• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2020

NË PËRKUJTIM TË NJË DASHAMIRSI TË FISIT SHQIPTAR

April 21, 2020 by dgreca

 Fishta dhe Koliqi për Norbert Joklin/

  Nga Frank Shkreli/Izraeli dhe bota hebraike në përgjithësi shënojnë Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Holokaustit duke filluar nga mbrëmja e ditës së Hënë të 20 Prillit e deri të Martën me 21 Prill.  Është kjo një ditë solemne që përkujtohet eliminimi i 6-milionë hebrejve gjatë Holokaustit.

Fund javën që kaloi, Qendra e njohur Hebraike në Nju Jork, “The Temple Emanu-El Streicker Center”, në përgatitje të shënimit të kësaj dite përkujtimore, ftoi Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Besiana Kadare në shërbimet e ditës së Premte për të folur, siç thuhet në njoftim, mbi historinë e “pabesueshme dhe kryesisht të pa njohur”, se si Shqipëria u bë një vend i sigurt strehimi për hebrenjët gjatë Holokaustit. 

At Gjergj Fishta, Asdreni, Ernest Koliqi dhe Lasgush Poradeci.

Gjatë fjalimit të saj, Përfaqësuesja e Përhershme dhe fuqi-plotë e Shqipërisë pranë OKB-së foli për ndihmën që kanë dhënë shqiptarët e rendomtë, pa dallim, për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.  Shefja e Misionit të Shqipërisë pranë OKB-së foli gjithashtu edhe për rolin që kanë luajtur edhe “autoritetet zyrtare” të qeverisë shqiptare në atë kohë në Tiranë, të cilat, shtoi ajo, kanë refuzuar të dorëzonin nazistëve listat me emëra hebrenjësh.  Pa përmendur emra konkret, ambasadorja shqiptare foli për “guximin moral të shqiptarëve”, duke i cilësuar përpjekjet e autoriteteve dhe të shqiptarëve të thjeshtë për shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri, si një “trashëgimi qytetërimi dhe një mësim për brezat e ardhëshëm”.  Ajo përmendi veçanërisht rolin e ambasadës shqiptare në Berlin, e cila tha ambasadorja Kadare, në atë kohë, lëshonte viza për hebrenjtë e kërcënuar nga cilido vend evropian qoftë, gjë që mundësonte largimin e tyre për në vende të sigurta për ta, përfshir edhe Shqipërinë.

Mund të jem gabim, por është hera e parë që dëgjoj një zyrtar/e të Shqipërisë post-komuniste që pranon, duke përmendur rolin që ka luajtur qeveria shqiptare, ministra dhe përpjekjet e autoriteteve të asaj qeverie në atë kohë, për të bërë ç’mos që të shpëtonin hebrenjtë nga likuidimi fizik, roli i të cilëve ende konsiderohet, zyrtarisht, si një tabu në Shqipëri.  Është meritë e ambasadores Kadare që të pakën përemendi  megjithëse tërthorazi, por publikisht, këtë të vërtetë historike.  Është kjo një temë që nuk duhet harruar por duhet kujtuar roli dhe përpjekjet e autoriteteve shqiptare të asaj periudhe, për hir së vërtetës historike, por edhe si një “trashëgimi e qytetërimit dhe si një mësim për brezat e ardhëshëm”, siç u shpreh ambasadorja Kadare.  https://telegraf.al/analize/frank-shkreli-pse-nuk-e-permendet-roli-unik-i-kol-bib-mirakes-per-shpetimin-e-hebrenjeve/

Kemi të bëjmë me njerëz guximtarë e trima, me personalitete shqiptare të cilët megjithëse shërbenin në një qeveri mike me Gjermaninë naziste të asaj kohe — për shpëtimin e hebrenjve, ata jo vetëm që rrezikuan pozitat që kishin, por mund të rrezikonin edhe jetën gjatë Hollokaustit, si rezultat i përpjekjeve tyre për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit dua të përmend përpjekjet e Ernest Koliqit dhe të At Gjergj Fishtës për të shpëtuar jetën e Norbert Joklit, albanologut të njohur austriak, me origjinë hebraike, që konsiderohet edhe si njëri prej themeluesve të albanalogjisë modern.  Ai vdiq në muajin Maj të vitit 1942, nën rrethana ende të panjohura, pasi kishte marrë urdhër nga nazistët që të largohej nga Vjena brenda 30 ditësh.  Si albanolog i njohur, Norbert Jokli gëzonte miqësi dhe mbante lidhje të ngushta me intelektualët më të njohur shqiptarë të kohës, si At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, e shumë të tjerë.  Thuhet se Jokli ishte admirues i madh, ndër të tjerë i Fishtës, Konicës, Naimit, por edhe i traditës bektashiane.  Në shënimet e rreth tij, thuhet se ai njihte mirë veprat e Jeronim De Radës dhe ishte simpatizues i Koliqit dhe i Dom Lazër Shantojës, publicistit dhe përkthyesit të veprave të shkrimtarëve të mëdhej gjermanë, priftit të parë katolik i vrarë nga një skuadër pushkatimi e regjimit të Enver Hoxhës, në Mars të vitit 1945.  Thuhet se Norbert Jokli vizitoi vetëm njëherë Shqipërinë, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë, me ç’rast u prit me nderime të mëdha dhe iu akordua çmimi i lartë kombëtar “Urdhni i Skenderbeut”. 

Ernest Koliqi, ish-Ministër i Arsimit ka përshkruar në revistën Shëjzat 1-4 dhe 5-8 të vitit 1972, shkurtazi, përpjekjet e autoriteteve të atëhershme shqiptare për të shpëtuar Albanologun e njohur Norbert Joklin, nga “fati mizuer që ia këputi jetën”, siç shprehet Profesor Koliqi.  Si një provë të këtyre përpjekjeve nga ana e tij dhe të tjerëve për të shpëtuar jetën e Joklit, ai ka botuar letrën origjinale të Ministrisë së Arsimit që ai kryesonte dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, me qëllim për t’a sjellur në Shqipëri për t’i shpëtuar atij jetën nga nazistët që i ishin venë pas, Norbert Jokli emërohet nga Ministria e Arsimit në detyrën si “Organizatuer të Bibliotekave Shqiptare me 6 tetuer, 1941”, me qëllim për ta larguar atë nga Vjena për në Shqipëri, për t’i shpëtuar jetën nga nazistët.  Mjerisht, shënon Profesor Koliqi, ky emrim i marrur nga autoritetet shqiptare me qëllim për t’ia kursyer albanologut të madh vuajtjet dhe mbarimin tragjik, nuk solli rezultatin e dëshiruar.  Por kjo tregon, shkruan Koliqi se, “Për mik, simbas zakonit shqiptar, edhe qeveria e asokohëshme e vendit tonë nuk dreshti me ia hy nji pune që mund të acaronte marrëdhëniet me ndonji prej autoriteteve të fuqishme”, të asaj kohe.

Ndërkaq, ndër të tjerë intelektualë shqiptarë të kohës, përfshir Lasgush Poradecin e të tjerë që ishin angazhuar për të shpëtuar jetën e albanologut të njohur duke dashur ta strehonin atë në Shqipëri — ishte edhe At Gjergj Fishta, i cili në një letër të datës 23 Shtator, 1939 drejtuar ish ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Franceso Jakomonit, i propozon atij që  mundësonte që të sillej në Shqipëri, “Ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Europë, Profesor Norbert Jokli, me kombsi çfute, që, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e profesor gjuhsije në të njajtin universitet. Tashti, më shkruen prej Vjenet, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem që të largohet, mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut”, njofton Gjergj Fishta Jakomonin

Fishta i shkruan Jakominit se do të ishte fatkeqësi për gjuhën kombëtare shqipe nëqoftse Norbert Jokli detyrohet të braktisi Evropën dhe i bën thirrje zyrtarit të lartë italian, “në emën të t’ gjithë intelektualëve shqiptarë”, që të marrë, “në konsideratë dashamirse këtë propozimin tem” ashtuqë “Shkelqësia e Juej të mundet me gjetë mundsinë e t’a bajnë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty nji vend, edhe pse jo aq fitim prues, megjithate të pershtatshëm për famën e tij si shkenctar e gjuhëtar i shquem”, përfundon At Gjergj Fishta letrën, dërguar Francesco Jakomonit, në përpjekje për të shpëtuar jetën e mikut të tij të ngushtë, Norbert Joklit. 

Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit, me përvujtëni kujtojmë njërin prej më të mëdhejve albanologë, Norbert Joklin dhe miqtë e tij të kohës — ndër më të mëdhejt intelektualë shqiptarë — të cilët megjithë rreziqet që mund tu kanoseshin, megjithse u munduan ta ndihmonin, fatkeqsisht, nuk ia dolën ta strehonin atë në Shqipëri dhe as t’ia shpëtonin jetën e mikut të tyre të shtrenjtë dhe dashamirsit të madh të fisit shqiptar.  

Për hir të vërtetës historike, kujtojmë e nuk harrojmë, por edhe falënderojmë shqiptarët e rendomtë dhe autoritetet shqiptare të asaj kohe për guyimin dhe kurajon e tre civile, përbalalë rreziqeve.  Kujtojmë veçanërisht, Norbert Joklin, këtë dashamirës të fisit shqiptar, për jetën dhe veprën e tij kushtuar gjuhës dhe kulturës dhe historisë së fisit të lashtë shqiptar.

Kujtojmë dhe falënderojmë së bashku me Drejtorin e Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris, i cili në deklaratën që bëri dje me rastin e Ditës Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit u shpreh se, “Ne kujtojmë guximin e Danimarkës, por edhe të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Finlandës, për përpjekjet e tyre të jashtzakonshme në mbrojtje të komuniteteve të tyre hebraike.  Ne kujtojmë shembullin e mijëra Personave të Drejtë, të cilët rrezikuan edhe jetën e tyre, ashtuqë të tjerët të mund jetonin”, ka thënë në deklaratën e tij Drejtori i Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris, 

Frank Shkreli

                               

                               Profesori dhe albanalogu austriak Norbert Jokl

      Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së, Besiana Kadare

Filed Under: Analiza Tagged With: Fishta, Frank shkreli, Koliqi, Robert Jokel

VILSON HIL PERLLESHI NDËRROI JETË NË SPITAL, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN PERLLESHI

April 21, 2020 by dgreca

VILSON HIL PERLLESHI NDËRROI JETË NË SPITAL, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN PERLLESHI/

Bashkatdhetari ynë Vilson Hil Përlleshi nuk mundi ta fitonte betejën me virusin vdekjeprurës COVID-19. Pas një dyluftimi të ashpër me virusin e padukshëm në spitalin “Northern Westchester Hospital” Mount Kisco- New York, ai ndërroi jetë ditën e Hënë, me 20 prill 2020. Vilsoni ishte i lindur me 14 shtator 1973.

Vilson la në pikëllim të thellë gruan e tij me katër fëmijët, prindërit, tre vëllezër dhe një motër.

E gjithë familja e madhe Përlleshi po përjeton dhimbjen për ikjen e parakohshme të njeriut të saj të dashur dhe Lutet për shpirtin e Tij!

Lek Përlleshi, që i përcolli lajmin gazetës Dielli, tha se “ende nuk po e besojmë se Vilsoni iku në amshim pa Lamtumirë. Besonim shumë se ai do ta fitonte këtë betejë por vdekja na e rrëmbeu Vilsonin tonë të dashur duke na lënë në pikëllim të thellë, me dhimbje në zemër, dhe me lot ndër sy.”

Për shkak të urdhëresave të shtetit që nuk lejon grumbullimet në kohën e Pandemisë ceremonia do të jetë private nga familja.

Kryetari i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “VATRA” z. Elemi Berisha, në emër të Kryesisë së Vatrës dhe të gjithë vatranëve i përcjell ngushëllimet më të sinqerta Familjes Përlleshi për humbjen e njeriut të saj të dashur. 

Edhe gazeta Dielli ngushëllon familjen Përlleshi.

Ngushëllime vatranit, anëtarit të Këshillit të Vatrës, z. Lek Përlleshi për humbjen e nipit të tij të dashur!

Lutemi për Vilsonin!

I pushoftë shpirti në Paqe!

Filed Under: Opinion Tagged With: COVID-19, nderroi jete, Vilson Perlleshi

GUVERNATORI CUOMO DO TË JETË TË MARTËN PASDITE NË ZYRËN OVALE PËRBALLË PRESIDENTIT TRUMP.

April 21, 2020 by dgreca

24 ORËT E FUNDIT TË BETEJËS KUNDËR COVID -19/

– GJËRAT PO LËVIZIN PËR MIRË NË NEW YORK…./

– Guvernatori Cuomo pohoi se të dhënat e fundit tregojnë se New Yorku, epiqendra e krizës në Shtetet e Bashkuara, ka kaluar fazën më të keqe të krizës dhe po shkon drejt stabilizimit të sistemit të kujdesit shëndetësor./

Nga Dalip Greca

       Andrew Cuomo, Guvernatori i New  Yorkut, që është një nga zërat kryesor në betejën kundër Koronavirusin do të takohet me Presidentin Trump të martën pasdite në Shtëpinë e Bardhë.

Njoftimi tashmë është bërë publik gjatë së Hënës dhe e kanë pohuar të dy palët. 

Presidenti Trump e njoftoi takimin në konferencën e përditshme të Shtëpisë së Bardhë për Koronavirusin. Stafi i Gov.Cuomo konfirmoi udhëtimin menjëherë pas atij njoftimi.

Presidenti tha se “gjëra të mira” po ndodhin në New York.

“Unë mendoj se guvernatori do të na shohë nesër, ai po vjen në zyrën ovale nesër pasdite. Andrew do të vijë me disa nga njerëzit e tij. Ne mezi po e presim atë”, tha Trump.

Presidenti nuk ka sqaruar rreth pikave të bisedimeve gjatë këtij takimi, por natyrisht që merret me mend se biseda do të vërtitet rreth COVID-19 dhe rihapjen e New Yorkut, informimi mbi rezultatet e studimit për eksperimentimin e ilaçit të malaries hidroksilkorin që është përdorur për të trajtuar pacientët e infektuar nga COVID-19 në 20 spitale të New Yorkut, pa harruar kërkesën për fonde federale, për punonjësit e vijës së parë, si dhe fondet për testimet. Marrdhëniet e Guvernatori me presidenti nuk kanë ecur përherë si në vaj, ata kanë shkëmbyer replika publikisht, që nga fillimi i krizës së koronavirusit, por edhe kanë lëshuar përkundrejt njeri tjetrin.

Ka pasur dhe momente, ku secili ka përcjellë lavdërime për punën e tjetrit. Javën e kaluar, Cuomo i ofroi degën e ullirit Presidentit, duke thënë në një intervistë në radioprogramin “Howard Stern Show”- se Presidenti Trump i kishte plotësuar të gjitha kërkesat e shtetit, që ai i kishte dërguar.

Por ata u përplasën kur presidenti Trump tha se “autoriteti i tij si president është total” mbi rihapjet e shtetit. Cuomo ishte ndër ata që e kundërshtoi zhurmshëm, duke  shpërthyer në media komente kundër deklaratës së presidentit, duke thënë se Amerika kishte një president, jo një mbret.

Po ashtu Cuomo dhe Trump janë përplasur kohët e fundit duke pasë mospajtime edhe për testimet dhe fondet.

Në këtë klimë do të jenë përballë njeri-tjetrit të Martën pasdite në zyrën ovale të shtëpisë së Bardhë.

                 ***

Beteja kundër COVID-19 vazhdon. Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe gjatë 20 prillit shënuan tregues që e mbajnë në vend të parë si për të infektuarit e rinj për 24 orëshin e fundit, ashtu edhe për numrin e të vdekurëve gjatë së Hënës, por optimizmi dhe presioni për zhbllokimin e ekonomisë janë në rritje.

Gjatë ditës së Hënë u raportuan rreth 28 mijë e 123 të infektuar të rinj në të gjithë Amerikën, rreth 3 mijë më shumë se të dielën, duke e rritur shifrën e përgjthshme në 792 mijë e 759, ndërsa të vdekurit në 24 orët e fundit shënuan rreth 300 pacientë më shumë; u raportuan 1,883, nga1,539 të dielën.Në fund të ditës së Hënë shifra totale e të vdekurëve u fiksua në 42 mijë e 514.

New Yorku si shtet raportoi gjatë ditës së hënë 4 mijë e 879 të infektuar të rinj, duke e çuar shifrën e të infektuarëve në rang shteti në 252 mijë e 94. Në 24 orshin fundit e humbën betejën me koronavirusin 631 njujorkezë(edhe pse guvernatori dha në konferencën me gazetarët në mesditë një shifër nën 500), duke e rritur numrin e përgjitshëm të jetëve të humbura në 18 mijë e 929.

New Jersey raportoi 3 mijë e 505 të infektuar të rinj, ndërsa të infektuarit në total janë 88 mijë e 806, ndërsa numri i viktimave të Hënën u raportua 175, në total ky shtet ka humbur 4 mijë e 377 jetë njerëzore në luftë me COVID-19.

Guvernatori Phil Murphy tha të Hënën se numri i të shtruarëve në spitalet e shtetit të tij për mjekimin e pacientëve të infektuar nga COVID-19 kanë prirjen e tyre rënëse dhe se ai po mendon që të planifikonte njoftimin në ditët e ardhshme për rihapjen e bizneseve dhe shkollave, në vartësi të standarteve përmes shifrave.

        Sidoqoftë, Murphy paralajmëroi se rihapja shumë shpejt do të rrezikonte një goditje tjetër nga virusi i padukshëm.

“Ne do të marrim vendime bazuar në fakte, kështu që nuk do të përjetojmë një valë të dytë bumerangu,” tha Murphy gjatë një konference të Hënën.

          Në vend të tretë në radhën e shteteve më të infektuar vazhdon të qëndrojë Massachusetts me 39 mijë e 914(gjatë ditës së Hënë u raportuan 1 mijë e 566 të infektuar të rinj), ndërsa numri i viktimave shkoi në 1 mijë 809(103 pacienët vdiqën të Hënën). Pannsylvania, me 1 mijë e 180 të infektuarit ditor, u ngjit në vendin e katër të shteteve me 33 mijë e 914 të infektuar, ndërsa numri i viktimave me 111 të vdekurit e së Hënës shkoi në 1 mijë e 348. Në vendin e pestë renditet Kalifornia me 33 mijë e 914 të infektuar(1 mijë e 947 gjatë 24 orshit të fundit), numri i viktimave, së bashku me 48 të vdekurit e ditës së Hënë, shkoi në 1 mijë e 208. Michigani, shteti që në fillim të prillit renditej i treti, tash ka kaluar në vend të gjashtë, duke i përmiërsuar ndjeshëm shifrat: Me 576 të infektuarit e raportuar të hënën, tash ka 32 mijë të infektuar, por për numrine viktimave ky shtet qëndron në vend të tretë me 2 mijë e 468 viktima; gjatë ditës së Hënë humbën jetën 77 pacientë.

Illinoisi raportoi 59 jetë të humbura në 24 orët e fundit, Florida 49, Louisiana 32, Connecticut 204, Georgia 94, Meriland 96, Ohio 27, Virginia 23, North Carolina 18, Mississippi 10, etj.

     *** 

Ndërkohë që presioni nga Shtëpia e Bardhë vjen në rritje për hapjen e ekonomisë, protestat në disa shtete po e stimulojnë më shumë zhbllokimin e ekonomisë. Rënia drastike e çmimit të naftës të hënën është treguesi i qartë i nëvojës për të vënë në lëvizje ekonominë. Ndërkohë që protestat kanë vazhduar edhe të hënën në disa shtete, përfshi dhe Uashingtonin, Guvernatori i New Yorkut Andrew Cuomo thotë se nuk ka nevojë për protesta, ato nuk bindin askënd, përballë rrezikut për jetët që mund të humbin nga shkujdesja dhe hapja e menjëhershme.

Duke iu përgjigjur pyetjeve gjatë konferencës së përditshme me gazetarët të hënën ai tha se e kuptonte pse disa njerëz po protestonin kundër bllokimeve të vendosura për të frenuar shpërthimin e koronavirusit, por kufizimet duhen sepse parandalojnë shpërthimet e mëtejshme të COVID-19.Cuomo foli pasi protestuesit u mblodhën në disa shtete të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund izolimit dhe urdhrave të qëndrimit në shtëpi, që ekspertët thonë se janë thelbësorë për ngadalësimin e përhapjes së virusit, por ekonomia ka ndalur në vend.Ajo ka nevojë për rihapje, për lëvizje.

Cuomo gjatë komunikimit të përditshëm me gazetarët, të hënën, sërish ngriti zërin për fonde federale për stafet e spitaleve, oficerët e policisë dhe punonjësit e tjerë të vijës së pare. Ai përsëriti lutjen për fonde federale për të rritur testimin e virusit.

Guvernatori tha gjithashtu se 20 spitale në shtetin e New  Yorkut, që kanë përdorur ilaçin malaries, hidroksilkorin për të trajtuar COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga virusi, do t’i dërgonin rezultatet e studimeve të tyre në Washington të Hënën.

Cuomo u tha gazetarëve se numri i të shtruarëve në spitale po ulet. Ai informoi se të Hënën në spitale e New Yorkut ndodheshin 16 mijë e 103 pacientë, nga 16 mijë e 213 që ishin një ditë më parë.

Ai shprehu mendimin se të dhënat e fundit tregojnë se New  Yorku, epiqendra e krizës në Shtetet e Bashkuara, kishte kaluar fazën më të keqe të krizës dhe po ecën drejt stabilizimit të sistemit të kujdesit shëndetësor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Guvernatori Cuomo, Presidenti Trump

Shuhet Rikard Ljarja, aktori i madh që nuk e pranoi titullin”Nderi i Kombit”

April 20, 2020 by dgreca

Ndërron jetën në moshën 77-vjeçare aktori i njohur shqiptar Rikard Ljarja. Aktori prej 3 muajsh vuante nga një sëmundje e rëndë dhe nuk dilte nga shtëpia prej kohësh. Pasditen e sotme zemra e tij pushoi së rrahuri duke mbyllur sytë përjetë në këtë botë, Ai ishte bashkëshorti i aktores po të njohur shqiptare Marjeta Ljarja .

Rikard Ljarja është është një aktor i teatrit dhe kinemasë shqiptare. Në vitin 1960 mbaroi maturën në Shkodër kurse në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu”, Tiranë.

Për tetë vite, pas diplomimit, punoi aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga kinostudiot. Prej 1996 deri 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në televizionin publik shqiptar.

Që prej vitit 1973 ka qenë protagonistë në shumë filma kinematografik, si “Fletë të bardha”, “Pesha e kohës” përkrah Kadri Roshit”, por edhe ka qenë regjisor si në filmi “Skëterr 43”, “Në pyjet me borë ka jetë”, e gjithashtu i madh ka qenë kontributi i tij edhe si skenarist edhe njeri i penës, ku gjatë viteve të fundit ka botuar disa libra. Ljarja gjithashtu ka qenë skenarist për filmat e njohur shqiptarë “Pesha e kohës” dhe “Kur hapen dyert e jetës”. 

Rita  Gjeka, drejtoresha e Teatrit Migjeni, në një lidhje telefonike me Report Tv, tha se ishte e pikëlluar nga ky lajm edhe pse e priste pasi e dinte që Rikardi ishte i sëmurë. Ajo tha se Rikardi ishte një njeri i madh dhe nuk e pranoi titullin ‘Ndër i Kombit’, aq i përulur ishte.

“E prita me dhimbje këtë lajm edhe pse ka kohë që unë e di që Rikardi ishte i sëmurë. Më 1 nëntor të 2019 insistova që të vinte në 70 vjetorin e teatrit, por mënyrën se si mu përgjigj më ngeli gozhdë në zemër. Ai kishte dëshirë të vinte por e kishte të pamundur, Ajo ishte hera e fundi që e takova. Ai kishte një nostalgji për Shkodrën dhe thoshte ‘për shpirt nuk iki kurrë nga Shkodran’.  Ai është shpallur “Nderi i Kombit’ dhe nuk e ka pranuar me e marr çmimin, i tillë ishte Rikard Ljarja“, tha Gjeka.

Edhe aktori e regjisori i famshëm Mevlan Shanaj ka reaguar në lidhje me vdekjen e aktorit të njohur Rikard Ljarja.

Ai është shprehur se e gjithë Shqipëria po përjeton dhimbje në këto momente dhe ata i kanë lotët tek sytë e tij të qeshur.

“Ej sot iku RiKard Ljarja ! Ej shqiptarë dhimbja ka një emër sot nesër do quhet Rikard , emocioni ka emrin e tij , buzëqeshja është për të, liria ka dashurinë në zemrën e tij, ne shoket lotët i kemi te sytë e tij të qeshur , zemra e tij është në ju që e deshët po kthehet në Shkodrën e jetës së tij. Mik na helmove na shkretove fisnikerinë.Faleminderit dashuris tnde , ne tashm dime t vdesim të ndershm dhuratën e ruajtur zemrs tende sot e hodhe në dritën e arit për të pushtuar gjithesinë? Dritë pastë emri vepra e shpirtit tënd të bukur, me duar të dridhura ju them; Rikardi mbeti Rikard ashtu si e doni. Si e do Shqipëria, Ded! Ku. Je! Kjo pyetje vjen në cdo familje për mje min heshtje. Le të kumbojnë këmbanat e zemrave për të. Lamtumirë miku im! Që mbete mik i shtrenjte!”, ka shkruar Mevlan Shanaj.Natasha Lako eshte shprehur se ai ishte fytyra më e dashur e gjithë riisë së saj me një zemër të pastër e të papërdhosur.Lako ka shtuar se ai ishte njeri i filmit , teatrit, i penës, i shokëve , i familjes së të bukur dhe i dashurisë së pafund.“Lamtumirë Rikardi ynë i shtrenjtë ! Fytyra më e dashur e rinisë sime , zemra më e pastër e brezit shqiptar më të papërdhosur , shpirt krijues i qytetërimit shqiptar, në vazhdimësinë dhe transformimin e viteve 60 në të gjithë botën, shkodran i mencur me qëndresën më fisnike.Zë kumbues , i njeriut më të zakonshëm. Njeri i filmit , teatrit dhe i penës, i shokëve , i familjes sate të bukur dhe i dashurisë së pafund. Na le para kohe”, ka shkruar Lako.. (Kortezi:Shqiptarja.com)

Filed Under: Opinion Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Rikard Ljarja

Kosovë-Pandemia, sfidë përtej çdo mospajtimi politik

April 20, 2020 by dgreca

-Me ftesë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tryezë me përfaqësuesit e institucioneve dhe subjekteve politike për menaxhimin e pandemisë me COVID 19. Kryeministri në detyrë Kurti ritheksoi edhe një herë gatishmërinë sikurse edhe nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të menaxhimit të situatës së krijuar me COVID-19. Kjo është sfidë e përbashkët, përtej çdo mospajtimi politik, prandaj edhe përpjekja duhet të jetë e përbashkët/

PRISHTINË, 20 Prill 2020-Gazeta DIELLI/Sot, me ftesë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt tryeza me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike për menaxhimin e pandemisë me COVID 19. Ftesës për pjesëmarrje në këtë tryezë iu përgjigjën Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasnqi. Ndërkaq prezentë ishin edhe Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia dhe Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve në detyrë, Ilir Aliu.


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij hapëse prezantoi situatën aktuale me COVID 19 në Kosovë dhe masat që i ka marrë Qeveria e Kosovës deri më tash për ta menaxhuar këtë situatë. Ai i njoftoi të pranishmit se në biseda telefonike me kryetarët e të gjitha komunave në Kosovë janë vlerësuar të gjitha nevojat që ato i kanë, e më pas ai edhe i ka vizituar deri më tash 15 prej tyre, që të njoftohet më për së afërmi me situatën në terren. Ai poashtu tregoi se janë organizuar katër tryeza me ambasadorë ku janë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dhe ndihmës, është hapur llogari e veçantë në thesarin e Republikës së Kosovës për menaxhim me pandeminë e COVID 19, ku deri më tani janë mbledhur rreth 400 mijë euro, derisa vlera e ndihmës së marrë deri tash nga organizatat dhe shtetet e huaja ka arritur në 341 milionë euro. Kryeministri Kurti poashtu shpjegoi se masat në fuqi janë marrë nga Ministria e Shëndetësisë me rekomandim të epidemiologëve dhe IKShPK-së dhe do të jenë në fuqi deri më 4 maj, me ç’rast do të rishqyrtohet situata.


Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nga takimet e saj me kryetarë të komunave vërehet një brengë rreth ndaljes së projekteve kapitale, sidomos atyre të furnizimit me ujë, duke e pasur parasysh se sa e rëndësishme është higjiena personale në këtë situatë. Ndërkaq sa i përket kredive nga organizmat ndërkombëtarë financiarë dhe nga shtetet individuale, ajo shprehu gatishmërinë e Kuvendit që të japë garancinë politike që kreditë dhe ndihmat të realizohen. Ajo foli edhe për tri nismat legjislative që janë në procedurë të Kuvendit, dy të propozuara nga GP i PDK-së dhe e treta që derivon drejtpërdrejtë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për kufizimin e lëvizjes, në mënyrë që mos të ketë probleme të natyrës juridike për të ndërmarrë masat. Ajo potencoi se si institucion janë munduar të jenë sa më bashkëpunues me Qeverinë e Kosovës për menaxhimin më të mirë të situatës.


Ndërkaq, Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh përfaqësues i PDK-së në këtë takim, Memli Krasniqi tha se vet prezenca e tij në këtë takim tregon për përkushtimin e PDK-së për t’i tejkaluar interesat partiake për çështjen me rëndësi për vendin. Ai e quajti këtë ftesë të vonuar, ndërkaq që shfaqi pakënaqësinë se iniciativat e PDK-së lidhur me menaxhimin e pandemisë deri më tash nuk janë marrë parasysh nga Qeveria, me theks të veçantë te masat për kufizim të lëvizjes dhe pakoja financiare. Megjithatë, ai theksoi gatishmërinë e partisë së tij për të kontribuar, me përgjegjësinë si partia më e madhe opozitare. Ai bëri thirrje që së bashku, pa dallime e në interes të qytetarëve, në Kuvend të hartohet një projekt ekonomik për ta kaluar këtë situatë.

Në fund Kryeministri në detyrë Kurti ritheksoi edhe një herë gatishmërinë sikurse edhe nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të menaxhimit të situatës së krijuar me COVID-19. Kjo është sfidë e përbashkët, përtej çdo mospajtimi politik, prandaj edhe përpjekja duhet të jetë e përbashkët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Pandemia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT