VILSON HIL PERLLESHI NDËRROI JETË NË SPITAL, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN PERLLESHI/
Bashkatdhetari ynë Vilson Hil Përlleshi nuk mundi ta fitonte betejën me virusin vdekjeprurës COVID-19. Pas një dyluftimi të ashpër me virusin e padukshëm në spitalin “Northern Westchester Hospital” Mount Kisco- New York, ai ndërroi jetë ditën e Hënë, me 20 prill 2020. Vilsoni ishte i lindur me 14 shtator 1973.
Vilson la në pikëllim të thellë gruan e tij me katër fëmijët, prindërit, tre vëllezër dhe një motër.
E gjithë familja e madhe Përlleshi po përjeton dhimbjen për ikjen e parakohshme të njeriut të saj të dashur dhe Lutet për shpirtin e Tij!
Lek Përlleshi, që i përcolli lajmin gazetës Dielli, tha se “ende nuk po e besojmë se Vilsoni iku në amshim pa Lamtumirë. Besonim shumë se ai do ta fitonte këtë betejë por vdekja na e rrëmbeu Vilsonin tonë të dashur duke na lënë në pikëllim të thellë, me dhimbje në zemër, dhe me lot ndër sy.”
Për shkak të urdhëresave të shtetit që nuk lejon grumbullimet në kohën e Pandemisë ceremonia do të jetë private nga familja.
Kryetari i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “VATRA” z. Elemi Berisha, në emër të Kryesisë së Vatrës dhe të gjithë vatranëve i përcjell ngushëllimet më të sinqerta Familjes Përlleshi për humbjen e njeriut të saj të dashur.
Edhe gazeta Dielli ngushëllon familjen Përlleshi.
Ngushëllime vatranit, anëtarit të Këshillit të Vatrës, z. Lek Përlleshi për humbjen e nipit të tij të dashur!
Lutemi për Vilsonin!
I pushoftë shpirti në Paqe!