• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

Në kërkim të identitetit

May 23, 2020 by dgreca

Nga Manjola Barçi Kozi/New York

-Shiko, shiko mami, unë dukem si Shota- më kujtohet thirrja e saj fëminore.
Ngrita sytë. Ishte rreth shtatë vjeç në atë kohë. Flokët e saj te ndërthurura keqaz në dy gersheta i vareshin para kraharorit. Sytë më shndritën dhe me nje vrull të madh vrapova për ta përqafuar. Po krahasohej me Shotën... E mbante mend Shotën...Kur ishte pa filluar shkollë gjthmonë i lexoja libra për shqip për femijë, që mamaja ime i blente sa herë udhëtonte në Shqipëri.
Shpesh i thosha kur flisja me të: Ti je shqiptare bijë dhe duhet të flasesh shqip. Duhet të mësosh edhe historinë e popullit tënd.

-E di mami, më përgjigjej-kemi edhe Skënderbeun, Ismailin, Çerçizin, Azemin… 

Lumturohesha kur e degjoja të fliste-kam një femije te mrekullueshem, mendoja. Eshtë e dëgjueshme, është e etur për dije, dhe mbi të gjitha është krenare për prejardhjen e saj.
Derisa mbushi 12 vjeç. Dhe atëherë e kuptova që nuk ishte aq e thjeshtë…
-Mami-më pyeti një ditë-Pse shqiptarët martohen kaq të rinj? 

Nuk dija si të përgjigjesha ose më mirë nuk doja të përgjigjesha, pasi e dija se çfarë do të vinte më pas. Ajo tani nuk ishte më fëmijë e vogël.Nuk mund të mendoja unë më për të, ashtu siç kisha bërë dikur. Ajo tani mendonte vetë… 

Më në fund u përgjigja! I ktheva atë përgjigje që e dija se do të pendohesha më pas… 

-Ka qenë traditë—fola shpejt me shpresë se do mbaronte me kaq….por pastaj vazhdova…Kohët kanë ndryshuar…ti je e lirë të vendosësh vet kur të rritesh….
-Tradita, tradita…kështu mendova edhe unë…Edhe ajo u përgjigj shpejt. Nuk më pëlqen aspak kjo traditë… 

Pastaj, ajo u bë adoleshente… 

-Dua të dal me miqtë e mi- erdhi atëherë ultimatumi. Kam nevojë të rri jashtë deri në mesnatë! Pse nuk mund të fle në shtëpinë e shoqes sime? Nuk ka rëndësi që ju nuk i njihni prindërit e saj, sepse in njoh unë!  Pse duhet të mendoni si shqiptarët e vjetër? O Zot, sa të prapambetur jeni. Oh, sa e urrej këtë traditë dhe ju urrej juve kur flisni kështu! Nëse kjo do të thotë traditë, unë nuk dua të jem shqiptare!!! Në fakt, unë nuk jam shqiptare prandaj mos më trajtoni si të tillë! 

Më pas ndaloi së veshuri shallin e saj të preferuar me flamurin shqiptar. E hoqi edhe varesen me shqiponjë. 

Pastaj një ditë vura re se nuk po pinte më  as nga filxhanët e kuq që mamaja ime i zëvendësonte sa herë që 

shkonim në Shqipëri.

             Sigurisht kuptoja më shumë se sa të debatoja me një fëmijë, por në ato momente, nga inati, zemra më rrihte me furi sa doja të shpërtheja: “Nëse unë nuk do të kisha vendosur të vija këtu, ti do të kishe lindur në Shqipëri, dhe prapë do të ishe në Shqiperi, që kështu je shqiptare.” Zieja nga inati dhe e quaja shpesh mosmirënjohëse. Sa herë që ndodhte kjo, mamaja ime më shikonte në sy dhe më thoshte: “Mos u shqetëso bijë se do vijë një ditë dhe ajo do kthejë.” Shpesh mendoj se si mamaja ime anjërë nuk më tha: “ Eshtë koha për të paguar” gjë që unë e prisja që ajo ta thoshte në ç’do kohë. 
-Ajo duhet të jetë krenare për atë që është ­–thoja pa mundur ta fshihja inatin…

Shkoi deri aty sa nuk pranoi të flasë më shqip. Unë i flisja shqip dhe ajo më përgjigjej në Anglisht. Nuk arrija ta 

kuptoja nëse këto ishin teka të adoleshencës apo nëse ajo ishte në kërkim të vetes.
Veproi në këtë mënyrë edhe për disa vite të tjera. U mësova me ç’ka ishte…Derisa e njëjtë ajo nuk ishte më… 

Kishin kaluar vetëm disa ditë pas ditëlindjes së saj të 20-të. Më dërgoi një tekst duke më pyetur nëse e kishte nënshtetësinë shqiptare.
-Për fatin tënd të mirë, jo! – u përgjigja duke menduar se kjo pyetje prapë kishte të bënte me të gjitha debatet 

    që kishin pasur në të kaluarën.  

-Pse jo?—Mesazhi u kthue bashkë me një emoji—surprizë.
-Mendova se nuk e doja – u përgjigja thatë. 
Ishte atëherë kur ajo më telefonoi. 

-A është tepër vonë të aplikosh për të? Pyetjen e formuloi në shqip.
-Jo nuk është vonë—u pergjigja me vetullat e ngritura lart.
-A mund të aplikojmë herën tjetër që do të shkojmë në Shqipëri?
-Po! Fola shpejt dhe e mbylla telefonin. 

Heshta për një moment të shkurtër duke u perpjekur të mbaj lotët brenda. 

I tregova mamasë time. Ajo vetëm më pa me një buzeqeshje. Mendova që do të thoshte: ” A s’të kisha thënë që një ditë edhe ajo do të kthejë?”  Por jo! Ajo vetëm buzëqeshi dhe vazhdoi punën e saj në heshtje.  Buzëqeshja e saj më erdhi si një flad pranvere pas një dimri të gjatë dhe të ftohtë. Ajo buzëqeshje sikur më thoshte: “Kot shqetësohesh. Ajo ishte në kërkim të identitetit të saj dhe më në fund duket se e gjeti…”

Filed Under: ESSE Tagged With: Manjola Barçi-Kozi

PËRJETIMET QË MBETEN NË JETËN E NJERIUT PAS PANDEMISË COVID-19

May 23, 2020 by dgreca

Dr. Fejzulla Nebiu, Mjek Psikiatër në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, rrëfen për gazetën Dielli New York, problemet e shëndetit mendor tek njerëzit post Covid-19, intervistë dhenë gazetarit Sokol Paja./

PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR NË SHOQËRINË POST-COVID-19

Pas pandemisë dhe situatave të pazakonta shoqëritë dhe individët me shumë gjasa do të përballen me probleme në shëndetin mendor. Shtimi i stresit dhe ankthit janë çrregullimet mendore nga të cilat mund të preken më së shumti individët në mbarë globin. Kjo diçka e panjohur (Covid 19) të bën të ndihesh i stresuar, të jesh në siklet, të ndihesh më shumë frikë, pasiguri për vete, paqëndrushmëri në shoqëri e familje, me ndryshime në rutinën e përditshme. Këto dhe shumë gjëra të tjera mund të sjellin luhatje të mendimeve negative, deri edhe në ekstreme. Shumëçka varet nga personaliteti dhe emocionet që përjetohen në ato situata. Pra covid kalon, por përjetimet dhe mendimet mbeten në jetën e secilit prej nesh.

SI TA ADMINISTROJMË LIRINË

Periudha drejt kthimit në normalitet (nga brenda shtëpisë në liri) ka të mirat, por edhe pasojat e veta. Aktualisht është e nevojshme të vazhdojmë të mbajmë distancën, por të komunikojmë më shumë mes veti, ende nuk ka përfundur gjithçka. Duhet të flitet dhe të pranohen hapur vështirësit, t‘i qëndrojmë afër nevojtarit dhe ta duam më shumë njeri tjetrin-solidaritet dhe humanizëm. Ishim në situatat kur të gjithë kemi qenë pothuajse të izoluar. Fëmijët nuk shkonin në çerdhe, nxënësit nuk vijonin mësimet nëpër shkolla, dikush humbi biznesin apo vendin e punës, pleqët mbeten tërësisht të izoluar dhe pa kontakte, dikush humbi më të dashurit. U prish rutina dhe planet e jetës. Tash pas kësaj faze mbeten postraumat e tek një numër do të paraqiten edhe probleme me shëndetin fizik e mendor.

SI TË SHMANGIM STRESIN, ANKTHIN, PANIKUN

Personat e prekur nga Covid e që e kanë kaluar ndihen të stigmatizuar pa fajin e tyre, por duhet të ballafaqohen me realitetin e krijuar dhe t‘u jepet mundësia të flasin për përjetimet. Nëse është e nevojshme duhet ofruar mbështetje, rehabilitim, pse jo dhe trajtim. Jo të gjithë reagojnë njësoj në situata të tilla. Dalja, komunikimi, marrja me hobi, muzikë, lexim, sporte të ndryshme ua lehtëson dhe mundëson më lehtë të menaxhojnë stresin, ankthin, panikun e frikën. Ka dhe efektet pozitive kjo situatë: përafrimi dhe ndeja me familjarët, kthimi në zanatet dhe traditat e vjetra, gatim i ushqimit në shtëpi, njohja më mirë me jetën e tjera.

SFIDAT E SHËNDETËSISË NË PRESHEVË

Duke marr parasysh pozitën gjeografike që ka Presheva dhe Lugina në tërësi, numrin e popullatës dhe ndarjet kufitare me trungun shqiptarë me Kosovën dhe Maqedonin e veriut, vërtet jemi të kufizuar dhe të izoluar në çdo aspekt të jetës normale. Masat lehtësuese për covid të lenë përshtypjen sikur shumëçka ka përfunduar, për çka edhe këto masa respektohen shumë pak. Por ngarkesat me stresin, ankthin dhe pasojat tjera lidhur me shëndetin mendor tek sa kanë nisur. Lugina e Preshevës ka shumë vështirësi sa i përket sistemit shëndetësor. Ka vetëm shtëpinë e shëndetit, nuk ka spital, ballafaqohet me mungesa të mëdha të kuadrove e apataturave, barnave dhe materialeve tjera medicinale, por edhe me mungesë të sigurimeve shëndetësore kjo më shumë si pasojë e papunësisë së madhe. Reformat shëndetësore, sikur edhe gjithçka tjetër kanë ngecur.

MESAZH PËR LEXUESIT E DIELLIT

Diaspora shqiptare kudo që është ka treguar dhe dëshmuar atdhedashurinë në çfarëdo forme që është kërkuar. Kontribut të veçantë kanë treguar shqiptarët në Amerikë. Kjo tregon se mendjet e tyre jetojnë me ne, së bashku në trojet stërgjyshërore. Shëndet dhe mirëqenie për diasporën shqiptare dhe lexuesit e ”Diellit“.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Fejzulla Nebiu, Presheve, Sokol Paja

PANDEMIA-PRESIDENTI URDHËRON GUVERNATORËT PËR HAPJEN E OBJEKTEVE FETARE, NEW YORKU NIS LËSHIMET

May 23, 2020 by dgreca

CORONAVIRUSI- PRESIDENTI URDHËRON GUVERNATORËT PËR HAPJEN E OBJEKTEVE FETARE, NEW YORKU NISI LËSHIMET/

PËRGATITI: DALIP GRECA/

Edhe pse beteja me COVID-19 në SHBA nuk ka shenja zbutjeje, padurimi për rihapje është i prekshëm dhe i ngutshëm. Presidenti Trump ka kohë që u kërkon guvernatorëve t’i hapin shtetet e tyre sa më shpejt; New York-u, duket se ende nuk ka ngutje per hapje te plote, edhe pse kanë filluar lëshimet e para. Ajo që ra në sy këtë fundjavë ishte thirrja e presidentit Trump drejtuar guvernatorëve për të hapur objektet fetare. Ai i dha shumë hapsirë hapjes së tyre, duke e vënë theksin tek fryma e besimit dhe Lutjeve. Madje presidenti nuk e fshehu ngutjen tek tha:”të hapen menjëherë”- gjatë konferencës së tij për shtyp të premten në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti i kritikoi hapur guvernatorët që nuk kishin përfshirë në planet e afërta hapjen e objekteve fetare, ndërkohë që nuk kishin harruar të detajonin afate hapjeje për dyqanet e alkoholit apo klinikave për aborte.

Presidenti njoftoi se kishte udhëzuar Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që të nxjerrë udhëzime të menjëhershme për komunitet fetare.

Presidenti u tregua i vendosur për ta çuar deri në fund idenë e tij për hapje të menjëhershme sa që i paralajmëroi guvernatorët se: nëse ata nuk do të vepronin shpejt, ai do ta merrte vetë vendimin e hapjes.

 Nga ana e tij guvernantori i New York-ut, shtetit më të prekur jo vetëm në SHBA, por i krahasuar edhe me shumë shtete të Evropës, Amerikës së Jugut etj, ka nisë të bëj lëshime të dukshme, përveç në ato të zonave që tashmë prej një jave kanë hapur bizneset. Guvernatori Cuomo ka nënshkruan një urdhër që lejon grumbullime të vogla, deri 10 persona, edhe në zonat e pahapura. Pra ai hoqi dorë nga 

kufizimi absolut i grumbullimeve dhe lëvizjeve, duke lëshuar një urdhër ekzekutiv të premten, i cili në substancë lejon deri në 10 persona të jenë së bashku për sa kohë ata respektojnë udhëzimet e tjera sociale distancuese të miratuara gjatë pandemisë së koronavirusit. Urdhri i lëshuar në prag të fundjavës që përkon me ardhjen e Memorial Day, paraqet një nga hapat më të dukshëm që shteti më i infektuar ka ndërmarrë për t’u liruar nga rregullat strikte të miratuara qysh në mars. Rregullat e mëparshëm ndalonin çdo lloj grumbullimi, përveçse brenda familjes.

Urdhri i tansihëm i guvernatorit ende kërkon që njerëzit, edhe brenda shifrës së lejuar, kur të mblidhen, duhet të ndjekin protokollet e mbajtjes së distancës sociale dhe protokollet e pastrimit dhe dezinfektimeve të kërkuara nga Departamenti i Shëndetësisë; të ruajnë 6 metra distancë, të mbajnë maskë.

Edhe shteti i New Jersey-t ka miratuar rregulla të ngjashme, por ka parashikuar distancë më tolerante, duke lejuar grupe deri në 25 persona jashtë dhe deri në 10 persona në grumbullime shtëpie. Nga ana e tij urdhëri i guvernatorit në Connecticut ka lejuar që restorantet me tenda në natyrë të rihapen.

Ndërkohë guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo kishte nënshkruar që në fillim të javës një urdhër të mëparshëm, që lejonte grumbullimet e jo më shumë se 10 personave vetëm për shërbime fetare dhe në përkujtimet e Memorial Day. Ky udhëzim u kritikua sepse kufizonte ceremonitë nderuse tëveteranëve dhe praktimin e fesë. Kushtetuta amerikane kërkon që e njëjta e drejtë të shtrihet edhe tek njerëzit që mblidhen për arsye të tjera. 

  Ekspertët shëndetësorë, zyrtarët e zgjedhur dhe policia bashkohen në të njëtin mendim: të gjithë pajtohen që njerëzit mund të qëndrojnë jashtë në mënyrë të padëmshme, me kusht që të praktikojnë distancimin social. 

Nga ana e tij, kryebashkiaku Bill de Blasio prezantoi të premten treguesit e Coronavirusit në qytet, duke evidentuar një përparim të dukshëm, por sërish theksoi respektimin e rregullave.

BOTA : 5, 298, 197 TË INFEKTUAR, 339, 418 VIKTIMA, EPIQENDRA SHKON NË AMERIKËN E JUGUT

Bota raportoi se deri dje, e premet 22 Maj, ishin shënuar në shkallë botërore: 5 milion 298 mijë e 197 të infektuar me COVID-19, janë shëruar 2 milion 156 mijë e 288, kanë vdekur 339 mijë e 418. Vetëm të premten u raportuan 107 mijë e 706 të infektuar dhe 5 mijë e 245 të vdekur.

    E premtja u mbyll me alarmin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për zhvendosjen e epiqendrës së Pandemisë në Amerikën e Jugut, veçanërisht në Brazil, dhe “marshimin” drejt vendeve afrikane, ku në 9 vende të kontinentit me ngjyrë, ka rritje 50 për qind të infeksionit, ç’ka përbën edhe pasigurinë më të madhe për shkak të kushteve dhe varfërisësë skajshme.

Brazili vazhdon që të ketë një mesatare ditore rreth 18-20 mijë të infektuarish.Të Premten u raportuan 19 mijë e 969 të infektuar të rinj, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infektuarëve në 330 mijë e 890, ç’ka e ngjit Brazilin në shtetin e dytë në Botë, menjëhetrë pas SHBA-së, duke zbritur poshtë vetes Rusinë e vendit të tretë me 326 mijë e 448 të infektuar, me një ritëm ditor prej 8 deri në 10 mijë të infektuar. Brazili ka raportuar deri tani 21 mijë të vdekur, me ritem ditor 966 të vdekur, ndërsa Rusia vazhdon ta ketë në kontroll jetën e pacientëve të infektuarëve, duke raportuar deri të premten 3 mijë e 249 të vdekur, me një ritëm 24 orësh prej 150 viktimash.

 Spanja mbanë vendin e katërt në Botë për numrin e të infektuarëve me 281 mijë e 904, me 1 mijë e 787 të infektuar të rinj gjatë ditës së premte. Gjatë kësaj dite pati dhe një rritje të viktimave për iberikët që raportuan 688 të vdekur(nga 52 që raportuan të Enjten), duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 28 mijë e 628.

Mbretëria e Bashkuar gjatë kësaj jave e uli numrin e viktimave me rreth 350 viktima në 24 orë, duke regjistruar deri tani numrin më të madh në Europë, me 36 mijë e 393 viktima, ndërkohë që shënoi të premten 3 mijë e 287 të infektuar të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm ngjitet në 254 mijë e 195. Italia u paraqit më e stabilizuar gjatë kësaj jave; numri i viktimave për javën u vërtit për çdo 24 orë rreth 160, numri i të infektuarëve vërtitet tek shifra 650(numri i përgjithshëm i të infektuarëve 228 mijë e 658, numri i viktimave 32 mijë e 616).

Franca ka zbrit në vendin e shtatë në botë, duke shënuar 182 mijë të infektuar( të premten raportoi 393), ndërsa numri i viktimave është 28 mijë e 289(të premten u raportuan 74 viktima).

 Gjermania vazhdon ta menaxhojë me dorë të hekurt pandeminë duke shënuar deri tani 8 mijë e 352 viktima( Të premetn kishte vetëm 43), ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarëve është 179 mijë e 713(të premten u raportuan 692 të infektuar të rinj).

SHBA, NË 24 ORËT E FUNDIT – 24, 187 TË INFEKTUAR DHE 1, 286 VIKTIMA, JANË SHËRUAR 403,111 TË INFEKTUAR, JANË TESTUAR RRETH 14 MILION

Amerika vazhdon të jetë mbajtësja e rekordeve për COVID-19. Deri tani janë shënuar 1 milion e 645 mijë e 84 të infektuar, shifër kjo që siç u shpreh presidneti Trump, nuk përbën negativitet për SHBA, përkundrazi, i jep vlera pozitive sepse ka fuqi të madhe testuse. Dhe në fakt SHBA ka testuar deri tani më shumë se 14 milion pacientë, ka shëruar 403 mijë e 111 pacientë. Numri i të infektuarëve të rinj gjatë së premtes u raportua 24 mijë e 187, numri i viktimave në 24 orët e fundit 1 mijë e 286(numri i përgjithshëm i të vdekurëve ka shkuar në 97 mijë e 640).

New Yorku u paraqit dje me më pak viktima se fqinji i vet New Jersey. U raportuan 124 të vdekur (numri i përgjithshëm 29 mijë, numri i të infektauërev 367 mijë e 936(të premten u regjistruan 1 mijë e 579), New Jersey raportoi të premten 134 viktima(në total 10 mijë e 988), 908 të infektuar të rinj(numri i përgjithshëm 154 mijë e 349), Illinois shënoi 108 viktima(numëri i përgjithshëm 4 mijë 715, numri i të infektuarëve ditor ishte 2 mijë e 758(numri i përgjithshëm 105 mijë), Massachusetts raportoi 80 të vdekur(numri i përgjithshëm 6 mijë e 228), California 69( 3 mijë e 688 viktima), Pannsylvania 141 viktimat ditore(numri i përgjithshëm 5 mijë e 61), Michigani 29 (në total 5 mijë e 61), Connecticut 55, Louisiana 39, Ohio 39, INDIANA 28, NORTH CAROLINA 30, MINNESOTA 33, RODE ISLAND 23, VIRGINAI 37 ETJ….

Filed Under: Analiza Tagged With: dalip greca

A PO E “VRASIN” KOSOVËN ME PATRIOTIZËM FOLKLORIK?

May 23, 2020 by dgreca

– Mora shkas për këtë shkrim nga një levizje apo manovër e disa grupimeve shqiptare në Amerikë nën emrin: ”Coalition of Albanian American Organizations”, të cilët po mundohen të influencojnë nëpërmjet një  peticoni drejtuar Pesidentit Trump, Kongresit dhe Senatit, duke protestuar sipas tyre, kundër një politike të gabuar apo të dështuar të SHBA-ve në Kosovë apo edhe për shkarkimin e të dërguarit special në Kosovë, Richard Grenell. Kjo lëter-protestë është pregatitur së fundmi dhe u është përcjellur për mbështetje, një spektri të gjerë të shoqatave dhe institucioneve fetre shqiptare në SHBA.  

NGA VALENTIN LUMAJ*/

Kosova, kjo gjysma e zemrës time dhe e shqiptarëve, vuan rrezikun e ndarjes dhe të copëtimit edhe sot që është e lirë dhe e pavarur. Ajo, falë Amerikës dhe gjakut të dëshmoreve të saj, fitoi pavarësinë nga Serbia dhe të gjithë armiqtë e huaj. Por Kosova ende nuk ka fituar lirinë nga bijtë e saj plangprishës. Kjo është beteja më e vështirë që e pret përpara. Shqiptarët janë armiqtë më të mëdhenj të Kosovës. Nuk e kam fjalën për shumicën e shqiptarëve, por për dy, tre ose me shumë tradhëtarë të idealeve, njerëz pa atdhedashuri, pa principe, pa dinjitet, të shitur dhe të blerë majtas e djadhtas, të cilët nëpërmjet mashtrimit dhe intrigave kanë mundur të zaptojnë majat kyçe të dretimit të shteteve dhe partive shqiptare. Falë këtyre politikanëve shqiptarë është krijuar një ngërç në hapat e Kosovës drejt shtetformimit modern dhe proceseve të saj integruese.

 Mora shkas për këtë shkrim nga një levizje apo manovër e disa grupimeve shqiptare në Amerikë nën emrin: ”Coalition of Albanian American Organizations”, të cilët po mundohen të influencojnë nëpërmjet një  peticoni drejtuar Pesidentit Trump, Kongresit dhe Senatit, duke protestuar sipas tyre, kundër një politike të gabuar apo të dështuar të SHBA-ve në Kosovë apo edhe për shkarkimin e të dërguarit special në Kosovë, Richard Grenell. Kjo lëter-protestë është pregatitur së fundmi dhe u është përcjellur për mbështetje, një spektri të gjerë të shoqatave dhe institucioneve fetre shqiptare në SHBA.  

  • Në shikim të parë, ky peticion duket shumë joshës dhe impresiv, por po të lexojmë me kujdes përmbajtjen e kësaj letre, dallojmë një dozë të fortë proteste, mosbesimi dhe pakënaqësie të dorëshkruesve të saj. Letrën në tërësi e percjellin akuza dhe paranoja se Amerika nuk është më aleati i besueshëm i Kosovës. 
  • Kjo letër fillon me spekulim, duke nënvizuar se drejtohet në emër të organizatave përfaqësuese të një milion shqiptarëve në Amerikë. Kush e bëri këtë census?  Nga erdhi kjo shifër? Aq më tepër, shumë nga këto shoqata të listuara kanë vetëm nga një anëtar. Por edhe të tjerat apo bashkësitë fetare nuk mund të shprehin mendimin politik të të gjithë anëtarëve. Janë me dhjetra e dhjetra organizata dhe shoqata të tjera atdhetare në Amerikë të cilat kanë refuzuar nënshkrimin e këtij peticioni, per mungese të sinqeritettit dhe të koherencës në këtë peticion.
  • Aty akuzohet Presidenti Trump dhe përfaqësuesi i tij Grenell, se po mundohen me çdo kusht, qoftë edhe copëtimin e Kosovës me qëllim që të arrijnë një paqe  në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky është një spekulim i pastër dhe një akuzë e pabazuar në fakte. Grenell ka deklaruar se në asnjë rast nuk është biseduar për shkëmbim territoresh në mes Serbisë dhe Kosovës. 
  • Ndër të tjera në letër, akuzohet diplomacia e Presidentit Trump si dritë-shkurtër kur në të vërtetë janë autorët e këtij peticioni ata të cilët nuk shohin me larg se tek hunda e vet. Ata, me dashje apo naivitet, po dëmtojnë mardhëniet e shkëlqyera midis shqiptarëve dhe Amerikës.
  • Autorët e letrës akuzojnë politikën amerikane se po luan me gjakun dhe viktimat e luftës së Kosovës, dhe harrojnë se ishte Amerika e cila shfarosi makinën ushtarake serbe, i siguroi lirinë Kosovës dhe sot e kësaj dite garanton me prezencën e trupave amerikane atje, paqen dhe sigurinë e Kosovës.
  • Në letër theksohet se Amerika, me dashje ose jo, është në një linjë me Kinën dhe Rusinë në mbështetje të Serbisë për ridimensionimin e kufijve të Kosovës. Edhe kjo, pa asnjë bazë si të tjerat, një spekulim dhe akuzë e padrejtë dhe e paqenë ndaj ShBA-ve.
  • Në një paragraph nga ky peticion thuhet: ”…ne duhet të protestojmë në format më të fuqishme të mundshme, kundër akteve të fundit të përfaqësuesve të SHBA-ve dhe më konkretisht të akteve të Përfaqësuesit Special të SHBA-ve, Richard Grenell, të cilat i sigurojnë mbështetje Serbisë dhe krijojnë një krizë politike të panevojshme…”. Ky ton i ashpër komunikimi, krijon më së miri një tymnajë dhe opinion në popullatë se në mes komunitetit shqiptar dhe Shtëpisë së Bardhë egziston një konflikt dhe një aludim se ndoshta Presidenti Trump do ta shkarkojë ambasadorin Grenell. Grenell është një ndër figurat më të afërta, më të suksesshme dhe më të besuara të Presidentit. Presidenti Trump në asnjë rrethanë të gjendjes në Kosovë nuk do ta shkarkojë si humbës perfaqësuesin e zgjedhur të tij. Atëherë në qoftë se nuk e shkarkon, i bie që Presidenti do ta mbrojë Grenell. Po si do ta mbrojë? Përgjigja është e thjeshtë: Grenell ka vepruar dhe vepron në favor të interesave të Amerikes dhe sipas vullnetit të përfaqësuesve të shteteve të Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Trump do t’i lajë duart si Pilati duke thëne: Unë nuk gjej faj tek ky njeri. 

Për këtë arsye dhe të tjera të përmendura më lart, do të krijohet një klimë e pakënaqëshme dyshimi në mes shqiptarëve në përgjithësi dhe Presidentit.  Në qoftë se ndodh kështu, do të thotë që këto grupime, po bëjnë veprime jo të matura mirë ose vetëvrasje politike në dëm të shqiptarëve.

Po a është çështja e Kosovës qëllimi i vërtetë i kësaj letre? 

Në fakt, po të thellohemi pak, më shumë se një lëvizje në favor te Kosoves, unë mendoj (qofsha i gabuar) se bëhet për dy qëllime të tjera:

1- për populizëm, nga ata, të cilët nuk e kuptojnë politikën, dhe 

2- është një lëvizje politike e disa individëve shqiptarë në SHBA, përkrahës apo anëtarë të Partisë Demokratike këtu dhe me lidhje të afërta me përfaqësues të kësaj Partie në Kongres. Ky manovrim, jo pa qëllim, bëhet  në prag të zgjedhjeve presidenciale, me të vetmin qëllim: dobësimin e figurës së Presidentit Trump përpara elektoratit shqiptaro-amerikan dhe më gjerë.

Kjo e dyta është shumë serioze dhe e shoh si të mirë-menduar dhe të mirë-pregatitur dhe një thikë mbas shpine me shumë presa, që do të thotë: 

-Në qoftë se Presidenti Trump e shkarkon ambasadorin Grenell, kjo do të  përkthehet dhe përdoret si dështim i Trump në Kosovë. 

-Në qoftë se nuk e shkarkon, atëherë do të akuzohet se po mbron një person që po vendos në tavolinë kufijtë e Kosovës për të arritur një paqe në mes Serbisë dhe Kosovës dhe në rastin më të mirë për t’a përdorur si sukses të jashtëzakonshëm në favor të ri-zgjedhjes së tij. 

-Po ashtu, po përdoret edhe si propagandë për të vënë në dyshim mbështetjen e Presidentit Trump ndaj Kosovës, duke lënë një shije të keqe dhe mosbesim ndër shqiptarët.  Pra, në të gjitha rastet e mundshme, në filozofine e tyre, Trump nuk është i dëshiruari shqiptarëve të Amerikës në zgjedhjet presidenciale, kështu që ata, do të votojnë Biden. 

Unë i siguroj se rizgjedhja e Trump-it nuk është as pyetje, as nuk është në diskutim; me dhe pa mbështetjen e shqiptaro-amerikanëve, Trump do të fitojë. Por sido që të jetë, këto grupime kurrë nuk duhet të kishin aktruar një sulm të tillë ndaj Presidentit.

Po si mundet që të sulmojnë Presidentin Amerikan apo perfaqësuesit e tij. Po kush? Ne shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës së gjorë, të dëbuar dhe të mbijetuar nga lufta, nga skamja, komunizmi, gjakmarrja e shumë e shumë arsye të tjera, që gjetëm strehë në këtë vend të bekuar, i cili na dha shpresë dhe liri, na dha krahë që nga hiçi filluam një jetë të re në paqe, siguri dhe me të gjitha të mirat e Zotit. Harrojmë se Shqipëria egziston falë Amerikës, Kosova egziston falë Amerikës, harrojmë se edhe ne shqiptaro-amerikanët, në periulla të shkurtra të kohës, përveçse kemi gjetur lirinë dhe prosperitetin tonë dhe të pasardhëseve tanë, kemi arritur shumë më shumë se gjenerata të tëra të paraardhëseve tanë në trojet amtare qysh me zgjedhën e turkut, serbit apo komunizmit. Harrojmë historinë, mikpritjen dhe mbështetjen për më 100 vite te Amerikës dhe sot bëhemi bukë-shkelës.

Në fakt, Grenell nuk është fajtor për qëndrimet dhe veprimet e tij. Ai është qytetar amerikan dhe vendos interesat e Amerikës në plan të parë. Por, ai kurrë nuk do te shkelë, anashkalojë apo injorojë vullnetin e përfaqësueseve të Kosovës. NUK ËSHTË GRENELL APO TRUMP TRADHTARI AS ARMIKU YNË.  TË DASHUR BASHKË-KOMBAS, TRADHËTARËT I KEMI MES NESH DHE PO I KËRKOJMË ATJE KU NUK JANË. KUJTOHUNI SE PROPOZIMI PËR SHKËMBIMIN E TERRITOREVE ËSHTË MË I HERSHËM SE PREZENCA E GRENELL NË KOSOVË. ISHTE THAÇI I PARI QË E PROPOZOI SHKËMBIMIN E TERRIROREVE, QË U PERKRAH NGA KRYEMINISTRI RAMA MË PAS. PËRSE HESHTËT DHE VAZHDONI TË HESHTNI KUR NDARJEN E TERRITOREVE TË KOSOVES E KERKOJNË VETË SHQIPTARËT?

Në gjykimin tim, ky peticion nuk duhet t’i dërgohet Presidentit Trump. Të gjitha shoqatat dhe institucionet fetare në listë, të cilat shohin Presidentin Trump si mik të shqiptarëve, dhe duan që t’a mbajne dhe jo t’a prishin këte miqësi edhe për katër vitet e ardhshme,  duhet të terhiqen nga ky peticion. Thirrja ime është krejt e sinqertë dhe me të vetmin qëllim: ruajtjen e klimës së partneritetit dhe të besimit reciprok midis shqiptarëve dhe Shtëpisë së Bardhë. Çështja e Kosovës apo çështjet kombëtare shqiptare nuk duhet të perzihen apo të përdoren për interesa politike në fushata zgjedhore në Amerikë apo me qëllim denigrimin e padrejtë te figurës së Presidentit të SHBA-ve, i cilësdo parti qoftë.

Diaspora e Amerikës po të ketë “guts”, (për etikë s’dua ta them në shqip), le të unifikojë mendimet dhe qëndrimet, të kërkojë publikisht dorëheqjen dhe perjashtimin nga jeta politike dhe vendim-marrëse të Thaçit dhe Ramës, eksuzuvisht me akuzë për tradhëti kombëtare. Ata janë e keqja që Kosova dhe Shqipëria po lëngojnë sot. Një bashkim i thirrjeve dhe mendjeve tona për dorëheqjen e tyre do te ishte një mesazh i fuqishëm edhe për administratën Trump, duke i shprehur atyre në këtë mënyrë qëndrimin e shqiptaro-amerikanëve në lidhje me Kosovën.  Ky është shërbimi më i mirë që do t’i bënit Kombt sot-për-sot. 

 “Shohim qimen para tjetrit, por nuk e shohim traun para vehtit”.

Nga cikli  “Persiatje mendimesh ne kohe krizash”.

Michigan, 22 Maj 2020

  • Valentin Lumaj,  eshte anetar i Keshillit te Vatres, ish kryetar i Kuvendit te Vatres, te 19 janarit 2020, ne Detroit.

Filed Under: Politike Tagged With: Valentin Lumaj

“SHTËPIA E GJETHEVE”, NJË VIZITË ME “CICERON” NË SHTËPINË E TMERRIT KOMUNIST

May 23, 2020 by dgreca

Etleva Demollari drejtuesja e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia e Gjetheve” rrëfen për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, diskursin aktual mbi të shkuarën dhe rivendosjen e dinjitetit të viktimave të regjimit komunist shqiptar, intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.

        Në Tiranë shtëpia e Zotit dhe shtëpia e spiunëve qëndrojnë përballë njëra-tjetrës. Një histori persekutimi përplot 50 vjet ndaj klerit fetar, duket sikur dhe sot në heshtje e ndjek nga pas. Në të dy anët e rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” duket sikur qëndrojnë të heshtura ferri dhe parajsa. Për krimet monstruoze që regjimi komunist kreu ndaj shqiptarëve të pafajshëm nëpërmjet Sigurimit të Shtetit, qëndrimi afër një Kishe siç duket, xhelatëve u jep pak lehtësim për shpirtrat e vrarë e trupat e masakruar. Një koinçidencë e hidhur. “Shtëpia e Gjetheve” apo Muzeu Kombëtar i Përgjimeve është muzeu më intrigues në kryeqytet. Në vendet totalitare, Muze të tillë sot të tmerrojnë njësoj si diktatura dje. Aty ekspozohen viktima të pafajshëm, të përndjekur e dënuar mizorisht nga regjimi. Në këtë shtëpi tmerri jetojnë viktimat dhe persekutorët. Një bashkëjetesë e tmerrshme. “Shtëpia e gjetheve” u ndërtua në 1931. Muzeun Kombëtar i Përgjimeve përpiqet t’i rrëfejë gjithëkujt por të huajve kryesisht një nga periudhat më të errëta të historisë së Shqipërisë. Ky muze përmban: teknikë operative, metoda të ndryshme dhune, torture e përndjekje, përgjime, kontrolle, spiunime, dëshmitarë, persekutorë, prokurorë, gjykatës, ushtarakë, viktima, familjarë, priftërinj, hoxhallarë, anëtar të komitetit qëndror, armiq, revolucionarë, koperativistë, kolaboracionistë, shpaloset i gjithë tmerri që përjetoi krejt shoqëria shqiptare përgjatë komunizmit. Shtëpia me Gjethe përbëhet nga 31 dhoma dhe 9 seksione ku tregohet me detaje gjithçka kaluan shqiptarët për 50 vjet në diktaurën staliniste. 

EKSPOZIMI I KRIMEVE SI DËNIM MORAL NDAJ XHELATËVE

“Vetëm duke rrëfyer atë që ka ndodhur mund të “kapërcehet” me të vërtetë e kaluara”. Çështja ndryshon kur ky rrëfim bëhet në një muze apo në një sallë gjyqi nga pikëpamja e ndëshkimit. Por mendoj se edhe ekspozimi në muze i fakteve, i dhunës së ushtruar, i atyre që kanë qenë drejtues të Sigurimit të Shtetit është një lloj ndëshkimi moral i autorëve të krimeve. Edhe pse regjimi komunist u rrëzua në fillim të viteve 1990, njerëzit që punonin me Sigurimin mbetën në institucione shtetërore për një kohë të gjatë, duke penguar vendin që të ecë përpara me përpjekjet e tij për të siguruar dhënie llogarie për krimet e të kaluarës. Një numër i vogël njerëzish janë nxjerrë në gjyq për krimet e kohës së komunizmit, por shumica e tyre janë liruar nga akuzat ose janë liruar pasi kanë kryer një pjese të dënimit. Përballja me të kaluarën komuniste është një sfidë e vështirë në Shqipëri. Kjo për faktin se edhe pse sistemi komunist është rrëzuar, ende është gjallë ideologjia komuniste e cila shfaqet në minimizimin dhe përpjekjet për të fshehur e për të fshirë krimet e komunizmit. Drejtësia tranzicionale, pra, realizimi i drejtësisë në fazën e tranzicionit është ende në fillimet e veta në Shqipëri dhe mendojmë se Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” jep kontributin e vet së bashku me shumë institucione të tjera si Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, Instituti mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, IDMC etj në përpjekjet që bëjnë të mundur tranzicionin drejt një shoqërie të qëndrueshme  në paqe dhe më demokratike.

PËSHTJELLIM EMOCIONAL DHE FRIKË NDAJ SIGURIMIT EDHE PAS 30 VITEVE

Fillimisht pas vizitës në Muze, të përndjekurit janë shprehur se ndjenin një pështjellim emocional për shkak të ndjenjës së frikës e të terrorit që Sigurimi i Shtetit, dhe vetë godina ngjallte tek ata. Duhet të them se ka pasur shumë prej tyre që e kanë paragjykuar dhe anatemuar muzeun për arsye politike apo për vetë faktin se godina ka qenë selia e një prej Drejtorive të Sigurimit. Por më pas kur kanë kuptuar se ky muze u kushtohet atyre vetë, personave që janë përgjuar, spiunuar, dënuar e persekutuar nga regjimi komunist, na kanë falenderuar dhe kanë shprehur simpatinë e tyre.

Nga ana tjetër, ne i konsiderojmë ata si partnerë të rëndësishëm të punës tonë. Shumëprej dëshmive të tyre janë pjesë e ekspozitës së përhershme të muzeut. Të gjithë ata individë që kanë statusin e të përndjekurit politik mund të hyjnë falas në muze. Gjithashtu programet edukative që organizon muzeu me nxënësit e shkollave dhe studentët, synojnë rehabilitimin e të dënuarve dhe të mbijetuarve pasi ata ftohen të flasin në mënyrë sistematike në muze jo vetëm për vuajtjet e tyre në burgje e kampe internimi, pse dhe si u dënuan duke u dhënë të rinjve shembuj të gjallë të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të dhunës së ushtruar në komunizëm por dhe për qëndresën, u japin mësime të rinjve si të kenë një qëndrim kritik në jetë. 

TURISTËT E HUAJ TË TMERRUAR NGA DIKTATURA NË SHQIPËRI

Muzeu ka ngjallur një interes të madh tek turistët e huaj të cilët për shkak të izolimit mbi 45 vjeçar nuk e kanë njohur Shqipërinë e asaj periudhe. Që nga hapja e muzut më 23 Maj 2017 ne kemi patur rreth 48 000 vizitorë dhe rreth 58 % e tyre janë të huaj. Ata shprehen të impresionuar mbi gjithçka që ka ndodhur, mbi mënyrën se si ka funksionuar regjimi, dhunën psikologjike dhe terrorin e vendosur në Shqipëri. Në komentet e tyre ata na inkurajojnë në punën tonë mbi informimin e publikut dhe shprehen se muze të tillë janë të nevojshëm që diktatura të mos përsëritet më në të ardhmen. Më 6 dhjetor 2019 Muzeu Kombëtar i Përgjimeve „Shtëpia me Gjethe“ u nderua me Çmimin e Këshillit të Europës  Muzeu i Vitit 2020“ (Council of Europe Museum Prize 2020) nga Forumi Europian i Muzeve dhe nga Ansambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

MUZETË MEMORIALË SI PËRPJEKJE PËR TË RIKTHYER DINJITETIN E VIKTIMAVE

Muzetë kanë potencialin të bëjnë bashkë në një vend pikëpamje të ndryshme duke i ballafaquar faktet përmes mjeteve muzeografike dhe duke e lënë vizitorin e thjeshtë të gjykojë e të dalë në përfundimet e veta. Muzeu Kombëtar i Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe” i ekpozon krimet dhe jep këndvështrime të ndryshme mbi ngjarjet e ndodhura. Në dosjet dhe dokumentet e tjera arkivore të kohës jepet pikëpamja e Sigurimit mbi bashkëpunëtorët apo viktimat e terrorit komunist. Përmes tyre, në mënyrë të tërthortë mund të kuptohen dhe metodat që përdorte Sigurimi për rekrutimin e bashkëpunëtorëve. Këndvështrimi i të dënuarve të regjimit komunist jepet përmes dëshmive gojore. Në muze janë përdorur dokumentarë e intervista të shumta të të persekutuarve politikë gjatë regjimit komunist dhe të familjarëve të tyre. Nëpërmjet paneleve, diçiturave, statistikave jepet pikëpamja e Muzeut. Përzgjedhja e citimeve në sektorin e fundit të ekspozitës në sektorin Panoptikon shpreh qartaz pikëpamjen e Muzeut mbi procesin e ballafaqimit me të kaluarën: “E kaluara nuk vdes kurrë. Ajo madje as ka kaluar “. William Faulkner. “Atëherë ndoshta nuk e kuptoja, por më vonë e kam menduar se paskan patur një kurajo të pacipë këta njerëz që nuk kanë kërkuar falje”-  Amik Kasoruho. Muzeu përcjell idenë se varrosja e së kaluarës komuniste nuk sjell as shërim e as drejtësi për ata që e pësuan sepse ne bartim kujtimin e saj. E kaluara është pjesë e pandarë e jona. Çdo çast i së kaluarës sonë ndërton atë që ne jemi. Kështu që e kaluara jeton brenda nesh. Historia përsëritet, ata që e harrojnë të shkuarën janë të destinuar ta përsërisin. Ndaj asgjë s’duhet të kalojë në heshtje. Asgjë s’duhet të mbetet e pandëshkuar. Kështu, muzeu përpiqet përmes mjeteve muzeografike ta drejtojë vizitorin në vlerësimin e gjykimin e tij pa iu imponuar. Muzetë memorialë e vendet e kujtesës e kanë potencialin për të përmirësuar proceset e drejtësisë tranzicionale, duke u mbështetur në të gjitha palët që punojnë së bashku drejt një dobie më të madhe: njëfarë drejtësie dhe parandalimi të përsëritjes së dhunës.  Muzeu duke shfrytëzur të gjitha mjetet muzeografike jep një kontribut të vyer në diskursin aktual mbi të shkuarën, në njohjen e fakteve, në rivendosjen e dinjitetit të viktimave; nxitjen e debateve të hapura midis padrejtësive të kaluara duke siguruar dhe një vend për reflektim. Mënyra më e mirë kundër abuzimit me të drejtat e njeriut është një qytetari aktive dhe e angazhuar me vetëdije, liri dhe frymëzim për ta ndaluar abuzimin para se të fillojë. Ky mund të jetë një drejtim shumë i rëndësishëm në një shoqëri në tranzicion. 

Filed Under: Featured Tagged With: Shtepia me Gjethe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT