• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

NJË KURORË E BUKUR PËR SHKRIMTARËT SHQIPTARO-AMERIKANË

May 9, 2020 by dgreca

-Vështrim rreth librit “Autorë dhe krijime” të Andan Mehmetit-

                                                             Nga Fuat Memelli/DIELLI 

Këto ditë ka dalë nga botimi libri “Autorë dhe vepra”,  kushtuar krijuesve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë. Autor i librit është presidenti i kësaj shoqate, kryeredaktor i revistës “Pena” dhe themelues i Shtëpisë Botuese” Adriatic Press”, Adnan Mehmeti. Në libër janë përfshirë 113 krijues që era e emigracionit i ka hedhur në Amerikë. Është një numër i madh që  edhe t’i numërosh , lodhesh. Por Adnani me pasion e këmbëngulje, ka aritur t’i bëjë bashkë në një botim këta krijues. “ Jam me fat që sejcilin prej tyre e njoh personalisht” thotë ai në parathënien e librit. Një vit më parë erdhi edhe në Boston për të takuar krijuesit e këtushëm. Ne ishim takuar veç e veç e veç, por u desh të vijë Adnani që të mblidhemi rreth një sofre të përbashkët. Për realizimin e kësj pune, i është dashur të punojë një vit. Edhe shpenzimet e botimit, i ka përballuar vetë. Rrallë gjen në ditët tona njerëz të tillë idealistë dhe me tillë përkushtim. Për çdo krijues ka një jetëshkrim dhe një krijim. Ata janë nga treva të ndryshme të kombit shqiptar si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi  e deri nga Medvegja e Bujanoci. Rrallë gjen shoqatë të tilllë që të ketë pjesëmarrës nga gjithë trevat shqiptare. Të gjithë i bashkon gjaku i shqiptarit, pasi siç thotë Horaci: ”Qiellin, por jo shpirtin ndryshon ai që shkon përtej detit”. Krahas krijuesve që sot jetojnë në Amerikë ose që dikush shkon e vjen në Atdheun e parë, autori i ka kushtuar një vend të veçantë  edhe krijuesve që kanë ndrruar jetë  si Peter Prifti, Sotir Andoni, Betim Muço, Rozi Theohari, etj. Është ky një homazh për kontributin që kanë dhënë këto figura në letërsinë shqipe.

Për të krijuar një ide për lexuesit që nuk e njohin këtë shoqatë, po ndalem shkurtimisht te historia e saj. U krijua në vitin 2001 me nismën e  Gjekë Marinajt, i cili është edhe president i parë. Kryetarë të  shoqatës kanë qënë Naum Prifti, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj e   Raimonda Moisiu, ndërsa kryetar aktual është Mëhill Velaj. Në botimin e parë që i përket vitit 2016, janë përfshirë krijimmtari të anëtarëve si dhe veprimtari të shoqatës, ndërsa në këtë botim ka jetëshkrime te tyre si dhe nga një krijim. Në shumë prej tyre spikat dashuria e malli për Atdheun, pasi siç ka thënë një filozof ” Atdheu është vendi ku rrobërohet shpirti”. Dhe krijuesit me shpirtin e tyre delikat, janë ndër më të “rrobëruarit”. Kozeta Zylo në poezinë e saj, thotë : “ Atdheu im, jam plagë e kuqe në trupin tënd”. Në kushtet e flladit të lirsë që gjetën në Atdheun e dytë, kjijimtaria e tyre tashmë shpaloset pa çensurë . Ajo është ashtu si e ndjen zemra. Krijuesit vijnë me gjini të ndryshme letrare si poezi, prozë, analiza kritike, etj. Po ndalem vetëm në disa prej tyre, pasi për të gjithë është krejt e pamundur. Një ndër poetët e njohur është Kolec Traboini. Në poezinë e tij “Dolëm nga vetvetja dhe ikëm” ka mall, dhimbje e zhgënjim …”Shumëçka deshëm të harrojmë/ të ikim prej njerëzve dhe vetvetes/ jo se kishim gjë për të fshehur/ por koha që jetonim, nuk na përkiste”. Përparim Hysi, poeti tjetër i njohur, përfaqësohet me një poezi kushtuar Lasgush Poradecit. ..”Bridhje vetëm i pa ngrënë, i mbështetur mbi një stap/ Oh sa fjalë që le pa thënë, se s’të la “hija” farmak”. Adnan Mehmeti në poezinë e tij “Me kuajt e erës” kërkon të shkojë në vendlindje, në Letovicë të Bujanocit, ndaj thotë:” Mereni dashurinë time/ Çojeni përtej detit/ Për ta murosur në vendlindje…” Janë të shumtë poetët që kanë sjellë një buqedë vargjesh nga krijimtaria e tyre e begatë si Petraq Risto, Raimonda Moisiu, Sami Milloshi, Ilirjana Sulkuqi, Namik Selmani, Kostaq Duka, Dalan Luzaj, Agim Bacelli, Petraq Pali, Eleonora Qeparoi, Merita Bajraktari, Fation Pajo, Koço Sterjo,  etj,

Krijues të tjerë vijnë në këtë botim me studime kritike për autorë të ndryshëm. Fran Shkreli paraqitet me studimin  për figurën e Nolit si diplomat. Ndër të tjera ai veçon përpjekjen e Nolit për të bindur presidentin amerikan Ëillson, për mbrojtjen e Shqipërisë nga coptimi i trojeve të saj prej fqinjëve. Është e njohur fjala e presidentit amerikan, thënë Nolit:”Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë”.Në studimin e tij për Nolin si diplomat, Frani i referohet edhe Ernest Koliqit i cili ndër të tjera ka thënë: ”Kurgja tjetër mos me pas ba Noli për Atdheun tonë, veç këtë mrekulli, meriton mirënjohjen e përjetëshme të shqiptarëve”. Anton Çefa ka sjellë në faqet e librit një pjesë të studimit të tij për të bukurën dhe fjalën artistike. Për këtë i është referuar shumë autorëve, ndër ta edhe Aristotelit, i cili ka thënë:” E bukura është simetri, proporcion, harmonizim i pjesëve tek e tëra”. Duke u ndalur në fjalën artistike, Antoni thekson:” Letërsia artistike është në krye të arteve dhe në gjirin e saj, poezia ze kryet e vendit”. Studjuesi tjetër, Prof. Thanas Gjika, është përfaqësuar me një studim  për Faik Konicën, lidhur me kontributin e tij për romanin duke e cilësuar ”themelues të romanit realist shqiptar”. Prof. Agron Fico ka sjellë në këtë botim studimin e tij për Peter Priftin, duke e quajtur atë ”senator të gjuhës dhe kulturës shqiptare”. Gjinia e studimit përfaqësohet edhe me autorë të tjerë të njohur si Yllka Filipi, Besim Muhdari, Bexhet Asani, që të tre këta kanë titullin “Doktor”. Nuk mund të le pa përmëndur poeten amerikane , Carrie Hooper, e cila megjithëse e privuar nga drita e syve, me një dashuri e pasion të veçantë , ka aritur të flasë e të shkruajë shqip. Në esen e saj “Për nder të gjuhës shqipe” ndër të tjera thotë:” O gjuha shqipe, muzika e fjalëve të tua, e kënaq shpirtin tim! Kur dëgjoj fjalët e tua, qënia ime mbushet me gëzim !”

Të shumtë janë edhe autorët që janë përfaqësuar në gjininë e prozës. Shkrimtari i shquar, Naum Prifti vjen me një tregimin ”Prijës dhe këshilltar” ku në epiqendër është figura e Skënderbeut. Shkrimtari tjetër i njohur Skifter Këlliçi, autor i disa romaneve për fëmijë e të ritur si dhe i disa botimeve publiçistike, ka një tregim për fëmijë. Shkrimtari tjetër , Istref Haxhillari, autor i disa tregimeve, novelave e romaneve, ka sjellë fjalën e tij mbajtur me rastin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” e cila është një prozë e bukur poetike . Ai e mbyll atë me fjalët: “Dheu im mbeti burim i frymëzimit dhe besoj se kështu do jetë sa të kem frymë”. Autorë të tjerë si Ramiz Gjini, Pierre Pandeli Simsia e Mëhill Velaj, kanë zënë vend në këtë botim me tregime, ndërsa Vlash Fili me një fragment romani. Dikush tjetër ka sjellë kujtime. Kështu Sami Repishti, autor i disa veprave letrare, ka sjellë kujtimet e tij për katedralen “Notre-Dame de Paris”, ndërsa Albana Mëlyshi, poete dhe prozatore e njohur, ka zgjedhur të përfaqësohet me kujtime për familjen e Petro Markos, të cilën e ka patur fqinje. 

Në mbyllje të këtyre shënimeve, dua të theksoj se ky botim i Adnan Mehmetit, është një kurorë e bukur për shkrimtarët shqiptaro-amerikanë, që siç thotë Gjekë Marini në hyrje të librit ”  janë degë të trungut të letërsisë sonë kombëtare”. Libri do t’u shërbejë  anëtarëve të saj për të njohur më mirë krijimtarinë dhe përvojën e njëri-tjetrit. Mund të vlejë edhe përtej ”mureve “ të shoqatës, për lexues të ndryshëm që duan të njihen me bashkatdhetarët e tyre që lëvrojnë gjuhën shqipe, këtë “gjuhë Perëndie” siç e ka quajtur Naim Frashëri. Jam i bindur se shoqata do të shtohet me emra të rinj, pasi ka ende disa që nuk janë pjesë e saj dhe siç thekson autori “ata janë të vlerësuar dhe të mirëpritur në të ardhmen”. Sigurisht historia e shoqatës do pasurohet edhe me botime të tjera, pasi ato janë  pjesë e rrugëtimit të saj në Atdheun e lirisë, me emrin: Amerikë!

Filed Under: Komunitet Tagged With: Botimi i Shkrimtareve, Fuat Memelli

Dashuri për nënën në kohën e Covidit

May 9, 2020 by dgreca

Esse  Nga Rafael Floqi/ DIELLI

Prapa shtëpisë sime ndodhet një shtëpi pleqsh. Rrallë i kam parë banorët e saj, vetëm atëherë kur vajza e ime e vogël mësonte biçikletën në oborrin e atij institucioni. Në atë rast, kur ime bijë foli me disa zonja të moshuara që ishin strehuar aty, lexova në sytë e atyre gjysheve një mal me mall si ai i dashurisë për nipat e mbesat. 

Shpesh aty vjen ndonjë ambulancë apo makinë zjarrfikëse e kjo do të thotë se dikush nuk ndjehet mirë, elbete të moshuar mendoj. Gjithë këtë muaj duke qenë në karantinë e kam këqyrur atë shtëpi pleqsh me shqetësim dhe fatmirësish nuk kam dëgjuar sirena ambulancash. Por sot ishte diçka ndryshe. Dhjetëra vetura dhe SUV të zbukuruara u ranë burive për gati një gjysmë ore në parakalim, duke befasuar banorët dhe duke festuar ditëlindjen e ndonjë zonje aty brenda. Të dielën është Dita e Nenës thashë me vete, a do të ketë të dielën parakalime makinash si sot?     

Po Dita e Nënës bie të Dielën, më 10 maj këtë vit. Dhe s’duhet të harroni dhe nëse se s’mund të gjeni fjalët e duhura për të shprehur sa e doni vërtet nënën atëherë veç i hapni asaj zemrën. Mos harroni se ajo është në punë 364 ditët e tjera të vitit, kështu që kur afrohet kjo e diel speciale, kushtojini nënës suaj respektin e duhur, jo vetëm me dhuratat më të mira dhe tufat e luleve më  të bukura, por me praninë dhe me fjalët tuaja që t’i tregoni asaj se sa shumë e doni dhe interesoheni për të. Sa do të dhesha që mamaja ime të ishte edhe ajo ende këtu dhe unë të kisha mundësi ta çoja atë diku jashtë për darkën e dielës. Por ajo nuk është më mes nesh. Ajo na sheh nga diku lart. Ajo na sheh prej aty edhe sikur pyet, nëse vërtet jam bërë djalë i mbarë edhe tani që kam kaluar të 50-tat. 

Ne shqiptarët jemi mësuar të festojmë 8 Marsin Ditën Ndërkombëtare të grave edhe si festë të nënave,  pasi gruaja dhe nëna nuk mund të ndahen, ato janë të dyja në një.  Por Origjina e Ditës së Nënës  në Amerikë është e ndryshme. Ajo nisi në fillim të viteve 1900. Një grua me emrin Anna Jarvis filloi një fushatë për një festë zyrtare për të nderuar nënat në 1905, vitin kur asaj i vdiq nëna e saj. Kremtimi  i parë në shkallë më të gjerë i festës u mbajt në vitin 1908, kur Jarvis mbajti një memorial publik për nënën e saj në vendlindjen e saj në Grafton, në Virxhinian Perëndimore. Gjatë viteve të mëvonshme, Jarvis u përpoq që festa të njihej zyrtarisht, dhe ajo të festohej gjithnjë e më shumë kudo në shtetet e SHBA.  Gjer në në fund, në vitin 1914, Presidenti Woodrow Wilson ai që ka bërë shumë për Shqipërinë nënshkroi një shpallje, duke e bërë Ditën e Nënës një festë zyrtare, për t’u festuar të Dielën e dytë të  majit. Qe Anna Jarvis kështu që e vendosi kështu pra Ditën e Nënës në kalendar, si një ditë e përkushtuar për të shprehur dashurinë dhe mirënjohje për nënat, duke vlerësuar sakrificat që gratë bëjnë në jetë për rritjen e fëmijëve të tyre. 

Por tani për shumë amerikanë, Dita e Nënës e kësaj së diele ka një problem. Problemi është se kësaj here në ditën e Nënës shumica e restoranteve, ose nuk do të jenë ende të hapura, ose, edhe nëse do të hapen do të funksionojnë sipas udhëzimeve të reja të distancimit si në disa shtete. Në fakt, restorantet i sigurojnë fitimet e tyre më të mëdha të vitit, zakonisht gjatë Ditës së Nënës. 

Por këtë të Diel, pandemia e Covid-19, e cila tashmë ka rrafshuar, disa festa me radhë, si : Shën Patrikun, Pashkën, 1 Majin dhe Ramazanin ,- do të shuaj disi edhe gëzimin e kësaj feste.  Festë që për shumë njerëz, përfshirë edhe mua, është më e rëndësishmja nga të gjitha festat sepse ajo i kushtohet nënave.

Kashto pra tani, edhe për entuziastët më të zjarrtë në distancimit social, kërkesa për t’u mbledhur tok, për të sheshuar rregullat dhe jo kurbën, për të tejkaluar e thyer disi masat aktuale të distancimit do të jetë mjaft e fortë. Dua të them, atë që edhe, nëse moti do të jetë  i bukur, ne do të mund të uleshim diku jashtë rreth 2 metra larg njeri-tjetrit, apo jo?  Madje dhe dhuratat, mund t’i vendosnim në një dhomë për tre ditë më parë në shtëpi, sa të ngordhte virusi, boll të kishim nënën aty pranë.  

Por për familjet shqiptare të diasporës, që jetojnë larg nënave ose gjysheve, që i kanë në vendlindje, do të mbeten me të vetmen zgjidhje të thjeshtë për të bërë një bisedë, me video me Viber apo Skype. Ime shoqe tani gjatë pandemisë flet me nënën e vet gati për ditë. Dhe ne do të ngremë të dielën një gotë për të, dhe për motrën e saj një nënë e një bebi të bukur. Pasi dita e nënave nuk është vetëm festë amerikane, mesazhi i saj i dashurisë është universal, më universal se kjo pandemi që na gjeti.

Ndërsa për ata që e kanë nënën,  jo aq larg, por jo në shtëpi, shtrohen sfida të tjera: A do të duhet të bëheni gati dhe të shkoni drejt aty ku jeton për ta takuar nënën nënën tuaj? A po do tw prisni që nëna të na vizitojë në shtëpi? Apo të mund të takohemi në ndonjë restorant? Çfarë do duhet të bëjmë?  

Sado e vështirë të jenë të gjitha këto për ju, përgjigja është mjaft e thjeshtë. Mos e bëni asnjë nga këto veprime! Udhëtimi dhe pasiguria do ta bënin, këtë ditë të vështirë por edhe shqetësuese, se madje edhe për dy javët në vijim, çdo teshtitje, çdo kollë dhe çdo dhimbje e përjetuar prej kujto në familje, do të shkaktojë  dyshime dhe panik nga shqetësimi, se mos do t’i ndodhte gjë nënës suaj.  Nuk ja vlen pra të rrezikojmë thjesht, për një vizitë – sado të vogël, – që ta ekspozojmë nënën, me këtë virusin vrasës. Për më tepër, që tani kemi edhe programin Zoom në dorë, të cilin patëm nja dy muaj kohë për ta mësuar, dhe nëse s’e kemi mësuar, fëmijët e kanë mësuar, pasi mësuesit po e përdorin vazhdimisht për mësim. Të gjithë e dinim që Dita e Nënës po vinte, besoj se jeni gati dhe ja keni marrë dorën, apo jo? 

OK, pra festa është gati, dhe ne i dimë se si duken në video shtëpitë tona, muret dhe raftet e librave të të gjithëve nesh. Në të vërtetë, programi Zoom dhe konkurrentët e tij kanë bërë një punë të madhe,  pas kaosit teknik të fillimit,  duke përfunduar tek vështirësitë e kuptimit e të sjelljes në video, pasi  askush s’e di me të vërtetë as tani, se kur duhet të largohet nga video konferenca, pa u dukur si i pasjellshëm. Ne të gjithë e dimë si mund të largohemi nga një darkë me të afërmit tanë. Por mos harroni se kjo festë edhe e largët virtuale është për nënën, po për mamin si të doni. Nëna është në qendër të gjithëve. Më vonë atëherë kur rrethi i pjesëmarrësve në Zoom do të pakësohet, do të rifillojnë po ato gjëra që ndodhin zakonisht, si atëherë kur u mblodh e gjithë familja herën e fundit, me mëritë, ngatërresat, keqkuptimet por dhe me diçka më speciale kësaj here, me bisedat private dhe me ankesat për ekonominë, punën dhe për karantinën.

Kjo në ato vende ku restorantet janë të mbyllura. Por edhe për shtetet ku do të jenë të hapur restorantet apo dhe sallat e ngrënies, ekziston problemi i distancimit social. A mund ta imagjinoni që këtë javë të shkoni në një restorant, ku lejohet të zihen vetëm 25% ose mbase edhe 50% e vendeve? Si mund të mbani maskë në një restorant dhe të hani(?!). Një shumë shtete restorantet do të jenë të mbyllura këtë të diel, duke shtuar edhe dhimbje të thella edhe duke thelluar dilemën ekonomike të mbijetesës së pronarëve të bizneseve në të gjithë Amerikën. Mes syresh dhe të atyre biznesmenëve të vegjël shqiptarë që janë përgjithësisht, pronarë e punonjës restorantesh familjare. Për disa restorante që do të jenë të mbyllur edhe kësaj të diele, mungesa e kësaj feste do të jetë si gozhda e fundit në arkivolin e biznesit të tyre.

Megjithatë këtë vit për të festuar Ditën e Nënës, ju ende mund ta mbështesni restorantin tuaj të preferuar, duke porositur ushqimet prej tyre dhe duke e sjellë atë që pëlqeni në shtëpinë tuaj. Kjo përsëri do ta nderonte nënën tuaj. Gjithashtu, mos harroni dhe insistoni që pastrimin e rrëmujës së pas darkës nëna nuk duhet ta bëjë vetë, në ditën e saj. 

Në përgjithësi, kjo e diel është Dita më e hidhur e Nënës që kemi hasur këtu në Amerikë, kur edhe me miliona veta po luftojnë me sëmundjen edhe financiarisht. Megjithatë blerja e një vakti të plotë nga një restorant dhe sjellja në shtëpi për të ushqyer të gjithë është ende një mundësi për shumë njerëz. Por me rreth 70,000 ose më shumë vdekje për shkak të Covid-19 kjo Ditë e Nënës do të jetë ditë shumë e vështirë për shumë familje. 

Por le të kalojmë tek festa.  Kjo është e thjeshtë – porosisni në ushqime të mira për nënën, për ju  gruan fëmijët, motrat tuaja dhe tërë familjen e gjerë. Prindërit duan të vëzhgojnë fëmijët e tyre dhe nipërit e mbesat. Gëzimi për të parë të gjithë të dashurit bashkë, gjati një darke të mirë, madje qoftë edhe e parë në video, është diçka shumë më e mirë sesa vetë konsumimi thjesht i një vakti.  Por kjo gjë shtron tani një pyetje me të vërtetë të vështirë. A do të keni një shans për të biseduar me nënën tuaj nesër? Ajo do t’ju kuptojë ajo? Pasi një nënë e kupton edhe atë, që nuk ia thotë fëmija e saj. Një nënë, apo gjyshe të moshuar, që jeton vetëm ose në një institucion të kujdesit afatgjatë, qysh  i bëhet ? 

Amerika ka 1.600 shtëpi pleqsh që kujdesen për 1.3 milion banorë dhe rreth 70% e këtyre banorëve janë gra. Kjo për shkak se gratë jetojnë katër ose pesë vjet më gjatë se burrat, në pothuajse çdo shoqëri, duke krijuar edhe një çekuilibër aty. Ashtu siç është dokumentuar mirë javët e fundit, shtëpitë e pleqve, janë pikat më të nxehta të transmetimit Covid-19. Së paku, 1 në çdo 10 shtëpi pleqsh ka një rast (që zakonisht nënkupton shumë e më tepër se një rast) të infektuar. Vlerësimet e fundit, e vendosin numrin e vdekjeve në shtëpitë e pleqve nga Covid-19 në 17,000, një numër që sigurisht që do të rritet. Guvernatori i New Jersey-t njoftoi kohët e fundit, se rreth gjysma e vdekjeve në të gjithë shtetin e tij kishin të bënin me shtëpitë e pleqve, një situatë që tani i ka bërë që punonjësit të kenë frikë se mos sëmuren dhe i kanë ndaluar edhe familjarët e dashur të  moshuarve që t’i vizitojnë ata. Dhe në SHBA, ky zbatimi i masave mbrojtëse nuk është aq i forcuar, me gjithë tragjedinë. 

Dhe atëherë do të ketë një karrige bosh në tryezë. Miliona Amerikanë kanë nëna në shtëpi pleqsh. Nënat e tyre janë në rrezik të ekspozohen ndaj Covid-19. Njerëzit me siguri që nuk do të jenë në gjendje ta vizitojnë nënën apo gjyshen, sepse ajo ndodhet në një shtëpi pleqsh. Kjo është e dhimbshme.  Por një paradë si ajo që pashë sot  në “ American House“ është një zgjidhje disi ndryshe dhe novatore. Kjo periudhë pandemie ka kaq shumë skenarë shqetësues që luhen. Që nga punonjësit e kujdesit shëndetësor që janë në rrezik, deri tek papunësia dhe perspektiva e një epokë të re varfërie që sa po shkon e po godet vendin, deri aty, sa disa njerëz thjesht,  janë duke u çmendur vërtet me masat e distancimit shoqëror.

Por gjithnjë ka mënyra për të festuar Ditën e Nënës edhe këtë vit të mbrapshtë, mos  harroni!. Mos u distanconi nga kjo festë. Nderoni edhe nënën tuaj sa ta keni gjallë. Nderoni edhe nënat e tjera që kanë zënë një vend të veçantë tek ju. Kur do të shkruhet përfundimisht historia e pandemisë së Covid-19, mosrespektimi i vazhdueshëm e mizor i të moshuarve, do të përmendet, si një shembull tronditës i çnjerëzimit të shoqërisë së sotme.

Kur isha fëmijë, kisha 500 leke që i kisha fituar si honorar nga një rol në teatër. E vetmja gjë që doja të bëja, si fëmijë ishte të çoja mamin dhe babin tek lokali i hapur “Bar Lulishte Vollga”. Aty ku dëgjohej muzika me saksofon dhe ku ndjehej era e detit. Dhe kështu një ditë u ulëm që të gjithë aty. Nëna ime nuk donte që unë t’i shpenzoja paratë e mija, por ajo buzëqeshi kur unë pagova darkën atë ditë, edhe pse isha një fëmijë 10-vjeçar. Ndaj unë do të doja shumë që ta kisha mamanë time këtë të diel dhe do të bëja gjithçka, që ta bëja atë të buzëqeshte. Por s’mundem dot ajo veç më buzëqesh nga atje lart.  

Dita e Nënës është zakonisht një ditë festimi e gëzueshme. Por për ata që kanë humbur nënat e tyre, e Diela e dytë e majit mund të jetë mjaft e dhimbshme. Është me rëndësi të mbani mend që nuk jeni vetëm ju në këtë ndjenjë edhe mjaft mendje tw ndritura kanë përjetuar të gjithë humbje të ngjashme, dhe kanë thënë me fjalë gjendjen në të cilën ju po e përjetoni tani. Pasi fjala më e bukur një buzët e njerëzimit është fjala “nënë” , dhe thirrja më  e bukur është “thirrja e ‘nënës sime” Pasi jeta nuk vjen me një manual . Por vjen me një nënë.  

Sepse në fund të fundit, nuk ka asnjëherë arsye të ndalosh të festosh për të, me të gjitha mënyrat e bukura pasi ajo i ka dhënë formë jetës suaj. Dashuria e një nëne ndikon tek ne në një mënyrë të jashtëzakonshme, gjithmonë, duke na udhëhequr duke na mbrojtur, edhe për shumë kohë, edhe kur ajo të mos jetë më mes nesh. Nga ballafaqimi me pikëllimin e deri tek reflektimi i kujtimeve të bukura që keni ndarë së bashku, të gjitha ato paraqesin llojin e lidhjes së pathyeshme, që një person ka vetëm me nënën e tij. Ndaj në këtë të Ditë e Nënës, kujtoni nënën tuaj të ndjerë dhe ajo, do t’ju bëjë të ndiheni më afër saj edhe pse nuk është më këtu.

Ndaj dhe unë desha të nderoj nënën time si dhe çdo nënë, si dhe gruan dhe vajzat e mia, që kanë përgatitur dhurata të fshehta për nënën e tyre. Mund të ketë, ndoshta aty, diçka virtuale, si ajo që vajza ime e vogël ia çoi mësueses së saj me Zoom për festë, një vizatim i një çokollate, virtuale natyrisht. Kohë pandemie. Sidoqoftë edhe pse një dhuratë fëmije, gjithnjë ia vlen nderimi dhe respekti për nënën. 

Pasi nënat janë si ajo zamka, edhe kur s’janë më, ende e mbajnë familjen të lidhur fort së bashku.

Filed Under: Opinion Tagged With: Nenat-Festa, Rafael Floqi

MENAXHIMI I STRESIT DHE SHËNDETI MENDOR TE NJERIU POST-KARANTINË

May 9, 2020 by dgreca

Psikologe këshillimi Valentina Telhaj nga Tirana, intervistë ekskluzive për gazetën Dielli – New York, dhënë gazetarit Sokol Paja.

Valentina Telhaj, psikoterapiste pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit rrëfen për gazetën Dielli qasjen psikologjike të qytetarëve pas lirimi të masave shtrënguese dhe rikthimin drejtë normalitetit. Masat shtrënguese nga autoritete qeveritare për mbajtjen në karantinë të qytetarëve rimodifikoi jetën e përditshme të secilit prej nesh. Qëndrimi në karantinë për qënien njerëzore përkthehet si një palëvizshmeri totale e cila te çdo individ por sidomos të fëmijët solli probleme me shendetin mendor pasi qendrimi në izolim dëmton fushat sociale, kognitive, emocionale etj. Menaxhimi i stresit në këto kohë ankthi e stresi kolektiv, është gjëja me profesionale për tu bërë dhe për të vepruar. Sipas psikologes së këshillimit Valentina Telhaj me qëllim që të menaxhojmë me sukses stresin post-karantinë duhet të: filloni e konsiderojeni situatën post karantinimi si një situatë racionale. Fokusohuni te anët pozitive, informacionin mereni vetem nga burime të sigurta duke evituar dezinformimin dhe lajmet toxike. Evitoni mendimet negative, mbani kontakt online me të afërmit dhe familjarët tuaj. Krijoni një rutinë të përshtatur në kushtet e shtepisë, shmangeni fjalen izolim apo distancim social etj. 

ÇFARE DËMI PSIKOLOGJIK U SOLLI NJERËZVE (FËMIJËVE)KARANTINA 

Karantina si fenomen është diçka e re. Askush nga ne as e kishte menduar apo imagjinuar që bota do “ndalonte”. Duke qenë një rast global kjo u quajt si stress kolektiv pra ne nuk jemi të vetmit që e vuajmë karatinën por e gjithë bota ka “heshtur”. Frika ndaj infeksionit, zhgënjimi, mërzitja, furnizime jo të duhura, informacionet e papërshtatshme, humbje financiare etj janë disa nga shumë gjërat që po ndodhin gjatë karantinës. Dinamika e jetës së përditshme duke rënë në një palëvizshmëri totale dhe nese kjo zgjatë shumë do sjellë dhe probleme me shëndetin mendor sidomos te fëmijët, sepse qëndrimi në izolim dëmton fushat sociale, kognitive, emocionale. Kjo është mjaft e rëndësishme sidomos për ata. psh. një nga rastet që njihet si me klasiku është rasti i Genie (emer pseudonim) vajza e cila kishte përjetuar për 11 vjet, neglizhim dhe izolim social ekstrem. Sepse kur ajo ishte 1.5 vjeçe, babai e mbylli në një dhomë dhe e mbajti prej disa vitesh, ai e lidhte Genie, me duart dhe këmbët e pa asnjë kontakt social me askënd, duke mos i dhënë stimul të asnjë lloji dhe duke e keq ushqyer. Ajo qëndroi e izoluar derisa u bë 13 vjeçe. Në nëntor të vitit 1970, autoritet e Përkujdesjes Sociale në L.A, u vunë në dijeni të kësaj ngjarjeje të tmerrshme dhe Genie u vendos nën përkujdesjen e përkushtuar të mjekëve, psikologëve, logopedëve, psikolinguistëve, psikiatërve dhe fizioterapistëve. Edhe pse puna intensive e shërbimit të multidisiplinës u bë në mënyrë perfekte, Genie nuk arriti asnjëherë të fliste si bashkëmoshatarët dhe nuk arriti dot të ndërtonte marrëdhënie të afërta dhe të qëndrueshme sociale. Kjo histori që solla është për të kuptuar rëndësinë e madhe që ka ndërveprimi social në zhvillimin e fëmijëve sidomos në vitet e para të jetës, ka një rëndësi të jashtëzakonshme sepse është e vetmja periudhë kur aftësia linguistike, sociale, emocionale, kognitive ka më shumë nevojë për marrëdhënie / kontakte / ndërveprimin  social me të tjerët.

SI DUHET MENAXHUAR STRESI 

Stresi na prek të gjithëve, por mënyra e përjetimeve është unike për secilin nga ne. Një person mund të përjetojë dhimbje koke, ndërsa një tjetër mund të perjetojë merzitje, dikush tjetër reagime fizike, këto janë reagimet e zakonshme dhe mund të përjetojnë edhe ndonjë simptomë tjetër. Hormonet e stresit si kortisoli dhe vasopresinarginini implikohen në disa gjendje të pa shëndetshme. Ekziston një listë e gjatë e efekteve të zakonshme me përvojë të stresit. Stresi na prish ekuilibrin emocional, ngushton aftësinë për të menduar qartë, ul përqëndrimin për të funksionuar në mënyrë efektive. Ndikon në gjendjen shpirtërore, mund të ndikojë edhe në imunitetin, gjë që mund të dëmtojë në fushat e shëndetit mendor dhe fizik, duke nisur nga artriti, shtimi në peshë, ose humbje peshe, pagjumësia, sëmundjet e zemrës, depresioni dhe demencia. Menaxhimi i stresit në këto kohë është gjëja me profesionale për tu bërë dhe për të vepruar. Filloni e konsiderojeni situatën post karantinim si një situatë racionale. Fokusohuni te anët pozitive, (psh tani, oksigjenin në të gjithë botën e kemi më të pastër, ose kemi më shumë kohë për të kaluar me familjarët tanë). Informacionin mereni vetem nga burime të sigurta duke evituar dezinformimin dhe lajmet toxike. Evitoni mendimet negative, mbani kontakt online me të afërmit dhe familjarët tuaj. Krijoni një rutinë të përshtatur në kushtet e shtepisë, shmangeni fjalën izolim apo distancim social, jemi në shtëpi dhe jemi në distancim fizik sepse kontaktet sociale mund ti mbajmë nga rrjtet sociale, sepse çdo gjë një ditë do kalojë. Edhe mbas netëve më të errëta vjen ditë e re.

KËSHILLAT PËR QYTETARËT POST-KARANTINË

Situata sigurisht nuk do të jetë ajo e më përparshme derisa të dali një mjekim për frenimin e shpërndarjes apo kurë ta trajtojë pandeminë botërore Covid-19, prandaj këshilla e parë  është që të respektohen rregullat dhe normat e vendosura nga punjonjësit e shendetit dhe të rendit për të ndihmuar në mos përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Të mundoheni të riktheheni në normalitetin e lejuar duke mos rrezikuar të tjerët po as veten. Ndihmoni të tjerët, kujdesuni për veten tuaj dhe familjaret tuaj duke ndjekur dhe disa nga hapat e thjeshta që mund t’ju ndihmojnë për të reduktuar stresin në këtë situatë pandemie botërore me plot të panjohura përpara nesh. Ndër hapat që duhet të ndiqni për të larguar stresin janë:

•                Lexoni sa më shumë libra.

•                Aktiviteti fizik ose yoga janë nga teknikat më efektive të menaxhimit të stresit

(rrisin përqëndrimin dhe sistemojnë ekuilibrat kognitiv/emocionalë)

•                Mbajtja e një ditari  është shumë ndihmuese për  “shkarkesat” negative.

•                Diskuto me njerëzit e tu të dashur dhe qëndroni me njerëz që kanë pikëpamje pozitive.

•                Merruni me aktivitetet që mbushin kohën e lirë se mund t’ju ndihmojë që të relaksoheni.

•                Dëgjoni muzikë ritmike, kerceni dhe këndoni (karaoke)

•                Menaxhoni kohën që mos t’ju akomulohen punët. Programimi dhe organizimi i kohës suaj mund t’ju bëjë më shumë produktivë. 

•                Krijo një stil jetese të shendetshme, ushqehuni mirë, mos konsumoni cigare dhe limitoni sa të mundeni konsumimin e alkoolit.

•                Mbaj afër miq të mirë. Njerëzit që kanë një rrjet të fortë shoqëror.

•                Ndrysho mënyrën e të menduarit, shikojini gjerat me pozitivitet, të parit gjërat me pozitivitet mbase nuk e ndryshojnë ngjarjen, por do ndryshojne këndveshtimin tuaj për ngjarjet dhe kjo ju ndihmon shumë për reduktimin e stresit.

Nëse gjendja stresuese mund tju bëhet e pakalueshme, atëhere mund të kërkoni këshillën e një profesionisti, psikolog, psikoterapeut, psikiater. “Sfidat janë ato që e bëjnë jetën interesante, dhe tejkalimi i tyre është ajo që e bën jetën kuptimplot”(H.Tubman)” shpjegoi për lexuesit e Diellit psikoterapiste Valentina Telhaj. Pas këshillave dhe shpegimeve prej një profesionisteje të lartë sesi individi duhet të menaxhojë stresin dhe shëndetin mendor në kushte të një pandemie globale, psikologe keshillimi Valentina Telhaj shprehu falenderime dhe përshëndetje për bashkëatdhetarët shqiptarë në USA. “Ju falënderoj për intervistën, juve dhe organit të Federatës Panshqiptare Vatra – Neë York, ju dërgoj përqafime të përzemërta gjithë shqiptarëve aty larg mëmëdheut. Zoti ju bekoftë të gjithëve” uroi ekspertja e shëndetit mendor Valentina Telhaj.

Filed Under: Featured Tagged With: Psikologia, Sokol Pajo, Valentina Telhaj

Frank Shkreli: Maks Velo shkoi në amshim

May 9, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Maks Velon e kam takuar vetëm njëherë.  Ishte gjatë një vizite që ai bëri në zyrën time në Zërin e Amerikës (VOA) në Washington pas shembjes së komunizmit.  Më pat lënë përshtypjen se ai ishte disidenti shqiptar, që pak a shumë përputhej me vetitë e disa figurave të disidentëve të njohur të periudhës komuniste në Evropën Lindore dhe Qëndrore, shumë prej të cilëve kishin vizituar VOA-n gjatë komunizmit dhe pas shembjes së regjimeve komuniste në Evropën Lindore.  Maks Velo, jo vetëm në pamje fizike dukej si disidentët evropiano-lindorë, ashtu i pakujdesshëm në veshje dhe me flokë kaçurrelë të thinjur e të pakrehur, që kishim takuar në vizitat e tyre në Washington, të ardhur nga ish-Bashkimi Sovjetik, Polonia, Çekia dhe Hungaria komuniste, ndër të tjerë, por edhe rebel me mendime, analiza dhe reagime për të vërtetën e jetës nën komunizëm.

Idetë dhe mendimet e disidentëve anti-komunistë, përfshirë edhe Maks Velon – megjith ndonjë deklarate kontraversiale që mund të ketë bërë ai në të kaluarën, do të mbijetojnë Velon dhe disidentët e dikurshëm, si gjithnjë aktuale — mbi gënjeshtrat dhe të vërtetat, mbi abuzimin e të drejtave të njeriut dhe krimet nën komunizëm, si dhe mbi sfidat dhe kundërshtimet që i duhen bërë pushtetarëve gënjeshtarë e të pandershëm,  atëherë dhe sot.  Asnjë vend dhe asnjë sistem politik, nuk është imun ndaj këtyre të të pavërtetave ose gjysëm të vërtetave, sidimos të pushtetarëve autoritarë, si dhe ndaj propagandës së flliqtë të ish-regjimeve komuniste që edhe sot mbizotëron në disa vende ish-komuniste, përfshirë Shqipërinë.

E vërteta gjithmonë ka qenë dhe është një kërcënim për ish-diktatorët komunistë dhe për autoritarët e sotëm, pseudo-demokratë.  Këtë e kanë ditur mirë disidentët anti-komunistë dikur, përfshirë ish-disidentin çek, të ndjerin Vaclav Havelin, i cili në shkrimin e tij, “Fuqia e të pafuqishëmve” ka thënë se njerëzit nuk duhet të pranojnë gënjeshtërat nga autoritarët dhe diktatorët: https://telegraf.al/opinion-2/fuqia-e-te-pafuqishmeve-sipas-modelit-te-vaclav-havel/

Maks Velo mund të konsiderohet si njëri prej disidentëve shqiptarë, i cili ka denoncuar me forcë regjimin e Enver Hoxhës, si ish-i burgosur i regjimit komunist, i akuzuar për “agjitacion dhe propagandë” nga ai regjim, veprat artistike të të cilit, sipas atij regjimi, shprehnin gjithashtu, krimin e madh për “prirje moderniste dhe anti-socialiste”.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944-1991, (AIDSSH) në një njoftim dha lajmin për kalimin në amshim të “Artistit, arkitektit, krijuesit origjinal e rebelit, i lindur në Paris, i diplomuar në Tiranë, i dënuar për agjitacion e propagandë në Spaç, me punë të rënda në minierë dhe i pranishëm e aktiv në jetën publike të kryeqytetit 30 vitet e fundit, me botime, projekte dhe nisma të reja”.  AIDSSH njofton gjithashtu se dy vjet më parë, Maks Velo kishte  tërhequr dosjen e tij (të Sigurimit të Shtetit) pranë AIDSSH dhe kishte vendosur ta botonte dosjen, si një dëshmi dhe denoncim të makinacioneve të sistemit komunist për shënjestrimin e artistëve dhe tjetërsimin e individit në diktaturë.

Në vitin 2018, një prej tre rrjetëve më të njohura të televizionit amerikan, NBC NEWS kishte përgatitur një program të posaçëm për “Dosjet e Regjimit Komunist në Shqipëri” dhe kishte zgjedhur pikërisht Maks Velon, si protagonistin kryesor të atij programi.  Me atë rast kam botuar një përmbledhje të programit të televizionit amerikan, NBCNEWS, për lexuesin shqiptar, të cilin po ua sjell në kujtim të Maks Velos, me rastin e kalimit të tij në amshim.
“

“NBC NEWS” PËR DOSJET E REGJIMIT KOMUNIST NË SHQIPËRI

Gazeta Telegraf

26 Korrik, 2018

Frank Shkreli*

Njëri prej rrjeteve më të njohura multi-mediatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NBC NEWS, botoi të hënën në portalin e saj një shkrim mjaft të hollësishëm mbi hapjen e dosjeve të Sigurimit, ish-policisë sekrete të regjimit komunist të Shqipërisë, Sigurimi. Për lexuesin shqiptar shkrimi mund të mos ketë ndonjë informacion të ri, por artikulli është shkruar duke pasur ndër mend lexuesin amerikan, i cili mund të ketë pak ose aspak njohuri në lidhje me mënyrën e veprimit brutal të Sigurimit të regjimit komunist shqiptar ndaj kundërshtarëve të regjimit, sidomos tani, pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, kur ish-vendet komuniste në Evropë e kanë kryer këtë punë me kohë, pothuaj menjëherë pas shembjes së komunizmit. Është interesant fakti gjithashtu që ky ent mediatik e ka gjetur të nevojshme për lexuesit e vet, që pikërisht në këtë kohë, të dërgojë një korrespondente të saj në Shqipëri për të raportuar mbi dosjet e regjimit komunist në atë vend. Kjo është me rëndësi, sepse publiku amerikan nuk ka asnjë ide se si qëndron çështja e dosjeve të komunizmit në Shqipëri, gati 30-vjet pas rënies së atij regjimi në atë vend. NBC News njofton publikun amerikan se, “Shumica e ish-vendeve komuniste i kanë hapur me kohë dosjet e periudhës së Luftës së Ftohtë, por ndryshe nga shumica e këtyre vendeve, Shqipëria ende nuk ka miratuar një ligj lustracioni për një pastrim sistematik të largimit nga detyra të ish-zyrtarëve komunistë, të cilët kanë marrë pjesë në krime gjatë periudhës së sundimit komunist”, megjithëse, shkruan NBC News, “Ky vend ballkanik prej rreth 3-milionë banorësh kishte njërin prej regjimeve më brutale në botë”.

Në artikull theksohet gjithashtu se, “Disa ekspertë e kanë krahasuar Shqipërinë komuniste me Korenë e Veriut, pasi kufijtë e saj ishin të mbyllur dhe shqiptarët ekzekutoheshin po të provonin të largoheshin nga vendi.” Enver Hoxhën, i cili udhëhoqi vendin që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në vdekjen e tij në vitin 1985, NBC News e cilëson atë si një njeri që, “njihej se vuante nga paranoja, i cili ndërtoi mijëra bunkerë, anë e mbanë vendit, për t’u mbrojtur nga një invadim i huaj që nuk ndodhi kurrë.”

Maks Velo

Korrespondentja e NBC News, Katie Englehart ka zgjedhur piktorin dhe ish-të burgosurin shqiptar Maks Velon si protagonistin kryesor të kronikës së saj të dërguar nga Tirana. Maks Velo, një ish-i burgosur i regjimit komunist, i akuzuar për “agjitacion dhe propagandë” nga regjimi komunist, veprat artistike të të cilit, sipas atij regjimi, shprehnin gjithashtu “prirje moderniste dhe anti-socialiste”. Ai ka thënë për NBC News, se pasi refuzoi të bashkëpunonte me Sigurimin, “diçka që unë nuk mund të bëja” është shprehur ai, Z. Velo është mbajtur në izolim dhe është marrë në pyetje për gjashtë muaj rresht, pastaj është dënuar me 10-vjet punë të rëndë në burgun famëkeq të Spaçit, raporton NBC News, në bazë të ligjit të tipit sovjetik, për “agjitacion e propagandë”. Ishte viti 1978, kulmi i diktaturës së regjimit të Enver Hoxhës, njofton NBC News, duke nënvizuar se Maks Velo, për pothuaj katër dekada tani, e pyet veten nëse ai kishte përfunduar në burgun e Spaçit si rrjedhim i spiunimit pranë autoriteteve të kohës, nga ndonjë person që ai e kishte njohur. Enti mediatik amerikan NBC News raporton për lexuesit amerikanë se vitin që kaloi, qeveria shqiptare hapi më në fund dosjet e policisë sekrete të shtetit, (Sigurimi), duke bërë të mundur kështu që kushdo që dëshiron mund të kërkojë dosjen e vet, duke mundësuar edhe identifikimin e atyre që mund të kenë bashkëpunuar me regjimin komunist për të spiunuar ata që mund të konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit.  Por korrespondentja e NBC News shkruan nga kryeqyteti shqiptar se, me gjithë vendimin për hapjen e dosjeve të Sigurimit, “Është vështirë të thuhet ekzaktësisht nëse koleksioni i dosjeve është i terë, pasi mendohet se agjentët e Sigurimit kanë zhdukur mijëra dosje gjatë viteve të fundit të regjimit komunist”, thekson NBC News.

Por, siç kanë bërë edhe shumë shqiptarë të tjerë, NBC News raporton se Z. Maks Velo e ka kërkuar dosjen e tij megjithëse fillimisht kishte hezituar ta shfletonte, por megjithëkëtë, nga dosja e tij, ka zbuluar se ai është spiunuar nga nja 20 veta, ndër të tjerë, edhe nga një mik i ngusht dhe nga ish-vjehrra e tij. Për hapjen e dosjeve, NBC News ka folur edhe me Z. Gentiana Sula, Drejtoreshë e Entit për Hapjen e Dosjeve, e cila ka thënë për entin e njohur mediatiak amerikan se, “Këtu vijnë çdo ditë njerëz për të bërë pyetje ndaj të cilave ata nuk kanë marrë përgjigje për një kohë të gjatë.  Në qoftë se ka gjëra për të cilat ata kanë nevojë të falin ose të kërkojnë falje, për veten ose për prindërit e tyre, ky është një rast i mirë për të bërë një gjë të tillë.  Shpeshherë”, ka thënë ajo për NBC News, “një bashkëpunëtor dhe një viktimë e Sigurimit, jetonin dhe vepronin në të njëjtin mjedis”.

Ndërkohë që diktatura komuniste u shemb në fillim të vitit 1990, njofton në kronikën e saj korrespondentja e NBC News, Katie Engelhart, agjentët e Sigurimit famëkeq shqiptar u tërhoqën në anonimitet duke u zhdukur nga qarkullimi, por megjithëkëtë, korrespondentja amerikane kishte gjetur një ish-agjent të Sigurimit, i cili është treguar i gatshëm të fliste me gazetaren amerikane. Ish-zyrtari i lartë i Sigurimit të shtetit shqiptar, Nesti Vako i tha NBC News se në kohën e regjimit komunist, agjentët e Sigurimit kishin vendosur mjete përgjimi anë e mbanë vendit, nëpër kafene, zyra dhe në të gjitha ambasadat e huaja, ndër të tjera. Vako u shpreh për NBC News se i “kishte pëlqyer shumë puna e tij (si agjent i Sigurimit) dhe se ishte tepër krenar për punën që kishte bërë”, duke shtuar se, “vetëm kishte zbatuar ligjin”. Ish-agjenti i Sigurimit ka thënë gjithashtu se ishte kundër hapjes së dosjeve, pasi hapja e dosjeve, sipas tij “nuk është një gjë e mirë”, ka theksuar ish-agjenti Nesti Vako, duke pasqyruar kështu edhe arsyen, se pse klasa politike dhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare nuk duan të merren me të kaluarën komuniste.

Dosja e Z. Maks Velo ka gjithsejtë 250 faqe dhe atij i janë nevojitur disa muaj për ta kuptuar dosjen e tij, shkruan NBC News. Z. Velo ka thënë se nuk i vjen keq që e ka lexuar dosjen, megjithëse me hezitim, por nga ana tjetër, nuk mendon se me hapjen e dosjeve, ndonëse vonë, është mbyllur kjo çështje, as për të, as për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ai citohet të ketë thënë se, “Amerikanët thonë 100 herë në ditë “Më fal’, ndërsa këtu nuk thotë askush, kurrë “Më fal”, duke aluduar se dikush duhet të kërkojë falje për krimet e regjimit komunist, ashtu që më në fund, të fillojë shërimi i plagëve gjithnjë të hapura nga periudha e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Megjithëse vonë, duket se ditët e fundit, në këtë drejtim është hedhur një hap sado i vogël, edhe pse tepër vonë.Zëri i Amerikës njoftoi javën e kaluar se Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) — një organizatë ndër-qeveritare që merret me personat e humbur, si përfundim i konflikteve dhe shkeljes së të drejtave të njeriut — nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me shtetin shqiptar për identifikimin e një grupi personash të viktimizuar dhe varrosur në Dajt dhe në Ballsh, nga regjimi komunist shqiptar i periudhës 1944-1991. “Marrëveshja tregon dëshirën për të mbrojtur të drejtat njerëzore të familjarëve të zhdukurve”, citohet të ketë thënë gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtori i programit të ICMP për Ballkanin Perëndimor, Methju Holliday. “Marrëveshja tregon vullnetin politik të shtetit shqiptar për të trajtuar çështjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në një mënyrë efektive, ligjore dhe të saktë.

Të gjithë këto përpjekje bëhen, jo thjesht për të respektuar të vdekurit, por për të ngritur lart të drejtën e jetës, dinjitetin dhe ligjin”, – tha ai. Më mirë vonë se kurrë, por ku ishe ti dhe organizata jote deri tani, Z. Holliday? Gjatë gjithë kësaj kohe post komuniste kam shprehur vazhdimisht dyshimet e mia serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’u përballur me të kaluarën komuniste. Edhe në qoftë se është bërë gjë në këtë fushë, zakonisht ka qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane në Tiranë dhe jo i dëshirës së klasës politike shqiptare post-komuniste për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri. Prandaj, e gjithë kjo përpjekje – përfshirë marrëveshjen e fundit midis organizatës ndërkombëtare ICMP dhe autoriteteve shqiptare – është tepër pak dhe shumë vonë, nga ana e autoriteteve shqiptare, por edhe e enteve ndërkombëtare, përgjegjëse për këtë çështje. Por në fund të fundit, faji për këtë u mbetet të dera autoriteteve shqiptare. Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të këtyre 28 vjetëve post-komunizëm nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e nevojshëm për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e të cilit shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit – krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës, siç vë në dukje edhe enti amerikan mediatik NBC News, në kronikën e saj nga Tirana.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, kaloi ne amshim, maks velo

FËMIJA 5 VJEÇAR, QË NDËRROI JETË TË ENJTEN NË NY, HAP NJË KAPITULL TË RI NË BETEJËN ME KORONAVIRUSIN

May 8, 2020 by dgreca

-Shqetësim pasi një djal 5-vjeçar nga NYC dhe një 4 vjecar nga New Jersey vdiqën prej komplikimeve që lidhen me COVID-19.

-Deri tani janë 73 pacientë pediatrikë në të gjithë shtetin e NY, të cilët shfaqin simptoma të ngjashme me sëmundjen…

  • Bota kaloi shifrën e 4 milion të infektuar nga COVID-19

Nga Dalip Greca 

Guvernatori i New Yorkut Andrew Cuomo paralajmëron me shqetësim hapjen e një kapitulli të ri, krejtësisht të ndryshëm, nga çfarë kemi parë nga beteja e deritanishme në përballjen me Koronavirusin, pasi një djalë 5-vjeçar nga NYC vdiq prej komplikimeve që lidhen me COVID-19.

         Për muaj të tërë, prindërit ishin të qetë dhe po bekonin faktin që Coronavirusi nuk i prekte fëmijët. Por siç duket e vërteta nuk qenka tamam ashtu. Ndoshta ndryshimi i formave të virusit nuk po i kursen fëmijët.Edhe të dhënat zyrtare që u servirën (me vonesë) nga kinezët tregonin se fëmijët nuk prekeshin njësoj si të rriturit ose kur prekeshin nuk shfaqnin simptoma të rënda.

Guvernatori i New York-ut Andrew Cuomo ka paralajmëruar për shenja shqetësuese, të cilat deri tani janë dyshuese, ndoshta jo të vërtetuara plotësisht. 

– Një djalë 5-vjeçar në New York City vdiq të enjten nga komplikimet që lidhen me koronavirusin, tha Cuomo në një konferencë për shtyp të Premten pasdite, me 8 maj 2020. Ai komentoi se departamenti i shëndetit të shtetit po heton “disa raste të tjera që paraqesin rrethana të ngjashme”.

-Ky do të ishte vërtet një lajm i dhimbshëm dhe do të hapte një kapitull tjetër. Ne menduam se fëmijët mund të ishin thjeshtë ndërmejtës trasmetimi  tek të moshuarit, por nuk menduam se fëmijët do të vuanin prej koronavirusit, ka komentuar guvernatori të Premten.

  Besohet se djalit 5-vjeçar, që ndërroi jetë të enjten, vdekja mund t’i ketë ardhë nga komplikime të shkaktuar nga COVID-19. Guvernatori nuk e përmendi emrin fëmijës. Ndërkohë, Departamenti i Shëndetit po studion provat për të arritur në konkluzione nëse koronavirusi mund të shkaktojë sëmundje të rëndë te fëmijët?

Deri tani janë 73 pacientë pediatrikë në të gjithë shtetin, të cilët shfaqin simptoma të ngjashme me sëmundjen Kawasaki dhe sindromën toksike të shokut, tha Cuomo. 

New York City kishte paralajmëruar të hënën se 15 pacientë midis 2 dhe 15 vjeç ishin shtruar në spitale gjatë tre javëve të fundit me sindromën që lidhej me Covid. Shumica e tyre testuan pozitive për koronavirusin ose kishin teste pozitive antitrupash.

Disa nga fëmijët kishin ethe të vazhdueshme, sindromën e shokut toksik dhe karakteristika të ngjashme me sëmundjen Kawasaki, tha njëri prej këshilltarëve shtetëror për shëndetin.

Sëmundja Kawasaki shkakton inflamacion në muret e arterieve dhe mund të kufizojë rrjedhën e gjakut në zemër. Zakonisht kjo sëmundje është e shërueshme dhe shumica e fëmijëve arrijnë ta kalojnë pa probleme serioze, por mund të jetë edhe vdekjeprurëse. Kryesisht prek fëmijët nën 5 vjeç.

Specialistët e shëndetit thanë se: Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë ,që zgjat mbi pesë ditë, shoqërohet me skuqje, gjëndra të fryra në qafë, buzë të thata të plasaritura, ënjtje të duarve dhe këmbëve dhe skuqje në të dy sytë. Simptomat të ngjashme me Kawasaki janë shfaqur tek fëmijët edhe në shtete të tjerë. Kështu guvernatori i New Jersey-t, Phil Murphy njoftoi se një fëmijë 4 vjeç humbi jetën nga komlikacione të tilla. Në Seattle janë konstatuar raste të tilla, siç janë raportuar edhe nga Spitali i fëmijëve në Stanford në Kaliforni.

Po ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, specialistët e pediatrisë paralajmëruan kohët e fundit se disa fëmijë po sëmureshin nga sindroma e rrallë që mund të lidhej me koronavirusin. Ekspertët e atjeshëm thanë se dhimbja e barkut, simptomat gastrointestinale dhe inflamacioni kardiak, janë të zakonshme në raste të tilla. 

Raste të ngjashme janë raportuar në Itali dhe Spanjë.Duket se një kapitull i ri, po hapet në betejën kundër virusit të mistershëm.

                    *** 

       BOTA, KALON 4 MILION TË INFEKTUAR

Bota vazhdon të jetë e pafuqishme përballë virusit të mistershëm, në pritje të vaksinës, duke shënuar shifrën rekord të të infektuarëve me 4 milion, 9 mijë e 999(gjatë 24 orëshit të fundit u raportuan 95 mijë e 999 të infektuar të rinj), ndërsa numri i viktimave arriti 275 mijë e 934(gjatë së premtes u raportuan 5 mijë e 508 viktima). Shifrat më të larta ditore vazhdon t’i kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Spanja, Italia, Franca, duket se po mbajnë nën kontroll situatën pas kalimit të kulmit të kurbës së Pandemisë. Të tre këto shtete europiane regjsitruan më pak se 250 viktima ditore, ndërsa Gjermania është menaxhusja më e mirë e shteteve europiane me vetëm 7 mijë e 510 viktima nga 170 mijë e 588 të infektuar nga COVID-19.

Britania e Madhe raportoi të premten 626 viktima(duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurëve në 31 mijë e 241 të vdekur), shifër kjo që e lë pas Italinë me 30 mijë e 201 viktima. Kohët e fundit edhe Rusia po e rrit numrin e të infektuarëve me më shumë se 10 mijë të infektuar në ditë, ndërsa ka në kontroll jetët njerëzore- nga 187 mijë e 859 të infektuar, ka vetëm 1 mijë e 723 viktima.

SHBA, 1 MIJË E 649 TË VDEKUR NË 24 ORË

Gjatë 24 orëshit të fundit u raportuan 1 mijë e 649 të vdekur, duke regjistruar në total 78 mijë e 577 të vdekur, ndërkohë që me 28 mijë e 231 të infektuarit e rinjë të raportuar të Premten, numri i përgjithshëm i të infektuarëve shkoi në 1 milionë 320 mijë e 854.

Përveç uljes së numrit të të shtruarëve nëpër spitale, ka dhe dy sinajle pozitive: Është rritur numri i shëruarëve me rreth 222 mijë, ndërsa vijojnë testimet, që deri tash kapin shifrën e 8 milion 573 mijë e 610.

New Yorku me përjashtim të ditës së mërkurë, kur u shënuan 752 viktima, ditët e tjera kanë qenë më optimiste; të enjten 409 të vdekur, ndërsa të premten 220. Shifër që guvernatori Cuomo e komentoi gjatë konferencës për shtyp të Premten pasdite në Poughkeepsie, si dhimbje për jetët e humbura.

Numri i shtrimeve të reja në spitale prej COVID-19 ka qenë i sheshtë gjatë ditëve të kaluara. Ai tha se shpresojmë që të shohim një rënie në ditët e ardhshme.

Ndërsa kurba e shtrimeve në spital dhe të pacienëtve të intubuar, është në rënie, komentoi Cuomo.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Bill de Blasio prezantoi të Premten rregullat e reja të hyrjes në disa parqe të New York City, me qëllim shmangien e turmave.

Udhëzimet e reja u referohen përkatësisht Hudson River Park në Manhattan dhe Domino Park, Williamsburg-Brooklyn, ku ka pasur mbigrumbullime në ditë të ngrohta.

Qyteti do të kufizojë kapacitetet në Piers 45, 46,

 do të rrisë praninë e policisë dhe do të monitorojë nga afër Parkun Domino, sipas kryetarit të bashkisë. Ai tha se do të kufizohet numri i e njerzëve që hyjnë dhe do të kërkohet distancim dhe mbajtja e detyruar e maskave.

Nëdrkohv ka pasë kundërshtime e protesta nga ndërhyrjet e policies,e cila ka arrestuar kundravajtësit. NYPD ka publikuar statistika që tregojnë se 68 përqind të arrestimeve dhe thirrjeve për distancim social kanë përfshirë qytetarët me ngjyrë, 24 përqind hispanikët dhe 7 përqind të bardhët.

                                                ***

…. New Jersey ka shënuar një ulje të ndjeshme kohët e fundit, si për numrin e të infektaurëve ashtu edhe për numrin e viktimave. Guvernatori Phil Murphy njoftoi të premten 1,985 të infektuar të rinj prej COVID-19, duke e çuar numrin në të gjithë shtetin në 136,976. New Jersey kishte gjithashtu 130 vdekje të reja, duke rritur numrin e vdekjeve të shtetit në 8,964. Guvernatori tha që niveli i përhapjes së koronavirusit po ngadalësohet në të gjithë shtetin, dhe që nga e enjtja në mbrëmje, në spitalet e New Jersey ishin 4,605 ​​pacientë COVID-19, ç’ka shënon një ulje prej 1.000 pacientësh nga e Premtja e kaluar.

Për më tepër, numri i pacientëve të raportuar në kujdes kritik ose intensiv dhe përdorimi i ventilatorëve, vazhdojnë të ulen ndjeshëm.

Statistikat e viktimave për shtetet e tjera, që u raportuan gjatë së Premtes: Massachusetts 150 të vdekur(numri i përgjithshëm 4 mijë e 702), Illinois 130 të vdekur( numri i përgjithshëm 3 mijë e 241),California 87 viktima ditore, Pannsylvania 125, Michigani 57, (Shifra e përgjithshme e viktimave 4 mijë e 393), Florida 69, Texasi 39, Connecticut 77, Georgia 51, Louisiana 19, Maryland 57, Indiana 33, Ohio 32, Virginia 43, Arizona 67, Minnesota 26,Missouri 31 etj. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Femija 5 vjeçari, vdiq ne NY

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT