• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

Covid-19 dhe spektri i mungesës së ushqimit

March 29, 2020 by dgreca

Përgatitur nga Alfred Papuçiu/

Në këto ditë të Covid-19 po vërehet një fenomen jo i zakonshëm. Nga njëra anë, konsumatorët janë duke bastisur raftet e produkteve ushqimore dhe shtetet po krijojnë stoqe.  Nga ana tjetër, disa vende prodhuese po kufizojnë ose madje ndalojnë eksportet. Kjo gjë  shkakton panik midis konsumatorëve dhe rrit çmimet. 

Kërkesat janë rritur për produkte të tilla si makarona, peta, pita apo edhe tortilla. Planeti i tërë i do këto ushqime të bëra nga mielli i grurit. Në  Europë dhe shumë vende të tjera, menaxherët e ushqimit mund të na sigurojnë që ka prodhim dhe rezerva të mjaftueshme, por blerjet e çfrenuara nuk ndalojnë. Eshtë e vërtetë që përballet me paqartësitë që lidhen me pandeminë Covid-19, produktet si makaronat  etj., janë veçanërisht të lehta për tu ruajtur.

Ndërkohë, çmimi i grurit është në rritje, por shpërthimi i kërkesës nuk është  e vetmja arsye. Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, por edhe në Europë, të korrat e drithërave përballen me mungesë të punëtorëve sezonalë, për shkak të mbylljes së kufijve që lidhen me Covid-19. Vështirësitë vazhdojnë edhe në aspektin e logjistikës; transporti detar dhe portet punojnë më pak dhe vonojnë dërgesat.

Zhurma e blerjes nuk ka të bëjë vetëm me familjet. Në panik nga perspektiva e mungesës së ushqimit, vendet importuese po përpiqen të realizojnë kontratat me çdo kusht. Për shembull, Kina, e cila duhet të ketë rezerva mielli për të paktën një vit, blen sasi të mëdha, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Sipas agjencisë Bloomberg, Turqia dhe Algjeria, dy vende të mëdha ku buka arabe është ushqimi kryesor, bëjnë të njëjtën gjë. Maroku, për të lehtësuar importet dhe grumbullimin e stoqeve, sapo ka hequr taksën doganore të grurit.

Gjithashtu, po rritet përdorimi industrial i drithërave.  Sektori në rritje i karburantit është bërë një nga burimet kryesore të kërkesës në vitet e fundit. Vlerësohet se të paktën 100 milion ton drithëra përdoren sot për prodhimin e biokarburanteve, me vëllimin e misrit të paktën 95 milion ton, ose 12% të përdorimit të përgjithshëm botëror. Misri është drithi kryesor që përdoret në prodhimin e etanolit, dhe Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi kryesor në botë i etanolit me bazë misri. Shtetet e Bashkuara pritet t’i kushtojnë të paktën 81 milion ton misër në prodhimin e etanolit, 32 milion ton më shumë (37%) sesa më parë . Eshtë vënë re dhe nje tjetër fenomen: degradimi dhe zvogëlimi i sipërfaqes së tokës së punueshme.  Në vitet 2005/2008, Kina humbi 1 milion ha tokë të punueshme në vit, e përdorur për ndërtimin e banesave që kanë strehuar  fshatarët nga eksodi rural. Ekuivalenti i një qyteti si Parisi u ndërtua çdo muaj në vitet 2007-2008. Kërkesa për mish derri po rritet në Kinë, që do të thotë të ketë më shumë misër (220 milion ton misër por do të jetë e domosdoshme në vitin 2020, me 45,000 ton, importuar sipas parashikuesve), në dëm të sojës që furnizonte proteinat e konsumuara tradicionalisht në Kinë .  Kina dhe Koreja e Jugut janë përpjekur të prodhojnë jashtë vendit, duke marrë me qira ose duke blerë tokë (Birmani, Laos, Kubë, Brazili, Rusi dhe Argjentinë). 

Dhe për të krijuar edhe më tepër probleme, disa vende prodhuese sapo kanë vendosur të ndalojnë eksportet. Duke filluar me Kazakistanin, prodhuesi i tetë më i madh në botë i grurit, i cili kishte planifikuar të dërgonte 8 milion ton, kryesisht në Europë. “Nëse është e nevojshme, Ukraina gjithashtu mund të konsiderojë kufizimin e eksporteve të saj,” tha presidenti i saj,  Zelensky, në një mesazh televiziv drejtuar kombit këto ditë, cituar nga AgriReport, një agjenci informacioni e specializuar në lëndët e para bujqësore. . Sipas të njëjtit burim, Rusia fqinje, prodhuesi më i madh në botë, mund të ndiqte të njëjtën rrugë. “Ne jemi të gatshëm të vendosim kufizime në mënyrë që të furnizojmë tregun kombëtar,” tha Zëvendëskryeministri, Andrei Belousov të martën gjatë një takimi urgjent në Moskë.

Rekord i prodhimit botëror

Njoftime të tilla nuk janë pa pasoja, edhe nëse prodhimi botëror i grurit për sezonin 2019-2020 pritet të jetë një rekord. Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Grurit, korrja do të arrijë në 763 milion ton. 

Në përgjithësi, çështja e mungesës së ushqimit lind gjithashtu në dritën e paralajmërimeve nga disa eksportues të orizit aziatik, përfshirë Vietnamin, të cilët gjithashtu thuhet se po konsiderojnë ndalime të përkohshme të eksportit. Serbia tashmë ka ndaluar eksportin e vajit vegjetal.

Simon Evenett, profesor i ekonomisë në Universitetin e Sën Gallen, kundërshton me forcë çdo ndalim të eksportit të ushqimit. “Eshtë për të ardhur keq që Rusia, Ukraina dhe Kazakistani po marrin këtë vendim i cili destabilizon çmimet e grurit,” tha ai. Ideja për të kufizuar eksportet për të siguruar furnizime shtëpiake me kosto të ulët ka dështuar në të kaluarën. “

Gjithashtu i ngarkuar me Aleancën e Tregtisë Global, një vëzhgues mbi proteksionizmin e tregtisë në botë,  me të vërtetë kujton se në vitet 2007-2008 shumë vende prodhuese bujqësore kishin ndaluar eksportet pas korrjeve dhe spekulimeve të këqija. “Në fund, ata përfunduan duke destabilizuar çmimet botërore,” thekson ai.

Sipas Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), nuk ka asnjë arsye për të justifikuar rritjen e çmimeve të ushqimit. “Nuk ka mungesë ushqimi në horizont, pohon kryekonomisti Maximo Torero . Prodhimi i drithërave po shkon mirë dhe, sipas sistemit tonë të paralajmërimit të hershëm, eksportuesit kanë rezerva të mjaftueshme për të furnizuar tregun ”. Megjithatë, Maximo Torero pranon, se pasiguria rrit rrezikun e ruajtjes së paligjshme dhe tregut të zi. Më kujtohet vite më parë kur punoja në një multinacionale, Qipro organizonte tendera për të blerë dhjetra mijra tonë grurë dhe misër, të cilat pastaj ua shpërndante vendeve të tjera të BE. Shpresoj që ata që vendosin për blerjen e drithrave tek ne, të mendojnë të blejnë qysh tani disa mijra tonë drith, duke përdorur portin e Durrësit, për ti shpënë edhe në Kosovë. Duhet përfituar nga çmimi aktual për të mos i marrë ato me çmime më të larta paskëtaj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alfred Papuçiu, COVID-19

(MOS) RESPEKTIMI I VLERAVE DEMOKRATIKE NË KOSOVË NGA AMBASADORI RICHARD GRENELL

March 29, 2020 by dgreca

MA Agim Aliçkaj*/

Letër e hapur Presidentit Amerikan Donald J.Trump

I nderuari Zoti President Trump,

Më vjen shumë keq, që më duhet të ju drejtohem për një çështje krejt tjetër, në këto momente të vështira, kur jeni të angazhuar me tërë qënien për shpëtimin e popullit amerikan dhe të mbarë botës nga virusi katil covid-19.

Para tri dekadave, si mijëra shqiptarë të tjerë nga Kosova u detyrova ta lëshoj vendin tim të dashur. Ishim të ndjekur nga represioni i shtetit diktatorial, komunist dhe terrorist serb të kriminelit Slobodan Millosheviç. Pata fatin e mirë që erdha në shtetin më të fortë dhe më demokratik të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, simbolit të lirisë dhe drejtësisë, garantuesit të sigurisë së mbarë botës, përkrahësin më të madh të kombit shqiptar.

Pasuan luftrat mizore të Serbisë kundër popujve të ish-Jugosllavisë, sllovenve, kroatve, boshnjakve dhe shqiptarve. Filloi gjenocidi, pastrimet etnike dhe masakrat monstruoze në Bosnje  dhe Kosovë.  Nënat shqiptare të Kosovës ende i vajtojnë bijt e tyre të zhdukur. Pasojat e tmerrshme të luftës ende rëndojnë mbi kujtesën e popullit të Kosovës.

Faktet dhe dokumentet historike tregojnë për krimet e Serbisë dhe fqinjëve tjerë ndaj shqiptarëve dhe grabitjen e tokave të tyre. Tregojnë për rezistencën heroike të popullit shqiptar, gjithmonë në mbrojtje të lirisë së vet. Tregojnë edhe për respektin e tij për popujt, kombet, racat dhe besimet e e tjera fetare, për shpirtin fisnik dhe tolerancën. Mjafton të përmendet shpëtimi i të gjithë hebrenjve që jetonin apo erdhën në tokat shqiptare pasi përndiqeshin nga nazistët (gjatë Holokaustit) ku në mbrojtje të tyre mori pjesë edhe babai im Arif Aliçkaj.

Amerika e Presidentit Klinton, e ndihmuar nga shtetet e tjera të NATO-s, si shumë herë të tjera gjatë historisë, doli në mbrojtje të viktimës së pafajshme, doli në anën e drejtësisë dhe së vërtetës. Me bombardimin e agresorit Serb në vitin 1999, e ndihmoi popullin e Kosovës për ta fituar lirinë.  Lirinë për të cilën luftuan dhe u sakrifikuan djemt dhe vajzat më të mira të popullit shqiptar, brez pas brezi për më shumë se një shekull.

Amerika e Presidentit Bush, pas shumë vitesh bisedime të vështira e të lodhshme, nën udhëheqjen e Presidentit Ahtisaari e ndihmoi Kosovën për ta shpallur pavarësinë e kufizuar për të cilën populli shqiptar i Kosovës, me dhimbje në zemër, bëri kompromisin më të madh të mundshëm. Kjo pavarësi, pas ankesës së Serbisë u shpall e ligjshme dhe u konfirmua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Ajo përmbante një gjë të mirë dhe shumë të rëndësishme, nuk u preken kufijtë e Republikës së Kosovës. Por, përmbante dy gabime të mëdha, të padrejta dhe shumë të rënda. Së pari, në bisedime dhe në marrëveshje nuk u përfshinë të drejtat e popullit shqiptar që jetonin në tokat e veta në Serbi, të cilat duhej barazuar 100% me të drejtat e minoritetit serb në Kosovë.  Së dyti, nuk u dënua agresori serb përveç Millosheviçit dhe disa kriminelë të tjerë, nuk u detyrua fajtori që të kërkojë falje, t’i paguaj dëmet e luftës dhe t’i kthente të pagjeturit familjeve shqiptare në vuajtje të pafund.

Këto gabime të pafalshme ia mundësuan Serbisë, e cila edhe sot e kësaj dite udhëhiqet nga bashkëmendimtarë dhe bashkëpuntorë të Millosheviçit, të fillloi një ofensivë të paparë armiqësore kundër shtetit të ri të Kosovës. Me propagandë shtetërore mashtruese të bazuar në gënjeshtra të kulluara dhe pa kurrëfarë faktesh, veçanërisht me veprime shumë të shtrenjta lobiste në Uashington, Serbia ia arriti qëllimit që në opinionin ndërkombëtar, të shiqohet si viktimë dhe jo si agresore. Në këtë ndërmarrje të ndyrë e ndihmuan edhe politikanët dhe qeveritë e dështuara të Kosovës që ia arritën ta marrin pushtetin pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova.  Në vend se të merren me ndërtimin dhe forcimin e shtetit demokratik ata u dhanë mbas punëve të ndyra, antidemokratike dhe shkatërruese për shtetin.

Amerika e Presidentit Trump, na gëzoi shumë disa muaj më parë kur u angazhua serisht për  zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb. Menduam se, në pajtim me vlerat e përherëshme amerikane, Ambasadori Richard Grenell I Ngarkuari i juaj për bisedimet Kosovë- Serbi, do të punoi dhe veproi drejt, siç e presim nga një përfaqësues i Amerikës, do të bënte presion mbi agresorin serb për t’ja njohur të drejtën e viktimës popullit të Kosovës për ekzistencë në tokat e veta shekullore. 

Fillimisht Ambasadori Grenell kërkoi që Kosova të anullojë pa kushte tarifat 100% për mallrat serbe, ndërsa Serbia të ndalë veprimtarinë armiqësore kundër popullit shqiptar. Këtë e kuptuam si dëshirë të tij për ndërmjetësim të paanshëm. Por, pas një kohe të shkurtër ai kaloi plotësisht dhe në mënyrë të hapur në anën e agresorit serb. Kur Serbia e kundërshtoi publikisht duke deklaruar se do të vazhdojë me veprime armiqësore dhe se nuk e njeh kurrë pavarësinë ai nuk u zemërua fare, e harroi presionin ndaj Serbisë por vazhdoi me presion ndaj Kosovës. E mundësoi vazhdimin e kontakteve dhe bisedimeve sekrete në mes të Presidentit serb Aleksander Vuçiç dhe Presidentit kosovar Thaçi. I pari, shovinist dhe urrejtës i përbetuar i popullit shqiptar, kuadër dhe bashkëpunëtor i kriminelit serb Millosheviç me prapavijë të mundëshme kriminale. I dyti, Hashim Thaçi politikan i urryer nga shumica e popullsisë së Kosovës si përgjegjësi kryesor për dështimet e njëpasnjëshme 20 vjeçare, i cili në bazë të kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk ka të drejtë as të udhëheqë  bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ishte absurde kërkesa e Ambasadorit Grenell për heqje të tarifave, për të mundësuar dialogun me Serbinë, në të njejtën kohë kur bisedimet zhvilloheshin pandalur me dyer të mbyllura. Qeveria e re demokratike e Kosovës, qeveria e antikorrupsionit dhe shpresës më në krye liderët më të votuar nga populli Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, nuk e kundërshtoi atë. Me respekt të madh për Amerikën, ata dolën me propozim real dhe logjik për heqjen e tarifave. Vepruan në pajtim me premtimet e dhëna votuesve njësoj si ju Zoti President. Kjo nuk u pranua nga ambasadori. Aktivitetet që pasuan, sjellja në Uashington e Thaçit që përfaqëson partinë më të madhe në opozitë- PDK dhe sidomos e Hysenit që përfaqëson partnerin e koalicionit-LDK, na bëjnë të dyshojmë se ai e inkurajoi rrëzimin e qeverisë legjitime të Kosovës. Ishte e pabesueshme dhe e dhimbshme deklarata e Ambasadorit Tuaj,  në përkrahje të mbajtjes së mbledhjes së parlamentit për shqyrtim të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, në kushte të jashtëzakonshme, kur Kosova, Amerika dhe mbarë bota po luftojnë për jetë a vdekje me Covid-19. Pjesa më e madhe e botës demokratike ishin kundër, përfshirë edhe Spanjen e cila nuk konsiderohet përkrahëse e Kosovës.

Me këtë rast dëshiroj të citoj raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, Eurodeputeten Viola von-Cramon: “Një autogol i SHBA-s në Kosovë me një dimension historik. E pabesueshme, e papërgjegjshme.”

Zoti President Donald J. Trump, më lejoni, që si amerikan i devotshëm dhe republikan konservativ, ta shfrytëzoj të drejtën time për liri të shprehjes, me qëllim të mirë por me zemër të lënduar, t’i paraqes para jush edhe disa vërejtje të mija konkrete dhe më të drejtpërdrejta.

-Më pëlqen dhe e përkrah platformën tuaj “America First” dhe deklaratën tuaj  në OKB se edhe liderët e tjerë kanë të drejtë ta bëjnë të njëjten gjë për shtetet që ata i përfaqësojnë. Pse kjo e drejtë iu mohua në mënyrë flagrante Kryeministrit Kurti? Veprimet e fundit të ambasadorit tuaj i shërbejnë interesave hegjemoniste serbo-ruse në Ballkan dhe mund të kualifikohen si “Serbia first, Rusia second, Amerika third and Kosova last”. Gjithashtu më pëlqen thënia tjetër e juaja: “Let’s Make America Great Again” por në rastin konkret i ngjanë më shumë thënies “Let’s Make Serbia Great Again”.

-Gjatë ballafaqimit Tuaj në Kongresin Amerikan me përpjekjen e Partisë Demokrate për votë mosbesimi ndaj jush (impeachment) duke ju akuzuar “si të shitur” te Rusia deklaruat: “Kjo është “gjuajtje shtrigash” dhe “nuk duhet t’i ndodhë më kurrë asnji presidenti”. Pse duhej t’i ndodhte e njëjta gjë kryeministrit Kurti me pëlqimin e ambasadorit tuaj, vetëm pse mbrojti interesat e vendit të vet? 

E përshëndes deklaratën e fundit të përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit Amerikan se në takimet e organizuara nga Ambasadori Grenell nuk është biseduar për ndarjen e Kosovës. Po për çka është biseduar dhe pse ato nuk ishin transparente?  Dhe shtrohet pyetja edhe më e rëndësishme, nëse populli i Kosovës, pas të gjitha presioneve, nuk e pranon kurrsesi shkëmbimin territorial të negociuara nga Thaçi-Vuçiç, a do ta mbrojë Amerika sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, në kufijt me të cilët e njohu Kosovën në vitin 2008? Pse kohëve të fundit sovraniteti dhe integriteti territorial nuk po përmenden fare?

-Si është e mundur që Amerika e Presidentit Trump tu jap përkrahje politikanëve të cilët vetë i kritikonte si të korruptuar, disa prej tyre edhe si kriminelë të partive që qeverisin Kosovën prej shpalljes së pavarësisë   e deri me sot?!  Si mund të pranohen si legjitimë në bisedime për zgjidhje të problemit ata që e krijuan vetë problemin, ata që e sollën Kosovën para shkatërrimit duke i sjellë fatkeqësi popullit të vet dhe probleme të mëdha Amerikës kur ajo ka nevojë të angazhohet në çështje shumë më të rëndësishme?!  Si është e munduar që të përkrahet rrëzimi i qeverisë të sapoformuar demokratike të Kosovës, e cila për 40 ditë pune tregoi se ka aftësi për ta ngritur vendin nga varfëria dhe gjendja e pashpresë?! Më falni Zoti President, por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat demokratike të Amerikës sonë të dashur. Me këtë akt anti-demokratik, administrata e juaj mori përgjegjësinë për destabilitetin dhe trazirat potenciale që mund të shkaktohen pas largimit të rrezikut nga virusi Corona, në Kosovë, Ballkan dhe mbarë Evropën.

-Pas kthimit nga Amerika, i trimëruar nga Ambasadori Grenell, presidenti Thaçi doli në sulm të hapur, jodiplomatik dhe arrogant kundër përfaqësuesve Evropian. Si mendojnë ata se mund ta “detyrojnë” Evropën të përkrahë një zgjidhje të imponuar, pa pjesëmarrjen dhe pa pëlqimin e saj, kur dihet se edhe Kosova edhe Serbia gjenden në Evropë?

– Me veprimet e fundit të Presidentit Thaçi me pak shokët e tij në Kosovë, të përkrahur nga një pjesë e rëndësishme e administratës tuaj, Serbisë iu shtuan apetitet për plaçkitje të mëtutjeshme të tokave shqiptare. Për një kohë të gjatë në të kaluarën historike, ajo ka rrëmbyer dhe i ka pastruar nga populli shqiptar Nishin, Toplicën, Leskovcin, Sanxhakun dhe toka të tjera. Pas marrjes së Mitrovicës dhe Veriut të Kosovës ajo nuk do të ndalet, do të kërkojë Podujevën, Gjilanin, Prizrenin, Shkodrën, Durrësin dhe ndoshta Prishtinën e Tiranën. Dokumentacioni nga burime të paanëshme historike për këtë ekziston. Një gjë është e qartë. Serbia do të ndalet vetëm atëherë kur të bindet se nuk ka shance për të grabitur më toka shqiptare.

-Zgjidhja përfundimtare është e vështirë, por e mundshme dhe e thjeshtë. Amerika, dhe bota demokratike që e ka njohur Kosovën në kufijt ekzistues duhet të ia bëjë të ditur Serbisë se puna e kufijve ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. E do të bëhet garantimi në mënyrë të njejtë i të gjitha të drejtave humane, politike dhe njerëzore të serbëve në Kosovë dhe të shqiptarve në Serbi. Pra vetëm duhet presioni i mirëfillët dhe i vendosur i Amerikës dhe shteteve demokratike të Evropës mbi Serbinë. 

Problemi nuk është në Kosovë por në Serbi sepse ajo është e sëmurë nga urrejtja për shqiptarët dhe kombet e tjera përreth. Vetëm me shërimin e saj problemet mund  të zgjidhen. Alternativa e shkëmbimit të territoreve është shumë e komplikuar dhe e pamundur të realizohet, pasi kjo shkakton trazira në Ballkan dhe destabilizon mbarë Evropën me dekada të tjera.

-Dëshiroj të theksoj se këto që i paraqita para jush, nuk janë vetëm mendime dhe qëndrime të mijat por të më shumë se 90% të qindra-mijëra pjestarëve të mërgatës shqiptare në Amerikë, Evropë dhe anë e mbanë botës, si dhe të më shumë se 60% të shqiptarve në trojet e veta në Ballkan. Mendoj se është më rendësi të ju bëj të ditur se nuk i përkas dhe nuk përkrah asnjë parti politike në Kosovë. Si shumë bashkatdhetar të tjerë të mij, i përkrah vetëm ata lider që punojnë më përkushtim në të mirë të popullit dhe kombit.

Ju lutem Zoti President Trump!

Mos e largoni popullin mik shqiptar që e do Amerikën me zemër dhe pa hile. Serbia mund të shtiret, por të gjithë e dijnë se populli serb me shumicë e do më shumë Rusinë se sa Ameriken, kjo nuk do të ndryshojë kurrë.

Zoti ju bekoftë juve, familjen tuaj dhe kombin Amerikan!

Zoti e bekoftë kombin shqiptar! 

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane dhe anëtar i Këshillit të Vatrës..

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Alikaj, leter Presidentit Trump

PRESIDENTI TRUMP HEQ DORË NGA KARANTINA E TRE SHTETSHIT

March 28, 2020 by dgreca

SHBA regjistroi 121.478 të infektuar, me një rritje prej 15.959 persona në 24 orët e fundit, ndërsa numri i viktimave sipas të dhëna të Johnes Hopkins shkoi në 2026. Statistikat e Nju Jorkut tregojnë se numri më i lartë i të infektuarëve është në Queens, me 9.222. Brooklyni me 7.789, i ndjekur nga Bronksi, me 5.352, dhe Manhattani, me 5.036, Staten Island ka 1,718 raste.

Nga Dalip Greca

Të dhënat e 24 orëve të fundit tregojnë se situata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në shtetin e New Yorkut, diktojnë masa më të forta të karantinës. Nisur nga të dhëna e fundit kur u raportua se gjatë 24 orëve ka rritje të numrit të të infektuarëve dhe të viktimave, e ka detyruar Presidentin Trump që të mendojë për një karantinë më të fortë, më të mbyllur dhe rregulla më strikte për Treshtetshin; New York, New Jersey dhe Connectucut.

Në fakt presidenti Trump edhe më parë e ka përcjellë një ide të tillë për New Yorkun, port ash deklarata përfshin dhe dy shtetet e tjerë fqinj.

Ai e lëshoi ​​njoftimin pa u konsultuar  me guvernatorin e New Yorkut Cuomo, apo guvernatorin e New Jersey-t, Phil Murphy, as me Kryebashkiaku de Blasio. Presidenti madje sugjeroi që masat shtrënguse mund të hynin në fuqi para fundit të fundjavës në të gjithë rajonin, i cili është shfaqur si epiqendra e krizës. 

Ne jemi duke e menduar këtë masë shtërnguse dhe do të marrim një vendim, tha Trump përpara se të hipte në Forcën Ajrore për Norfolk, Va. Media njujorkeze kritikoi presidentin se ai nuk u konsultua me tre qeveritarët lokalë. Por Trump duket se eshte i ndikuar nag guvernatori republikan, Ron DeSantis nga Florida, një nga mbështetësit më të zjarrtë të presidentit, po nxit planin për të imponuar kufizime për treshen e shteteve verilindore. DeSantis e ka nxitur presidentin sepse ai ka parë se shumë njujorkezë, po lënë Nju Jorkun dhe po shkojnë në Florida, shtetin e  Diellit.

Por mbreme vone presidenti hoqi dore nga kjo ide, ndoshta edhe nga reagimi i ashper i guvernatorit Cuomo. Të paktën 67 përsona nga NYC, nga ata që u raportuan në gjendje kritike 24 orë më parë, kanë rezultuar të vdekur gjatë natës nga COVID-19, duke e çuar numrin e vdekjeve për pesë bashkitë në 517(NYC), ndërsa në shkallë shteti 728 vdekje, dhe numri i të infektuarëve në 52 mijë. Shifrat e reja zbulojnë se 151 persona vdiqën në të njëjtën kohë në fillim të së Premtes – duke zbuluar një progresion në rritje, më vdekjeprurëse për minutë në krahasim me llogaritjen e së enjtes deri të premten në mbrëmje.

   ….. Numri i përgjithshëm i infektuarve në qytet (NYC)u rrit në 29.1158, duke ngjitur edhe kurbën e të infektuarëve brenda natës në 2.461.

Statistikat e Nju Jorkut tregojnë se numri më i lartë i të infektuarëve është në Queens, me 9.222, Brooklyn është i dyti me 7.789, i ndjekur nga Bronx, me 5.352, dhe Manhattan, me 5.036, Staten Island ka 1,718 raste.

Presidenti Donald Trump tha të Shtunën se po konsideronte një “karantinë” në zonën e New York, New Jersey dhe Connecticut për shkak të shpërthimit masiv të koronavirusit.Pak me vone ai shtoi:nese do te jete e nevojshme.

Guvernatori i New York-ut Andrew Cuomo ndërkohë komentoi se ai nuk kishte folur me presidentin për ndonjë lloj karantine.

“Unë as nuk e di se çfarë do të thotë kjo,” tha Cuomo. “Unë nuk e di se si mund të jetë e zbatueshme me ligj një karantinë më e fortë.” Me pas Cuomo iste me i ashper.

Komente të presidentit erdhën ndërsa numri i rasteve të koronavirusëve në shtetin e New York(përfshi dhe bashkitë e qyteteve) u rrit në mbi 52,000, me 728 vdekje.

Sh.B.A i ka rritur shifrat e të prekurëve nga COVID-19 duke e çuar numrin e të infektuarëve në 121,478, me 15.950 të infektuar të rinj në 24 orëshin e fundit.

              *** 

Ligjvënësit e New York-ut do te votojnë në distancë 

Pandemia e COVID-19 po u dikton ligjvënësve të shtetit te NY të praktikojnë atë që vetëm disa javë më parë do të kishte qenë si një ëndërre largët: diskutimin dhe ndoshta votimin e buxhetit të shtetit dhe projekteve të tjera nga shtëpitë e tyre, ndërkohë që katër ligjvënës kanë rezultuar pozitivë ndaj Koroavirusit.

Demokratët që zotërojnë shumicën me 150 vende mbajtën një konferencë në distanca në Zoom gjatë mbrëmjes të së Shtunës për të diskutuar buxhetin e shtetit.

Videokonferenca në distancë është një metodë e re e diktuar nga kushtet e krijuara prej koronavirusit dhe po krijon praktikë të re në Albany për të negociuar buxhetin dhe çështje të tjera pas dyerve të mbyllura.

Udhëheqësi i shumicës së parlamentit Crystal People-Stokes (Demokrat nga Buffalo) prezantoi një rezolutë javën e kaluar që do të lejojë ndryshimin e rregullit të deritanishëm, duke i dhënë kryetarit Carl Heastie (D-Bronx) mundësinë e votimit të ligjvënsëve në distancë gjatë periudhës së gjendjes së jashtzakonshme, duke aplikuar telekonferencën dhe videokonferencën.

Rregullat aktuale kërkojnë që ligjvënësit të votojnë personalisht. Anëtarët e asamblesë mund të votojnë për të ndryshuar rregullin e ri përpara 1 prillit, ku diktohet buxheti i ri.

Drejtori i Buxhetit të Shtetit Robert Mujica vlerëson se shteti po përballet me një defiçit prej 15 miliard dollarë të ardhura të humbura.”Ne nuk kemi para,” tha Gov. Andrew Cuomo gjatë një konference për shtyp të Shtunën.

***

Vdekja e 17-vjeçarit nga Los Angeles nën hetim

Rasti i adoleshentit nga Los Angeles që humbi jetën për shkak të COVID-19, u zbardh si rast neglizhent dhe i mungesës së humanizmit. Për të u tha se nuk iu dha ndihma në kohën e duhur pasi kishet rezultuar pozitiv.Ai vdiq nga ataku kardiak pasi ishte larguar nga shërbimi i urgjencës sepse nuk kishte sigurim shëndetsor.

Banorët e lagjes të Lancaster kanë shprehur indinjatën e tyre për këtë rast antihuman.

Kryetari i Lancasterit R. Rex Parris është shprehur për Daily Mail se adoleshenti ishte i shëndetshëm dhe nuk kishte rrezik për jetën para se të paraqitej për ndihmë mjeksore.

 Parris ka thene se djali ishte larguar nga institucioni i shërbimit të urgjencës, pavarësisht se kishte probleme të frymëmarrjes, për shkak se nuk kishte sigurim dhe iu tha të shkonte në një spital publik në zone.

Djali pësoi atak kardiak gjatë rrugës për në Spitalin publik.Spitali arriti ta rikthene në jetë dhe ta mbante gjallë për për 6 orë. Por udhetimi per në spital i kishte shpenzuar shumë kohë, dhe ishte tepër vonë për ta mbajtë në jetë. E keqja kishte ndodhur. 

Babai i djalit është një shofer Uber dhe ai dhe disa anëtarë të tjerë të familjes janë testuar gjithashtu pozitivë për COVID-19. 

Vetëm disa orë pasi zyrtarët shëndetësorë në LA County njoftuan se djali kishte vdekur nga koronavirusi – zyrtarët thanë se mund të ketë një “shpjegim alternative” dhe se vdekja e tij do të hetohet më tej.

Filed Under: Analiza Tagged With: Karantine per treshtetshin

Kosova po rrezikon ta përsëris pas një shekulli gabimin e Shqipërisë në raport me SHBA-të?

March 28, 2020 by dgreca

NGA XHYLIJE IBRAHIMI*/

Premtimi për amerikanët është baras me besën për shqiptarët! (A promise is a promise – premtimi është premtim)

Nga përvoja ime e punës me organizata të ndryshme amerikane, kam mësuar një gjë: Te amerikanët vlen rregulla: ,,kurrë mos premto atë që nuk je në gjendje ta përmbushësh”.

Këtë thënie, më vonë e kam hasur edhe gjatë studimeve të mia post-diplomatike, që jo rastësisht zgjodha marrëdhëniet Shqipëri-SHBA 1919-1939.

Marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri në vitet 1922-1928 rezultuan me njohjen e Shqipërisë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në gusht 1922. 

Shqiptarët, të zhgënjyer nga lëkundjet e diplomacisë evropiane ndaj çështjes shqiptare dhe duke qenë të pafuqishëm përballë apetitet imperialiste të shteteve fqinje, vendosin t`i drejtohen Amerikës, me kërkesë që të pengojë përpjekjet për copëtimin e Shqipërisë. 

Zyrtarët amerikanë e arsyetonin nevojën për njohje të Shqipërisë nga qeveria e tyre edhe me faktin se Shqipëria, edhe në ato kushte, ishte vend pa borxhe të jashtme, posedonte rezerva të mëdha nafte dhe ofronte mundësi të mira për investime në hekurudha, rrugë dhe industrinë e drurit. 

Gjithashtu, ata insistonin që interesat amerikane të trajtohen sipas rregullave për kombin më të favorizuar, kusht ky që u pranua nga qeveria shqiptare, pas njohjes de jure, bashkë me dy kushtet tjera të marrëveshjes. 

Njëra prej tyre kishte të bënte me angazhimin e qeverisë shqiptare që të respektonte natyralizimin e shtetasve të huaj në SHBA, kurse tjetra – me një hua të madhe nga bankat amerikane, që do të përdorej për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, nën kontrollin e ekspertëve amerikanë.

Periudha 1923-1925 karakterizohet me një ftohje të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, pas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit, që ishte një goditje e rëndë në përpjekjet e forcave demokratike. 

Favorizimi i interesave ekonomike të Italisë dhe Anglisë, bëri që marrëdhëniet e SHBA-ve me Shqipërinë të ftohen dukshëm. 

Amerikanët mendonin se SHBA meritonte së paku një trajtim të barabartë, duke pasur parasysh shërbimet që i kishin bërë Shqipërisë përmes presidentit Uillson dhe Kryqit të Kuq. 

Në këtë mënyrë, Shqipëria kishte shkelur tri pikat e marrëveshjes në raport me SHBA-të. 

Pas në periudhe ftohje, në prill të vitit 1926, fillon të përmirësohet qëndrimi ndaj Amerikës, falë Faik Konicës, i shkolluar pjesërisht në Harvard, që ishte emëruar ambasador në Uashington. 

Në vitet 1928-1939, periudhën e Monarkisë në Shqipëri, Qeveria e SHBA-së, duke njohur Mbretërinë e Shqipërisë kishte parasysh marrëveshjen e lidhur nëpërmjet shkëmbimit të notave në qershor të vitit 1922, midis Maksvell Bllejkut dhe qeverisë shqiptare, e cila mbetej në fuqi. 

Por, SHBA-ja nuk ndërmori asgjë, në vitin 1939, për të penguar pushtimin e Shqipërisë nga Italia, edhe pse Faik Konica, si përfaqësues diplomatik i Qeverisë Mbretërore të Shqipërisë në SHBA, kishte njoftuar Departamentin e Shtetit se Shqipëria gjendej para greminës dhe se së shpejti do të pushtohej nga Italia fashiste. 

Fajtore për këtë mos reagim të SHBA-së konsiderohet të ishte politika e Zogut. 

Më 10.06.1939, me udhëzim të Departamentit të Shtetit, mbyllet ambasada amerikane në Tiranë dhe marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve ndërpriten.

Këtë  kronologji të marrëdhënieve të SHBA-së me Shqipërinë e ri-solla për të rikujtuar politikanët tanë në Kosovë me rrezikun për të provokuar një zemërim tjetër amerikan ndaj shqiptarëve, pas gati një shekulli, edhe pse arsyet mund të ndryshojnë.

Roli i Amerikës ishte vendimtar edhe te çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj.

Politikanët tanë duhet ta kuptojnë se Amerika mundet pa Kosovën, por është pikëpyetje e madhe nëse Kosova mundet pa Amerikën. Kjo nuk nënkupton se ne duhet të lëshojmë pe në interesat jetike të shtetit të Kosovës, por duhet të dinë që gjërat t`i bëjmë me më shumë diplomaci.

Mjerisht, Kosova ka shumë politikanë e pak diplomatë. Ata duhet kuptuar se Amerika nuk mund të barazohet me çfarëdo shteti tjetër, në raport me interesat shqiptare.

Shpresojmë për ditë më të mira.

………………………………….

(Autorja është master i marrëdhënieve ndërkombëtare&diplomacisë

Filed Under: Analiza Tagged With: amerika, kosova, Xhylije Ibrahimi

DR. DETINA ZALLI MD: VAKSINA KUNDËR COVID-19 ËSHTË NË FAZËN EKSPERIMENTALE

March 28, 2020 by dgreca

  • FLET PËR DIELLIN SHKENCËTARJA SHQIPTARE QË ËSHTË E PËRFSHIRË NË EKSPERIMENTIMIN E VAKSINËS KUNDËR CORONAVIRUSIT, DR. DETINA ZALLI MD, LIGJËRUSE NË UNIVERSITETIN E OXFORDIT-/
  • Shkencëtarët po testojnë 69 ilaçe kundra koronavirusit./
  • Janë 3 prova klinike, ku do të ketë qindra pacientë që do të testohen /dhe do të ndiqen për një vit. A zhvillojnë simptoma të tjera? Si e prekin sistemin imunitar? A zhvillojnë antitrupa? etj.

NGA DALIP GRECA

Para 7 vitesh gazeta Dielli i uronte mirëseardhjen në Harvard Detina Zallit, përmes një interviste, ku u shpalos historia e veçantë e dy motrave binjake 11 vjeçare, Detinës dhe Argitës, të cilave bashkë me prindërit, kundrejt pagesës me para të marra borxh, u qe premtuar udhëtimi drejtë ëndrrës britanike me avion, por përfunuan në maune, dhe fati i ndihmoi për të mbërritur në qytetin-port Folkestone në Jug të Anglisë. Ishte viti 1999. Dielli tregonte kapërcimin e vështirësive të familjes dhe të dy motrave të cilat duke triumfuar edhe mbi racizimin ndaj emigrantëve arritën që të shkëlqenin në shkollat britanike dhe po çanin shtigjeve të shkencës. Detina kaloi 4 vjet e gjysëm në Harvard. Po ç’ndodhi gajtë atyre katër viteve e gjysëm e më pas në jetën e Detinës? Si është e përfshirë ajo sot në grupin shkencor për vaksinën kundër COVID-19, ç’mendon për Koronovirusin, për kalimin e vaksinës nga eksperimenti në prodhim e përdorim? Lexojeni të plotë intervistën e dhënë enkas, shoqëruar me nëj mesazh shumë të ngrohtë.

DIELLI: Përshëndetje Dr. Zalli. Ra ky Coronavirus dhe u pamë sërish virtualisht 7 vjet pas intervistës së parë me gazetën DIELLI, Çfarë mund të thotë rreth panepidemisë të COVID- 19 shkenctarja Detina Zalli në këtë situatë ankthi ku njerëzimi pret me padurim lajmin e vaksinës shpëtuse prej Coronavirusit? 

Dr. Detina ZALLI-COVID-19 është pjesë e një virusi të cilët bëjnë pjesë në familjen korona. Këto viruse janë të mbështjellura me proteina të jashtme të ngjashme me kurorën prandaj quhet dhe koronaviurs. Janë pikërisht këto korona që e mbrojnë virusin në një farë mënyre  dhe bëjnë që virusi të qëndrojë i paprekur në pikat mukozale në ajër dhe në sipërfaqe për disa ditë. Kjo është edhe arsyeja pse janë të rrezikshëm.

Si përmenda ka shumë viruse të tilla, por që ndryshojnë dukshëm në virulencë dhe përfshijnë ftohjen e zakonshme, gripin, poliomielitin, fruthin, hepatitin C / E, virusin Ebola. 

DIELLI:- Njerzimi po pret me ankth vaksinën.Kur mendoni se do ta kemi vaksinën e parë?

Dr. Detina ZALLI- Në fakt, Vaksina e parë ka filluar fazën e provave klinike nga kompania Moderna në Boston, por duhet kohë për të kaluar nga faza eksperimentale në fazën e prodhimit për përdorim tek njerëzit. Gjithëmonë duhet marrë në konsideratë kushti nëse del me sukses faza eksperimentale. 

Dielli: Duke qenë pjesë e eksperimtetit, nuk mund të parashikoni një afat kohor?

Dr. Detina ZALLI- Natyrisht një parashikim edhe mund të bëhet. Mendohet rreth 14-18 muaj.Jo sepse nuk duam ta përshpejtojmë procesin, por sepse eksperienca tregon se nëqoftëse vaksina nuk është e verifikuar mirë, mund të bëjë më shumë dëme sesa efekte kuruse. Duhet verifikuar se këta pacientë që po marrin doza të ndryshme vaksinimi të pergjigjen e të reagojnë mirë kundrejt vaksinës. Të krijojnë antitrupa kundër proteinës spike që ndodhet në virus dhe që infekton qelizat. 

DIELLI: Konkretisht si do të do kryhet faza eksperimentale, në sa pacientë do të eksperimentohet, çfarë do të vëzhgohet?

Dr. Detina ZALLI- Janë 3 prova klinike, ku do të ketë qindra pacientë që do të testohen dhe do të ndiqen për një vit. A zhvillojnë simptoma të tjera? Si e prekin sistemin imunitar? A zhvillojnë antitrupa? etj….Vaksina duhet të jetë e vleshme për të gjithë moshat, fëmijët, të moshuarit, personat që mund të vuajnë nga sëmundje të tjera për shembull, diabeti etj. Nuk është e lehtë ti shpejtosh të gjitha fazat. Por çdokush po bënë të pamundurën. Të gjithë duam të njëjtën gjë.

Në qoftë se nxitojmë vaksina mund të mos jetë efikase për asnjë grup moshash. Dhe mund të infektojë dhe vrasi njerëz. Asnjë nuk do ketë. Theksoj të gjithë duam të njëjtën gjë dhe shkencëntarët po luftojnë duke bashkëpunuar me njeri tjetrin kundra virusit.

DIELLI: COVID-19 – PSE KAQ I RREZIKSHEM NE KRAHASIM ME VIRUSET E TJERE

Dr. Detina ZALLI- Mendoj edhe për këto arsye: 1- Simptomat shfaqen më vonë sesa SARS- që do të thotë që njerëzit shpesh ua kalojnë të tjerëve edhe para se ta dinë se e kanë.

2- Aktivizohet shumë lehtë nga enizma FURIN që gjendet në shumë indet tona.

DIELLI: Kemi dëgjuar se në pritje të vaksinës po rekomandohen disa ilaçe kundër koronavirusit. Çfarë mendojnë shkencëtarët?

Dr. Detina ZALLI- Shkencëtarët po testojnë 69 ilaçe kundra koronavirusit.

DIELLI- Mendoni se njerzimi u ndodh i papërgatitur përballë kësaj beteje me armikun e padukshëm dhe të panjohur apo e nënvleftësoi? 

Dr. Detina ZALLI- Mendoj se shkencën dhe mjekësinë e ka gjetur të papërgatitur. Zakonisht si shkencëtarë nuk i nënvloerësojmë viruset, aq më tepër ata të panjohurat, për të cilët nuk ka ende një kurë. Megjithatë dua të theksoj që jemi të gjithë të mbledhur së bashku duke kooperuar me njeri tjetrin dhe duke ndarë të gjitha informacionet në mënyrë që të gjejmë një kurë, një vaksinë. Shkenca po përparon. Si kam përmendur në intervista të tjera ka me shumë se 45 vaksina me të cilët po punohet. Vaksina e parë që po provohet në Phase I clinical trial është në Seattle, ku janë injektuar 4 indivdët e parë gjatë javës së kauar. Ka shpresë. Jam e sigurt që do e fitojmë edhe ketë betejë, por që duhet kohë. Edhe shkenctarët edhe mjekët kanë nevojë për kohë.

DIELLI-  Si ka vepruar Dr. Detina Zalli nga momenti i shfaqjes së Panepidemisë deri në këto momente? – Shihni dritë në fund të tunelit? – Sa e gjatë mund të jetë beteja? – A ka raste të rikthimit të virusit pas shërimit tek pacientet? – Mendoni se kjo Panepidemi do të ndryshojë mënyrën e jetesës së qytetarëve? 

Dr. Detina ZALLI- Unë jam duke punuar me një grup të mrekullueshëm shkencëtarësh në Universitetet dhe laboratorët më të mirë në botë si MIT dhe Harvard , jemi duke bërë research të detajuar bazuar në gjetjet e fundit laboratorike në mënyrë që të edukojmë shkencëtarët. Qëllimi jonë është të edukojmë sa më shumë kërkues shkencorë që po merren me zhvillimin e vaksinave, apo zhvillimin e testeve të shpjeta diagnostikuse apo trajtime efektive, duke i dhënë rekomandime të sakta mbështetur nga fakte dhe burime të shëndosha shkencore dhe mjekësore. Patjetër shikoj dritë në fund të tunelit. Jam e sigurt që shkenca do përparojë si po e tregon nga faktet e fundit (zhvillimi i vaksinave apo ilacave antivirale) por që do kohë. 

Bazuar në faktet shkencore nuk mund të them me bindje të plotë që virusi nuk do kthehet përsëri tek pacientët e shëruar (që kanë kaluar virusin) sepse ende po zhvillohen shumë teste dhe kërkime për këtë por mund të them që ngjasitë më të mëdha janë që të mos kthehet duke patur parasysh që trupi i njeriut krijone antitrupa kundër virusit (në këtë rast kundër Sar-Cov2 që shkakton COVID-19) dhe që teorikisht duhet ta eliminojë menjëherë virusin në qoftë se e takon për herë të dytë.

Mendoj që kjo panepidemi do ti bëjë njerëzit më të ndjeshëm, dhe do të vlerësojnë më shumë jetën dhe marrëdhëniet me njeri tjetrin. Në të nëjjtin kohë do ti hapi horizontin, do kuptojnë që jo të gjitha gjërat janë të kontrollueshme dhe nuk i kontrollojmë dot. Gjithashtu do vlerësojnë që përgjegjësia (Të qëndrosh brenda për tu mbrojtur nga virusi) ndonjëherë është më e rëndësishme sesa liria (e të dalit jashtë). Patjetër që të gjithë do kalojnë në një farë mënyre krize ekonomike, dhe gjërat per shumë individë mund të jenë më të vështira, por që thelbi kryesor që të gjithë njerëzit po kalojnë është rëndësia e jetës, dashuria për jetën, dhe për njeri tjetrin.

DIELLI- Dr. Detina, gazeta Dielli, më e vjetra e botës shqiptare, që sapo ka festuar 111 vjetorin e numrit të parë, ka pasë nderin t’ju intervistojë para 7 vitesh, kur ju erdhët për doktoraturën në Harvard. A mundeni ta plotësoni atë intervistë me sa te mundeni? – Ç’ndodhi në ato 4 vite e gjysem që ju kaluat në Harvard? A mund të përshkruani aktivitetin tuaj të plotë atje?

Dr.Detina Zalli-Në Harvard kalova një periudhë shumë të bukur të jetës time, ku nuk u zhvillova vetëm si shkencëtarë apo pedagogë por edhe si një udhëheqëse. Bashkëpunimi me kolegët më rriti profesionalisht dhe personalisht. Ishim tamam si një familje të rrethuar nga kurioziteti dhe të uritur për njohuri. Në Harvard publikova dy gazeta të rëndësishme shkencore si edhe i drejtova shumë kurse në fushën e biologjisë mjekësore dhe biokimisë për mjekët, studentët e doktoraturës, si edhe për undergraduate students. Punova me shkencëtarët më të mirë të botës (mund të them) të cilët më inspiruan dhe mbështetën duke parë pasionin tim për pedagogji dhe urinë për njohuri.

 E inspiruar nga ish Presidenti i Amerikës Obama, u bëra pjesë edhe në Harvard Graduate Government, ku pata fatin të njihja shumë mendje të ndritura dhe u përfshiva në drejtimin e eventeve më të rëndësishme si për shembull Harvard Leadership Conference, apo isha drejtuese e Harvard Lecture That Last. Mbase momenti më krenar ka qenë zhvillimi i eventit në Univiersitetin e Harvardit për librin tonë “Good Morning Hope” që do të publikohet në 2021, në të cilën së bashku me motrën binjake, Argita Zalli, treguam historinë e jetës tonë e cila u prit me duartrokitje. (Ishte një event i vecantë sepse zakonisht universiteti i Harvard nuk bën evente dedikuar dy personave. 

DIELLI: Ç’ndodhi pas Harvardit?

Dr. Detina ZALLI-Pas Harvardit u riktheva në Londër afër familjes time, ku punova si pedagoge në fushën e biomjekësisë. Pjesa e punës time ishte të udhëtoja në Azi. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe e veçantë sepse u takova me kultura të ndryshme të cilët më kanë zhvilluar personalisht. 

DIELLI: A ka ndryshuar statusi juaj familjar?

Dr. Detina ZALLI- Nga ana personale, kam gjetur njeriun e zemres, bashkeshortin tim Toni, dhe jam bere mami i dy femijeve te mrekullueshem, Destini dhe Dielli, te cilet me kane ndryshuar jeten duke me dhuruar akoma me shume dashuri, inspirim. Tani çdo gje qe bej eshte per ata (perveçse normalisht per prinderit e mi qe jane gjithçkaja e jetes time).

DIELLI: Diçka rreth rolit tuaj si Ligjëruese në Universitetin e Oksfordit?

Dr. Detina ZALLI– Jam duke punuar me profesorë të shkëlqyer që më inkurajojnë çdo ditë dhe që më japin mundësinë të udhëheq. Jam shumë e apasiunuar pas punës time, dhe tani jemi duke udhëhequr një kurs designed për profesionalistët e fushës shkencore dhe mjekësore, si mjek, shkencëtarë, kirurg për tu mësuar më shumë reth shkencës së kancerit dhe zhvillimit të ilaçeve. 

DIELLI: Jeni bërë figurë e njohur shkencore dhe publike, keni vizitiuar botën, ndërkohë që ju nuk i keni shkëputur lidhjet me vendlindjen. Ç’mund të thonë për këtë, çfarë ju mbanë lidhur? 

Dr. Detina ZALLI- Shqipëria është vendi më i dashur e cila më ka mbështetur, rritur (megjithëse me sakrifica), më ka mësuar mësuar të dua dhe të respektoj të tjerët. Për mua është mëse normale të kem lidhje jashtëzakonisht të afërta me shqipërinë. Ndihem shumë shqiptare. Këtë më kanë transmetuar prindërit e mi të cilët vazhdojnë të më mbështesin dhe sakrifikojnë aq shumë, dhe që më kanë folur me aq dashuri për Shqipërinë. Këtë e shikoj tek njerëzit ,shqiptarët, respekti, dashuria dhe mbështetja e tyre që nuk i krahasoj me asnjë gjë në botë. Mendoj që pasuria ime më e madhe ka qenë mundësia për ti parë këto gjëra dhe për ti vlerësuar akoma më shumë.

DIELLI: Vendlindjen tuaj, Patosin, nga ku ju u larguat fshehurazi, po Bubullimën e gjyshërve, a i keni vizituar?

 Dr. Detina ZALLI- Shpesh herë ku shkoj në Shqipëri mundohem të shkoj edhe në Patos (vendi ku kam lindur) megjithëse nuk kam më shtëpi atje, apo Bubullimë (ku janë gjyshërit e mi). Verës së kaluar kalova 2 javë në Bubullimë ku kalova shumë kohë me të afërmit e mi, apo njerëzit që gjendeshin aty (komshinjtë e lagjes). Bisedova me të gjithë dhe kalova shumë bukur. Në ato momente kupton vërtet që suksesi më i madh, pasuria më e çmuar, janë lidhjet njerëzore, dashuria dhe respekti që të rrethon, modestia dhe humaniteti. 

DIELLI: – Një mesazh për lexuesit e DIELLIT në formën e këshillave? 

Dr. Detina ZALLI– Dua tu them që të mos ndihen kurrë të moshuar (çfarë do moshe të kenë) për të patur një qëllim të ri ose për të ëndërruar një ëndërr të re. Këshillat e tjera janë thënë përmes intevistës.

DIELLI: -Shumë faleminderit Dr. Detina. E vlërsoj shumë që edhe pse shumë e mbingarkuar ju gjetët sërish kohë që t’ia kushtonit intervistës me gazetën DIELLI!

Detina ZALLI: Ju lutem, nuk ka nevojë për falenderime. Ju keni qenë të parët që më keni intervistuar në Harvard dhe prindërit më kanë mësuar çdo të thotë respekti, apo mirënjohja, kështu që e ndiej të detyrueshme moralisht t’ju përgjigjesha. Ishte kënaqësi që biseduam!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dr.Detina ZALLI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT