• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2020

KOSOVA NË BETEJËN KUNDËR COVID-19 DHE RASTI I PODUJEVËS, FLET LIRIDONA MUSTAFA

April 28, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Liridona Mustafa, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në shërbimin e Emergjencës në Komunën e Podujevës, Kosovë, dhënë gazetarit Sokol Paja.

Gazetari Sokol Paja.

Nga data 8 shkurt deri më 26 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, sipas Liridona Mustafës, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në shërbimin e Emergjencës në Komunën e Podujevës, Kosovë, janë testuar gjithsej 6.479 raste të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre (763) raste, ndërsa gjithsej njëzet e dy (22) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Kosova është ndër vendet e fundit në Ballkan që është prekur me koronavirusin COVID-19. Më 13 mars 2020, Kosova konfirmoi dy rastet e para me koronavirus (Covid-19). Një shtetase italiane 20-vjeçare dhe një i moshuar 77-vjeçar shtetas kosovar ishin dy raste e para të cilat kanë rezultuar pozitiv me koronavirus (COVID-19) në Kosovë. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë (166) raste. Komuna me më së shumti raste të infektuar me covid -19 në Kosovë është Ferizaj me 98 raste, ku prej tyre 2 kanë vdekur dhe 3 janë shëruar. Komuna e Malishevës është komuna e dytë për nga numri i të infektuareve në Kosovë, ku janë 73 raste me covid-19, 1 prej tyre ka vdekur dhe 55 janë të shëruar dhe Komuna e Pejës me 72 raste, prej tyre 2 kane vdekur dhe 4 janë të shëruar. Java e dytë e muajit Prill kishte më së shumti raste, ku me datë 12 prill rezultuan 79 qytetarë  të infektuar me covid-19.

SITUATA NË PODUJEVË

Sipas Liridona Mustafës, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare- në shërbimin e Emergjencës në Komunën e Podujevës, Kosovë, rasti i parë pozitiv me COVID-19 në Podujevë ka rezultuar më 15 mars. 62-vjeçari nga fshati Dumnicë e Epërme e Podujevës që tashmë është shëruar plotësisht, kishte ardhur nga Italia më 5 mars nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”. I njëjti kishte infektuar edhe prindin e tij 82-vjeçar dhe motrën 54-vjeçare nga fshati Bradash. 82-vjeçari më 22 mars ka vdekur, duke shënuar kështu viktimën e parë në Kosovë si pasojë e koronavirusit. Përveç infektimit, viktima vuante nga sëmunundjet kronike të zemrës dhe të mushkërive dhe në ditën e gjashtë të infektimit, ai kishte pneumoni masive në anën e majtë. Komuna e Podujevës deri më tani numëron gjithsejtë 9 të infektuar me Covid-19, prej tyre një i infektuar ka vdekur ndërsa tre të tjerë janë shëruar plotësisht. QKMF në Podujevë ka aktivizuar punktin shëndetësor në pikën kufitare-Merdarë gjatë 24 orëve me katër ekipe mjekësore, të cilat janë pajisur me mjetet e nevojshme dhe material mbrojtës, duke zbatuar kështu rekomandimet e dhëna nga IKSHPK për kontrollën e udhëtarëve në rast dyshimi për COVID-19 në mënyrë që të 

bëhet parandalimi dhe përhapja e sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës. Gjithashtu është krijuar ekipi kujdestar 24h çdo ditë, për triazhimin e pacientëve në QKMF-Podujevë për COVID-19. Komuna e Podujevës po ashtu ka siguruar hapësirën e duhur për ekipin psikologëve vullnetarë, i cili do të ofrojë shërbim psiko-social online për qytetarët e Podujeves të cilët kanë vështirësi në këtë periudhë të pandemisë COVID-19 për të menaxhuar mendimet, ndjenjat dhe emocionet e tyre, si dhe për ata që mund të përjetojnë stres të shtuar, ankth, panik apo edhe shenja dhe simptoma të depresionit.

MASAT KUNDËR COVID-19 NË KOMUNËN E PODUJEVËS

Nga ditët e para të shfaqjes së pandemisë, veçanërisht nga shpallja e emergjencës shëndetësore, sipas infermjeres Mustafa, jemi mobilizuar me tërë potencialin dhe mekanizmat që posedojmë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve. Në Komunën e Podujevës janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme preventive nga institucionet shëndetësore, policia, inspektorati komunal dhe organet e tjera, konform rekomandimeve të IKSHP, Ministrisë së Shëndetësisë dhe vendimeve të Qeverisë. Përveç mbylljes së institucioneve arsimore dhe apelit për reduktimin e lëvizjeve të qytetarëve, Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë ka pezulluar të gjitha ritualet e faljes së namazit nëpër xhami. Me vendimin e KBI-së është pezulluar edhe e pamja në familjet që kanë raste të vdekje. Gjithashtu, gjatë periudhës së pandemisë, kërkohet që në rastet e vdekjeve, ceremonitë e varrimit të kryhen me një prani sa më të vogël të qytetarëve. Si masë preventive, po vazhdon dezinfektimi i hapësirave publike dhe pajisja e institucioneve shëndetësore me material mbrojtës. Eshte bërë furnizimi me mjete mbrojtëse dhe dezinfektuese edhe i institucioneve të tjera dhe ndërmarrjeve shërbyese-publike. Komuna e Podujevës, lidhur me masat për parandalimin dhe luftimin e Coronavirusit COVID-19, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në ndihmë qytetarëve në nevojë me pako ushqimore dhe higjienike; vendimin për lirimin nga taksa komunale e të gjitha subjekteve afariste që ushtrojnë veprimtari në territorin e Komunës së Podujevës për vitin 2020 si dhe; vendimin për lirim nga pagesa e qirasë për të gjithë shfrytëzuesit e pronës Komunale për vitin 2020. Inspektorët komunalë vazhdimisht janë në terren dhe po përcjellin zbatimin e vendimit të qeverisë, për mbylljen dyqaneve dhe lokaleve hotelierë. Nga qytetarët është kërkuar t’i shmangin lëvizjet e panevojshme, të marrin masat mbrojtëse si dhe të ruajnë qetësinë publike, kurse rastet e dyshuara të vetëizolohen dhe të kërkojnë asistencë profesionale shëndetësore.

TRAJTIMI I TË SËMURËVE

Në QKUK, në Klinikën Infektive po trajtohen 59 pacientë me COVID-19, prej tyre 9 po trajtohen me oksigjeno-terapi, kurse dy pacientë janë në gjendje të rëndë. Njëri nga ata është në kujdesin intenziv është intubuar, po ashtu eshte edhe një pacient tjetër që është në gjendje mjaft të rëndë duke përfshirë faktin që është edhe në dializë. Sa i përket kulminacionit të pandemisë në vendin tonë, sipas Liridona Mustafës, kjo varet nga disa faktorë, ndër të cilët më kryesorët janë: se sa i kanë respektuar rregullat dhe rekomandimet qytetarët, por edhe nga numri i testimeve që

Liridona Mustafa

realizohen për ditë. Tashmë jemi në javën e fundit të muajit prill, përndryshe java e shtatë nga fillimi i pandemisë në vendin tonë, dhe nëse virusi sillet pak a shumë ngjashëm si në shumicën e shteteve tjera, atëherë mund të presim që deri në fund të këtij muaji të kemi numër të konsiderueshëm të rasteve, dhe të shpresojmë që gjatë gjysmës së parë të majit të marrim frymë më lirshëm. Ndikimi eventual i temperaturave të larta dhe rrezeve ultravioletë ndaj virusit, po ashtu mund të shihet si një faktor favorizues në këtë drejtim.

MESAZH PËR LEXUESIT E DIELLIT 

Qytetarë të nderuar, unë si personel shendetesorë, ju lutem që të respektoni masat e shpalluara të parandalimit nga Instituti Kombëtar dhe Ministria e Shëndetësisë! Ruajeni shëndetin tuaj! Pakujdesia kushton me jetë! Qëndroni në shtëpi, kjo ua shpëton jetën! Mbani distancë fizike për së paku 2 metra! Na ndihmoni pak që të ju ndihmojmë shumë, ishte apeli për gazetën Dielli e Liridona Mustafës, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare- në shërbimin e Emergjencës në Komunën e Podujevës, Kosovë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Liridona Mustafa, Sokol Paja

KOSOVA KËRCËNOHET NGA SERBIA E MADHE

April 27, 2020 by dgreca

DY LIBRA NË ANGLISHT MBI KOSOVËN TË AUTORIT ENVER BYTYÇI/

                                                 Nga Frank Shkreli/

 Autori dhe eksperti i çështjeve ndërkombëtare dhe të Evropës jug-lindore, Profesori i shkencave politike dhe i historisë në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Enver Bytyçi, pati mirësinë të më dërgonte kohët e fundit dy librat e tija të përkthyera në anglisht: “Kosovo Threatened by the Greater Serbia” (Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe) dhe “Coercive Diplomacy of Nato in Kosovo” (Diplomacia e Imponuar e Nato-s në Kosovë).  Libri, “Diplomacia e NATO-s në Kosovë” e studiuesit dhe historianit Enver Bytyçi është botuar në anglisht në vitin 2015 nga Shtëpia Botuese Cambridge Scholars Publishing, ku trajtohet, siç sugjeron edhe titulli, diplomacia e NATO-s në Kosovë, duke i ofruar lexuesit një pasqyrë të gjithëanshme të ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës.  Por, po përqendrohemi tek libri “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, botuar kohët e fundit, në përgjigje të hedhjes së tezës për korigjimin e kufijve të Kosovës me Serbinë.

Libri “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, është botuar anglisht dhe shqip nga Instituti i Studimeve të Evropës Jug-lindore dhe është promovuar nga fundi i Janarit që kaloi në Tiranë dhe në Prishtinë.  Kjo monografi është një përmbledhje dokumentacioni mbi ngjarjet historike mbi Kosovën, ku në thelb, autori trajton çështjen e kufijve të Kosovës me Serbinë, duke argumentuar se ndryshimi, rishqyrtimi, korrigjimi i kufijve, rregullimi ose demarkacioni, ose sido që ta quajnë sot mbështetsit e kësaj teze ndryshimin e kufijve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë – është një precedent tepër i rrezikshëm për paqën dhe stabilitetin afat-shkurtë dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.  Profesor Bytyçi me të drejtë e konsideron ndryshimin e mundëshëm të kufijve midis dy vendeve, si një akt që është në interesin e Serbisë dhe që si i tillë kontribon drejt realizimit të planit afatgjatë dhe ëndërrës shekullore të Beogradit, për krijimin e Serbisë së Madhe.

Autori ka zgjedhur kohën më të përshtatëshme për të botuar në anglisht monografinë “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, ndërkohë që qendrat kryesore botërore – Washingtoni dhe Brukseli – po përgatiten të rifillojnë bisedimet e planifikuara, ose siç e qujanë ato, “dialogun” midis Prishtinës dhe Beogradit për një marrëveshje “gjithëpërfëshirse”, e cila sipas shumë eskpertëve do të përfshijë edhe ndryshimin, ose të pakën rishqyrtimin e kufijve midis dy vendeve.  Megjithëse zëdhënës të ndryshëm, sidomos në Washington, pretendojnë se propozimi për ndryshim të kufijve nuk është në tavolinë, përfshir edhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump, Ambasadorin Richard Grenell, ndërsa evropianët janë shprehur kundër ndryshimit të kufijve midis dy vendeve.  Megjithkëtë, në këtë ndërkohë, duke parë se diçka po vlon në ketë mes, Kongresisti amerikan dhe mik i kahmotshëm i shqiptarëve në Kongresin amerikan, Eliot Engel, në kapacitetin e tij si Kryetar i Komisionit të Dhomës së Deputetëve për Punët e Jashtme, ka shprehur, ditët e fundit, shqetësimet e tija mbi politikën aktuale amerikane ndaj Kosovës. 

Ndërkohë që Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e kryesuar nga ish-deputeti amerikan Joe Dioguardi, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të largojë ambasadorin Richard Grenell nga detyra e tij si i Dërguari Special i tij për dialogun Kosovë -Serbi,  “Meqenëse Ambasadori Grenell ka humbur besueshmërinë e një ndërmjetësuesi të paanshëm”, thuhet në deklaratën e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA).  Kjo organizatë lobiste shqiptaro-amerikane, njëkohësisht, kritikon ashpër edhe klasën politike të Kosovës në krye me Presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se nga një ndryshim i kufijve, jo vetëm që do të humbiste Kosova, por do të fitonte Serbia dhe jo vetëm Serbia, por edhe aleatja e saj historike, Rusia: “Pa dyshim, ndarja do të trimëronte si Serbinë ashtu edhe Rusinë dhe aspiratat e tyre hegjemone për dominim në Evropën Juglindore dhe hyrjen në detin Adriatik”, thuhet në letrën e hapur të LQSHA-s.  Me fjalë të tjera, punët shqiptare janë ndërlikuar shumë keq dhe për fat të keq, mund të keqësohen e dhe më shumë.  Libri i historianit Enver Bytyçi “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe” e përkthyer në anglisht, është një kontribut i vlefshëm në debatin aktual të këtyre çështjeve madhore në këtë moment të historisë së shqiptarëve.

Do të sugjeroja që të gjithë protagonistët në këtë mes — kombëtarë dhe ndërkombëtarë — të lexojnë monografinë e Profesor Enver Bytyçit.  Në debatin aktual, Enver Bytyci ofron, jo vetëm, fakte e dokumentacion të dobishëm për gjëndjen e krijuar por ofron edhe këshilla se si duhet të dilet nga ky qorrsokak i politikës shqiptare në Kosovë, por edhe politikës së ngatërruar ndërshiptare, midis Tiranës dhe Prishtinës.  Ndajë shqetësimin tim me autorin e nderuar dhe jam dakort me të — ashtu siç kam shkruar edhe disa herë në të kaluarën — se mungesa e këshillimeve dhe bashkrendimeve të qëndrimeve në radhët e udhëheqësve shqiptarë, për një politikë aq me rëndësi, siç janë bisedimet Kosovë-Serbi dhe ndryshimi i mundëshëm i kufijve — është një politikë e papërgjegjëshme nga ana e kësaj klase politike, për të mos thenë edhe skandaloze, ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve.  Siç është i papërgjegjëshëm edhe i ashtuquajturi procesi “minishengen”, i udhëhequr nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, një proces ky që kundërshtohet nga Kosova pasi nuk merr aspak parasyshë shqetësimet dhe as interesat e Kosovës, në këtë proces. 

Ku është strategjia kombëtare e platformës mbarë-shqiptare për “minishengenin” ballkanik dhe ku janë këshillimet dhe bashkrendimet e politikave me institucionet përkatëse midis dy shteteve shqiptare?  Mos pasja e një politike të bashkrenduar midis Shqipërisë dhe Kosovës, për parimet e mëdha të interesit kombëtar, jo vetëm që është skandaloze, por mund të konsideorhet edhe kriminale ndaj interesave kombëtare.

Pajtohem edhe me mendimet dhe kritikat e Profesorit Enver Bytyçit, autorit të monografisë, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, ndajë politikës së gabuar të Tiranës përsa u përket shumë çështjeve të pazgjidhura Kosovë-Serbi – e sidomos, procesit ndaj procesit “minishengen” të kohëve të fundit, si një politikë e gabuara që, me mbështetjen e Tiranës zyrtare, po vendos përsëri Beogradin në qendër të politikës ballkanike, si një “mini-jugosllavi e re”, e cila i shërben kryekëput interesave të Serbisë së Madhe, ndërkohë që njëkohësisht, i hap dyert edhe influencës ekonomike, politike dhe ushtarake të Moskës në Ballkanin Perëndimor.  Dikush prej këtyre udhëheqësve shqiptarë që mbështesin këtë proces, duhet të shpjegojë se si një rol i përforcuar politik, ekonomik dhe ushtarak i Rusisë në Balkan dhe në Evropën Jug-lindore, është në favor të interesave kombëtare të shqiptarëve?!

Për ata që duan të dinë se pse kjo politikë është e gabuar, le të lexojnë librin e posa botuar në anglisht dhe shqip të Profesor Enver Bytyçit, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”.  Eksperti i politikës dhe i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare bën paralajmërimin e tij se Tirana zyrtare me politikën e saj, sidomos, me politikën minishengen për Ballkanin Perëndimor, po dëmton dhe mund të shkatërrojë pavarësinë shtetërore të Republikës së Kosovës.  Ai e quan këtë politikë si terësisht anti-shqiptare sepse, shkruan autori, ky proces thekson dhe mbështetë një politikë që drejtohet nga Beogradi dhe jo nga Brukseli, drejtë integrimeve të plota euro-atlantike të shqiptarëve, një ide dhe dëshirë kjo e kahmotëshme e shumicës së shqiptarëve. Tridhjetë vjet pas shembjes së komunizmit dhe pak më shumë se 20-vjet nga çlirimi i Kosovës dhe pas 12-vjetë pavarësi, Kombi shqiptar, si asnjëherë më parë gjatë kësaj periudhe, gjëndet përballë një krize të një rreziku të përmbrendshëm, një rreziku të shkaktuar nga vet shqiptarët.

Kjo krizë për të cilën kanë kontribuar vet me politikat e tyre të papërgjegjëshme nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, fatkeqësisht, i gjenë udhëheqësit politikë në Tiranë dhe në Prishtinë, krejtësisht të pa përgatitur, të zbuluar krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror, duke mos ditur se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjenden, pa asnjë ide të re dhe pa asnjë strategji politike kombëtare, se si duhet shkuar përpara.  Gjithkush në mendje të vet jep idetë e veta, ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa ofruar asnjë marrëveshje as vizion të përbashkët se si duhet vazhduar.  Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana kryesisht hesht, aktualisht, pasi ka “hedhur gurin e tani fsheh dorën”.  E njëjta ndodh edhe në Tiranë, pa asnjë politikë bashkërenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rendësi kombëtare.  Ekziston pra një kaos i rëndë mendimesh dhe një mungesë bashkërendimi në politikën kombëtare, për sa u përket interesave afatgjata të Kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi çështjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë dhe jo vetëm kërcënimit, por edhe mundësisë së krijimit të një Serbie të Madhe, në kurriz të interesave të Kosovës dhe të shqitarëve në përgjithësi. 

Fatkeqsisht, për fatet tona, kriza shëndetsore botërore e shkaktuar nga koronavirusi vdekjeprurës, i ka ndërlikuar edhe më shumë punët e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe interesimin e miqëve tradicionalë të shqiptarëve, të cilët ashtu si e gjithë bota përballen me hallet e veta, si përfundim i kësaj epidemie dhe është vëshitër që ti kushtojnë vëmendje një zone të largët të Balalkanit, me të cilën edhe mund të jetë lodhur edhe opinion public amerikan dhe perëndimor. 

Prandaj, para se të fajësojmë amerikanët por edhe të tjerët për ngërçin e punëve tona, duhet që të drejtojmë gishtin e akuzës atje ku në të vërtetë duhet ta drejtojmë: ndaj Tiranës dhe Prishtinës zyrtare dhe t’i identifikojmë ata si fajtorë të gjendjes aktuale kaotike kombëtare dhe politike në trojet tona, përfshirë mungesën e një strategjie kombëtare në bisedimet me Serbinë, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme.  Libri i Profesor Enver Bytyçit, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, furnizon në gjuhën anglisht — jo vetëm lexuesin e thjeshtë por edhe protagonistët ndërkombëtarë që merren me punët e Ballkanit Perëndimor — me analiza të dobishme, dokumentacion, fakte dhe ide, nga të cilat, sipas Wolfgang Grossruck, ish-presidenti Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, gjithashtu “do të përfitojnë edhe politikëbërsit rajonalë që të mendojnë dhe të veprojnë në mbështetje të demokracisë, paqës dhe sigurisë në rajonin e Evropës Jug-lindore”.

                              Autori i librit, Profesor Enver Bytyçi

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Frank shkreli, Kosova e Kercenuar nga Serbia e Madhe

OQEAN ME LOT

April 27, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Zoti shumë u dëshpërua/
Kur pa atë që kishte krijuar,/
Sipas shëmbëlltyrës së vetes,/
Të shthurur e shpërfytyruar./
Në Qiell u ul e Qau, në Oqean/
Me Ofshamë, Lotin e hodhi./

Kur sytë panë për të dëshmuar/
Rrënimin që Zoti s’donte të shihej –
Loti u tha, vetëm kripa kristal mbeti.

Ky Lot – “mburojë” në hebraisht –
Profet i Sadomës e Gamorrës,
Nip i Abrahamit ishte.

Një ditë, Zoti u ngrit
Dhe i tha – “O Lot, ik,
Para se jetën ta zhduk,
Ta varros, shfaros
Nga ky qytetërim
Asgjë nuk dua të mbes!”

Perëndia, Lotin e udhëzoi
Të merrte familje e plaçkë,
Të ikte pa kthyer as kokën
Nga qyteti që shkatërrohej.

Por gruaja e Lotit s’duroi
U tundua të shihte rrënimin,
Pamjet me gurët që binin
Donte t’i merrte me vete
Në kujtesë t’i gdhendte.

Dhe, siç kishte premtuar,
Zoti, shtyllë kripe e bëri
Që në të ardhmen,
Veç oqeanit me ofshamë
Me Lot me Kripë Kristal,
Asnjë gjë të mos mbetej
Nga korrupsioni e shthurja
Në Sadom-Gamorrë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Astrit Lulushi, Ocean me Lot

DY MOTRAT SHKODRANE, DY INTELEKTUALE TE ZESHME

April 27, 2020 by dgreca

Dy motra shkodrane, dy lule të bukura gjithë aromë të Mëmëdheut tonë/

Lamtumirë prof. Lume Juka!
/

Dritë ju pastë shpirti në Parajsë!/

Eshtë ndarë nga jeta Prof. Lume Musa Juka një intelektuale e devotshme e Diasporës, bashkëpunëtore e ngushtë e NënëTerezës.

Si homazh po risjellë intervistën e realizuar me këtë zonjë të nderuar sa të kulturuar po aq dhe paqësore dhe shpirtërore.  

Ka qenë një komunikim si me dritëz perëndie që akoma endet shpirtit tim.

Dy motra shkodrane, dy lule të bukura gjithë aromë të Mëmëdheut tonë…

Babai Musa Juka.

Bisedë me zonjën Lume Musa Juka, ose “sister” Lumen siç e thërrasin motrat e Nënë Terezës.

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Zonja Lume Juka është një intelektuale e Diasporës, ajo punoi si profesore e frëngjishtes një jetë të tërë, por dhe pse e detyruar të largohej qysh në moshën fëminore nga Mëmëdheu, ajo kurrë s’e harroi vendin e të parëve, vendlindjen e saj, Shkodërlocen e bukur.
Eshtë në nderin tonë si shqiptarë, që kemi midis nesh këto figura të ndritura dhe që kanë punuar kaq shumë për Kombin, është në nderin tonë që të mos heshtim…!

Nga biseda telefonike që pata me këtë zonjë, ajo rrezatonte mirësi, gati-gati hyjnore, thjeshtësi të pazakontë, ajo nuk donte të fliste kurrë për vehten, por vetëm për dashurinë e motrës së saj, profesore Safete Jukën, familjen e saj, si dhe për Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur.
Kam mbështetur idenë që profesore Safete Juka të shpallet “Nderi i Kombit”, por deri tani në vesh të shurdhët.
Unë me këtë rast dua të falënderoj z.Eduard Dilo, mikun e afërt të familjes Juka, si dhe pinjollin e familjes mëmëdhetare dhe të persekutuar Dilo me dekada të tëra, që më mundësoi këtë bashkëbisedim kaq të ngrohtë dhe tepër njerëzor. 

Ç’zë i bukur më tingëllon në telefon, sikur të jeni një vajzë e re?
 
Vajzë e re jam, (qesh), shpirti nuk më plaket kurrë! 
Kur kam kenë e vogël, gjithmonë dëgjoja për të më moshuarit urimin: 
“Pleqni të mbarë”!
Nga ana tjeter thoshja me vehte: “Pse ja kujtojnë kaq shumë pleqninë”?
Në fakt plaku respektohej shumë atëhere, e vijshin në qoshe, në krye të oxhakut dhe e dëgjonin për fjalët e mençme! 

Kur u larguat nga Shqipëria?

Unë u largova në moshën 11 vjeç dhe u vendosëm në Egjypt së bashku me familjen time.
Egjypti ka kenë qendra e kundërshtarëve të politikës komuniste.
Atje u takuam me Ali Kërcyrën, Koco Mukën etj… ata u bashkuan së bashku.
Babai im ndërroi jetë në Aleksandri.

Ju jeni vajza e Musa Jukës, ish ministrit në kohën e Zogut, c’kujtoni për babanë tuaj?

Babai im ka udhëhequr tri Ministri, Ministrinë Botore, të Ekonomisë dhe Ministrinë e Brendshme.

Qenka një rast i rrallë që të mbikqyrësh tre ministri?

 Po, kjo është një e vërtetë, ai i drejtoi ato me profesionalizëm dhe kulturë për atë kohë.
Ai ishte shkolluar në Stamboll.  Prindërit e mi vinë nga familje të pasura, nga Shkodra, por i kam dëgjuar shpesh, që thoshnin se ju vinte turp që ishin të pasur në atë vend të varfër.  Shtëpia ka kenë e hapur për të varfërit, nuk kemi pasur shërbyese.  
Shtëpia jonë është djegur dy tri herë.
Mbaj mend njëherë, se vëllai i vogël kishte ardhur prej shkolle dhe po dridhej së ftohti.  Nana e pyeti, se ku e kishte xhaketën që kishte veshur në mëngjes?  
Ai iu pergjegj se ja kishte falur një shoku, që kishte më shumë ftohtë se ai.
Kur baba i jepte ndonjë pare, ai gjithmonë i ruante dhe shkonte me shokët në kinema.
Mirësia ka qenë tipari i dallueshëm tek prindërit e mi.  
Babai im ka qenë një burrë i heshtun.
Babai im dhe në burg kur bisedonte me njerëz të ndryshëm, iu thoshte, se të gjithë përpiqemi për Kombin tonë, por në mënyra të ndryshme.
Prindërit e mi e kanë admiruar shumë Faik Konicën, ata e kane vlerësuar mençurinë dhe diplomacinë e tij.

Ju flisni një gjuhë të kulluar, si është e mundur që e keni ruajtur kaq të pastër si bora e bjeshkëve të bardha?

Gjuha e pastër imja, është merita e prindërve.  Edhe kur nuk e gjejshim ndonjë fjalë, ata na thoshnin gjej fjalën shqipe, mos e zëvendëso kurrë me fjalë të huaj.
Ne në shtëpi flisnim vetëm shqip, ata nuk na lejonin të flisnim gjuhë tjetër. 
Ishin shumë të merakosur që ne të mos e harronim kurrë gjuhën tonë.
Kur keni shkuar në Shqipëri për herë të parë?

Për herë të parë kam shkuar në Shqipëri në vitin 1995 dhe kam ndenjur pranë familjes Petrela në Tiranë.
Ata kishin katër djem të mirë, punonin shumë dhe të gjitha të hollat ja dorëzojshin babës së tyre.
Për këtë gjë i çmoja së tepërmi, familjen shqiptari e ka pasur të shenjtë dhe ne duhet ta ruajmë si sytë e ballit.  Aty pashë nga afër këtë traditë të familjes shqiptare, respektin reicprok që duhet të kemi për prindërit dhe fëmijët.
Arsyeja që ngulmova disa herë për t’ju intervistuar ishte, se kohët e fundit lexova në disa gazeta amanetin e motrës suaj, profesore Safete Jukës.  Ajo kishte dhuruar një shumë 40 mije dollare, për t’i vënë në shërbim të Bibliotekës Kombëtare.  Ç’mund të na thoni më tepër për këtë gjest sa fisnik po aq dhe human? 

Ndërkohë ju i dërguat letër drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, z.Plasari, ku e sqaronit për më shumë. 

Kam kenë tepër e emocionueme, nuk e prisja që ajo letër kaq e thjeshtë do të kishte kaq emocion, kaq lexues.  Motra ime këtë veprim e ka bërë në heshtje.
Mua më lajmëroi Banka Amerikane, që ajo kishte depozituar 40 mijë dollarë, për Bibliotekën Kombëtare.

Kam lexuar shpesh për prof.S.Jukën, kam mbështetur idenë, që ajo të shpallet “Nderi i Kombit”…

Unë kam dashur me shpirt të të falënderojë, që ju e vlerësoni të bukurën, intelektualizmin e çdo gjë.
Une ju falënderoj si familje për shkollën shqipe dhe për hapjen e Televizionit.
Kur lexova shkrimin tuaj për Diloiadën, lotët më rridhnin papushim, qava.  
E kam njohur nga afër atë familje të persekutuar.
Motra ime e kishte në shpirt Kosovën.  Nuk ka lënë një demonstratë pa shkuar për Kosovën, në shi dhe në borë.  Ajo nuk dilte nëpër podiume, po e dini se cfarë bënte?  Rrinte midis popullit dhe kur kalojshin të huajtë, ajo gjithmonë ju fliste për Kosovën, për genocidin serb, për popullin e vuajtur të Kosovës. 
Ka pasur një personalitet tepër të thjeshtë, por gjithmonë më mundonte ndërgjegja se a është dashur me e lënë në heshtje, apo duhet t’i shkruaja letër Bibliotekës për amanetin e saj?
Iu luta Zotit për këtë veprim.

Kadareja e ka vlerësuar prof.Safete Jukën si një Dora D’Istria të dytë, keni komunikuar direkt me shkrimtarin e madh?
  
Kadareja këtë gjë e ka vënë në dukje, nëpërmjet Dr.Moikom Zeqos. 
Më 1994, në Bibliotekën e Durrësit, Dr.Zeqo ka gjetur librin e saj me titull “Kosova”, dhe është magjepsur kur ka parë dokumentacionin e saj.  Ai ka shkruajtur një artikull në gazetën “Koha Jonë”, për të.  
Ka kenë i pari që ka shkruajtur rreth saj.  I jam mirënjohese dr.Zeqos.
Ajo mbrojti doktoratën në filozofi në Sorbornë të Frances, më 1969.
Ka organizuar konferencën shkencore për Kosovën, në New York, dhe më vonë botoi librin “Kosova”, ku jep mjaft të dhëna për shqiptarët me dokumente historike.
Motra ime ka shkruar shpesh dhe në gazetën “Dielli”.
Ajo e donte këtë gazetë dhe bashkëpunonte me këtë organ të Vatrës.
Ishte shumë e shkëlqyeshme kur dëgjova që do të ribotohet përsëri gazeta “Dielli”, njëherë në muaj dhe editor do të ketë Dalip Grecën.  E kam njohur qysh në Shqipëri Dalipin, i lexojsha shkrimet tek Suplementi dhe ishin shumë interesante.  
I jam shumë mirënjohëse që shkruajti artikullin për motrën time dhe e publikoi në gazetën e Diasporës, Illyria” me botues z.Vehbi Bajrami. Edhe Zenepe Luka ka shkruar dhe mbështet mendimin për ta shpallur prof.Jukën “Nderi i Kombit”.  Për mua S’ka rëndësi fare në se nuk ja japin, ajo punoi me shumë zemër.  Janë të hapura dorëshkrimet e saj.  
Mua më është coptue zemra, Safetja dhe vëllai im i shtrenjtë shkuan herët në atë botë, në të njejtin vit.

Ju jeni bashkëpunëtore e motrave Nënë  Tereza dhe e keni takuar Nënë Terezën disa herë, c’kujtoni nga takimet me të?

Une ju thashë që në fillim të bashkëbisedimit tonë zonja Kozeta, që nuk dua të flas për veten, dua të flas vetëm për disa kujtime me motrën time Safete Jukën.

Ju lutem znj.Lume, unë e kuptoj thjeshtësine tuaj, por duhet ta bëni këtë vetëm për lexuesit, pasi mesazhet tuaja janë tepër njerëzore, janë për Kombin tonë të përbashkët.

OK atëhere, në se unë nuk jua prishi qejfin dua të flas vetëm për experiencë shpirtërore.Une kam dhënë mësime të gjuhës frënge, por ka dhe një gjuhë më të bukur se të gjitha gjuhët e botës, ajo është gjuha e zemrës, gjuha që ta duam njeri tjetrin.
Kur jepja mësim, nxënësit rrinin në klasë edhe pas mësimit, sidomos ata që kishin dicka për të diskutuar ose ndonjë paqartësi.  Unë pasi mbaroja korrigjimet ulesha dhe diskutoja me ta me kënaqësi.
Njerëzit shpesh gjykohen nga diplomat, por duhet të gjykohen se cfarë bëjnë për të tjerët.  Unë gjithmonë i lutem Zotit së bashku me murgeshat, unë jam bashkëpunëtore e motrave “Nënë Tereza”.
 
Ka ndonjë shqiptare tjetër së bashku me ju kur luteni?

Vonë kanë ardhur dy shqiptare prej Kosove që janë bashkuar me ne.
Në vitin 69 kishja një dhembje dhëmbi, dhe po prisja të shkoja tek dentisti.  
Në dhomën e pritjes tek zyra e dentistit, lexova revistën që nuk del më, “Look”, brenda saj kishte shkrimin “Imagjinoni një yll të bardhë”
Unë po kaloja në një krizë shpirtërore, ishja idealiste.  Kur e lexova që shkrimi fliste për një shqiptare, u emocionova pa masë!  Nënë Tereza ishte shumë pak e njohur nga Diaspora.  
E mora revistën dhe me entuziazëm të madh, u fola te nesërmen studentëve për Nënë Terezën.  Unë ju fola të gjithëve për Nënë Terezën, bamirësinë e saj dhe mbi të gjitha që ishte një shqiptare.
Revistën e ruaj dhe sot, e kam në shtëpi, në Tiranë.  
Une pashë dhe filmin “Disa gjëra të bukura janë harruar”, që i kushtohet Nënë Terezës. Autori ka kenë shkrimtar anglez, gazetar dhe punonte në TV.
Ja si e përshkruan autori Nënë Terezën, kur ajo ishte e ftuar në studion e tij:
“Po shoh se po vjen një murgeshë, nuk dija gjë me saktësi për të.  E pyeta ku i keni shënimet?  Tereza m’u pergjigj, se fjalët që kam me thanë, i  kam nga Zoti.  Filloi me folë, dhe ajo që më bëri më shumë përshtypje nuk kërkoi ndihma, kurse të gjithë të tjerët  kërkuan ndihma.  Gjysmë ore ishte programi, intervista me të ishte në orën 3 e gjysmë të mëngjesit, dhe në këtë orë nuk e shikojnë shumë, por ajo që më habiti më vonë ishte, se nuk pushuan ndihmat për të”.
Nga frymëzimi që pati gazetari për të, ai donte të shkruante një libër.
Kështu qe ai realizoi filmin për Nënë Terezën. 
Gjatë kohës së filmimit ai kujton, se kur kishte ardhur koha me filmue, me fotografue femijët që ishin në rruge gjysmë të vdekur, s’kishte pasur dritë aparati.  
Ajo i kishte thënë, mos u mërzit, filmoi dhe kështu pa dritë, është drita e Zotit brenda.
Kur autori shkoi në Angli dhe e lau filmin, fotografitë ishin më të bukura se të gjitha ato me dritë.  Ai ishte ateist, por pasi u takua me Nënë Terezën dhe motrat e saj, ai u bë i besimit katolik.  Ai ndjeu forcën e Zotit i cili thotë:
“Njeri, kam nevoje për ty, kam nevoje për zemrën tënde, unë me zemrën tënde shpreh dashurinë time në këte botë”…
Ai na ka lënë të lire me zgjedh.
Ka qenë forca e Zotit, që e mori Nënë Terezën për ta çuar në Indi, dhe për t’i shërbyer të varfërve.  Ajo ka bërë dicka që se ka bërë kushdo tjetër.  Autori e ka vënë në dukje, se cfarë ka bërë ajo në Kalkuta, ku njerëzit hidheshin në rrugë gjysmë të vdekur, ndërsa nënë Tereza i merrte dhe i vendoste në shtratin e saj.
Ajo i ka marrë një nga një për t’i pastruar. Ajo thoshte se po ju afroj një vdekje të bukur.  Era e tyre dhe krimbat që ishin brenda trupit, bënte që asnjera prej tyre nuk e kishte guximin për me i pasture, vetëm ajo i merrte dhe i pastronte.
Në momentet e fundit të jetës së tyre, ata thoshnin se kemi jetuar si shtazë, por tani po vdesim si ëngjëj. 

Si jeni takuar me Nënë Terezën?

Une jam bashkëpunetore, shkoj shpesh me motrat Tereza, motër Lume më thonë.  
Më 5 shtator të ketij viti ishte përvjetori i vdekjes së saj.  Unë shkova në meshë, u luta dhe pasi mbaroi mesha, më thoshnin se jam pjesë e saj…
E kam njohur shumë afër, kam banuar në kuvend me të, më shumë se dy muaj këtu në New York. 
Në vitin 1969 erdhi vëllai i Nënë Terezës dhe u njoha me të direkt.  
Ishte njeri me kulturë.  Më 1976 erdhi dhe Nënë Tereza dhe i thashë motrës të shkonim.  Kur shkuam atje ajo, na mori për dore dhe na çoi në një dhomë të vogël.
Na i mori duart të dyjave në prehërin e saj dhe filluam të bisedonim për shumë gjëra.  
E pashë që kishte shumë pak kohë, por ajo na ka mbajtur për tri orë.

Si e realizuat takimin me Nënë Terezën, mbretëreshën Gjeraldinë dhe Princin Leka?

Takimin me Nënë Terezën, mbretëreshën Gjeraldinë dhe Princin Leka e organizova unë së bashku me motrën Andrea.
Iu luta Zotit qe të takoheshin.  Kur unë i telefonova Motër Andreas, se kishja dëshirë që Nënë Tereza të takohej me mbretëreshën Gjeraldinë dhe Princin Leka, ajo më tha se Nënë Tereza është shumë e zënë, dhe është në lutje natë e ditë.
Iu luta që të bënin diçka të pamundur. E telefonova prapë dhe i thashë: Po Nënë Tereza a ha bukë?  Po, – m’u pergjigjën ato, ja çojmë ushqimin me tabaka.
Atëhere i them, – ju lutem vendosini një shënim, se mbretëresha Gjeraldinë donte ta takonte, jo si mbretëreshë, por si besimtare dhe vendosni emrin tim mbi të.
Ato e pranuan këtë variant që iu afrova.
Pasi Nënë Tereza e kishte lexuar shënimin kishte pranuar takimin me ne.
Motra Andrea më telefonoi në orën 11 e gjysmë të darkës dhe thotë se Nënë Tereza ju prêt ne orën 6 të mëngjesit.  Motrat Tereza çohen çdo ditë në orën 3 e gjysmë të mëngjesit dhe bëjnë lutjet.
E gëzuar mora princin Leka për takimin.  Unë shkova herët dhe prita në holl.  
Aty gjej mbretëreshën Gjeraldinë dhe më tha që ishte dita më e lumtur e jetes së saj, që do takonte Nënë Terezën. 
Nëna Terezë po na priste në kapele, aty na hapi derën një motër e bukur si pranverë.  Shkuam në nje dhomë, ndenjëm të tria, ndërkohë i tha Mbretëreshës, se nuk merrem me politikë, por dhe mbretëresha iu përgjegjegj: – as unë.  Nënë Tereza i tha se jam lutur gjithmone për ju dhe familjen tuaj.  Mbretëresha iu pergjegj: -se e kam ndie gjithmonë se dikush i lutej Zotit për mua dhe për djalin tim.  Në këtë kohë, ngadalë, ngadalë u tërhoqa, dhe i prita jashtë.  Kur dolën të dyja ndritshin me një dritë hyjnore.  Kishin pasë të dyja dëshirë të madhe me u takue me njëra tjetrën. 
Nënë Tereza vazhdoi bisedën ne lidhje me gjuhën shqipe.  Ajo pohoi se i kam shkruajtur nënës sime vetëm në shqip.
Nënës së saj i thirrte nënë Loke.  Edhe me vëllain flisnin shqip.
Unë personalisht shpirtin e kam me Nënë Terezën.  Nuk di me u ndal për të.  Njëherë na kishin thënë me shkue në orën gjashtë në kuvend, se do të hapej dega e lutjeve shpirtërore, në New York, ngase ishte habitur me vetminë që jetojshin njerëzit.  
Nëna Tereza kishte dhimbje të madhe për njerëzit, prandaj dhe e hapi këtë degë.  
Ate e shoqëronte një shkrimtare irlandeze.  Ajo tregonte se kishin  shkuar bashkë në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, për të marrë vizë, për me pa nënën e saj, por fatkeqësisht i ishte refuzuar viza.
Ishte hera e parë që e pashë duke qarë vazhdoi ajo.  Kuptova që vuajtjet e saja e bën që të kuptonte vuajtjet e të tjerëve.

Faleminderit Zonja Lume për këtë bisedë kaq të ngrohtë, e admiroj shumë thjeshtësinë tuaj, kishja se ç’të mësoja nga ju.

Edhe unë e kishja dëshirue shumë komunikimin me ju, ishte një bisedë shpirtënore.

Staten Island, New York

10 Maj, 2009

Staten Island, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Kozeta Zelo, Lamtumire Lume Juka

JOZEF RADI, POET I MBRUJTUR NË PURGATORIN SHQIPTAR

April 27, 2020 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika/Jozef Radi, ndryshe nga i ati dhe nëna e tij nuk e përjetoi ferrin shqiptar, që niste me arrestim, vijonte me tortura hetuesie dhe burgim, prej ku shpesh mund edhe të mos dilje i gjallë. Ai jetoi vetëm purgatorin shqiptar, gjatë jetës në internim.

         Ai atje u lind, atje u rrit, atje u martua, u shkollua aq sa i lejohej, atje u dashurua, u martua dhe u bë burrë me fëmijë. Në kushte internimi punonte ditën me lopatë dhe mbrëmjeve lexonte libra… po edhe shkruante poezi. Atje e gjeti edhe ndërrimi i regjimit, burrë 33-vjeçar, baba me dy femijë.

         Mbas këtij viti ai bashkë me familjen e vet dhe prindërit vendosen në Tiranë, ku krahas punës për të mbijetuar atë e bir filluan të botonin e kesaj kohe i përket edhe publikimi i revistës Letraro-Kulturore “Arbëria” dhe kohë më vonë ai do të drejtonte websitin kulturor internetik “Radiandradi.com” ku do të botonin krahas veprave të tyre edhe shumë krijimet të bashkëpunëtorëve.

         Mbas vdekjes së nënës (1997) Jozefi me familje do të vendoseshin me banim në Itali, ku përsëri për të mbijetuar filloi të merrej me punë të ndryshme, pa u ndarë kurrë nga pasioni i krijimitarisë. Pikërisht këtu ai vijoi dhe vijon publikimin e revistës së tij brilane.

         Jozef Radi është poet i lindur. Krijimtaria e tij poetike është e gjitha krijimtari realiste e mbushur me problemet e jetës së përditshme. Përmes saj autori jep me nota kritike jetën shqiptare të kohës së diktaturës komuniste dhe të kohës sonë të tranzicionit. Kjo krijimtari e filluar që në vitet ’70 të shekullit të kaluar vijon në të njëjtën linjë, sepse ai nuk iu nënshtrua zbatimit të normave të realizmit socialist. Kurse shkrimtarët e poetët e kohës së diktaturës komuniste që krijuan sipas normave të realzimit socialist, pas dështimit të atij regjimi nuk mund ta vijonin më krijimtarinë në po atë linjë. Duke mos pasur burrninë për të kërkuar të falur për krijimtarinë servile ndaj ideologjisë së regjimit të vjetër, këta krijues bënë përpjekje për të ndërruar linjë. U përpoqën të hiqen si modernë dhe të çliruar nga prangat e socrealizmit duke trajtuar tema intime erotike, filozofimeve dhe përkthimeve nga letërsia europiane.

         Për nga vlerat ideore dhe artistike krijimtaria poetike e Jozef Radit meriton të studiohet në nivel monografik. Këtu, unë thjesht po bëj një përpjkje për të shpalosur disa nga vlerat e një tufe poezish që i zgjodha këto ditë, nga portali radiandradi.com

         * * *

         Duke i vlerësuar mundimet e shumta e të përditëshme të prindërve për mbarëvajtjen e familjes me tri fëmijë, Jozefi, më i madhi i tyre, që në fillimet e krijimtarisë së vet poetike i kushtoi vëmendje shprehjes së mirënjohjes ndaj sakrificës të prindërve. Mund e djersë për t’i edukuar me ndjenja dhembshurie e dashurie humane ndaj njerëzve që vuanin. Mund e djersë për t’i edukuar me vullnet për të përballuar me dinjitet vuajtjet dhe për të ndjerë neveri ndaj krenarisë dhe mburrmave që shprehnin sigurimsat dhe shtypësit e të internuarve.

         Ende 17-18-vjeçar, Jozefi e gdhendi jetën e babait të vet plot vuajtje e qëndresë me rastin e 60-vjetorit të lindjes, në vargje 11-rrokësh si të Ciklit të Kreshnikëve:

         “Gjashtëdhjetë vite të arta skalitën/ në shpirt një vullkan besimi/

         gjashtëdhjet vite të errta ta venitën/ edhe ma të fundmen pikëz gëzimi”.

         Dhe pasi përmend vuajtjet i jep kurajo atit të vet ta çajë e kapërcejë ditë-natën gjashtëdekadshe plot baltë e llucë ku vitet rrëshqasin si ngjalat dhe i shpreh besimin se dhe ai ka për ta prekur “atë dritë” [kupto ditën e lirisë] (“Jubilare – kushtue 60-vjetorit të tim eti”, 1975).

         Ikja e nënës së tij ndodhi në mars të vitit 1997, kur shqiptarët si të marrë shkrepnin “Kallashnikov” për të shprehur revoltën qorre ndaj shtypjes së vjetër dhe gabimeve të qeverisë aktuale. Ishte një ikje e papritur, që i shkaktoi dhimbje të madhe sa një det. Tani poeti ka përvetësuar vargun e thyer migjenian të cilin e mbush me figura të shumta prekëse:

         S’po di asgja!/ Di vetëm se mbeta pa ty o drita ime,/

         o dhimbja ime kurrë e shkrueme!/ Mbeta pa ty o vuajtje e vuajtjeve/

         pa ty o shenjtorja e mërgimeve të mia./ Mbeta pa ty o Nanë,/

         e s’po di ku me i vu as duert, as fjalët,/ as dhimbjet… as sytë/

         s’po di ku me i ndalë…” (“Ikja e Nanës”, 22 mars 1997)

         Në vitet 1950-të në Tiranë u sistemua me punë vullnetare shtrati dredha-dredha i lumit Lana në një shtrat të drejtë. Vetëm një nga urat e vjetra që lidhnin më parë brigjet e lumit u ruajt si monument kulture me emrin “Ura e Tabakëve”. Kjo urë nuk lidhte më dy brigjet e lumit të dikurshëm plot ujë e gjallëri. Poeti e shfrytëzon ekzistencën e kësaj ure jo funksionale për të shprehur mendimin e vet metaforik se Shqipëria e vitit 1991, kur jeta dukej se po merrte gjallëri përmes lëvizjes demokratike që sapo kish filluar, por në fakt asgjë nuk kishte kuptim, sepse lëvizja e re nuk kishte një program e strategji të qartë. Poeti e kritikon gjendjen duke e konsideruar lëvizjen jo funksionale si Ura e Tabakëve:

         “O Zot, ura pa lumë, si hana pa natë!/ Asgja s’gurgullon nën qemeret e saj/

         n’at gjysmësy me veturll guri,/ asgja s’shofin kalimtarët e ngutun/

         veç kapërcejnë idenë e brigjeve/ që s’duken askund”

         Në fund thellohet kritika ndaj amullisë së lëvizjes duke tregur se dita që lindi po humbte:

         “n’at lumë të çuditshëm,/ që rridhte gjithkah/ e s’derdhesh askund” (“Ura e Tabakëve”, 1991).

         Më 2 prill të vitit 1991, në Shkodër u vranë para selisë së Komitetit të Partisë katër të rinj pjesëtarë të demostratës paqësore, të cilët ishin ndër drejtuesit e lëvizjes demokratike. Poeti shkoi aty dhe e përshkroi atmosferën e qytetit:

         “Qelqe andrrash grimcue n’sheshe/ gëzhoja t’hjedhuna si oriz dasme/ e lulet e paçeluna u thanë!/ O Zot!/ Edhe gëzimin n’nji fitorje/ e firmosën me gjak” (“Prilli i përgjakun”, 1991)

         Atmosfera vijon të jepet dhe te poezia “Qyteti i gjanave t’Mëdha”, ku autori takoi pjesëmarrësit e shpërndarë “N’Kafe të Madhe” ku piu me ta kafen të hidhët zeher, ndërsa “N’Kishë të Madhe” binin kambanat për ngjalljen e të Lumit pas një çerek shekulli, kurse “N’Arrë të Madhe” sythat plasnin me cicërima zogjsh. Në Shkodrën e “Gjanave t’Mëdha” përqafeshin Liqeni, Buna, Kiri dhe Drini… dhe në fund shpaloset qëndresa e popullit që nuk trembej nga urdhëri që kish dhënë Kupola e Krimit: “Drini i Kuq, qytetin me e përmbytë”!

         Këto dy poezi të shkruara në vitin e ngjarjes, Jozefi i botoi së pari më 1993, por i ribotoi dhe në vitin 2017, kur Gramoz Ruçi u zgjodh Kryeparlamentar i Shqipërisë. Ai i ribotoi këto poezi shoqëruar me një shënim se nuk besonte që Partia Socialiste në pushtet po përpiqej ta shpinte Shqipërinë drejt demokracisë, përderisa këtë ish-Zv.Ministër të Punëve të Brendëshme të vitit 1991, nuk ishte dënuar por qe zgjedhur Kryeparlamentar mbas 26 vitesh pas kryerjes së krimit.

         Nënë Terezën kur erdhi në Shqipëri kush mund ta priste me më shumë dashuri se të përndjekurit e ndërgjegjes? Jozefi gjeti rastin t’i jepte një tufë mimozash, si simbol të kokrrave të lotëve të fëmijëve shqiptarë, që i kishin ndjerë lutjet e saj në kampe izolimi. Poeti nuk le patheksuar se ishte i ndryshëm nga shumë pritës:  

         “Dola me e pritë, me i folë, me e puthë/ i papërziem me klithma hipokrite,/

         dola thjesht, me e pritë si Nanë/ mes t’mirëveshunish shpirtëzbathun,/

         që tan’ jetën Zotin e saj/ e kishin tallë./ Dola me e pritë/

         njat grue t’vocërr sa grima,/ që hecte pothuej si era/ zbathun/

         ndër plagët e mëdha/ t’kësaj bote” (“Tue pritë Nanë Terezën”, 1991).

         Jeta pas ndërrimit të regjimit, kur nuk u dënua krimi komunist, solli një liri të përçudnuar. Të gjithë flisnin në klube e media, shkruanin dhe libra për jetën dhe vuajtjet e veta nën diktaturë dhe nuk merrej vesh kush kishte vuajtur vërtet. Kupola komuniste nuk deshi ta shfrytëzonte dështimin e saj për të kryer një rifillim më inteligjent, por vijoi përpjekjet djallëzore duke sharë të kaluarën për të justifikuar luftën për rimarrjen e pushtetit ekonomik e politik. Ky aspekt i jetës jepet përmes vargjeve:

         “krijesa të zakonshme – karakatina t’mbathuna mirë/ ditën flasin nënzà lokaleve, natën shkruejnë libra dashnie/ e çojnë lehtë potere për padrejtsitë e papësueme kurrë/ po asnjiherë s’shpjegojnë pse vdekja e poetëve/ pak si të madhe e lëshoi hisen e ‘lavdisë’ mbi ta…/ Jetoj nën nji strehë me vrasësit e poetëve/ që flenë mbasdrekave me shpirt të patrazuem/ që shkruejnë pa prà libra për poetët, që vetë i vranë/ e aspak heshtja jonë… e as firmat e tyne!”

         Në fund shpaloset shpirti madhështor i poetit të përndjekur, ku i kërkon Zotit jo hakmarrje, por mëshirë për shpirtrat e këtyre hipokritëve:

         “Jetoj nën nji strehë me vrasësit e dritës!/ Zoti i pshtoftë shpirtnat e tyne prej Ferri…” (“Jetoj nën nji strehë me vrasësit e poetëve” nxjerrë nga libri “Fletorja e Vjeshtës” Pakti, 2011)

         Jozef Radi ua bën të qartë lexuesve se kush është njeriu vërtet i lirë i kohës së djeshme dhe i kohës së sotme të tranzicionit:

         “po liria s’asht çashtje hapsinash as qiejsh/ asht çashtje shpirtnash, çashtje dashnie…/ ata që ngrejnë rrethime, mure e karakolle/ tan botën le ta shetisin kurrë t’lirë s’do t’ndjehen,/ të lirë mbeten veç ata që botën e kqyrnin/ përtej frangjive, përtej telave me gjemba/ përtej konopit, përtej rrasave të ftohta t’gurve…” (“Ne u deshëm n’nji kamp telash me gjemba”, nxjerrë nga libri “Fletorja e Vjeshtës” Pakti, 2011).

         Qeveritë e kohës së tranzicionit nuk e dënuan krimin komunist dhe nuk i vlerësuan si duhet vuajtjet e të përndjekurve politikë. Kur u krijuan dy muzeume, ai i kampit të internimit afër Tepelenës dhe ai i minierës burg të Spaçit, disa pushtetarë dhe studiues thanë se ata kampe internimi të kohës së diktaturës kishin pasur kushte të mira dhe nuk mund të krahasoheshin me kampet naziste të hebrenjve, si po shpreheshin të përndjekurit…. Dhe Jozefi, bashkëvuajtësi i kampit të Savrës, lëshoi klithmën e tij kundër këtyre gënjeshtrave mashtruese:

         “Jeta ime prej hebreu/ i ka tan’ Triblinkat, Buckenvaldet, Mat’hauzenet/ pse i ulërijnë n’vesh Tepelenat, Spaçet, Myzeqeja/ po s’di kush dreqin ia ka shtuposë fytin/ për t’vërtetat e veta,/ që në t’vërtetat e të tjerëve/ bahemi aq të pavërtetë, aq të pshtirë…/ jeta ime prej hebreu/ asht e rrethueme gjithkah me monumentet e dhimbës pakufi/ edhe pse shumica s’shef asgjà… askund…/ …/ e ku pështymat e përbuzjes si shi mallkimi/ vazhdojnë me rà ndër gjelbërime të rreme…/ Jeta ime prej hebreu/ i ka me vedi tan’ tmerret e hebrejve/ edhe pse ka qëllue e pagojë/ për të vërtetën e tmerreve të veta…” (“Jeta ime prej hebreu”, 2013)

         Edhe më fort e ngre zërin poeti për të ndërgjegjësuar popullin ndaj gënjeshtrave dhe mashtrimeve të pushtetarëve të tranzicionit që po përpiqen të përjetësojnë harresën ndaj krimeve të diktaturës komuniste:

         “Jo! S’asht deka e vobegtë e askujt/ që ka me i randue gjethet e porsaçiluna të marsit/ pos deka e krejt nji fryme që i përgjunjet dhunës/ ndër do andrra t’vjetra t’nji dimni hikun kahera” (N’lkurë t’nji vrasësi dhe t’shumë vrasësve bashkë… prill 2014).

         Botën shpirtërore të njerëzve të përndjekur, botë e pasur në ndjenja e sjellje njerëzore, Jozefi e ngre në monument te poezia “Na jena njerëz”:

         “Na jena njerëz/ për aq sa dijmë me ndry tjerë njerëz/ jo ndër burgje cmirash e urrejtjesh/ po ndër lutje të përbashkta dashnie e humbje./ Na jena njerëz/ për aq sa dijmë me e tërhjekë derën/ kadalë n’për mesnatën ma të thellë/ e me ikë t’përlotun drejt nji bote të panjoftun./ …/ Na jena njerëz/ pse gjithçka të bukur, e bajmë me jetue/ përtej fjalëve, përtej zhurmave, atje ku heshtjet/ i kqyrin dashnitë e kryqzueme ndër shpirtna…” (“Na jena njerëz”, dhjetor 2015)

         Kritika ndaj ish-përndjekësve të kohës së diktaturës arrin kulmin te poemthi “Ju s’kishit, Ju keni, Ju s’keni”. Forcën demaskuese të kësaj vepre do ta kishte zili çdo poet dhe vetë Migjeni. Jozefi, mbasi jep një imazh historik se si njerëzit që s’kishin erdhën me dyfek mbas shpine dhe zunë sheshet që i quajtën të tyret, botën e vogël e vunë të sillej e përsillej në të kundërt me Botën e Madhe, shfryn:

         “me përdhunë u batë Gjithkushi e Gjithshkaja/ e pamëshirë zhytët cilindo n’Askush e n’Asgja,/ e megjithatë fitimtarë kurrë…”

         Dhe vijon t’i japë dy botët në kontrast. Njëra palë me dhunë grabiti pasuritë e popullit, pala tjetër duroi dënimet e përvuejtnintë duke futur frymë foshnjash në stallat ku e hodhën të jetonte. Më tej kontrasti arrin maja më të larta:

         “Ju morët nën zotnim fushat, malet, qiejt e detet,/ ne ruejtëm ndër shpirtna andrrën e fluturimit,/ Ju vratë tempujt e Zotit dhe u rrekët me u ngjitë maje tyne/ ne besimin n’Zot e mbrojtëm nën grykat e zjarrta të pushkëve tueja,/ …/ Ju folët për popullin që e batë vegël, e vratë gjithkend n’emën të tij/ ne dëshmuem edhe pa varr, se Njeriu jeton përtej lavdive t’rreme…”.

         Veprave të shkrimtarëve, poetëve, këngtarëve e piktorëve të mobilizuar prej shtetit të dhunës, të përndjekurit iu përgjigjën me heshtje duke dëshmuar se ato vepra ishin pa art, se monumentet e shumta kishin brenda frymën e kalbur të gënjeshtrës e të dhunës. Dhe erdhi një natë që gjithçka mbaroi. Erdhi koha e dështimit, por ish-dhunuesit duke qëndruar si ujku në pritë, i kapën përsëri pushtetin e pronat si më parë dhe i mbajnë me dinakëri:

         “Ja ku e keni palë mykun e krejt nji kohe të vdekun/ që e bojatisni pa prà netëve të dimnave që sollët./ Ja ku e keni edhe at talljen e madhe me kët popull/ që e bani përditë e ma të vogël… përditë e ma turmë,/ trumhasun n’harenë tuej mashtruese…”

         Në fund poeti shpreh bindjen se kjo tragjedi do ta ketë fundin e vet:

         “…Veç mos harroni,/ se n’fund të fundit gjithçkaja jueja s’asht pos asgjaja/ ajo ka me e brejtë përditë boshllëkun tuej,/ e nji ditë ka m’u kthye në gur katapulte/ e ka me ju përplasë ndër do mure t’lashta e t’lëmakshta/ ku asnji zezonë s’ka me pranue me ju mblue,/ e asnji Djall s’ka me mujtë me ju pshtue…!” (“Ju s’kishit, Ju keni, Ju s’keni”, 26 janar 2016)

         Jozef Radi vijon krijimtarinë si më parë. Së shpejti ai do të botojë një përmbledhje me poezi të zgjedhura nga tre vëllimet tij të botuar në vitet 1993, 2000 dhe 2011. Për vlerat që do të kenë krijimet e këtij botimi, sugjeroj që Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit të marrin përsipër sponsorizimin e këtij vëllimi që duhet botuar në mijëra kopje dhe shpërndarë në mbarë botën shqipfolëse në Ballkanin Perëndimor dhe diasporë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Poeti i Purgatorit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT