• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

SHQIPTARËT NË HONG KONG DHE BETEJA E SHTETIT AZIATIK KUNDËR COVID-19

June 11, 2020 by dgreca

Vanda Selimi, një shqiptare e suksesshme që jeton e punon në Hong Kong si Menaxhere eventesh dhe zhvilluese biznesi në “The Whisky Library”, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën e shtetit aziatik ndaj Covid-19. Intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.

HONG KONGU NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Hong Kong ka bërë një punë të shkëlqyer në monitorimin, përmbajtjen e shpërhapjes dhe kurimin e personave të prekur nga COVID-19. Deri më sot Hong Kongu ka regjistruar 1108 raste nga të cilat 672 janë raste të importuara (57%) që nga rasti i parë i konfirmuar më datë 23 Janar 2020 dhe vetëm 4 fatalitete. Hong Kongu ka një eksperiencë të vyer nga virusi Sars ku numri i të vdekurve ka qenë shumë më i lartë (300 në mos gaboj) dhe nuk mori asnjë shans për të nënvleftësuar apo injoruar virusin. Duke nxjerë mësime nga e kaluara në një kohë, kur e gjithë bota thoshte që është vetëm një grip i thjeshtë dhe do kalojë Hong Kong mori masa shumë serioze kundër kësaj pandemie globale. Personalisht unë jam me maskë që në javë të parë të janarit, me datë 31 dhjetor 2019 kam lexuar për herë të parë për këtë virus dhe duke pasur parasysh afërsinë që kemi me Kinën dhe mbi të gjitha lëvizjen masive të njerëzve e kam marrë shumë seriozisht situatën. Hong Kong ka një nivel shumë të lartë qytetarie dhe që nga Sarsi çdo njeri që ka simptoma sado të lehta gripi direkt vë maske dhe nuk paraqitet në punë në mënyrë që të mos infektojnë të tjerët përreth. Në fillim pati pak kaos dhe kishin mbaruar maskat dhe çdo lloj solucioni disinfektatë durash por pas vitit të ri kinez kishte stok mjaftueshëm.

MASAT QË MORI QEVERIA NË HONG KONG

Që pas vitit të ri kinez (pas datës 25 janar 2020), çdo kompani ndërkombëtare kryesisht dhe qeveria u ka kërkuar punonjësve të punojnë nga shtëpia me qëllim frenimin e përhapjes së virusit global dhe kjo situatë ka vazhduar deri në fund të majit. Po ashtu, kopshtet, shkollat dhe universitet kanë qenë të gjitha të mbyllura deri para një jave ku fëmijët e shkollave janë rikthyer nëpër banka por jo të kopshteve. Që nga Marsi, kur filluan të shfaqen shumë raste të importuara, çdo person i ardhur është pajisur me një ‘byzylyk’ me tracking system dhe ka bërë karantinë të detyrueshme për 14 ditë. Që nga fundi i marsit çdo person i mbërritur në aeroport është testuar për covid-19 dhe pavarësisht përgjigjes negative ka vazhduar të bëjë karantinën e detyruar në shtëpi, hotel apo qëndra të caktuara nga qeveria. Çdo person i testuar pozitiv, me ose pa simptoma është shtruar në spital dhe kuruar deri sa ka rezultuar negativ. Doktorët këtu kanë eksperimentuar një kurë me 3 lloje antiviralesh e cila ka rezultuar shumë e suksesshme dhe ka përgjysmuar kohën e kurimit; ngarkesën virale dhe ka ulur dukshëm rrezikun e infektimit të stafit mjekësor nga ekspozimi për kohë të gjata në ambjente me ngarkesë të lartë virale. Në çdo dyqan, kafeteri, zyrë, çdo njeriu i është matur temperatura në hyrje të godinës, nëse temperatura rezultonte mbi 37.5 janë njoftuar autoritete përkatëse të cilat janë marrë me rastin në fjalë. Pavarësisht se në Hong Kong s’ka qenë e detyruar me ligj përdorimi i maskave, të gjithë njerëzit vendosin maska pa përjashtim në rrugë, në transport publik, në zyra, dyqane, lokale e gjithandej. Pavarësisht se nuk ka pasur asnjë ‘lock doën’ njerëzit kanë qëndruar nëpër shtëpija dhe nuk kanë dalë pa arsye shumë të forta që në fund të janarit. Vetëm baret, karaoket, kinematë, spa dhe palestrat kanë qenë të mbyllura për një muaj pasi në disa raste lokalet kishin lidhje me frekuentimin e këtyre ambjenteve por çdo gjë tjetër ka qenë hapur dhe funksionale. Në Hong Kong s’ka qenë e nevojshme që të dalë policia për të ndarë njerëzit apo për ti thënë shkoni në shtëpija, të gjithë njerëzit e kanë kuptuar seriozitetin e virusit dhe të gjithë kanë bashkëpunuar duke mbajtur numrat shumë poshtë duke llogaritur që është një vend me popullsi shumë të dendur (7.5milion ne 1106km2). Edhe kur patëm 24 ditë pa asnjë rast të ri, asnjë njeri s’u relaksua dhe të gjithë vazhduan të mbajnë maska. Aktualisht situata është e mirë, rrugët janë plot dhe jeta i është riktyer pothuajse normalitetit por ka ndonjë rast sporadik që tregon që ka mbartës të fshehur dhe virusi nuk është zhdukur. Nëpër lokale e restorante janë në fuqi rregullat e distancimit dhe çdo njeri i respekton rreptësisht.

COVID-19 SI NJË PËRJETIM PERSONAL

Për mua personalisht ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar emocionalisht dhe me vendime të mëdha. Vajza ime ishte vetem 4.5 muajshe kur çdo gjë filloi të dalë në sipërfaqe dhe kur mbushi 5 muajshe ne ishim në një situatë shumë të vështirë dhe që kur flisnim me familjarët apo shoqërinë nëpër botë s’na e kuptone dhe besonte njeri. Takimet për vaksinimin e vajzës apo me pediatrin ishin anulluar sepse nuk donin të ekspozonin bebet; unë isha e detyrur të shkoja në punë dhe çdo ditë pasi kthehesha nga puna dëgjoja në lajme se si rasti x kishte kaluar apo frekuentuar të njëjtat ambjente sikurse unë në të njëjtin hark kohor. Ishim izoluar në shtëpi në ditët e pushimit, nëpër supermarkete s’kishte më as ushqime  sepse njerëzit ishin në fazën e blerjeve nga paniku. Për një kohë shumë të gjatë s’kemi takuar asnjë njeri, as shokë, as shoqe as bahskëpunëtorë apo të afërm me qëllim për të evituar ekspozimet. Vajza jonë nuk del nga shtëpija, maksimumi një xhiro në park por asgjë më shumë. Po ashtu me shoqërinë shqiptare (jemi rreth 20 shqiptarë këtu) këtu komunikojmë gjithë kohën nëpër grupe po s’kemi takuar asnjeri që nga dhjetori. Ata që e kanë përjetuar më shumë kanë qenë familjet me fëmijë të vegjël, sikurse ne, janë dhe dy familje me fëmijë të gjithë nën 1 vjeç aktualisht dhe të gjithë kanë qenë në stres. Prej dy javësh, mund të them që gjërat janë më mirë, njerëzit janë pak më të qetë, dalin pak më shumë dhe takohen me shoqërinë por kuptohet duke ruajtur distancën. Përsa i përket situatës në Hong Kong është sensitive dhe më mirë të mos përzihem në këtë pjesë por shpresojmë që e ardhmja të jetë më e bukur sepse kemi kaluar një vit shumë të ngarkuar që nga fillimi i protestave.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Jam e gëzuar që komunikoj nëpërmjet këtij shkrimi me shqiptarët në Amerikë. Ata janë model për organizimin dhe rolin e tyre patriotik në dobi të çështjes kombëtare. Uroj me shpirt që të ndjekin modelin e Nolit dhe Konicës për një Shqipëri të bukur, të fortë, të zhvilluar, dinjitoze në sytë e botës dhe që diaspora nuk e harron kurrë. Kjo diasporë prej 1 shekulli ka qenë model dhe ka ndihmuar shumë në shtetformim dhe lobim. Mendoj se karakteri diplomatik dhe patriotik e bëjnë Vatrën dhe Diellin institucione të përjetshme atdhedashurie. Në këtë kohë pandemie uroj çdo patriot i yni në diasporë në USA dhe kudo të jetë mirë familjarisht. Mesazhi im për të gjithë lexuesit është që bëjë rolin e tij/saj në këtë betejë delikate; të mbajë higjenë të lartë, të mbajë maskë, të mos dalë kot sepse janë mërzitur në shtepi, kjo është diçka e përkohshme por pasojat në familjet që kanë humbur të dashurit e tyre do jetë e përjetshme. Të gjithë kemi diçka në dorë për të bërë për të ulur numrin e rasteve dhe shpërhapjen e virusit. Kini besim: ditë më të mira do të vijnë. Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Filed Under: Featured Tagged With: Shqiptaret ne Hong Kong, Sokol Paja, Vanda Selimi

FUNDI I NJË TRAGJEDIE – KUJTIME NGA BAZA USHTARAKE FORT DIX – NEW JERSEY – ShBA

June 11, 2020 by dgreca

–Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Hyrjes së NATO – s në Kosovë/

Shkruan:MAL BERISHA/

Më datën 24 Mars 1999, forcat ajrore të NATO-s filluan bombardimet mbi caqet ushtarake të Sllobodan Milosheviçit. Avionët u nisën nga baza ushtarake e Avianos dhe skuqën qiellin e mugët të asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia. Menjëherë, si reaksion kundër bombardimeve të NATO-s në tokën e Kosovës u intensifikuan veprimet e kriminelëve serbë të Milosheviçit në formën më agresive të parë ndonjëherë të cilat u shoqëruan me:

Deportime masive, shfarosje të popullsisë, djegie të banesave dhe pasurive, përdhunime dhe keqtrajtime, të cilat shkaktuan një shqetësim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Të parët që reaguan ishin amerikanët, të cilët caktuan bazën ushtararke Fort Dix, në shtetin e New Jersy-it si një vend ku do të strehoheshin mijëra shqiptarë të Kosovës, të transportuar me mjete ajrore dhe prej aty do të shpërndaheshin nëpër gjithë Amerikën.

5 maj 1999 – Grupi i parë e shqiptarëve të Kosovës të katapultuar në Fort Dix – New Jersey ShBA

I përfshirë në grupin e punonjësve humanitarë amerikanë dhe të imigracionit, pata rastin që të pres grupin e parë të shqiptarëve të Kosovës që zbritën në aeroportin ushtarak Fort Dix në jug të shtetit të New Jiersey. Ishte data 5 maj 1999 kur u mblodhëm në atë bazë. Shumica ishin ushtarakë amerikanë, punonjës të agjensisë së Imigracionit, agjensi ndihmash humanitare, shërbime të tjera, si dhe disa shqiptaro-amerikanë me qëndrim të ligjshëm në ShBA. Unë përfaqësoja Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane që e drejtonte ish Kongresmeni Joe DioGuardi.

          Aeroplani i parë ushtarak Boeing 747 që kishte plot 453 shqiptar të Kosovës u ul rëndë – rëndë dhe mua më dukej sikur ai mbart’te me vete tërë peshën e atij dheu që banohet prej shqiptarësh. Vërtetë ai ishte shume i madh por ngjyra e tij kaki-ushtarake, ngarkesa që kishte me vete dhe padurimi ynë për t’i parë, takuar, ndihmuar ata njerëz për të cilët vetëm aty, e bënte atë të dukej shumë më i rëndë se pesha e tij e vërtetë fizike.

 Aty prisnin mbi 100 kamera të qendrave më të mëdha televizive të botës, ndër to CNN dhe BBC.

          Nuk vonoi dhe nga dera e avionit zbritën udhëtarët e parë. Ideja që na shkonte ndër mend ishte: Vallë a do të zbresin dot nga shkallët? A janë ata aq të qëndrueshëm sa të arrijnë deri tek qilimi i kuq i shtruar nga autortetet shtetërore të New Jersy-it, të cilët kishin vënë gjithçka në dispozicion të tyre?

          Ata po zbrisnin dhe unë ndjeja se si çdo shkallë e mëposhtme që ata shkelnin ishte një gong i ri që bënte zbritjen regresive të popullsisë së Kosovës. Një, dy, tre, katër, dhjetë, njëqind, katërqind e pesëdhjetë e tre vetë i shkelën ato shkallë me hapin e tyre të rëndë, të lodhur e të dërrmuar…Katërqind e pesëdhjetë e tre shqiptarë më pak në dheun e tyre, vetëm në këtë aeroplan….Po edhe sa mijëra të tjerë kishin ikur në drejtime të tjera nëpër gjithë botën, deri në Australi dhe në Zelandën e Re?

          Autobuzët e kompanisë më të madhe amerikane të transportit toksor të udhëtarëve “Academy” ishin rrjeshtuar fare pranë pistës. “Musafirët”, siç i quajtën amerikanët, u ngjitën në autobusa të cilët kishin ulur krikët e shasisë deri në një nivel me tokën për tua lehtësuar atyre sadopak sforcon fizike të të ngjiturit në shkallët e autobusit. Karvani i autobuzave i transportoi ata njerëz, fytyrat e të cilëve ngjanin më shumë me portrete filmash me legjenda dhe personazhe, se sa me njerëz realë. Dikush e kishte quajtur udhëtimin e tyre “biblik”. Dhe i tillë ishte. As në Bibël, dhuna nuk i ka stërpikur njerëzit kaq larg!

          Në sallën e madhe të gjimnastikës së bazës ushtarake ishin instaluar lloj lloj shërbimesh si ato sanitare, shëndetësore, ushqimore, infermjerë, mjekë, punonjës socialë, kryqi i kuq, vullnetarë, punonjës imigracioni, përkthyes të gjuhës shqipe, civilë, ushtararakë, agjentë të FBI e plot e plot të tjerë, të njohur dhe të panjohur. Musafirëve iu ofruan pije freskuese pa fund, kafe, dekafe, çaj, fruta të çdo lloji, sanduiç pa mish derri. Secili prej nesh mbante një kartë identiteti në qafë dhe çdokush në mënyrën më njerëzore përkujdesej për diçka. Ndër ta, një të tillë e mbaja edhe unë me tim bir, Erionin. E gjitha kjo e përkushtuar për ata njerëz.

          Salla u mbush. Njerëzit zunë vende nëpër shkallët e gjimnaziumit ushtarak. Ishin tejet të lodhur, të nxirë nga dielli, të drobitur nga rruga e gjatë dhe kushtet e tmerrshme në të cilat kishin kaluar ditët dhe javët e fundit të jetës së tyre të deriatyshme.

          Një pjesë e atyre të cilët nuk rezistonin më, u shtruan në fushën e basketbollit nëpër barrela ushtarake dhe filluan të merrnin serume. Nga altoporlanti dëgjoheshin thirrje të pandëprera të punonjësve socialë:

          “Ju lutemi shumë, merrni sa më shumë lëngje, pini lëngje sepse trupat tuaj janë dehidruar!”

          Një përkujdesje aq njerzore as që do ta kishin imagjinuar. Merrej me mend se çfarë kontrasti i jashtëzakonshëm ishte për ata njerëz ky kalim sublimues nga ajo gjendje që kishin lënë prapa me këtë që kishin gjetur këtu.

Hillary Clinton, zonja e Parë Amerikane i pret “Musafirët Kosovarë”.

Filluan procedurat e para. Tani secili kishte zënë një vend. Në sallë dhanë ballë Zonja e Parë e Amerikës, Hillari Klinton, Guvernatorja e Shtetit të New Jersy-it, zonja Christine Todd Whitman, Sekretarja e Shtetit për Shëndetësinë dhe Punën Sociale, senatorë, kongresmenë, si dhe autoritete lokale të Fort Dix -it.

          Salla shpërtheu në duartrokitje. Ato dukeshin si të buta, pak të shurdhëta, si një daulle pak e shfryrë, si një def i panxehur; në to më dukej se dëgjoja diçka që nuk dëgjohet, më dukej se ndjeja atë që nuk ndjehet; të rrahurat e atyre duartrokitjeve kishin pak zë, por tingëllonin shumë. Dukej sikur ishin të akorduara në frekuenca të tilla që nuk dëgjohen afër. Dukej që secili donte ta bënte zhurmën e tij jo për vete, jo për atë që shihej, jo për atë që ndihej aty. Dukej se ata donin që ato duartrokitje të dërgoheshin matanë atyre mureve, matanë atij pylli rrethues, tutje, tutje diku ku ajo të dëgjohej jo më për ata vetë, por për ata që kishin lënë prapa; duhej të tërhiqnin vëmendjen për ata që ishin në male, të mbetur rrugëve, pa ushqim e veshmbathje; për ata që ishin në mëshirë të fatit.

Ai ngazëllim i venitur i atyre njerëzve që nuk dinin as të gëzoheshin dhe as të hidhëroheshin më, ishte tashmë i hedhur në atë sallë si një vello, ngjyrën e së cilës askush nuk di ta përcaktojë, e bardhë, e zezë, blu apo…ndoshta më së miri mund të quhet flu, e paqartë, e pa ndritshme, e shlyer.

          Mbaroi edhe ceremonia. U tha se ju jeni njerëzit më të fortë në botë, se keni në krahë Amerikën që kurrë nuk do t’u lerë në baltë, se do të bëhet çdo gjë për ju dhe bashkëkombasit tuaj e plot e plotë të tjera… Tani do të fillonte procedura e parë elementare, marrja e identitetit të këtyre njerëzve, shumica e të cilëve nuk kishin asnjë lloj dokumenti për shkaqe të ndryshme ndër të cilat kryesorja ishte se ato ua kishin grisur autoritetet policore serbe për t’i dëbuar, madje edhe pa emrat e tyre, ose në ikje e sipër as që ju kishte vajtur mendja tek një gjë e tillë.

Të shohësh jo thjesht një shfaje tragjike, por vetë tragjedinë e luajtur nga tragjikët

Në rastet kur mungonte çdo dëshmi e identitetit, atëherë çështja kalonte nëpër një seancë marrjesh në pyetje. Ajo ishte një procedurë e thjeshtë, por më e vlefshmja për të kuptuar gjithë atë që kishte ngjarë në Kosovë. Këtu njeriu mësonte aq shumë për thellësinë e tragjedisë dhe vuajtjes njerëzore. Këtu mësohej se si fëmija kishte parë prindërit tek i vriteshin, se si prindi e kishte parë fëmijën po kështu, se njeriu nuk ndihmonte dot njeriun e tij në çastet më të vështira të jetës, sepse as këtë nuk ia lejonin… Këtu dukej se sa e vyer është jeta kur e jeton në një vend të sigurtë ashtu sikundër mësoje se sa e pavlefshme bëhet ajo në çaste të caktuara. Këtu mësoje se si njeriu është gati t’i japë fund jetës në çdo çast, ndërkohë që lufton për ta mbrojtur atë me këmbë e me dhëmbë. Këtu njeriu sheh jo figura të krijuara skenike që interpretojnë tragjedinë njerëzore por vetë tragjedinë, vetë atë që dikush mundohet ta rikrijojë duke sjellë tek njerëzit mesazhe të forta nëpërmjet emocionesh shokuese. Jo, në këtë vend nuk ke nevojë për aq shumë mundim aktorësh. Këtu secili është aktori origjinal i një tragjedie njerëzore të shkaktuar mbi të thjesht për fajin se rasti ka bërë që ai të lindë i një feje, besimi dhe kombi të caktuar.

Në intervistat për gjetjen e identitetit, kalonin njëri pas tjetrit burra, gra, të rinj, të moshuar.

Tjetri, kush është tjetri në radhë? – thërrisnin oficerët e imigracionit.

Nga ajo datë deri më 10 qershor 1999, baza ushtarake e shtetit të New Jersy-it, Fort Dix priti 6.500 shqiptarë të Kosovës.

Sot ata janë shtetas amerikanë. Shumë prej tyre kanë bërë emër në atë shtet të madh në fusha të ndryshme, shkencë, art, kulturë, mjeksi, biznes.

Nderim të përjetshëm atij vendi të madh!

Fort Dix, Maj – Qershor 1999 – 2020

FORT DIX, UNITED STATES: Kosovar refugees cheer as they are addressed by US First Lady Hillary Clinton 05 May, 1999 at Fort Dix, New Jersey, upon their arrival earlier from Macedonia. The refugees chanted “USA” and “Free Kosovo” as the First Lady left the room. The more than 450 Kosovar refugees will be processed and housed for several weeks at Fort Dix until they move in with American families or relatives. The refugees are the first wave of the 20,000 Kosovars that the United States pledged to take in. All 20,000 will be accorded refugee status and will be eligible to stay in the United States as long as they choose. (ELECTRONIC IMAGE) AFP PHOTO Don EMMERT (Photo credit should read DON EMMERT/AFP via Getty Images)

Filed Under: Opinion Tagged With: Fort Dix, Fundi i nje tragjedie, Mal Berisha

HOTI: FRYMA E LIDHJES SË PRIZRENIT NUK U SHUA ASNJËHERË

June 10, 2020 by dgreca

-Mesazh i Kryeministrit Hoti me rastin e 142-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit/

Prishtinë, 10 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, me rastin e 142-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka adresuar një mesazh, në të cilin thuhet:

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit, siç thoshte Presidenti Rugova, ka qenë lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore.

Kjo lidhje ishte uverturë e kryengritjeve të mëdha shqiptare gjatë viteve 1910-’12, të cilat sollën pavarësinë e Shqipërisë, e cila u cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha, që u sanksionua edhe pas dy luftërave botërore të shekullit XX.

Fryma e Lidhjes së Prizrenit, megjithatë, nuk u shua asnjëherë. Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci janë vijimësi e ideologjisë nacionale të kësaj lidhjeje.

Në këtë frymë liridashëse e properëndimore do të vazhdojë jetësimi i aspiratave tona, të cilat do të përmbyllen me integrimin tonë të plotë në institucionet euroatlantike dhe në OKB, në familjen e madhe të kombeve të lira dhe demokratike”. 

Filed Under: Politike Tagged With: Abdullah Hoti, mesazh

VIZITA DHE FJALA E PRESIDENTIT AMERIKAN BUSH NË TIRANË NË 10 QERSHOR 2007 NGJARJE VITI

June 10, 2020 by dgreca

-Shtypi në Prishtinë e vlerësonte ngjarje viti fjalën e Presidentit Amerikan Bush në Tiranë në 10 qershor 2007: “Herët apo vonë do të duhet të themi: ‘Mjaft, është mjaft. Kosova është e pavarur’”.  “Atë ditë, burrri më me ndikim në botë, George W. Bush, e shprehu hapur përkrahjen e tij dhe garancinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar gazeta “Koha Ditore”/

-“Viti i Ri 2008 është një tjetër vit historik i realizimit të Pavarësisë, ëndërrës shekullore, pritjeve tona të madha”, shkruante në 30 dhjetor 2007  gazeta tradicionale e Kosovës “Rilindja” në faqen e parë, ndërsa në Kalendar uronte: Gëzuar Viti i Pavarësisë 2008/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 10 Qershor 2020/

NGJARJA E VITIT 2007: VIZITA DHE FJALA E PRESIDENTIT BUSH NË TIRANË, KA VLERËSUAR SHTYPI I KOSOVËS

Në fundvitin 2007 kam raportuar nga Prishtina: Vizita dhe fjala për pavarësinë e Presidentit Amerkan Xhorxh Bush në Tiranë më 10 qershor 2007 ëshë vlerësuar ngjarja e vitit 2007 në numrat specialë festivë të Vitit të Ri 2008 të gazetave të Kosovës.

“Ngjarja e vitit: Fjala e Presidentit Bush”, thuhet në një titull në faqen e parë të gazetës “Zëri”.

“Në veçanti, paraqitja e Presidentit Bush në Tiranë, ishte e tillë që ndodhë një herë në historinë e një populli. Bush ishte shumë i qartë, shumë i saktë, shumë i drejtpërdrejtë: Kosova do të behet shtet”, ka shkruar “Zëri”.

“10 qeshori 2007, sipas të gjitha gjasave, do të mbetet dita më vendimtare në historinë e definimit të statusit të Kosovës, pas datës së shpalljes së pavarësisë. Atë ditë, burrri më me ndikim në botë, George W. Bush, e shprehu hapur përkrahjen e tij dhe garancinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar gazeta “Koha Ditore”.

Presidenti Bush,  ka vazhduar gazeta, “foli në mes të Shqipërisë, dhe në mënyrën më të qartë të mundur”. “Herët apo vonë do të duhet të themi: ‘Mjaft, është mjaft. Kosova është e pavarur’”, tha ai në vizitën e tij, mbase më të popullarizuarën të bërë jashtë SHBA-së, gjatë këtyre dy mandateve të tij, shkruan “Koha Ditore” nën titullin “Figurat e vitit në Kosovë dhe për Kosovën” dhe mestitullin “Garantuesi”.

Ndër “Figurat e vitit në Kosovë dhe për Kosovën” “Koha Ditore” me nëntitullin “Avokati i Kosovës” ka radhitur edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, dhe në kontekst të vizitës së Presidentit  Bush në Shqipëri ka theksuar: “Ndryshe, Berisha ishte vlerësuar edhe si njeriu më i duhur nga Presidenti Amerikan për t’ia përcjellë Prishtinës garancinë se pavarësia e Kosovës do të vijë gjithësesi, vetëm se duhet pasur kujdes nga hapat e ngutshëm”, ka theksuar gazeta.

“Koha Ditore” ka përkujtuar se Kryeministri Berisha  ia ka kushtuar Kosovës edhe “një pjesë të madhe të takimeve e vizitave të tij jashtë vendit, madje edhe në selitë kryesore të botës.”

“Ndër to, më kulmori ka qenë fjalimi i tij në Asamblenë e Prgjithshme të Komeve të Bashkuara, kur tha se Serbia duhet të dijë se koha e kolonizimit ka kaluar dhe Kosova duhet të jetë përfundimisht e pavarur”,  ka shkruar kjo gazetë.

Me titullin “Ngjarja e vitit 2007 – vizita e Presidentit Amerikan në Shqipëri”, gazeta “Bota Sot” ka shkruar se “në kalendarin e vitit 2007 do të shënohet me shkronja të arta 10 qershori”. “Me këtë datë në tokën shqiptare zbriti Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Bush” dhe “dha porosinë e madhe: ‘Kosova do të bëhet e pavarur!’”, ka theksuar kjo gazetë.

“10 qershor – Presidenti Bush: Pavarësia është rezultat i fundit”, ka shkruar “Epoka e Re”, e cila ka përkujtuar se Presidenti Amerikan u deklarua për pavarësinë e Kosovës “në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, e cila u përshkua nga pyetjet rreth Kosovës”.

“Presidenti Bush në Tiranë tha se Kosova do ta fitojë pavarësinë”, ka përkujtar ngjarjen e madhe gazeta “Kosova Sot”, nën titullin “Viti i afrimit të pavarësisë”.

Gazeta tradicionale e Kosovës “Rilindja”, që për Vitin e Ri të pritjes së pavërsisë ka dalë numër i jashtëzakonshëm, vizitën e Presidentit Bush në Tiranë më 10 qershor e ka vlerësuar “një ngjarje tepër të rëndësishme historike” për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin. “Zgjidhja e statusit të Kosovës  nuk përfaqëson më vetëm vetvetën, por ka marrë tashmë një kuptim thelbësor gjeopolitik”, ka theksuar gazeta në shkrimin me titull “Shqipëria në arenën ndëkobëtare”, ku veçmas është nënvizuar rëndësia shumë e madhe vizitës së Presidentit Bush në Tiranë.

Ngjarje tjetër historike në procesin e statusit të Kosovës shtypi i Prishtinës ka vlerësuar arritjen në OKB të Propozimit të Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës,  të cilin dokument Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Muun, ia ka dorëzuar zv.kryenegociatori Albert Rohan, më 15 mars. “Viti 2007, që po shkon, mbetet në histori si vit i Planit të Ahtisaarit për pavarësinë e Kosovës, dokumentit të OKB-së me përkrahje të gjerë ndërkombëtare dhe me ndonjë kundërshtim. Viti i Ri 2008 është një tjetër vit historik i realizimit të Pavarësisë, ëndërrës shekullore, pritjeve tona të madha”, shkruan “Rilindja” në faqen e parë.

Në 10 Qershor 2007 kam raportuar: KOSOVË, VIZITA E HISTORIKE E PRESIDENTIT BUSH NË SHQIPËRI NDIQET ME SHUMË INTERESIM E GËZIM

Vizita historike e presidentit amerikan Xhoorxh Bush sot në Shqipëri në Kosovë po ndiqet me shumë interesim e gëzim. Në transmetim të drejtpërdrejtë të Televizionit të Kosovës arrtija e presidentit Bush në Aeroportin e Rinasit  është përshëndetur me ngritje në këmbë e duartrokitje edhë nëpër familje dhe kudo tjetër në Kosovë. “Bush në Shqiipëri”, “Mirësevini Zoti President”, “Dhjetë milionë shqiptarë me Xhorxh W Bushin”, “Bush: Jo shtyrje të statusit të Ksovës”, “Ka ardhur koha për pavarësi”, jënë disa nga tutujt kryesorë në faqet e para të gazetave të Prishtinës. Raportet nga Tirana kryeqytetin shqiptar në pritje të presidentit Bush e përshkruajnë “sikur të ishte qytet amerikan”.

Atmosfera e festës për vizitn e presidentit amerikan Bush në Shqipëri përshkon sot edhe festimet në Prizren të 129-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku në akademinë solemne dhe veprimtari tjera është paralajmëruar pjesëmarrja e liderëve institucionalë e politikë të Kosovës.

Një numër i madh i kosovarëve kanë udhëtuar të jenë sot në pritjen e madhe për presidentin Bush në Tiranë. Për të dhënë mesazhin e mirënjohjes e falenderimit të madh për SHBA-të e presidentin Bush tre gjakovarë drejt kryeqytetit shqiptar kanë udhëtuar me biçikleta.

Televizioni i Kosovës po vazhdon transmetimet e drejtpërdrejta nga Tirana për vizitën e presidentit të SHB-ve Xhorxh Bush, që kështu ka hyrë edhe në familjet kosovarëve – mysafiri e miku i madh i të gjithë shqiptarëve.

Në 11 Qershor 2007 kam raportuar: KOSOVË, EKIPI I UNITETIT PËRSHËNDET FJALËN DHE QËNDRIMIN E PRESIDENTIT BUSH  DHE E VLERËSON MESAZHIN PËR BASHKËPUNIMIN TIRANË-PRISHTINË

 Anëtarët e Ekipit të Unitetit, pas deklarimeve të veçanta, në takimin e sotëm së bashku dhe unanimisht, kanë përshëndetur fjalën dhe qëndrimin për Kosovën të presidentit amerikan Xhorxh Bush në Shqipëri dhe kanë vlerësuar shumë të rëndësishëm mesazhin për bashkëpunimin mes Tiranës e Prishtinës. “Ekipi i Unitetet përshëndet fjalën dhe qëndrimin e presidentit Bush edhe në vizitën e Romës, edhe në vizitën në Shqipëri, për të ardhmen e Kosovës, për pavarësinë e Kosovës, që është një qëndrim shumë i prerë dhe shumë i qartë”, ka thënë presidenti Fatmir Sejdiu.

“Ne do të vazhdojmë në përgatitjet tona për të kryer pjesën e obligimev që kemi, sidomos ato që lidhen me fazën e parë të transicionit”, ka thënë Sejdiu.

I pyetur lidhur me mesazhin e presidentit amerikan Bush kryeministrit shqiptar Berisha në Tiranë për bashkëpunimin me liderët kosovarë që të mbajnë qetësinë në këta hapa të fundit, presidenti Sejdiu  ka thënë se “për Kosovën është shumë e rëndësishme që të bashkëpunojë me Shqipërinë”. Duke theksuar poashtu rëndësinë e bashkëpunimit edhe me Maqedoninë e vendet e tjera fqinje, Sejdiu  është përgjigjur:

“Kjo ka të bëjëme nevojën e bashkëpunimit të gjithmonshëm, me udhëheqjen shtetërore të Shqipërisë, po edhe me vendet tjera të rajonit. Ne kemi pasur dhe kemi kontakte të rregullta dhe shumë të mira… Për ne është me rëndësi që Shqipëria ka dhënë dhe do të japë kontributin e saj të jashtëzalkonshëm në ndihmë proceseve në Kosovë dhe poashtu është shumë e rëndësishme që gjithë struktura e saj diplomatike, gjithë rrjeti diplomatik i Shqipërisë, është në shërbim të Kosovës, të pjesës së lobizimit dhe të mbështetjes së fuqishme. Prandaj, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë. Është shumë e rëndësishme që kemi mirëkuptim të ndërsjellë. Është shumë e rëndësishme që në këtë pjesë të projektit kemi të bëjmë edhe me elementet që lidhen me çështjen e përgatitjeve të mëtejshme në pjesën e përvojave për integrime. Shqipëria, qysh tash mund të them se do të jetë kandidat serioz edhe për NATO, edhe për stukturat e Bashkimit Evropian. Për ne është e mirëseardhur kjo pjesë e punës që kanë bërë, përvoja e jashtëzakonshme, sidomos viteve të fundit, dhe mbështetja që i ipet nga ana e komunitetit ndërkombëtar”.

Filed Under: Featured Tagged With: George W Bush, president, Vizita dhe Fjala

10 QERSHOR-DATË HISTORIKE, PRESIDENTI BUSH NË SHQIPËRI

June 10, 2020 by dgreca

Nga Sami MULAJ/

Para 13 vitesh, me 10 Qershor kulmoi historia e marrëdhënieve Shqipëri – Amerikë. Për herë të parë shkeli në tokën shqiptare një president në detyrë i Amerikës: Xhorxh W.Bush.

Për herë të parë, deklarohet në kryeqytetin e shqiptarëv: Kosova do të bëhet e pavarur dhe Shqipëria do të pranohet në NATO. 

Dy gëzime në një ditë për shqiptarët, dy gëzime në një ditë për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut të madh në konsolidimin e marrëdhënjeve midis Shqipërisë dhe Amerikës.

Dy gëzime në një ditë për politikën e mencur e largpamëse të Dr. Sali Berishës, ish president dhe kryeministër i Shqipërisë, që e solli si triumfator dhuratën e gëzimit historik për kombin Shqiptar.

Zoti e bekoftë Amerikën dhe presidentin e saj, mikun më të madh të shiptarëve Xhorxh W.Bush.

Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët e miqtë e tyre në botë, dhe doktor Sali Berishën që dhanë përkushtim të madh në krijimin e forcimin e marrëdhënjeve shqiptaro amerikane.

Kombi dhe populli shqiptar që përjetësinë e ka të lidhur me miqësinë e mbështetjen e Amerikës, do t’i vleresojë e nderojë gjithmonë.

Greeting with Albanian Troops. Palace of Brigades. Tirana, Albania.

Filed Under: Featured Tagged With: George W Bush, ne Shqiperi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT