• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2020

NJOFTIM MORTOR

February 2, 2020 by dgreca

NJOFTIM MORTOR/

Familja LAMAJ  njofton miqet,shoket dhe dashamiret se, diten e Djele, me 2 shkurt 2020, nderroi jete ne New York, ADULLAH ÇUNI LAMAJ. 

Njoftohet komuniteti se Funerali eshte te marten, 4 Shkurt 2020, nga ora 2:00 deri 9:00 mbas dite ne Shtepine Mortore “ F. Ruggiero & Sons”, qe ndodhet ne  adresen 732 Yonkers Ave, Yonkers NY,10704

Filed Under: Komunitet Tagged With: Abdullah Çun Lamaj-Nderroi jete

Kryeqyteti i Shqipërisë, sipas Faik Konicës, duhej ta kishte emrin “Drita”

February 2, 2020 by dgreca

Përgatiti  Rafael Floqi /DIELLI

Duke hulumtuar në numrat e vjetër të gazetës “Dielli” në dy shkrime interesante “Dielli”, 18/ 20 mars 1924,  se si e shihte i madhi Faik Konica të ardhmen e kryeqytetit të Shqipërisë.

Konica mendonte se në kushtet e Shqipërisë së kohës do të ishte më mirë që kryeqyteti i ri shqiptar të ndërtohej nga fillimi në një tokë pronë shtetërore dhe të kishte institucionet më të domosdoshme, dhe të ishte një qytet i ri i vogël administrativ, si ato të shteteve amerikane, si p.sh. Lansig për  Michiganin. Ai madje pat parashikuar gati 100 vjet  përpara se  tendenca për ta zgjeruar do ta dëmtonte arkitekturën e tij

Ai madje kishte menduar, madje, dhe një emër interesant që sipas tij duhet të plotësonte këto kërkesa: 1) të jet’ i shkurtër; 2) të ketë një formë, të pandryshuar, në gjithë dialektet e Shqipërisë; 3) të duket lehtë në sy dhe të tingëllojë i ëmbël në vesh të njerëzve të huaj; 4) të ketë një kuptim simbolik. Mua më duket se emëri DRITA i mbush që të katër konditat që emërova. Por siç tregoi historia, ky nuk qëlloi një emër pagëzues.

Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjesëtarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet në 11 shkurt 1920. Përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925 nga Asambleja Kushtetuese.

Në Historinë e Popullit Shqiptar, “Periudha e Pavarësisë” përmendet shpallja e Republikës Shqiptare nga Asambleja Kushtetuese dhe miratimi i statutit apo kushtetutës republikane, në të cilat Tirana shpallet përfundimisht kryeqytet i Shqipërisë.

Në Tiranë, përkundrazi kundërshtimi i Esat Pashë Toptanit, hëpërhë ishte eliminuar, për sa kohë ai ishte kundërshtar i qeverisë së Durrësit. Veç kësaj Tirana ndonëse kishte një popullsi të barabartë me atë të Elbasanit, kishte kushte më të mira për organet qeveritare. Këtu kishte më tepër ndërtesa të mëdha, më tepër lokale publike, më tepër rrugë të gjera, më tepër hotele. Duke marrë parasysh këto faktorë, qeveria e Lushnjës mori vendim më 9 shkurt 1920, që ta vendoste kryeqytetin e Shqipërisë përkohësisht në Tiranë, duke e lënë të hapur çështjen e vendosjes përfundimtare të kryeqytetit kur të mblidhej e para asamble kushtetuese. Me miratimin e të gjithë pjesëtarëve të Kongresit të Lushnjës, anëtarët e Këshillit të Lartë, së bashku me pjesëtarët e qeverisë dhe të Këshillit Kombëtar, hynë më 11 shkurt 1920 në Tiranë, fill pasi repartet e ushtrisë italiane ishin larguar nga qyteti dhe vendosur në Durrës.  Gjatë kësaj periudhe i madhi Faik Konica hartoi dy shkrimet e tij si e shikonte të ardhmen e kryeqytetit shqiptar, sidoqoftë Konica parashihte atë deri në 6 000 banorë dhe jo në qytetin 1 milionë banorësh që është sot. Sidoqoftë banorët e Tiranës e pritën me entuziazëm hyrjen e organeve të larta shtetërore, në kryeqytetin e përkohshëm të Shqipërisë, të cilin asambleja kushtetuese e vitit 1925 e shpalli përfundimisht kryeqytet të saj. Sidoqoftë jeta e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë fillon më 11 shkurt 1920.

“Shënime mi Kanunin e Themelit-Kryeqyteti

“Dielli”, 18 mars 1924

Që Shqipëria duhet të ketë një kryeqytet të ri, pakë njërës të kuptuar e kundërshtojnë ose e vënë në dyshim, kur e bisedoja këtë çështje më 1913 në Shkodrë edhe në Durrës, – disa, që nuk e pëlqenin mendimin e një kryeqyteti të ri, jipjin si arësye të qëndrimit të tyre harxhet e tepërta, të duhura për një qëllim t’atillë, edhe varfërin’ e Shqipërisë. Shtroja përpara shëmbëllin e Amerikës, ku ngrihen për ditë qytete të ra; po ca si (Z.Krajewsky, përfaqsonjësi i Francës në Komision të Kontrollit, ish një nga ata) që më përgjigjeshin që Shqipëria s’ka pasurin’ e Amerikës, fjal’ e vërtetë, po fare pa vënt në Shqipëri: se në Shqipëri s’ka ndonjë qytet me ndërtesat qeveritare të duhura, ashtu që ndërtesat që do të bëhen të ribëhen medoemos; dhe me që do të bëhen të ra, – qoftë në një qytet të vjetër, qoftë në një shesh të shkretë, çmimi do të jetë tër’ ay dhe s’ka shpëtim nga harxhet. Përkundrazi, besojmë se për një qytet të ri harxhet do t’ ishin më të paka; se në një qytet të vjetër duhet blerë vendi.

Kurse sheshi i qytetit të ri munt të zgjidhet në një vënt që është mall’ i Shtetit dhe ashtu të mos kushtojë gjësendi. Ky është i vetmi kundërshtim që kam dëgjuar kundrë një kryeqyteti të ri, dhe kundërshtimi s’qëndron dot më këmbë prej vetiu, veç në e mbafshin nga krahu i djathtë interesa dhe nga krahu i mëngjër moskuptimi.

Le të hedhim tani një sy mi mirësit’ e një kryeqytet: të ri. Kryeqyteti i Shqipërisë duhet të jetë një pasqyrë e një shëmbëll shëndetësie, rregulle, bukurie në ndërtesat. Ky qëllim munt t’arrihet vetëm në një qytet të ri, se atje talenti i arqitektit s’gjen pengimet udhërash dhe çipesh po ka shesh të lirë për planet e tija. Ndërtesat e duhura janë këto: 1 Pallat për Kryetarin e Shtetit, 1 për Parlamentin, nj’ a 15 shtëpi për zyrat qeveritare dhe municipale, 4 për Universitetin, 1 për Shkollën e Muzikës dhe t’Arteve të Bukura, 1 për Shkollë Ushtarake, 2 për shkolla të mesme për djem dhe vajza; 1 për shkollë të parë, 1 për Musenë, 1 për Librarinë Publike të Shtetit, 11 për përfaqësit’ e huaja, 1 për gjymnasium dhe banja për gratë, 1 tjatër për burrat, për theatron dhe sallën e koncertit dhe të konferencave, 1 hotel të klasës parë, 1 hotel të klasës dytë, 3 ndërtesa për ‘ushtrimin e feve’, 1 krematorium për të djegur vdekurit, 1 klinikë, 1 për Kryqin e Kuq, 1 për postë telegrafin dhe telefonin, 1 për radiotelegrafinë, që bëjnë gjithësej 52 ndërtesa. Po të shtohen dhe 3 a 4 shtëpi mbëdha me apartamente të vogëla për familjet që duhet të vëndosen për shumë kohë në kryeqytet, si edhe 4 ‘dormitore’ ku të rrojnë studentët, – do të kemi një qytet të vogël po të mbaruar me nj’ a 60 ndërtesa dhe me një popullatë të zgjedhur nj’a 6,000 vetash (duke nëmëruar studentët dhe ushtarët). Ka kryeqytete Shtetesh, në Shtetet e Bashkuara, që s’janë më të mbëdha.

Po që të mbetet i bukur dhe të jetë pasqyra që duhet ë jetë për qytetet dhe fshatërat e Shqipërisë, – kryeqyteti, përvijësuar dhe i ndërtuar prej ndonjë artisti të vërtetë si janë n’ Evropë katër a pesë që kanë fituar famë në këtë degë, dhe njërit prej atyreve duhet t’i jipet barra) kryeqyteti duhet të mos ritet më, të mbetet një qëndrë e kombit, e patundur si një monument dhe ku çdo bina ishte proprieteti i Shtetit dhe jipet me qira, po nukë shitet. Vetëm me këtë mënyrë munt të mbahet i pacënuar nga zhvillimet industriale të shëmtuara.

Për emërin, duhet një emër që të mbushë këto të katër kondita: 1) të jet’ i shkurtër; 2) të ketë një formë, të pandryshuar, në gjithë dialektet e Shqipërisë; 3) të duket lehtë në sy dhe të tingëllojë i ëmbël në vesh të njerësve të huaj; 4) të ketë një kuptim simbolik. Mua më duket se emëri DRITA i mbush që të katër konditat që emërova.

Edhe disa mendime mi Kryeqytetin

“Dielli”, 20 mars 1924

Një nga pikat, që janë në favor të një kryeqyteti ri, është dhe kjo: zilitë, që qytetet e tjera munt t’ ushqejnë kundrë qytetit të zgjedhur për qëndrë, s’do të kenë vend, në qoftë se goditet një kryeqytet i ri. Mbaj mënt një fjalë që më thosh një Shkodran më 1913: “Po të themelohet një qytet i ri, puna ndryshon, edhe ahere as Shkodranët s’kanë për të pasur arësye ankimi.”

Le të thomi, pra, për hirin e bisedimit, se idea e një kryeqyteti të ri pranohet prej të gjithëve. Mbeten ca interesa lokale për të marë ndër sy: interesat e Tiranës.

 Pa fjalë, atje ku interesat përgjithëshme të Kombit janë në ballancë, vetëm këdo të kqyren dhe jo të tjera. Po kur të vihen në vënd interesat e Kombit, – në ësht’ e mundur të mos cënohen as interesat lokale të kryeqytetit të hëpërheshmë, jo vetëm është e udhës që të meren masa, po edhe duhet të meren.

Tirana, si kryeqytet provizor, ka ca “droi acquis”, (tw drejta tw fituara R.F) që nuk e do drejtësia të harrohen. Nga ana tjatër populli i Tiranës, dhe i katundeve për qark, është siellë miaft mirë në vjetet e fundit; ka dhënë disa prova në mos në zhvillimin politik, po të pakën urtësie: në kohëra kritike, kur munt të bënte dëm, ka ndihur, me sielljen e tij, që të mbahej qetësia. Por a duhet të presim më tepër nga një popull intellektualisht dhe politikërisht i pastërvitur, dhe i pastërvitur jo nga faji i vet? A ësht’ e drejtë t’ ankohemi se Tiranasit s’kanë çfaqur një shpirtë atdhesie më të gjallë e më të kthiellët?

Pastaj, Tirana është pak’ a shumë në qëndrë gjeografike të Shqipërisë, dhe të ndodhurit e saj afër detit i shton vleftën. Si pra, t’i bashkojmë këto pika në favor të Tiranës, me qëllimin, pas mëndjes s’ onë të domosdoshme, të një kryeqyteti të ri? Kjo pyetje munt të gjejë një përgjigjje të pëlqyer, në qoftë se sheshi, ku të goditet kryeqyteti, zgjidhet afër Tiranës.

Nj’a shtat’ a tetë kilometra nga Tirana, janë ca kodra të bukura – mall’  i Shtetit, në mos lajthitemi. Duhen tqyrur prej ekspertësh (jo ‘ekspertë’ si njeriu i natës, i quajturi Eshref Frashëri, sfinks i mbyllur, bashkonjës xvarranik i Asisë dhe i Afrikës, i hedhur nga Fati tallës n’ Evropë); – duhen kqyrur prej ekspertësh të vërtetë. Dhe atje ku të jetë më mirë, munt të goditet kryeqyteti ideal që ëndërojmë, i rrethuar nga të gjith’ anët prej një brezi kopshtesh për bukuri dhe zbavitje, si edhe për të vënë një kufi në rritjen e tij. Arësyet e ndalimit të rritjes i shpjeguam në një artikull tjatër: të jetë një qëndre qeveritare për punë dhe për shëmbëll, ritja – sado e regulluar të jetë – s’munt veç se t’a shëmtojë dhe t’i heqë fuqinë stërvitëse që do të ketë në qoftë se niset dhe mbarohet prej një artisti me kuptim të gjërë dhe me simpathi për qëllimin e themelonjësve. Ky kufizim i trupit të kryeqytetit e bën të nevojshme fqinjësin’ e një qyteti tjatër si qëndrë tregëtare. Në kryeqytet do të ketë ca dyqane për gjërat e vogëla; – po Tirana, dhjetë minuta me automobilë edhe vetëm një or’ e ca minuta me këmbë, do të jetë ‘de facto” kryeqyteti ekonomik, edhe ka për të marë ahere, e çliruar nga ngatrresat politike, një zulm të çuditshëm.

Filed Under: Histori Tagged With: Rafael Floqi-Tirana-Faik konica

KUSH ËSHTË JOSEP BORRELL – PËR SHQIPTARËT?

February 2, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Shefi i ri i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, vizitoi ditët e fundit, Prishtinën dhe Beogradin, për herë të parë në detyrën e tij si kryediplomati i BE-së. Në këtë kapacitet, natyrisht, se ai do të merret me bisedimet, ose me të ashtuquajturin, “dialog” midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë.  Emërimi i tij nuk ishte aspak një lajm i mirë për Republikën e Kosovës dhe të shqiptarëve.  Në të vërtetë, Josep Borrell mund të jetë njeriu më i pa-përshtatëshëm në Evropë – pas presidentit të Republikës Çeke, Milosh Zeman – për të ndërmjetësuar cilën do gjë qoftë midis Prishtinës dhe Beogradit.

Me thënë të drejtën, më duket pak e çuditshme se si Parlamenti Evropian ka zgjedhur një person që është shprehur haptazi kundër pavarësisë së Kosovës dhe vjen nga një vend si Spanja e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, megjithëse shumica e vendeve të BE-së kanë bërë një gjë të tillë.  Duke e ditur se si i tillë, në detyrën e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrel do të ishte përgjegjës edhe për polititkën evropiane ndaj Ballkanit Perëndimor, përfshir Kosovën dhe Shqipërinë, e sidomos si përgjegjës kryesor për politikën dhe për bisedimet e udhëhequra nga Brukseli midis Serbisë dhe Kosovës, e që synojnë në “normalizimin” e marrëdhënieve midis tyre.

Pra, aktualisht, kemi Shefin e ri të diplomacisë evropiane, në personin e Z. Josep Borrell, — i cili personalisht është kundër pavarësisë së Kosovës, vjen nga një vend anëtare e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës — për të ndërmjetësuar bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, e cila jo vetëm që nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, por që e konsideron si pjesë të pandarë të saj.  A mund më thotë dikush, më i mençur se unë, se si do të zhvillohen bisedimet për normalizim midis Serbisë dhe Kosovës gjatë mandatit 5-vjeçar të Zotëri Josep Borrell, me besueshmërinë më minimale të nevojshme, sidomos nga Prishtina zyrtare?

Në “Curriculum vitae”, prej 17-faqesh, që i ka dorëzuar parlamentit evropian, para se të emërohej në detyrën e kryediplomatit të BE-së, Z. Borrell, shprehet se, “Jam dëshmitar okular i nevojës për të pasur një Evropë më të fortë, një Evropë e cila mbron vlerat evropiane anë e mbanë botës, përballë kërcënimeve që prekin të gjithë evropianët”, është shprehur ai.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Z. Borrell, kryesisht, fjalët i kishte të mira, ose të pakën, indiferente dhe nuk u shpreh haptas kundër pavarësisë së Kosovës, duke thënë se, “Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor, ndërsa shprehu gatishmërinë që të lehtësojë çdo dialog ndërmjet Kosovës e Serbisë”.  Unë nuk e dijë se si do të lehtësojë dialogun, në mënyrë të besueshme — një person i cili  në të kaluarën ka mbajtur një qëndrim të njohur kundër pavarësisë së Kosovës, një person i cili vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, për të ndërmjetësuar midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila jo vetëm që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, por pretendon se Kosova është Serbi?!  Duket se Parlamenti Evropian nuk i ka llogaritur punët mirë kur zgjodhi Z. Borell si Shef të diplomacisë evropiane, duke i njohur mirë qendërimet e tija ndaj pavarësisë së Kosovës – që nuk përputhen me shumicën e vendeve të BE-së — por edhe duke ditur se marrëdhëniet Serbi- Kosovë janë gjithnjë ndër çështjet kryesore në Evropë, në mos çështja numër një e pazgjidhur.

Për rolin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe në rajon.  Megjithëse në takimin me Presidentin e Kosovës, Z. Thaçi, Z. Borrell tha se Bashkimi Evropian nuk është në garë me Shtetet e Bashkuara – duke përmendur takimet e fundit në Prishtinë dhe Beograd të ambasadorit amerikan në Berlin, Z Richard Grenell, si përfaqësues presidencial për bisedimet Kosovë-Serbi.  Por nga ana tjetër, ai nuk u durua pa kritikuar, ndoshta edhe duke u tallur, në mënyrë të tërthortë gjatë takimit me Z. Thaçi në Prishtinë, me “planet e shumta” dhe “për çdo gjë”, siç i cilësoi ai, të amerikanëve, anë e mbanë botës” — nga Lindja e Mesme e deri tek Kosova, sipas tij.  “E rëndësishme është që të mos ketë plan, por të përfshihemi sinqerisht me palët sepse aq sa e di unë, amerikanët nuk kanë shpenzuar asnjë euro në Kosovë ndërsa ne kemi shpenzuar më shumë se një miliardë euro në vitet e fundit dhe në kuadrin e investimeve në infrastrukturë ne jemi duke investuar 150 milionë euro për të përmirësuar infrastrukturën”.

Në rregull i nderuar kryediplomati evropian, por ju vizituat Prishtinën dhe Beogradin ditët e fundit, jo për të parë se kush ka investuar më shumë në Kosovë, sepse kjo nuk është një çështje që kërkon zgjidhje urgjente, por për të ndërmjetësuar dialogun politik Serbi-Kosovë, që të dy vendet të shkojnë drejtë një njohjeje të përbashkët diplomatike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane.  Ky është problemi dhe jo sasia e investimeve, për të cilat, jam i sigurt se Kosova është shumë mirënjohëse.

Por, angazhimi diplomatik i amerikanëve, kohët e fundit, ka të bëjë, pikërisht me këtë pikë, me përparimin drejtë njohjes së dyanshme — e jo me faktin se kush ka investuar më shumë në Kosovë, megjithëse edhe pretendimet e Z. Borell për investimet evropiane, janë një çështje debati, besoj unë.  Jam i bindur gjithashtu se as amerikanët, nuk janë në ndonjë garë me Bashkimin Evropian përsa i përket Kosovës, por janë të vetdijshëm se për pothuaj për 11 vjet tani, që Bashkimi Evropian ka kryesuar dhe ndërmjetsuar, ose “lehtësuar” bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, mund të thuhet se asnjë përparim me rëndësi nuk është arritur në këtë drejtim.  Përkundrazi, palët duket se janë më larg se kurrë më parë prej njëra tjetrës, kjo ndoshta edhe falë ngërçit politik në Kosovë dhe mosmarrveshjeve skandaloze midis Tirans e Prishtinës zyrtare, por edhe influencave të huaja, jashtë rajonit, siç janë politikat ruse dhe turke.  Madje Turqia ka investuar shumë më shumë në Serbi se sa në Kosovë, por megjithkëtë, Serbia nuk po e shikon me sy të mirë Kosovën, as nuk po ndryshon asnjë qëndrim ndaj saj, megjithse Presidenti turk, Z. Erdogan ka deklaruar vite më parë se, “Kosova është Turqi”.  Ndoshta kështu i intereson Beogradit.

Gjithkush e di, i nderuar Z. Borrell se pa Shtetet e Bashkuara asgjë nuk ndodh as në Kosovë dhe madje as në Evropë.  Madje, pa Shtetet e Bashkuara nuk besoj që as sot Kosova do të ishte e pavarur.  Por ka qenë Presidenti Xhorxh Bush i riu, i cili i lodhur duke pritur Evropën e vjetër për të marrë një vendim në lidhje me pavarësinë e Kosovës, i cili ka deklaruar, më në fund, në Tiranë në vitin 2007 se “mjaft, është mjaft, Kosova është e pavarur”.

E njëjta gjë po përsëritet edhe sot, 13 vjet pas kësaj deklarate nga ish-udhëheqsi amerikan,  në lidhje me bisedimet Beograd-Prishtinë, për njohje të ndërsjellt diplomatike.  Për 11-vjet, Bashkimi Evropian ndërmjetësoi “lehëtsimin” e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe rezulatet dihen.  Edhe nëqoftse është nënshkruar ndonjë marrëveshje, asnjë prej tyre nuk është zbatuar nga Beogradi.  Përkundrazi!

Fakti se parlamenti evropian ka emëruar si Shef të Politikës së Jashtme evropiane, Z.Josep Borrell, kam drojë se është një shenjë e keqe se parlamentarët evropianë nuk janë seriozë aq sa duhet për “lehtësimin” e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit, megjithëse vet Z. Borrell deklaroi në Prishtinë ditë e fundit se, “synimi dhe përkushtimi i tij mbetet lehtësimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë”.

Por për të dalur me sukses në bisedime të tilla, duhet të jetë një ndërmjetës i paanshëm, me një besueshmëri të lartë dhe të pa cenueshme, i konsideruar si i tillë nga të dy palët.  Për ndryshe është kot.  Ju Z. Borrell duhet ta dini edhe vet se, fatkeqsisht, nuk jeni njeriu i përshtatëshëm për një rol të tillë.  Është më mirë të tërhiqeni që në fillim nga roli për të ndërmjetësuar “lehtësimin” e dialogut Serbi-Kosovë dhe të emëroni një përfaqësues të posaçëm të BE-së për bisedimet Prishtinë-Beograd, i cili të bashkrendonte ngusht veprimtaritë evropiane me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në dialogun Serbi-Kosovë.  Nga perfomanca që pashë gjatë vizitës tuaj në Prishtinë, emërimi i një të deleguari të posaçëm evropian për këtë mision të rëndësishëm– jo vetëm për marrëdhëniet midis dy shteteve të pavarura Kosovë e Serbi, por edhe për paqën në Ballkanin Perënidimor dhe në mbarë Evropën –një gjë e tillë të bëhet sa më parë, aq më mirë!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli- Josep Borrell-Shqiptaret

Remarks by US Ambassador Yuri Kim after the credential ceremony

February 2, 2020 by dgreca

Good afternoon.

This morning, I presented my credentials to President Meta as the new U.S. Ambassador to the Republic of Albania. The President and I had a good conversation about the longstanding friendship between our two nations, and we reconfirmed our shared commitment to strengthen relations between our two nations.

I am honored that President Trump and Secretary of State Pompeo have entrusted me to represent the United States in your great country. As America’s Ambassador, I look forward to getting to know you, your history, and your culture. We are friends, allies, and partners. As I said during my Senate hearing, few friends have embraced America more warmly, few allies have been more loyal, and few partners are as ready and willing to do more with the United States than Albania.

I am also honored to stand today in front of the U.S. Embassy. Its foundation was laid in 1929, and it continues to stand proudly in the heart of Tirana as a testament to the enduring strength of the U.S.-Albanian relationship.

Our friendship and mutual commitment are deeply rooted.

One hundred years ago, President Woodrow Wilson stood up for Albania, when he prevented the Great Powers from partitioning Albania at the Paris Peace Conference. The American president used the might of the United States to support an independent Albania, to welcome an Albanian representative to Washington, and to pave the way for Albania to join the League of Nations in 1920.

After World War II, our two governments took different paths. But even when our governments did not recognize each other, our people remained connected. We spoke to each other through the Voice of America, which not only broadcast news, but sparked hope.

The spark of hope soon lit up all of Albania, and we stood with you in 1991, as you broke free from the chains of communism and dictatorship. It is a moment of which you should be rightly proud.

We have stood with since then, supporting your successful entry into NATO in 2009 and, now, your efforts to join the European Union. We stand with you not only in support of Albania’s freedom and sovereignty, but in support of Albania’s future.

We know that there is hard work ahead, but we also know that hard work is easier with friends and allies.

We are committed to helping Albania to become an even stronger and more capable Ally, and we are committed to helping Albania strengthen its candidacy for the EU.

We will continue to support the unwavering aspiration of the Albanian people for freedom, justice, and a system where everyone must play by the same rules.

I look forward to supporting Albania’s leaders as they take difficult – but absolutely necessary – steps to implement justice reform, prosecute organized crime, and remove corruption from the Albanian system.

I am confident that, as justice and integrity take root, more investors will be drawn to Albania so that we can create more jobs and opportunities for both Americans and Albanians.

The United States values Albania as an Ally, partner, and true friend.

And just as we stood with you in 1920, 1991, 1999, and 2009, we stand with you again to support your future as a prosperous democratic nation within the European family.

Ne jemi ende me ju, krah për krah.

Faleminderit!

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambassador Yuri Kim -President Ilir Meta

“VENDI IM”, KONCERTI QE PROMOVON PAVARESINE E KOSOVES NE NEW YORK

February 2, 2020 by dgreca

-Bisede e gazetares Marjana Bulku me me Ergin Oda & Grupi/

– Na tregoni si ka lindur ideja për  koncertin ”Vendi im”? 

-Ideja si fillim erdhi shume spontanisht (por jo edhe e pa menduar më parë )pa ndonje tendencë apo vizion të largët.

Fillimisht u iniçua nga Ergin Oda – Bariton e më pas u bisedua e shtjellua si ide, mes nje grupi të vogel muzikantësh Shqiptarë ( të cilët tani po bëjnë emër edhe  në New York falë talentit dhe punës së tyre sistematike) u nis pra   si nje projekt i vogël artistiko -tematik  që për  synim do kishte promovimin e muzikës të  pasur Shqiptare e cila duke pasur fans  Komunitetin mbarë shqiptar në New York e më gjere ka rastin më të mirë që t’i prezantohej atij shqiptar por jo vetëm përmes një eventi dinjitoz edhe si  nevojë emergjente të kthimit në traditë   që Pavarsia e Kosoves të festohet me madhështinë që i ka hije asaj ku arti rrëfen edhe historinë tonë të dhimbshme por edhe krenare përmes veprave të pavdekshme të kompozitoëve tanë dhe artistëve të mrekullueshëm që për fat i kemi edhe këtu. 

         Ky është Koncerti i parë nën titullin: “VENDI IM” pagezuar  nga Ergin Oda – Baritone dhe Drejtues i projektit (inspiruar nga kenga “Mallengjimi”  i artistit të popullit Muharrem Qena, e që perputhej bukur me karakterin e eventit  u dha për herë të parë me 17 Shkurt të vitit 2018, për  ti dhënë kahje Teatrale artit muzikor.Një vit më vonë dhe per t’a shndërruar në njërin nga Eventet më të rendesishme dedikuar kremtimit  të Pavarsise Kosoves këtu  në  Amerike ku jeton një komunitet vital që jo vetëm i gëzohet Pavarësisë së Kosovës por ka punuar aq shumë për faktimin e saj ne mendojmë se kjo festë madhështore me titull “Vendi im “ tashmë në vitin 2020  dëshmon angazhimin patriotik të artistëve shqiptarë në këtë kryeqendër boterore edhe ekonomike por edhe politike i thurin këngë e lavde Kosovës.

2. Cili është qëllimi i ketij koncertit përpos kremtimit të Pavarësisë së Kosovës?

 Qëllimi themelor i Koncertit/Eventit (tashmë vjetor) është për  t’a ushqyer këtë Komunitet që jeton shume larg trojeve të veta me këngen dhe muzikën e pastër  shqipe! Ne i kemi të gjitha kapacitetet artistike falë artistëve profesionistë që kanë emigruar së fundmi në SHBA dhe ngjitja e tyre në skenë është një kënaqsi e shumfishtë besoj jo vetëm për ne si artistë por edhe për audiencën që i do artistët në skenë sepse aty është “fusha e tyre e veprimit”. Me ardhjen e nje grupi artistesh profesionist nga Shqiperia, Kosova e Maqedonia situata është shumë më e favorshme dhe komuniteti ka një rast ideal të ndjejë madhështinë e artit shqiptar në hapësirat pafund të Amerikës së madhe. Projekti si i tille synon të ketë  një jetëgjatësi dhe Pavarsine e Vendit t’a kremtojë çdo vit me më shumë dinjitet e jehone. Projekti poashtu për qëllim  te tij ka edukimin e gjeneratave që vijnë me melosin e pasur shqiptare të trasheguar me breza dhe ketij komuniteti të etur per frymen e atdheut t’i servohet thesari ynë  i çmuar siç është folklori dhe kenga e popullit.  

Kremta e Pavarsise së Kosoves, mbahet me date 15 shkurt te vitit 2020 ne Teatrin “Victor Borge Hall” që funksionon brenda Shtepise Skandinave këtu në New York. 

4. Kush do te jete pjese e ketij koncerti?, na thuaj më shumë detaje për kureshtarët që to t’u ndjekin por edhe ata që nuk do munden?

Koncerti këtë  vit mbledh një kastë artistesh të suksesshem Shqiptarë e Amerikane te shkolluar në frymen e Muzikes Klasike kryesisht, e që për rezidencë të karieres së tyre kane New York-un. Kasti i perzgjedhur me shume kujdes do sjellë vepra dhe kengë Premier në Skenen e Teatrit Skandinav. Një numër i fuqishem Baleti vjen  nga e vetmja artiste Shqiptare rezidente ne Metropolitan Opera balerina Oriada Islami do vijë si  dedikim për  Femrat e dhunuara seksualisht gjatë luftes së Kosovës .Audienca përmes vallezimit do ketë rastin ”t’a perjetojë ”vetëm për 7 minuta torturen dhe dhunën që është ushtruar ndaj këtyre vajzave në luften më të  pergjakshme të Kosoves (me synimin për t’kerkuar drejtesi dhe per t’i thënë  jo heshtjes karshi një ngjarje kaq tragjike e cila nuk duhet falur e as harruar). Ky numer baleti i paraprin ngritjes së një  fondi përmes Koncertit, e që do drejtohet nga Vasfije Krasniqi Goodman dhe Organizata e saj Joprofitabile “Vasfije initiative”. Në skenë do të ngiten emra si: Yasuhiko Fukuoka, kompozitor japonez i muzikes së filmit dhe Pianist i dalluar e që është  prezantuar në skena si; Lincoln Center, Festival de Cannes, Broadway, Feinstein’s/54 Below etc… 

Kitaristi i mirenjohur në skenat e muzikes Jazz, asaj të filmit e më gjerë Sean Harkness, Emra të rendesishem Shqiptare nga skena e Operas, muzikes klasike dhe mjuzikllit si: Baritoni Ergin Oda, Sopranoja Deshira Ahmeti dhe Tenori Riad Ymeri, karrriera e të cileve vazhdon me hapa të suksesshem në  New York e më gjere. Violincelistja e njohur Gjilberta Lucaj, violinistja nga Shqiperia Joana Kaimi që tani karieren e saj prej violinisteje e zhvillonkëtu  në New York. Klarinetisti i dalluar/talentuar Igli Tuga, Pianistja e shkelqyer Elona Muça, Kurse koncertin do t’a moderojë aktori yne i njjohur Kushtrim Hoxha, kariera e të cilit është duke lulezuar bindshem në New York dhe në seritë  e njohura Amerikane. Koncerti/Evnti tek publiku Shqiptare dhe ai Amerikan, vjen drejtuar nga; Ergin Oda – Drejtues dhe Producent i Eventit dhe menaxhuar nga Aida Gashi. 

5. Sa është e rendesishme që komuniti artistik shqiptar po bën organizime të tilla ne ShBA?

Organizime të tilla jane ushqim organik për  audiencen Shqiptare që bën jetë edhe këtej Oqeanit, mendoj askush më mire se artistet profesionit mbledhur tok, nuk do arrijë të realizojë organizime të illa me qellim të paster orientimin e komunitetit nga vlerat e pasura të folklorit, e qe është karta më mire e identitetit shqiptar.Projekte të kesaj natyre duhen mbeshtetur bindshem dhe artistet profesionist Shqiptare që veprojnë këtej Oqeanit të jenë s’a me kompaktibil në promovimin e vlerave dhe mbjelljen e një tradite të tille si fare e frytedhenese tek’ brezat që vijne. 

 6. Sa ndikon kjo në perhapjen e kultures shqiptare dhe prezantimin e saj ne SHBA?

Projekte të tilla gezojne ndikim të pa diskutueshem dhe lejnë shije të mirë dhe edukojnë vlerat tona ma t’mira .

New York si njeri nga qytetet me diversitetin më të madh në  botë është  i admirueshem pikerisht për këtë arsye; gershetimin e kulturave dhe traditave nën  një qiell të perbashket. Muzika burimore Shqiptare do ishte ngjyre e theksuar në këtë pikture me shume ngjyra me komponentë  nga shume kultura që jetojnë në harmoni të plote ne qytetin që nuk fle kurrë. Besoj me kalimin e viteve projekti do shenojë rritje dhe shtrirje, gjithmone me të njejtin motiv; promovimin e vlerave dhe kulturës Shqiptare ne SHBA  

Intervistoi Marjana Bulku

Filed Under: Emigracion Tagged With: Marjana Bulku- Vendi Im-Ergin Oda

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT