• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

ROLI I MJEKUT TË FAMILJES NË SISTEMIN SHËNDETËSOR GJERMAN

June 24, 2020 by dgreca

Dr. med Angjelina Karamani nga Klinika Rhenumed në Meerbusch (Dusseldorf, Gjermani) rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rolin e mjekut të familjes në sistemin shëndetësor gjerman në luftën ndaj Covid-19. Me Dr. Angjelinën bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

OGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I MJEKUT TË FAMILJES NË GJERMANI

Së pari do ta nisja me rrugëtimin në Universitetin e Tiranës, një rrugëtim i veshtirë por edhe

inkurajues. Unë jam larguar në vitin 2011 për tu bërë pjesë e stafit gjerman të një spitali në Passeëalk  (në  Gjermaninë veri-lindore). Specializimi është  “të bësh doktorin pa patur thjeshtë një titull de juro”. Përgjegjësitë janë të shumta dhe shpesh  edhe të  rënda por kjo në profesionin tonë është sfida që kemi pranuar. Specializimi ka një kohë zgjatje prej 5 vitesh dhe finalizohet në provimin shtetëror, i cili të jep mundësinë për të ushtruar profesionin e mjekut. Në rastin tim bëhet fjalë për specializim në mjeksinë interne, pra si mjeke për sëmundjet e brëndshme. Tani punoj në klinikën Rhenumed në Meerbusch (Dusseldorf). Në fushën e mjekësisë asnjëherë nuk ka një finish, thjesht ka vend për azhornime të herëpashershme. Ne si mjekë familjeje jemi të regjistruar në Dhomën e Mjekëve, e cila na detyron në pjesëmarrjen në specializime dhe azhornime gjatë gjithë vitit. Specializime këto që vlerësohen me pikë të ndryshme, të cilat paraqiten pranë Dhomës së Mjekëve çdo 5 vite (max 500 pikë). Tani do të thellohem tek roli i mjekut të familjes. Çdo qytetar gjerman i siguruar nga ana shëndetësore në mënyrë shtetërore ose private, ndiqet nga një mjek i familjes. Pacientët me simptoma akute në të shumtën e rasteve kurohen direkt nga mjeku i familjes ose nëpërmjet një rekomandimi drejtohen tek specialistë të fushave të ndryshme si psh kirurgu, ortopede, urologe etj ose në rastet më të rënda si infarkti i zemrës, iskemia cerebrale ose urgjencat kirurgjikale, rekomandimi i menjëhershëm për në spital. Një arsye tjetër është zhvillimi ciklik i check up-ve  të detyrueshme ose jo. Në shtetin gjerman duke nisur nga mosha 18 vjeçare e deri në 35 vjeç një check-up komplet është i subvenksionuar nga shteti për të vijuar më tej nga mosha 35 vjeçare me një cikël më të shpeshtë kontrollesh (çdo tre vite). Kontrolli komplet konsiston në analizën e gjakut, urinës feceve (mbi 50 vjeç për të parandaluar kancerin e zorrës së trashë). Perveç check up-ve rutinë një peshë zënë dhe programet e kontrolleve  3 mujore për të sëmurët kronikë me diabet, bronkit kronik, azme dhe sëmundje kardiovaskulare. Pikërisht ky kontroll është një pikë shumë e fortë në sistemin shëndetësor gjerman sepse parandalimi në përkeqësimin e mëtejshëm të këtyre sëmundjeve përkthehet në një jetë më të qetë dhe më të gjatë për pacientët. Nuk mundem të anashkaloj dhe sëmundjet psiko-somatike për të cilat ne mjekët e familjes luajmë  rolin e psikologut  dhe kërkojnë një trajtim specifik dhe delikat. Dhe në rend të fundit por jo nga rëndësia është vaksinimi i detyrueshëm dhe i cili bëhet pranë mjekut të familjes.

ROLI I MJEKUT TË FAMILJES NË KOHËN E PANDEMISË

Roli i mjekut të familjes në kohën e pandemisë globale është shumë deçiziv ku fokusohet te ristrukturimi i vizitave, konsultat, konsultat online, cilët pacientë u lejuan të futen në klinikë dhe cilët u këshilluan përmes telefonit, testet e bëra, subvencionet  e shtetit etj. Për fatin tonë të keq viti 2020 nisi me një peshë të madhe mbi supet e qytetarëve mbarë botërorë dhe për më tepër mbi supet tona si mjekë. Ju mund ta kuptoni fare thjeshtë që ne nuk kemi bërë thjeshtë rolin e mjekut por edhe atë të prindit, fëmijës, shoqes së ngushtë, psikologut, sepse u gjendëm në pozicionin e fatit të shpresës në mes të detit. Ka qenë një rol primar, gjithnjë në linjë të parë, pra kemi qenë dhe jemi kontakti i parë me pacientin. Një nga momentet më të vështira për mua ishte mbyllja e dyerve të klinikës, ishte vendimi i strukturave të larta shtetërore dhe duhej zbatuar. Kjo nuk na ndaloi asnjë moment për të zhvilluar konsultat online dhe ato telefonike dhe më besoni kanë qenë të shumta. Përsa i përket anës praktike mbi subvensionet shtetërore dua të them se funksionon dhe madje është shumë efikase. Instituti i studimeve Robert Koch vendosi disa kritere mbi të cilat vendosej zhvillimi i testeve për Covid-19: 1. Kontakti me një të infektuar, 2. Simptomat bazë të kësaj pandemie, pra kollë e fortë dhe temperaturë e lartë, 3. Për moshat mbi 60 vjeç dhe më së shumti për të moshuarit që jetojnë nëpër azile, 4. Ardhja nga zonat që konsideroheshin të rrezikshme (zonat e kuqe), kusht ky fillestar por i cili humbi vlerën me kalimin e kohës sepse e gjithë bota tashmë ishte një zonë e kuqe. Numri i testimeve ka qenë relativisht i lartë, flasim për mbi një milion testime në javë në të gjithë territorin. Pasi rasti ishte bindshëm serioz  qytetarët drejtoheshin në qëndrat e posaçme shtetërore për tamponë. Në klinikën time janë kryer një numër i konsiderueshëm testimesh, ku shumica kanë qenë të subvencionuara nga shteti dhe një pjesë e vogël të paguara privatisht (me një çmim që varion nga 90 deri ne 150 euro). Në rastet kur pacientët nuk paraqisnin simptoma por dëshironin të bënin tamponin  për arsye të ndryshme si psh udhëtimet brenda europës ose qëllime personale kemi aplikuar tarifën e sipër përmendur.

SHQIPTARËT NË DUSSELDORF

Raste me pacientë shqiptarë kam pasur, edhe pse dua të përmend faktin që unë në klinikën ku punoj kam bashkëkombas dhe kjo është një ndjenjë që të ngroh disi. I kam trajtuar me të gjitha mënyrat e mundshme për të bërë më të mirën dhe këtu vlen për tu përmendur fakti që unioni i mjekëve shqiptarë në Gjermanivuri në dispozicion të plotë telefonat e çdo mjeku anëtar të tij. Vendosëm kontakte dhe në rrjetet sociale për të bërë të  mundur çdo lidhje me bashkëkombësit tanë. Do të ndaloj tek një rast i veçantë të lidhur me pamundësinë e një vajze të re shqiptare e cila ndodhej këtu për motive familjare dhe u gjend e bllokuar në shtetin gjerman. Vajza në fjalë pati disa simptoma që të bënin të mendoje se mund të ishte prekur nga Covid-19, por fatkeqësisht per shkak te sigurimit shendetesor gjerman që vajza nuk zotëronte testimi i saj u bë i pamundur. Megjithatë me shumë këshilla mjekësore munda ta ndihmoja dhe jo vetem kaq por sot ne ruajmë një miqësi disi të veçantë. Kjo do të thotë të jesh mjek familjeje fundja.

KTHIMI NË NORMALITET

Klinika ka rreth tre javë që i është rikthyer normalitetit në anormalitetin e momentit që jetojmë por kuptohet me zbatimin e disa rregullave të higjenës kundër Covid-19. Në klinikë nuk lejohen të qëndrojnë më shumë se tre pacientë në të njëjtën kohë dhe kjo organizohet paraprakisht nga sekretaria ime në mënyrë telefonike. Kemi detyrimin e maskerinave mbrojtëse dhe dorezave, pa harruar këtu edhe higjenizimin e menjëhershëm të duarve sapo hyjmë në klinikë. Besoj këto masa do të qëndrojnë të pandryshuara deri në formalizimin e një vaksinë dhe një vendimi të ri të stukturave më të larta shëndetësore.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Kjo pandemi vetëm ka shtuar besimin e pacientëve tek mjeku i familjes. Kjo do të thotë që pasoja janë pozitive në një situatë e cila pozitive nuk është. Kjo na bën ne mjekë vetë japim më shumë dhe më të mirën tonë dhe këtë unë e bëj në mënyrë të pakushtëzuar.  Kjo është një pyetje të cilës më duhet ti përgjigjem jo më shumë nota optimizmi pasi në duhet të jemi vigjilent, sepse stina e vjeshtës, e cila përkon me pikun përhapjes së virozave nuk është larg. Masat i kemi marrë dhe formalizimi i një vaksinë kundër Covid-19 nuk do të vonojë. Gjithçka do të shkojë mirë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Gjermani, Sokol Paja

Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me Ekspozitë të Etnologjisë

June 24, 2020 by dgreca

-Ekspozita e Etnologjisë në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të ketë për qëllim informimin e vizitorëve për mënyrën e jetesës së popullatës të trevave shqiptare, me fokus të veçantë në artin tradicional, si dhe trajtimin e vlerave të Trashëgimisë Kulturore përmes artit tradicional. Hartohet Koncept dokumenti/

-Në këtë muaj Qershor 2020, me rastin e shënimit të 142 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren para publikut prezantoi ekspozitën tematike “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” të autorit Parim Kosova/

PRIZREN, 24 Qershor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hartuar Koncept Dokumentin për ekspozitën etnologjike e cila së shpejti planifikohet të ridizajnohet në sektorin etnologjik të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ekspozita do të ketë për qëllim informimin e vizitorëve për mënyrën e jetesës së popullatës të trevave shqiptare, me fokus të veçantë në artin tradicional, si dhe trajtimin e vlerave të Trashëgimisë Kulturore përmes artit tradicional.

Samir Hoxha, Drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore tregon se përmes këtij koncept dokumenti do të bëhet ridizajnimi i sektorit etnologjik në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me ç’rast synohet të arrihet aplikimi i metodave të ndryshme instruktive, përmes të cilave do të përcillet tek vizitorët.

Prezantimi përveç se vizualisht në formë fizike planifikohet të përcillen edhe me video, audio (muzikë), reprodukime, teksturë (të prekshme) që mund t’u japë qasje çdo vizitori të ndjejë dhe të përjetojë artin tradicional të pasqyruar përmes kësaj ekspozite në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, thekson drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha.

Duke u bazuar në koleksionin ekzistues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të sektorit etnologjik vizitori mund të mësojë për artin tradicional të shprehur përmes zejeve të ndryshme. 

Koleksioni i pasur me tekstil mund të paraqesë veshje të burrave, djemve, grave, nuseve dhe vajzave myslimane, katolike dhe ortodokse nga trevat shqiptare njëkohësisht duke treguar për llojllojshmërinë e ngjyrave, mënyrës së punimit, materialit dhe formave që ato paraqesin.

Grupi punës i ekspozitës do të angazhohet në bashkëpunim me dizajnerin e enterierit, dhe të brendimit të ekspozitës  për organizmin e hapësirës në mënyrë që koncepti të jetë në përputhje me hapësirën aktuale në kuadër të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në këtë muaj Qershor 2020, me rastin e shënimit të 142 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren para publikut prezantoi ekspozitën tematike “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” të autorit Parim Kosova.
“Figurat e shquara të lëvizjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si: Iljaz Pashë Dibra, Sylejman Vokshi, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri e shumë të tjerë, ishin dhe mbeten figura të pashlyera të kujtesës sonë historike, andaj mbetet detyrim i yni dhe brezave që do të vijnë pas nesh që personalitete kolosale dhe ngjarje të tilla madhështore të mos harrohen kurrë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Jehona e madhe që ajo kishte për kohën i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare, duke ushtruar ndikim të madh në të gjitha luftërat e mëvonshme për liri dhe pavarësi, e deri tek lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”,  u theksua me këtë rast.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka deklaruar se mbetet synim yni i përbashkët që kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ta pasurojmë me eksponate që pasqyrojnë jetën dhe veprën e heronjve tanë, t’i zgjerojmë hapësirat ekspozuese dhe muzeore, si dhe të zhvillojmë programe edukative dhe kulturore për brezat që do vijnë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Ekspozite Etnologjike, Kompleksi i l.Prizrenit

VJOSA VURI PIKËN MBI “I”

June 24, 2020 by dgreca

Shkruan: IDRIZ ZEQIRAJ/
     “Strukturat vendimmarrëse, prej shumë viteve nuk janë provuar me votën zgjedhore të anëtarësisë. Rrjedhimisht, u mungon legjitimiteti i partisë, për marrjen e vendimeve në emër të saj”, – deklaroi nënkryetarja e Kryesisë të LDK-së, Vjosë Osmani, në një televizion të Kosovës.
     Realisht, këtë të vërtetë e kemi thënë dhe përsëritur, përtej një dekade, si një absurditet për një parti, që thirret dhe lavdërohet për një demokraci të brendshme të lartë partiake. Por, për të nxitur reagimin e atyre që atakohen, nga kjo e vërtetë e hidhur, duhet të kesh një çik pushtet e pozitë.
     Deklarata e Vjosës denoncon të vërtetën e heshtur, të fshehtën publike, e cila ka qenë ndër vite burim i së keqes për LDK-në. Kjo e keqe e madhe, është mbuluar me votën fiktive aklamative. Për një votim të tillë mashtrues, është përgaditur edhe logjistika përkatëse: “Votimi bëhet me votë të fshehtë, por, Kuvendi mund të vendosë edhe ndryshe, pra, me votim të hapur, aklamativ, ngritje dore!” Thënë troç: votim alla komuniste!
    “Peshku qëlbet në kokë”, – thotë populli. Dhe, vërtet, anashkalimi i votës së fshehtë, zëvendësimi me atë aklamative, filloi në Kryesinë Qendrore të LDK-së, për t`u shtrirë në Degë, Nëndegë, Aktiva. Dhe, kjo mënyrë votimi u shoqërua me përjashtimin e debatit, mungesën e konkurrencës së ndershme dhe kulmoi me votimin e hapur, aklamativ, duke e braktisur votimin e fshehtë demokratik. Që këtej fillon  zbehja e frymës rugoviane, krijimi i klanit brenda Kryesisë, etja për karrierë, që shpie në përçarjen, që kulmon me ndarjen e saj.
     Ndryshimi i statutit, dhënia fuqi mbretërore kryetarit, konsolidimi i po atij klani që ndau LDK-në; anashkalimi edhe i Kryesisë, deri ke marrëveshja me PDK-në; shkelja e amanetit të Presidentit Rugova “të mos lejohet ngritja e Hashimit në pozitë, sepse është i rrezikshëm për Kosovën”, fundosi rugovizmin në LDK-e, duke ruajtur vetëm emrin dhe braktisur përmbajtjen.
      “Me çfarë kuti matë Dauti”?!
     “Është difekt i madh rrëzimi i qeverisë së PAN-it”,- deklaroi anëtari i Kryesisë Skënder Hyseni, duke rënë në kundërshti të hapur me strukturat e partisë, përfshi edhe Kryesinë. Dhe, askush nuk e gjykoi. Përkundrazi, “në vend të kafshimit, e puthën”, duke e bërë  sekretar për marrëdhënie të jashtme të LDK-së.
     “Mos bërja e koalicion me VV-në, do të ishte gabim historik i LDK-së, – bëri thirrje Vjosë Osmani, përgjatë bisedimeve, pothuaj se, idioteske, për krijimin e qeverisë VV-LDK. Dhe, u bë nami! Krahasoni heshtjen e deklaratës fatale të Skënderit, me atë reale të Vjosës! Dhe, këtu vjen në shprehje ajo pyetja rimore: “Me çfarë kuti matë Dauti”?!
     Mocioni i mosbesimit, për vetërrëzim të Qeverisë VV-LDK, është një bllof i madh i LDK-së, përkatësisht, i klanit Mustafa. Bërja e Mocionit për Qeverinë Kurti, fillimisht, fshehurazi Vjosës dhe ndoca të tjerëve në Kryesi, flet për mujëshinë e klanit, nëntokën e tij, flirtet me PAN-in, mbrojtjen e interesave vetjake e grupore klanore. Dhe, kjo, tashmë, është e lexueshme dhe dëmton skajshëm LDK-në.

     Lëreni Vjosën në fisnikërinë e saj, merruni me problemin!
     Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, me klanin e tij, qëllimshëm, merren me Vjosën, gjithnjë në përgaditjen e anëtarësisë dhe të opinionit, për goditjen e saj. “Vjosa po kritikon, po sulmon LDK-në; po kundërshton zbatimin e vendimeve të saj!” “Zonja Osmani ka devijuar nga kursi që mbanë LDK-ja!” E deri ke thirrja për linçim: “Ata që kundërshtojnë vendimet e partisë, s`mund të mbajnë poste drejtuese!” Dhe, këtu kulmon faza e eleminimit politik. Mendje akademikësh, por, veprime e fjalë prapanice!
     Qëndrimet e Vjosa Osmanit nuk lidhën me individë të caktuar, por me një klan të stazhionuar, uzurpues të partisë dhe flirtues me PAN-istët, që i lidhë biznesi korruptiv. Për rrjedhojë, klani brenda Kryesisë të LDK-së, është fort i shantazhuar nga Hashimi dhe SHIK-u i tij. Sforcimi i presidentit aksidental, për ta bërë pjesë të Parlamentit NISMA-n dhe AKR, si dhe bërjen e zorshme të Qeverisë Hoti, nëpërmjet organizmave zyrtare, të përzgjedhura nga ai, (Hashimi), janë dëshmi e konspiracionit të pistë Isa-Hashim. 
     Pikërisht, këtu fillon plani për dështimin e koalicionit fitues! Këtu fillojnë edhe flirtet konspirative të klanit, brenda Kryesisë të LDK-së, me dy partitë të bandës PAN, përkatësisht, AAK dhe NISMA, madje, fshehurazi të partnerit LVV! Dhe, kjo e implikon dhe e vë në krye të fajësisë LDK-në, për prishjen e parathënë të koalicionit jetëshkurtër LVV-LDK. Taktizimet e tilla mashtruese, besëprera dhe skajmërisht të turpshme, nuk i ka njohur kurrë më parë LDK-ja.
     “Nuk kanë qenë kundërshtimet ndaj partisë, por, ndaj koalicioneve të gabuara, që fondamentin e kanë pasur në krim e korrupsion. LDK e ka ditur për qëndrimet e mia, para se të më kandidojë për kryeministre”, – deklaron Vjosë Osmani. Më qartë dhe më dinjitetshëm nuk ka si të shpjegohet.
     Realisht, Vjosa është mbrotësja më e madhe, më dinjitoze, pikërisht, e LDK-së dhe e elektoratit të saj. Ajo, me guximin intelektual dhe qytetar, edhe pse e vetme, po reziston, për ta mbrojtur LDK-në dhe Kosovën, nga oligarkët, tashmë, uzurpues të të gjithë spektrit partiak politik në Kosovë. Ata janë bashkuar, si kurrë më parë, në mbrojtje të pozitave të tyre partiake, pushtetare dhe biznesore. 
     Prova dhe fakte të reja dëshmojnë se prishja e koalicionit VV-LDK, Mocioni i mosbesimit, deri tek shkarkimi i Qeverisë Kurti, nuk ishte as taksa dhe as shkarkimi i një ministri. Të gjithë kësaj i priu marrëveshja konspirative Hashimi-Isa, me primatin drejtues dhe realizues presidentin fatal, të kurorëzuar me votat e LDK-së, nën presionin kriminal e rrugaçëror ndaj deputetëve të klanit Mustafa.
     Vjosa është prodhim natyral i rugovizmit të dlirë, parimor, stoik e konsekuent. Nëse 165 mijë votat e 6 tetorit 2019, ishin të LDK-së, si bartëse e listës zgjedhore, të 64 mijë votat e zgjedhjeve paraprake, ishin të Vjosë Osmanit. Sepse, ajo i fitoi këto vota, duke qenë e listuar me numrin rendor 81! Ndërkohë që votuesit mund t`i shpërndanin tek 99 kandidatët tjerë për deputetë.
     Shumësia e votave, besimi i madh ke Vjosa, sikur në gjallje të Rugovës, e shpëtoi LDK-në nga rënia e lirë që kishte, pikërisht, në prag të zgjedhjeve. Në këtë rënie LDK-në e kishte katandisur klani, brenda Kryesisë, në krye me mjeshtrin e kalkulimeve intriguese, Isa Mustafën. Simpatia e anëtarësisë dhe e elektoratit, deri në adhurim, për Vjosë Osmanin dhe brezin e Republikës, reformatorët në perspektivë të LDK-së, i tmerroi klanorët. Angazhimi i rinorëve, me frymëzimin rugovian, shtoi entuziazmin dhe ringjalli shpresën për rimëkëmbjen e LDK-së dhe shpresën për ndryshime në Kosovën tonë.
     Vjosë Osmani vendosi të jetë e drejtëpërdrejtë. Ajo nuk preferoi të bëjë diplomaci me anëtarësinë e LDK-së, me votuesit, elektoratin, popullin e Kosovës. Premtimin e dhënë e mbajti, nuk e bëri zhele, si klani i Mustafës. Dhe, vuri pikën mbi “i”, duke denoncuar paligjshmërinë drejtuese në partinë e Rugovës, në partinë e saj LDK-e. Me këtë denoncim zyrtar, risi për të gjithë skenën politike të Kosovës, të cilët e kanë plot gojën demokraci, por, në fakt, e kanë dhjerë atë, pikërisht, me rizgjedhjet partiake aklamative, 99 %-she, siç bënin Stalini, Hitleri, Enveri dhe soji i tyre kriminal e rrugaçërorë.
     Njerëzit që duan të vërtetën, më shumë se vetën, jo rrallë sfidohen në jetë. Megjithatë, asnjëherë në jetë nuk i kam bishtënuar sfidës. Në vitet `60-a, duke lënë modestinë me një anë, unë, natyrisht, me shokë, isha i pari që u përballa me pushtetin, me kërkesat që do të shpaloseshin në demonstratat e vitit 1968.
     Në Shqipëri, edhe pse isha student dhe mësues i privilegjuar, kundërshtova mungesën e demokracisë, diktaturën e egër staliniste dhe e pësova me humbjen e rinisë burgjeve politike.
     Në Kuvendin e 9-të Zgjedhor të LDK-së, duke parë maskaradën zgjedhore, ku u shkelën tri parimet bazë të demokracisë, si: debati i munguar; konkurrenca e përjashtuar dhe votimi i fshehtë demokratik i mohuar, isha kundërshtues i zëshëm i vetëm, me thirrjen e bërë në sallën e Kuvendit: O skllevër të shekullit digjital, këndelluni, mos heshtni, reagoni, kundërshtoni këtë maskaradë zgjedhore të klanit të Isa Mustafës! 
     Vuajtjen time jetësore, e kam kompensuar me ngushëllimin e madh se e vërteta ka qenë gjithëherë në anën time.

       Shpëtimi i LDK-së – legjitimimi i strukturave vendimmarrëse të saj 
     Andaj, ftoj anëtarësinë e LDK-së, Nëndegët dhe Degët e LDK-së, në Kosovë dhe Mërgatë, deputetët, Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë e LDK-së, ta lënë Vjosën në parimësinë dhe fisnikërinë e saj dhe të merren me problemin e madh, që e ngriti, pikërisht, rugovistja Vjosë: paligjshmërinë drejtuese të LDK-së, strukturat e saj, t`i bëjnë të ligjshme, nëpërmjet kthimit të statutit rugovian: debatit të lirë, konkurrencës së ndershme dhe votës së fshehtë demokratike.
     Klani Mustafa e ka mbushur kupën me kohë. Mes mëkateve tjera, e bëri Hashimin president; tërhoqi zvarrë veprimtarën më të shquar për Kosovën në Mërgatë Donikë Gërvallën dhe, së fundi, shkarkon Vjosë Osmanin, kurban të rugovizmit, simbol të parimeve dhe frymës rugoviane.
     Megjithatë, klani duhet ta pranojë humbjen. Të reflektojë dhe të bashkëpunojë me brezin e Republikës, reformatorët, për ta organizuar Kuvendin e jashtëzakonshëm Zgjedhor të LDK-së, për ta ligjësuar udhëheqjen e saj, me votën e fshehtë demokratike. 
     Klanorët aktual, me gjithë prapësitë e bëra, me “leçitjet” rankoviçiane dhe diferencimet millosheviçiane, fituesit e ardhshëm, me votën zgjedhore demokratike, nuk do ta kenë ndjenjën tuaj hakmarrëse. Përkundrazi, me fisnikërinë e tyre, me dashurinë, për LDK-në dhe Kosovën, do të jeni të trajtuar të barabartë, qoftë në procesin zgjedhor, qoftë në udhëheqjen e mëtejmë të partisë. Është në vartësinë tuaj, për të lënë edhe gjurmë pozitive, ashtu siç pranohet merita e udhëheqësit komunist Ramiz Alisë, qasja reale ndaj votës së lirë pluraliste. Shqiptarët harrojnë lehtë të keqen. Ata ia falën Alisë, edhe varjen në litar të bashkëvuajtësit tim, në Burgun e Burrelit, profesorin dhe poetin Avzi Nela, krejt në prag të demokracisë!        Thirrja e kryeparlamentares, Vjosë Osmani, në njerën nga seancat kuvendore të marsit, “ta heqim taksën, por, edhe presidentin, i cili, në konspiracion me Vuçiqin, po rrezikon Kosovën”, ngjalli zemratën e Hashim presidentit. Për tre muaj radhazi presidenti komplotoi kundër saj. Pjesë e këtij komploti u bënë edhe Mustafa me klanin e tij, si pulanë të lagur, në shërbim të Hashimit. Por, të fortë e mujësharë, brenda LDK-së, për të goditur cilindo që guxon të denoncojë pisllëqet e tyre. Klanorët festuan, në një restorant të Podujevës, shkarkimin e simbolit të partisë rugoviane, Vjosë Osmanin! Thonë se “turpi nuk ka mbytë askënd!” Edhe zvarranikët do vazhdojnë të frymojnë.
     Anëtarësia e LDK-së, e shpërfillur dhe e poshtëruar, nga uzurpatorët e partisë, pa fije legjitimiteti, është shokuar nga goditja e radhës. Të shantazhuar nga PAN-i dhe SHIK-u i tij, klani brenda Kryesisë të LDK-së, harroi dhe shqëlmoi, të paktën, 6 (gjashtë) premtimet e bëra përgjatë fushatës elektorale. Megjithatë, anëtarësia e LDK-së, por, edhe elektorati i zhgënjyer nga klanorët dhe abstenues në zgjedhje, duhet t`i bashkojnë forcat, për ta ringritur moralin dhe besimin në LDK-në klasike të kryetarit Rugova. E ardhmja u përket qendresëtarëve dhe assesi ikanakëve. LDK-ja ka qenë dhe mbetet e vetmja shtëpi e jona. Ndaj, ta ruajmë familjen tonë të madhe.      Mos harroni porosinë e Presidentit Rugova: “Ne s`kemi njerëz për të humbur”. Aq më pak luftarakën dinjitoze, Vjosë Osmani, e cila, së fundi, trazoi shpirtërat e krimit dhe kriminelëve, madje, pavarësisht përkatësive partiake: “Unë me Albinin, (por edhe me dreqin e të birin), do të luftoj, deri në fund, për çkapjen e shtetit të Kosovës!” Vjosa, tashmë, është dëshmuar për mbajtjen e premtimit, të besës së dhënë. Ndërkohë që Mustafa dhe Hoti thonë se “nuk kemi ardhur në pushtet, për t`i shkarkuar bordet!” Kauza, diametralisht, të kundërta me Vjosën. Dhe, “këtu flen lepuri!” Të tjerat janë zhurmime, për ta kamufluar një të vërtetë fort të hidhur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Idriz Zeqiraj, Pikat mbi "i", Vjosa Osmani

Dielli Sport-Kosova hap dyert, Shqiperia JO

June 24, 2020 by dgreca

Nga Albano Kolonjari/

Nga 28 Qershori sportdashesit kosovare mund tu drejtohen stadiumeve, palestrave sportive  dhe te ndjekin skuadren e tyre te zemres. Qeveria e Kosoves  në mbledhjen e dites se Marte 06/23/20,  ka  aprovuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për shfuqizimin e: 5. Pika 1.5 e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/07 të datës 11 mars 2020 me të cilin aktivitetet publike dhe jopublike kanë mundur të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut si: ngjarjet sportive, tubimet, konferencat, tryezat e rrumbullakëta.Ndersa Kosova ka hapur dyert e stadiumeve, ajo qe te ben pershtypje eshte heshtja e Qeverise Shqiptare dhe FSHF. Futbolli ne Shqiperi eshte rikthyer ne fushen e blerte, por tifozet kane ngelur jashte saj. Ne takimin Laci-Kukesi rreth 20 ultras laciane tentuan ta shikonin ndeshjen nga rrethinat e stadiumit, por ata u larguan nga policia, per shkak te grumbullimeve dhe mos ruatjes se distancimit social. Po keshtu edhe ne takimin Tirana-Vllaznia, tifozet bardheblu u larguan pasi u vendosen banderolat ne mbeshteje te ekipit. Ne Shqiperi futbolldashesit kane deshire te rikthehen ne stadiume, por Qeveria Shqiptare eshte duke u justifikuar me rritje ne numrit te te prekureve me Covid 19. Paralel me kete te ardhuart e klubeve nga shitjet e biletave jane zero, duke thelluar akoma me shume krizen financiare te klubeve. Ne Shqiperi ende nuk dihet se kur do te hapen dyert e stadiumeve, nderkohe qe dy klubet e Kryeqytetit kane kerkuar te derbi i madh Tirana-Partizani te luhet ne pranine e tifozeve. Nderkohe qe sportet e tjera ne Shqiperi vazhdojne te heshtin. Asambleja e Federates Shqiptare te Volejbollit pak dite me pare ka vendosur 23 Qershorin si afatin e fundit te pritjes per te vazhduar sezonin e lene pergjysem. Ne te njejten rryeme eshte edhe Federata Shqiptare e Basketbollit e cila eshte ne pritje te pergjigjes zyrtare nga Shendetesia dhe Qeveria. Gjithsesi Kosova eshte nder te pakta vende Europiane qe ka dhene OK per tifozet. 

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Kosova hap dyert, Shqiperia JO

Terren i pashkelur

June 24, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Në këtë botë nuk ka asgjë të re; asnjë pëllëmbë tokë të pashkelur. Paraardhësit kanë kaluar në të gjithë terrenin e shtrirjes së jetës njerëzore, duke e prekur me të gjitha shqisat, majat e larta deri poshtë në lugina. Për të gjitha gjërat ata kanë thënë fjalën e tyre dhe janë kujdesur për ‘to, njësoj si njerëzit e sotëm.

Thuhet se Solomoni i mençur përcaktoi se si, ku, kur dhe sa larg njera tjetrës duhej të mbilleshin pemët për të qenë prodhuese. Priftërinjtë romakë patën vendosur se sa shpesh një fermer mund të shkonte në tokën e fqinjit për të mbledhur frytet që binin nga pemët, për të mos lejuar që ato të prisheshin a shkeleshin. Dhe fermeri largohej paprekur a dëmtuar pjesën që i përkiste fqinjit. Hipokrati madje ka lënë udhëzime se si njeriu duhet t’i presë thonjtë, as më të shkurtër e as më të gjatë, duke caktuar edhe skajet e gishtërinjve.

Të gjitha sa njeriu provon gjatë jetës – hidhërime, gëzime, urrejtje, dashuri, mendime – janë po aq të lashta sa njeriu i parë, dhe përsëriten; këto janë masa me të cilat është matur edhe gjendja e tij që nga kohët më të largta. Por, është aftësia e njeriut që kurrë nuk është matur. Po t’a dinin se si, me siguri të parët tanë do ta kishin matur, dhe ne sot do të dinim gjithashtu ta masnim – – është terreni i vetëm i pashkelur.

Kështu, njeriu nuk duhet gjykuar se çfarë mund të bëjë ose të mos bëjë, sepse kjo nuk është provuar ose nuk dihet. Cilat do qofshin dështimet e tua tani, mos u mërzit, sepse nuk ka njeri që është në gjendje të thotë se ke dështuar në atë që vetëm t’i e di se si dhe sa shumë ke punuar, je munduar me trup, zemër, mendje e papushim.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Terren i pashkelur

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT