• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2020

Masakrat e 4 shkurtit e viti 1944 dhe ajo e 21 shkurtit e vitit 1951

February 24, 2020 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/

Në historinë tonë të shkurtër (të bërë lëmsh nga një mungesë e plotë e respektit për të vërtetën dhe nga një polarizim i skajshëm politik që nuk lejon tregime dhe analiza realiste të ngjarjeve), në shkurt kujtojmë dy krime të bëra nga shqiptarët ndaj shqiptarëve, të interpretuara në mënyra krejt të ndryshme nga pole të kundërta ideologjike.

Kur lufta midis forcave nacionaliste dhe atyre komunistë ishte në kulm, në Tiranë, më 3 shkurt të vitit 1944, guerilet komuniste, në përpjekje për të vrarë Kadri Cakranin, komandantin ushtarak të Ballit, dhe Xhafer Devën, ministrin e Brendshëm të kohës, vranë shoqëruesin e Kadri Cakranit dhe, më pas, po atë ditë, vranë edhe nipin Xhafer Devës. Pas kësaj, natën e 3-4 shkurtit u shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe u ndalua qarkullimi në Tiranë. Ata që nuk do të zbatonin urdhrin, do të pushkatoheshin në vend. Si pasojë, atë natë, ndonëse komunistët për arsye politike dhe propagandistike thonë se u vranë 84 persona, sipas procesverbalit të prokurorisë dhe të dhënave të morgut të spitalit të Tiranës, duhet të jenë vrarë 14 persona, prej të cilëve 9 janë të identifikuar me emra, ku bëjnë pjesë edhe dy italianë, dy janë të paidentifikuar dhe tre u gjendën më vonë, më 6 shkurt, nga interesimi i familjarëve të tyre. Ishte një masakër që bënë autoritetet në fuqi gjatë luftës, e cila mund të shmangej, po t’i lihej në dorë drejtësisë që të vepronte dhe të dënonte vetëm përgjegjësit. Megjithatë, duhet shënuar se, pas kësaj dhe për këtë ngjarje, kryeministri Rexhep Mitrovica e kritikoi ministrin e tij të brendshëm, Xhafer Devën dhe pak muaj më pas ky e humbi postin e ministrit dhe u kthye në Kosovë prej nga kishte ardhur.

7 vjet më pas, më 19 shkurt të vitit 1951, në legatën sovjetike në Tiranë u hodh një pako dinamit i cili shpërtheu pa dëmtuar njeri. Menjëherë pushteti komunist kreu arrestime të mbi 100 personave të cilët i mbyllën në burgun e Tiranës. Prej tyre zgjodhi 22, midis të cilëve edhe një grua, dhe natën e 21 shkurtit i çoi në breg të lumit Erzen dhe i pushkatoi të gjithë. Njerëzit që burgosi dhe vrau e, më pas, edhe ata që internoi e i persekutoi për këtë shkak, nuk kishin asnjë lidhje më dinamitin që u hodh në ambasadën sovjetike. Ishte një masakër barbare që bënë kriminelët komunistë pa asnjë shkak, në kohë paqeje, pa pyetur as “drejtësinë” e tyre, mbi intelektualë krejt të pafajshëm të Tiranës. Megjithatë, duhet shënuar se, pas kësaj, atyre që e organizuan këtë masakër, Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, Byroja Politike i përgëzoi dhe ua miratoi veprimin.

Nuk dua t’i komentoj më tutje këto ngjarje me njëfarë ngjashmërie por, duke perifrazuar një paragraf, nxjerrë nga një shkrim i botuar së fundi (fjalët origjinale të së cilit janë në kllapa), që e cilësonte ngjarjen e 4 shkurtit (duke harruar ngjarjen e 21 shkurtit), si “Natën e Bartolomeut”, për atë që ndodhi më 21 shkurt, do të thosha:

Projekti i një masakre të tillë që kolaboracionistët sovjetikë (nazistë) shqiptarë vranë bashkëkombësit e tyre me një gjakftohtësi barbare, nuk ishte vetëm një projekt i një hakmarrjeje kundër Antikomunizmit (Antifashizmit) Shqiptar, që e kundërshtonte pushtimin sllavo-sovjetik (nazist), por dhe një servilizëm i ndyrë dhe antinjerëzor i kolaboracionistëve shqiptarë ndaj komunistëve sovjetikë (nazistëve gjermanë).

Në mbledhjen e Byrosë Politike, që u bë për masakrën e 21 shkurtit, Mehmet Shehu propozoi: “Do të ishte mirë që ne si Byro Politike t’i bënim një telegram shokut Stalin ku t’i tregonim se si ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe, dhe t’i premtojmë e ta sigurojmë se luftën kundra armiqve të jashtëm e të brendshëm do ta vazhdojmë akoma më me ashpërsi”. Byroja Politike njëzëri e miratoi masakrën si dhe propozimin e Mehmet Shehut për telegram shokut Stalin.

Tashti, më thoni, të dashur lexues, cila nga masakrat ju duket më barbare dhe cili regjim ju duket se veproi më keq pas asaj që ndodhi? Cili regjim ju duket më servil dhe më kolaboracionist: regjimi nacionalist i kohës së luftës, në vitin 1944, që e dëboi më pas përgjegjësin kryesor të masakrës, Xhafer Devën, apo regjimi komunist i kohës së paqes që u mburr para Stalinit për masakrën që kreu mbi popullin e pafajshëm të Tiranës dhe Mehmet Shehun, njërin nga kriminelët kryesorë të masakrës, pas tre vjetësh do ta gradonte dhe do ta bënte kryeministër të Shqipërisë, post që e mbajti deri kur vdiq, në vitin 1981?

Para pak ditësh pashë një veteran në portalin kujto.al që u pyet se çfarë do të bënte, po ta dinte se kishte vetëm 24 orët e fundit të jetës së tij. A e dini si u përgjigj? “Do të vras një ballist”, tha.

A nuk do të ishte mirë që këto dy ngjarjet të dhimbshme që përmenden të përkujtoheshin së bashku si dëshmi e agresivitetit të ndërsjellë shumë të dëmshëm që kemi ne shqiptarët ndaj njëri-tjetrit, me qëllim humanizimin dhe qytetërimin sado pak tonin dhe mospërsëritjen më të ngjarjeve të tilla?       Nju Jork, 21 shkurt, 2020                 

Filed Under: Opinion Tagged With: 21 Shkurt 1951, Ilir Hashorva

Të rinjtë shqiptaro – amerikanë në mbështetje të kauzës për Mbrojtjen e Kushtetutës!

February 24, 2020 by dgreca

I nderuar Z. President!/

Ju përshendesim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ne jemi dy të rinj, të lindur në kampet e internimit dhe rrjedhim nga familje, që kanë dhënë shumë për Shqipërinë.

Ju nisim këtë letër publike me përgjegjësinë dhe dashurinë për Shqipërinë, në emër të një grupimi të gjerë të rinjsh shqiptaro – amerikanë.

Së pari, ju bëjmë me dije se jemi anëtarë dhe mbështetës të Opozitës së Djathtë Jashtëparlamentare. E thënë me dhimbje “jashtëparlamentare”, si një rast unikal në historinë e politikës moderne, kur opozita detyrohet të lërë këtë tempull, për të mos u bërë dëshmitare e vjedhjeve, abuzimeve, shkeljeve flagrante konstante të Kushtetutës dhe qëndrimit në një sallë me kriminelë të dënuar dhe akoma të padënuar.

Ndërsa këtu në SHBA jemi mbështetës të Presidentit Trump dhe bashkëpunojmë me institucionet amerikane për të ndihmuar Shqipërinë.

Në rrethanat e sotme, Ju mbështesim plotësisht dhe hapur në nismën Tuaj për Mbrojtjen e Kushtetutës. Kryeministri Edi Rama, ka marrë ekonominë dhe paratë e shqiptarëve, ka zaptuar cdo institucion, dhe po e mbyll ciklin me Drejtësinë dhe Gjykatën Kushtetuese, që nesër në opozitë të mbrojë dhe gëzojë “fitoret e arritura” ekonomike.

Me dhimbje themi se Shqipëria është në kufirin për t’u quajtuar “e marrë fund” për shkak të një njeriu të vetëm: Edi Rama, i cili solli shpopullim dhe jo emigracion (sic ndodh kudo); koncesione për të vjedhur dhe jo strategji ekonomike; infermieri dhe jo mjekësi; godina arsimore, por jo arsimim; njerëz që shohin drejt Perëndimit, por që janë të pashpresë.

Z. President!

Ju keni mbetur i vetmi institucion, që duhet mbështetur dhe që si në demokracinë e lashtë greke po i drejtohet popullit për të qeverisur. Ky nivel skandaloz i Parlamentit, që nuk do të arrinte imagjinatën e askujt në fillimvitet e demokracisë, është jo vetëm i papranueshëm, por i turpshëm. Ne nuk mund të fshihemi pas gishtit. Jo. Edi Rama është fajtori i vetëm, është pengmarrësi jo vetëm i socialistëve, por edhe pengmarrësi i të gjithë shqiptarëve, të ardhmes sonë dhe fëmijëve tanë.

Ndaj grupimi i gjerë i të rinjve shqiptaro – amerikanë është me Ju dhe do t’ju bashkohemi së shpejti në luftën e saponisur për cmontimin e sistemit edramist, që do të mbetet në kujtesë si: kriminal. 

Sinqerisht dhe me besim nga Nju Jork në emër të grupimit të të rinjve shqiptaro – amerikanë,

• Ervin Dine Dine

• Agustin Moisi Mirakaj

• Ervin Dine është diplomuar në Universitetin e Kolumbias; ka shërbyer për 8 vjet si Marins në Ushtrinë Amerikane dhe sot është Menaxher i lartë në një kompani të njohur amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: leter

TË JETOSH BRENDA GËNJESHTRËS APO BRENDA TË VËRTETËS

February 23, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

“Shpëtimi i njerëzimit ndodhet në zemër të njeriut, është pjesë e fuqisë njerëzore për të reflektuar, gjëndet në modestinë njerëzore dhe në përgjegjësinë e njeriut.  Pa një revolucion global në sferën e ndërgjegjës njerëzore, asgjë nuk do të ndryshojë për më mirë.” Vaclav Havel

Javën që kaloi, në përvjetorin e rrëzimit të shtatores së diktatorit komunist, Enver Hoxhës në Shqipëri, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit(AIDSSH) në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, Muzeun Historik Kombëtar, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europës dhe me Institutin “Ali Hadri” në Prishtinë, zhvilloi konferencën ndërkombëtare shkencore me temë, “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1990”.  Konferenca u paraqit si një mundësi për të hedhur dritë mbi veprimtarinë e ish-Sigurimit në vend dhe jashtë tij, për ngjarje historike, profile njerëzore dhe organizata në emigrim.

Përveç një numri të madh ekspertësh të njohur në këtë fushë, në konferencë folën edhe Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri dhe Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, si dhe Ministri i Diasporës në qeverinë e Kryeministrit Rama, Pandeli Majko, ndër të tjera personalitete.  Subjektet e trajtuara në këtë konferencë ndërkombëtare, sipas të dhënave në portalin e AIDSSH ishin tejet interesante për mua personalisht dhe për shumë të tjerë që i përkasim periudhës së emigracionit politik shqiptar 1944-1990.

Përshëndes Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për punën e bërë në këtë fushë, si dhe entet e tjera bashkpunuese për organizimin e kësaj konference ndërkombëtare mbi emigracionin politik shqiptar gjatë luftës së ftohtë.  E konsideroj këtë ndërmarrje të AIDSSH si një hap në rrugën e duhur drejt përballjes eventuale të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj komuniste.  Por le ti këthehemi Konferencës Ndërkombëtare, Emigracioni Politik Shqiptar, 1944-1990, Bazuar në të dhënat e botuara në portalin e AIDSSH, thuhet se përveç referatave mbi subjekte të ndryshme nga ekspertë u paraqit edhe ekspozita me materiale dokumentare autentike, të deklasifikuara e të hapura për herë të parë për publikun e interesuar.  Sipas të dhënave të botuara për punimet e konferencës, Znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit, bëri një paraqitje të punës së AIDSSH që çoi në realizimin e konferencës së parë mbi emigracionin politik, në bashkëpunim me partnerët: Znj-a Sula foli me shifra, bazuar në dokumentacion:

“Në këtë problematikë komplekse, natyrisht do të prekim temat e nxehta, por jam e sigurt që diskutimi do të vazhdojë.  Rreth 13.600 persona u numëruan të arratisur në raportet e Sigurimit të Shtetit, nga 1944 deri në vitin 1990, pa llogaritur ato të ikur përmes ambasadave.  Nga këta, rreth 4784 ishin gra dhe fëmijë.  Dominonin këtu të ikurit e vitit 1945 dhe 1948.  Në shifrat e larta të emigracionit të shqiptarëve në shekuj dhe gjatë tranzicionit të zgjatur, kjo përmasë duket vetëm një fraksion. Por, ky fraksion është shumë i rëndësishëm për vendin tonë.  Të integruar tërësisht në shoqëritë pritëse, sot ata paraqesin një urë të fortë komunikimi me vendet më të zhvilluara dhe me aleatët tanë.  Ato nuk reshtën së dashuri Shqipërinë dhe së qeni aktivë në forma të ndryshme, duke denoncuar shkeljet e të drejtave njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe duke ngritur zërin për të drejtat kombëtare”, u shpreh, ndër të tjera Shefja e AIDSSH, Znj. Gentiana Sula, duke hapur punimet e konferencës.

Fjalën e mori edhe Z. Bernd Borchardt, ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili foli, ndër të tjera, mbi atmosferën politike në Shqipëri, duke thënë se, “E gjitha kjo më duket si mbetje nga modeli i sjelljes komuniste. Sikurse e përshkruajnë shkencëtarët, në pak vende polarizimi politik është kaq i thellë sa në Shqipëri dhe “përballja me të kaluarën”, me krimet e neveritshme të diktaturës komuniste, vetëm sa ka filluar”.  Përfaqsuesi evropian bëri thirrje për themelimin e komisionve të së vërtetës, duke nënvijuar se ato, “kanë luajtur rol thelbësor në shumë vende, pas mizorive të diktaturave.  Kultura e kujtesës e lidhur me viktimat dhe me vuajtjet, përforcon ndryshimin e rrëfimit që është i nevojshëm për të ndërtuar një shoqëri liberale pas shpërbërjes së një diktature.  Siç e ka përkufizuar presidenti i ndjerë i Çekisë Václav Havel: ndryshimi është,“të jetosh brenda gënjeshtrës, apo brenda të vërtetës”, ka cituar ai ish-disdentin dh e ish-presdientin çek.


Ndërsa, Koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri, z. Brian Williams, iu drejtua të pranishëmve dhe nepërmjet tyre qeverisë dhe shoqërisë shqiptare duke thënë se: “Nëse kam një mesazh për të transmetuar sot për këtë konferencë, është që Kombet e Bashkuara besojnë fuqimisht që zbulimi i plotë dhe i vërtetë e së shkuarës ka vlerë direkte sa i takon përpjekjeve të sotme për të ndërtuar demokracinë.  Ka lindur nevoja për një proces gjithëpërfshirës të zbulimit të së vërtetës në Shqipëri- dhe këtu dua të nënvizoj e mbështes çdo gjë që kolegu im i OSBE tha mbi këtë temë”. Duke iu referuar situatës aktuale politike në vend, përfaqsuesi i OKB-së shtoi se, “Historia e Shqipërisë ka rëndësi absolute për situatën e sotme.  Si mund t’u kërkosh qytetarëve t’u besojnë institucioneve qeverisëse, nëse këto institucione nuk hedhin dritë dhe nuk bëjnë të njohur gabimet e tyre në të shkuarën?  Të marrësh përgjegjësi për gabimet e së shkuarës nuk është një shenjë dobësie, është akt kuraje. Të japësh llogari për të shkuarën -drejtësinë tranzicionale- është kusht i nevojshëm për të ndërtuar institucione llogaridhënëse dhe demokratike në Shqipëri”, është shprehur përfaqësuesi i OKB-së në Shqipëri, Z. Brian Williams.

Përshëndeti gjithashtu konferencën Ministri i Diasporës në qeverinë Socialiste Rama, Z. Pandeli Majko.  E dëgjova kumtesën e tij të shkurtër, duke pritur më kot se zyrtari më i lartë i qeverisë në atë tubim dhe si ish-kryeminister i vendit, shpresova se do të thoshte diçka për nevojën që Shqipëria, më në fund, duhet të ballafaqohet më seriozisht me të kaluarën komuniste, ashtu siç e thekësuan këtë nevojë, zotërinjtë ndërkombëtarë në Shqipëri, Brian Williams dhe Bern Borchardt. Por, jo!  Tirana zyrtare, për 30-vjet tani preferon të jetojë, “brenda gënjeshtrës”, duke e pasur frikë të vërtetën, përsa i përket krimeve të komunizmit në vend. Përkundrazi, 30-vjet pas shembjes së komunizmit, si askund tjetër në Evropë, individë dhe nostalgjikë të komunizmit në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi, vazhdojnë të cilësojnë emigracionin e pas luftës si, “kollaboracionistë” dhe “surretër”.

Fatkeqësisht, pjesëmarrja e Ministrit të Diasporës, Z. Pandeli Majko dhe fjalimi i tij i shkurtër në konferencën e javës së kaluar mbi emigracionin politik shqiptar të pas luftës, nuk bëri asgjë për të na bindur se mund të ketë ndonjë ndryshim nga ana e qeverisë shqiptare përsa i përket ballafaqimit zyrtar me të vërtetën e së kaluarës komuniste në Shqipëri, siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës, tani anëtare të Bashkimit Evropian, pjesëtare të cilit pretendon edhe Shqipëria të bëhet.  Por kot e kini se me Enverin dhe me Nexhmijen nuk shkohet në Evropë!  Ndryshe nga shumica e vendeve ish-komuniste, Tirana zyrtare, siç duket, ka zgjedhur që për një kohë të gjatë – për derisa të mund ta shtyjë kështu — të vazhdojë të jetojë, “brenda gënjeshtrës” dhe jo “brenda të vërtetës” të së kaluarës komuniste.  Është kot të presim e të besojmë se ky brez politikanësh shqiptarë do të ketë fuqinë njerëzore dhe morale për të reflektuar.  Në mungesë të ballafaqimit zyrtar me të vërtetën e të kaluarës komuniste, kam drojë se asgjë nuk do të ndryshojë për më mirë në Shqipërinë tonë — ndërkohë që presim dhe shpresojmë me të ndjerin Vaclav Havel, ndoshta më kot — “për një revolucion të vërtetë në sferën e ndërgjegjës së tyre njerëzore”. 

Frank Shkreli

FOTO DHE FJALIMET E PLOTA NGA PUNIMET E KONFERENCËS NË FAQEN FACEBOOK TË AUTORITETIT TË DOSJEVE—NJË MATERIAL SHUMË I PASUR DHE INFORMATIV PËR TË GJITHË ATA QË JANË TË INTERESUAR NË TEMËN: IMIGRACIONI POLITIK SHQIPTAR 1944-1991, FALË PUNËS SË MREKULLUESHME TË AIDSSH DHE ENTEVE TË TJERA BASHKPUNUESE NË ORGANIZIMIN E KONFERENCËS !

https://www.facebook.com/AutoritetiDosjeve/photos/pcb.2946199035432700/2946166725435931/?type=3&theater

Filed Under: Politike Tagged With: Brenda se vertetes

Ballafaqimi me diktaturën pas rënies së komunizmit

February 23, 2020 by dgreca

NGA ALMA LIÇO/

Kanë kaluar gati tre dekada nga rënia e regjimit, dhe shumë pak është bërë për të vlerësuar në aspektin historik dhe atë human, atë periudhë të tmerrshme, që shkatërroi jetët e qindra mijëra personave e familjeve të pafajshme. Këtë fakt dëshpërues evidentoi edhe Konferenca e disa ditëve më parë, me Tematikë “Ditët e Kujtesës”, organizuar nga IDMC, mbajtur në Tiranë në datat 13-21 shkurt .

Unë kam përvojën dhe opinionin tim lidhur me këtë mungesë të theksuar vullneti për rivlerësimin e asaj periudhe të errët dhe aspak të largët të historisë së vendit tonë. 

Së pari, do të thosha se për fat të keq pas rënies së regjimit, Shqipëria është qeverisur me të njejtën mendësi diktatoriale dhe përjashtuese ndaj kundërshtarëve politikë, madje kjo dukuri është prezente në nivelet më të larta drejtuese, nga të njejtët persona, bij ose familjarë të afërt të tyre.

Së dyti, dëshiroj të theksoj se nuk pati asnjë iniciativë apo angazhim shtetëror që të mbështeste rikthimin dhe riintegrimin e familjeve të internuara në vendet e origjinës. Të lënë në mëshirë të fatit, largimi nga vendi i internimit ishte një hap që çdo familje e ndërmori me forcat e veta.  Shumë prej tyre u strehuan në godina të pabanueshme, siç ishte rasti i ish-shkollës së Partisë së Punës. Cinik dhe fyes strehimi në atë ndërtesë të katandisur në gërmadhë, e cila në dhjetra vite kish përgatitur dhe nxjerrë kuadrot kriminalë të diktaturës. Disa familje mundën të strehohen tek të afërm, që me zemërgjërësi ju hapën dyert, si dhe një numër i konsiderueshëm, të pashpresë ndoqën rrugën e emigracionit. Madje ka ende  familje që në pamundësi fizike e ekonomike rikthimi, vazhdojnë të jetojnë në vendet e internimit. 

Vitet e para të post-komunizmit, me mbështetjen e disa donatorëve u ndërtuan një numër i kufizuar apartamentesh për strehimin e kësaj kategorie, tërësisht i papërfillshëm për nevojat imediate të tyre. Gjithashtu pati dhe një planifikim për trajtim me të drejta studimi të një numri të limituar të rinjsh që vinin nga kjo kategori të dënuarish. Pothuajse të gjithë këta të rinj  kishin lindur në internim.

Si fillim përpiqesha të justifikoja neglizhencën e theksuar ndaj kësaj shtrese. Mendoja se kjo ndodhte pasi Shqipëria ishte në varfëri ekstreme dhe pamundësi ekonomike për masa rehabilituese të atyre përmasave. Mirëpo nuk rezultoi që të ishte varfëria shkaku. Vitet në vijim dëshmuan një mungesë permanente vullneti për integrimin e të përndjekurve politikë, madje u punua për të përçarë dhe sabotuar çdo përpjekje të organizuar në kërkim të  të drejtave  të tyre. 

Rënia e regjimit u pasua nga zhgënjimi që solli mos bërja e drejtësisë për krimet e tmerrshme që përjetuan. Të cfilitur nga jeta, bashkëvuajtësit e mi, sigurisht ata që ende nuk ja kanë mbathur nga Shqipëria, po i zvarritin këto vite dyerve të gjykatave, në kërkim të një strehe, të një prone që nuk ka gjasa t’u kthehet kurrë, ose në pritje të lëmoshave të kompensimit të turpshëm e mjeran. Kam parë të moshuar që teksa shtrëngonin ca dokumente dhimbjeje në duar, kanë humbur ndjenjat në dyert e atyre zyrave. Kam përjetuar lotët e nënave të kampit të Tepelenës, që besonin se ligji që parashikonte dëmshpërblimin e tyre, do të zbatohej ndonjë ditë. Por kjo kurrë nuk ndodhi. 

Ende pas 30 viteve, ne ndjejmë nevojën e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare, proçes ky tejet i vonuar. 

Të obliguar nga marrëveshje ndërkombëtare, në muajin tetor të vitit 2006, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”, në votimin e së cilës, deputetët e Partisë Socialiste,  prej gati shtatë vitesh në pushtet, dolën nga salla duke e bojkotuar atë. Si rrjedhojë, pothuajse asnjë prej 17 pikave të saj nuk është realizuar, megjithëse kanë kaluar pothuajse  14 vjet nga koha e  miratimit.

Gjashtë vitet e fundit  situata është përkeqësuar më tej. Janë qindra ish të persekutuar të regjimit të flakur nga puna, pasi nuk janë militantë të partisë në pushtet. Kjo situatë përjashtuese dramatike kulmon  me kërcënimin me jetë të Drejtorit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, si dhe familjes së tij, me pasojë arratisjen e tyre, kërcënim ky për shkak të detyrës. Kërcënuesit nuk janë anonimë.  Ata janë figura të errëta që vijnë nga labirintet me kriminale të diktaturës, që për ironi dhe absurditet qëndrojnë ende në majë të pushtetit legjislativ, apo edhe institucioneve të tjera. Asnjë reagim nga sistemi i drejtësisë, ndërkohë që kërcënimi për shkak të detyrës, përbën vepër penale. 

Perspektiva paraqitet shumë e zymtë. Jemi kaq të vonuar në procesin e reformimit demokratik. Jemi kaq larg bërjes drejtësi për krimet e tmerrshme të diktaturës si dhe atyre që pasuan. Nuk kemi arritur ende të rishkruajmë në mënyrë të paanshme historinë e Shqipërisë të periudhës së komunizmit, bazuar në dokumente dhe dëshmitë e viktimave. Po edukojmë një brez të ri në konfuzion të plotë për këtë periudhë të errët të historisë. Si rrjedhim, po shkasim me shpejtësi marramendëse drejt një rregjimi autoritar, ku institucionet drejtohen në mënyrë arrogante e të korruptuar nga të njëjtët individë.  Rezultati…një popull i pashpresë,  në arrati.  Pa orientim.

Mbi të gjitha demokracia është shkallë qytetërimi…dhe ne jemi ende kaq larg.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alma LIÇO, pas renies se Komunizmit

PËRKUJTIMI I NGJARJEVE HISTORIKE, OBLIGIM KOMBËTAR E INSTITUCIONAL

February 23, 2020 by dgreca

Diskursi kulturor/

Në vendet e qytetëruara dhe me tradita demokratike përkujtimi i ngjarjëve historike është obligim i institucionëve shtetërore, në nivel lokal e kombëtar, duke formuar këshilla organizative me mbeshtetje financiare, me pjesëmarrje nga bota akademike e ajo intelektuale për të  vlerësuar të kaluarën e  duke dhënë mesazhe për të ardhmën

Nga Nail  Draga/

Nëse në kaluarën shqiptarët nuk kishin mundësi që të ishin unik në përkujtimin e jubileve të ngjarjëve kombëtare, nga viti 1990 e më pas, shqiptarët përjetuan rilindje të komunikimit që ishte i mohuar në kohën e monizmit, duke përkujtuar ngjarjët historike me organizime të ndryshme shkencore e kulturore, ashtu siç bëjnë kudo kombët e qytetëruara. Edhe pse në këtë aspekt mund të bëhën vërejtje të shumta, nga fakti së nuk ekziston një subjekt i tillë në nivel kombëtar, që do të punonte sipas programit të përkatës, janë realizuar organizime përkujtimore si nga institucionet qeveritare, por edhe nga subjektët e shoqërisë civile, me përkushtim profesional e kombëtar.

Ngjarjët jubilare në vitin 2020

Në këtë vit, nëse analizojmë datat jubilare del qartë së kemi të bëjmë me një numër të konsideruar të tyre, që veçohen me peshë në nivel kombëtar dhe lokal.

Nokshiqi, Gruda e Ulqini

Ky vit është jubilar, 140-vjetori i ngjarjëve të mëdha për shqiptarët në mbrojtje të trojëve shqiptare në organizim të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit. Fillimisht kemi të bëjmë me betejën e Nokshiqit(dhjetor 1879-janar 1880), ku forcat shqiptare arriten fitore kundër malazezëve, duke eliminuar vendimet e Kongresit të Berlinit, për dhënien e Plavë-Gucisë Malit të Zi, jashtë vullnetit të popullsisë shqiptare.

Në kompensim për Plavë-Guci Fuqitë e Mëdha  kishin vendosur  Malit të Zi ti dhurojnë Grudën dhe Hotin, ku me 22 prill 1880, forcat shqiptare të Ura e Rrzhanicës të lumi Cem, arritën fitore kundër forcave malazeze.

Duke parë së shqiptarët arritën fitore në betejat e luftës dhe së nuk respektonin vendimet e Fuqive të Mëdha, atëher ata bën presion kundër Perandorisë Osmane, që si kompensim Malit të Zi ti dhurohet qyteti i Ulqinit. Ndonëse edhe me këtë rast shqiptarët u organizuan dhe luftuan me aq mundësi sa kishin por u mundën nga   Perandoria Osmane, e cila me 26 nëntor 1880, nga presioni i Fuqive të Mëdha ia dorëzoi Malit të Zi, qytetin e Ulqinit.

Pikërisht këto ngjarje ishin shkak për organizimin e Akademisë përkujtimore kushtuar Luftës së Nokshiqit, organizuar me 8 janar 2020, në Pejë, organizuar nga Klubi i Intelektualëve nga Rugova, duke sfiduar institucionet buxhetore. Dhe një organizim i tillë në vete përmbledh edhe ngjarjet tjera nga ajo kohë, të cilat kanë peshë të veçantë në historinë kombëtare shqiptare.

Kongresi i Lushnjës

Në këtë vit kemi 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, ku ky përvjetor u shënua në Lushnjë më 27-28 janar 20202, nga subjekt i shoqërisë civile me emrin Akademia Alternative”Rrënjet tona”, duke organizuar Kuvendin Mbarëkombëtar me titull “Kongresi i Lushnjës-themelet e shtetit të sotëm Shqiptar”, më pjesëmarrje nga studiues profileve të ndryshme shkencore, nga hapësira mbarëkombëtare. Duke marrë parasysh së Kongresi i Lushnjës paraqet ngjarje me peshë të veçantë në historinë e re të Shtetit Shqiptar ka qenë e udhës të organizohej nga subjekte buxhetore qeveritare, duke i dhënë vlerën dhe peshën e duhur.

Por, si organizimi i mëhershëm në Pejë, edhe ky në Lushnjë u organizuan nga personat  e vullnetit qellim mirë, që duhet vlerësuar, por subjektët-institucionet shtetërore dështuan në mos organizimin e të tillëve, duke dëshmuar qasje joserioze profesionale  e institucionale.

Na mbetët të presim së a do të kemi  ndonjë ndryshim pozitiv për shënimin e 100-vjetorit të përvjetorëve tjerë në këtë vit që janë: Kongresi i Arsimit Kombëtar, Lufta e Vlorës, Lufta e Koplikut, por edhe të ndonjë ngjarje tjetër  në nivel kombëtar.

Mediat

Në lidhje më çështjet e tilla nuk ka dilemë së rol më rëndësi janë duke luajtur mediat, duke orfuar të dhëna më interes. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse mediat iu paraprijnë përkujtimit të ngjarjëve të ndryshme në nivelin lokal dhe ate kombëtar. Madje, janë mediat që kanë përkujtuar institucionet buxhetore për ngjarje të tilla, duke i nxitur të angazhohen konkretisht në këtë drejtim. Është çështje tjetër sa janë përfillur ata nga strukturat drejtuese të subjektëve në mjedisin përkatës. Nëse në të kaluarën çdo gjë ishte e dirigjuar së për cilat ngjarje duhet shkruar dhe botuar artikuj apo studime të ndryshme, në pluralizëm nuk ekzistojnë pengesa të tilla, por varët nga interesimi dhe angazhimi personal dhe profesional i të angazhuarëve në media.

Shoqëria civile

Në aspektin e organizimit të veprimtarive për përkujtimin e ngjarjëve historike rol kanë luajtur edhe subjektët nga shoqëria civile. Madje në shumë aspekte kanë tejkaluar subjektët buxhetore duke inicuar dhe organizuar përkujtimin e ngjarjëve jubilare. Dhe jo vetëm kaq, por janë botuar studime apo botime të veçanta për ngjarjët përkatëse, me pjesëmarrëje nga studiues të profileve të ndryshme shkencore. Një veprim i tillë ka mundur të realizohet pas rënies së sistemit monist, duke eliminuar paragjykimet  dhe aspektin ideologjik për personalitete dhe ngjarje të ndryshme. Madje në ato mjedise ku kanë hezituar subjektët buxhetore, qoftë në mungesë organizative, kadrovike apo financiare, subjektët nga shoqëria civile kanë tejkaluar mundësitë, duke realizuar veprimtari të dënja përkujtimore.

Në shoqëri dhe mjedise të konsoliduara mbeshtetja financiare  për veprimtaritë e tilla  duhet të jetë obligim  nga buxheti në nivel lokal apo shtetëror, por duke marrë parasysh mos kujdesin e duhur nga ata të cilët janë në stafet e tilla drejtuese, donatorët  mbesin e vetmja mundësi e organizimit të veprimtarive përkujtimore, shkencore e kulturore.

Mosshënimi i përvjetorit të  mbrojtjës së Shkodrës

Si në të kaluarën por edhe tash kemi pasur rast të dëgjojmë së në heshtje janë lënë përvjetorët e jubileve të ndryshëm, që paraqet dobësi institucionale e profesionale, që nuk mund të arsyetohet më asgjë. Në rastin konkret cekim një ngjarje me peshë kombëtare, e ajo konkretisht ka të bëjë me luftën gjashtë mujore në mbrojtje të Shkodrës.

Fjala është për vitin jubilar të 100-vjetorit të mbrojtjës së Shkodrës nga pushtuesit malazez e serb (1912-1913) ku më të drejt  është pritur të shënohet një përvjetor i tillë jubilar, qoftë në nivelin lokal apo shtetëror. Ndonëse kanë ekzituar disa ide të tilla, e ate kryesisht nga shoqëria civile, të personave qëllim mirë, përfundimisht nuk u realizu asnjë veprimtari e cila do të nderonte Shkodërn e tërë shqiptarët e Shqipërinë.

Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me luftën heroike të mbrojtjës së Shkodrës rreth gjashtë muaj(tetor-prill) me shumë heroizëm e sakrifica nga popullsia vendore e më gjerë, ka qenë e udhës të organizohej  më së paku një akademi përkujtimore, e sidomos një konferencë shkencore në nivel ndërkombëtar. Por, mos organizimi i shënimit të një përvjetori të tillë jubilar, nga Bashkia e Shkodrës, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Muzeu Historik apo subjekte të tjera, dëshmon dobësi profesionale, morale e kombëtare të strukturave udhëheqëse të subjektët e tilla, që nuk mund të arsyetohet më asgjë.

Por, ky nuk ishte rasti  i parë e  as i fundit, duke dëshmuar së në lidhje me këto çështje ka vazhduar pakujdësia e institucionëve përkatëse, për ngjarjët e tilla me peshë kombëtare.

Një organizim model nga Shkodra

Në lidhje me organizimin e veprimtarive shkencore e kulturore, si shëmbull model mund të shërbej  seminari “Shkodra në shekuj”, organizuar nga Muzeu Historik i Shkodrës dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” nga viti 1995-2002”. Ishte ky një organizim model për kohën, ku kanë marrë pjesë me qindra studiues profileve të ndryshme shkencore e kulturore, nga tërë hapësira etnogjeografike shqiptare, por edhe nga bota e jashtme. Organizimi i kësaj veprimtarie shkencore ishte meritë e studiuesit prof.Mentor Quku, duke dëshmuar përkushtim profesional, shoqëror e kolegial. Me një fjalë kishim të bënim me njeriun e duhur në kohën e duhur, që ishte model  jo vetëm për Shkodrën por tërë Shqipërinë. Por, me daljën e tij në pension përfundoj edhe kjo veprimtari shkencore, duke mos vazhduar tutje, ku si kujtim kanë mbetur vëllimet e veçanta të kësaj konferencë shkencore për vitët përkatëse.

Mungon subjekti në nivel kombëtar

Duke marrë parasysh se përkujtimi i ngjarjeve historike ka peshë të veçantë në aspektin shoqëror dhe kombëtar ka qenë e udhës të themelohet një subjekt i veçant në nivel kombëtar, sidomos në kohën e pluralizmit. Sepse na duhën  organizime të mirëfillta e jo improvizime sa për të thënë por me përkushtim profesional. Një subjekt i tillë duhet të ishte nën ingerencat e Kryemnistrisë  apo  të ndonjë ministrie, duke pasur program pune gjatë tërë vitit. Subjekti në fjalë do të kishte bashkëpunim me pushtetet lokale duke organizuar veprimtari të ndryshme përkujtimore. Po të ekzistonte një subjekt i tillë, nuk ishin anashkaluar e lënë në harresë ngjarje të ndryshme lokale, me peshë mbarëkombëtare. Një subjekt i tillë në programin e vet duhet të përfshinte edhe shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjeografike, pra me karakter mbarëkombëtar, duke eliminuar paragjykimet nga koha e ideologjisë moniste.

Përfundim

Në lidhje me çështjet e trajtuara më lart është e udhës të ndryshohet qasja ndaj ngjarjëve të tilla me peshë në historinë e popullit tonë, si në nivel lokal e ate kombëtar duke iu dhënë vendin e duhur me rastin e përvjetorëve të tyre jubilar. Qendrimi indiferent ndaj  ngjarjëve nga historia kombëtare është i pa pranueshëm dhe me pasoja  për kohën e tashme dhe në të ardhmën  sepse  do të akuzohemi nga pasardhësit tanë.

Përfundimisht duhet kuptuar se e kaluara nuk është vetëm histori ngjarjësh apo personalitetësh  por edhe vetëdije kombëtare, e cila është dëshmi e identitetit tonë kombëtar.  Andaj çdo gjë mbetet në ne, duke dëshmuar  përkushtim moral, kombëtar e profesional, sepse punët tona nuk do na i kryejnë të tjerët.

(Shkurt 2020)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga, obligim Kombetar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT