• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

COVID-19, SA E RREZIKUAR ËSHTË POPULLSIA GJATË PROCESIT TË RIHAPJES

June 16, 2020 by dgreca

Dr. Gani Abazi/

Dr. Gani Abazi, Magjistër i Shëndetit Publik, Universiteti i Harvardit, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, për pandeminë globale Covid-19, rrezikun që i kanoset botës aktualisht, për masat dhe kujdesin për rihapje dhe kthim në normalitet, lehtësimin e masave parandaluese dhe për kujdesin e shtuar të qytetarëve në betejën ndaj Covid-19. Me Dr.  Gani Abazin bisedoi gazetari Sokol PAJA.

Sokol Paja.

COVID-19 SI KËRCËNIM GLOBAL

Sipas Qëndrës për Shkencat e Sistemeve dhe Inxhinierisë së Universitetit të John’s Hopkins, sot në botë janë mbi 7 900 000 të infektuar dhe mbi 430 000 të vdekur nga Korona Virusi SARS-COV2 dhe sëmundja e COVID-19. Mirëpo, numri i rastëve ditore i të infektuarve është duke pësuar rënie të dukshme në shumë vende, dhe shumë shtete, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, janë duke marrë hapat e parë të hapjes së zhbollkimit të qarkullimit dhe hapjes së aktiviteteve ekonomike. Megjithatë, duke marrë parasysh që virusi është akoma i pranishëm në shumë vende dhe komunitete dhe akoma janë duke u paraqitur raste të reja, duhet të kihet shumë kujdes që lehtësimi i masave parandaluese të mos bëhet shpejt, mirpo në kordinim të ngushtë me institucionet e shëndetit publik.

COVID-19, A DO KETË VALË TË DYTË?

Nëse do të bëhet një rihapje e kordinuar dhe e kujdesshme, mund të parandalohet një vale e dytë e pandemisë me Korona Virus. Mund të ketë rritje sporadike të rastëve të infeksioneve, mirëpo shumë virologë nga institucione të shumta thonë që një valë e dytë nuk është e paevitueshme. Mendoj që është shumë e rëndësishme që të mos ngutet në procesin e rihapjes, dhe të mos ngutet në heqjen e masave parandaluese të shpërndarjes së infeksionit, si distancimi social, mbajtja e maskave të fytyrës dhe dezinfektimi i sipërfaqëve lehtë të kontaminueshme që mund të përhapin infeksionin. Në të ardhmen parashikohet që përpos terapisë Remdesivir, që tani për momentin është terapia e vetme e treguar pjesërisht efektive ndaj Korona Virusit (në Amerikë është tani STANDARD OF CARE), të zhvillohen edhe terapi të tjera antivirale që mund të jenë më efektive kundër Korona Virusit sesa Remdesivir. Gjithashtu, është duke u punuar shumë në zhvillimin e një vaksine efikase kundër Corona virusit, SARS-COV2.

VAKSINA, DRITË NË FUND TË TUNELIT?

Procesi i zhvillimit të vaksinës është një proces që në kushte normale merr kohë, pasi që vaksina duhet  të jetë efikase në stimulimin e mbrojtjes adekuate imunologjike kundër virusit, vaksina duhet të jetë e sigurtë dhe të mos ketë efekte anësore për pacientin dhe vaksina duhet të jetë në gjendje të prodhohet në masë, për miliona njerëz, me nje çmim të përballueshem. Ka disa lloje të vaksinave, mirëpo në përgjithësi procesi konsiston në përpunimin e virusit, ose pjesë  të virusit, në atë formë që virusi e humb patogjenitetin (mundësinë që të shkaktojë sëmundje), mirëpo e ruan imunogjenitetin (vetitë e tij që të stimulojë mbrojtjen imune të organizmit të njeriut). Zhvillimi i vaksinës është një proces shumë delikat dhe i ndërlikuar, i cili  e kërkon kohën e duhur si proces. Shfaqja e Korona Virusit SARS – COV2 dhe semundjës së COVID-19 nuk është teori konspiracion dhe është tërësisht brenda kufinjëve të asaj çka është naturalisht e mundur në evolucionin e virusëve dhe në të dhënat historike të shfaqjeve të pandemive të ngjajshme në të kaluarën.  Duke marrë parasysh që bota ka afër 8 milionë njerëz të infektuar dhe afër një gjysëm milioni të vdekur nga kjo sëmundje, gjithmonë duke u bazuar në të dhënat nga Universiteti Johns Hopkins, kjo pandemi duhet të merret me seriozitetin më të madh të mundshëm, me fokus në parandalimin e përhapjes së infeksionit, në kujdesin shëndetësor për përsonat e infektuar, në implementimin e masave dhe sugjerimëve nga ekspertët e shëndetit publik dhe institucionet përkatëse, si dhe në zhvillimin e terapisë dhe vaksinës efikase kundër këtij virusi. Nderkohë që kjo pandemi ka ndikuar në shumë aspekte të jetës së qytetarëve tanë, në aktivitetet sociale, ekonomike, edukative dhe arsimore, janë paraqitur shumë teori të ndryshme në raport me pandeminë. Unë i lutem lexuesve tuaj që të e marrin në konsideratë që shumica e teorive të ndryshme që qarkullojnë nuk janë aspak të verteta dhe ata duhet të degjojnë profesionistët shëndetësor dhe ekspertët e shëndetit publik, si dhe institucionet e shtetit.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Unë do t’ju bëja thirrje të gjithë lexuesve të gazetës Dielli që të marrin me seriozitetin më të madh të gjitha sugjerimet për  përparandalimin e marrës së infeksionit me Corona Virus dhe marrjen e sëmundjes së COVID-19, duke iu përmbajtur distancimit social, masave parandaluese si vendosja e maskes në çdo ambient publik, larja e shpeshtë e duarve dhe dezinfektimi i shpeshtë i sipërfaqëve lehtë të kontaminueshme, të cilat nga kontakti me njerëz mund të shërbejnë si burim i infeksionit. Duke marrë parasysh që deri me tani kemi vetëm një terapi antivirale që është pjesërisht efektive, dhe vaksina akoma nuk është zhvilluar, masa më e mirë e mbrojtjes është parandalimi i marrjes së sëmundjes. Shumë prej bashkëatdhetarëve tanë mund  të shqetësohen për punën dhe mirëqënien ekonomike, mirëpo unë do të i lutësha të gjithë atyre që shëndetin të e vendosin gjithmonë si prioritetin kryesor. Ekonomia dhe të gjitha aktivitetet e ndaluara gjatë kësaj kohë do të zhvillohen përsëri, mirëpo shëndeti është diçka e pazëvendesueshme dhe në duhet  të kemi kujdes që të e ruajmë veten dhe njëri-tjetrin  si dhe shoqërinë tonë, kudo që mund të ndodhemi, nga kjo sëmundje.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Gani Abazi, hapja, Sokol Paja

Richard Grenell: TAKIMI KOSOVE – SERBI, 27 QERSHOR

June 15, 2020 by dgreca

-Presidenti Thaçi: – Kosova për dialogun me Serbinë, mirëpret ftesën Amerikane/

Richard Grenell i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se palët do të takohen më 27 qershor në Washington.

“Lajm i mirë! Kam marrë përkushtimin nga qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë për të ndërprerë përkohësisht fushatën e tërheqjes së njohjeve dhe kërkesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtar në mënyrë që të takohemi në Washington, në Shtëpinë e Bardhë në 27 qershor për diskutime rreth dialogut”, shkroi ai në rrjetin twitter.

***

Kosova për dialogun me Serbinë, mirëpret ftesën Amerikane

Shkruan ne FB: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Udhëheqja e proceseve të mëdha politike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë përcaktuese për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.Si President i Republikës së Kosovës e mirëpres ftesën për ta rifilluar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe të dërguarit special të tij ambasadorit Richard Grenell.

Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë, njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Tani i takon institucioneve të Republikës së Kosovës që të tregojnë mençuri dhe maturi në ndërtimin e unitetit dhe koordinimit me partnerët tanë strategjikë dhe të përkushtohemi që ta përmbyllim me sukses këtë proces. HTH

Filed Under: Opinion Tagged With: Bisedimet Kosove-Serbi, presidenti Thaci, Richard Granell

Presidenti Trump vlerëson me çmim shqiptarin Marko Kepi

June 15, 2020 by dgreca

  • JU VOTUES SHQIPTARO-AMERIKANE REPUBLIKANE QE JETONI NE ZONEN ELEKTORALE TE TIJ MOS HARRONI TE VOTONI PER MARKO KEPIN ME 23 QERSHOR…
  • BASHKATDHETARE DHURONI NE NDIHME TE FUSHATES SE MARKO KEPIT. AI NUK ESHTE  I PASUR, POR SHPIRTIN E KA E KA TE PASUR. KUSH ME SHUME SE AI I KA PRIRE PER ME SHUME SE NJE DEKADE CESHTJES SHQIPTARE NE SHBA? MJAFTON TE KUJTONI VETEM PARADAT KUQ E ZI…

Presidenti amerikan Donald Trump ka nderuar me çmimin “The President’s Volunteer Service Award” (Çmimi presidencial për shërbimin vullnetar) shqiptarin Marko Kepi, një nga veprimtarët e rinj dhe tejet të angazhuar në komunitetin shqiptaro-amerikan.

Në një postim në rrjetet sociale, Kepi shkruan:“I lumtur që shoh kaq shumë njerëz në hapjen e fushatës ndërsa festojmë Ditën e Flamurit! I nderuar që mora çmimin më të lartë të shërbimit vullnetar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Trump më nderoi me “The President’s Volunteer Service Award”  (Çmimi presidencial për shërbimin vullnetar). Jam i nderuar që i shërbej këtij vendi të shkëlqyeshëm dhe ta shperblej për mundësitë që më ka dhënë” shkruan Kepi i cili kandidon për Asamblenë e Nju Jorkut në zgjedhjet e 23 qershorit që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Amerika ka një traditë të gjatë të shërbimit vullnetar. Programi i Shërbimit Vullnetar të Shërbimit Vullnetar (PVSA) i Presidentit është një mënyrë për të nderuar këtë traditë Amerikane dhe të falenderojë ata që, me demonstrim të përkushtuar dhe shembull, frymëzojnë komunitetin të përfshihen në shërbimin vullnetar.

Por jo të gjithë e fitojnë këtë çmim. Disa prej  kritereve janë:

-Mosha 14 vjeç e poshtë, të cilët kryejnë 50 ose më shumë orë shërbimi vullnetar;
-Individët, mosha 15 vjeç e lart, që kryejnë 100 ose më shumë orë;
-Familje ose grupe që kryejnë 200 ose më shumë orë.

  • JU VOTUES SHQIPTARO-AMERIKANË REPUBLIKANË QË JETONI NË ZONËN ELEKTORALE TË TIJ MOS HARRONI TË VOTONI PËR MARKO KEPIN ME 23 QERSHOR…
  • BASHKATDHETARË DHURONI NË NDIHMË TË FUSHATËS SË MARKO KEPIT. AI NUK ËSHTË  I PASUR, POR SHPIRTIN KOMBËTAR E KA SHUMË TË PASUR. KUSH MË SHUMË SE AI I KA PRIRË PËR MË SHUMË SE NJË DEKADË CËSHTJES SHQIPTARE NË SHBA? MJAFTON TË KUJTONI VETËM PARADAT KUQ E ZI…

Filed Under: Featured Tagged With: 23 qershor, Marko Kepi

Paqë e qetim qiellor për Njeriun e përplotë Moikom

June 15, 2020 by dgreca

Fotaq Andrea me Moikom Zeqon/

FOTAQ ANDREA-Strasburg/

Na iku… më iku… një Mik… një Shok…/

Ishte i veçantë, erudit si Ai, me shpirt sublim, artistik e filozofik, me bukuri fjale poetike, si një Ciceron që e bëri vargun shqip të cicërijë.

Ishte super i veçantë, kur e njeh për vite të tëra nga afër, sidomos vitet e fundit, i pamposhtur nga sëmundja, tek trupi i rreshkej, mpakej, mplakej, po mendja i rinohej, freskohej, madhështohej, me energji krijuese të pashterrshme.

Ishte tejet i veçantë, i pakapshëm, i paarritshëm, sa krijoi në poezinë moderne shqipe “tipologjinë moikomiane”, me natyrë të dyfishtë e të trefishtë metaforike, me subjekte polifonike e orkestrime harmonike të Bukurisë e Madhështisë së Fjalës Artistike.

Ishte Mendjendritur. Ishte Poet. Me lulëzim të fuqishëm botëkuptimor. Përherë i prirë drejt progresit dhe modernitetit shqiptar. Ishte me mendje të hollë plot sqimë artistike për lexues kalibri, duke thyer kornizat e provincializmit në kohë krize të përbotshme të poezisë.

  Ishte i pashtershmi shqiptar në omnishkencë, me përkushtim e angazhim intelektual e patriotik të klasit të lartë, kundër politikës politiciene të intrigave, politikës blozë, haxhiqamiliste, klanore e bajraktare. Ishte i drejtpërdrejtë në intervista të gjalla plot kritikë konstruktive, ishte Njeri i lartë i shoqërisë, i gjithënjerëzishëm, i kudo e kujdogjindshëm, me dashuri e ngrohtësi humane, që çmonte vlerën e përbuzte antivlerën.

Ishte usta i fjalës, usta i penës, që mendimin e kishte haik e ajkë, sintetik deri në përpikmëri. Luftonte me forcë shpirtërore sëmundjen organike bela-keqe në vetvete, dhe me po atë forcë shpirtërore paralizonte rreptë mendjemykurinë, meskinitetin, shpirtëzinë, lakminë, regresin. Ishte me paepuri shembullore, vullnet të kalitur prej zotash dhe frymëzim hyjnor.

Vetëm një herë e kundërshtova (Ndjesë pastë!)  kur përvuajtjen e tij fizike e kishte sintetizuar në vargjet: “Në kohë leucemike, / Me kometa të përflakura të hemoglobinës, / Në muze të kotë të Vdekjes…”. E kundërshtova gjithë dashuri, thjesht për t’i thënë me shpirt se “Vetë Jeta, vetë Jeta e tij është një muze aq i përplotë e kuptimplotë”. Dhe vijoja: “Pena tek ty, si tek rrallë kush, mposht çdo të keqe dhe është ilaçi kurativ më i mirë që të harbon në frymëzime gjeniale, në haralisje idesh dhe dehje e ngazëllim të fuqishëm jetik e jetesor, tek është kthyer lumi i kristaltë i prozës dhe i poezisë tënde në ujë jetësor (la sève), po edhe me shumë, në gjak Krishti, kur vetë zemra tënde shfaqet tanimë si kupa e artë me gjak të shenjtë” (nga letra ime drejtuar Moikomit e datës 31 janar 2017). Dhe vura re kohët e fundit, në një koment kuptimplotë personi anonim – që “pagëzonte” plot dashuri një foto të Moikomit me librin e tij në dorë – tek shprehej tekstualisht: “Shën Libri në duart e Shën Moikomit”. Nuk ka më mirë e bukur!

Kishte, vitet e fundit, diçka të veçantë tek Ai: u vinte poezive të tij vite të hershme shkrimi,  si ta prapa-shtynte bukurisht kohën me vite të arta të shkuara, si të donte të ecte së prapthi 15-20 vjet të shkuara, për t’iu drejtuar moshës së rinisë së përjetshme, moshës së artë, një rinie të dytë. Mbartnin shkrimet e tij kësisoj fuqishmëri shkëlqimi, si çdo diell që kur shpërthen përfundimisht në mbarim të jetësisë së tij 10 miliard vjeçare, shkëlqen edhe më shumë se kurrë me krejt forcën dhe energjinë e vet të brendshme. 

  Ai ishte dhe mbetet Mjeshtër i Bukurisë së Mendimit dhe Fjalës Shqipe, tek i përshtatet plot hijeshi shprehja e Viktor Hygoit “Le livre, c’est l’homme” – (Libri është vetë Njeriu). 

Po e shoqëroj këtë shkrim timin për humbjen e rëndë e të pazëvendësueshme të Njeriut Moikom – shkrim i nxjerrë nga kuintesenca e korrespondencës sime 15 vjeçare me Moikom Zeqon, dhe me duart që ende më dridhen që nga mëngjesi e zemra me shtrëngon e ligështon – me prezantimin që i bëra veprës dhe poezisë së tij në “Takimin Botëror të Poezisë” në Strasburg, nëntor 2018:  

 “Moikom shqiptari, i vetmi në botë që mban një emër të tillë kaq origjinal, ka një korpus voluminoz poezie, të cilën e praktikon me zell, eth e përkushtim që nga adoleshenca e tij. Është sot Boris Viani shqiptar, duke qenë ai vetë njëkohësisht historian, arkeolog, poet, piktor, shkrimtar, gazetar, filolog, publicist, erudit. Mjeshtër i lirisë së fjalës, e kërkon forcën shprehëse të verbës poetike në një përmasësi të shumëfishtë, duke shkuar gjer në kufijtë e përtej – përmasësisë (supra-dimensionalitetit). Të shkruash ndryshe, është tipari themelor i poezisë së tij që i hedh rrënjët në poezinë futuriste, surrealiste, simboliste, si dhe në një univers tepër origjinal, ku bota njerëzore, artistike, letrare, madje filozofike pasqyrohet nëpërmjet forcës magjike të verbës së tij poetike. E ndjen veten sa në parajsë të bukurisë artistike, ku vallëzojnë nimfa të botës shpirtërore me krahë fluturash e pilivesash, aq edhe në ferrin e lumenjve infernalë, ku fjalët grinden, duke mbjellë erëra e stuhi. Poet me tejdukshmëri të larmishme, i etur për metafora e alegori, Moikomi dallohet nga universalizmi i tij poetik brenda një marrëdhënieje të ngushtë kohë-hapësirë, njeri-natyrë, dhe realitet metafizik-realitet sensual. Është arkitekti i fjalës poetike shqipe par exellence.

Edhe më thjesht, vargu është tek ai një emocion i përhershëm, duke testuar pareshtur të shkuarën, të tashmen e të ardhmen, është burimi i tij i pashtershëm jetësor e krijues. Moikomi di të pikturojë me fjalë, duke zotëruar mjeshtërisht ritmin dhe muzikalitetin e vargut shqip, duke xhongluar me tropet dhe duke u bashkëngjitur ide e figura letrare nga më të çuditshmet e më të ndryshmet.

Është i përkthyer në shumë gjuhë.”

Moikom, të më falësh, që shpesh zemra më ka lëshuar e të kam qarë për së gjalli, sa herë dëgjoja në telefon zërin tënd të mekur në spital, tek më përshëndesje: “Mirëupafshim Andrea”. Më fal 1000 herë, Moikom, në përlotem. Lamtumirë Mik i shtrenjtë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq Andrea, Moikom Zeqo, Strasburg

COVID 19-Çfarë na thonë numrat?

June 15, 2020 by dgreca

Nga Dr. Pashko CAMAJ/

Ditëve të fundit, shpesh edhe në lajmet ditore të mediave të shumta, me tituj “eksklusive” dëgjojmë lidhur me ngritjen e numrit të infektuarve me Covid-19. Ndërsa ky numër rritet në pjesë të ndryshme të vendit, ose brënda ndonjë rajoni, ky numër pjesërisht reflekton përhapjen e shpejtë të Covid-19, pasi që në shumë shtete dhe territore të Shteteve të Bashkuara pandemia ka filluar më vonë, apo përhapja e virusit ka qën me a ngadalëshme. Për më tepër, numri i rastëve me Covid-19, që raportohën në ShBA, po rritet, për shkak të rritjes së testimeve laboratorike dhe të raportimeve nga i gjithë vendi. Të dhënat e hollësishme dhe të sakta do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë kahjen e pandemisë, por dhe perforcimin e përpjekjeve të parandalimit te saj. Sidoqoftë, përdorimi vetem i numrit dhe jo i ratave mund të japë një përshtypje të rrejshme, dhe kjo është ajo që shumë shpesh e hasim në media (sociale apo të tjera). Pra, kur ndëgjojmë dhe lexojmë për “numrat që rriten” kjo mundë të jetë e vërtetë, për shkak të infeksionëve të reja, por në shumë raste, është funksion i numrave të testeve që rriten, dhe me këtë, numri i te rasteve rritet. Për të ilustruar, nëse 50 nga 1000 njerëz testojnë pozitivë për Covid-19, kjo do të thotë, 5% janë të infektuar.  Kjo është e njëjta si 100 nga 2,000, pra 5 përqind, edhepse numri u dyfishua nga 50 në 100. Gjithsesi, dërisa testojmë më shumë njerëz, gjejmë më shumë raste.

Provat shkencore kanë treguar që shumë njerëz të infektuar me Covid-19 nuk do të pësojnë kurrëfarë simptomesh ose mund të shfaqin simptoma shumë të lehta. Por, e rëndësishme është se, edhepse mund të jenë asimptomatike, këta njerz mund të përhapin virusin te të tjerët. Natyra e saj e dyfishtë, shpesh josimptomatike, por donjëherë edhe vdekjeprurëse, e vendos Covid-19 në një kategori të rrallë midis patogjenëve të zakonshëm që prekin njerëzimin. Në një përmbledhje të fundit të botuar në “Analet e Medicines Internale” të dhënat nga 16 burime, nga gjithë bota, kanë treguar se të paktën 30, e ndoshta edhe deri në 40-45 % e njerëzve nuk tregojnë simptoma të sëmundjes. Sqarimi i mirefilltë i këtyre numrave është thelbësor ndersa luftojmë këtë virus. Përqendrimi i përpjekjeve të testimit ekskluzivisht tek ata me simptoma, siç është bërë kryesisht deri më tani, nuk është një qasje e duhur – është gabim. Organet e shëndetit publik në të gjithë vendin, dhe në të gjithë globin, duhet ta hedhin rrjetën shumë më gjerë për të kapur dhe shumë persona që janë të infektuar me Covid-19, por asimptomatikë.

Dhe pakëz rreth numrave: Deri më tani, në mbarë botë kemi rreth 7.5 milion infekcione te konfirmuare me Covid-19, me rreth 425,000 vdekje dhe 4.5 milion njerëz që janë shëruar nga sëmundja. Shkalla e fatalitetit të rasteve bazuar në këto numra është rreth 5.6 %. Por duke e ditur se mund të ketë shumë miliona njerëz që ishin infektuar por nuk u testuan kurrë, sepse ishin asimptomatikë ose testet nuk ishin të disponueshme, shkalla e fatalitetit nga kjo smundje mundë të jetë shumë më e ulët.  Disa të dhëna sugjerojnë që të jetë më afër 1-2 përqind, që është akoma rreth 2-4 herë më i lartë se ai i gripit sezonal!

Më në fund, interpretimi i duhur i të dhënave dhe numrave, na jep vetëbesimin që na duhet për të marrë vendime të sakta. Njohuria se shumë njerëz që infektohen me koronavirus nuk do të pësojnë simptoma te renda, por prapë mund t’i bëjnë të tjerët të sëmurë, ndihmon orgenet e shendetit publik të marrin vendimet e duhura dhe të praktikojnë taktikat për ndjekjen, kontrollin dhe zhdukjen e këtij virusi. Shkenca ka të bëjë me sqarimin e gjërave, duke e bërë të padukshmën të dukëshme. Shkenca na ka treguar që të mbash një distancë të mirë nga të tjerët në vënde publike, apo të mbash maskë ose mbulesë të fytyrës, te mbash higjenë të mirë të duarve, etjera, mbetet thelbësore në parandalimin e infeksioneve të reja. Supozimet në përgjithësi nuk janë të mira, veçanërisht në shkencë. Por në këtë rast, për të mbrojtur të tjerët është më mirë të supozoni dhe të silleni sikur të jeni të infektuar – derisa të vijë dita, shpresojmë së shpejti, kur të mund të deklarojmë se pandemia e covid-19 ka përfunduar!

Filed Under: Politike Tagged With: Çfarë na thonë numrat?.COVID 19, dr. Pashko Camaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT