• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

Ankthi i jetës me vdekjen nëpër këmbë

May 6, 2020 by dgreca

ANDRA TUTTO BENE – (Ankthi i jetës me vdekjen nëpër këmbë)/

Esmeralda Marinaj rrëfen për gazetën Dielli betejën për jetën në sallat e reanimacionit në Milano, Itali, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja

Në sytë e pacientëve që luftojnë me vdekjen, punonjësit e shëndetësisë janë “engjëjt” e tyre. Përveç Zotit qiellor, këta njerëz të jashtëzakonshëm janë forca, besimi dhe shpesa e pacientëve për ringritje nga krevati i vdekjes. Përkushtimi i këtyre “engjëjve” dhe asistimi në çdo moment në përballjen me armikun vdekjeprurës, i jep çdo pacienti një forcë të madhe në këtë luftë të tmerrshme ku vdekja kërcënon në çdo cast. Mbështetja e personelit shëndetësor është burim i jashtëzakonshëm qëndrueshmërie e mos dorëzimi. Këta “engjëj” janë dëshmitarët e fundit të pacienteve në kacafytjen e jetës mbi vdekjen. Një betejë kjo sa e egër, sa e dhimbshme por aq dhe krenare. Këta s’janë vetëm heronj por edhe dëshmitarë të gjallë se sa e sa përpjekje u bënë çdo ditë për jetën, për shpirtin, për njeriun. 

Ankthi se mos vdekja ka goditur gjatë natës ndonjë jetë, e bën mëngjesin e Esmeraldes të frikshëm, të trishtueshëm, të padurueshëm. Sapo del nga shpija duke vrapuar nëpër rrugicat e Milanos deri në spitalin e mirenjohur “H.P”, mëngjesi i Esmeraldës është  plot ankth. Mezi pret të shohë gjëndjen e pacientëve që luftojnë me vdekjen. Mëngjeset fillojnë me lutjen e shpresës se lufta do mbarojë shpejt e jetët në rrezik do të shpëtohen e vdekja do ikë duar thatë. 

“Andra tutto bene” është bërë moto e jetës për të mposhtur vdekjen në çdo spital italian. Një ngushëllim i dyfishtë i cili përmban brënda shumë mister, përshpirtshmëri, lutje dhe shpresë. Një “Padre Nostro” urata që çdo ditë shoqëronte Esmeralden për në punën e saj si punonjëse e vijës se parë të luftës në Milano,  muajt e fundit ka marë një tetër kuptim. E stërmunduar por kurrë e dorëzuar nga ditët e ngarkuara me betejën jeta-vdekje, te lutja e “Ati Ynë” ajo merr forcën për të gjetur një tjetër ditë motivuese në kalendarin e tmerrit covid-19. Kufoma, njerëz që përpëliten në oksigjen, çaste lamtumire e vetmie, sirena policie e ambulancash çdo ditë në rrugët e Milanos të kujtojnë një kohë apokalipsi. Shpresa se të intubuarit do bëhen më mirë dhe se shpirtrat në koma do kthehen prapë në jetë, i jep Esmeraldës forcën e arsyes për të besuar se mrekullitë ndodhin dhe se për ata që besojnë në Zot, s’ka asgjë të pamundur. Edhe kur vdekja godet pabesisht, edhe kur fiken përpjekjet, besimi në Zot, burimi i shpresës dhe forca e sentencës “andra tutto bene” duket sikur i jep çdo personeli shëndetësor pak oksigjen, pak shtysë, pak kohë, pak frymë dhe pak kurajo për mos dorëzim. “Do shkojë gjithçka mirë, do ia dalim së bashku të gjithë” është momenti kur fjala ka një peshë të jashtëzakonshme, edhe më shumë se te Ungjilli i Gjonit Apostull. Pacientët kanë të frikë të flënë, të mbyllin sytë se mbase s’do zgjohen më kurrë.  I vetmi çast që sdo doja kurrë të isha prezente rrëfen Esmeralda është lamtumira on line e pacientit me familjen. Një çast teknologjik që shkëput jetën prej vdekjes. Një videocall që skalitet përgjithmonë në memorien tënde. Të gjendur në “intubacione respiratore” pacientët që luftojnë fisnikërisht me vdekjen shihen në “vidiochiamate” me të dashurit e zemrës, nga ku japin shpesh lamtumirën e fundit, një pikëllim on line, një trishtim i paimagjinueshëm, një ndarje e pabesë, një dëshmi e fundit jete përpara dorëzimit përfundimtar. 

Besimi dhe lutja se një ditë të afërt s’do të shohë më jetë të humbura, vdekje të trishta njerëzish të vetmuar, i jep Esmeraldës dhe kolegëve të saj kurajon dhe forcën të punojë pa u ndalur. 

Nuk ka mission më të shenjtë sesa të mbash jetën gjallë në sallat e vdekjes. 

Esmeralda Marinaj jeton me familjen dhe nga tmerri se mund të sjellë virusin vdekjeprurës në shtëpi, ajo izolohet në një dhomë të posaçme. Tragjizmi i jetës rrefen Esmeralda është të luftosh me vdekjen në spital dhe më pas të të ngjitet vdekja pabesisht deri në shtëpinë tënde. Një ankth i dyfishtë i një jete me vdekjen nëpër këmbë. 

Vdekja është ngjarja më e pabesë në jetën e njeriut.

Motivi për të shpëtuar jetë, e mposhtë frikën për për të vdekur. 

Pas çdo përpjekjeje, rrëfen Esmeralda, pas çdo luftë, pas çdo beteje, me dëshirën që jeta të fitojë mbi vdekjen edhe kur gjunjët na dridhen, prapë se prapë nuk dorëzohemi dhe besojmë fort: “andra tutto bene”. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Esmeralda Marinaj, Sokol Paja

Cilësia mjafton

May 6, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Ç’rëndësi ka nëse shumë kohë shpenzojmë duke planifikuar jetën tonë, duke bindur veten për atë që duam të bëjmë, ose çfarë duhet të bëjmë? Ka raste kur njeriu nuk sheh se çfarë synon të bëjë dhe çdo gjë për ‘të përmbyset, largpamësia mungon jo vetëm përpara por edhe për të parë pas, kur kokën e kthen me synimin për t’u ruajtur për sesa për t’u njohur me të shkuarën. E kaluara përmban çdo lloj mësimi, por fatkeqsisht për shumë kohë ka qëndruar si libër i mbyllur.Cili ka qenë viti më i keq në historinë njerëzore? Duket pyetje e madhe, por përgjigjia është e thjeshtë – Rreth 70-mijë vjet më parë, në malet Sumatra shpërtheu një vullkan, 2 milionë herë më i fuqishëm se sa bomba atomike që shkatërroi Hiroshimën në vitin 1945. Raca njerëzore u shfaros pothuajse plotësisht. Mbetën vetëm 10.000 njerëz. Të mbijetuarit? Paraardhësit tanë. Kjo është arsyeja pse njerëzit janë të gjithë kaq shumë të afërt gjenetikisht. Historianët gjithmonë i paraqesin ngjarjet njerëzore si përparim të vazhdueshëm. Bujqësia, kultura, shkenca, teknologjia, perandoritë, diktaturat, të drejtat e njeriut … Por, a janë njerëzit sot më të lumtur sesa në ditët kur jetonin në grupe mbledhësish e gjahtarësh? Atëherë ata nuk jetonin gjatë, jeta ishte e shkurtër; por sot shumë njerëz vdesin nga vetëvrasja sesa vriten. Njerëzit bëjnë jetë të mjerueshme, më të gjatë. Në fund kthehesh në fillim duke mbërritur në përfundimin se pyetja me vend do të ishte ‘si…?’, jo ‘sa…?’- asgjë tjetër nuk ka rëndësi, cilësia mjafton.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Cilësia mjafton

Shtëpia e Bardhë planifikon ta shpërbëjë task-forcën për koronavirusin

May 6, 2020 by dgreca

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se task-forca për koronavirus e Shtëpisë së Bardhë do të shpërbëhet.

“Ne po e rikthejmë vendin tonë”, tha Trump gjatë vizitës që i bëri një fabrike për prodhimin e maskave në Arizonë.

Task-forca për koronavirus udhëhiqet nga nënpresidenti amerikan, Mike Pence.

“Mike Pence dhe task-forca kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, por tani do të shohim për një formë tjetër dhe kjo formë është siguria dhe hapja [e ekonomisë]. Do të kemi një grup tjetër që do të krijohet ndoshta për këtë çështje”, tha Trump.

Numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA çdo ditë arrin në 20,000, ndërsa ai i viktimave e kalon 1,000.

Në total, numri i të infektuarve atje është mbi 1.2 milion, ndërsa i viktimave mbi 70,000.Zyrtarët shëndetësorë paralajmërojnë se virusi mund të përhapet më shumë kur bizneset të fillojnë të rihapen.

Sipas kritikëve, Trump po e sakrifikon shëndetin publik të amerikanëve duke këmbëngulur në rihapjen e ekonomisë, përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Duke folur në Arizonë, Trump tha se demokratët shpresojnë se politika e tij për koronavirusin do të dështojë dhe se “ata mund t’i fitojnë zgjedhjet”.(RFL)

Filed Under: Komente Tagged With: President Trump, shtepia e bardhe

EMIGRANTI QE FJETI 4 MUAJ NE PARK NE ITALI…

May 6, 2020 by dgreca

E DESHËM ATDHEUN, POR, ME SA DUKET, NJË PJESË S’NA DESHI/

Bisedë me Meleq Beqirin, mërgimtar në Itali/

Nga Abdurahim Ashiku/

  • Në Bulqizë shkova fëmijë dhe ika burrë i pjekur…
  • “Shihe se çfarë na vjen nga Shqipëria. Njerëz të cilët i përçmojmë. Shikoje se çfarë kulturë profesionale kanë përveç kulturës tjetër. Ky me të vërtetë është inxhinier dhe unë i kërkoj falje sepse e paragjykova”.
  • As që kam ndërmend që t’i shkul rrënjët nga vendlindja, nga Strikçani. Po mendojmë me vëllain e madh që të blejmë edhe diçka tjetër, të ndërtojmë edhe nga një shtëpi secili që ta kemi në fshat.. – 
  •  Natyrisht malli më i madh është për prindërit, për shokët por nganjëherë edhe për një copë gurë, jo një gurë të shenjtë, por një gurë që e kemi ndesh shpesh, madje që na ka vra këmbët zbathur, por edhe për ndonjë ferrë që më ka grisur këmishën. Nganjëherë kur e arratis mendjen e ndjej se nuk qetësohem…

    Hyrje në bisedë…

E kam njohur maleve të Bulqizës, atyre maleve që më shumë se floririn e nëntokës kanë atë të mbitokës, atë që lëviz, atë që ngjitet kreshtave dhe zbret thellësive, NJERËZIT… Punëtorë si ata, familjarë si ata, të shoqërueshëm deri në gaz shpirtëror.
E kam njohur edhe në kalimin e kohëve, kur drejtonte rrethin, në periudhën më të vështirë për Bulqizën…
Më humbi për shumë vite…
E gjeta një ditë në shoqërinë e madhe të internetit…
Një ditë më kërkoi numrin e celularit në Shqipëri…
U takuam disa herë. Pimë kafe dhe udhëtuam luginës së Bulqizës për tu ngjitur me mend në Dhoks e në Tërnovë, për të zbritur në nivelin e dhjetë asokohe në ndërtim, për tu takuar e biseduar me miqtë e përbashkët…
Një ditë në plazhin e Malit të Robit, tek gjerbnim kafen shtypa butonin dhe i “shkrova” në diktofon zërat me të…
Po e përcjell zërin dhe emocionet e tij, zërin e një mërgimtari që nuk e ka harruar dhe nuk e harron vendlindjen…

* * *
Meleq Beqiri! Mirëserdhe në Atdhe!
Mirë se ju gjeta!
Ç’e mirë ju solli?
Dashuria për atdheun. Veçanërisht dashuria për prindërit, për nanën, për shokët, për gjithçka që kemi lënë mbrapa dhe gjithçka që kërkojmë të gjejmë.
Sa vjet t’u bënë në Itali?
Njëzet e një vjet.
E mban mend si ike?
Natyrisht. Dhe nuk do ta harroj kurrë në mënyrën si kam ikur. Sigurisht një nga mënyrat e vetme që nuk do të dëshiroja të ikja. Për fat të keq situatat ishin të tilla dhe na detyruan të iknim. Ne e deshëm atdheun por me sa duket një pjesë e atdheut nuk na deshi.
Si u vendose në Itali?
Me shumë vështirësi. Pa bazë, pa asnjë pikë mbështetje. Dalëngadalë u integrova. Kam fjetur jashtë për katër muaj.
Kur thoni jashtë si ta kuptojmë?
Kam fjetur në park nga data 5 shtator 1993 deri më datën 9 janar të vitit 1994.
Ike nga parku dhe u strehove në…
Gjeta punë dhe pastaj gjithçka mori rrugë…
Mund të më përshkruash ditën e parë të punës?
Qesh…
Punë me kazmë e lopatë.
Po ajo kazma dhe lopata kishte lidhje me kazmën e gjeologut në malet e Bulqizës?
Qesh…
Jam i gëzuar që mësova edhe nga kazma dhe lopata e vërtetë që na u desh kur nuk e prisnim.
Cili është formimi intelektual i juaji?
Kam mbaruar Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera në degën e gjeologjisë. Kam punuar në minierën e Bulqizës inxhinier gjeolog. Nuk kam pasur mundësi të bëj specializime të mëtejshme që ka qenë ëndrra ime.
A mund të kthehesh paksa në Bulqizë, tek miqtë, tek shokët, në nostalgjinë tuaj për kërkuesin e mineralit të kromit në vendburimin më të madh të kromit në Shqipëri dhe në një ndër vendburimet më të mëdha në botë?
Bulqizën e konsideroj vendlindjen time të vërtetë, pa harruar Strikçanin ku kam lindur. Në Bulqizë shkova fëmijë dhe ika burrë i pjekur.
Nga shokët kë kujton me mall?
Nuk mund të veçoj asnjë. Kujtoj të gjithë ata shokë me të cilët kemi kaluar rininë, pjekurinë, pushimet e verës, punën, përpjekjet, veprimtarinë shoqërore, profesionin. Pa përjashtim, të gjithë.
Si u integrove në punë dhe në jetën shoqërore në Itali?
Dalëngadalë. Më duhej të rritesha profesionalisht. Kam një histori tepër të veçantë të integrimit. Më mori një usta goxha i moshuar. Dëshironte të rregullonte shtëpinë e djalit i cili shpejt do të martohej. Pas disa ditësh punë më pyeti për profesionin. I thashë se kam qenë inxhinier gjeolog. Nuk më besoi. Kur po sistemonim materialet e ndërtimit brenda në dhomë i thashë t’i sistemojmë rreth mureve sepse momenti i forcës në mesin e dyshemesë është shumë i lartë dhe mund ta rrëzojmë atë.
-Çfarë është ky momenti i forcës? – më pyeti
Ia shpjegova duke bërë një skicë…
Atëherë më tha se me siguri duhet të kesh studiuar për inxhinieri.
Kur erdhi djali, i cili ishte inxhinier ndërtimi, i bëra një pyetje teknike. Ai hezitoi për momentin të përgjigjej.
Babai i tha: “Shihe se çfarë na vjen nga Shqipëria. Njerëz të cilët i përçmojmë. Shikoje se çfarë kulturë profesionale kanë përveç kulturës tjetër. Ky me të vërtetë është inxhinier dhe unë i kërkoj falje sepse e paragjykova”.
Në vijim të ditëve më sugjeroi që t’i ve objektiv jetës time që të mos vazhdoj të punoj me kazmë e lopatë por t’i ve dijenitë në shërbim të një pune timen.
Vite më vonë, kur u transferova nga Roma në Veneto një zonjë e moshuar e cila kishte prej trembëdhjetë vjetësh një problem të pazgjidhur në shtëpinë e saj, kur e zgjidha më tha “Ti je i zoti të bësh një numër trembëdhjetë në loto”. Kur e përshëndeta në darkë më pyeti: “Pse vazhdon të punosh nën padron?”. I them se kam familjen për të mbajtur. Më tha që nesër të shkosh të hapësh një llogari pune në bankë. Dhe në qoftë se gruaja dhe vajza jote do të rrezikohen të vdesin për bukë bjeri se do t’i mbaj unë. Ti vetë mund të vdesësh në qoftë se nuk  je i zoti të mbijetosh.
Të nesërmen hapa llogarinë e punës. Që atëherë kam njëmbëdhjetë vjet që punoj në punën time. Partita iva   është ajo që identifikon ndërmarrjen. Nga momenti që e hap ke një ndërmarrje mbi bazën e të cilave paguan taksat dhe zhvillon gjithë veprimtarinë e punës. Edhe tash, në kohë krize, ndërmarrja vazhdon të ketë sukses, relativisht të mirë. I rezistuam krizës. Jemi 3-4 familje që jetojmë me këtë ndërmarrje.
Çfarë veprimtarie bëni konkretisht?
Kemi një ndërmarrje ndërtimi. Kryesisht merremi me rikualifikimin e ndërtimeve të vjetra plus edhe ndërtime të reja si dhe shërbime të ndryshme.
Sa është vlera e punimeve?
Afërsisht 150-200 mijë euro në vit, nganjëherë edhe më shumë.
Çfarë mjetesh pune keni në përdorim?
Kemi mjete të lehta që quhen betoniere, trapano fleksibele, dy kamionçina 35 kuintal. Pothuajse të gjitha veglat e lehta.
Nga kush përbëhet ndërmarrja?
Jam unë si titullar. Kam edhe tre të tjerë dhe sipas rastit marr edhe 5-7-10 të tjerë sipas volumit të punës.
Të tjerët janë shqiptarë apo edhe italianë apo emigrantë?
Janë të gjithë shqiptarë për momentin por në disa raste thërres edhe hidraulikun që është italian, elektricistin po italian. Me ta koordinojmë punët. I ftoj ose më ftojnë që unë të bëj pjesën e ndërtimit.
Si je i stabilizuar familjarisht në Itali?
Goxha mirë. Jam ndalur në Padova sepse pikësynimi im është që të krijoj një të ardhur ku fëmijët të mund të shkojnë në një universitet prestigjioz siç është universiteti i Padovës, i dyti universitet më i vjetër në Itali pas universitetit të Bolonjës.
Sa vite ka që është hapur?
Me siguri diku tek pesëqind vite më parë. Di që kanë studiuar dhe dhënë mësim Galileo Galilei, Lermontovi, Mendelejevi, Isak Njutoni…dhe personalitete të tjerë të kohës sonë.
Familja jote e ngushtë?
Jam unë, bashkëshortja dhe dy fëmijë. Gruaja, Fazile Lleshi vajzë Gjorice por nga Zogje, vajza e Tufik Lleshit. Kam edhe vajzën Aurorën, vajza e madhe 11 vjeç dhe djalin 6 vjeç, Endrin. Vajza vazhdon shkollën që po ta llogarisin me sistemin në Shqipëri i bie të jetë në klasën e gjashtë. Djali është akoma në kopsht.
Je shtetas italian apo…?
Që nga data 9 gushti jemi të katërt me shtetësi italiane. Unë ka 4 vjet që bashkë me fëmijët e kam marrë shtetësinë italiane kurse gruaja e mori më 9 gusht 2014.
Në Shqipëri kë keni?
Nga familja e ngushtë kam nanën, vëllezërit, motrat. Kam dy vëllezër këtu, kam edhe tri motra. Kam edhe një motër në New York. Janë të martuar dhe me fëmijë. Djalin e kam edhe me shtetësi amerikane sepse ka lindur në New York.
Në fshat kë keni?
Kam nanën dhe vëllain që rrinë në Strikçan.
I keni shtuar ndonjë tullë shtëpisë së vjetër në Strikçan?
Kemi bërë një shtëpi të re atje ku rri nana dhe vëllai. Kemi mbajtur gjithë tokën…
Akoma i mban të gjalla, nuk i keni shkulur rrënjët në vendlindje?
As që kam ndërmend që t’i shkul rrënjët nga vendlindja, nga Strikçani. Po mendojmë me vëllain e madh që të blejmë edhe diçka tjetër, të ndërtojmë edhe nga një shtëpi secili që ta kemi në fshat. Ne kemi gjithsesi shtëpinë tonë sepse atje rri nana dhe vëllai, që është shtëpia jonë edhe ajo, e vjetra fare që është e gjyshit ku rri vëllai dhe nana dhe mendojmë të ndërtojmë edhe nga një shtëpi tjetër që kur të vijmë të jemi tek shtëpia jonë.
Rruga e Arbrit del në prag të shtëpisë?
Më vjen shumë afër. Shpresoj që të mos ngelet premtim elektoral. Mendoj që ta kërkojmë, natyrisht në mënyra të ligjshme. E drejta e dibranëve për të pas Rrugën e Arbërit është më se e ligjshme, madje shumë e vonuar. Ka ardhur koha që dibranët të kenë rrugën e shumë premtuar.
Kur do të ikni në Itali?
Do të ik më 28 gusht. Më duhet të kthehem sepse për fatin e mirë jam shumë i ngarkuar me punë. Por përpara se të shkoj në Itali do të shkoj në Strikçan për tu çmallë me nanën, me njerëzit, me vendet e mia.
Do të lahesh në Zall?
Edhe në Zall do të shkoj. Do të çoj vajzën dhe djalin. Kanë dëshirë të lahen dhe ta përjetojnë realisht atë që u kam treguar unë se cili ka qenë plazhi jonë, Zalli i Okshtunit. Është me të vërtetë një Zall i mrekullueshëm me atë ujë qelibar të pastër me troftat që vallëzojnë mbi gurë.
Çfarë ndjen atje ku je, në mërgim, mall që të tundon e ta merr gjumin?
Natyrisht malli më i madh është për prindërit, për shokët por nganjëherë edhe për një copë gurë, jo një gurë të shenjtë por një gurë që e kemi ndesh shpesh, madje që na ka vra këmbët zbathur, por edhe për ndonjë ferrë që më ka grisur këmishën. Nganjëherë kur e arratis mendjen e ndjej se nuk qetësohem. Me mall kujtoj veçanërisht ditët e festave, ditët veçanta të ditëlindjeve kur e ndjej të pamundur që mendjen mos e kthej dhe mbaj atje gjatë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku

BALLISTI BARDHYL POGONI I KËNDOI RËNIES SË KOMUNISTIT QEMAL STAFA

May 6, 2020 by dgreca

Cila ishte kënga e parë që iu kushtua Luftës Antifashiste?/

Nga Enver Memishaj/

Rënia e Qemal Stafës (1920 – 1942), djaloshit 22 vjeçar, më 5 maj 1942, veç të tjerave nxiti patriotët që sipas traditës t’i ngrinin atij këngë. Është e njohur  kënga “Afër një spitali”, që ngriti bejtexhiu Gaqo Trola nga Vunoi e cila duke qenë këngë popullore u njoh dhe u përhap shpejt. Këtë këngë e kanë quajtur si kënga e parë që iu ngrit Luftës Antifashiste. (Shih: Vaso Tole, Irena Shabani “Panorama”, dt. 24.4.2003, etj)

Në vitin 1942, për çudinë tonë paska pasur edhe fëmij 9 vjeçar, që paskan ndier dhimbje të madhe për vrasjen e Qemal Stafës!!! “Sofokli Thomaiai, sot 80 vjeç, ishte nëntë vjeç kur bashkë me shokët e tij në Tiranë përjetoi dhimbjen e vrasjes së “Heroit të Popullit” Qemal Stafa…” (Shih: “Telegraf”, dt. 5.8.2013) 

Shembuj qesharak që mundohen të tregojnë historinë me  “dhimbjet e fëmijëve 9 vejçar për Qemal Stafën” që as nuk e njihnin, as nuk e kishin dëgjuar dhe as e kuptonin se ç’kishte ndodhur…

Unë dua të parashtroj një fakt historik. Bardhyl Pogoni një intelektual i Ballit Kombëtar dhe më pas profesor universioteti në Amerikë, shkroi e botoi një këngë, poezi, që u frymëzura nga rënia e Qemal Stafës. Pra ishin dy patriot Gaqo Trola dhe Bardhyl Pogoni që në të njëjtën kohë e ndien dhe e vlerësuan rënien e Qemal Stafës dhe dhimbjen e shprehën në këngët e tyre. 

Kënga e Gaqo Trolës si këngë popullore u përhap shpejt, ndërsa poezia e Bardhyl Pogonit u njoh pak në atë kohë dhe më pas dihet se u mohua e harrua sepse atë e kishte shkruar një “armik i popullit” !

Nga ana historike si shpegohet që një intelektual i Ballit Kombëtar himnizonte një komunist?

Sot është pranuar se deri më 1 tetor 1943 dy forcat antifashiste Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste pavarësisht nga programet e tyre nuk kishin kontradita të thella por përkundrazi vepronin në mirëkuptim dhe bashkëpunim me njera tjetrën. 

Më 1 tetor të vitit 1943 Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste u dërgoi të gjith Komiteteve Qarkore të PK  një letër ku flitej për masat për forcimin e pushtetit të Këshillave Nacionalçlirimtare, dhe për qëndrimin armiqësor kundër Ballit Kombëtar. Kjo letër saksiononte politikën e Partisë Komuniste që nuk pranonte alternativë tjetër, pra i vetmi pushtet duhet të ishte  ai i Këshillave Nacionalçlirimtare, më saktë i Partisë Komuniste. ( Shih: Enver Hoxha, Vepra Vëll. 1, f. 426)

Poezia e Bardhyl Pogonit shkruar menjëherë pas rënies së komunistit Qemal Stafës është një shembull kuptimplotë se nuk kishte armiqësi ndërmjet dy forcave politike deri më 1 tetor 1943.

Poezia është botuar së pari në organin e Ballit Kombëtar “Kushtrimi i Lirisë”, gusht 1942, ribotuar në antologjinë “Mosha e Lirisë”, Tiranë 1999, f. 74-75.

Por Bardhyl Pogoni nuk është i vetmi që u këndon veprave antifashiste të komunistëve. Në dhjetor 1942 Dhimitër Kol Bala (1885 – 1945), bashkëfshatari Gaqo Troles, pushkatuar nga komunistët në një pozi brilante për Luftën e Gjormit krahas Hysni Lepenicës ai flet edhe për komunistin Hysni Kapo Abazaj. (Shih: Enver Lepenica “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”, Tiranë 2017, f. 210)

E tillë ishte atmosfera në Shqipëri  deri më 1 tetor 1943, kur siç thotë populli pështynë jugosllavët dhe hapën vëllavrasjen në Shqipëri. 

Nuk gjejmë asnjë komuniste t’i ketë kënduar rënies së një dëshmori të Ballit Kombëtar e çka tregon politikën antikombëtare të kësaj partie.

Folklorisi i shquar Fatos Mero Rrapaj thotë se kënga e Gaqo troles ka pasur edhe vargjet: Ngreu Qemal se të kërkon Bazi i Canes” e që më pas siç kuptohet u hoqën nga komunistët. 

Por edhe vetë Qemal Stafa nuk ka qenë komunist enverist, përkundrazi ai dinte me kulturën që kish të vlerësonte Mid’hat Frashërin, e patritë të tjerë që ishin antikomunistë. Sa për shembull po flasim për një letër që Qemal Stafa nga Italia i shkruan me nderime dhe veneracione patriotit Lef Nosi (1877-1945, pushkatuar nga komunistët), letër që e ka bërë publike nipi Qemalit, Veli Stafa. (Shih: “Tirana Observër”, dt. 5.5.2013) 

Veliu shkruan se letrën Qemal Stafa e nisi nga Firence, ku ai studionte në Fakultetin e Drejtësisë, më 1941. Nga letra vihet re se me çfarë respekti i drejtohet Qemal Stafa ,20 vjeçar, firmëtarit të Pavarësisë Kombëtare, duke i shpjeguar Lef Nosit 66 vjeçar, rreth porosisë që ky i fundit i ka dhënë Qemalit për të gjetur tek bukinistët e Firences materiale që kanë lidhje me historinë mesjetare të Shqipërisë. 
Letra fillon me fjalët vlerësuese: “I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t’ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurtë nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones, por si një realitet…” 

Letra përfundon: “Pëherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet. Ju lutem të pranoni shprehjen e nderimit më të thellë. Qemal Stafa, Via Nicolini, 5 Casellai”. 

Letërkëmbim midis dy intelektualve që pavarësisht nga mosha, i lidhi shkenca dhe dashuria për atdheun, por të dy patën një fund tragjik: Qemali u vra nga fashistët, Lefi u pushkatuar nga komunistët, shokët e Qemalit. 

Kush ishte Bardhyl Pogoni që i ngrinte himn komunistit Qemal Stafa?

Bardhyl Pogoni kishte lindur nё Tiranё nё vitin 1925. Aty mbaroi shkollёn e mesme dhe mori pjesё aktive nё Lёvizjen Antifashiste. Babai i tij, Pertef Pogoni kishte qenё zёvendёsministёr i arsimit nё kohёn e Mirash Ivanaj. Autoritetet shqiptare profashiste kishin dhёnё urdhёr pёr arrestimin e Bardhylit, mirёpo babai e kishte larguar nga Shqipёria pёr t’i shpёtuar burgimit. Ai qёndroi pёr njё kohё nё Austri dhe pasi u kthye nё atdhe u bashkua me forcat antifashiste tё Ballit Kombёtar. Mё vonё u bashkua me çetat e Ballit nё luftё pёr lirinё e Kosovёs.
Bardhyl Pogoni u largua pёrgjithmonё nga Shqipёria nё fund tё vitit 1945 dhe u vendos nё kampin e refugjatёve nё Itali ku ishte Mid’hat Frashёri dhe shumё personalitete tё tjera politike tё Shqipёrisё. Ai studoi letёrsinё franceze nёUniversitetin e Bolonjёs. 

Nё vitin 1950 migroi nё Shtetet e Bashkuara dhe filloi punё pranё seksionit shqip tё Radio-Evropa e Lirё. Nё vitin 1959 filloi punё nё Shkollёn Ushtarake tё Gjuhёve nё qytetin Bloomington tё shtetit Indiana. Nё këtë universitet mbaroi studimet e larta dhe nё vitin 1967 mbrojti disertacionin e doktoratit (Ph.D) nё fushёn e gjuhёsisё. Nё vitin 1967 u emёrua profesor nё Universitetin Vestern Kentucky ku qёndroi deri nё vitin 1972. 

Prej vitit 1974 e deri nё vitin 1978 Bardhyl Pogoni u pranua si profesor i gjuhёs anglishte nё Tripoli tё Libisё dhe prej vitit 1978 e deri nё vitin 1985 drejtoi Institutin e Studimeve Albanologjike nё Napoli tё Italisё. Gjatё karrierёs sё tij universitare Bardhyl Pogoni botoi shkrime tё ndryshme pёr gjuhёn shqipe. 

Ai ruante shumё kujtime tё mira pёr Mid’hat Frashёrin dhe nё vitin 1949 kishte botuar nё Itali poemёn “Fytyrё e Kombit” kushtuar Mid’hat Frashёrit:
“Iku e s’kthehet mё.
Qepallat i mbylli nё vetmi,
e mbeti Fytyr’e pa-zё,
me buzё qё s’flasin mё
me duar qё s’dridhen mё.
Ti ike, Shёrbestar i Kombit,
e s’kthehesh mё”,

Nё vitin 1976 profesor Bardhyl Pogoni botoi anglisht përmbledhjen e poezive me titull “Contemporary Albanain Poems”, (Poezi bashkëkohore shqiptare), ku përfshihen: Migjeni, Lasgush Poradeci, Arshi Pipa, Martin Camaj dhe Ismail Kadare, shoqëruar me komentet e tij për jetёn dhe veprimtarinё e poetëve, botim i financuar nga Ekrem Bardha. 

Veprimtaria dhe vepra e tij kulturore ёshtё e shpёrndarё gjithandej, por Bardhyli nuk ishte i kujdesshёm pёr punёt e tij kulturore. Bardhyl Pogoni ishte intelektual i vёrtetё, por nuk punonte. Vdiq me 24 tetor tё vitit 1985 nё moshёn 60-vjeçare. Ai ishte martuar me një vajzë amerikane Barbara Pogonin dhe me të la një djalë, Sam. (Shih për më shumë: Gjekё Gjonlekaj “Tirana Observer”, dt. 30/11/2012)

Bardhyl Pogoni 

Foto:Bardhyl Pogoni/

                MARTIRIT QEMAL STAFA

Me plumb të vranë, kush të ra?

Oh, shpirt i grisur; yt vëlla,

Vëlla në gjak, në vatër e tokë, 

Por… vëlla i shitur këmbë e kokë.

            Ti re përdhe si një rrufe,

            Me sytë e tu gjë tjetër s`pe,

            Veç flakë e zjarr, veç dritë hiri,

            Veç komb të mbytur, në robëri…

Dhe re përmbys e zemër plot,

Tek syt` e tu nuk pamë lot,

Por pam` shkëndija, pamë zjarr, 

Që nuk u fikën gjer në varr.

            Qemal, Qemal, o trim, o djalë, 

            Një vdekje e rrallë si shkrumb t`u fal, 

            Një zjarr që ndez, një zjarr që vdes, 

            Ta drodhi zemrën mes për mes.

…

Flamur e nxirë në gjak të shtrirë, 

Me duar lidhur me zinxhirë, 

E mbajmë lart nga dher` i zi

Ku ndizet gjaku për liri.

            Agimi hesht mbi varr e gur, 

            Ku ra një zemër, një flamur,

            Ku ndizen eshtrat e një trimi, 

            që vdiq me flakë dëshpërimi.

…

Flamuri ngrihet lart e ulet, 

Po kurrë armikut s`i përkulet.

Ashtu dhe ti, ashtu dhe ne, 

I mbajmë kryet përmbi dhe.

            Agimi hesht mbi varr e gur,

            Ku ra një zemër, një flamur, 

            Kushtrimi i Lirisë.   

Poezia është botuar së pari në organin e Ballit Kombëtar “Kushtrimi i Lirisë”, gusht 1942, ribotuar në antologjinë “Mosha e Lirisë”, Tiranë 1999, f. 74-75

Po botojmë edhe vjershën popullore kushruar rënies së Qemal Stafës nga Gaqo Trola nga Vunoi, pra nga fshati Dhimitër Balës që i këndon Luftës së Gjormit. Gjendën edhe variante të tjera të kësaj kënge. 

Gaqo Trola

BRENDA NË TIRANË

Brenda në Tiranë,

Afër një spitali,

U vra Qemal Stafa, 

Në një ditë maji.

Dje më erdhi karta

Nga çeta e malit

Ngreu, – i thotë nëna, –

Të do partizani.

– Kam marrë tre plagë

Plumba italiani

Të më merret haka, 

Gjakun mos ua falni.

            Ç`e morën nga prapa,

            Spiunët e djallit,

            Luftoi me patllake,

            Gjersa i doli xhani.

Popullit shëndenë,

Qëndro si luani, 

– Nënë lamtumirë!-

I thotë Qemali.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë “ Këngët partizane, trashëgimia shpirtërore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” Tiranë 2014, f. 250 Mbledhur, përgatitur dhe paisur me një studim hyrës nga akademik Vasil TOLE.

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Memishaj-Lepenica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT