• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

DR. IRIDA MOLLA MD, NË FRONTIN E PARË TË BETEJËS ME COVID-19 NË CONNECTICUT, SHBA

March 24, 2020 by dgreca

Janë të shumtë mjekët shqiptaro-amerikan që punojnë në frontin e parë të betejës kundër COVID-19. Këtë radhë ne përzgjodhëm për intervistë një nga mjeket e dalluara, e cila ka lënë gjurmët e punës së saj të shkëlqyer kudo ku ka punuar si në New York, në Kentucky  dhe së fundi në Connecticut. Ajo është Dr. Irida Molla MD, mjeke Infeksioniste ( Infectious Disease Physician)

 në Middlesex Hospital në Middletown Connecticut. Ajo është në kontakt të përditshëm me të sëmurët me Coronavirus, merret me diagnostikimin, trajtimin e pacientëve të dyshuar dhe të konfirmuar me COVID-19, merret me koordinimin dhe menaxhimin e pacientëve dhe të kolegëve si dhe punonjësve të tjerë të spitalit, që kanë patur ekspozime të dyshuara për COVID-19.

Dr. Irida edhe pse është në ballë të betejës dhe të menaxhimit të pacientëve, gjeti kohë që t’iu përgjigjej pyetjeve të kryeredaktorit të gazetës Dielli, Dalip Greca.

Dielli- Si dhe sa jeni e përfshirë në betejë të Epidemisë Botërore të COVID-19?

Dr. Irida Molla- Personalisht jam e përfshirë direkt në frontin e parë në këtë betejë, duke marrë parasysh dhe specialitetin si mjeke infeksioniste. 

Jam në kontakt të përditshëm me të sëmurë me Coronavirus, me diagnostikimin, trajtimin e pacientëve të dyshuar dhe të konfirmuar me COVID-19. Gjithashtu puna ime përfshin dhe koordinimin dhe menaxhimin e pacientëve, kolegëve apo dhe punonjësve të tjerë në spital që kanë patur ekspozime të dyshuara për COVID-19.

Dielli- Ju jeni mjeke infeksioniste, çfarë konstatoni në ofensivën e koronavirusit?

Dr. Irida Molla- Ne kemi përpara një betejë të gjatë dhe të vështirë. Lufta me COVID është në fillimet e saj këtu në USA. Ofensiva kundër këtij virusi përfshin dy masa shumë të rëndësishme; së pari është identifikimi i rasteve pozitive, që mund të arrihet me rritjen e numrit të  testimeve. Kjo na jep mundësi të njohim shkallën e përhapjes së sëmundjes dhe menaxhimin e rasteve të prekura dhe të kontakteve të tyre në komunitet. Dhe së dyti, është distancimi social. Është e mirëstudiuar në disa vende në botë si një nga armët më efikase që kemi për momentin për të palandaluar përhapjen në komunitet. Çdo person, pa marrë parasysh moshën, gjendjen shëndetësore apo ekonomike-sociale duhet ta konsiderojë veten lehtësisht të prekshëm nga ky virus i ri. Spitalet dhe shërbimet shendetësore kanë një kapacitet të caktuar, dhe ky kapacitet mund të tejkalohet  nqs të gjithë kanë nevojë për shërbim spitalor në të njëjtën kohë, me të njejtin intensitet. Izolimi social, dhe qëndrimi në shtëpi ngadalëson përhapjen, dhe i jep mundësi spitaleve, mjekëve, personelit shëndetësor të përballojë ato raste që kanë nevojë për hospitalizim, dhe shërbim reanimator. 

Dielli – Si është shkalla e të infektuarve në shtetin e CT? Po në veçanti në Waterbury, ku jetojnë shumë shqiptarë?

Dr. Irida Molla- Shteti i Connecticut ka mbi 600 raste të konfimuara me COVID-19 deri tani, përfshirë dhe 12 vdekje. Ky numër parashikohet të rritet në ditët dhe javët në vazhdim. Duke qenë se në Connecticut ka një komunitet shqiptar të knosiderueshëm, raste të COVID-it në komunitetin shqiptar si në të gjithë komunitetet e tjera, janë të pritshme.  Përsa I përket Waterbury-t, deri më sot, numri I të infektuarve me COVID-19 eshte 27. 

Dielli- Si mjeke infeksioniste si e shihni kohëzgjatjen e kësaj panepidemie?

Dr. Irida Molla- Është e vështirë të bëhen parashikime të sakta. Situata është në zhvillim e sipër. Parashikimet janë që rastet do shtohen në  javët e ardhshme, kjo duke përfshirë edhe faktin e rritjes së numrit të testimeve në popullatë. Shpresa është që duke përdorur në masë testimin,duke vazhduar distancimin social me vetëizolimin, dhe masat parandaluese, të ulen sa më shumë ritmet e transmetimit në komunitet.

Dielli- Si mjekohen të infektuarit që janë me komplikacione?

Dr. Irida Molla- Pacientët me komplikacione, kryesisht ata me komplikacione respiratore, menaxhohen në reanimacion (terapi intensive), dhe disa kanë nevojë dhe për fymëmarrje të drejtuar.

Protokollet e trajtimeve të COVID-19 janë në  studim e sipër. Ka patur disa përparime shpresëdhënëse në këtë drejtim, të cilat jemi duke I përdorur aktualisht. Duke patur parasysh se jemi duke u përballur me një virus të ri, trajtime të ndryshme janë duke u studiuar në qendra të ndryshme nëpër botë, dhe shpresojmë që së afërmi të kemi rezultate dhe më konkrete. 

– Në NY, që shënon epiqendrën e krizës së epidemisë, spitalet kanë dhënë alarmin për pamjaftueshmërinë e hapësirave spitalore dhe mungesën e mjeteve mbrojtëse për personelet. Është e njëjta situatë tek ju?

Duke qenë se kjo është një situatë a paprecedentë, e pakaluar më parë, edhe spitalet janë ndodhur përpara një gjendje të papritur në lidhje me nevojën për hapësira spitalore dhe furnizime me maska dhe mjete mbrojtëse  për personelin. Këtu hyn roli i lidershipit dhe menaxhimit në nivel federal, dhe shtetëror për të asistuar spitalet me furnizimet aq të nevojshme dhe jetike për të përballuar këtë situatë. Mund të konstatoj se këtu në CT ka përpjekje të vazhdueshme nga spitali dhe lidershipët rajonalë për të mirëmanaxhuar burimet që kemi.

Dielli- Çfarë do tu këshillonit bashkadhetarëve tanë përms lexuesve të gazetës Dielli? Si të mbrohen?

Dr. Irida Molla- Këshilla ime, është që të gjithë duhet ta marrim seriozisht këtë situatë. Siç e përmenda dhe më lart,  çdokush duhet ta konsiderojë veten të prekshëm nga sëmundja, dhe kjo duhet të përkthehet në një përgjegjshmëri personale dhe kolektive për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të kësaj pandemie.  Nuk është koha për panik, dhe është e vërtetë që shumica e të prekurve, sidomos të rinjtë  do e kalojnë këtë infeksion pa symptoma ose me simptoma të lehta. Por rreziku që ky infeksion ti kalojë dikujt, të afërmëve ose të njohurëve tanë që nuk do të jenë në gjendje ti mbijetojnë dot , është shumë real dhe  i lartë në këtë situatë pandemie.

Dielli -Faleminderit dr. Irida. Edhe pse ishit tepër e zënë, ju gjetët kohë tu përgjigjeshit pyetjeve të gazetës Dielli.

Dr. Irida Molla- Faleminderit Diellit!

24 Mars 2020

Filed Under: Emigracion Tagged With: Dalip Greca-Interviste, Dr.Irida Molla MD

VDES FËMIJA NËN 18 VJEÇ NË LOS ANGELES

March 24, 2020 by dgreca

Fëmija vdes nga koronavirusi në Los Angeles County, mendohet se konfirmohet për herë të parë një vdekja në SHBA nën 18 vjeç.

Një fëmijë ka vdekur nga koronavirus në Los Angeles County, thanë të martën zyrtarët e shëndetit publik vendas.

I mituri, mosha e saktë e të cilit nuk u bë e njohur, jetonte në qytetin e Lancaster, rreth 60 milje në veri-perëndim të qendrës së Los Angeles.

Vdekja besohet të jetë e para për një rast të konfirmuar COVID-19, që përfshin një të mitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

        Humbja e jetës së fëmijës është “një kujtesë shkatërruese që COVID-19 infekton njerëz të të gjitha moshave,” tha Barbara Ferrer, drejtoreshë e Departamentit të Shëndetit Publik të Los Angeles County, gjatë një fjalimi publik të martën.

“Jam vërtet e trishtuar për të raportuar katër vdekje shtesë sot,” tha ajo. “Në mënyrë tragjike, një nga personat që vdiq ishte një fëmijë nën moshën 18 vjeç.”

Ajo informoi se numri i rasteve të konfirmuara në qark u rrit me 128. Në përgjithësi, qarku deri të martën shënonte 662 raste të konfirmuara të koronavirusit dhe ka pësuar 11 vdekje, tha ajo.

“Këta janë numra të vështirë për t’u raportuar, sepse pas këtyre numrave janë familjet dhe miqtë që janë duke përjetuar humbje të tmerrshme,” tha Ferrer.

Ajo tha se 42% e rasteve të konfirmuara në qark ishin pacientë më të rinj se 40 vjeç.(Dielli)

Filed Under: Kronike Tagged With: Losangeles, nen 18 vjeç, Vdes femija

TABLO E ZYMTË PËR NEW YORK-un: 25.656 TË INFEKTUAR, 210 VIKTIMA

March 24, 2020 by dgreca

– Guvernatori Cuomo kritikoi ashpër qeverinë federale për dërgimin e një dërgesë simbolike, vetëm 400 ventilatorë, kur shtetit i duhen 30,000. Ai tha se ky është një dënim me vdekje për të sëmurët Njujorkezë….”Ju zgjidhni 26,000 personat që do të vdesin,” tha ai duke akuzuar hapur shtetin federal.

Përgatiti:Dalip Greca/

Guvernatori i NY Andrew Cuomo me zemërim kërkon ndihmë nga shteti federal, duke dhënë alarmin për situatën e krijuar.

Guvernatori Cuomo ofroi një tablo të zymtë në pandeminë e shpërthimit të koronavirusit të martën,24 mars, duke thënë se New Yorku është nën kontrollin e një “goditjeje” të frikshme dhe ka shënuar 25.665 të infektuar dhe 210 të vdekur.

Duke folur në Javits Center në Manhattan, ai tha se:”Shkalla e rritjes së infeksionit po dyfishohet çdo tre ditë,” tha Cuomo. “Kurba është në të vërtetë në rritje.”

New York City kishte 14,776 raste COVID dhe 131 vdekje që nga mëngjesi i së martës, sipas zyrës së kryebashkiakut de Blasio. Queens pati shumicën e rasteve nga çdo bashki – 4,364 – e ndjekur nga Brooklyn, 4,237; Manhattan, 2,887; Bronx, 2,328; dhe Staten Island, 935.

Guvernatori paralajmëroi se përpjekjet për të përmirësuar virusin deri më tani nuk po e ndalin ofensivën.Ai kritikoi ashpër qeverinë federale për dërgimin e një dërgesë simbolike, vetëm 400 ventilatorë, kur shtetit i duhen 30,000. Ai tha se ky është një dënim me vdekje për të sëmurët Njujorkezë.”Ju zgjidhni 26,000 personat që do të vdesin,” tha ai duke akuzuar hapur federalin.

Zëvendës Presidenti Mike Pence tha më vonë se 2,000 ventilatorë po dërgoheshin të martën dhe 2,000 të tjerë të Mërkurën.

Duke kritikuar ashpër Presidentin Trump, guvernatori Cuomo tha se Nju Jorku nuk ishte i gatshëm të rrezikojë jetën e njerëzve të moshuar.

“Ne do të luftojmë për çdo gjë që mundemi për të shpëtuar çdo jetë që mundemi sepse kjo është ajo që, mendoj, do të thotë të jesh amerikan. 

Cuomo tha që është mirë që banorët e New York City kanë filluar të tërheqin vëmendjen e paralajmërimeve për të kufizuar ndërveprimin social dhe për të qëndruar jashtë rrugëve.

Por ai pranoi se masat ende nuk funksionojnë.

Tani New York do të ketë nevojë për rreth 140,000 shtretër spitalor, nga 110,000 të vlerësuar më parë. Tani ka vetëm rreth 50,000 shtretër spitalorë.

Cuomo u bëri përgëzime punonjësve të mjekësisë, policisë, zjarrfikësve dhe punonjësve të transportit të New York-ut, të cilët po vënë jetën e tyre në rrezik çdo ditë.

Përveç testimit të paralajmëruar më parë të ilaçit anti-malarie hidroksilklorine, Departamenti i Shëndetësisë i shtetit po eksperimenton me injektimin e plazmës nga personat e infektuar tek njerëzit e tjerë që “luftojnë” me sëmundjen për të parë nëse “antitrupat bëjnë efekt”, tha Cuomo.

New York-u do të eksperimentojë ndarjen e një ventilatori midis dy pacientëve, një procedurë “e vështirë për t’u kryer”, tha Cuomo, duke shtuar, “Domosdoshmëria është nëna e shpikjes.”

Cuomo përsëriti thirrjet për qeverinë federale të përdorë Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes për të detyruar prodhuesit të prodhojnë ventilatorë dhe të dërgojnë ventilatorë nga rezervat federale së paku 20,000 në New York.

Guvernatori tërhoqi vëmendjen se Nju Jorku është duke u goditur  ashpër nga coronavirusi dhe se është në majën e kurbës së sëmundjes. Por shtetet e tjera ka të ngjarë të shohin të njëjtin problem së shpejti.

“Unë po ju kërkoj të ndihmoni Nju Jorkun, të ndihmoni veten,” tha guvernatori, duke iu drejtuar kombit. Merruni me Nju Jorkun se këtu është kulmi i krizës. Le të ndihmojmë njëri-tjetrin, lëshoi thirrjen guvernatorin.

Cuomo, replikoi me Presidentin Trump, i cili ka kërkuar që shteti të rifillojë riprodhimin ekonomik. Nuk do të vemë dollarët para jetës së njerëzve, komentoi guvernatori.

“Nëse i kërkoni popullit amerikan të zgjedhë midis shëndetit publik dhe ekonomisë, nuk është sfidë … Asnjë amerikan nuk do të thotë se sa ia vlen jeta.”

Cuomo u përkrah nga Gjeneral Patrick Murphy dhe Gjeneral Major Raymond Shields, të cilët ai i lavdëroi si udhëheqës të aftë në kohë krize.

Ai portretizoi veten si një udhëheqës dhe një ushtar në luftën pandemike.

Filed Under: Featured Tagged With: Nju Jork, Tablo e zymte

NA VODHËN RININË

March 24, 2020 by dgreca

NGA PELLUMB LAMAJ*/

Kish filluar të binte dëbora e parë.Ashtu dalë ngadalë dhe e qetë floktonte nga retë duke mbuluar rrugicat e ngushta ndërmjet kapanoneve prej druri, catitë e kodrat e zymta që rrethonin Luginën e Vdekjes me emrin Spac, ku qenie të pafajshme të kryqëzuara padrejtësisht nga mendja djallëzore e shpirti kriminal të njeriut, dergjeshin aty me dekada të harruara dhe nga vet Zoti.

Perdja e bardhë vallëzonte nën dritat e prozhektorëve të ushtarëve drejtuar nga ne dhe telat me gjemba ,që më parë gërvishnin qiellin ,nuk dalloheshin më.Herë pas here ushtarët shkrepnin nga një fishek drite për të na treguar se na kishin nën shenjë,dhe drita e tyre merrte pamjen e një vetëtime që sytë tanë të lodhur drejt qiellit e prisnim me kohë.

Pasi hëngrëm copën e bukës dhe gotën e cajës,bashkë me një mikun tim që dergjej burgjeve për tre dekada nisëm të bëjmë xhiron e zakonshme të darkës në hapësirën e kapanoneve.Dëbora zbriste nga,retë,ledhatonte kokat tona dhe trashte e patrazuar dhe magjishëm shtresën e bardhë ku ne zvarrisnim opingat e llastikut.

Bëmë disa xhiro dhe i ngazëllyer nga bukuria që kishte ndryshuar pamjen e zymtë e të zezë të kampit ,ndalova hapin dhe ju drejtova mikut tim;

Sa bukur…..Këtë s’na e ndalojnë dot barbarët !

E pashë që ai u ngrys e pas disa hapash ndaloi ,drodhi një cigare,e ndezi e pasi e thithi dy tre herë mu drejtua ;

Pëllumb a e di ti krimin më të madh që hijenat e kuqe kryen ndaj nesh ?

E vështrova gjatë,ngrita supet dhe për momentin s’dija c’ti thoja.Krimet ishin aq të shumta e makabre sa dhe vet ne kishim filluar të mos i besonim.

Bëmë dhe disa hapa dhe pastaj mu drejtua me shikimin hedhur larg,tej telave me gjëmba ndoshta i mbërthyer nga ndonjë muzë e castit që vinte ti ndizte shpirtin.

Krimi më i madh është se na vodhën dhe na vranë të drejtën hyjnore për të dashuruar.Ti je i ri ,plot energji e zjarr do ta prekësh lirinë, por ne…… – dhe pasi thithi fort cigaren lëshoi një re tymi që ju bashkuan flokëve të dëborës që vazhdonte të binte e patrazuar dhe e qetë. 

Vazhduam xhiron dhe pas pak ndaloi sërish dhe mu drejtua ;

Ti je ri dhe shkruan, por mbi të gjitha të shkruash për ty është dhe detyrë.Tregoi botës një ditë për ne… për ne që u kryqëzuam këtu vetëm e vetëm se donim të bukurën.

Në cast u dëgjua britma e policit që lajmëronte që të futeshim nëpër kapanone.I thamë natën e mirë njeri tjetrit e u shpërndam.Shkova pranë krevatit të kashtës dhe nisa të rrotullohem majtas e djathtas . Fjalët e tij më binin si daulle e s’më ndaheshin për asnjë cast.Në sytë e tij që ende shkëlqenin,në gjoksin e tij plot gulcim e në fytyrën plot rrudha,atë natë të gjatë e të pafund, preka nga afër krimin më të madh të të gjithë krimeve.Nuk di sa kohë kaloi ashtu dhe vetëm gërhitjet dhe ndonjë britmë nga ndonjë ëndërr e keqe e ndonjë fatkeqi, më zgjoi nga ai vegim.Mora letrën e ashtu zemërthyer nga ato që më tha miku im hodha në letër disa vargje …….

Ishte herët në mëngjes kur u dëgjua britma e tellallit dhe policit që bënte zgjimin. ,Jashtëëë!  Gjithçka ishte mbuluar nga velloja e bardhë e dëborës.E mora letrën e futa në xhep dhe pasi mbaruam një nga një nevojat personale duke pritur në rradhë ,u nisa te sporteli i mencës për të marrë supën. Mbaruam mëngjesin dhe pas pak na urdhëruan të futeshim në sallën e leximit kur bëhej leximi i veprave të diktatorit.Para se të futeshim brenda ,i zgjata letrën mikut tim.Ai e mori dhe e futi menjëherë në xhep.

Do ta lexoj më vonë – më tha – se po më kapën – më kalbën në qeli.

Tej telave me gjemba një vegim rinie
C’më zhduku sonte monotoninë 
Me c’zjarr e afsh m’rrëmbeu n’ato ije
Ku muz’ e plagosur kërkon arratinë

Ishte Dita e Verës e lulet vallëzonin
Hijenat e kuqe më vodhën rininë
Më këputën,më ndanë nga lulet e tjera 
E më flakën të vyshkesha në errësirë. 

I gjithë në rrjetë u katandis globi
Detrat, oqeanet, qielli vet’
Vall’ si duron Zoti tek sheh nga sipër
Si kryqëzohen e shuhen bijtë e vet. 

*DITARI I BURGUT Spac 1983

Filed Under: Politike Tagged With: Pellumb Lamaj

NËNKRYETARI I VATRËS ERVIN DINE, I PËRFSHIRË NË BETEJËN KUNDËR KORONAVIRUSIT

March 24, 2020 by dgreca

Ervin Dine, nënkryetar i Vatrës, në bisedën online me editorin e Diellit, tregon se si po e përballon situatën e krizës të shkaktuar nga COVID-19, pasi kompania e tij është e përfshirë në listën e guvernatoreve të shteteve si “essential services”, dhe si të tillë ka kontrata me qeverine lokale dhe atë federale. Si po e përballon këtë situatë familja e tij? Po në jetën e Ervinit cfarë ka ndryshuar?  Cili është mesazhi i tij për bashkatdhetarët në Shqipëri dhe në diasporë? Ndiqeni bisedën:

Dielli: Si është gejndja shëndetsore e familjes Dine në këtë kohë të ngarkuar me shqetësim prej Coronavirusit?  

Ervin Dine: Gjëndja shëndetësore e familjes është përgjethsisht mirë. Jemi munduar të ndjekim rregullat e qeverisë lokale aq sa mundemi. Me fëmijët në shtëpi është pak më e vështirë, sepse ata kanë energji dhe nevojë për të dalë. Në këtë kohë, kur nuk ka shumë informacion rreth virusit, është më mirë të jemi të sigurt, se sa të bëjmë eksperimente.

Dielli: Janë të mbyllur familjarët tuaj apo vazhdojnë e dalin?

Ervin Dine: Si e permenda, jemi përpjekur të ndjekim rregullat aq sa kemi mundur. Fëmijët dhe babai që është në moshë, kanë qëndruar në shtepi. Ndërsa unë kam dalë më tepër për nevoja të domosdoshme, si është furnizimi me ushqim dhe për punë. 

Dielli: Tash ju jeni zhvendosur nga Connecticut në New York. Është e njëta kompani dhe çfarë ka ndryshuar në pozicionin tuaj.

Ervin Dine: Po, është e njëjta kompani. Duke qenë se kompania nuk kishte të implementuar një treg në këtë zonë, ishte përgjegjësia ime të vihesha në lëvizje me një grup njerëzish për të ndërtuar një të tillë. Ashtu si edhe dihet, Nju Jorku dhe Kalifornia kanë tregun më të madh në Amerikë, kjo sjell dhe përgjegjësi më të madhe. Së fundmi, kemi qenë në bisedim e sipër për të ripunuar kontratën me Amazonën, e cila për shkak të COVID-19, do të rishikohet mbas përmirësimit të situatës. Sidoqoft, eksperienca ime në Connecticut ka qenë e veçantë dhe sfiduese. 

Dielli: Ju jeni pjesë e betejës kundër coronavirusit, në ç’mënyrë?

Ervin Dine: Kompania jonë konsiston në transportin gjithëpërfshirës, duke filluar nga makinat me qira për përdorim personal, makina udhëtimesh për biznese të mëdha, kamiona transportues, etj. Jemi përfshirë në listën e guvernatoreve të shteteve si “essential services”, dhe si të tillë kemi kontrata me qeverine lokale dhe ate federale. Gjithashtu, kemi kontrata me kompani të mëdha për transportin e ushqimeve dhe mjeteve të domosdoshme gjatë periudhës së karantinës. Ndër të tjera, kemi filluar bisedimet me kompani shëndetësore të cilat kanë nevoja të mëdha për mjete transporti. 

Dielli: Keni në kompani raste të infektuarish apo të dyshuar si mbartës të COVID-19?

Ervin Dine: Deri në momentin që flas nuk kemi as një punonjës të infektuar. Kemi marrë të gjitha masat e njevojshme për të reduktuar ekspozimin ndaj coronavirus, përfshi dhënien e lejës për të qëndruar në shtëpi punonjësve të cilët shfaqin shenja si, temperaturë apo lodhje. Gjithashtu, po ndjekim direktivat e mjekëve për distancimn social, kemi bër dezinfektim total të ambienteve të kompanisë dhe kemi pajisur të gjithë punonjësit me Skype për të realizuar mbledhje dhe takime virtuale me klientët. Gjithashtu, kemi kërkuar nga qendrat shëndetësore të testojmë punonjësit, por ka rezultuar në kërkesë negative, pasi ata nuk kanë shfaqur shenja. Ftakeqësisht rreziku ekziston pasi çdokush mund të jetë mbartës potencial i virusit. 

Dielli: Po vetë Ervini, sa i rrezikuar ndjehet?

Ervin Dine: Pavarësiht se ndihem i shëndetshëm dhe me një sitem imun të fortë, më shqetëson fakti që mund të jem mbartës dhe shkak për infektimin e familjarëve të tjerë. Sidoqoft, situata ka shkaktuar impakt të madh psikologjik, saqë çdo dhimbje koke ose kollë e shikojmë si një shenjë të koronavirusit. 

Dielli: Duke u kthyer tek familja juaj, si ndjehen pjestarët e familjes tuaj në izolimin e diktuar, në mbylljen në shtëpi? 

Ervin Dine: Izolimi nuk është ideal për askënd, por një kohë kur rreziku është i madh, është i domozdoshmë. Problemi më i madh për familjen time janë dy vajzat e vogla, të cilat janë energjike dhe të vështira për t’u kontrolluar në ambiente shtëpie. Me mbylljen e parqeve është berë akoma edhe më e vështirë, dhe dalja në oborrin e shtëpisë është e vejtmja mundësi. 

Dielli: Te cfar forme jane kontaktet e tanishme me miqte?

Ervin Dine: Fatkeqesisht na ka limituar në përdorim telefonash dhe kamera. Pas lëvizjes sime në NY, kam gjetur gjithmonë kohën të ndaloj në Bronx dhe ndaj një kafe me miq të mirë si, editori Dalip Greca, Mark Mernacaj, Dritan Mishto, Agustin Mirakajn etj. Ndërsa me Ilirjan Blloshmin, i cili jeton në NJ, kafet kanë qenë më të shpeshta. Gjatë kësaj periudhe nuk kam mundur t’i takoj. Gjithashtu, kam qënë në kontakt të vazhdushëm më grupin që po punonë për degën e Manhattan.Telefonatat nuk kan munguar as me editorin e gazetës. 

Dielli: Së fundi, a i frikeni “armikut” të padukshëm COVID-19?

Ervin Dine: Në ushtri ekziston një thenië; “nëse një njeri të thotë nuk kam frikë, po të gënjen, sepse çdokush në mënyrën e vetë ka frikë, por e rëndësishme është si e përballon frikën”. Në këtë rast armiku është i panjohur, gjë e cila vështirëson mundësit për të krijuar strategji për ta luftuar. Strategjia më e mirë për momentin është izolimi dhe shpresa tek Zoti se, doktorët dhe shkencëtarët do munden të gjejnë kurën e duhur. 

Dielli: Çfarë do t’u këshillonit bashkatdhetarëve në përgjithësi dhe vatranëve në veçanti në këtë situatë?

Ervin Dine: Së pari, për bashkatdhetarët në Shqipëri ndjej një dhimbje të madhe, jo vetëm sepse sapo u përballën me një situatë të vështirë si ishte ajo e tërmetit, por edhe për shkak të qeverisë, e cila nuk po bën përgatitjet minimale për të përballuar situatën. Mendoj se, nuk është koha për të bërë politikë, nuk është koha për ndasime, por koha të ruajmë veten dhe familjen. Bashkatdhetarëve ju bëj thirrje të qëndrojnë brënda, të rrespektojnë rregullat të përcaktuara nga institucionet në Shqipëri, pavarsisht se kush i drejton aktualisht këto institucione. Sistemi ynë shëndetësor është në një gjëndje të mjerushme dhe nuk ka kapacitetin të përballojnë një situatë emergjencie ndërkombetare, ndaj e vetmaj zgjidhje për momentin është të qëndrojnë në shtëpi. Ndërsa për vatranët e nderuar, ju uroj shëndet dhe këshilloj të ndejkin rregulloren e vendosur nga autoritetet. Uroj që kjo situatë të përfundoj sa më shpejtën dhe të mund të shihemi sa më shpejt për mbledhjet dhe progamet e Vatrës. 

Bisedoi:Dalip GRECA

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Ervin Dine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT