• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

Presidenti Trump e shpall koronavirusin”emergjencë kombëtare”

March 13, 2020 by dgreca

Presidenti Donald Trump njoftoi të premten se po e shpall pandeminë e koronavirusit një emergjencë kombëtare, ndërkohë që zyrtarët nxitojnë të frenojnë përhapjen e virusit.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti tha: Po shpall zyrtarisht gjendjen e emergjencës kombëtare dhe shtoi se emergjenca do të verë në dispozicion 50 miliardë dollarë për qeveritë e shteteve dhe ato lokale për t’iu përgjigjur koronavirusit.

Presidenti Trump tha se ai po jepte sekretarit të Shëndetësisë Aleks Azar kompetencat e emergjencës që do të shmangnin disa rregullore dhe ligje federale për t’u dhënë mjekëve dhe spitaleve “elasticitet” në trajtimin e pacientëve.

Presidenti Trump i bëri komentet ndërsa bisedimet vazhdojnë midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit për miratimin e një pakete financiare.

Ndaj zotit Trump ishte rritur trysnia për të shpallur emergjencën kombëtare për sëmundje infektive në bazë të një ligji të vitit 1988, të quajtur Ligji Stafford, që do të lejonte Agjencinë Federale për Menaxhimin e Emergjencave Federale të jape fonde për katastrofat për shtetet dhe qeveritë lokale dhe për të dislokuar ekipet mbështetëse.

Çfarë është ligji Stafford?

Ligji, që hyri në fuqi në vitin 1988 i jep kompetenca Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA) për të ndihmuar autoritetet shtetërore dhe lokale gjatë “katastrofave natyrore” dhe për të bashkërenduar reagimin e vendit.

FEMA është një agjenci që kontrollon mbi 40 miliardë dollarë në fonde federale, që Kongresi i akordon për lehtësim nga katastrofat. Ato mund të përdoren për objekte mjekësore dhe transportuar pacientët, mes të tjerash.

Sipas ligjit, vetëm presidenti mund të shpallë një gjendje katastrofe madhore.

Presidenti Trump e ka aktivizuar ligjin Stafford shumë herë gjatë presidencës, mes të tjerash për përmbytjet në pjesën qendrore të vendit dhe zjarret në Kaliforni. 

Ish-Presidenti Bill Clinton e shpalli atë në vitin 2000 për virusin e Nilit Perëndimor.

Departamenti i Shëndetësisë e deklaroi koronavirusin një emergjencë të shëndetit publik në fund të janarit.Disa shtete kanë deklaruar gjendjen e 

Filed Under: Kronike Tagged With: Emergjence Kombetare, President Trump

Dy raste me koronavirus në Kosovë

March 13, 2020 by dgreca

Ne SHBA jane 1680 persona te konfirmuar me CoronaVirus, numeri i te vdekureve 41/

  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në gjithë botën, në total janë: 135,232 njerëz të infektuar, 4,981 të vdekur dhe 69,645 të shëruar./

Në Kosovë janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirusit të ri. Këtë e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Arbën Vitia përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti.

Pacientët janë të shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ministri Vitia tha se pacientët e konfirmuar janë një shtetase italiane e moshës 20 vjeçare dhe një burrë 77 vjeçar, shtetas i Kosovës.

Ai tha se gjendja e të infektuarve është stabile.

“Në këtë moment që po flasim, është mbledhur edhe Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me Koronavirus Covid-19 për të diskutuar dhe rekomanduar masat përkatëse konform situatës së re të parapara edhe me Planin e Veprimit”, tha ministri Vitia.

Të gjitha vendet e rajonit, përveç Malit të Zi, tashmë kanë raportuar raste me sëmundjen e koronavirusit të ri.

Në gjithë botën më shumë se 132,000 raste janë raportuar nga 123 vende, dhe 5,000 njerëz kanë vdekur.(RFL)

***

Historia e Korona virusit

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe së paku 118 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në gjithë botën, në total janë: 137,456 njerëz të infektuar, 5,074 të vdekur dhe 69,643 të shëruar.
  • Kina ka 80,945 raste me koronavirus, pas saj vjen Italia me 15,113 raste dhe Irani me 11,364.
  • Numri më i madh i njerëzve të vdekur është në Kinë: 3,062.
  • Kosova ka konfirmuar dy rastet e para me koronavirusin e ri.
  • Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, aktualisht vetëm Mali i Zi nuk ka raste të regjiustruara me koronavirus.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS – viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person në shumë pjesë të botës.
  • Ne SHBA jane 1680 persona te konfirmuar me CoronaVirus, numeri i te vdekureve 41/

Evropa – epiqendër e koronavirusit të ri

Evropa tani është epiqendra e pandemisë, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, konfirmoi se Evropa tani është “epiqendra” e pandemisë Covid-19.

Deri më tani Kina është konsideruar si epiqendër e virusit, pasi aty ishin paraqitur edhe rastet e para.

Mirëpo, përhapja e tij e shpejt në vendet evropiane ka bërë që OBSH-ja të ndryshojë destinacionin e epiqendrës së virusit.

Kina ka 80,945 raste me koronavirus, pas saj vjen Italia me 15,113 raste dhe Irani me 11,364.

Filed Under: Politike Tagged With: Dy raste me koronavirus në Kosovë

MISTERETE PARISIT TË VOGËL …

March 13, 2020 by dgreca

– në 55 vjetorit të ndërrimit të jetës së NOLIT TË MADH-/

Nga Kristaq Turtulli*/

‘Ndjeva një lëmsh mallëngjimi dhe më rrotullohej në kokë një emër: Shqipëri, atdhe i dashur,’- kishte thënë Noli.

Kur u bë Shqipëria, në zgjedhjet e para demokratike, deputeti i zonës Noli erdhi te. Kërkoi të takohej me mëmën Dhoksanën. Ishte një burrë me trup mesatar, me sy të mprehtë dhe fizionomi tërheqëse. Njeri i shkolluar, poet dhe shumë i mençur; kishte përkthyer sonetet e Shekspirit, një poeti anglez që unë  i lexoja me ëndje.  Veshur me rasën e priftit.  Nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri, ky burrë të kujtonte  modelin e kishtarëve të Përlindjes Italiane. Është e vërtetë që, edhe pse nuk ngjan si portret nga fiziku, nga lartësia e shtatit, aq i ngjashëm vjen me inteligjencën e tij natyrore dhe të kultivuar.

            Mëmë Dhoksana e priti me shumë ngrohtësi dhe ftoi në dhomën e pritjes. Nani Viti u shërbeu kafe dhe lëng portokalli.

            ‘More bir,’ tha mëmë Dhoksana. ‘Më përmende historinë. Me sa di unë, shumë pak e njohim heroin tonë, të Gjergj Kastriotin Skënderbe. Hasmi në shekuj me qëllim hodhi mbi heroin tonë të madh një mal me baltë e pluhur. Si i ditur që je, shkruaj diçka me vlerë për këtë burrë të rrallë që e pjell nëna në njëmijë vjet.

            Nolit i qeshi fytyra dhe e pa gruan me admirim. Burri i mençëm rrufiti kafenë ngadalë dhe foli me ton të qetë:

            ‘I ke rënë pikës, o mëmë e ndritur. Mirë e the, është e rrallë ajo nënë që lind atë burrë. Francezët në histori dhe heronj, janë shumë më të vonë se ne. Koha u kërkonte atyre një hero madhështor si ky i yni, po ku ta gjenin. Gërmuan nëpër libra dhe nuk gjetën një hero për të qenë që të frymëzonte popullin e vuajtur për një përmbysje të madhe. U mblodhën mendjet e ndritura: historianë, shkrimtarë, poetë, filozofë dhe më në fund krijuan një heroinë, një vajzë, Zhan D‘ Ark. Sa është e vërtetë ekzistenca reale e saj, një zot e di. Punë e francezëve. Ne si popull, fatmirësisht, kemi trima dhe heronj sa na teprojnë, por si popull që neglizhon, i lëmë pas dore, i harrojmë.

            ‘Po, bir, po, ke të drejtë!’

            ‘Ne o zonjë, nuk kemi nevojë të fantazojmë si të tjerët, mbi të gjitha realisht kemi krye heroin, Gjergj Kastriot Skënderbeun, me përmasa botërore. Një lider që arrin të qëndrojë për njëzetepesë vjet në politikën aktive të kohës, që luftoi i vetëm me shpatë në dorë, udhëhoqi një popull të vogël, si rrallë herë dhe fitoi njëzet e pesë beteja të mëdha kundër perandorisë më të madhe të kohës, asaj otomane. U bë mbrojtës i popullit të vet dhe i krishtërimit. Si paraardhësi i tij, Pirroja i Epirit, shkoi në Itali, kreu heroizma, shkroi faqe të ndritura. Për fat të keq, populli i vet dhe gjithë bota shumë pak ia di madhështinë e vlerën. Tani, kur ne po përpiqemi të ndërtojmë një shtet, një komb, drita, krenaria, lavdia, madhështia këtij gjeniu është më e rëndësishme se kurrë për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare.

            ‘Ashtu është, biro, ashtu,’- i tha mëma.- ‘ Të lumtë goja!’

            Nolin e ngacmonte pak stomaku prej punëve të shqetësimeve të shumta dhe nani Viti i mbushi një gotë me qumësht të freskët. Noli e falënderoi me kokë. Filloi të pinte qumështin ngadalë me gllënjka të vogla. Ne s’flisnim. Mami Dhoksanë merrej me prushin e mangjallit. Nani Viti qëndronte në këmbë pranë Nolit, me duart e kryqëzuara në pëqi. Noli i zgjati gotën bosh nani Vitit. U qetësua, fërkoi me kujdes mjerkën e zezë dhe pas një copë herë shtoi:

            ‘Mëmë, po mbledh të dhëna, studioj Marin Barletin, Dhimitër Frangun, autorë të huaj, të shquar, letërkëmbimet me Papën, Alfonsin, Venetikun…’

            Noli heshti një hop, ndjehej që ishte i emocionuar dhe vazhdoi:

             ‘Zonjë, më lejoni t’ju them; po punoj me shumë përgjegjësi, një libër të rëndësishëm, si rrallë tjetër, tepër strikte, me dokumente reale, pa emocione dhe anësi, për botën shqiptare të shekullit XV dhe historinë e Gjergj Kastrioti Skënderbe. Ashtu si ngjitesh një mali të lartë, lodhesh, djersin, por kur arrin  në majë, befasohesh, magjepsesh nga figura e Skënderbeut, që është aq njerëzore, tronditëse, gjeniale. Skënderbeu është «mrekulli e shekullit» të tij për ta admiruar njerëzit. Dhe njerëzit te Skënderbeu admirojnë sidomos «besimin e pashoq dhe gati të admirueshëm të këtij njeriu». Por Skënderbeu është jo më pak i admirueshëm edhe për fatin e tij: «Sikurse në punët e tjera më të shumta, ashtu edhe këtu mua më del jo më pak i admirueshëm fati i kapedanit, sesa trimëria dhe urtësia e tij». Për mendimin tim në shekullin e XV e më tej, për nga roli, stoicizmi, qëndresa, rëndësia, mbrojta e Evropës, shpëtimit të civilizimit, të gjithë personalitet, gjeneralët e tjerë të kohës; sulltanë, dozhë, princa, kontë e plot të tjerë, i qëndrojnë dekor, gati figurantë, gjeneralit tonë të madh, kryezotit Skënderbe.’

            Mëmë Dhoksana, u ngrit dhe e puthi në ballë dhe tha:

             ‘Ah! Ç’ më the more djalë, po ky është sihariq i madh! Ç’ ma gëzove shpirtin, biro. Paç penë të artë, zemër të bardhë dhe Zoti të ndihmoftë dhe të mbroftë!’

            Pastaj ajo na bëri me shenjë të dilnim dhe bisedoi me të kokë më kokë. Vonë e mora vesh që ata biseduan për autoqefalinë e kishës shqiptare, të cilën Noli, prifti i mençur, e zbatoi kur u emërua despot i kishës. Ai u bë iniciatori dhe themeluesi i Kishës Autoqefale Shqiptare. Për mua ishte vërtet një ngjarje historike kombëtare, mbajtja e meshës së parë të shenjtë, në katedralen e Shën Gjergjit, në gjuhën shqipe prej Nolit të madh.

            Kur dolën, Noli ia mori të dy duart dhe ia puthi. Mëma i tërhoqi me vrull.

            ‘Ç’ bën, o djalë? Prifti nuk ja puth duart një copë gruaje. Mos, nuk duhet…’

            ‘Zonjë e madhe,’- e ndërpreu Noli. -‘ Mëma si ti janë priftëresha mbi priftërinjtë.’

            Kur iku Noli, mëma më tha:

            ‘Ky djalë beson te vetja dhe është prift i mbarë, t’i besojë Zotit dhe t’i shërbejë njerëzisë,’-  tha ajo.

             Gjatë fushatës e mbajtëm Nolin në shtëpi, mami Dhoksanë i lëshoi dhomën e madhe. Ajo mblodhi fonde dhe organizoi qytetarët të fitonte për deputet në parlamentin e parë shqiptar.

            Prifti Noli, burrë i madh, fitoi votat e popullit në parlamentin e parë, jo si klerik, por si orator gojëmbël dhe besimplotë. Ai qysh në fillim të oratorisë së tij u tha zgjedhësve të zonës, kur u mblodhën në kinema “Majestic”:

            ‘Të dashur vëllezër, bashkëqytetarë, dëshiroj t’ju përfaqësoj në kuvendin më të lartë, pasi të parët e mi kanë jetuar në Qytezë diku afër dhe jam si ju. Fjala ime dhe premtimi im janë po aq të vërteta sa është jeta. Por fjala ime dhe besimi juaj janë po aq të vërteta sa është besa e shqiptarit dhe e Zotit…’

            Noli u bë zëri i së drejtës dhe së vërtetës në parlament. Ishte si një llambadar shkëlqimplotë në dhomë të thjeshtë të parlamentit shqiptar, ku shumica mendonin me nostalgji dhe donin kthimin e Baba Dovletit, Turqisë. Përfaqësoi ballëlart vendin kudo që shkoi dhe mbajti një fjalim të mrekullueshëm në Gjenevë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. E rrallë është fotoja e Fan Nolit dhe presidentit amerikan Thomas Woodrou Wilson në Gjenevë. Noli  i kërkoi atij anëtarësimin e Shqipërisë në OKB.

            Fan Noli u bë ambasadori i parë shqiptar kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve të Gjenevës dhe pavarësia e vendit tonë u njoh zyrtarisht nga bota.

            ‘Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullohej në kokë një emër: Shqipëri, atdhe i dashur,’- kishte thënë Noli.

*fragment nga romani : MISTERETE PARISIT TË VOGËL

Filed Under: LETERSI Tagged With: noli

VETEM SHQIPERIA KA TERRORISTE ME DEKORATA

March 13, 2020 by dgreca

Dekoratat qe mbane Enver Hoxha/

Nga Fritz RADOVANI: /

A ka mbetë kund në Trojet Shqiptare ftyrë e gjak Shqiptari!?

Po si lejohen tradhëtarët njeni ma i poshter se tjetri me vazhdue me u quejtë “heronj”?!

Ka pasë qitë në vajë e shkreta Katrin Tomja kur i vrane djalin në 1946:

                        “Enver Hoxha me Nishan…

                         Gjan’ e vet dreqi s’e han…”

Dhe, me të vertetë.., jo vetem ata, po as rojet e rrugicave e të vorreve të tyne!

Prof. I Madh Arshi Pipa tha: “Xhonturqit e Shqipnisë së ré, kerkojnë me vazhdue me sundue pergjithmonë…” Po bahen 30 vjet tjera prej ditës që Profesori foli n’Institutin Pedagogjik të Shkodres, dhe Shqiptarët i gjenë tue kullotë nen shkopin e sundimtarëve…

E sundimtarët tanë i njeh OKB, “Konferenca Islamike”, NATO, se porosia tyne asht:  “amaneti” i Ramiz Alisë: “Edhe bar do hajmë.., e parimet nuk i shkelim…!” Veteranët i gjenë ditë e natë tue kullotë te livadhet e maruanës…I lagun me lotët e partisë ngordhur.

Shumë interesante: Në të gjitha kohët kur Shqiptarët u sunduen nga vrasës e terroristë të vetshpallun “presidentë.., deri tek mbret apo sekretarë të parë partie, tue u modifikue si kryeministra…”, ky Popull ka provue vetem vrasje, varje, dëbime, internime, pushkatime dhe terror nga vrasësit e vet per me ruejtë kolltukun e sunduesit barbar e tradhëtar! Kjo ngjet se edhe sunduesit e sotem e ndiejnë veten trashigimtarë të denjë të kriminelëve të djeshem, prej të cilëve kanë marrë vetem instingtin e gjakut dhe të hajnisë, me të cilin nuk po ngopen asnjëherë! Filloi i pari Esad pashë Toptani, i nipi Ahmet Zogu, e mbas tyne vrasësi i Gjinokastres së njohun me titullin e drejtuesit komunist, që perfundoi në shinat anadollake të kriminelit, tue u pasue nga llomi vrastarë boshnjak Ramiz Alia, i cili kolltukun ua trashigoi terroristave hajdut e drogaxhinjë të PPSh, që janë vetdeklarue “vëllezer gjaku të turqëve”… E po mos t’ishin Burra të vertetë minatorët e Valiasit, edhe sot Enver Hoxha do t’ishte tue i tregue sundimtarëve se “e ardhmja asht nga banka e shtetit”, ku me rradhë si mbas porosisë së tij po vazhdojnë hajninë, grabitjen e pronave, dhunimin e të persekutuemëve dhe i pronarëve të ligjshem, këthimin e kohës primitive të largimit rinisë dhe skllavnimin poshtnues me drogë e lojna kufijsh të Shqiptarëve.

Me çfarë surrati ulen nder karrigat e Omer Nishanit, Haxhi Lleshit e Ramiz Alisë disa të vetquejtun “deputetë të Kuvendit Popullor”..? Një tufë agjentësh e hajdutësh, pasues të denjë të një epoke të turpëshme diktatoriale dhe terroriste, që edhe dekoraten e Enver Hoxhës “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dhanë nga Tito me 1 korrik 1946, endè sot ia ruejnë të varun në gjoks!! Asht ajo dekoratë që i dha Tito vetë E. Hoxhës, se filloi në vitin 1944 luften vllavrasëse civile pa pikë mëshire ku i erdhi ma mbarë në Jug e Veri, në male e fusha e deri me vllaznit e vet kosovarë, që mbrenda janarit 1945 filluen edhe zhdukjen e tyne në Kukës dhe e mbyllen me krimet e “Masakres së Tivarit” bashkë me “heroin” Ramiz Alia. Ishte pikrisht gjysa e janarit kur vrane edhe mbi 118 Burra të Kelmendit pabesisht në perpjekje me forcat Atdhetare të Prekë Calit, e trupat e të vramëve i ka tretë bash tradhëtari i shitun, baba i atij Kastriot Islamit me Koçi Xoxen e Mehmet Shehun, shoqnue nga forcat jugosllave që u ranë mbas shpine Atyne Burrave.

Terroristët komunistë ma barbar të shekullit XX, janë vrastarët “heronjë” të mashumëse

50.000 Shqiptarëve Atdhetarë, prangues dhe interrnues të mbi 450.000 Shqiptarëve tjerë, burra, gra, fëmijë, pleqë e të rinjë, shumicës së të cilëve nuk ju dihen as vorrezat?!

Këto janë shifrat e verteta dhe jo ata që publikojnë disa…

Të gjitha ata vrasje a u bane me urdhen të Enver Hoxhës, Omer Nishanit, Ramiz Alisë, Haxhi Lleshit, Nexhmije Hoxhës e plehave tjerë që u shkonin mbrapa si zagarët derisa, u dhane edhe atyne ate çka kanë kerkue tue fillue nga Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Gjin Marku e Bedri Spahiu, me shokë?!

Të gjithë ketë llom e pleh edhe sot Shteti e ka të mbathun me dekorata e tituj…

Paturpsisht “dr. prof…akademikë” presin se,“ku do t’i vendosin këta barbarë” historia?!

Dosjet nuk hapen…Vetem premtime e rrena…Nuk tregohet per asnjë person “pastertia” e figurave politike, Presidenti zgjidhet pa tregue kush asht, “nuk i dihet as baba”.., veç per ke asht i martuem…Nuk tregohet prejardhja e as origjina e qeveritarëve se të gjithë i kanë sherbye sigurimit të shtetit vrastar per me realizue diktaturen komuniste, që solli e po sjellë perditë në pushtet vetem bijtë e terroristve vrasës hajdutë…Kjo asht “Rilindja”!

Knaqësi… Rinia po ikë… Pleqnia po vdes…

Mbas kujt mëshefen këta tregtarë droge? E kush janë këta drejtues të Shqipnisë?!

I pari Presidenti, Kryetari i Kuvendit Popullor, Kryeministri, Gjykatat e dikasteret… Deri tek deputetët e “bodigardët” e Nexhmije Hoxhës… Që, me siguri duhen pague se, nuk ka kush me ia zhgulë barin që i del mbi vorr, se rritet perditë prej plehut që ka nen dhe…

E mos me kenë veteranët që permallohen e i pshton… Kush ua lanë surretnit e tyne?..

            Melbourne,  13 Mars 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani

Diktatura dhe Sëmundja

March 13, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Qeveria shtypëse është një nga shkaqet kryesore të urisë, kjo dihet. Të paktën demokracitë përhapin informacione rreth korrjeve të këqija. Kështu, në Shqipëri, vend mes autokracisë e demokracisë, përhapja e lajmeve të këqia quhet përhapje paniku, shpesh edhe lajm i rremë. Sot, diktatura është gjithashtu rrezik për shëndetin, kur bëhet fjalë për sëmundje infektive.
Që nga fillimi, Kina kishte frikë nga informacioni për Virusin. Po kështu Shqipëria, duke u bërë deri qesharake, me zyrtarë zgërdhirës e shtetas “të paprekshëm”. Për muaj, ndërsa Koronavirusi përhapej, nuk njoftohej asgjë dhe gazetarëve u thuhej të mos shkruanin për të mos përhapur panik. Kjo fobi informacioni ndaloi spitalet dhe njerëzit e thjeshtë të ndërmerrnin masa paraprake. Ndalimi i lajmeve të këqija ka vrarë miliona. Uria, rreth vitit 1960, e cila mori 30 milion jetë, u përkeqësua nga frika e zyrtarëve për të pranuar se të korrat ishin të dobëta pas kolektivizimit të bujqësisë nga Mao Ce Dun në Kinë. Shtypja e qeverisë inkurajon përhapjen e sëmundjes dhe kjo e fundit i vjen në ndihmë qeverisë për shtypjen, kontrollin dhe mbylljen e qytetarëve në banesat e tyre, duke eleminuar, përkohësisht, të drejtat bazë siç janë fjala, lëvizja e lirë dhe grumbullimi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Diktatura dhe Sëmundja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT