• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

DITA E VERES NE KOHEN E KORONAVIRUSIT,TRADITA VAZHDON NE SHTEPI

March 14, 2020 by dgreca

Kosova si Shqipëria, sot  Dita e Verëzes-Verës/*

-Prej tre vitesh, Dita e Vërëzës festë zyrtare në Prizren, e vendosur nga Kuvendi i Kumunës – ide e kaherëshme e raportimeve që kam bërë shumë vite nga Kosova në Shqipëri. Në  23 shkurt 2017, në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit, kur u mor vendimi, u lexua shkrimi i vitit 1911 i personalitetit të madh të kombit shqiptar, Faik Konica “Ç’është dita e verës?”, ku theksonte: “Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romakët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve”/

 -“Ani mori Verë moj e lumja Verë – Ani dita e parë o ani e Pranverës o”. Këto janë vargje të këngëve që këndohen në këtë festë të Ditës së Verëzës… Të rinjtë ndezin zjarre “që t’i japin sa më shumë fuqi Diellit”/ 

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari-Me shume foto shihni ne fb Dielli vatra…

PRISHTINË, 14 Mars 2020/ Dita e Verëzës, si Dita e Verës në Elbasan – në Shqipëri në 14 Mars, është edhe në Kosovë në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim të ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës  në malet e Sharrit në lartësi mbi nivelin e detit mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.

Në Kosovë, edhe pse ka ide,  ende nuk ka organizime institucionale, për festimin e Ditës së Verëzës, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli. 

Ndërkohë, Dita e Vërëzës prej tre vitesh është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit të Kuvendit të Kumunës.

“Si festë tradicionale është e theksuar në fshatrat e Vërrinit, Lumës dhe të Opojës. Në 14 mars, fillon ripërtëritja e natyrës dhe si festë do ia shtonte atraktivitetin Prizrenit si qytet turistik”, u theksua me atë rast.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit në  23 shkurt 2017, kur u mor vendimi, u lexua shkrimi i vitit 1911 i personalitetit të madh të kombit shqiptar, Faik Konica “Ç’është dita e verës?”, ku theksonte se  “Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romakët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve”.

Në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në një raportim nga Kosova para 8 viteve,  në 14 mars 2012, shkruaja për idenë se, Elbasani mund të jetë shembull edhe për Prizrenin, për organizime institucionale në festimet e Ditës së Verëzes.

“Kjo pyetje juaj është një ide e mirë për të ardhmen”, tha atëherë koordinatori për kulturën në Komunën e Prizrenit, Urim Ukimeri, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka ide apo iniciativa që në qytetin më të madh jugor të Kosovës Dita e Verëzes të shënohet edhe me ndonjë organizim institucional, si në Elbasan.

Në foto arkivi të vitit 2010 shihet një fëmi në Opojë, ku në Ditën e Verëzes në dëborë me vezë të ngjyera është shkruar shkurtesa me shkronja të para të emrit në anglisht e Agjencisë kombetare-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – Albanian Telegraphic Agency – ATA, për të cilën prej mëse çerek shekulli, nga pranvera 1992, raportoja nga Kosova edhe për festimet e Ditës së Verëzes.

Ndërsa, para 24 viteve, në 18 mars 1996, në gazetën e përditshme të rezistencës “Bujku”, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i  parë i së cilës isha, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”,  i dërguar edhe në ATSH dhe që në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se është botuar, në 19 mars 1996, edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë,  mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 marsit.

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”.

Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes,  pasdite dhe në mbrëmje të rinjë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshëve, te krojet që nuk shterrojnë kurrë, mbledhin bimë, lule, drunj e  shkurre dëllinje, dhe ndezin zjarre.

Vezët e ziera e të lyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.

Në Ditën e Verëzës zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë.

Në drekën e Ditës së Verëzës në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.

Dita e Verëzës festohet nëpër familje, së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, e dashuri njerëzore.

Në këtë ditë që është e verës së re, ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallërimin,  kalimin nga dimri në pranverë.

Afër Prizrenit dhe në kufi me Shqipërinë, në rajonin e Vërrinit, në festime në fshatin Zhur, vezët e ziera i ngjyrosin fëmijët dhe bashkë me të rinjët dalin në zonat malore të afërta, ku mbledhin lulen e parë që lulëzon në pranverën e herëshme, luleborën.

Nënat zhurjane bëjnë gatimin tradicional, flinë, si dhe shumë gatime të tjera të veçanta për Ditën e Verëzës, që ështe edhe dita e vizitave të shumta mes të afërmëve dhe familjarëve.

“Ani mori Verë moj e lumja Verë

Ani dita e parë o ani e Pranverës o”.

Këto janë vargje të këngëve që këndohen në këtë festë të Ditës së Verëzës në Zhur, fshatin më të  madh të Kosovës afër vendkalimit drejt Shqipërisë në Vërmicë-Morin nëpër Autostradën e Kombit.

Verëzës i këndohet edhe në 13 mars – në mbrëmjen e pragditës së saj, derisa në çdo lagje të fshatit të rinjtë ndezin zjarre “që t’i japin sa më shumë fuqi Diellit”.

NË KOSOVË DITA E VERËS MOT ME SHI, NESËR EDHE DËBORË

   PRISHTINË, 14 Mars 2020-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë, sot në Ditën e Verës, festës së lashtë pagane iliro-shqiptare, do ketë mot me diell, por edhe vranësira e shi, e nesër edhe dëborë.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në njoftimin e dërguar parashikon:

Të shtunën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të cilat në pjesën e dytë të ditës do të shoqërohen me reshje shiu.

Të dielën do të ketë kushte që reshjet e shiut të shoqërohen edhe me dëborë, ndërsa në viset malore do të bie vetëm dëborë.

Temperaturat sot në 8 qytete të Kosovës: Prizren e Gjakovë 4 deri 11 gradë Celcius,  Prishtinë, Pejë e Gjilan 3 deri 10 gradë, Mitrovicë 4 deri 9 gradë, Podujevë e Ferizaj 2 deri 9 gradë.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Dita e Veres

PUBLIÇISTIKA E DOM LAZЁR SHANTOJЁS DHE NYJET E PAZGJIDHURA TË HISTORIOGRAFISЁ SHQIPTARE

March 14, 2020 by dgreca

(Në 15 – vjetorin e botimit të vëllimit “VEPRA” të Shantojës në kujdesin e Arben Markut, Niketa Stefës dhe Ardian Ndrecës),

Shkruan:Eugjen MERLIKA/

Më 5 mars  u mbushwn plot 75 vjet nga dita që u pushkatua martiri i parë i Kishës katolike shqiptare në erën komuniste, Dom Lazër Shantoja. Ishte arrestuar prej “çlirimtarëve” të Shqipërisë pak më shumë se dy muaj më parë. Në ata dy muaj kishte pësuar torturat më çnjerëzore që mund të merreshin me mënd. Trupi i gjymtuar, me gjymtyrët të sharruara, atë ditë marsi u hodh në një gropë pa emër, së bashku me atë të Sulçe Beg Bushatit.

            Kështu mbyllej qarku i jetës së njërit prej eruditëve më të spikatur të shoqërisë shqiptare, personaliteti i të cilit shquhej në shumë fusha të artit të letrave, duke dhënë një ndihmesë me të vërtetë të fuqishme në jetën kulturore të bashkatdhetarëve. Ai ishte bir i traditës katolike të Shkodrës, qytetit më përfaqësues në lëmin e kulturës shqiptare. U rrit e u formua, si njerí e si meshtar, në Institutin Papnuer të qytetit të tij e në universitetin e Insbrukut të Austrisë. Zu rrënjë e hodhi shtat në traditën e klerit katolik  që kishte patur rolin parësor në ruajtjen, kultivimin dhe përforcimin e identitetit kombëtar e të kulturës së shqiptarëve, në qindvjetorët e gjatë të pushtimit osman.

            Shantoja hyri me tërsëllimë në hullinë e gjërë të klerikëve intelektualë katolikë, të cilët që nga Buzuku, Bogdani, Bardhi e deri tek Fishta, Mjeda, Gjeçovi, Marlaskaj etj. zotëruan me personalitetin dhe veprimtarinë e tyre fetare e kulturore, në harkun kohor të shekujve, në sferën e qëndresës shqiptare ndaj rrezikut thërmues të pushtimit, duke përfaqësuar shtyllën kurrizore të kulturës dhe idesë kombëtare. Nëse institucionet fetare të krishtera në Evropën mesjetare pas romake patën meritën e njohur të ruajtjes së  vlerave të kulturës klasike të lashtësisë greko – romake nga rreziku i zhdukjes së tyre prej fiseve barbare, kisha katolike shqiptare në mesjetën tonë, që u zgjat deri në shekullin e njëzetë, mbajti mbi shpatulla elementet themelorë të ringjalljes së kombit shqiptar.

            Dom Lazër Shantoja, djalosh 24 vjeçar, i sapo shuguruar meshtar, emërohet sekretar i arqipeshkvit Imzot Lazër Mjeda. Këtu filloi veprimtaria e tij gati tridhjet vjeçare në shërbim të kishës, të kulturës e të shoqërisë shqiptare në periudhën e ngjeshur me ngjarje, të cilat përcaktuan ecurinë e krijimit e të forcimit të Shtetit të parë shqiptar të bashkuar. Veprimtaria e Shantojës, falë formimit të tij të pasur e të mirëfilltë intelektual, ishte e larmishme. Poet i lindur e prozator i arrirë, orator i paarritshëm e tribun i vërtetë politik, përkthyes nga më të talentuarit e letrave shqipe e njohës i thellë  i gjuhëve klasike dhe atyre kryesore evropiane, studjues i vëmendshëm i mendimit letrar, sociologjik e filozofik të elitave evropiane, Dom Lazër Shantoja u shqua në mënyrë të veçantë për ndihmesën e dhënë në fushën e publiçistikës e të mendimit shoqëror të dhjetëvjeçarëve të parë të qindvjetit njëzetë.

            Publiçistika e Shantojës ka bukurinë kristaline të një liqeni alpin, në të cilin derdhen rrëketë e rrëmbyeshme kur stuhitë rrahin malet përreth. Ato stuhì janë ngjarjet politike të jetuara në vetë të parë e të pasqyruara në artikujt e tij. Rrethi i vështrimit të autorit është mjaft i hapur e interesat e tij të shumanëshme vërtiten të gjitha rreth një ideje qëndrore që është credo-ja e tij: Atdheu, Shqipëria, zhvillimi i saj në rrugën e qytetërimit, në kahun Perëndimor. Ёshtë një ide e paluajtëshme e autorit, e miqve dhe bashkëluftëtarëve të tij, që ndriçon e i jep kuptim   jetëve të tyre që përshkojnë një morì shtigjesh, sakrificash e privacionesh të çdo lloji. Artikujt e tij i gjejmë të botuara në fletore të ndryshme  brënda e jashtë Shqipërisë e në to del në pah një personalitet poliedrik.

            Në ciklin e shkrimeve të botuara tek “Shkolla e re” të vitit 1921 spikat dëshira e autorit për të mbjellë tek bashkatdhetarët e tij parimet e qytetërimit, të atij të vërtetit që rrjedh nga mësimet e filozofëve dhe përvoja e njerëzimit në shekuj. Rrjeshtohen në këta shkrime parimet e edukatës, të moralit, të shoqërisë në shfaqjet e saj më të ndryshme si shkolla, puna, karierat, artet etj. Në to sillen shembuj të njerëzve të shquar, të rrugës së tyre të vështirë, të sukseseve, famës e arritjeve me të vetmin qëllim për të nxitur ambiciet fisnike të shqiptarëve që u duhej të ndërtonin gjithshka me duart e tyre. Me një stil të thjeshtë e bindës Shantoja do t’u thotë bashkatdhetarëve të tij, sidomos të rijve, se nuk ka kalà që nuk merret nëse njeriu ka vullnetin e dëshirën për të shkuar përpara. Janë mësime të vlefshme që i jepen një populli që sapo ka hyrë në rrugën e zhvillimit mbas shekujsh pushtimi të huaj që nuk e kishte ndihmuar aspak atë zhvillim. Autori bën pjesë në atë elitë të këtij populli që mundohet, me të gjitha mjetet, të nxisë në të kurreshtën, interesin, dëshirën për të shkuar përpara, për të vënë në provë zgjuarsinë, forcën e vullnetit, durimin, cilësi aq të domosdoshme për të kaluar vështirësitë e pengesat që koha dhe rrethanat historike vinin me shumicë para shqiptarëve. Nëpërmjet shembujve të shumë njerëzve të shquar, jeta e të cilëve kishte filluar në vështirësi të mëdha, por kishte përfunduar me suksese marramendëse në fusha të ndryshme të shkencës, artit apo politikës të kombeve të tyre, Shantoja përciell mesazhin e optimizmit, të besimit në forcën dhe qëndrueshmërinë e popullit të vet. Njëkohësisht ai u thotë shqiptarëve se asgjë nuk arrihet lehtë, se asgjë nuk dhurohet, por fitohet me mund, me djersë e me sakrifica. Në këtë rrugë të ringjalljes së kombit e të përpjekjeve për të ecur në gjurmët e popujve të qytetëruar secili duhet të bëjë pjesën e tij. Kjo vlen për brezat si për individët, për prijsit ashtu si dhe për qytetarët e thjeshtë.

