• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2020

Pandemia nuk është luftë, është mësim pёr jetën

April 20, 2020 by dgreca

Esse nga Rafael Floqi/

Po është një mësim jete. Nuk është një luftë. Lufta sjell urrejtje, dhunë, shkatërrim, ndërsa ne jemi thirrur, në këtë moment të veçantë, të rizbulojmë vlera të tilla njerëzore, si :solidariteti, vëllazëria, fqinjësia dhe natyra. Metafora e luftës, aq e dashur për politikanët dhe gazetarët, ka qëllimin unik të amplifikimit të frikës në kontekstit e kësaj narrative, duke e përshtatur atë në mënyrë perfekte për përdorimin e emisioneve talk- shows për të na kujtuar, sesa jo për t’na informuar, por për të rritur rajtingun, për të  fituar një audiencë më  të gjerë. Të thuash se jemi në luftë është, sipas mendimit tim modest, është një shembull i pastër i prirjes leksikore njerëzore për t’i zmadhuar gjërat.

E pra, mos luftoni luftën nga shtrati në shtëpi apo duke postuar vazhdimisht histori në Facebook. Asnjë kufi nuk rrezikohet, nuk ka asnjë armik atje që të na pushtojë. Dhe pastaj, le ta kuptojmë sinqerisht dhe qetësisht: ne, si qenie njerëzore, kemi bërë luftëra qysh në fillim të kohës. Ne si njerëz jemi aq brutalë sa për mijëra vjet kemi vrarë njëri-tjetrin me gurë, shkopinj, shpata, shtiza, topa, mitraloza dhe bomba atomike. Imagjinoni sikur të kishim nevojë për një pandemi për të shpallur luftë … kush jemi ne? Madje dhe ky virus i vockël është vetë pjesë e natyrës së gjërave?

Sidoqoftë, në këtë kohë ekziston një sëmundje që prek dhe e bën këtë pa dalluar kufij, kombësi, ngjyrën e lëkure apo statusin shoqëror. Dhe ky është tashmë një mësim i shkëlqyeshëm i pari në këtë jetë. Ai na thotë – ashtu si duhet – se që të gjithë jemi njësoj. 

Diversiteti dhe dallimet janë fryti i mendjes sonë të kufizuar dhe kufizuese, janë apoteoza e gjerësisë sonë të mendimit. Jemi përballë një pandemie që, për tu adresuar drejt, që kërkon një sens të fortë  përgjegjësie personale dhe të bashkëpunimi midis komuniteteve. Kërkon një gjest kontrovers, kërkon altruizmin, në një shoqëri individualiste, në të cilën të gjithë mendojnë për veten e vet dhe si të mbrojnë të mirat e veta. 

Dhe ky është një mësim i dytë për jetën.

Le të ndalemi së vështruari në kopshtin tonë të vogël të mjeruar të përberë nga egoizmi, lakmia dhe mjerimi shpirtëror.

A e dini se si do të përfundojë kjo pandemi?  Veç me ndihmë të ndërsjellë! 

Do të duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin! Ose ndjenja e bashkësisë duhet të mbizotërojë, ose ne do të dënohemi të hamë njëri-tjetrin. Mesazhi i fundit i papës “Askush nuk ka i shpëtuar vetëm” e sqaron këtë.

Ky virus, në mënyrën e tij të së qenit ngjitës, duke na bërë të qëndrojmë vetëm me veten, na thotë se gabimi ishte ndoshta ai i pari.  Naiviteti për të besuar se mënyra jonë e të jetuarit ishte e drejtë, verbëria në të besuarit se jemi të lumtur dhe jo sipërfaqësor, marrëzia e të parit të një botë që digjet dhe mbërthehet në vetvete – dhe mbi ne – dhe ne jemi duke pretenduar se është normale. 

Gabimi i vlerësimit se ligji i fitimit është forcë lëvizëse e të gjitha gjërave. Në vend që të investonim në kujdesin shëndetësor, për përkujdesjen tonë, në solidaritet, për të forcuar ndjenjën e komunitetit, ne preferuam të shpenzonim për armatim, për t’u mbrojtur nga të tjerët, dhe nga bashkëqytetarët tanë. A nuk është edhe ky një mësim jete?

Ne zgjohemi ne një kohe kur pasuria është më e rëndësishme sesa dija, që është një  mashtrim dhe jo e vërtetë, është çnjerëzim dhe jo dashamirësi. Por jo vetëm kaq, po është momenti i pandjeshmërisë, i verbërisë, i egoizmit, i frikacakëve, i dukjes, i mediokritetit, keqkuptimit dhe veçanërisht i së keqes, në të gjitha format e saj. Ndoshta, të dashur njerëz, është koha të pranojmë: 

Se sëmundja nuk është virusi. Sëmundja jemi ne!

Deri më tani kemi jetuar të bindur që jeta, në një mënyrë delikate, na ka mashtruar. Se ajo ishte e padrejtë dhe mizore. Ne e harruam veten, duke parë orën, me ndjenjën tonë gjithëpërfshirëse, të bindur se mund të kontrollojmë edhe kalimin e kohës. Ndërsa ishim të bindur se ka akoma kohë, që asgjë nuk do të ndodhë nesër, dhe gjithçka mund të shtyhet për më  vonë. Ishim gabim. Një qenie e padukshme, e transportuar në ajrin që thithim dhe që, në pak më shumë se një muaj, ka përshkuar detet, malet dhe kontinentet e tëra, dhe ishte e mjaftueshme për të gjunjëzuar të gjithë besimet dhe zakonet tona. Mendohuni!

Ne besuam, në paditurinë dhe arrogancën tonë, se mund të jemi të pathyeshëm, se jemi superiorë ndaj çdo qenie tjetër të gjallë në faqen e dheut. Po, po është natyra ajo që po vrasim? 

Njeriu mburret. Unë e shkatërrova atë, e përdhunova, në emër të perëndisë së parave, i bindur që Toka Nënë, nuk pësoi ndonjë goditje, duke e shfrytëzuar atë egër e përgjithmonë. Ai mori, vodhi, me duar të shtrira, të grisura, prerë, copëtuar, duke prishur gjithçka që i shfaqej në udhë. 

Ne kemi sëmurur Tokën dhe tani ulërimat e  dhimbjes së saj, po zhurmojnë në shtrirjen globale të një pandemie që, për ne, njerëzit ka shijen e katastrofës.

Dhe tani e shohim veten të shtangur, të rrahur nga kjo shuplakë nga ky mësim jete që nuk e prisnim, ndaj ne e konsiderojmë se është e padrejtë, ta konsiderojmë veten në luftë.

Shembuj ekzistencialë si ky tregojnë, se së pari Toka  lëshon sinjale të vogla si kambanat, sinjale që gjithmonë kemi injoruar dhe më pas gjen një mënyrë për t’u dëgjuar me sirenat e saj gjithnjë e më therëse. Ajo na thotë se, me çdo çmim, ajo do të jetë në gjendje t’ju bindë se e mira dhe e keqja nuk janë të rastit, se ka ardhur koha të kuptojmë se ne si një specie e gjallë, po vazhduam kështu jemi afër vetë-shkatërrimit.

Ka ardhur koha për të kuptuar se llogaritja mbrapsht ka filluar, se polica jonë e sigurisë është konsumuar pothuajse plotësisht, dhe kjo është thirrja e fundit. Për ju, për mua, për të gjitha krijesat që popullojnë Tokën. Dhe për këtë planet të munduar, që nga vetë jeta e të cilit varet e gjithë mbijetesa jonë. 

Format e reja të qëndrimit tonë subjektiv duhet të promovohen, nëse synojmë ndryshime shoqërore  epokale. Duhet të kuptojmë se liria nuk është zgjedhja e ngjyrës së makinës, se asnjë përqafim nuk ta siguron atë kurrë, Babai im mjek më thoshte një frazë që “mbeti mbërthyer” mendjen time gjatë gjithë jetës . Ai më thoshte: ” I sheh, këta njerëz që vijnë për vizitë, ata nuk kanë nevojë pёr tre hapje në ditë, por pёr tre përqafime”, dhe distancat nuk maten në kilometra. 

Ne jemi larguar edhe kur jemi afër në këtë shoqëri, ku flasim pa dëgjuar, hamë pa shijuar, bëjmë dashuri pa ndjerë, ecim pa parë, një shoqëri në të cilën marrim frymë duke nuhatur, të errësuar nga besimet tona të verbëra. Natyra i ka rregullat e saj dhe ndjek një model të panjohur dhe nganjëherë të dhunshëm, si ky.

Bota vazhdon dhe ne, njerëzit e thjeshtë, kemi në dorë fuqinë vetëm të përpiqemi ta kuptojmë, ta ndryshojmë qasjen, besimet tona, sistemin tonë. Edhe pse është e vështirë, shumë e vështirë, por ne nuk kemi mundësi tjetër. 

E vërteta, njerëz të dashur, është se asgjë e nesër nuk do të jetë njësoj si më parë, përveç nëse mësojmë mirë këtë mësim, përndryshe gjithçka do të kthehet saktësisht si më parë, me huqet tona të këqija stërgjyshore dhe me vetëdijen se, përsëri, njerëzimi  humbi një mundësi për t’u përmirësuar. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Koronavirusi

Art e Natyrë

April 20, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Arti që ndahet nga natyra është imagjinatë, pa realitet, i sipërfaqshëm, si përrua herë i thatë, herë me ujë të cekët, i trishtë, i thatë, aspak tërheqës. Kur artisti nuk e sheh natyrën të jetë e bukur, ai krijon për hir të vetes; mendon se të tjerët janë pa shije, të shurdhër, ndërsa vetë i pakonkurueshëm, duke refuzuar jetën si prozaike dhe krijon një vdekje të cilën e quan poetike. Ai përbuz punët e lodhshme të ditës dhe fluturon drejt zjarreve të rrepta që djegin, por mendon se ndriçojnë errësirën; ha e pi, dhe më pas nxjerr idealin. Ai përcjell mendime dytësore dhe mbështetet në imagjinatë, në kundërshtim me natyrën; si në kohë lufte, kur njeriu ndëshkohet a dënohet pa gjyq nga polici. A nuk do të ishte më mirë që në tryezë të vihej me ideal, të shtrohej më parë idea, dhe pastaj të ngrënat e të pirat, ashtu sikurse bukuria të kthehet në art të dobishëm, dhe dallimi midis arteve të bukura dhe atyre të dobishme të zhdukej? Nëse historia do të tregohej e vërtetë, nëse jeta do të shpenzohej ndershmërisht e fisnikërisht, a nuk do të ishte më e lehtë ose e mundur që kufiri midis artit dhe natyrës të shkulej? Në natyrë, gjithçka është e dobishme, gjithçka është e bukur, sepse është e gjallë, lëvizëse, riprodhuese. Një realitet quhet i mirë sepse është i drejtë, në balancë, në harmoni, dhe jo si në peshore, ku qeveria rëndon dhe populli, në anën tjetër, është gur pavlerë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Art, Astrit Lulushi, Natyre

24 ORE NGA BETEJA KUNDER KORONAVIRUSIT NE SHBA

April 19, 2020 by dgreca

PRESIDENTI TRUMP E SHEH ME OPTIMIZËM RIHAPJEN E EKONOMISE, GUVERNATORËT KËRKOJNË FONDE FEDERALE /

NGA DALIP GRECA/

Presidenti Trump edhe në daljen e së Dielës(19 Prill 2020) u shfaq optimist për mposhtjen e koronavirusit, i cili siç tha ai, e arriti kulmin dhe tash një pjesë e shteteve do të nisin rihapjen.Betejën e Amerikës me COVID-19 presidenti e cilësoi pozitivisht të kontrolluar, duke e krahasuar SHBA-në me Gjermaninë.

Duke filluar nga e hëna Teksasi dhe Vermont do të nisn rihapjen e bizneseve, ndërkohë që bashkia e Jaksonville në Florida e nisi rihapjen me hapjen e plazheve. Presidenti porositi se nuk duhet të hiqet dorë nga distancimi. Lidhur me protestat e së dielës në Teksas, Indiana etj, apo edhe ato në Michigan, Ohio, Utah, etj. gjatë ditës së dielë, presidenti tha se ata kanë të drejtën e tyre që të kërkojnë heqjen dorë nga mbyllja dhe hapjen e bizneseve për ringritjen e ekonomisë.

Mirëpo jo të gjithë shtetet mendojnë si presidenti. Governatorët në të dy krahët politik thanë të Dielën se qeveria federale duhet të rritë mbështetjen e saj për shtetet që përpiqen të fillojnë testimin masiv të koronavirusit për të krijuar siguri në rihapjen e ekonomisë. Ata kërkuan fonde federale dhe testime masive.I ashpër ishte në reagimin e tij Guvernatori  Nga Virginia, Ralph Northam (Demokrat), i cili i quajti pretendimet e administratës Trump për burime të mjaftueshme”mashtruese”. Gjithësesi shenjë pozitive është fakti se administrata e presidentit Trump dhe drejtuesit e kongresit janë afër arritjes së një marrëveshje për të siguruar edhe 400 miliardë dollarë plus për të rinovuar fondet për një program kredie për biznesin e vogël.

Me gjithë këmbënguljen e presidentit për hapjen e ekonomisë, rreth 60 përqind e votuesve në Sh.B.A janë shumë të shqetësuar për rihapjen e menjëhershme të ekonomisë, sipas një anketimi të NBC News dhe Wall Street Journal.

 Edhe New Yorku, qendra e pandemisë, është një ndër ata shtete që e kundërshtojnë hapjen e menjëhershme si në nivel qyteti ashtu edhe në nivel shteti.

Edhe pse Shteti ka një ulje graduale të përditshme të numrit të vdekjeve, si guvernatori Cuomo ashtu edhe kryebashkiaku Bill De Blasio nuk e shohin të afërt rihapjen, edhe pse kanë caktuar 15 majin si kufi të mundshëm.

 Zyrtarët në Albany dhe në Manhatatn ende paralajmërojnë se New York City dhe pjesa tjetër e shtetit nuk janë të gatshëm të rihapin bizneset, shkollat apo të lejojnë grumbullimet.

Kryetari i bashkisë Bill de Blasio paralajmëroi të Dielën se me ardhjen e motit të pranverës, qyteti do të kërkojë më shumë zbatimin e rregullave të distancës sociale.

Po si është tabloja e betejës kundër COVID-19 në New York? Të Shtunën, numri i vdekjeve prej koronavirusit në shtetin e New York-ut ra nën 550 për herë të parë në mbi dy javë, të Dielën me 19 prill shifra u ngrit pak dhe shkoi në 627(numri i përgjithshëm i të vdekurëve 18 mijë e 298, ndërkohë që numri i të vdekurve të rinj për SHBA të Dielën u raportu në shifrat 1 mijë e 539, dhe në total 40 mijë e 533), ndërsa numri i të infektuarëve të rinj për New York ishte rreth 1 mijë më pak se një ditë më parë,por kriza nuk ka përfunduar, spitalet ende raportojnë rreth 2,000 pacientë të rinj COVID-19 në ditë. 

        De Blasio tha se joshja nga moti i ngrohtë i pranverës i njujorkezëve do të jetë një sfidë e vështirë, por ai paralajmëroi se nuk do të ketë lëshime. Ai kujtoi se rregulli, distancimi, do të mbrohen nga policia dhe shkelsit e rregullit do të përballen me gjoba deri në 1 mijë dollar. Kryebashkiaku nxiti qytetarët që nëse shohin grumbullime të fotografojnë dhe të njoftojnë autoritetet.

Në bashkitë e qytetit kanë humbur jetën nga beteja me COVID-19 rreth 13,000 njujorkezë, që nga 1 marsi, kur u raportua rasti i parë i koronavirusit. Shteti i New Yorkut ende ka problem me shifrat e vdekjeve për shkak se më shumë se 4,000 vdekje në New York City, që u raportuan se vdiqën nga virusi në çertifikatat e vdekjes, por që nuk u konfirmuan nga një test laboratori. Më shumë se 2,700 persona kanë vdekur në shtëpitë e pleqve në New York, shifër kjo më e lartë se në çdo shtet tjetër.

Një problem i rëndë për New York-un ka qenë dhe mbetet numri i lartë i oficerëve të Departamentit të Policisë të infektuar me COVID-19, por që fatmirësisht këtë javë ka filluar të bjerë ndjeshëm. Sipas Associated Press, departamenti më i madh i policisë ka raportuar se rreth 5,324 mbrojtës të rendit me uniformë të policisë ishin të sëmurë deri të shtunën, shifër kjo që përbën rreth 15% të forcës policore, por kjo shifër është më e ulët se ç’ishte që nga 9 prilli.Deri më tani, më shumë se 2,000 pjestarë të NYPD të testuar pozitivë janë rikthyer në punë, pasi kaluan karantinën dhe u shëruan.

Problemi më i madh për New Yorkun është përballja me deficitetet e mëdha në buxhet. Kryebashkiaku De Blasio tha gjatë të Dielës se nuk po bëhet sa duhet nga Qeveria Federale për të ndihmuar financat e zonave të goditura nga pandemia. Ai i është drejtuar Presidentit Trump dhe adminsitratës së tij me pyetjen: A doni ta shpëtoni New York City apo po i thoni New York-ut të bjerë i vdekur?

Gjuha dramatike e De Blasio erdhi gjatë konferencës së tij për shtyp të Dielën, pasi ai paralajmëroi javën e kaluar se planifikoi të shkurtojë 2 miliardë dollarë të tjerë nga buxheti i shërbimeve komunale të qytetit për shkak të rënies ekonomike. Ai tha se qyteti ka të ngjarë të humbasë të paktën $ 7.4bn në të ardhura tatimore gjatë vitit fiskal aktual dhe atë të ardhshëm.

De Blasio ka kritikuar paketën e lehtësimit të koronavirusit që Trump nënshkroi muajin e kaluar, duke thënë se New York-u mori vetëm 1.4 miliardë dollarë nga stimuli, krahasuar me rreth 58bn dollarë për industrinë e linjave ajrore. De Blasio i dërgoi një mesazh të hapur administrates, dhe i bëri jehonë një titull të gazetës Daily News në New York gjatë krizës së falimentimit të qytetit të viteve ’70, pasi Gerald Ford aso kohe ka mbajtë një fjalim në 1975, duke thënë se ai do të vinte veton ndaj një projekt-ligji federal që do të ndihmonte në shpëtimin e New York City nga falimentimet.De Blasio përdori shkrimin e Daily News që kishte në ballinë atë kohë titullin :

“Ford to City: Drop Dead “! De Blasio: “Pra, pyetja ime është, Z. Trump, Z. President, do të shpëtoni Nju Jork City apo po i thoni Nju Jork-ut që të bjerë i vdekur?

Filed Under: Analiza Tagged With: dalip greca, presidenti

UROHEN PASHKËT ORTODOKSE, FESTË ZYRTARE E KOSOVËS SHTET

April 19, 2020 by dgreca

-Në mesazhet e urimit të festës së Pashkëve Ortodokse përkujtohet edhe se, si sot 112 vite më parë Imzot Fan S. Noli e përfundoi përkthimin e botimin dhe e mbajti Meshën në shqip në Pashkët e atij moti për komunitetin shqiptar ortodoks në Boston – Amerikë/

PRISHTINË, 19 Prill 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Përfaqësues institucionalë e politikë të Kosovës kanë uruar të gjithë besimtarët shqiptarë ortodoksë kudo ku janë, si dhe besimtarët ortodoksë të minoriteteve etnike në Republikën e Kosovës, me rastin e kremtimit të Festës së Pashkëve, duke përkujtur edhe se, si sot 112 vite më parë Imzot Fan S. Noli e përfundoi përkthimin e botimin dhe e mbajti Meshën në shqip në Pashkët e atij moti për komunitetin shqiptar ortodoks në Boston – Amerikë.

Ligji për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës përcakton  festat zyrtare, mes të cilave Pashkët Ortodokse, E hëna e Pashkëve

Ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës në 21 Maj 2008,  pak më shumë se tre maj pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.

Dekretimi i Ligjit për festat zyrtare si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 12 vitesh në 9 Prill.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot  ka shkruar: 

Me rastin e Pashkëve ortodokse, të gjithë besimtarëve ortodoksë ua uroj këtë festë me besimin në vlerat pozitive religjioze, ndjenjat e mirësisë dhe respektin e ndërsjellë për njëri-tjetrin. Jam i lumtur që shtëpia jonë, Republika e Kosovës, ka harmoni dhe tolerancë ndëretnike, ku secili i gëzohemi festave të të gjitha komuniteteve. 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mesazhin e urimit shkruan:

Sonte besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët. Pazakonshëm, ndryshe nga ceremoniali mijëravjeçar, besimtarët nuk do të munden që fizikisht të shkojnë bashkë në Meshën e shenjtë. Por shpresën për përtëritjen e lutjet për ditë më të mira të gjithë në familjet e tyre do t’i japin pa kursim.

U bashkohem atyre duke ua uruar Pashkën, besimtarëve shqiptarë ortodoksë kudo ku jetojnë, si dhe besimtarëve ortodoksë të minoriteteve të ndryshme etnike në vendin tonë.

Si sot, 112 vite më parë, Imzot Fan S. Noli e përfundoi përkthimin e botimin dhe e mbajti Meshën në shqip në Pashkët e atij moti për komunitetin shqiptar ortodoks në Boston.

 Poashtu, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani ka uruar besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkëve. Në mesazhin e saj thuhet:

Në këto ditë kur po përballemi nga pandemia Covid-19, Festa e Pashkëve ortodoks duhet të shërbejë për ta bartur mesazhin e unitetit dhe solidaritetit njerëzor. 

Ashtu siç Pashka simbolizon kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen, duhet ta ringjallim forcën për të ecur përpara me besim tek njëri-tjetri për një të ardhme më të mirë!

Për shumë mote Pashkët, gjithë besimtarëve ortodoksë!​

Filed Under: Komunitet Tagged With: Packet orthodokse

DOM.LUSH GJERGJI NGUSHËLLON JIM XHEMËN, NË EMËR TË IMZOT DODË GJERGJIT, KLERIT DHE KISHËS KATOLIKE NË KOSOVË

April 19, 2020 by dgreca

Dom Lush Gjergji ka përcjellë nga Kosova ngushëllimet më të sinqerta për Jim Xhemën me rastin e kalimit në amshimi të gruas së Tij, Mrika Xhema. 

         Mrika e gëzoftë amshimin e lumtur, ndërsa Xhimi dhe Familja e Tij, paçin ngushëllimin, me Uratë dhe Dashuri!

           Në emër të Imzot Dodë Gjergjit, Klerit dhe Kishës Katolike në Kosovë.

Dom.Lush Gjergji

Filed Under: Komunitet Tagged With: Jim Xhema

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT