Përgatiti Rafael Floqi /DIELLI
Duke hulumtuar në numrat e vjetër të gazetës “Dielli” në dy shkrime interesante “Dielli”, 18/ 20 mars 1924, se si e shihte i madhi Faik Konica të ardhmen e kryeqytetit të Shqipërisë.
Konica mendonte se në kushtet e Shqipërisë së kohës do të ishte më mirë që kryeqyteti i ri shqiptar të ndërtohej nga fillimi në një tokë pronë shtetërore dhe të kishte institucionet më të domosdoshme, dhe të ishte një qytet i ri i vogël administrativ, si ato të shteteve amerikane, si p.sh. Lansig për Michiganin. Ai madje pat parashikuar gati 100 vjet përpara se tendenca për ta zgjeruar do ta dëmtonte arkitekturën e tij
Ai madje kishte menduar, madje, dhe një emër interesant që sipas tij duhet të plotësonte këto kërkesa: 1) të jet’ i shkurtër; 2) të ketë një formë, të pandryshuar, në gjithë dialektet e Shqipërisë; 3) të duket lehtë në sy dhe të tingëllojë i ëmbël në vesh të njerëzve të huaj; 4) të ketë një kuptim simbolik. Mua më duket se emëri DRITA i mbush që të katër konditat që emërova. Por siç tregoi historia, ky nuk qëlloi një emër pagëzues.
Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjesëtarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet në 11 shkurt 1920. Përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925 nga Asambleja Kushtetuese.
Në Historinë e Popullit Shqiptar, “Periudha e Pavarësisë” përmendet shpallja e Republikës Shqiptare nga Asambleja Kushtetuese dhe miratimi i statutit apo kushtetutës republikane, në të cilat Tirana shpallet përfundimisht kryeqytet i Shqipërisë.
Në Tiranë, përkundrazi kundërshtimi i Esat Pashë Toptanit, hëpërhë ishte eliminuar, për sa kohë ai ishte kundërshtar i qeverisë së Durrësit. Veç kësaj Tirana ndonëse kishte një popullsi të barabartë me atë të Elbasanit, kishte kushte më të mira për organet qeveritare. Këtu kishte më tepër ndërtesa të mëdha, më tepër lokale publike, më tepër rrugë të gjera, më tepër hotele. Duke marrë parasysh këto faktorë, qeveria e Lushnjës mori vendim më 9 shkurt 1920, që ta vendoste kryeqytetin e Shqipërisë përkohësisht në Tiranë, duke e lënë të hapur çështjen e vendosjes përfundimtare të kryeqytetit kur të mblidhej e para asamble kushtetuese. Me miratimin e të gjithë pjesëtarëve të Kongresit të Lushnjës, anëtarët e Këshillit të Lartë, së bashku me pjesëtarët e qeverisë dhe të Këshillit Kombëtar, hynë më 11 shkurt 1920 në Tiranë, fill pasi repartet e ushtrisë italiane ishin larguar nga qyteti dhe vendosur në Durrës. Gjatë kësaj periudhe i madhi Faik Konica hartoi dy shkrimet e tij si e shikonte të ardhmen e kryeqytetit shqiptar, sidoqoftë Konica parashihte atë deri në 6 000 banorë dhe jo në qytetin 1 milionë banorësh që është sot. Sidoqoftë banorët e Tiranës e pritën me entuziazëm hyrjen e organeve të larta shtetërore, në kryeqytetin e përkohshëm të Shqipërisë, të cilin asambleja kushtetuese e vitit 1925 e shpalli përfundimisht kryeqytet të saj. Sidoqoftë jeta e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë fillon më 11 shkurt 1920.
“Shënime mi Kanunin e Themelit-Kryeqyteti
“Dielli”, 18 mars 1924
Që Shqipëria duhet të ketë një kryeqytet të ri, pakë njërës të kuptuar e kundërshtojnë ose e vënë në dyshim, kur e bisedoja këtë çështje më 1913 në Shkodrë edhe në Durrës, – disa, që nuk e pëlqenin mendimin e një kryeqyteti të ri, jipjin si arësye të qëndrimit të tyre harxhet e tepërta, të duhura për një qëllim t’atillë, edhe varfërin’ e Shqipërisë. Shtroja përpara shëmbëllin e Amerikës, ku ngrihen për ditë qytete të ra; po ca si (Z.Krajewsky, përfaqsonjësi i Francës në Komision të Kontrollit, ish një nga ata) që më përgjigjeshin që Shqipëria s’ka pasurin’ e Amerikës, fjal’ e vërtetë, po fare pa vënt në Shqipëri: se në Shqipëri s’ka ndonjë qytet me ndërtesat qeveritare të duhura, ashtu që ndërtesat që do të bëhen të ribëhen medoemos; dhe me që do të bëhen të ra, – qoftë në një qytet të vjetër, qoftë në një shesh të shkretë, çmimi do të jetë tër’ ay dhe s’ka shpëtim nga harxhet. Përkundrazi, besojmë se për një qytet të ri harxhet do t’ ishin më të paka; se në një qytet të vjetër duhet blerë vendi.
Kurse sheshi i qytetit të ri munt të zgjidhet në një vënt që është mall’ i Shtetit dhe ashtu të mos kushtojë gjësendi. Ky është i vetmi kundërshtim që kam dëgjuar kundrë një kryeqyteti të ri, dhe kundërshtimi s’qëndron dot më këmbë prej vetiu, veç në e mbafshin nga krahu i djathtë interesa dhe nga krahu i mëngjër moskuptimi.
Le të hedhim tani një sy mi mirësit’ e një kryeqytet: të ri. Kryeqyteti i Shqipërisë duhet të jetë një pasqyrë e një shëmbëll shëndetësie, rregulle, bukurie në ndërtesat. Ky qëllim munt t’arrihet vetëm në një qytet të ri, se atje talenti i arqitektit s’gjen pengimet udhërash dhe çipesh po ka shesh të lirë për planet e tija. Ndërtesat e duhura janë këto: 1 Pallat për Kryetarin e Shtetit, 1 për Parlamentin, nj’ a 15 shtëpi për zyrat qeveritare dhe municipale, 4 për Universitetin, 1 për Shkollën e Muzikës dhe t’Arteve të Bukura, 1 për Shkollë Ushtarake, 2 për shkolla të mesme për djem dhe vajza; 1 për shkollë të parë, 1 për Musenë, 1 për Librarinë Publike të Shtetit, 11 për përfaqësit’ e huaja, 1 për gjymnasium dhe banja për gratë, 1 tjatër për burrat, për theatron dhe sallën e koncertit dhe të konferencave, 1 hotel të klasës parë, 1 hotel të klasës dytë, 3 ndërtesa për ‘ushtrimin e feve’, 1 krematorium për të djegur vdekurit, 1 klinikë, 1 për Kryqin e Kuq, 1 për postë telegrafin dhe telefonin, 1 për radiotelegrafinë, që bëjnë gjithësej 52 ndërtesa. Po të shtohen dhe 3 a 4 shtëpi mbëdha me apartamente të vogëla për familjet që duhet të vëndosen për shumë kohë në kryeqytet, si edhe 4 ‘dormitore’ ku të rrojnë studentët, – do të kemi një qytet të vogël po të mbaruar me nj’ a 60 ndërtesa dhe me një popullatë të zgjedhur nj’a 6,000 vetash (duke nëmëruar studentët dhe ushtarët). Ka kryeqytete Shtetesh, në Shtetet e Bashkuara, që s’janë më të mbëdha.
Po që të mbetet i bukur dhe të jetë pasqyra që duhet ë jetë për qytetet dhe fshatërat e Shqipërisë, – kryeqyteti, përvijësuar dhe i ndërtuar prej ndonjë artisti të vërtetë si janë n’ Evropë katër a pesë që kanë fituar famë në këtë degë, dhe njërit prej atyreve duhet t’i jipet barra) kryeqyteti duhet të mos ritet më, të mbetet një qëndrë e kombit, e patundur si një monument dhe ku çdo bina ishte proprieteti i Shtetit dhe jipet me qira, po nukë shitet. Vetëm me këtë mënyrë munt të mbahet i pacënuar nga zhvillimet industriale të shëmtuara.
Për emërin, duhet një emër që të mbushë këto të katër kondita: 1) të jet’ i shkurtër; 2) të ketë një formë, të pandryshuar, në gjithë dialektet e Shqipërisë; 3) të duket lehtë në sy dhe të tingëllojë i ëmbël në vesh të njerësve të huaj; 4) të ketë një kuptim simbolik. Mua më duket se emëri DRITA i mbush që të katër konditat që emërova.
Edhe disa mendime mi Kryeqytetin
“Dielli”, 20 mars 1924
Një nga pikat, që janë në favor të një kryeqyteti ri, është dhe kjo: zilitë, që qytetet e tjera munt t’ ushqejnë kundrë qytetit të zgjedhur për qëndrë, s’do të kenë vend, në qoftë se goditet një kryeqytet i ri. Mbaj mënt një fjalë që më thosh një Shkodran më 1913: “Po të themelohet një qytet i ri, puna ndryshon, edhe ahere as Shkodranët s’kanë për të pasur arësye ankimi.”
Le të thomi, pra, për hirin e bisedimit, se idea e një kryeqyteti të ri pranohet prej të gjithëve. Mbeten ca interesa lokale për të marë ndër sy: interesat e Tiranës.
Pa fjalë, atje ku interesat përgjithëshme të Kombit janë në ballancë, vetëm këdo të kqyren dhe jo të tjera. Po kur të vihen në vënd interesat e Kombit, – në ësht’ e mundur të mos cënohen as interesat lokale të kryeqytetit të hëpërheshmë, jo vetëm është e udhës që të meren masa, po edhe duhet të meren.
Tirana, si kryeqytet provizor, ka ca “droi acquis”, (tw drejta tw fituara R.F) që nuk e do drejtësia të harrohen. Nga ana tjatër populli i Tiranës, dhe i katundeve për qark, është siellë miaft mirë në vjetet e fundit; ka dhënë disa prova në mos në zhvillimin politik, po të pakën urtësie: në kohëra kritike, kur munt të bënte dëm, ka ndihur, me sielljen e tij, që të mbahej qetësia. Por a duhet të presim më tepër nga një popull intellektualisht dhe politikërisht i pastërvitur, dhe i pastërvitur jo nga faji i vet? A ësht’ e drejtë t’ ankohemi se Tiranasit s’kanë çfaqur një shpirtë atdhesie më të gjallë e më të kthiellët?
Pastaj, Tirana është pak’ a shumë në qëndrë gjeografike të Shqipërisë, dhe të ndodhurit e saj afër detit i shton vleftën. Si pra, t’i bashkojmë këto pika në favor të Tiranës, me qëllimin, pas mëndjes s’ onë të domosdoshme, të një kryeqyteti të ri? Kjo pyetje munt të gjejë një përgjigjje të pëlqyer, në qoftë se sheshi, ku të goditet kryeqyteti, zgjidhet afër Tiranës.
Nj’a shtat’ a tetë kilometra nga Tirana, janë ca kodra të bukura – mall’ i Shtetit, në mos lajthitemi. Duhen tqyrur prej ekspertësh (jo ‘ekspertë’ si njeriu i natës, i quajturi Eshref Frashëri, sfinks i mbyllur, bashkonjës xvarranik i Asisë dhe i Afrikës, i hedhur nga Fati tallës n’ Evropë); – duhen kqyrur prej ekspertësh të vërtetë. Dhe atje ku të jetë më mirë, munt të goditet kryeqyteti ideal që ëndërojmë, i rrethuar nga të gjith’ anët prej një brezi kopshtesh për bukuri dhe zbavitje, si edhe për të vënë një kufi në rritjen e tij. Arësyet e ndalimit të rritjes i shpjeguam në një artikull tjatër: të jetë një qëndre qeveritare për punë dhe për shëmbëll, ritja – sado e regulluar të jetë – s’munt veç se t’a shëmtojë dhe t’i heqë fuqinë stërvitëse që do të ketë në qoftë se niset dhe mbarohet prej një artisti me kuptim të gjërë dhe me simpathi për qëllimin e themelonjësve. Ky kufizim i trupit të kryeqytetit e bën të nevojshme fqinjësin’ e një qyteti tjatër si qëndrë tregëtare. Në kryeqytet do të ketë ca dyqane për gjërat e vogëla; – po Tirana, dhjetë minuta me automobilë edhe vetëm një or’ e ca minuta me këmbë, do të jetë ‘de facto” kryeqyteti ekonomik, edhe ka për të marë ahere, e çliruar nga ngatrresat politike, një zulm të çuditshëm.