            I krishterë e demokrat Dom Lazri mundohet të zhdukë paragjykimet e kastës, të racës së zgjedhur, të “familjeve të mira”, sidomos në sistemin e shkollave, në mendësitë e mësuesve që kanë një rol parësor në rrugën e zhvillimit të kombit. Prej dorës së tyre do të dalin ata që do të çojnë përpara Shqipërinë në të gjitha fushat, do të dalin administruesit dhe shtetarët, artistët dhe profesionistët, ajo elitë intelektuale që do të bëhet shtylla vertebrale e një shoqërije që duhet të synojë të djegë etapat, të fitojë kohën e humbur për të hyrë me të drejta të plota në rradhën e popujve të qytetëruar. Shqipërisë i duhen mësues që të jenë të vetëdijshëm për misionin madhor që i pret e që punën e tyre t’a shohin në prizmin jo të fitimit të çastit, por të dobisë  së t’ardhmes. Për autorin “ Âsht e dijtun se në këqyrëshin mësuesët vetëm me fitue kashatën e gojës, atbotë s’kanë për të pasë fitim tjetër veçse kashatën me zânë frymën e me mbajtë në veprim barkun; fitimet e vërteta, fitimet shpirtnore, ideale, kënaqa m’u njehë e me kênë ndër përparimprûesë t’atdheut, tue mbiellë nji farë qi nji ditë do të qesë fryte të madhnueshme, këto fitime duhet me pasë mësuesi ideal.”(f. 63)

            Mendimi i Shantojës i paraprin projektit të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, mbasi është në vetvete mjaft i përparuar në krahasim me mendësinë zotëruese të kohës. Ai fshikullon patriarkalizmin tradicional dhe mashkuellsinë karakteristike të botkuptimit shqiptar, këshillon tolerancën e respektin e mendimit, megjithëse koncepti për gruan nuk i shpëton mendësisë së kohës e bëhet i papranueshëm për stadin e zhvillimit të Shqipërisë së sotme.

            Problemet e ekonomisë shihen nën prizmin e mendësisë stataliste. Qeveria, Shteti duhet të jenë rregullatorë të ekonomisë, madje të përcaktojnë edhe drejtimin e mënyrën e funksionimit. Hasim në mendime proteksioniste që, në shikim të parë, shkojnë në favor të prodhuesve dhe blerësve shqiptarë, por që krijojnë një ekonomi të ngrirë e të mbyllur e cila, me kalimin e kohës, nuk ka aftësi zhvillimi.

            Shtypi, forca e tij, rëndësia, funksioni, ndikimi mbi shtetin e shoqërinë janë një tjetër temë e shkrimeve të Shantojës. Ai  është mjaft kritik, sidomos përsa i përket gjuhës së shkruar që, po të huazojmë një shprehje të Budit, “po bdaret e po bastardohet”. “ Mâ fort se asgjâ do të kritikojmë paaftësìn fenomenale të shumë shkrimtarve të cilët pà pregatitje studimesh marrin e shkruejn kryq e terthuer mbi çashtje për të cilat s’kan farë kompetence….. Perkundrazi kuer lypet me shqyrtue çashtjet mâ delikate të filozofìs, të moralit, të sociologìs, të gjithë duen me kên kompetenta, deri akshìt e kamerjerat… Ç’farë edukatet mûndet me i dhânë popullit t’onë nji shtyllë mbâjtun në kambë me mistrecat e pêndës, të nji pêndës shumë herë të shitme e partizane?…” (f.128) pyet me një zemërim të ligjshëm në faqet e “Orës së maleve” eruditi që kishte privilegjin të studjonte në gjuhët origjinale arritjet më të mira të kulturave të Perëndimit.        

            Shantoja ishte idhtar i shtypit të lirë e të pavarur, atij që ve në qendër të synimit paraqitjen e së vërtetës së paanëshme, një shtypi që nuk i nënështrohet forcës së parasë apo të pushtetit, sepse n’atë rast ai kthehet në të kundërtën e misionit të tij që është formimi i opinionit dhe njohja e lexuesit me rrjedhën e ngjarjeve të çdo dite. Interesi i tij rrok shumë sfera të jetës shqiptare e tematika e shkrimeve shtrihet pothuaj në gjithë gamën e dukurive të saj.

                                                                                                Vijon

Filed Under: Opinion Tagged With: Lazer Shatoja, Publicistika

NGA MACRON-I TEK BORISI (DUKE KALUAR NGA TRUMP-I): DREJTUESIT E FSHIKUR NGA VIRUSI

March 14, 2020 by dgreca

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Macroni, Trump, virusi

TE DHENA DHE MASA MBROJTESE NDAJ KORONAVIRUSIT

March 13, 2020 by dgreca

Dr. PASHKO CAMAJ*/ 

Sic jeni njoftuar nga mjetet e informimit dhe paralajmërimet nga Qendra Botërore e Shëndetit (WHO) si edhe nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) Koronavirusi tashmë është “Pandemi” pra ka arritur përhapje globale. Kjo situatë krijon shqetësime të reja dhe serioze. Sigurisht, ka shumë arsye për shqetësim pasi deri më tani janë regjistruar 130, 000 raste me Koronavirus, dhe rreth 4, 700 persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij infeksioni. Megjithatë, paniku nuk e ndalon infeksionin!  Këtu ju sjell disa të dhëna të cilat mund t’ju shërbejnë për informim edhe si sqarime të dobishme:

1-Tani për tani nuk ekziston vaksinë per ndalimin e infeksionit me COVID-19
2-Mënyra më e mirë e mbrojtes është mosekspozimi ndaj virusit.

Sipas informatave që posedojmë, virusi shpërndahet nge personi në person kryesisht në këto mënyra:
• nga kontaktet me njerëz të infektuar (në distancë 1.5 metra)
• përmes sekrecioneve nga kollitja apo teshtitja

Këto sekrecione mund të kalojnë nga një person tek tjetri përmes membranave të gojës, syve apo hundës si edhe përmes frymëmarrjes në mushkri.

Mënyra tjetër e shpërndarjes së virusit është kontakti me sipërfaqe të kontaminuara nga sekrecione që përmbajnë virus. Virusi mund të mbes ‘gjallë’ pra aktiv për disa orë në sipërfaqe të ndryshme me të cilat kemi kontakt. Prandaj, këto masa janë të domosdoshme:
-Larja e shpeshtë e duarve!
• Laji duart shpesh me sapun dhe ujë për 20 sekonda, në vecanti mbas qëndrimit në vende publike, mbas kollitjes apo teshtimës.
• Nëse jeni në vend ku nuk ka ujë dhe sapun, pastroni duart me xhel sanitar të  duarve që  përmban 60% alkohol
• Pastroni sipërfaqet mbi të cilat ka mundësi të kenë rënë sekrecione nga të infektuarit (alkohol ose klor për pastrime rrobash në kombinim 1:10 – 1 pjesë zbardhues dhe 9 pjesë ujë)
• Kurrsesi mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të papastra!  Kjo është mënyrë shumë efikase në ndalimin e infektimit dhe shpërndarjes së virusit!
• Nëse je i sëmurë, rri në izolim ose kërko ndihmë mjekësore. Për shumicën dërmuese, simptomat e sëmundjes janë të lehta.
• Për njerëzit e moshuar dhe ata që janë të sëmurë ose vuajnë nga sëmundje si diabeti, zemra, organet e frymëmarrjes, etj. kjo sëmundje infektive paraqet një rrezik të vecantë, dhe ata duhet të bëjnë shumë kujdes që të ruhen nga ekspozimi me këtë virus.
• Maskat nuk janë të rekomanduara për përdorim të përgjithshëm, ato mund të ndihmojnë nëse dikush është i sëmurë që mos të përhapin sëmundjen, ose për personat që kanë  në  ‘kujdestari’ persona të sëmurë (në spital apo shtëpi).
Dhe në fund, ju lutem ta shndërrojmë panikun në aksion serioz dhe konkret që secili prej nesh të mundohet ta ndaloj shpërndarjen e këtij infeksioni global dhe të paparë në botë që nga viti 1917/18 (gripi ‘spanjoll’).

  
Zoti na ndihmoftë të gjithëve!

  • Publikuar së pari në faqen e fb të Dr. Pashko Camaj

Filed Under: Komente Tagged With: dr. Pashko Camaj, koronovirusi

KORONAPANIKU

March 13, 2020 by dgreca

Nga Rafael Floqi/

-Virusi është këtu. Ka ardhur. Mos kini frikë!./

-Paniku masiv është po ashtu këtu. Po mbjell frikë./

A keni frikë nga infektimi prej koronavirusit? A jeni të shqetësuar, nëse s’jeni përgatitur siç duhet, për ardhjen e tij? Ju jeni tani në shoqëri me plot njerëz të tjerë të lebetitur. Në të gjithë vendin, njerëzit po grumbullojnë ushqime, në pritje të mungesave ose të vetë karantinës. Desinfektantët e duarve “Purell”, fluturuan nga raftet, në gjitha farmacitë lokale, dhe tani është e vështirë për t’i gjetur, dhe në Wallmart apo Cosco dhe, madje janë të padisponueshme për t’u gjetur edhe në Internet. Nëse kërkoje dje në Amazon, thuhej se mund të vinin me 7 Prill. Kjo më kujtoi një ditë tjetër të largët paniku, kur Durrësi sulmoi portin më 1997, dhe njerëzit turreshin të rrëmbenin një thes me miell, për në shtëpi. Kuptohet nuk i dihej së nesërmes. 

Unë e kuptoj impulsin e një personi, për t’u siguruar përballë një kërcënimi që e njeh. Por kur objekti i frikës është një pandemi, atëherë ne të gjithë jemi të humbur në këtë sfidë, të gjitha bastet janë të humbura. 

Presidenti Donald Trump njoftoi të Premten, një seri të re masash për të luftuar koronavirusin dhe trajtimin e atyre që preken. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë në Rose Garden, Trump shpalli një emergjencë kombëtare që mund të çlirojë 50 miliardë dollarë për të ndihmuar në luftimin e pandemisë dhe tha se ai po fuqizonte sekretarin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të hiqte dorë nga disa ligje dhe rregullore për të siguruar që virusi të mund të përmbahej dhe pacientët të trajtoheshin.

 “Për të çliruar fuqinë e plotë të qeverisë federale … Unë po deklaroj zyrtarisht një emergjencë kombëtare,” tha Trumpi.”Dy fjalë shumë të mëdha,” shtoi ai. Trump tha se aksioni do të “hapë mundësi qasjen e fondeve ” deri në 50 miliardë dollarë “për shtetet dhe territoret dhe lokalitetet, në luftën tonë të përbashkët kundër kësaj sëmundje”. I shoqëruar nga Zëvendës Presidenti Mike Pence, Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar dhe zyrtarë të tjerë të lartë federalë dhe drejtues të korporatave nga kompani të tilla si Walmart, Trump tha se aftësia për të hequr dorë nga disa ligje dhe rregullore të caktuara do të lejonte pranimin më të lehtë të të sëmurëve në nevojë, në shtëpitë e pleqve dhe do hiqte kufijtë fundorë për gjatësinë e qëndrimeve në spital dhe numrin e shtretërve në dispozicion të tyre.

Por në këtë rast, ekziston vërtet vetëm një arsye për alarm.  Koronavirusi është një rrezik i pasigurt dhe i paparashikueshëm. Kjo me të vërtetë na tërheq vëmendjen, sepse ne jemi mësuar nga evolucioni për t’u përgjigjur në mënyrë agresive kërcënimeve të reja ndaj jetës. Ai është instinkti kryesor i njeriut. Në fund të fundit, është më e sigurt që të mbijetoni me të panjohurën, sesa të bëni diçka për ta luftuar atë.

Fatkeqësisht, kjo do të thotë që ne priremi të mbivlerësojmë rrezikun e kërcënimeve të reja. Unë mund t’ju citoj statistika, deri sa të më merret fryma, duke ju demonstruar, se rreziku për të vdekur nga koronavirusi është më i vogël, në krahasim me rrezikun për të vdekur nga kërcënimet e përditshme, por dyshoj se ju do të pranonit që jeni më të sigurt. Për shembull, sipas Qendrave të ndryshme për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, 169,000 amerikanë vdiqën nga aksidentet dhe 648,000 vdiqën nga sëmundjet e zemrës në vitin 2017, s.  Kurse, deri sot ka 41 të vdekur dhe 1629  amerikanë të infektuar nga koronavirusi.

Nuk duhet të kemi frikë nga COVID-19.  Por duhet të jemi të shqetësuar për implikimet e një agjenti infektues të ri që është përhapur në të gjithë botën dhe që vazhdon të gjejë shtigje të reja në vende të ndryshme si në SHBA dhe në Shqipëri e Kosovë , Italia apo Kinë.  Njerëzit duhet ta marrin seriozisht COVID-19, sepse aftësia e tij për të infektuar njerëzit është më e lartë sesa gripi. Ndërsa 80% e atyre që sëmuren do të kenë simptoma të buta, pjesa tjetër mund të ketë komplikime serioze apo edhe mund të vdesë. Por vetëm 1 për qind e të infektuarve vdesin.

Unë me të drejtë jam i shqetësuar për mirëqenien e atyre që janë të moshuar, në gjendje të dobët shëndetësore ose të pafuqishëm, ndoshta dhe për vete, pasi vuaj nga diabeti. Por jam për ndjeshmëri për ata të cilët mund të vuajnë, më së shumti, dhe në mënyrë disproporcionale, por ndoshta më shumë në duart e këtij paniku të ri. 

Po kam pse i druhem  COVID-19. Por ajo nga e cila unë kam frikë më tepër është humbja e arsyes dhe vala e frikës që i ka nxitur masat e shoqërisë drejt një spirale magjepsëse të paniku kolektiv, për të grumbulluar e sasi të pahijshme të çdo malli që mund të mbahet në shtëpi si në një magazinë një strehimi  antiatomik, si të jemi në një botë post apokaliptike “dum day”. 

Kam frikë nga maskat, që janë vjedhur nga spitalet dhe klinikat e kujdesit të urgjencës, nga ato me skadencë apo jo,  ku në të vërtetë janë të nevojshme për ofruesit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe në vend të tyre po dhurohen në aeroporte, qendra dhe salla kafeje, duke përjetësuar edhe më shumë frikë dhe dyshimin e njerëzve të tjerë. Kam frikë se spitalet tona do të mbingarkohen me këdo që mendon se “ata me siguri nuk e kanë virusin por gjithashtu mund të kontrollohen pa marrë parasysh se sepse thjesht nuk do dinë kurrë …” se ata po pengojnë ata me atak zemre, emfizema, pneumonia dhe çdo sëmundje tjetër dhe do të bllokojnë dhomat e pritjes të mbingarkuara të Urgjencës dhe do bllokojnë kaq shumë mjekë dhe infermierë që duhen për t’i vizituar ata.

Kam frikë se kufizimet e udhëtimit do të bëhen më të mëdha sa deri tani, se dasmat do të anulohen, ceremonitë e diplomimeve do të humbasin, tubimet familjare nuk do të mbahen. Dhe, madje, as ajo festë e madhe e quajtur Lojërat Olimpike do të shtyhet.

Arsyeja që kjo ndoshta nuk ju bën të ndjeheni më mirë është e thjeshtë.  Ashtu siç ne priremi të supozojmë më të keqen, rreth kërcënimeve në linjën e intrigës së një romani – strategjia më e sigurt, nëse jo më statistikisht e justifikueshme, është që ne kemi tendencë të nënvlerësojmë riskun e kërcënimeve të njohura, sepse janë të zakonshme për ne. Por ne nuk jemi shumë racionalë, kur bëhet fjala për vlerësimin e rrezikut të panjohur.

Lajmi i mirë është se edhe përballë frikës, ne duhet të kemi aftësinë të veprojmë në mënyrë të tillë, që të ndihmojmë në kufizimin e përhapjes së kësaj epidemie. Konkretisht, ne mund të sillemi në mënyrë altruiste, gjë që u sjell dobi të gjithëve.

Për shembull, hulumtimet tregojnë se kur njerëzve u thuhet se është e mundur,  por jo e sigurt – të shkojnë në punë, sepse duke qenë i sëmurë ju do të infektonin një bashkëpunëtor, njerëzit janë më pak të gatshëm të qëndrojnë në shtëpi, sesa kur kujtohen, për sigurinë që duke punuar, duke qenë i sëmurë do t’i  ekspozonte bashkëpunëtorët seriozisht ndaj sëmundjes. Duke theksuar sigurinë ndaj rrezikut, me fjalë të tjera, në mënyrë më efektive, ne motivojmë altruizmin, sesa duke theksuar mundësinë e një dëmtimi prej infektimit.

Mësimi i vërtetë që del prej këtej është që zyrtarët shëndetësorë, duhet të jenë të qartë duke i thënë publikut të mos përgjigjet në mënyrë egoiste ndaj epidemisë, duke marrë masa të tilla si të shkojnë në punë kur jeni të sëmurë ose duke mos të larë duart, sepse kështu  kërcënojmë edhe shëndetin e komunitetit.

Mund edhe ta imagjinoni tani edhe frikën?

Por dhe unë kam frikë, por më shumë kam frikë se do të jetë frika e epidemisë që do të kufizojnë tregtinë, do të dëmtojnë partneritetet në sektorë të shumtë, të biznesit dhe në të kundërt, dhe përfundimisht do të kulmojnë në një recesion global. Bursat po japin shenja. 

Por kryesisht, unë jam i frikësuar se çfarë mesazhi po u tregojmë fëmijëve tanë, kur ata përballen me një kërcënim të tillë . Në vend të arsyes, racionalitetit, mendjes së hapur dhe altruizmit, ne po u themi atyre të frikësohen, të jenë të frikësuar, të dyshimtë, dhe të reagojnë të interesuar vetëm nga vetvetja.

COVID-19 nuk është askund larg . Në mos qoftë afër, do të vijë në një qytet, në një spital, nga një mik, madje edhe nga një anëtar të familjes afër jush, në një moment të caktuar. Priteni atë. Ndaloni së prituri që të mos befasoheni më tej. Fakti është se virusi në vetvete, nuk do të bëjë ndonjë dëm shumë të madh kur të vijë. Por nëse sillemi me motivin “luftoni për veten mbi gjithçka tjetër” do të mund të jenë katastrofike. Unë ju lutem të gjithëve. Zëvendësoni temperaturën e frikës me arsyen, panikun me durimin dhe pasigurinë me edukimin. Ne kemi një mundësi, për të mësuar më shumë sesi mundet ta mundim virusin me higjienën e shëndetit dhe me kufizimin e përhapjes të panumërt të transmetueshme në shoqërinë tonë. Gjithnjë mund të ketë sfida të tilla.

Le ta kapërcejmë këtë sfidë së bashku, në frymën e më të mirës, të dhembshurisë për të tjerët, të durimin dhe mbi të gjitha, dhe me një përpjekje të pafund për të kërkuar të vërtetën, faktet dhe njohuritë, në krahasim me supozimet, spekulimet dhe katastrofat në kohën e “fake news”.

Fakte, jo frikë.  Duar të pastra. Zemrat të hapura.

Filed Under: Opinion Tagged With: Koronopaniku, Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT