– Presidenti Thaçi: Nexhmije Pagarusha përjetësoi muzikën shqipe “duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare”./
– Kryeparlamentarja Osmani: Osmani: Këngët e Nexhmije Pagarushës do të mbeten vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë-/
Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare këngëtarja e njohur nga Kosova, Nexhmije Pagarusha.
Vajza e saj, Cuca Pagarusha, ka publikuar një fotografi zie në profilin e saj në Facebook.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Nexhmije Pagarusha përjetësoi muzikën shqipe “duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare”.
Të pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare.
Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar.
Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës!
“Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar”, shkroi Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.
Osmani: Këngët e Nexhmije Pagarushës do të mbeten vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, i ka dërguar këtë telegram ngushëllimi familjes Pagarusha, miqve të saj dhe gjithë popullit të Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare, znj. Nexhmije Pagarusha.
“Sot, me dhimbje të madhe, mësova se është ndarë nga jeta ikona e muzikës shqipe, znj. Nexhmije Pagarusha. Për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj.
Nga “Baresha” te “Zambaku i Prizrenit”, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë.
Ne e kemi rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat e “Bilbilit të Kosovës”. Pavarësisht që prej vitesh ajo nuk ishte pjesë e skenës, ikja fizike e saj nga kjo botë, lë boshllëk të madh në muzikën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.
Shëmbëlltyra e Nexhmije Pagarushës do të kujtohet përjetësisht me respekt të veçantë, ndërsa zëri unik e i papërsëritshëm dhe këngët që ajo i këndoi, do të jenë gjithëherë të pranishme në kujtesën e brezave.
Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e kryetares së Kuvendit, dr. Osmanit.