• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

AMANETIN E MBAN TOKA – GËZUAR DITËLINDJEN PROF. ERNEST KOLIQI!

May 22, 2020 by dgreca

20 Maji (1903) shënon ditëlindjen e Profesor Ernest Koliqit.  Gëzuar Ditëlindjen i dashur Profesor Koliqi!  /

Nga Frank Shkreli*? Unë e konsideroj veten të privilegjuar që kam pasur fatin të njihja megjithëse për një kohë të shkurtë, Profesor Koliqin, gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1970.  Deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra, të pakën, dy tre herë në vjet.  Detyrimi im për ta kujtuar atë, rrjedhë nga një letër që Profesor Koliqi më ka dërguar në vitin 1972.  Letra e tij erdhi pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim.  Ishte një letër me këshilla tepër të nevojshme për një të ri nga një personalitet si Ernest Koliqi, por që njëkohësisht përmbante edhe një amanet. Ai shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”.  Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe.  Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime.  Mbaje mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’.  Avit moshatarë sa ma shumë që të mundesh.  N’ ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”. Ishte ky, pra, amaneti i tij, një amanet që jam munduar ta mbajë me atë kapacitetin tim të vogël, duke e kujtuar atë kur kam pasë mundësi me gjithë kufizimet e mia në fushën e veprimtarisë së tij të gjithanëshme – brenda dhe jashtë Atdheut — duke filluar nga viti 1918 e deri në vitin 1975, kur ndërroi jetë në Romë të Italisë.

Përveç kujtimeve nga disa takime me të dhe respektit të madh që kam për veprat dhe jetën e Ernest Koliqit, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë në mënyrën time më modeste, nga koha në kohëdhe në raste siç është ditëlindja e tij, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por megjithë kontributin e tij të madh në fushën e letërsisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare, i përjashtuar dhe denigruar nga regjimi komunist shqiptar, mbetet pothuaj i harruar dhe i kritikuar edhe sot — nga pseudo-historianët nostalgjikë të komunizmit ndërkombëtar — 30-vjet pas shembjes së regjimit komunist.  Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë dhe të tjerët autorë si ai, të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në herë, amanetin e tij, për të mos e harruar atë dhe autorët e tjerë të përjashtuar nga komunizmi.

Por, pasi jeni ende në një gjëndje shokuese shpirtërore  në lidhje me  shembjen e Teatrit Kombëtar të 17 majit, si një prej ngjarjeve më brutale dhe më të dhìmbshme në historinë kulturore të Shqipërisë, ia vlenë të kujtojmë Ernest Koliqin edhe me këtë rast, pasi siç duket, historikisht, ai dhe shumë  të tjerë të dalluar të historisë shqiptare kanë pasur lidhje me Teatrin Kombëtar, në një mënyrë ose një tjetër.  Ernest Koliqi ishte prëparimtar.  Besoj se ai do të kishte qenë për ndërtimin e një teatri të ri dhe më të mirë të standardeeve evropiane, pasi ai nga ajo kulturë vinte. Por nuk besoj se do të kishte miratuar shembjen përgjithmonë të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, pasi ai ishte edhe një ruajtës, mbrojtës dhe kultivues i historisë dhe identitetit Kombëtar të shqiptarëve, kudo dhe kurdoherë.

Mund të jem gabim, por besoj se kjo foto historike është një takim i mbajtur në i ish-Teatri Kombëtar — i rrënuar brutalisht më 17 Maj nga autoritetet e qeverisë socialiste pseudo-demokratike të Shqipërisë së sotëme—në të cilin, në vitin e 1942 strehohej edhe Instituti i Studimeve Shqiptare, i kryesuar nga Profesor Ernest Koliqi.  Në këtë Institut ka filluar botimi i vëllimeve të mëdha, “Studime e Tekste”, ku bashkpunuan linguistët, juristët dhe folkloristët si the albanologët më të njohur të asaj kohe. Në “Numrin Përkujtimuer” të revistës Shëjzat, me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, në vitin 1975, shënohet se pas largimit të tij nga Ministria e Arsimit, në vitin 1942, Profesor Koliqi emërohet Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare,(Shih foton më lartë) me qellim për të vazhduar vepren e ndërmarrë nga Kongresi i Manastrit.  Aty shënohet se gjatë kësaj periudhe Profesor Koliqi bashkpunoi me Mustafa Merlika Krujën, Karl Gurakuqin, Asdrenin, Ali Asllanin, Lasgush Poradecin, Anton Logorecin, Ismet Toton, e tjerë.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe Ernest Koliqi, si Ministër i Arsimit luajti rolin kryesor dhe historik të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe duke hapur shkolla anë e mbanë trojeve shqiptare, nën ish-Jugosllavinë e vjetër.  “Këto shkolla”, sipas Dr. Rexhep Krasniqit, ish-Kryetarit të “Komitetit Shqipëria e Lirë” në Nju Jork, “U bënë baza me rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe të kulturës shqiptare në Jugosllavinë”, e atëhershme.  E kam thënë edhe më përpara se nga kjo politikë e Ernest Koliqit, ka përfituar edhe brezi im në krahinën e Ulqinit, pasi mësuesit e mi dhe të bashkmoshatarëve të mi të shkollave fillore në ato zona, ishin trajnuar nga arsimtarët dhe mësuesit nga Shqipëria që kishte dërguar atje Ernest Koliqi.  Ia kemi borxh atij, sepse, po të mos ishte për këta emisarë të Koliqit dhe për shkollat shqipe që ata hapën në trojet shqiptare, ndoshta as shqip nuk do flisnim sot — unë as të tjerët bashkmoshatarë të mi, e si rrjedhim as brezat pas nesh.

Dëshiroj ta mbyllë këtë kujtim me rastin e ditëlindjes së Ernest Koliqit me disa vargje nxjerrë nga poemthi me titull, “Symfonija e Shqipevet”, kushtuar lashtësisë shqiptare një prej veprave të tija që frymëzon atdhetarizmin dhe lartëson shpirtin e lexuesit edhe sot e kësaj dite.  Sidomos në këtë periudhë historike kur në horizontin shqiptar po duken disa re të zeza, Koliqi ka shkruar se qëllimi i këtij poemthi —është për të forcuar në çdo kohë të vështirë besimin në Atdhe me një krijim mitesh shqiptare, të cilat sipas tij, dëshmojnë se asnjë pengesë dhe shkatërrim gjatë historisë nuk mundi të shuante palcin gjallnues të rodit tonë.  Qëllimi tjetër i botimit të kësaj simfonie valvitëse fjalësh fantastike, sipas autorit, është “për të ndjellë agime ma të këthjellta popullit shqiptar”, në të ardhmen.

Kur fliste e shkruante për Shqipëri, Ernest Koliqi nuk kishte në mend vetëm Shqipërinë e kufijve të sotëm, por një Shqipëri që përfshinte shqiptarët e të gjitha trojeve autoktone në Ballkan.  Nepërmjet tre poetënve imagjinarë në “Symfoninë e Shqipevet”, ai shprehë besimin e tij në një Shqipëri e cila megjithë, “errësitë e natës” – Koliqi prapseprap shpreson dhe beson se virtytet e mëdha të Kombit shqiptar, do t’i mbeten trashëgimi brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm, anë e mbanë trojeve shqiptare, duke shprehur besimin e tij me tre poetët e “Symfonisë së Shqipevet” –megjithë problemet me të cilat përballet sot Kombi shqiptar — në një Shqipëri të lirë dhe me drejtësi, në vëllazërim dhe hare, drejt agimeve të reja dhe më të drejta të barabarta, duke deklaruar se:

“BESOJMË në Shqipni edhe në virtytet e mshefta që ruen gjaku illyro-thrak i bijve të saj.

BESOJMË në misjonin e naltë që Perendia, siç do kombit në botë, i shënoi edhe kombit të vogël shqiptar, mot e sot, në vallen e shekujve të palindun.

BESOJMË në vëllaznimin e madh të Shiptarëve që tue u forcue, ka me i falun fisit t’onë agime ma të drejta.

BESOJMË në punën e Shqiptarëve të vëllaznuem e në lumninë që ka për t’i sjellë kombit parmenda e bujkut, veli i detarit, penda e dijetarit, kullma e farkatarit, buza e poetit, spata e druvarit, mësimi i fetarit, kur këto të lëvizin e të kumbojnë tue veprue n’emnat e ngjitun e të pandamë të Perëndisë e të Shqipnisë.

BESOJMË në fisnikinë e gojdhanave stërgjyshore dhe në lulzimin e ri të këtyne, ndër breznina që ecin prej territ kah drita.

BESOJMË në Flamur t’onë edhe në frytin e vuejtjeve që për Të u bajten në dobinë e gjakut që për Të u derdh.

BESOJMË në drejtësinë vëllaznore që Flamuri i Shqipnisë ka me sigurue tue rrah i lirë në qiejt që presin diella ma të ndritshëm and’e kand n’atë tokë, ku na përkundi në djep kanga e nji nane arbënore dhe në gji të së cilës shpresojmë me u dhanë pushim këtyne eshtënave të lodhun.”

Ky është Besimi në Atdhe i Ernest Koliqit, ishprehur nepërmjet poemthit “Symfonija e Shqipevet”.  Ky është edhe Besimi që duhet të ketë çdo shqiptar kudo, e sidomos elita politike aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë — pa marrë parasyshë vështirsitë me të cilat përballet sot Kombi.  Ky është edhe amaneti i mbajtur nga unë në kujtim të një burri të madh, por të përjashtuar e të harruar të Kombit shqiptar.

Faqja e parë e Symfonisë së Shqipeve, dedikuar nga vet Ernest Koliqi –një kujtim dhe dhuratë e paçmueshëme!

Filed Under: Featured Tagged With: Ernest Koliqi, Frank shkreli

Ilir Zhiti- Zili do ta kisha dhe një murg

May 21, 2020 by dgreca

Nga Bajame Hoxha-Çeliku,Bruksel/

Në çantë të futa një libër të bukur të një patriotit tonë, e di që e ke për zemër dhe besoj se do kënaqesh. Do të t’i hajë nja dy pasdreke kohë por ia vlen, më beso!

         Sakaq më përshëndeti dhe u largua duke më lënë mua ashtu të futur nëpër kujtimet e kohërave.

         Eh, psherëtiva, dhe në mendje më shkrepi mbiemri “Zhiti” Visari, thashë me vete. Ishim mësuar tashmë me krijimtarinë brilante të Visar Xhiti, të cilin e njihja prej kohësh, jo si Visar, por së pari për një gjimnazist të bukur, e më vonë një student jo vetëm i bukur, por tepër tërheqës në shoqëri. Tashmë kush nuk e njeh Visarin, thashë me vete. Në autobus vështrimi gjëkundi s’më ndalej, por mendja më kishte fluturuar larg, shumë larg: 

         Eh, psherëtiva përsëri, dhe brenda psherëtimave të mia pashë jo vetëm Visarin e ri, por dhe të atin e Visarit, aktorin dhe poetin e madh Hekuran Zhiti. Diktatura e egër do ta godiste deri në fund si një intelektual, artist dhe poet. Por, në çast po vështroja përsëri Visarin ndër vite: Visarin student, Visarin në Kukës, Visarin në burg, Visarin e lirë e të suksesshëm ku po i buzëqeshte fati në çdo hap që hidhte në ditët e demokracisë. Visarin e martuar me një vajzë të shkëlqyer, Visarin që çau shtrëngatat, dhe… ah që ah! 

         – Sytë mu mbushën me lot sa me zi hapa derën dhe hyra brenda duke hedhur çantën mbi krevat me mendimin se, si e mërzitur që ndihesha vetëm aty do të shfletoja librin e Visarit.

         Oh, bëra pa dashje kur pashë se në kopertinën e librit vërtet qëndronte mbiemri ”Zhiti” por jo Visari. Qëndrova e befasuar disa çaste, e rrotullova librin disa herë në duar, dhe së fundi lexova me zë të lartë: Ilir Zhiti.

Ç ‘surprizë! Libër voluminoz! Krejt pa dashje, librin e hapa nga faqja e fundit dhe aty mbeta. Çuditërisht më mbështollën ca fjalë të urta ku shumëkush do t’i quante filozofike ku autori e kishte shkrirë talentin e tij. Ishin aq të forta dhe përcjellëse sa nuk më lëshonin. Kështu po e vazhdoja leximin nga faqja e fundit për ta mbyllur në faqen e parë. S’ka gjë, thashë me vete, edhe kështu lexohet shpesh poezia. 

         Fjalët e mençura, që poeti i ka quajtur: “Mendime të lira”, zinin disa faqe të mira në libër. Pikërisht, ishin ato faqe që jo vetëm s’më linin t’i braktisja, por më shtrëngonin gjithnjë e më fortë.  Duke qenë kaq tërheqëse edhe unë ashtu e vazhdova leximin deri sa mbërrita te faqet e poezive, të cilat nuk ishin të një shkalle më poshtë por përkundrazi të jepnin një frymëzim të gjallë. 

         Te poezitë e Ilir Zhitit, gjeta dhimbje e brenga, dashuri dhe lot, gjeta psherëtimën dhe lotin e nënës, dhimbjen dhe rinin e motrës, gjeta burgje e sakrifica, po mbi të gjitha qëndronte nëna! Ah, nëna kreshnike dhe babai i tyre fisnik me ballëlartë. 

 ZËMRA E NËNËS

Rruga e lodhshme,

e gjatë…

Plakë e sëmurë;

fuqi e paktë,

çehrja e zverdhur,

shpirti si trung.

Nëna nëpër ecje,

i biri në burg.

Kaq dëshpërim,

kaq sfilitje,

kaq mall,

kaq pritje,

kaq dëshirë,

kaq drithërim,

kaq torturë,

kaq poshtërim,

kaq brengë…

Dhe një zemër vajze

njëzetvjeçare

do plaste pa frikë

si shalqi i pjekur

kur i vëmë thikën.

Po zemra e nënës,

(plakë e sëmurë)

si e duron vallë,

gjithë këtë torturë ?

Oh, vetëm zemra

e nënës, e brishtë,

mund të thyejë ligjet

e bushtrës diktaturë.

ËNDËRROJ NJË BOTË …

Ëndërroj një botë 

që për veprimet e mia të gjykohem 

dhe jo për ato që s`kam bërë 

të paragjykohem.

A ISHA UNË NJË ËNDËRR ?!

A isha unë një ëndërr,

a Zoti pa një ëndërr,

që ishte

Jeta ime !?

“ HAKMARRJE “

Jeta pa ty,

një moçal trishtimi.

Fytyra jote

si një detektiv

më ndjek në mëngjes.

Edhe në drekë më ndjek.

Në mbrëmje më vdes.

RROTA E FATIT

Në një kohë,

që ishte vetëm në atë kohë,

një i ditur po mendonte :

-Njeriu bëri shpikjen më

gjeniale, shpikjen e rrotës,

por me siguri

nxitjen fillestare e pati

kur pa rrokullisjen

e fateve njerëzore.

IU MBURRA TIM ETI …

Iu mburra një herë babait 

se isha i mirë në mësim.

Por më pas fytyrën vrenjti

se për shokun shfaqa nënvleftësim .

-Askush s`është i pa rëndësishëm,

çdokush ka aftësinë e tij;

në botën ku jemi të pranishëm

nuk janë të gjithë gjeni.

Pa punën e “ të rëndomtëve”,

ku jemi dhe ne pa dyshim,

gjenitë e mëdhenj të Botës,

do vdisnin, patjetër, për ushqim.

         Ilir Zhiti është i vëllai i Visarit, por ai ka ditur të ngjitet në pied me këmbët e veta e jo me të vëllait. Poezia e tij ka një stil krejt tjetër, një ngjyrë dhe një aromë trëndafili. Të bën ta rilexosh ta duash poezinë dhe ta dashurosh atë, atë, poezinë e Ilir Zhitit. 

         Shumë poezi të ngrinin peshë, disa të qëllonin në zemër, disa të mësonin se si jetohet dashuria, disa të tjera të rrëqethnin shpirtin e disa të trokisnin në telat e zemrës. Që të flasësh për poezinë duhet ta ndjesh atë, të dish ta trajtosh, dhe të ndjekësh me shpirt aty ku e kanë burimin e kthjellët. Aty ku është freskia e fjalës, freskia e vargut, dhe tërë poezia të duket se është një udhëtim i gjatë ku dallgët e saj të rrëmbejnë dhe të nxjerrin në bregun tjetër të lehtësuar, të dashuruar me jetën. Dhe këtë e bënë libri: “ Zili do ta kisha dhe një murg”, i poeti Ilir Zhiti.

Po ju përcjell disa thënie brilante:

         “309. Sikur veprën më të mirë në Botë të bësh, as mos e mendo, se do ta pëlqejnë të gjithë.

         312. Ja logjika e agresorit : Kosova për Serbinë është e Serbisë , kurse banorët e saj, kosovarët, janë shqiptarë që duhen vrarë.

         285. Gruaja ka aq aftësi sa t`ia përcjellë të gjithë dokrrat e saj edhe burrit më të zgjuar.

         271. Njeriu nuk e fiton dashurinë gjatë jetës, sepse ata kanë lindur së bashku.                         

302. Gjithmonë do të ëndërrojmë për një botë më të mirë, sepse ajo asnjëherë s`do të jetë aq e mirë sa duhet »

         Në tërësi libri është i një niveli të lartë poetik. Fjalë e vargje të duken se kanë shpërthyer e po fluturojnë nga një shpirt i bekuar, i prekur, bujar, nga një shpirt që ka provuar trysnin e mendimit, të fjalës së lirë, dhe që kishte ditur të donte jetën dhe poezinë në ditët më të vështira. 

         Mu kujtua familja Shtraus që u quajt: “Mbreti i valsit.” Po këta tre kolosë babë e bij? Si mendoni t’i quajmë? Mendoj sa familja Zhiti, meriton të quhet: Mbretëria e Artit dhe e poezisë.

Me nderime të thella për familjen Zhiti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku

FRIKA E NDESHKIMIT

May 21, 2020 by dgreca

Frika e ndëshkimit/
Nga Astrit Lulushi/

Pse i shmangemi të vërtetës?
Miti i famshëm mbi fëmijën, sopatën e tij, qershinë dhe të vërtetën ka kapur imagjinatën e brezave. Biografia; Jeta e Uashingtonit, u botua për herë të parë në vitin 1800. Sidoqoftë miti i pemës së qershisë nuk u shfaq deri në botimin e pestë, më 1806.
Kurrë Odisea i mençur nuk u mundua më shumë me Telemakun, sesa Washingtoni i vjetër me birin e tij George, për ta frymëzuar atë me një dashuri të hershme për të vërtetën.
“E vërteta, Xhorxh, është cilësia më e dashur e rinisë. Dhe sa bukur shfaqet një fëmijë i tillë në sytë e çdo prindi!
Por, Oh! sa i ndryshëm është Xhorxh, rasti me djalin që i jepet aq shumë gënjeshtrës, sa që askush nuk mund të besojë një fjalë që thotë! Ai shikohet me neveri kudo që të shkojë, dhe prindërit kanë frikë ta shohin atë të vijë midis fëmijëve të tyre….- Po unë, baba (tha George shumë seriozisht) a them ndonjëherë gënjeshtra? – Jo, Xhorxh, falënderoj Zotin që nuk e bën, biri im, dhe gëzohem me shpresën që nuk do ta bësh kurrë”.
Shumë prindër, me të vërtetë, madje i detyrojnë fëmijët e tyre në këtë praktikë të ndyrë, duke i rrahur në mënyrë barbare për çdo gabim të vogël; Prandaj, në veprën tjetër, fëmija i tmerruar rrëshqet në gënjeshtër, vetëm për t’i shpëtuar thuprës.
Kjo anekdodë është një rast tipik – shumë e vlefshme për t’u humbur, dhe shumë e vërtetë për t’u dyshuar.
“Baba, e kam prerë unë pemën me sopatën time”, tha Xhorxh të vërtetën – “Biri im, një veprim i tillë heroizmi vlen më shumë se një mijë pemë, megjithëse me lule argjendi dhe fruta ari të pastër.”
Nga frika e dënimit, njeriu sot i shmanget të vërtetës, dhe mbi gënjeshtra ngreh themelet e jetës, tigra prej letre, si mbi rërë kështjella, madhështia e të cilave merr fund sapo vjen vala tjetër – I abuzuar për një gabim të vogël në fëmijëri, kur merr pushtet abuzon mbi njerëzit që qeveris, dhe kjo bëhet traditë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Atrit Lulushi

20 VJET TV I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

May 21, 2020 by dgreca

Bashkëbisedim me teleshikuesit në këtë 20 vjetor/

Nga Rafael Floqi – kryeredaktor /

Të lindësh si një media në diasporë  dhe të rritesh, si media e diasporës duke mbushur 20 vjet nuk është pak, pasi ne jemi në lulen e moshës dhe kemi energji pozitive. Mendoni TV kombëtar, RTSH mbushi ca kohë më parë 60 vjet, dhe një TV i diasporës si i yni më  20 Maj, mbushi 20 vjet.Do të bënim një festë të madhe, por kjo pandemi nga bllokoi por gjithnjë për gëzime do të ketë kohë më  të mira. Sot po e kujtojmë e më tej do ta festojmë së bashku, pasi nuk ka si të jetë ndryshe.

Pasi ne kemi qenë dhe duhet të jemi bashkë, pasi e meriton e duhet festuar ky sukses si arritje e një stafi të vogël po me vizion për të ardhmen, e sidomos, në mjediset e diasporës shqiptare në SHBA , pasi ky është një bilanc 20 vjeçar. Dhe kjo na bën të kërkojmë më  tepër tek vetja se dëshira për t’i shërbyer komunitetit. Kërkon përkushtim ndaj rrënjëve tua,  ndaj gjakut tënd, ndaj gjuhës, këngës e zemrës shqipe. Kërkon të përcjellësh me mjete kompjuterike, atë që s’ është e lehtë,  peshën e  fjalës së lashtë pellazgjike.

20 vjet kanë ikur, një jetë e tërë përkushtimi ka kaluar. Dhe është fatkeqësi që shpesh, nuk është vlerësuar si duhet një lumë pune, një hap arritjeje. Arritje që është bir i guximit, arritje që është fryt i bashkëpunimit, arritje që  është fryma e përkushtimit, arritje që  është frymëzim i bashkimit tonë, që frymon nga një shpirt kuq e zi.

ALBTVUSA është një arritje e guximit dhe patriotizmit, të drejtuesit tonë z . Gani Vila te familjes së tij, por edhe të gjithë stafit te përkushtuar, nën një përkushtim kombëtar idealist si edhe të mbarë  komunitetit shqiptar. Pa këtë ozmozë,  që ai e ka krijuat nuk do të kishim arritur deri këtu.  Askush nuk mund ta mohojë këtë.

ALBTVUSA ka mbijetuar 20 vjet dhe do të  jetojë edhe 100 te tjera, përderisa diaspora do të ketë shqiptarë, që i thonë bukës- bukë dhe shqipes- shqipe. Do të jetojë përderisa të ketë zemra që rrahin  kuq e zi .

Amerika të tret me lirinë e saj në një “melting pot “ dhe humbet shpejt edhe një identitet të krijuar me shekuj, por ne duam, që siç e thotë kënga: “Sa te rroje gjithë Bota sa te rrojë gjithë dheu /Aq do rroje Shqipëria dhe emri i Skënderbeut.”    

Por ne kemi pse ndjehemi krenarë, pasi ne jemi Televizioni i parë  dhe i vetmi me këtë kohë dhe hapësirë transmetimi, jo vetëm ne ShBA , por në të gjithë botën shqiptare nw emigracion. Ne jemi krenar pasi dhurojmë për te gjithë shqiptarët, dy orë transmetim në ditë në Prime time në Comcast, në Michigan dhe 24 / 7 live në mbarë botën me platformat “TV over IP” me ShqipTV dhe TV Alba, krenarë  pse ndiqemi 24 ore si videostream  në Webfaqen tonë www.ALBTVUSA.com, krenarë pse se kemi mijëra ndjekës në Facebook,  dhe në  kanalin tonë në Youtube.

Krenarë pse kemi ecur gjithnjë me një hap me teknikën pararojë me prodhimet live në High Definition  dhe 4K, nga filmimet në natyrë, tek një studio moderne mjaft produktive që prisnim ta inauguronim këtë 20 vjetor, gjithnjë përpara gjithnjë në modernizim dhe tani me transmetim live nga vendngjarja.

Krenarë për nivelin tonë gazetaresk, pasi mundim dhe komunikojmë gjithnjë, me përgjegjësi, kulturë, me etike profesionale dhe me edukatë qytetare ne frymën e kuvendit të odave shqiptare.  Ti  flet unë te dëgjoj, unë flas ti më dëgjon, dhe të gjithë shikuesit arrijnë të kuptojnë dhe reagojnë, pasi kakofonia e disa  mediave kombëtare, nuk është spektakël, nuk është debat. Nuk është liri është sherri i rrugës i futur në shtëpi, ku për fat të keq s’kupton e s’dëgjon asnjeri. Jo më  kot shprehja anglisht “Talk over me “ merret si një ofendim. Ai nuk është debati, është degradimi i debatit, e jo më  të ketë e përcjellë vlera kombëtare.

Ne jemi krenarë pse jemi në shërbim të të gjithë shqiptarëve, të të gjithë moshave dhe krahinave, të gjithë atyre që frymojnë shqip.

Dhe këtë deri tani kemi arritur edhe pse me staf të limituar, por të pasionuar duke mbuluar të gjitha aktivitete e komunitetit brenda Michiganit dhe më kryesoret në  New York dhe me gjerë, duke u bërë  kështu pasqyra dhe arkiva më domethënëse e Shqiptarëve të Amerikës, arkiva e gjallë e jetës së komunitetit. Tani ne synojmë edhe, duke u bazuar në teknologjinë e mediave sociale, të mbulojmë të  gjitha veprimtaritë me interes kombëtar  në SHBA, në Shqipëri , Kosovë , Mal te zi dhe Maqedoni. 

Ne jemi krenarë pasi jemi gjithëpërfshirës, apolitikë dhe mbarëkombëtarë. Krenar pse jemi te pavarur ekonomikisht dhe politikisht, pasi partia jone është Shqiptaria. Nuk është turp të të ndihmojë komuniteti yt, përkundrazi është nderim ….

Dëshmi e rritjes sonë është jo vetëm cilësia por edhe sasia, por edhe larmia e emisioneve tona. Ne jemi krenarë pasi  zgjuam për herë të parë nga gjumi kohërave madhështinë dhe patriotizmin e malësorit tonë me një cikël si “ Malësia e Madhe pëllëmbe e thesar “, dhe sot Malësisë se madhe po vetëqeveriset.  Dhe disa cikle te reja qe do tu paraqesim se shpejti. 

Ne synojmë japim thelbin e zjarrin e jetës së vetë komunitetit. Ndaj kemi krijuar dokumentare për figura te shquara te diasporës dhe për njerëz të thjeshtë.  Dëshmi e rritjes sonë është jo vetëm cilësia por edhe sasia por edhe larmia e prodhimeve tona mediatike nga intervistat, tek talk show, nga edicionet e lajmeve tek ‘Argument” nga “Thank You”, “Debat”,  e “Dhimbje lot e shpresë ”, “Next”,  “What up !”, “Hitparada”, “Fjala e Specialistit”, e deri tek Rubrika Sportive apo zbulimet dhe këndvështrimet origjinale si tek “Kombi ynë”, “Memo” informative, “Hapësirë pa kufi”, Horizont, etj. 

Ne jemi krenarë pse kemi krijuar fizionominë tonë të veçantë nga TV e tjera kombëtare, që falë teknologjisë mund t’i shihni ne shtëpitë tuaja, ne ju sjellim atë që se gjeni askund në mediat e tjera, portretin jetën dhe vitalitetin e komunitetit shqiptar në SHBA. Prandaj jemi unik dhe të veçantë. 

Krenarë se me reklamat tona shikuesit i bëjmë klientë te bizneseve shqiptare dhe bizneset të fitojnë prej tyre.  

Krenarë për platformën tonë të  qartë kombëtare, pse ju sjellim ju dashuri mirënjohje, bashkëpunim, mirëkuptim e bashkim vlerash dhe energji ne dobi te çështjes kombëtare.

Dhe ajo që presim nga shikuesit është thjesht, mirënjohje dhe mirëkuptim Mirënjohje për atë që kemi bërë dhe mirëkuptim për mangësitë. 

Për të kuptuar se zhvillimi i TV shqiptar të Amerikës, në këto 20 vjet, është dëshmi sa e pasionit dhe e punës së përditshme, mjafton ta krahasoni atë me mediat e tjera.  Për ne nuk ka kënaqësi më të madhe  dhe dëshmia më  e mire për punën e bërë në vite është kur na falënderoni e na thoni “ Na kënaqët”.

Pas këtyre 20 vjetëve ne  po hyjmë në vitin e 21 , me më shumë optimizëm, me më shumë vullnet dhe  dëshirë për të bërë më shumë, dhe me një zotim për të zbatuar gjithnjë lajtmotivin tonë:  

“Me ju për ju“, ditë të reja në presin…

Filed Under: Komunitet Tagged With: Rafael Floqi

REVOLTA- SPAÇ E FERR

May 21, 2020 by dgreca

REVOLTA- SPAÇ  E FERR/

Nga Agim Xh. Dëshnica/Boston-DIELLI/

O ti, o Orë e malit,/

pse rri e kqyr më kot,/

rrudh ballin e menduar,/

e faqeve të  rigojnë lot?/

Migjen, Migjen,/

poet i ndijshëm ndaj mjerimit,/

me apoteozat e ngadhnjimit,

në meditimin tënd,

a t’ka ra ndër mend

dhunim e poshtërim,

që ç’mend si ky mjerim!

Ku, jeta hiqet zvarrë,

pa shenjë e pa mbresë.

Sizifi i dërrmuar,

do shuhej nën ngarkesë,

ku veç një qen të ndjek  si qengj,

e zogu në frengji këndon si shenjtë,

e uji vjen e qan, e sy e buzë të lan!

Sfilitur, skllevër, por bijë të mirë,

kur s’dinë u ngrys apo ka gdhirë!

 Tmerr  e ferr-minierë!

 Mundim pafund-vagon-Karont,

me afsh vullkani në çdo front,

me kohë mortore e normë mizore,

tunel e guvë, gas dhe helm

qysqi e plagë, kazmë e lopatë,

vare e rëndë, vdekje, mandatë,

pluhur e baltë në ditë pa dritë,

fener i zbehtë në natë pa hënë

e qielli i pakët  n’atë gropë pa  diell

e brenda burgut, qeli, litar!

Cerber i prapë, pa vesh, pa shpirt! 

Me dhëmbët plumb, që shemb,

 e kthetrat si kamxhik! 

O Spaç, o Spaç!

Mos griset re e ngrysur,

sipër, majë më majë, 

e copë e pakët qielli 

dëbon trishtim e vaj?

 Me flladin e mendimin,

 ulet  përtej   në Spaç,

mbi kulla karakollësh

 rojtarë me armë huton, 

gropat radhë mbulon,

në përrua -rrjedhë gjaku, 

ku treten jetë martirësh, 

me ritin e munguar 

e fjalën e ndaluar

 troket në dyer rëndë. 

Të lodhur ngre nga gjumi i thellë,

 me thirrje e pak fjalë. 

Të ndrydhur, të vdekur e të gjallë!…

E gjaku vlon në tru , zemër e dej.

Ringjallja merr vendim,

Dëgjohen zëra -gjëmim:

Më këmbë! Lirinë! 

Më këmbë! Flamurin!

 Mjaft më, gazetë e supë e zezë,

përbindësh apelesh çdo mëngjes,

 pa diell, pa qiell, pa livadh e hijeshi 

e shtigje qark për miqësi!

Na digjet shpirti për lule e degë,

 na digjet buza për fjalë e këngë!

T’i vemi nënës sonë të gjorë,

na qan për ditë,  na pret çdo orë! 

Të pijmë një gotë tok me babanë, 

gëzim me motrën e me vëllanë!

Na presin punët, shkolla e shokë, 

të kuvendojmë kokë për kokë! 

Të dalim rrugësh, në bulevard,

 kur moti ngroh a mali zbardh! 

Të shkojmë të lahemi në lumë,

nën hije manash të bëjmë zhurmë!

O ti, o Orë e malit!,Kqyr  gjak e gropë, 

 teksa  ballin ul, faqeve  rrjedhin lot.

Skënderin, Palin, Dervishin, Hajriun,

s’i preu plumbi, as vdiqën, as humbën.

 Jetojnë, thërrasin: Kujdes! Kujdes!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Agim Xh. DDëshnicshnica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT