• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

EUROPA E PROFESORËVE…

June 8, 2020 by dgreca

Nga Visar Zhiti/ Dy profesorë në Itali, para jo shumë ditësh, gjatë mbylljes globale nga shkaku i pandemisë së CoronaVirusit, mes atyre shqetësimeve dhe alarmit, krizës shëndetësore botërore, ku Italia e pati mjaft të rëndë dhe jo vetëm, kur dukej se po shpërthenin dhe nacionalizmat, mbylljet e kufijve dhe po jepeshin shenjtat e frikshme të një mënjanimi dhe ndarjeje dhe atavizmat e një rreziku të totalitarizmit, sidomos në Shqipërinë e gatëshme për çdo përkeqësim, dërguan një letër plot urtësi dhe dinjitet… dhe kujt? Europës, qytetarë të së cilës ata dhe janë.

          Guximi intelektual, bukuria e kësaj letre, apeli që ata bënin, kushtrimi – thënë me shqipen e hershme, pati dhe përgjigje po aq të bukur, diplomatike ndërkaq, nga vetë Europa. 

          Profesorët që dërguan letrën janë  Matteo Mandalá, nga Katedra e Albanalogjisë në Universitetin e Palermos në Siçili dhe Francesco Altimari nga Katedra e Albanalogjisë në Universitetin e Kozencës në Kalabri, të dy akademikë të njohur për punën e tyre shkencore dhe humane, për arritjet e shkëlqyera në fushën e studimeve dhe të botimeve, në gjuhësi, letërsi, traditë, në medernitetin antropologjik të tyre, po kështu dhe veprimtarë të palodhur të kulturës, rilindas modernë, që sensibilizuan kolegë dhe intelektualë, por dhe vetë Europën në qendrën e saj drejtuese, në Bruksel, se letra i drejtohej Komisionit Europian dhe ishte në vëmendje të zonjës Ursula von der Leyen, prej së cilës, të ngarkuarit nga ajo, dhanë dhe përgjigje, që ashtu si vetë letra, duhet të gëzojë dhe të vërë në mendime çdo shqiptar. Aq më tepër që përmbajtet e tyre lidhen me vendin tonë tani, madje ai është thelbi i tyre, i letrës dhe përgjigjes, por nisma e profesorëve është shembull qëndrimi,  është nxitje e qytetarisë europiane, kumti është udhërrëfyes dhe gjithëpërfshirës.

Profesorët akademikë Mandalá dhe Altimari i drejtohen Europës së Popujve, “E dashur Europë”, – i thonë me aq shumë fisnikëri dhe familjaritet. Kemi marrë shkas, shkruajnë qysh në krye të letrës, nga Shqipëria, “me rastin e nisjes së task-forcës shëndetësore shqiptare në ndihmë të zonave të Italisë më të goditura nga CoronaVirusi”, nga fjalimi kryeministror i Edi Ramës, duke i kërkuar Europës të vazhdojë këtë rrugë “bashkimi e dashurie”.

S’ka si të mos kujtohesh, i nxitur nga kjo letër, që Shqipëria së pari duhet të marrë shembull dhe prej vetes, të njohë virytet e saj dhe të dijë të bashkohet dhe të dojë veten, Europën e Bashkuar, familjen e saj të natyrshme, SHBA-në, aleatin jetik të kombit shqiptar, të mbijetesës, që nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë dhe luftoi për Republikën e Kosoves, mbështetësit vendimtarë të demokracisë dhe të prosperitetit në të dy atdhenjtë tanë.

Qeveritë shqiptare dalin nga shqiptarët dhe janë për shqiptarët dhe të punojnë së bashku për vendin me përkushtim , s’e kam fjalën thjesht për qeveritë në Tiranë e në Prishtinë, por dhe qeveritë që pasojë njëra-tjetrën, ato që vijnë me ato që ikin e që do të vijnë, të njohin arritjet, magësitë e gabimet dhe të dinë të progresojnë, dua të them pozita me opozitën, të dyja janë qeveri, e para në pushtet, që qeveris aktualisht dhe e dyta është pushteti moral.

Ngutem të them, me statusin sublim të qytetarit, që qeveritë tona, që zakonisht marrin karakterin dhe huqet e shefave të tyre, të mos shtiren duke u kujdesur se si do të duken jashtë, ndërsa brenda, ku mungon, jo vetëm mirëkuptimi, se për bashkëpunim vështirë se mund të besosh, por bëjnë prepotentin, kritizerin deri në absurd banal, arrijnë të bëjnë dhe mashtruesin e zgjedhur me votat tona, madje dhe grabitësin, duke mos ndërtuar Shqipërinë, por oligarkinë e saj të pa mëshirshme.

Dhe kështu qeveria që pason, përsërit gabimet e së mëparshmes, kur përsëritja është dhe më e keqe, dora dotës shtohet urrejtja si një luftë klase në kushte të tjera, prapaskenat e interesave të dyshimta, pengesat që i bëjnë njëra tjetrës, kthehen në pengesa për jetën e qytetarëve, pra vetvetes, që quhet Shqipëri.      Se opozitat tona, në kohërat e tyre të ndërsjellta, kur Shqipëria bëhej gati të niste negociatat me Këshillin e Europës për pranim, kanë arritur deri aty sa të kërkojnë ndërprerjen, pra mospranimin nëpërmjet një diplomacie trashanike, gjë që ka shkatuar humbjen e kohës së Shqipërisë dhe të besimit dhe kur kanë marrë pushtetin, në rotacion opozitat kanë kërkuar dhe bërë të kundërtën, pra në të dy rastet kanë qenë jo vetëm me taktika të ndryshme, por dhe strategji të ndryshme nga ato, kur binin në opozitë me atë kur ngriheshin në pozitë. Dhe kundërshtitë e tyre dukej se kanë konsistuar në këtë: ik ti, ta bëj unë atë që do të bësh ti, pra mjaft, më lërë radhën të përfitoj unë tani. Në këtë rëndomtësi të dëmshëm duket se është katandisur gjendja, duke krijuar zhgënjime gjenerale, indiferentizëm të përgjithshme, inteligjencë të flashkët dhe rritje të varfërisë, pasigurisë dhe ikjeve, që na kujtojnë eksodet e mëdha, ato të ca dekadave më parë, kur diktatura po binte dhe ndërroi sistemi dhe u përftua një diasporë e re që kërkon të pjesëmarrë në jetën e vendit, kërkon të votojë dhe s’mundet, apo ikjet e ca shekujve më parë, kur vendi pushtohej nga perandoria otomane dhe u përftua mrekullia arbëreshe.

 Dhe pikërisht arbëreshë janë dy profesorët, Francesco Altimari dhe Matteo Mandalá që i bënë letrën shëmbullore “Europës së dashur”, që i kërkojnë dhe kujdesin për Shqipërinë amë, përfshirjen në gjirin e saj duke nëpërmendur Manifestin e Ventotenes për një Europë të lirë dhe të njësishme dhe hartuesit e tij që gjatë Luftës së Dytë Botërore në internim, federalistët Ernesto Rossi dhe Alfiero Spinelli. Dhe s’ka si të mos më kujtohet mua miku i tyre shqiptar, Zai Fundo, filozofi antifashist, kundështar dhe i Stalinit, me diplomime në Sorbonë dhe në Moskë. i vlerësuar lart nga ideatorët e Europës së Bashkuar, me të cilin konsultoheshin, siç dëshmon diku tjetër  Spinelli, Pra ne paskemi dhe një shqiptar në vegimet e Europës së Bashkuar, që pasi ikën nga internimi në Ventotene, Zai kthehet të vazhdojë luftën në Shqipëri, por me urdhër drejtpërsëdrejti nga Enver Hoxha e vrasin partizanët, kur arrin në Kukës, por duhej t’i thyenin kockat më parë, sipas pusullës së Enverit, që s’u bë dot kurrë profesor.

Shqipëria diktatoriale e vrau Europën e shqiptarëve. Meqënëse jemi në fushën e letrave, kujtoj prapë një letër tjëtër të Enverit, 5 ditë pas pushkatimit pa gjyq të një grupi intelektualësh, mes tyre dhe një grua profesore, shkencëtare, Sabiha Kasimati, nga shkaku i asaj që quhet “Bomba në ambasadën sovjetike në Tiranë”, kur ishte vetëm ca dinamit në një gazetë, shpërthimi i së cilës, s’bëri asnjë dëm, vetëm theu ca qelqe dhe Enveri, çudia më e madhe, e pa besueshme, i kërkon falje në atë letër, jo familjeve të të vrarëve pa faj nga ai shkak, prindërve, bashkëshorteve, fëmijëve, shqiptarëve të gjithë, por Stalinit. I betohet atij që partia do të jetë e pamëshirshme për atë akt terrorist dhe “akti terrorist”, sipas Enverit, nuk janë pushkatimet e tij masive, por shpërthimi incognito në ambasadë të asaj që as bombë nuk ishte, që mbase Sigurimi mund ta kishe shkaktuar vetë.    

          Enveri është një përjashtim dhe shëmbulli më zi dhe i letërkëmbimit me Europën, kur Shqipëria ka një kancelari të shkëlqyer  që në mesjetën e saj, letrat e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, “mbrojtësit të paepur të qytetërimit Perëndimor”, siç cilësohet, me aleatët e tij europianë janë modele, ku shpaloset atdhedashuria dhe diplomacia e sinqertë, madje dhe letra e tij dërguar armikut, Sulltan Mehmetit në vitin1461. Një kryevepër!

          Po kështu dhe letrat e Ali Pashë Tepelenës për Napoleon Bonopartin apo Rusisë cariste, që duhen studiuar nëper shkolla. Letra të Abdyl Frashërit, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, etj. Mund të bëhet një dosje e kancelarisë së Burrave të Shtetit Shqiptar.

          Ndërkaq shkëlqejnë letrat e intelektualëve tanë, akademikë e profesorë, dërguar liderëve botërorë, presidentëve në Europë e SHBA, atyreve që kishin në dorë fate dhe histori të popujve, në mbrojtje të çështjes shqiptare, letra brilante të një antologjie guximi dhe zgjuarsie, ndërkaq dhe me njëri-tjetrin, Naim Frashëri dhe De Rada, Faik Konica e Imzot Fan Noli, At Gjergj Fishta, Mustafa Kruja, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Musine Kokalari, etj, e deri më sot, letrat e shkrimtarit Ismail Kadare presidentëve, në Francë, SHBA, Havelit, po kështu dhe të Presidentëve Rugova dhe Berisha e deri te kryeministri Edi Rama e të intelektualëve Mitrush Kuteli, apo sot Aurel Plasari, Maks Velo, që na la para ca ditësh, artikujt e tyre dhe të të tjerëve si letra të hapura si ato ambasadorëve të SHBA-së, të Bashkimit Europian, etj, e dri tea to të poetes Elida Buçapaj kacelares gjermane Merkel, etj.

          Letra e re e intelektualëve Matteo Mandalá-së dhe Francesco Altimari-t dhe përgjigjia që ata kënë marrë, na bind se ka një “Europë të profesorëve”. Në atë letër përmenden dhe etërit themelues të Europës së Bashkuar De Gasperi, Schuman, Adenauer, Monnet, Spak, kujtoj që Monnet ka thenë pak a shumë kështu se, nëse do të duhej ta rithemelonim edhe një herë Europën e Bashkuar, do ta fillonim jo nga ekonomia, por nga kultura. Se “Evropa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët.” – thotë shkrimatri nobelist, hebreo-hungarez Imre Kertesz dhe pastaj thekson: “Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin”. – Ai I mbijetoi Aushvicit.

          Shqipëria nuk mund të shkojë në Europë pa kujtesën e saj, duke harruar kampet e Tepelenës, burgun e Burrelit, të Spaçit e të Qafë Barit, etj dhe krimet e diktaturës komuniste, pa bërë reformat në drejtësi, pa ndëshkuar të keqen, pa sistemin e duhur zgjedhor, etj, ku vazhdimisht na mbin një parlament “parlatorësh” pa bukë. Dhe që nga aty na dalin president te Republikës, gjithnjë e më befasues, më të çuditshëm, jo vetëm për botën, por dhe për ne, nga ku dalin.

          Është e pakuptueshme, e dëmshme, vrastare kur ata që vijnë në pushtet vetëm shajnë dhe rrënojnë punën e arritjet e pararendësve, ndërsa ata që ikin nga pushteti si opozitë vetëm shajnë dhe pengojnë ato që po bëjnë pasuesit e tyre, edhe nëse po vazhdojnë ato që nisën ata.

Nuk bëhet shtet me të shara e gogolizime, por me punë e mençuri e bashkëpunim, me pjesëmarrjen e të gjithëve, duke vlerësuar ato që u bënë e duke kritikuar për më mirë. Klima e sharjeve është bërë një epidemi tjetër e rrezikshme. Berisha si President dhe dy herë si kryeministër duhet parë si përvojë me rëndësi e shtetit demoktatik shqiptar, e reformave të duhura dhe të dhimbëshme, i atyre që s’u bënë a që duheshin bërë ndryshe, e Shqipërisë në NATO, e të djathtës së tij që ishte dhe e majtë, etj, po kështu dhe e ndërsjellta,  si  dhe  e majta e Edi Ramës tani që shfaqte dukuri të së djathtës e që ka rënë dhe në enverizëm, ndërkaq nuk ta kap truri se si një ish president si Bujar Nishani shan si ordiner atë kryeministër dhe qeveri që dekretoi vetë, që punoi me ta, kur ishte pjesa siperane e superstructures së saj, kurse sherri i pa ndërprerë i presidentit aktual Ilir Meta me kryeministrin aktual Edi Rama është vazhdim i asaj marrëzie të nishantë. Rama propozoi Metën, pra urdhëroi zgjedhjen e tij president, Meta e dekretoi atë si kryeminsitër dhe qeverinë tij. Mbyllën pazare kështu apo u prishën pazare, thonë njerëzit mes tyre.

          Çështjeve të tilla nuk u japin përgjigjen e duhur gazetat, edhe kur investigojnë dhe sensibilizojnë me të drejtë, as klanet televizive, që aq sa në shërbim janë vënë, veç disinformojnë me profesionalizëm e propagandojnë keq, as politika, por drejtësia e re, vetingu, Spak-u, etj, nëse janë të vërteta, zgjedhet nëse do të jenë të lira dhe paraprakisht me një reformë zgjedhore të duhur, gjithpërfshirëse, nëse do ia dalin.

Ndërsa populli, intelektualët e tij, profesorët kanë të drejtë të plotë të protestojnë dhe ta shkundin vendin për shumë arsye dhe halle, për varfërinë stabile dhe korrupsionin galopant, për nomenklaturën e dikurshme të kudogjendur, urbanizimin çoroditës, shpesh pa identitet, për Teatrin Kombëtar që shëmbet natën si në një aksion ilegal guerilasish, megjithëse teatri i ri është i domosdoshëm dhe tejet I vonuar, për dhunën deri edhe te gazetari i njohu Alfred Lela,  përdhunimet, pedofilinë, duke tromaksur 15 vjeçaret, stresuar gjeneratën e re, për pedofilinë politike, deri te nëpërkëmbjet për të përndjekurit, kujtesën, shpifjet shtetërore, etj, etj, për Europën që na mungon, për aleancën me SHBA-në, për të qenë në lartësitë që meriton. Etj, etj.

 Ja, si dialogon Europa e profesorëve, letrat në fjalë i përktheu për një artikull të tij studiuesi Pëllumb Xhufi, duke e vlerësuar intelektualisht këtë dialog dhe duke ia kundërvenë kahut tjetër jo të tij, ndërkaq dukuria është e përbashkët dhe ajo që na duhet më shumë, ja, si u përgjigjet Europa intelektualëve Matteo Mandalá dhe Francesco Altimari: “Të nderuar Profesorë, – ju falenderojmë… për thirrjen tuaj plot ndjenjë dhe solidarite, – pra nuk bëhet pa ndjenja dhe bashkëpunim, pa i nderuar profesorët e jo duke i harruar. Vazhdojmë me letrën: Shëmbulli i Shqipërisë, të cilit ju i referoheni, tregon edhe një here rëndësinë e lidhjes strategjike mes bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i Bashkimit Europian për Shqipërinë është konkret… dhe tregohen shëmbuj dhe shumat e eurove të caktuara, milionëshe për të përballuar tërmetet, krizat shëndetësore, deri dhe koferencat “Together for Albania”, etj. – E ardhmja e Ballkanit Perëndimor, pra dhe e Shqipërisë, është në Bashkimin e Europian… – lidershipi shqiptar dhe politika ka për detyrë ta përshpejtojë ardhjen e kësaj të ardhmeje, pjesë e trazicionit të lodhshëm postdiktatorial. Që Ballkani Perëndimor t:e quhet seriozisht Europa Jug-lindore. – Komisioni Europian do të vijojë dialogun e tij me Shqipërinë… për të mirën e shtetsave të Shqipërisë.”

Kjo është e rëndësishme. Shpresa ka. Ndërkaq duhet të ndërgjegjësohemi dhe Shqipëria duhet ta kuptojë, që mes të tjerash, sa shumë e ka rrënuar kulturën  e bisedës me veten dhe me të tjerët, institucionin e vlerave, prandaj dhe duhet të bëjë përpjekje të mëdha edukuese të ngrihen, patjetër, politika shqiptare dihet të mësojë nga Europa e profesorëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Europa e Profesoreve, Visar Zhiti

SATELITËT E RINJ NË HAPSIRË DHE PROBLEMET E SIGURISË NË APLIKACIONIN ZOOM

June 8, 2020 by dgreca

Besmir Semanaj, Inxhinjer IT PlaytechBGT, rrëfen në një intervistë ekskluzive për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, përballjen e shtetit austriak me pandeminë globale, siguria dhe problemet e komunikimit në aplikacionin zoom, 5G dhe konspiracioni Covid-19, situatën e shqiptarëve në Austri etj. Me inxhinjer Besmir Semanaj bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.

AUSTRIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Në momentin që flasim kemi diku tek 16854 persona të infektuar me Covid-19 ndër të cilët vetëm 622 janë aktiv. Austria është ndër shtetet me menaxhimin më të mirë të kësaj krize globale. Shteti me ndërhyrjet që ka bërë hap pas hapi, i ka dhënë frymë ekonomisë duke ndihmuar biznesin për personat e punësuar me subvencion në rroga dhe në mbështetje direkte. Gjithashtu Austria në asnjë moment nuk ka pasur një Lock Down tipik por më shumë është këmbëngulur në distancim social. Lëvizja e lirë dhe transporti publik bashkë me shërbimet bazë ka qenë funksional si në ditët normale para pandemisë. Aktualisht mund të themi që në Austri janë hapur të gjitha aktivitetet dhe jeta është kthyer në normalitet. E vetmja gjë që ndryshon nga koha para Covid-19 është mbajtja e maskës në transport publik dhe në qendra tregtare.

SHQIPTARËT NË AUSTRI


Fatmirësisht nga të dhënat zyrtare nuk kemi asnjë të prekur me covid-19 nga komuniteti ynë. Ambasada Shqiptare vazhdimisht na ka mbajtur të informuar dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm. Për zhvillimet dhe masat që duhet të merren. Duke qenë se nuk kemi pasur një Lock Down klasik siç e theksova dhe më lart kemi vazhduar takimet në mënyrë normale por kësaj here më shumë në parqe duke shmangur ambjentet e mbyllura.

COVID-19 DHE 5G, NJË KONSPIRACION I MADH

Një gjë mund të them me bindje të plotë si nga ana profesionale gjithashtu dhe njerëzore, 5G dhe Covid-19 nuk kanë asnjë lidhje dhe është thjesht një fake news. Gjatë Covid-19 kemi pasur një mori me “Fake News” që e lidhin Corona Virus me 5G.  Këto janë lajme keqdashëse, të cilat kanë çuar në një histeri kolektive. Në shumë vende të botës janë djegur dhe antena të telefonisë mobile, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me 5G duke nxjerrë jashtë përdorimit edhe shërbimet e emergjencës. Një ndër personat e parë që ngriti një teori të till ishte Prof. Dr. Thomas Cowan, video e tij u përkthy në 5 gjuhë të botës dhe u bë virale. E gjithë kjo teori ishte e ngritur mbi mashtrim dhe keqpërdorim të dhënash. Cowan pretendonte që Covid-19 u shfaq në Vuhan, sepse atje ishte bërë implementimi i parë i 5G, ndërkohë implementimi i parë dhe shteti me numrin më të lartë të 5G është Koreja e Jugut, që është një ndër shtetet që e ka menaxhuar më së miri pandeminë. Nga ana tjetër, kemi Iranin i cili nuk ka 5G, por është një ndër shtetet me të prekura dhe me një vdekshmëri të frikshme. Në shumë vende të botës gjithashtu edhe në Austri 5G po implementohet në kampuse universitare ku pedagogët dhe shkencëtarët e këtyre institucioneve kanë dhënë miratim të plotë. Ajo që më vjen keq është keqpërdorimi i teorive konspirative dhe nga persona që mbajnë grada shkencore. Ky është një fenomen që po ndodh rëndom në Shqipëri, persona që e mbajnë veten si koka të ndritura gënjejnë popullin dhe përhapin panik me fakte të shtrembëruara dhe shifra të pa vërteta. Ajo që na takon neve si ekspertë të fushës është marrja për bazë e studimeve shkencore dhe hedhja e hapave në çdo teknologji duke u bazuar aty. 5G do sjellë shumë benefite dhe jam i sigurtë që përdoruesit e parë do jenë ata që sot po e sulmojnë.

PROBLEMET E SIGURISË NË APLIKACIONIN ZOOM

Shpërthimi i pandemisë së Covid-19 i kapi të papërgatitura shumë shtete, që iu drejtuan teknologjisë për të mundësuar takime të cilat s’mund t’i zhvillonin më si dikur në tryezë të përbashkët. Kësisoj gjatë kësaj kohe nisi përdorimi masiv i aplikacionit “Zoom” që mundësoi video-konferenca nga më të ndryshmet, duke nisur nga kurset e Jogës, deri te takimet mes mësuesve dhe nxënësve, apo takime të kabineteve qeveritare. Mjafton të përmendim këtu faktin që ZOOM ka pasur vetëm gjatë muajit Prill me shume se  200 milionë  përdorues ditorë, përkundër 10 milionë që kishte në vitin 2019, për të kuptuar rritjen e shpejtë të përdorimit të tij. Por gradualisht shumë vende nisën ta ndalonin përdorimin e “Zoom”-it për shkak të të metave që paraqet ai për sa i takon sigurisë. Në Shqipëri aplikacioni nisi të përdoret që nga zhvillimi i orëve mësimore në shkolla e universitete, e madje në mbledhje të tilla të rëndësisë së veçantë si Këshilli i Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë presidenti Meta, kryeministri Rama, kreu i Kuvendit Ruçi, kreu i PD-së Basha, dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të qeverisë. Shqetësimi lidhet me të dhënat që “Zoom”-i merrte dhe shpërndante me palët e treta, si “Facebook”-un dhe të tjera, duke ndarë me këto platforma të dhëna personale. Gjithashtu gjatë kësaj kohe kemi pasur dhe mbi 10 thyerje të sigurisë tek ky aplikacion.  Përshembull Shteti i NeëYork e ndaloi përdorimin pasi zbuluan që një pjesë e trafikut kalonte në serverat të cilët ishin të hostuar në Kinë. Për përdorim biznesi dhe përdorim privat Zoom është një ndër aplikacionet më të mira, por kur vjen puna te mbledhjet e Sigurisë Kombëtare është një shkelje e çdo protokolli shtetëror dhe nuk duhet të realizohet, kjo ka qenë dhe arsyeja që unë si njohës i fushës kam reaguar në shumë media duke e kundërshtuar fuqimisht. Kjo pasi informacioni duhet të jetë i inkriptuar dhe në rrjet të klasifikuar, kjo bën që Shqipëria të humbë besueshmërinë si shtet. Nga ana tjetër mund të themi që zoom pas kaq muajsh ka mbyllur pjesën më të madhe të problemeve me sigurinë dhe shumë shtete që e patën ndaluar kanë nisur ta përdorin sërish. Në kushtet aktuale nuk shoh asnjë problem në përdorimin e këtij programi me përjashtim institucionet e rëndësisë së veçantë shtetërore.

SATELITËT NË HAPSIRË

Kohët e fundit nga qiejt e gjithë botës mund të shohim disa drita lëvizëse që duken si yje. Ato s’janë asgjë tjetër veçse një mori satelitësh në orbitë të ulët të lëshuar nga kompania Spacex të cilët quhen StarLink. Këto janë satelitë të vegjël të cilët do mundësojnë mbulimin me internet me një vonesë transmetimi të vogël dhe do i japin mundësinë e aksesit në rrjet dhe atyre vendeve që deri më sot e kishin të pamundur. Kjo tregon dhe një herë supermacinë e biznesit Amerikan dhe benefitet që këto kompani do i sjellin njerëzimit.

MESAZHI PËR DIASPORËN NË USA DHE LEXUESIT E DIELLIT

Pikë së pari do doja t’ju falënderoja për intervistën dhe mundësinë që të kemi një dritare komunikimi me një ndër komunitetet më të rëndësishme dhe patriotike mbarëshqiptare, komunitetin shqiptar në USA. Për më tepër në gazetën e parë Shqiptare dhe më të vjetër Dielli. Mund të them me plot gojë që ky komunitet është pika e frymëzimit dhe referimit për shumë grupime dhe komunitete që ne po mundohemi të krijojmë sot në Europë. Ju përshëndes nga zemra dhe ju uroj shumë suksese.

Filed Under: Politike Tagged With: Ing Besim Semanaj, Problemet e Sigurise, Sokol Paja, Zoom

“Esencat e mendimit letrar” i Dr. Besim Muhadri botohet në Nju Jork

June 7, 2020 by dgreca

Shkruan: Adnan Mehmeti, Nju Jork/

Këto ditë në Nju Jork, shtëpia botuese “Adriatic Press” ka botuar librin me kumtesa dhe studime letrare “Esencat e mendimit letrar” të anëtarit të Shoqatëse së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe profesorit të Universitetit të Gjakovës “F. Agani”, Prof.asoc.dr. Besim Muhadri. Libri i autorit në fjalë, i cili tash e 13 vjet zhvillon jetën në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, është i shtati me radhë në fushën e studimit letrar dhe i 22-ti në tërë opusin e tij krijues.

Siç e tregon edhe vet autori që në titull, libri “Esencat e mendimit letrar” është një libër me kumtesa dhe studime, shumica të lexuara nëpër konferenca dhe seminare ndërkombëtare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Belgjikë, dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por disa të botuara edhe nëpër revista shkencore ndërkombëtare.

Librit i paraprin studimi “Pal Hasi dhe Andrea Bogdani autorë të cituar të një letërsie dhe trashëgimie të tretur”, për të vazhduar me studimet “Komisia Letrare e Shkodrës, reflektimi dhe vlerësimi i saj në Kosovë”, “Proza e Ernest Koliqit në kontekstin e letërsisë shqipe të shekullit XX”, “Rexhep Qosja dhe rikthimi i Gjergj Fishtës dhe i Faik Konicës në letërsinë shqipe”, “Kosova në veprën letrare dhe publicistike të Ismail Kadaresë’, ”Tipologjia e veprës “Njerëzit” i Hivzi Sulejmanit dhe rëndësia historike – letrare e saj”, “Aspekte tematike në poezinë dhe prozën e  Murat Isakut”, “Anton Pashku dhe simbolika e prozës të tij”, “Poezia e Din Mehmetit dhe kritika letrare”, “Vrasja e poetëve nga regjimi komunist dhe (mos)reagimi i shtresave intelektuale të kohës”, “Pasqyrimi i figurës së Skënderbeut në veprën letrare  të  Bilal Xhaferit e të Fatos Arapit”, “Kultivimi dhe zhvillimi i letërsisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, “Gjekë Marinaj – poet i shquar i diasporës shqiptare në Amerikë”, “Ramiz Gjini, tregimtar e romansier”, “Studimi i veprës së Lasgush Poradecit në Kosovë”, “Interneti dhe deformimet gjuhësore dhe konceptuale të artit të mirëfilltë letrar”,  “Kontributi i studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto në studimin e strukturës etike të Kanunit shqiptar” dhe përmbyllet me vështrimin “Përmendore letrare për poetin e harruar”.

Te “Pal Hasi dhe Andrea Bogdani autorë të cituar të një letërsie dhe trashëgimie të tretur”, studiuesi merret me fatin e shkrimitarit dhe veprës së humbur, që ne lëtersinë tonë nuk janë raste të rralla. Prandaj, këtë fat kishin edhe Pal Hasi dhe Andrea Bogdani, të dy priftërinjë të spikatur por edhe autorë të rëndësishëm të kulturës sonë. Njëri poet, të cilin e përmend Pjetër Budi, ndërsa tjetri gjuhëtar, të cilin e përmend Pjetër Bogdani për gramatikën e gjuhës shqipe, e cila, siç thotë P. Bogdani, u tret si kripa në ujë, pasiqë ajo i kishte humbur gjatë kohës kur ai po fshihej për t’i shpëtuar ekzekutimit të Perandorisë Otomane. “Megjithatë, veprat e Pal Hasit dhe të Andrea Bogdanit, qoftë edhe në këtë formë, arrijnë të komunikojnë në formën dhe mënyrën e tyre, duke përçuar tërë kompleksitetin e veçantisë dhe të rëndësisë së  tyre kulturore letrare, gjuhësore të një kohe të caktuar, gjithsesi të rëndësishme, në shkallë kombëtare. Ata, padyshim, janë dhe do të mbeten emra që nderojnë kulturën tonë të lashtë dhe dëshmojnë për një traditë tonën letrare dhe shkencore shumë më të hershme se sa ajo që na vijnë dëshmitë”, thotë në mes tjerash Muhadri në studimin e tij.

Ndërkaq, në studimin “Komisia Letrare e Shkodrës, reflektimi dhe vlerësimi i saj në Kosovë”, autori merret me trajtimin e rolit të kësaj Komisie, të themeluar nga austro-hungarezët në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit XX, ndërkaq, në këtë studim Muhadri përqëndrohet në rolin e saj në fushën e gjuhës e të lëtërsisë shqipe, por edhe për jehonën e saj edhe në Kosovë. Më konkretisht ai merret me rolin e saj në fushën e arsimit, kurse në fokus të punimit të tij ka vënë veprat e Fadil Rakës dhe të Sheremet Krasniqit në lidhje me Komisinë Letrare të Shkodrës.

Në studimin “Proza e Ernest Koliqit në kontekstin e letërsisë shqipe të shekullit XX”, Muhadri flet për zhvillimin e prozës shqipe në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, duke vënë në fokus të saj prozën e Koliqit, përkatësisht shqyrtimin  e disa aspekteve  të  tregimit të shkurtër në letërsinë tonë në përgjithësi, dhe të atij të Koliqit si themelues i kësaj lloj proze, në veçanti. Ai ka marrë në shqyrtim librin “Hija e maleve”, por edhe në libra të tjerë të këtij shkrimtari të rëndësishëm të letësrisë sonë.“Proza tregimtare e Koliqit mban vulën e një kohe që paralajmëronte se në prozën dhe në letërsinë tonë, në tërësi, po shfaqej një brez, i cili, për shumëçka, do të ishte i rëndësishëm dhe do të tejkalonte brezat e tjerë. Ajo paraqet një aspekt të veçantë, jo vetëm për stadin e zhvillimit të letërsisë sonë në një kohë dhe periudhë të caktuar të historisë së letërsisë sonë”, thotë studiuesi Muhadri.

Te studimi “Rexhep Qosja dhe rikthimi i Gjergj Fishtës dhe i Faik Konicës në letërsinë shqipe”, Muhadri ka vënë në spikamë pikëpamjet e akademik Qosjes në lidhje me dy kolosët e letërsisë sonë, Gjergj Fishta e Faik Konica, me rastin e rikthimit të tyre në letërsinë shqipe, pas një ekzili të padrejtë gjysmëshekullor, të dhënë nga regjimi komunist, që rezultoi me një ekskomunikim të veprës së tyre me lexuesit në atdhe. Sipas Muhadrit “Shkaqet e qëndrimeve të politikës zyrtare të kohës që çoi në eleminimin apo përjashtimin e shkrimtarëve të mëdhenj, Qosja i klasifikon jo vetëm politike dhe jo vetëm ideologjike, por edhe kundërkulturore, të rrezikshme për artin, shkencën, kulturën dhe për lirinë e njeriut dhe të popullit, ndërkaq, rikthimin e tyre, përkatësisht të veprës së tyre pas 45 vitesh të përjashtimit, e cilëson si një rikthim të një thesari tejet të rëndësishëm artistik, shpirtëror dhe moral”.

Në “Kosova në veprën letrare dhe publicistike të Ismail Kadaresë”, autori spikat kontributin e Ismail Kadaresë në trajtimin e temës së Kosovës, si në poezi, ashtu edhe në roman dhe publicistië. Muhadri thotë se “te Kadareja, trajtimi i temës së Kosovës kap një periudhë të gjatë kohore të shtrirjes si problem”, ndërsa kontributin e Kadaresë në trajtimin e temës së Kosovës e cilëson si të patjetërsueshëm që, “jo rrallëherë atij i ka shkaktuar telashe të llojit të vet”. Megjithatë, siç thotë Muhadri “karshi kësaj çështje, Kadare  e ka kryer dhe vazhdon ta kryejë detyrën e vet si intelektual dhe shkrimtar i shquar i letërsisë së kombit të tij”.

Te “Tipologjia e veprës “Njerëzit” të Hivzi Sulejmanit dhe rëndësia historike – letrare e saj”, ka trajtuar aspektin tipologjik të veprës “Njerëzit” të Hivzi Sulejmanit, një vepër e cila qëndron në mes romanit dhe të prozës dokumentare. Autori veprën në fjalë e cilëson edhe si një kronikë e një revolucioni dhe një dëshmi relevante e një jete dhe e një shoqërie, e cila trajton dramën e njeriut tonë në përpjekje të vazhdueshme për t’i ruajtur e mbrojtur virtytet, qenien e botës së vet, përpjekjen e njeriut për të mbetur njeri, për ta ndryshuar vetveten dhe realitetin e kohës”.

Në “Aspekte tematike në poezinë dhe prozën e Murat Isakut”, Muhadri në laboratorin e analizës së tij ka vënë veprën letrare të Murat Isakut, duke e cilësuar Isakun si një shkrimtar erudit dhe kreativ, por edhë një zë tepër origjinal dhe interesant, duke kërkuar që veprës së tij t’i kushtohet vëmendje e veçantë studimi dhe vlerësimi, në mënyrë që asaj dhe autorit t’i jepet vendi i merituar në historinë e letërsisë së gjithëmbarshme kombëtare”.

Studime mjaft të rëndësishme në librin “Esencat e mendimit letrar” janë edhe “Anton Pashku dhe simbolika e prozës të tij” dhe “Poezia e Din Mehmetit dhe kritika letrare”, ku studiuesi merret me prozën e Pashkut në përgjithësi dhe me atë të romanit “Oh”, në veçanti si dhe me relevancat e studimit të poezisë së Din Mehmetit dhe të vlerësimeve të kritkës letrare për këtë poet të shquar në letërisë sonë.

“Vrasja e poetëve nga regjimi komunist dhe (mos)reagimi i shtresave intelektuale të kohës”, është një trajtesë interesante, ku Muhadri i bën temës së tragjikës së vrasjes së poetëve gjatë regjimit komunist në Shqipëri, si dhe të reagimit apo të mosreagimit të intelektualëve shqiptarë të kohës në lidhje me këto përmasa tragjike të ekzekutimit të krijuesve letrarë. Ai me këtë rast në shqyrtim të punimit të tij ka poetët e vrarë e të varur në litar, Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Havzi Nela.

“Ajo që është më e dhimbshme dhe më trishtuese në këtë katrahurë vrasjesh poetësh, thotë autori, është skenari i likuidimit të tyre, që sipas studiuesit i ngjan një tragjedie në tri akte, para së cilës nuk vjen në pyetje indeferenca e lexuesit, i cili gjatë zhvillimit të akteve të saj do të ndiejë tërë peshën e bagazhit të një sistemi kriminal dhe tërë peshën e injorancës, fodullëkut dhe serviletit të “njeriut” të shndërruar në hiqnjeri, në sadist, i cili kënaqej me të keqen e tjetrit, të cilën ia përgatiste vetë”.

Te studimi “Pasqyrimi i figurës së Skënderbeut në veprën letrare të Bilal Xhaferrit e të Fatos Arapit”, autori ka marrë në shqyrtim pjesën e veprës së e dy shkrimtarëve tanë që ndërlidhet me trajtimin e figurës dhe epokës së Skendërbeut, ndërkaq, te studimi “Kultivimi dhe zhvillimi i letërsisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, Muhadri jep kontributin e tij në pasqyrimin e aktivitetit të mërgatës shqiptare në SHBA në fushën e letërsisë, si në gjininë e poezisë, ashtu edhe të prozës dhe të publicistikës, që i bëhen krijimtarisë letrare të mërgatës shqiptare në SHBA.

Te studimet “Gjekë Marinaj – poet i shquar i diasporës shqiptare në Amerikë”, “Ramiz Gini, tregimtar e romansier”, Dr. Besim Muhadri ka analizuar veprat e dy shkrimtarëve shqiptaro-emerikanë, Gjekë Marinaj si poet dhe Ramiz Gjini si prozator, duke vënë në spikamë disa nga vlerat ideo-estetike dhe tematike e zhanrore të këtyre dy shkrimtarëve të diasporës sonë në Amerikë.

 Të një rëndësie të veçantë janë dhe kumtesat “Studimi i veprës së Lasgush Poradecit në Kosovë”, “Interneti dhe deformimet gjuhësore dhe konceptuale të artit të mirëfilltë letrar”,  “Kontributi i studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto në studimin e strukturës etike të Kanunit shqiptar” dhe përmbyllet me vështrimin “Përmendore letrare për poetin e harruar”.

Te punimi për studimin e veprës së Lasgush Poradacit, është fokosuar te leximi dhe studimi i poezisë së Lasgushit në Kosovë, por edhe te vlerësimet që studiuestë nga Kosova i japin veprës së poetit tonë të shqurar. Në këtë rast ai ka veçuar mendimet e Rexhep Qosjes, Sabri Hamitit, Emin Kabashit, Mensur Raifit, Kujtim Shalës e të ndonjë studiuesi tjetër. Ndërkaq te “Kontributi i studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto në studimin e strukturës etike të Kanunit shqiptar”, shohim kontributin e profesorit Japonez në lidhje me pasqyrimin e vlerave dhe të strukturës etike të Kanunit, në krahasimin me  konceptet etike të veprave homerike por edhe me ata të  kulturës dhe traditës së japonezëve antikë.

Te “Interneti dhe deformimet gjuhësore dhe konceptuale të artit të mirëfilltë letrar” autori shpërfaq shqetësimet e tij në lidhje pasojat e deformimeve letrare e gjuhësore në kontekstin e zhvillimeve të reja teknologjike.  Ndërkaq libri përmbyllet me vështrimin “Përmendore letrare për poetin e harruar”, që është një analizë interesante e librit “Rreshpja që nuk e kuptuam kurrë” të Petrit Palushit. Në këtë analizë të Muhadrit, shohim portretin fizik dhe krijues të një poeti interesant dhe tragjik, siç ishte Frederik Rreshpja. Po aty shohim edhe pikëpamjet e Rreshpjes në lidhje me poezinë, jo vetëm të tij, por edhe atë shqipe dhe botërore në përgjithësi.

Prandaj, duke parë gjithë këtë material studimor të Dr. Besim Muhadrit të ofruar në librin e tij “Esencat e mendimit letrar”, duhet të themi se libri në fjalë është një libër i strukturuar, me një thellësi analitike dhe shkenore, që shoqërohet edhe nga citate dhe referenca të shumta, të cilat librit i japin edhe karakterin e mirëfilltë shkencor. Libri i Dr. Besim Muhadri është rezultat i një pune disavjeçare të tij në fushën e studimit dhe trajtimit te temave të rëndësishme letrare, por edhte  të veprave të autorëve të shquar të periudhave të ndryshme të letërsisë sonë. Prandaj, si i tillë, me plot të drejtë thotë edhe autori në parfathënien e tij, se ai mund t’u hyjë në punë jo vetëm lexuesve, por edhe studiuesve dhe studentëve të letërsisë.

Prandaj, më duhet të them për fund se “Esencat e mendimit letrar”, i botuar këtu në Nju Jork, paraqet një ngjarje të rëndësishme për komunitetin letrar, veçanërisht të fushës së studimit, jo vetëm këtu në Nju Jork, pjesë e të cilit tash e sa vite është autori, por edhe në Kosovë, Shqipëri dhe kudo ku janë shqiptarët.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Adnan Mehmeti, BEsim Muhadri, Esenca e mendimit Letrar

“Udhёheqja dhe Qeverisja Efektive” për liderët e rinj të Ballkanit

June 7, 2020 by dgreca

Dr. Ermira Babamusta mbajti trajnimin “Udhёheqja dhe Qeverisja Efektive” për liderët e rinj të Ballkanit/ 

Nga Qendresa Nikqi/*

Drejtoresha e fushatës Presidenciale e Presidentit Amerikan Barack Obama, Dr. Ermira Babamusta mbajti trajnimin me temën “Udhёheqja dhe Qeverisja Efektive” për strukturat e LDA Balkan (Leadership Development Association).

Dr. Ermira Babamusta është një eksperte dhe ligjëruese me përvojë shumëvjeçare në Amerikë, duke qenë pjesë e “Speakers Bureau,” byroja e folësve motivues. Përvoja e saj profesionale përfshin Departamentin e Sigurisë së Atdheut në Amerikë, AmeriCorps Vista në Nju Jork, Këshilli i Kongresit Amerikan për Udhëheqjen e Rinisë (Congressional Youth Leadership Council), Departamenti i Paqes në OKB, Administrata e Presidentit Obama dhe Kongresi Amerikan në të dyja dhomat Senatin Amerikan dhe Dhoma e Përfaqësuesve (U.S. House of Representatives).

Me ftesë të zv. Presidentit të LDA Balkan z. Qëndrim Hoxha, CEO i kësaj organizate për Kosovë, Dr. Ermira Babamusta me 5 qershor 2020 ka mbajtur trajnim për anëtarët e LDA-së me degë në Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

 “Pata kënaqësi të veçantë të ndaj përvojat e mia rreth lidershipit transformues dhe adoptues me pjesmarrësit e forumit Ballkanit të LDA-së. U angazhuam në një debat interesant rreth temës nëse një lider është i lindur i tillë apo nëse kjo veti mund të zhvillohet tek të tjerët. Udhëheqësit mund të lindin në çdo sferë dhe udhëheqja është një aftësi që secili prej nesh mund ta përvetësojë dhe zbatojë nëpërmjet angazhimeve apo përkushtimit ndaj kauzave të ndryshme,” tha Dr. Ermira Babamusta.

 “Vlerësoj kontributin dhe ftesën nga z. Qëndrim Hoxha duke mundësuar një platformë ndërkombëtare si LDA që përgadit liderë të suksesshëm për të ardhmen,” shtoi Dr. Babamusta, autore e librit “Besimi Politik në Kosovë” dhe eksperte e punëve të jashtme.

Trajnimi shёnoi siparin e tij me fjalёn hyrёse tё mbajtur nga Presidenti i LDA Balkan, Marilo Meta; zv. Presidenti i LDA Balkan dhe CEO i LDA Kosova, z. Qёndrim Hoxha; si dhe Menaxheri i Burimeve Njerёzore tё LDA Balkan Dr. Sc. Sedat Baraliu, moderuar nga Dona Kuçi, dega e LDA-sё nё Maqedoni tё Veriut.

 “LDA Ballkan është një platformë ndërkombëtare në shërbim të rinisë dhe profesionistëve të rinj. Ne, me kurajo dhe vullnet të madh, jemi të përkushtuar për të qenë të suksesshëm përmes projekteve tona ndërkombëtare për zhvillimin e aftësive drejtuese të të rinjve dhe në ndërtimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit midis 30 vendeve përfaqësuese të LDA-së,” tha z. Qëndrim Hoxha, zv. President dhe CEO i LDA Ballkan, dega në Kosovë.

 “Angazhimi im për organizatën, përveç administrimit të burimeve njerëzore, promovon edhe trashëgiminë kulturore në botë përmes të rinjve dhe edukimin e tyre për ruajtjen e trashëgimisë kulturore,” tha Dr. Sc. Sedat Baraliu, Menaxher i Burimeve Njerëzore LDA Ballkan.

Platfomra e LDA Balkan: Udhëheqja dhe Angazhimi Global


Presidenti i LDA-së Marilo Meta dhe zv. Presidenti Qëndrim Hoxha janë angazhuar fuqishëm në zhvillimin e qytetarisë aktive në Ballkan dhe më gjerë. Ata, së bashku me Prof. Dr. Sedat Baraliun dhe anëtarët e kësaj organizate e kanë bërë LDA-në emrin më të dashur nga të rinjtë në gjithë Ballkanin duke qenë shumë produktiv në punën e tyre.

“Themelimi i LDA-së nuk ka qenë vetëm një moment historik, por një ideal, një ëndërr e realizuar nga të rinjtë që kërkojnë zhvillim dhe prosperitet, duke kërkuar paqe dhe drejtësi shoqërore. LDA ka qenë një histori për të shkruar, një pikë fillestare për një mision, një vizion unik univerzal, së bashku si qytetarë të botës për një botë më të mirë, për një të ardhme më të mirë në paqe, solidaritet dhe prosperitet,” theksoi Marilo Meta.

Dr. Ermira Babamusta pёrgjatё ligjёratёs sё saj ndau me pjesmarrёsit e trajnimit eksperiencёn e saj si Drejtoreshё e Fushatёs Presidenciale tё Presidentit Barack Obama, duke shёrbyer kёshtu si njё motivim dhe frymёzim pёr tё gjithё pjesmarrёsit e trajnimit. Njёkohёsisht nёpёrmjet trajtimit dhe tё disa pikave mjaft interesante si, historiku i lidershipit, evoluimin e tij pёrgjatё kohёs, tiparet tё cilat e bёjnё njё individ njё lider tё suksesshёm, modelet e ndryshme tё lidershipit, apo edhe elementёt e njё qeverisje efektive, e cila shёrben si pikёnisje pёr zhvillimin lokal e global tё shoqёrive, sollёn njё tablo informuese pёr tё rinjtё pjesё tё LDA Balkan.

Trajnimi u pasurua gjithashtu dhe me pjesmarrjen e anёtarёve nga shtete tё ndryshme tё Ballkanit si: Leona Jahiri nga Kosova, Bjondina Sherifi nga Maqedonia e Veriut, Arb Shabani nga Mali i Zi, Leutrim Edipi nga Lugina e Preshevёs dhe Evelina Rumi nga Shqipёria. Nё fjalёn e tyre, gjithsecili ndau rёndёsinё qё ka lidershipi, roli i liderit, individi, udhёheqja efektive dhe bashkёpunimi, nisur nga eksperiencat personale, profesionale apo problematiket aktuale qё prekin drejtpёrsёdrejti rininё e jo vetёm.

 “Trajnimi i sotshëm organizuar nga LDA tregoi dhe një herë se të rinjtë kanë dëshirë të aftësohen, kanë interes të mësojnë gjëra të bukura, të reja. Trajnimi bëhet dhe më interesant kur trajnerët kanë një bagazh profesional goxha të pasur, siç ishte rasti i sotëm i trajnimit. Ishte shumë frytdhënës dhe jam e bindur si unë që do aplikoj njohuritë e fituara në punën time të përditshme në institucionin ku jam pjesë dhe shumë të rinj si unë tashmë kanë zgjeruar diapazonin e tyre,” tha Dona Kuçi, moderuese e trajnimit dhe përfaqësuese e LDA Balkan, dega Maqedoni e Veriut.

 “Përfitova njohuri të reja nga eventi i e mbajtur me Dr. Ermira Babamusta. Si trajnere e karates në profesion, lideri më së miri avancon dhe profesionalizon ekipën e tij,” tha Fjona Xhelili, Administratore në LDA Balkan, dega Kosovë.

Trajnime tё tilla do tё jenё pjesё e vazhdueshmё e LDA Balkan dhe anёtarёve tё saj, me qёllimin e vetёm pёr tё frymёzuar, motivuar dhe krijuar liderёt e sё ardhmes.

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Ermira Babamusta, lideret e rinj, Qendresa Nikqi, Udheheqja Qeverisja

Kosova, falënderime për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

June 7, 2020 by dgreca

-Qeveria e Kosovës, sot mbajti mbledhjen katërt, shpreh falënderimet për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhbllokimin e fondeve të MCC-së, të Korporatave të Sfidave të Mijëvjeçarit/

PRISHTINË, 7 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh falënderimet për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhbllokimin e fondeve të MCC-së, të Korporatave të Sfidave të Mijëvjeçarit.

“Një shumë e konsiderueshme e mjeteve që shkon nga 150 deri më 200 milionë euro tani vazhdojnë të shpenzohen nëpër projekte specifike në dy shtyllat e këtij programi. Besoj se është në interes edhe për kabinetin edhe për qytetarët që të informohen për këtë dhe të shpreh falënderimet tona për këtë mbështetje që vjen në ditët e para të qeverisë së re”, tha kryeministri Avdullah Hoti duke shprehur falënderimet në emër të Qeverisë së Kosovës, në mbledhjen e saj të sotme, të katërt, të  rregullt.

Shtylla e parë e këtij programi, vijoi kryeministri Hoti, është marrëveshja që quhet e pragut, në vlerë prej 49 milionë dollarësh, të cilat mjete investohen nga korriku i këtij viti, pra brenda 2 muajve, ku përfshihen investime në 3000 shtëpi, kryesisht shtëpi të shtresave me të ardhura më të ulëta, për përmirësimin e kushteve të banimit sa i përket mbrojtjes së energjisë, pastaj renovimin e objekteve banesore të mëdha në gjashtë komuna, në Prishtinë, ku janë përfshirë “ndërtesat e soliterave” në Ulpianë, në Mitrovicë, Gjakovë, Lipjan, Graçanicë dhe Viti.

Janë gjithashtu stipendione të plota për 28 gra kosovare që studiojnë në Amerikë, janë paga të plota për 200 gra që punojnë në sektorin e energjisë, janë rreth 2 milionë dollarë që jepen për grante për biznese të grave dhe një pjesë e mjeteve shfrytëzohet për të promovuar qeverisjen dhe sundimin e ligjit dhe të transparencës duke investuar në digjitalizimin e gjykatave.

Po ashtu, kryeministri Hoti njoftoi se pjesë e dytë e këtij programi është Marrëveshja Kompakt që quhet, që është duke u negociuar në këtë moment nga Qeveria e Kosovës dhe ajo Amerikane, e që do të ketë vlerë disa fish më të madhe, sesa pjesa e parë.

“Besoj se shuma që do të ndahet për këtë pjesë do të përcaktohet në verën e këtij viti nga Bordi i MCC-së, i cili udhëhiqet nga Sekretari Pompeo. Projekti kryesor në këtë pjesë është gazpërçuesi që e lidh Kosovën me infrastrukturën rajonale të gazit që e diversifikon peizazhin energjetik të Kosovës dhe gjithë ekonominë e Kosovës në fakt, që është projekt i rëndësisë gjeostrategjike në mbështetje nga pala amerikane”, tha kryeministri Hoti, duke falënderuar Qeverinë Amerikane për këtë hap të shpejtë.      

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, falenderime SHBA, qeveria e Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT