• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

KOSOVA NË BETEJËN NDAJ PANDEMISË GLOBALE COVID -19

June 22, 2020 by dgreca

Prof. Dr. Naser Ramadani, Kryeepidemiologu i zbatimit të Strategjisë së luftimit të COVID-19 në Republikën e Kosovës, Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Republikës së Kosovës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën e shtetit të Kosovës dhe strategjinë shtetërore në luftën ndaj Covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.

INSTITUTI KOMBËTAR I SHËNDETËSISË PUBLIKE TË KOSOVËS: PARAROJË E SHËNDETIT TË POPULLATËS: DJE, SOT DHE NESËR!

Në përballje me pandeminë COVID-19 këtë muaj kemi shënuar 95 vjetorin, ditën kur në kuadër të adresimit të problemeve shëndetësore dhe të përkujdesjes amerikane ndaj popullatës së këtij rajoni të Evropës, Fondacioni i shquar humanitar nga SHBA “Rockfeller” do të mbështesë themelimin e Shërbimit Higjieniko-Epidemiologjik edhe në Pejë. Ky shërbim do të fillojë punën më 5 qershor të vitit 1925 dhe kjo datë konsiderohet se shënon fillet e veprimtarisë së Mjekësisë Preventive në Kosovë, prandaj edhe shënohet si ditë festive e themelimit të Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Në këtë datë, gjithsesi na duhet të kujtojmë periudhat e gjendjes së rëndë dhe rrethanave shëndetësore jashtëzakonisht të vështira nëpër të cilat ka kaluar popullata e Kosovës dhe njëkohësisht përpjekjet e vazhdueshme në mbrojtje dhe përmirësim të shëndetit të kësaj popullate nga profesionistët e shëndetit publik nëpër dekada. Kujtojmë periudhën e gjendjes së rëndë dhe rrethanave shëndetësore jashtëzakonisht të vështira gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XX dhe Kosovën e shkatërruar tërësisht pas Luftës së Dytë Botërore, me kushte jetese katastrofike kur shërbimet shëndetësore nuk funksiononin pothuajse fare e nga ana tjetër sëmundjet ngjitëse bënin kërdi. Është viti 1948 që në historikun e zhvillimit të shëndetësisë publike në Kosovë do të shënojë themelimin e Entit për Mbrojtje Shëndetësore të Kosovës dhe më pastaj do të vazhdohet me zhvillimin e rrjetit të organizuar të enteve rajonale në Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë e Ferizaj. Më tutje, me themelimin e Fakultetit të Mjekësisë më 1969 do të ngriten kapacitetet profesionale të fushës së shëndetësisë dhe do të trajnohen profesionistë të fushës së shëndetësisë publike që do të mbështesin punën në zhvillimin e rrjetit të institucioneve të shëndetit publik dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të popullatës në Kosovë. Në dekadën e fundit të shekullit XX Kosova fatkeqësisht do të përjetojë rrënimin e sistemit shëndetësor, i cili u shkatërrua rëndë gjatë luftës së fundit të viteve 1998/1999. Ndërsa, periudha e pasluftës në Kosovë do të shënojë riorganizimin e sektorit të shëndetësisë publike, në një proces të reformave që do të përcillen me arritjen e rezultateve të cmuara në fushën e shëndetësisë publike në vendin tonë. Për gjithë këto vite Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike si institucion i lartë shëndetësor, profesional dhe shkencor i Kosovës me veprimtarinë e vet ka zbatuar me sukses strategjinë e shëndetit publik. Në vazhdën e rezultateve të shënuara në shëndetësinë publike duhet përmendur se me zbatimin e programit të zgjeruar të imunizimit janë shënuar suksese evidente në luftimin e shumë sëmundjeve infektive, vaksinë-preventabile duke u radhitur ndër vendet me suksesin më të lartë në mbrojtjen e fëmijëve me vaksinë. IKSHPK bën përpjekje të vazhdueshme në luftimin e sëmundjeve kronike jongjitëse përmes kontrollit të faktorëve të riskut dhe aktiviteteve të promovimit dhe edukimit shëndetësor. Në kuadër të IKSHPK zhvillojnë veprimtarinë laboratoret moderne të akredituara dhe certifikuara të Mikrobiologjisë, Qendra e Laboratoreve Testuese dhe Qendra Kombëtare e Gripit. IKSHPK ka realizuar, poashtu, një varg projektesh shkencore dhe ka një bashkëpunim të gjerë dhe të afërt me institucione ndërkombëtare në fushën e shëndetit publik. Në veprimtarinë e vet IKSHPK kujdeset për implementimin e të gjitha rekomandimeve të OBSH dhe ECDC në lëminë e shëndetësisë publike. Duke pasur parasysh të gjitha të arriturat, sukseset e në vecanti sfidat e mëtejme që kemi përpara, konstatimi ynë i përbashkët në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike do të ishte i shkurtër: Të shfrytëzohen të gjitha resurset dhe të gjitha të arriturat shkencore në mbrojtje të shëndetit të popullatës dhe t’i jepet prioritet shendetësisë si dega më rentabile e ekonomisë. Sepse jeta e njeriut nuk ka cmim, por ka vlerë. Duke qenë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës me veprimtarinë e vet mund të konsiderohet pa modesti si një pikë e ndritshme e shëndetësisë kosovare, në këtë ditë solemne theksojmë edhe njëherë se mbetemi të përkushtuar të vazhdojmë angazhimin tonë në mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës me Qendrat e veta Rajonale gjithandej Kosovës, do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në angazhimin e vet bashkë me të gjitha institucionet e vendit për të përmbushur vizionin për një popullatë të shëndoshë, në mjedisin e shëndoshë, në një shtet të shëndoshë.

KOSOVA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Duke qenë se përgatitjet për parandalim i kemi filluar qysh në janar ne menjëherë në fillim shkurti kur kemi filluar me diagnostikimin laboratorik të rasteve, dhe përcjelljen e situatës epidemiologjike, kemi bërë planin e gatishmërisë, gjegjësisht strategjinë e situatës epidemiologjike dhe parashikimet e mundshme me krejt scenariot e mundshme. Çdo gjë që është bërë në planin e gatishmërisë dhe përgjigjes deri më tani, neve në prognozë na ka shkuar në përpikëri, në vijat dhe në konturat e asaj që është planifikuar, në suaza të situatës epidemiologjike. Andaj sot përkundër numrit të rritur tërasteeve situatën epidemiologjike e kemi nën kontroll dhe është e qëndrueshme dhe e përballueshme, duke vazhduar gjurmimin epidemiologjik tëtë gjitha rastet dhe kontaktet e dyshimta. Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve. Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët. Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar. Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve. Instituti Kombëtari Shëndetësië Publike të Republikës së Kosovës do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në zbatimin e Planit të Veprimit të Planit të Gatishmërisë dhe Reagimit kundër koronavirusit Covid-19, dhe të ruaj shëndetin publik të popullatës. E ardhmja e COVID-19 akoma nuk është e qartë, por duke u bazuar në njohuritë shkencore dhe përvojat e fituara muajt e fundit, jemi duke shkuar drejt një vetëdijesimi i të jetuarit me virusin sikurse që kemi me jetu me një numër të madh të mikroorganizmave nënje simbiozë. Ky konstatim na bënë të mos kemi vend për vetëkënaqësi por të vazhdojmë të punojmë në strategjinë e pëergjithshme të shëndetësisë publike për të ruajtur shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

SITUATA EPIDEMIOLOGJIKE DHE GJURMIMI “AGRESIV” I TË GJITHA RASTEVE

Situata epidemiologjike nën kontroll dhe gjurmimi “agresiv” i të gjitha rasteve të kontaktit ka bërë që ta kemi situatën nën kontroll që nga shfaqja e rasteve të para më 13 mars të këtij viti. Pastaj gjithsesi rekomandimet pë përkufizimin e lëvizjes tëmbështeturë në rekomandimet e OBSH të cilët praktikisht kanë ngërthyer përvojat e të gjithë shteteve të avancuara perëndimore, dhe përvojat autoktone të Kosovës. Kosova tashmë ka një përvojë të shkëlqyeshme në parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe puna ekipore e epidemiologëve, specialistëve të shëndetësisë publike dhe të gjithë profesionistëve shëndetësor ka dëshmuar se një shtet me sistem shëndetësor të brishtë mund t’i bëjë ballë edhe sfidës më të rëndë që e ka kapluar njerëzimin pandemia COVID-19. Suksesi padyshim i faturohet strategjisë së Institutit Kombëtar të mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë, profesionistë shëndetësor dhe zbatimit të rekomandimeve nga ana e qytetarëve të Republikë së Kosovës. Kosova padyshim sot rangohet ndër shtetet më të suksesshme në botë në ballafaqim me pandeminë e që për këtë flasin edhe indikatorët epidemiologjik por në radhë të parë kemi vdekshmërinë tejet të ulët që asnjëherë nuk e ka tejkaluar 3% dhe sot aktualisht kemi njeCaseFatality Rate 1.68%. Numri i të hospitalizuarëve me COVID-19 nuk e ka tejkaluar asnjëherë 20 % të numrit tëpërgjithsëm të rasteve me çka kemi parandaluar mbingarkesën e kollabimin e sistemit shëndetësor. Përkujdesja e pacientëve është bazuar në të gjitha protokolet e përdorura në shtetet e avansuara perëndimore. Rastet aktive(80%) e tyre me simptomatologji të lehtë janëpërcjellur në terren nga Ekipet e Epidemiologëve dhe mjekësisë familjare. Të gjitha institucionet relevante shtetërore poe vlerësojnë lartë rolin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në ballafaqim me pandeminë dhe rekomandimet për Ministrinë e shëndetësisë që kanë pasur efekt të faktuar në parandalimin e sëmundjes. Bazuar në Rekomandimet e Institutit Kombëtar dhe OBSh në nivelin kombëtar nga të gjitha institucionet janë ndërmarrë masa të kontrollit të parandalimit të infeksionit duke ngritur maksimalisht nivelin e vigjilencës dhe gadishmërisë për veprim në situatën e krijuar, duke bërë kontrollin maksimal dhe inspektimet në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit, ku të gjitha rastet e dyshimta klinikishtjanë raportuar nga të gjitha Institucionet Publike dhe Private Shëndetësore duke paraqitur në kohë reale situatën epidemiologjike me COVID-19, janë përgatitur dhomat e veçanta (posaçërisht në Klinikën Infektive të QKUK-së si dhe Institucionet tjera Spitalore te vendit), ku personeli shëndetësore ka përdoë masa mbrojtëse konform udhëzimeve dhe protokoleve spitalore. Të gjitha mostrat e dërguara për konfirmim laboratorik në Institutin Kombëtar i cili po punon nga fillimi në tri ndërrime me njësterngarkesë por me një motivim mbinatyror të përballet me të gjitha kërkesat i balafaqur me mungesë te stafit dhe materialit laboratorik por duke testuar tëgjitë personat me indikacione epidemiologjike.

GATI PËR VALËN TJETËR TË VIRUSIT

Duke pasur parasysh se tashmë jemi ballafaquar me pandeminë tëpërgaditur qysh nga janari i këtij viti dhe kemi suksese evidente dhe të matshëm me indikastorët epidemiologjik, gjithsesi se në këtë kronologji kohore kemi fituar përvoja të reja dhe kemi bërë edhe përgaditjet e nevojshme për tu ballafaquar edhe me ndonjë valë tjetër të COVID-19. Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të shfaqjes së rasteve të reja, të gjithë profesionistët shëndetësor janë në krye të detyrës duke përmbushur të gjitha obligimet ligjore, profesionale dhe etike si dhe të përmbushen të gjitha rekomandimet e Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë për luftimin e COVID-19. 

NDËRGJEGJËSIMI QYTETAR NDAJ MASAVE ANTI-COVID

Që nga fillimi i shfaqjes së rasteve të para me COVID-19, qyteraët iu janë bashkangjitur thirjeve për ndërmarrjen e masave dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar me një qytetari të lartë.  Qëkur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave. Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet kanë kaluar muajin prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, kemi rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë të ndërmerren masa të redukimit të stafit të sektorëve ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim, ndërsa bartja e maskave mbetet obligative! Këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajten e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve. Si pasojë e mos bartjes së maskave rrezikohet shëndeti i qytetarëve dherëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar. Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme sipas planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve. IKSHPK e kupton shqetësimin e secilit qytetar për statusin e gjendjes së tij shëndetësore kur ata rezultojnë pozitiv në SARS CoV-2, por qytetarët duhet ta marrin seriozisht apelin tonë për t’i zbatuar me përpikëri rekomandimet dhe bartjen e maskave në vende ku ka grumbuj njerëzish. Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura. Duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve për shërbime shëndetësore, bëjmë apel te punëtorët shëndetësor t’iu përmbahen rekomandimeve të IKSHPK në aplikimin e masave mbrojtëse duke ruajtur kështu shëndetin e tyre, të pacientëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit. Rekomandojmë SHSKUK të redukojë shërbimet dhe të ndalojë rreptësisht hyrjen e përcjellësve në reparte, shërbime specialistike dhe klinika. Përpjekja e madhe e përbashkët e derisotme mund të na shkojë huq për shkak të pakujdesisë së mos përmbajtes së tri rregullave themelore, të cilat duhet të jenë përditshmëri e jona edhe pa pandemi, e që nënkupton: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve me kujdes disa herë në ditë, për 20-30 sekonda.

SITUATA E PAQËNDRUESHME POLITIKE DHE LUFTA NDAJ COVID

Për të matur çdo fenomen e aq më tepër një impakt të faktorëve në një pandemi të tillë me shumë të panjohura ështe shumë vështirë. Sidoqoftë faktori politik mund të ketë ndikim në të gjitha poret e jetës varësisht nga qasja dhe këndvështrimi i ghithësecilit, por në ruajtjen e dhe ndikimin e virusit në shëndet padyshim se rol më të madh luajnë qytetarët të cilët janë të vetëdijshëm pë efektet e dëmshme dhe fatkeqësisht me pasoja fatale të grupeve vulnerabile. Në bazë të situatës aktuale epidemiologjike krahasuar edhe me situatën në botë situata politike mund të ketëimpakt më shumë në konfrontimet e panevojshme në rrjetet sociale por nuk ka pasur konfrontime profesionale asnjëherë kur është në pyetje shëndeti i njeriut.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Të jesh sot epidemiolog në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve do kurajo dhe të marrësh përsipër tërë rrezikun për tërë popullatën dhe jo vetëm. Epidemiologët gjurmojnë dhe hetojnë në çdo kohë ditën, natën, pa orar. Simboli i epidemiologëve jo më kot është këpucat më tabane të shlyera. Por në këtë pandemi epidemiologët e Kosovës kanë kombinuar epidemiologjinë klasike të terrenit, nëpër baltë, shi e borë me epidemiologjinë modern të teknologjisë së kohës. Epidemiologët dhe mikrobiologët e Institutit Kombëtar po punojnë pa orar të caktuar me një mesatare ditore 15 orë here here deri 20 orë i njejti ekip i cili udhëheq ne dhomën operative te Institutit Kombëtar. Epidemiologu sot në tokatshqiptare ka krijuar kultin e mbrojtësit të shëndetit gjithë kombëtar e Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike mbetet pararojë e shëndetit të popullatës: Dje, Sot e Nesër. Kam një nostalgji të veçantë për lexuesit e Diellit dhe diasporën ne SHBA dhe me mall i përkutoj themeluesit e Federatës Panshqiptare VATRA, të madhin Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Marko Adams dhe Paskal Aleksi. Andaj bashkëndjej me ju të cilët gjeografikisht jeni larg po shpirtërisht jeni të gjithë me ne! Jeni të mirëseardhur gjithmonë në tokat arbërore!

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, Prof.DR. Naser Ramadani, Sokol Paja

ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË REPUBLIKËN E SËRBISË, NË VITIN 2020

June 22, 2020 by dgreca

Nga Gjokë Dabaj/
U dha lajmi që, për parlamentin e ardhshëm të Republikës së Sërbisë, votuan edhe sërbët që jetojnë në Republikën e Kosovës. Duke votuar për parlamentin e Republikës së Sërbisë, këta sërbë e pohuan me votën e tyre se janë banorë të ardhur në Republikën e Kosovës. Ata vërtetuan kështu se janë imigrantë në Republikën e Kosovës dhe, si të tillë, doemos kanë të drejtë të votojnë për atdheun e tyre, në të cilin edhe mund të kthehen një ditë.
Vetë emri i tyre sërbë (srbin) dëshmon që ata janë me prejardhje nga Sërbia. Ashtu si vetë emri malazias (Crnogorac) pohon se ata janë të ardhur nga Mali i Zi.
Tani unë nuk e di: A kanë votuar për parlamentin e Republikës së Sërbisë sërbët e Segedit në Republikën e Hungarisë, sërbët e Timishuarës në Republikën e Rumanisë, ata pak sërbë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë Veriore, ata që e quajnë veten sërbë në Malin e Zi të sotmin, ata boshnjakë pravosllavë që e quajnë veten sërbë në Republikën e Bosnjë-Hercegovinës?
Veç kësaj, unë nuk e di: A kanë votuar sot për parlamentin e Republikës së Sërbisë sërbët që jetojnë në Gjermani, në Zvicër, në Francë, në Skandinavi, në SHBA, në Kanada? Nëse po, atëherë s’ka asgjë të keqe që edhe sërbët në Republikën e Kosovës votuan si popullsi e ardhur, e cila atdheun e vet e ka në Republikën e Sërbisë.
Aq më tepër kur të gjithë e dimë që ka edhe shqiptarë të cilët kandidojnë për t’u votuar në disa vende të Evropës, si edhe në SHBA e Kanada. Jo vetëm në Evropën Perendimore e në SHBA, por edhe në Republikën e Greqisë dhe në Republikën e Turqisë, ka shumë shqiptarë që kandidojnë në parlamentet përkatës dhe kjo, pa dyshim, është gjë e mirë. Sigurisht, nëse deklarohen si shqiptarë e jo të jenë shqiptarë e të deklarohen turq apo grekë. Në këtë pikë, shqiptarët dhe arvanitët që jetojnë në Republikën e Greqisë, si dhe shqiptarët që jetojnë në Republikën e Turqisë, duhet të marrin shembull prej sërbëvet, të cilët kam përshtypjen se asnjëherë nuk regjistrohen si shqiptarë dhe rrallëherë si rumunë, hungarezë, suedezë, gjermanë.
Me këtë rast duhet bërë edhe një dallim midis shqiptarëvet të Anamoravës, që sot kanë votuar për kandidatët e vet në parlamentin e Republikës së Sërbisë dhe sërbëvet, banorë aktualë të Republikës së Kosovës, që gjithashtu votuan për atë parlament. Sërbët e Republikës së Kosovës janë të ardhur, janë imigrantë, siç e thashë dhe siç edhe ata vetë e dinë, kurse shqiptarët e Anamoravës janë vendës, trashëgues historikë të iliro-dardanëvet, prej mija vjetësh në Anamoravë. Mjafton të përmendim vetëm kaq: As Konstantini i Madh, as Justiniani i Madh, që janë perandorë ilirë, nuk kanë qenë të ardhur në këto anë, por ishin vendës. Ndërsa Nemanjiqtë, filluar nga Stefan Nemanja deri te Car Dushan Sillni, që të gjithë kanë qenë pushtues të tokavet tona.
Së fundi, duhet të shënojmë këtu edhe një dedukcion tjetër: Nëse sot nuk kanë votuar për parlamentin e ri të Republikës së Sërbisë, përveç sërbëvet që jetojnë si imigrantë në Republikën e Kosovës, edhe sërbët (apo ata që e quajnë veten sërbë për shkak të përkatësisë fetare pravosllave), në Seged, në Timishuarë, në Republikën e Bosnjë-Hercegovinës, në Republikën e Malit të Zi, në Evropën Perendimore, në SHBA dhe në Kanada, atëherë është shumë keq për kombin sërb. Është shumë keq, madje s’ka ku të vejë më keq, për Sërbinë dhe për kombin sërb, sepse, duke e konsideruar Republikën e Kosovës si “pjesë të Sërbisë”, udhëheqja sërbe, e dirigjuar prej një kaste kallugjerësh mjekërroshë, të dehur, sarhoshë e xurxull gjithë jetën, po e çon kombin sërb drejt një vetëhumbjeje katastrofale.
Askush nuk do të mund ta ruajë Sërbinë nga një asgjësim total, nëse do t’i hyjë aventurës për të zgjatur thonjtë mbi cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës, le më mbi krejt këtë shtet, i cili është ndërtuar mbi gjakun dhe eshtrat e qindra mijë shqiptarëvet!
Sërbët duhet ta dinë se nuk është më, as gjysma e dytë e shekullit XIX, as gjysma e parë e shekullit XX! Sërbët duhet ta dinë që, ky vit i zgjedhjevet të tyre, është viti 2020!

21-22 qershor 2020.         

Filed Under: Analiza Tagged With: Serbi, zgjedhjet Parlamentare

Partizani shet “Kapitenin”

June 22, 2020 by dgreca

Lorenc Trashi/

Dielli-Sport/

Partizani shet “Kapitenin”/

Nga Albano Kolonjari/Bridgeport CT-USA/

Albano Kolonjari/

Mbrojtësi i Partizanit dhe Kombëtares Shqiptare Lorenc Trashi, do të luajë për skuadrën Al Qadsia të Kuvajtit. Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e FK Partizanit në Facebook . Sipas të kuqve “Kapiteni” i Partizanit ka arritur një marëveshje me titull definitiv per një periudhë pesë vjecare me ekipin elitar të Kuvajtit. Klubi i Partizanit nuk e ka bërë të ditur shumën e transferimit por mendohet se ajo është rreth 600 mijë euro, dhe kjo e mbështetur në vlerën e kartonit të lojtarit. Lorenc Trashi fitoi sezonin e kaluar Titullin Kampion me Partizanin dhe Super Kupën e Shqipërisë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për fitimin e ketyre dy trofeve. Falë paraqitjeve të tij në Kampionatin Shqiptar, tranjeri i Kombëtares Edi Reja e ftoi atë në Kombëtaren Shqiptare. Lorenc Trashi është kapiteni i dytë i Partizanit. 

Kush është Al Qadsia?

Klubi i Al Qadsia është formuar 60 vjet më parë më 20 Tetor 1960. Al Qadsia ka fituar titullin Kampion ne Kuvajt 17 herë, më shumë se cdo skuadër tjetër. Rivali i Al Qadsia eshtë Al-Arabi me 16 tituj kampion, dhe Kuwait SC me 15 tituj kampion. Këtë sezon AL Kuwait dhe AL Qadisa kryesojnë Ligën e Kuvajtit me nga 30 pikë. Qadsia luan në stadiumin Mohammed Al Hamad me një kapacitet prej 22 mijë vendesh. President i ekipit është Khaled Fahad Ahmand ndërsa tranjer është spanjolli Pablo Franco. Sezoni i fundit që Al Qadisa ka fituar titullin Kamoin ështe sezoni 2015-2016.

Kush eshte Lorenc Trashi?

Loren Trashi ka lindur në qytetin e Gramshit më 19 Maj 1992. Ai luajti për skuadrën e qytetit të tij, Gramshit për katër sezone, ku në 90-të ndeshje shënoi 8 gola. Në sezonin 2013-2014 luajti për FK Lushnja në në 27 ndeshje shënoi 6 gola. Në vitin 2014 do të transferohet tek Partizani me të cilin luan rreth 190 takime duke shënuar 11 gola. Vitin e kaluar veshi bluzën e ekipt Kombëtar duke u aktivizuar në 3 ndeshje dhe shënuar një gol. Roli i tij i preferuar është ai i mbrojtësit të majtë, por shpesh herë Trashi luan edhe në mesfushë. 

NJOFTIMI I KLUBIT:

Klubi njofton sot arritjen e marrëveshjes të transferimit me titull definitiv të Lorenc Trashit në ekipin Al Qadsia Sporting Club të Kuvajtit. Për shkak të kufizimeve të lëvizjeve drejt Kuvajtit, situatë e krijuar nga COVID-19, Lorenc Trashi pritet ti bashkohet ekipit 16 herë kampion të Premier Ligës së Kuvajtit sapo këto kufizime do të hiqen.

Titullari i kuq, pasi të kryejë vizitat mjekësore do të bashkohet me klubin Al Qadsia, me të cilin ka nënshkruar nje kontrate 5 vjeçare. 28 vjeçari i cili u shpall kampion i Shqipërisë dhe fitoi edhe trofeun e Superkupës me Partizanin, do të jetë në dispozicion të skuadrës edhe për disa ndeshje për këtë sezon futbollistik, për të vijuar më pas aventurën e tij të re në Kuvajt.

Pas 6 vitesh me të kuqtë skuadër me të cilën dhuroj performanca shumë pozitive, duke qenë njëkohësisht edhe pjesë e ekipit tonë përfaqësues, Trashi tashmë do të provoj edhe eksperiencën e tij të parë jasht vendit në radhët e Al Qadsia Sporting Club klubi më i titullar në futbollin e Kuvajtit. FK Partizani dëshiron të falënderoj Lorenc Trashin për kontributin që ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve me fanelën e kuqe duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në aventurën e tij të re.

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Lorenc Trashi, partizani, Shet Kapitenin

KOSOVA, ÇMIME NË DITËN BOTËRORE TË MUZIKËS

June 21, 2020 by dgreca

-Në Ditën Botërore të Muzikës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall çmimet në këtë fushë. Ministrja Vlora Dumoshi, ka marrë vendim që çmimi për vepër jetësore “Niketë Dardani” t’i ndahet kompozitorit Vinçenc Gjini…/

PRISHTINË, 21 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/ Sot, më 21 qershor, shënohet Dita Botërore e Muzikës e njohur me emrin “Fête de la Musique” (Festivali i Muzikës). Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për nder të kësaj dite, shpall laureatët e çmimeve vjetore në fushën e muzikës, konkretisht Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” si dhe çmimet tjera vjetore në këtë fushë.

Në bazë të vlerësimeve të Jurisë Profesionale për ndarjen e çmimeve në fushën e muzikës, ministrja Vlora Dumoshi, ka marrë vendim që çmimi për vepër jetësore “Niketë Dardani” t’i ndahet kompozitorit Vinçenc Gjini, me motivacionin e profesionistit muzikor të shumanshëm dhe kontributit gjysmë shekullor në fushën e muzikës. 

“Fillimisht dua t’i uroj të gjithë muzikantët, artistët e profesionistët muzikorë, kompozitorët dhe tërë muzikdashësit për Ditën Botërore të Muzikës. Edhe Kosova i bashkohet vendeve tjera të Botës me shënimin e kësaj dite. Të gjithë fituesve ua uroj çmimet. Këto shpërblime shtetërore të cilat ndan MKRS-ja janë një mirënjohje dhe falënderim për punën të cilët këta artistë e profesionistë të muzikës e kanë krijuar duke kontribuar në kultivimin e vlerave të mirëfillta muzikor. Gjithashtu, dua t’i falënderoj anëtarët e Jurisë Profesionale për vlerësimet e tyre, të cilët nuk e kanë pasur të lehtë të përzgjedhin më të mirët në mesin e kandidatëve”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Çmimet tjera vjetore nga fusha e muzikës janë siç vijon: 

Çmimi për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike i ndahet kompozitorit Valton Beqiri, për veprën “Rrugëtimi”, si vepër madhore kombëtare e cila trajton motivin e qëndresës përmes larmisë muzikore të etnosit shqiptar; 

Çmimi për vepër orkestrale-simfonike dhe koncertante i jepet kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, për veprën “Koncert” për kitarë dhe orkestër, për marrëdhënien dinamike të vazhdueshme dhe bashkëvepruese mes instrumentit solistik dhe orkestrës; 

Çmimi për vepër kamertale i ndahet kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Trance” për orkestër harqesh për kompaktësinë dhe gjetjen kompozicionale; 

Çmimi për vepër korale i jepet kompozitorit Hajrullah Syla për veprën “Ubi Caritas” për kor miks për këndvështrimin origjinal të kompozimit;

Çmimi për veprat solistike dhe duo i ndahet kompozitorit Mehdi Mengjiqi për veprën “Discantus” për kontrabas solo për risjelljen e vlerave të “discantusit” në kohën moderne përmes ruajtës së kontekstit formal.

Të gjitha çmimet shpërblehen edhe me shuma financiare sipas rregullores për çmimet për muzikë. Gjithashtu, parashihet që të organizohet edhe një ceremoni solemne për ndarjen e këtyre çmimeve, por për shkak të rrethanave të pandemisë, ceremonia do të organizohet në një datë të përshtatshme.

Juria profesionale e cila ka bërë shqyrtimin dhe analizimin e veprave muzikore të paraqitura në konkurrim ka qenë në përbërje të kompozitorit Prof. Dr. Vasil S. Tole – kryetar, kompozitorit Rafet Rudit dhe kompozitorit e dirigjentit Baki Jashari – anëtarë.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Boterore te Muzikes, Cmime ne Diten

Tre artistë-kolosë pa statuja-Nëse jo tani, atëherë kur?!

June 21, 2020 by dgreca

Shkruan: Melsen Kafilaj/

Njëherë, një mëndje brilante evropiane, historiani holandez Johan Huizinga u shpreh kështu: “Nëse duam që ta ruajmë kulturën, ne duhet të vazhdojmë që ta krijojmë atë.”Befas ky mendim iluminues më erdh ndër mënd kur konstatova se tre artistë-kolosë, artistë nga ata të cilët numërohen me gishtat e dorës dhe që i kanë dhënë kaq shumë këtij vendi fatkeqësisht janë lënë në harresë dhe nuk u është kushtuar respekti i duhur pas vdekjes për kontributin e tyre.Por a mund të lihen në harresë artistë të mëdhenj të një Kombi si ata?! Ata që veshi e syri estetik shpirtëror s’ka sesi të mos dridhet dhe emocionohet kur është në prani të veprave të tyre.

A mund të lihet në harresë kompozitori i madh Pjetër Gaci, ai i cili përmes këngës së pakohë “Për ty Atdhe” i gdhëndi kombit tonë një monument të përjetshëm dashurie?!Ai që ka kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptare?!Si është e mundur vallë që gjatë gjithë kësaj kohe që ka kaluar nuk është kujtuar kush nga ana institucionale që të propozoj a marr ndonjë nismë praktike për realizimin e një monumenti në bronz për kolosin Pjetër Gaci?! Kombi ynë ka një obligim moral ndaj tij, ndaj tij dhe ndaj të Ardhmes.Sepse Gaci nuk është vetëm një artist, por një simbol atdhedashurie i cili duhet të përforcohet në memorien tonë kombëtare dhe ti bëhet nderimi i duhur.

Që ne jemi një nga kombet i cili e përdor më shpesh kujtesën afatshkurtër, ky tashmë është një fakt.O ironi e Fatit! O marrëzi e kësaj kohe!Po si është e mundur vallë që babai i skulpturës shqiptare, ai i cili realizoi mbi 600 vepra arti, midis të cilave skulpturat e Kristoforidhit, Fan Nolit dhe ato të Heroit Tonë Kombëtar Skënderbeut, ky komb ta lër në harresë dhe të mos i skalit një skulpturë?!Si është e mundur vallë që të madhit Odhise Paskali, atij të cilit veprën e parë “I Urituri”(mjaft e fuqishme për nga shprehia emocionale) Italia (Atdheu i Artit Botëror) ia rrëmbeu si plaçkë lufte ndërsa vepra tjetër i qëndron madhështore në Mauthausen të Austrisë si shënjë triumfi e koalicionit të Humanizmit kundër Nazizmit, pikërisht këtij artisti veprat e të cilit janë vendosur  në disa sheshe kryesore të qyteteve shqiptare të mos ketë një monument për nder të tij, i vendosur ky i fundit përpara Galerisë Kombëtare të Arteve ose Universitetit të Arteve si dy vëndndodhje sinjifikative?! Mendoj se Paskali ynë ka bërë mjaftueshëm për këtë vend aq sa në mënyrë honorifike ky i fundit ta nderoj dhe t’ju dëshmoj brezave pasardhës për trashëgiminë e tij.

Por ka edhe më akoma.Së fundmi,Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit sapo është rikonstruktuar.Një punë që duhet vlerësuar.Po pse të mos ketë përpara tij një bust të divës Marie Kraja, këngëtares së mrekullueshme lirike të mbi 300 këngëve tona popullore, përfaqësuese dinjitoze e Shqipërisë në “Mbrëmjen e Kombeve” në Vjenë, gur-themel i këtij institucioni (TKOB) dhe pjesmarrëse në operën e parë shqiptare “Mrika”?! A nuk e meriton vallë një nderim të tillë një artiste-kolose e cila ia kushtoi gjithë jetën emancipimit të kësaj shoqërie përmes muzikës dhe veprimtarisë së saj pedagogjike?! A nuk është një shënjë e lartë kulture dhe emancipimi për një komb i cili figurat e veta më prominente femërore ti ngrej në piedestal dhe ju mësoj ndër breza fëmijëve të vet se progresi i një shoqërie varet nga edukimi, respektimi dhe energjia jetësore që rrezaton një grua?! Fatkeqësisht bustet e personaliteteve femërore kulturoro-shkencore në vendin tonë janë të rralla ose thuajse mungojnë fare por është koha për të vetreflektuar dhe bërë një hop cilësor edhe në këtë drejtim.

Për tu kthyer edhe njëherë tek Huizinga.Personalitetet kulturoro-shkencore të një kombi duhen respektuar, trajtuar me dinjitet dhe mbrojtur me fanatizëm.Modelimi dhe realizimi i busteve për to është një akt fisnik në shërbim dhe mbrojtje të kulturës tonë kombëtare i cili duhet realizuar sa më parë.Në të tillë mënyrë krijojmë kulturë për brezat, jo vetëm për njohjen e këtyre personaliteteve dhe lidhjen e tyre me kujtesën tonë kolektive por i shtojmë hapësirave publike edhe tre vepra të tjera arti, tre vepra të cilat nëse i kundron përditë e nga pak mund ta bëjnë Homo Albanicus tonë paksa  më të mirë dhe më reflektonjës ndaj Atdheut sesa është në apatinë e tij të zakonshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Melsen Kafilaj, pa statuja, Tre artiste-Kolose

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT