-Në pritjen e kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, për përfaqësuesit e mediave të akredituara ishte i ftuar edhe korrespondenti në Prishtinë i Diellit – Gazetës së Federatës Pan Shqiptare të Amerikës Vatra/
-VATRA në një deklaratë zyrtare nënshkruar nga Presidenti Elmi Berisha ka uruar Qeverinë e Kuvendin e Kosovës: Shprehim mbështetjen tonë të pakufizuar për bashkëpunim…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 5 Shkurt 2020/ Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, në mbrëmjen e të mërkurës së 5 Shkurt, organizoi pritje për përfaqësuesit e mediave të akredituara në Kuvend, ku ishte i ftuar edhe korrespondenti në Prishtinë i Diellit – Gazetës së Federatës Pan Shqiptare të Amerikës Vatra.
Kryeparlamentarja e sapozgjedhur në mbrëmjen e 3 Shkurtit 2020 në një seancë të jashtëzakonshme, pas seancës së të njejtës ditë të votimit të Qeverisë së re të Kosovës të koalicionit bashkëqeverisës LVV-LDK, ka vlerësuar punën e gazetarëve dhe është shprehur edhe për më shumë bashkëpunim.
“Tani ne si Kuvend dhe ju si media e kemi detyrën e përbashkët, pra ne bashkë me ju do ta mbikëqyrim Qeverinë, me qëllimin më të mirë që të sigurohemi që Qeveria jonë e përbashkët të bëjë punë të mira për qytetarët, siç e thash edhe para dy ditësh që të na bëjë krenarë dhe të sigurohemi që premtimet që bashkërisht i kemi dhënë para njerëzve tanë, para qytetarëve tanë, të realizohen”, theksoi kryeparlamentarja e Kosovës, Osmani.
Ajo tha se shpreson që viteve në vijim gazetarët do të ndahen të kënaqur, sa i përket bashkëpunimit, me Kuvendin e Kosovës.
“Së bashku me kolegët e tjerë deputetë qëllimi ynë është që të sigurojmë kushte sa me të mira që ju ta bëni punën tuaj në mënyrë sa më të lehtë dhe përkundër orëve të vona brenda cilave punoni të keni mundësi që gjatë atyre orëve të ndiheni komod në vendin ku punoni. Së shpejti do të caktojmë takim edhe me Asociacionin e Gazetarëve të diskutojmë drejtpërdrejtë si mund të përmirësohen këto kushte sa më mirë”, u shpreh kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila është nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe për kryetare të Kuvendit është propozuar nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 6 Tetorit 2019 për Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, LVV me 26.270% të votave ka 29 deputetë, ndërsa LDK me 24.548% të votave 28 deputetë dhe kështu këto dy parti që ishin në opozitë dolën fituese e më pastaj bënë marrëveshje për bashkëqeverisje përfshirë ndarjen e posteve – kryeministër Albin Kurti e kryeparlamentare Vjosa Osmani.
Federata Pan shqiptare e Amerikes VATRA në një deklaratë zyrtare të nënshkruar nga Presidenti Elmi Berisha, në 4 Shkurt 2020, e vlerësoi si hap pozitiv finalizimin e marrëveshjes bashkëqeverisëse mes fituesëve: Lëvizjes Vetëvendosja dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Vatra përshëndet formimin e qeverisë së re dhe i uron kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit të tij qeveritar suksese në detyrën e re në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Po ashtu përshëndesim dhe urojmë Kryetaren e Kuvendit të Kosovës znj.Vjosa Osmani. Në të njëjtën kohë, shprehim mbështetjen tonë të pakufizuar për t’u i ofruar bashkëpunim në kanalizimin e çështjeve të Kosovës në Washington dhe New York, si dhe lobim në favor të Kosovës në politikën Amerikane”, theksohet mes tjerash në Deklaratë.
Në pritjen për përfaqësuesit e mediave, korrespondenti i Gazetës DIELLI i akredituar në Kosovë në bashkëbisedim me kryeparlamentaren Vjosa Osmani e njoftoi për Deklaratën e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA të cilën edhe e dërgoi në Kabinetin e saj.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të 6 Tetorit 2019 Albin Kurti me 183 952 vota dhe Vjosa Osmani me 176 016 vota ishin më të votuarit, si edhe partitë e tyre LVV e LDK. Në zgjedhjet parlamentare të 11 Qershorit 2017, të cilat poashtu ishin të parakohshme, Vjosa Osmani ishte deputetja më e votuar me 64,131 vota.