Nga Thanas L. Gjika/Jozef Radi, ndryshe nga i ati dhe nëna e tij nuk e përjetoi ferrin shqiptar, që niste me arrestim, vijonte me tortura hetuesie dhe burgim, prej ku shpesh mund edhe të mos dilje i gjallë. Ai jetoi vetëm purgatorin shqiptar, gjatë jetës në internim.
Ai atje u lind, atje u rrit, atje u martua, u shkollua aq sa i lejohej, atje u dashurua, u martua dhe u bë burrë me fëmijë. Në kushte internimi punonte ditën me lopatë dhe mbrëmjeve lexonte libra… po edhe shkruante poezi. Atje e gjeti edhe ndërrimi i regjimit, burrë 33-vjeçar, baba me dy femijë.
Mbas këtij viti ai bashkë me familjen e vet dhe prindërit vendosen në Tiranë, ku krahas punës për të mbijetuar atë e bir filluan të botonin e kesaj kohe i përket edhe publikimi i revistës Letraro-Kulturore “Arbëria” dhe kohë më vonë ai do të drejtonte websitin kulturor internetik “Radiandradi.com” ku do të botonin krahas veprave të tyre edhe shumë krijimet të bashkëpunëtorëve.
Mbas vdekjes së nënës (1997) Jozefi me familje do të vendoseshin me banim në Itali, ku përsëri për të mbijetuar filloi të merrej me punë të ndryshme, pa u ndarë kurrë nga pasioni i krijimitarisë. Pikërisht këtu ai vijoi dhe vijon publikimin e revistës së tij brilane.
Jozef Radi është poet i lindur. Krijimtaria e tij poetike është e gjitha krijimtari realiste e mbushur me problemet e jetës së përditshme. Përmes saj autori jep me nota kritike jetën shqiptare të kohës së diktaturës komuniste dhe të kohës sonë të tranzicionit. Kjo krijimtari e filluar që në vitet ’70 të shekullit të kaluar vijon në të njëjtën linjë, sepse ai nuk iu nënshtrua zbatimit të normave të realizmit socialist. Kurse shkrimtarët e poetët e kohës së diktaturës komuniste që krijuan sipas normave të realzimit socialist, pas dështimit të atij regjimi nuk mund ta vijonin më krijimtarinë në po atë linjë. Duke mos pasur burrninë për të kërkuar të falur për krijimtarinë servile ndaj ideologjisë së regjimit të vjetër, këta krijues bënë përpjekje për të ndërruar linjë. U përpoqën të hiqen si modernë dhe të çliruar nga prangat e socrealizmit duke trajtuar tema intime erotike, filozofimeve dhe përkthimeve nga letërsia europiane.
Për nga vlerat ideore dhe artistike krijimtaria poetike e Jozef Radit meriton të studiohet në nivel monografik. Këtu, unë thjesht po bëj një përpjkje për të shpalosur disa nga vlerat e një tufe poezish që i zgjodha këto ditë, nga portali radiandradi.com
* * *
Duke i vlerësuar mundimet e shumta e të përditëshme të prindërve për mbarëvajtjen e familjes me tri fëmijë, Jozefi, më i madhi i tyre, që në fillimet e krijimtarisë së vet poetike i kushtoi vëmendje shprehjes së mirënjohjes ndaj sakrificës të prindërve. Mund e djersë për t’i edukuar me ndjenja dhembshurie e dashurie humane ndaj njerëzve që vuanin. Mund e djersë për t’i edukuar me vullnet për të përballuar me dinjitet vuajtjet dhe për të ndjerë neveri ndaj krenarisë dhe mburrmave që shprehnin sigurimsat dhe shtypësit e të internuarve.
Ende 17-18-vjeçar, Jozefi e gdhendi jetën e babait të vet plot vuajtje e qëndresë me rastin e 60-vjetorit të lindjes, në vargje 11-rrokësh si të Ciklit të Kreshnikëve:
“Gjashtëdhjetë vite të arta skalitën/ në shpirt një vullkan besimi/
gjashtëdhjet vite të errta ta venitën/ edhe ma të fundmen pikëz gëzimi”.
Dhe pasi përmend vuajtjet i jep kurajo atit të vet ta çajë e kapërcejë ditë-natën gjashtëdekadshe plot baltë e llucë ku vitet rrëshqasin si ngjalat dhe i shpreh besimin se dhe ai ka për ta prekur “atë dritë” [kupto ditën e lirisë] (“Jubilare – kushtue 60-vjetorit të tim eti”, 1975).
Ikja e nënës së tij ndodhi në mars të vitit 1997, kur shqiptarët si të marrë shkrepnin “Kallashnikov” për të shprehur revoltën qorre ndaj shtypjes së vjetër dhe gabimeve të qeverisë aktuale. Ishte një ikje e papritur, që i shkaktoi dhimbje të madhe sa një det. Tani poeti ka përvetësuar vargun e thyer migjenian të cilin e mbush me figura të shumta prekëse:
S’po di asgja!/ Di vetëm se mbeta pa ty o drita ime,/
o dhimbja ime kurrë e shkrueme!/ Mbeta pa ty o vuajtje e vuajtjeve/
pa ty o shenjtorja e mërgimeve të mia./ Mbeta pa ty o Nanë,/
e s’po di ku me i vu as duert, as fjalët,/ as dhimbjet… as sytë/
s’po di ku me i ndalë…” (“Ikja e Nanës”, 22 mars 1997)
Në vitet 1950-të në Tiranë u sistemua me punë vullnetare shtrati dredha-dredha i lumit Lana në një shtrat të drejtë. Vetëm një nga urat e vjetra që lidhnin më parë brigjet e lumit u ruajt si monument kulture me emrin “Ura e Tabakëve”. Kjo urë nuk lidhte më dy brigjet e lumit të dikurshëm plot ujë e gjallëri. Poeti e shfrytëzon ekzistencën e kësaj ure jo funksionale për të shprehur mendimin e vet metaforik se Shqipëria e vitit 1991, kur jeta dukej se po merrte gjallëri përmes lëvizjes demokratike që sapo kish filluar, por në fakt asgjë nuk kishte kuptim, sepse lëvizja e re nuk kishte një program e strategji të qartë. Poeti e kritikon gjendjen duke e konsideruar lëvizjen jo funksionale si Ura e Tabakëve:
“O Zot, ura pa lumë, si hana pa natë!/ Asgja s’gurgullon nën qemeret e saj/
n’at gjysmësy me veturll guri,/ asgja s’shofin kalimtarët e ngutun/
veç kapërcejnë idenë e brigjeve/ që s’duken askund”
Në fund thellohet kritika ndaj amullisë së lëvizjes duke tregur se dita që lindi po humbte:
“n’at lumë të çuditshëm,/ që rridhte gjithkah/ e s’derdhesh askund” (“Ura e Tabakëve”, 1991).
Më 2 prill të vitit 1991, në Shkodër u vranë para selisë së Komitetit të Partisë katër të rinj pjesëtarë të demostratës paqësore, të cilët ishin ndër drejtuesit e lëvizjes demokratike. Poeti shkoi aty dhe e përshkroi atmosferën e qytetit:
“Qelqe andrrash grimcue n’sheshe/ gëzhoja t’hjedhuna si oriz dasme/ e lulet e paçeluna u thanë!/ O Zot!/ Edhe gëzimin n’nji fitorje/ e firmosën me gjak” (“Prilli i përgjakun”, 1991)
Atmosfera vijon të jepet dhe te poezia “Qyteti i gjanave t’Mëdha”, ku autori takoi pjesëmarrësit e shpërndarë “N’Kafe të Madhe” ku piu me ta kafen të hidhët zeher, ndërsa “N’Kishë të Madhe” binin kambanat për ngjalljen e të Lumit pas një çerek shekulli, kurse “N’Arrë të Madhe” sythat plasnin me cicërima zogjsh. Në Shkodrën e “Gjanave t’Mëdha” përqafeshin Liqeni, Buna, Kiri dhe Drini… dhe në fund shpaloset qëndresa e popullit që nuk trembej nga urdhëri që kish dhënë Kupola e Krimit: “Drini i Kuq, qytetin me e përmbytë”!
Këto dy poezi të shkruara në vitin e ngjarjes, Jozefi i botoi së pari më 1993, por i ribotoi dhe në vitin 2017, kur Gramoz Ruçi u zgjodh Kryeparlamentar i Shqipërisë. Ai i ribotoi këto poezi shoqëruar me një shënim se nuk besonte që Partia Socialiste në pushtet po përpiqej ta shpinte Shqipërinë drejt demokracisë, përderisa këtë ish-Zv.Ministër të Punëve të Brendëshme të vitit 1991, nuk ishte dënuar por qe zgjedhur Kryeparlamentar mbas 26 vitesh pas kryerjes së krimit.
Nënë Terezën kur erdhi në Shqipëri kush mund ta priste me më shumë dashuri se të përndjekurit e ndërgjegjes? Jozefi gjeti rastin t’i jepte një tufë mimozash, si simbol të kokrrave të lotëve të fëmijëve shqiptarë, që i kishin ndjerë lutjet e saj në kampe izolimi. Poeti nuk le patheksuar se ishte i ndryshëm nga shumë pritës:
“Dola me e pritë, me i folë, me e puthë/ i papërziem me klithma hipokrite,/
dola thjesht, me e pritë si Nanë/ mes t’mirëveshunish shpirtëzbathun,/
që tan’ jetën Zotin e saj/ e kishin tallë./ Dola me e pritë/
njat grue t’vocërr sa grima,/ që hecte pothuej si era/ zbathun/
ndër plagët e mëdha/ t’kësaj bote” (“Tue pritë Nanë Terezën”, 1991).
Jeta pas ndërrimit të regjimit, kur nuk u dënua krimi komunist, solli një liri të përçudnuar. Të gjithë flisnin në klube e media, shkruanin dhe libra për jetën dhe vuajtjet e veta nën diktaturë dhe nuk merrej vesh kush kishte vuajtur vërtet. Kupola komuniste nuk deshi ta shfrytëzonte dështimin e saj për të kryer një rifillim më inteligjent, por vijoi përpjekjet djallëzore duke sharë të kaluarën për të justifikuar luftën për rimarrjen e pushtetit ekonomik e politik. Ky aspekt i jetës jepet përmes vargjeve:
“krijesa të zakonshme – karakatina t’mbathuna mirë/ ditën flasin nënzà lokaleve, natën shkruejnë libra dashnie/ e çojnë lehtë potere për padrejtsitë e papësueme kurrë/ po asnjiherë s’shpjegojnë pse vdekja e poetëve/ pak si të madhe e lëshoi hisen e ‘lavdisë’ mbi ta…/ Jetoj nën nji strehë me vrasësit e poetëve/ që flenë mbasdrekave me shpirt të patrazuem/ që shkruejnë pa prà libra për poetët, që vetë i vranë/ e aspak heshtja jonë… e as firmat e tyne!”
Në fund shpaloset shpirti madhështor i poetit të përndjekur, ku i kërkon Zotit jo hakmarrje, por mëshirë për shpirtrat e këtyre hipokritëve:
“Jetoj nën nji strehë me vrasësit e dritës!/ Zoti i pshtoftë shpirtnat e tyne prej Ferri…” (“Jetoj nën nji strehë me vrasësit e poetëve” nxjerrë nga libri “Fletorja e Vjeshtës” Pakti, 2011)
Jozef Radi ua bën të qartë lexuesve se kush është njeriu vërtet i lirë i kohës së djeshme dhe i kohës së sotme të tranzicionit:
“po liria s’asht çashtje hapsinash as qiejsh/ asht çashtje shpirtnash, çashtje dashnie…/ ata që ngrejnë rrethime, mure e karakolle/ tan botën le ta shetisin kurrë t’lirë s’do t’ndjehen,/ të lirë mbeten veç ata që botën e kqyrnin/ përtej frangjive, përtej telave me gjemba/ përtej konopit, përtej rrasave të ftohta t’gurve…” (“Ne u deshëm n’nji kamp telash me gjemba”, nxjerrë nga libri “Fletorja e Vjeshtës” Pakti, 2011).
Qeveritë e kohës së tranzicionit nuk e dënuan krimin komunist dhe nuk i vlerësuan si duhet vuajtjet e të përndjekurve politikë. Kur u krijuan dy muzeume, ai i kampit të internimit afër Tepelenës dhe ai i minierës burg të Spaçit, disa pushtetarë dhe studiues thanë se ata kampe internimi të kohës së diktaturës kishin pasur kushte të mira dhe nuk mund të krahasoheshin me kampet naziste të hebrenjve, si po shpreheshin të përndjekurit…. Dhe Jozefi, bashkëvuajtësi i kampit të Savrës, lëshoi klithmën e tij kundër këtyre gënjeshtrave mashtruese:
“Jeta ime prej hebreu/ i ka tan’ Triblinkat, Buckenvaldet, Mat’hauzenet/ pse i ulërijnë n’vesh Tepelenat, Spaçet, Myzeqeja/ po s’di kush dreqin ia ka shtuposë fytin/ për t’vërtetat e veta,/ që në t’vërtetat e të tjerëve/ bahemi aq të pavërtetë, aq të pshtirë…/ jeta ime prej hebreu/ asht e rrethueme gjithkah me monumentet e dhimbës pakufi/ edhe pse shumica s’shef asgjà… askund…/ …/ e ku pështymat e përbuzjes si shi mallkimi/ vazhdojnë me rà ndër gjelbërime të rreme…/ Jeta ime prej hebreu/ i ka me vedi tan’ tmerret e hebrejve/ edhe pse ka qëllue e pagojë/ për të vërtetën e tmerreve të veta…” (“Jeta ime prej hebreu”, 2013)
Edhe më fort e ngre zërin poeti për të ndërgjegjësuar popullin ndaj gënjeshtrave dhe mashtrimeve të pushtetarëve të tranzicionit që po përpiqen të përjetësojnë harresën ndaj krimeve të diktaturës komuniste:
“Jo! S’asht deka e vobegtë e askujt/ që ka me i randue gjethet e porsaçiluna të marsit/ pos deka e krejt nji fryme që i përgjunjet dhunës/ ndër do andrra t’vjetra t’nji dimni hikun kahera” (N’lkurë t’nji vrasësi dhe t’shumë vrasësve bashkë… prill 2014).
Botën shpirtërore të njerëzve të përndjekur, botë e pasur në ndjenja e sjellje njerëzore, Jozefi e ngre në monument te poezia “Na jena njerëz”:
“Na jena njerëz/ për aq sa dijmë me ndry tjerë njerëz/ jo ndër burgje cmirash e urrejtjesh/ po ndër lutje të përbashkta dashnie e humbje./ Na jena njerëz/ për aq sa dijmë me e tërhjekë derën/ kadalë n’për mesnatën ma të thellë/ e me ikë t’përlotun drejt nji bote të panjoftun./ …/ Na jena njerëz/ pse gjithçka të bukur, e bajmë me jetue/ përtej fjalëve, përtej zhurmave, atje ku heshtjet/ i kqyrin dashnitë e kryqzueme ndër shpirtna…” (“Na jena njerëz”, dhjetor 2015)
Kritika ndaj ish-përndjekësve të kohës së diktaturës arrin kulmin te poemthi “Ju s’kishit, Ju keni, Ju s’keni”. Forcën demaskuese të kësaj vepre do ta kishte zili çdo poet dhe vetë Migjeni. Jozefi, mbasi jep një imazh historik se si njerëzit që s’kishin erdhën me dyfek mbas shpine dhe zunë sheshet që i quajtën të tyret, botën e vogël e vunë të sillej e përsillej në të kundërt me Botën e Madhe, shfryn:
“me përdhunë u batë Gjithkushi e Gjithshkaja/ e pamëshirë zhytët cilindo n’Askush e n’Asgja,/ e megjithatë fitimtarë kurrë…”
Dhe vijon t’i japë dy botët në kontrast. Njëra palë me dhunë grabiti pasuritë e popullit, pala tjetër duroi dënimet e përvuejtnintë duke futur frymë foshnjash në stallat ku e hodhën të jetonte. Më tej kontrasti arrin maja më të larta:
“Ju morët nën zotnim fushat, malet, qiejt e detet,/ ne ruejtëm ndër shpirtna andrrën e fluturimit,/ Ju vratë tempujt e Zotit dhe u rrekët me u ngjitë maje tyne/ ne besimin n’Zot e mbrojtëm nën grykat e zjarrta të pushkëve tueja,/ …/ Ju folët për popullin që e batë vegël, e vratë gjithkend n’emën të tij/ ne dëshmuem edhe pa varr, se Njeriu jeton përtej lavdive t’rreme…”.
Veprave të shkrimtarëve, poetëve, këngtarëve e piktorëve të mobilizuar prej shtetit të dhunës, të përndjekurit iu përgjigjën me heshtje duke dëshmuar se ato vepra ishin pa art, se monumentet e shumta kishin brenda frymën e kalbur të gënjeshtrës e të dhunës. Dhe erdhi një natë që gjithçka mbaroi. Erdhi koha e dështimit, por ish-dhunuesit duke qëndruar si ujku në pritë, i kapën përsëri pushtetin e pronat si më parë dhe i mbajnë me dinakëri:
“Ja ku e keni palë mykun e krejt nji kohe të vdekun/ që e bojatisni pa prà netëve të dimnave që sollët./ Ja ku e keni edhe at talljen e madhe me kët popull/ që e bani përditë e ma të vogël… përditë e ma turmë,/ trumhasun n’harenë tuej mashtruese…”
Në fund poeti shpreh bindjen se kjo tragjedi do ta ketë fundin e vet:
“…Veç mos harroni,/ se n’fund të fundit gjithçkaja jueja s’asht pos asgjaja/ ajo ka me e brejtë përditë boshllëkun tuej,/ e nji ditë ka m’u kthye në gur katapulte/ e ka me ju përplasë ndër do mure t’lashta e t’lëmakshta/ ku asnji zezonë s’ka me pranue me ju mblue,/ e asnji Djall s’ka me mujtë me ju pshtue…!” (“Ju s’kishit, Ju keni, Ju s’keni”, 26 janar 2016)
Jozef Radi vijon krijimtarinë si më parë. Së shpejti ai do të botojë një përmbledhje me poezi të zgjedhura nga tre vëllimet tij të botuar në vitet 1993, 2000 dhe 2011. Për vlerat që do të kenë krijimet e këtij botimi, sugjeroj që Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit të marrin përsipër sponsorizimin e këtij vëllimi që duhet botuar në mijëra kopje dhe shpërndarë në mbarë botën shqipfolëse në Ballkanin Perëndimor dhe diasporë.