesit, si një lis shekullor.

          Toli Adham Pano u nda nga jeta më 6 korrik 1998, në moshën 85-vjeçare, duke lënë dy vajza e një djalë të martuar e me fëmijë. Të tre fëmijët e Tolit, të edukuar për t’u marrë me punë krijuese dhe jo me punë zyrash e pushteti, studiuan për ingjineri e mjekësi dhe i qëndruan larg aktivizimit në politikë. Vajza e madhe ing. Nori Dashi (Pano) ka një djalë e një vajzë, vajza tjetër Natasha Dhono (Pano) pedagoge matematike ka dy vajza, dhe djali ing. Gjergji Pano ka tre djem.

          “Kori Lira” në ditët e sotme po e vijon traditën duke u zëvendësuar për arsye të ndryshme, ose arsye moshe shumë përbërës të tij, veçse elementët më të talentuar të së kaluarës së këtij kori duhen vlerësuar me tituj nderi, sepse kështu traditat kulturore e artistike kombëtare çmohen, pasurohen dhe shpien përpara.

          Tole Adham Pano dhe Gaqo Jorganxhi meritojnë të shpallen “Nderi i qytetit të Korçës” dhe “Nderi i Kombit” sepse ata me talentin e tyre të shquar i shërbyen artit shqiptar vullnetarisht mbi 60 vjet, pa ndonjë investim nga shteti, dukuri e rallë në historinë e artit tonë mbarëkombëtar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Thanas L Gjika- Toli Adham Pano- Kori Liria

DIELLI” I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS NË PRITJEN E KRYEPARLAMENTARES OSMANI

February 6, 2020 by dgreca

-Në pritjen e kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, për përfaqësuesit e mediave të akredituara ishte i ftuar edhe korrespondenti në Prishtinë i Diellit – Gazetës së Federatës Pan Shqiptare të Amerikës Vatra/

-VATRA në një deklaratë zyrtare nënshkruar nga Presidenti Elmi Berisha ka uruar Qeverinë e Kuvendin e Kosovës: Shprehim mbështetjen tonë të pakufizuar për  bashkëpunim…/

           
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 5 Shkurt  2020/  Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, në mbrëmjen e të mërkurës së 5 Shkurt, organizoi pritje për përfaqësuesit e mediave të akredituara në Kuvend, ku ishte i ftuar edhe korrespondenti në Prishtinë i Diellit – Gazetës së Federatës Pan Shqiptare të Amerikës Vatra.

Kryeparlamentarja e sapozgjedhur në mbrëmjen e 3 Shkurtit 2020 në një seancë të jashtëzakonshme, pas seancës  së të njejtës ditë të votimit të Qeverisë së re të Kosovës të koalicionit bashkëqeverisës  LVV-LDK, ka vlerësuar punën e gazetarëve dhe është shprehur edhe për më shumë bashkëpunim.

“Tani ne si Kuvend dhe ju si media e kemi detyrën e përbashkët, pra ne bashkë me ju do ta mbikëqyrim Qeverinë, me qëllimin më të mirë që të sigurohemi që Qeveria jonë e përbashkët të bëjë punë të mira për qytetarët, siç e thash edhe para dy ditësh që të na bëjë krenarë dhe të sigurohemi që premtimet që bashkërisht i kemi dhënë para njerëzve tanë, para qytetarëve tanë, të realizohen”, theksoi kryeparlamentarja e Kosovës, Osmani.

Ajo tha se shpreson që viteve në vijim gazetarët do të ndahen të kënaqur, sa i përket bashkëpunimit, me Kuvendin e Kosovës.

“Së bashku me kolegët e tjerë deputetë qëllimi ynë është që të sigurojmë kushte sa me të mira që ju ta bëni punën tuaj në mënyrë sa më të lehtë dhe përkundër orëve të vona brenda cilave punoni të keni mundësi që gjatë atyre orëve të ndiheni komod në vendin ku punoni. Së shpejti do të caktojmë takim edhe me Asociacionin e Gazetarëve të diskutojmë drejtpërdrejtë si mund të përmirësohen këto kushte sa më mirë”, u shpreh kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila është nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe për kryetare të Kuvendit është propozuar nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 6 Tetorit 2019 për Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, LVV me 26.270%  të votave ka 29 deputetë, ndërsa LDK  me 24.548% të votave 28 deputetë dhe kështu këto dy parti që ishin në opozitë dolën fituese e më pastaj bënë marrëveshje për bashkëqeverisje përfshirë ndarjen e posteve – kryeministër Albin Kurti e kryeparlamentare Vjosa Osmani.

 Federata Pan shqiptare e Amerikes VATRA në një deklaratë zyrtare të nënshkruar nga Presidenti Elmi Berisha, në 4 Shkurt 2020,  e vlerësoi si hap pozitiv finalizimin e marrëveshjes bashkëqeverisëse mes fituesëve: Lëvizjes Vetëvendosja dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

            “Vatra përshëndet formimin e qeverisë së re dhe i uron kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit të tij qeveritar suksese në detyrën e re në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Po ashtu përshëndesim dhe urojmë Kryetaren e Kuvendit të Kosovës znj.Vjosa Osmani. Në të njëjtën kohë, shprehim mbështetjen tonë të pakufizuar për t’u i ofruar bashkëpunim në kanalizimin e çështjeve të Kosovës në Washington dhe New York, si dhe lobim në favor të Kosovës në politikën Amerikane”, theksohet mes tjerash në Deklaratë.

Në pritjen për përfaqësuesit e mediave, korrespondenti i Gazetës  DIELLI i akredituar në Kosovë në bashkëbisedim me kryeparlamentaren Vjosa Osmani e njoftoi për Deklaratën e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA të cilën edhe e dërgoi në Kabinetin e saj.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të 6 Tetorit 2019 Albin Kurti me 183 952 vota dhe Vjosa Osmani me 176 016 vota ishin më të votuarit, si edhe partitë e tyre LVV e LDK. Në zgjedhjet parlamentare të 11 Qershorit 2017, të cilat poashtu ishin të parakohshme, Vjosa Osmani ishte deputetja më e votuar me 64,131 vota.

Filed Under: Featured Tagged With: Gazeta Dielli-Behlul jashari-Vjosa Osmani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT