• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

Trashëgimi

June 3, 2020 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI/

Arti bëhet vetëm, por u mbetet të gjithëve. Në këtë proces, artisti është i vetmi i racës njerëzore që harron veten – sikur ngjason me shenjtorët, si psh., Shën Tereza.
I njohur kryesisht si shqiptar i Kosovës, Bekim Fehmiu lindi jashtë Kosovës. Megjithatë, ku?
Pohimi më i zakonshëm është se lindi në Sarajevë, më 1 qershor 1936, në një familje etnike shqiptare, e cila më pas u transferua në Shkodër, qëndroi atje për disa vjet, përpara se të vendosej në Kosovë. Ky rrëfim vërtetohet nga autobiografia e tij në serbisht “Blistavo i strašno” (Verbues dhe i tmerrshëm) – 1999.
Megjithatë, data dhe vendi i lindjes së tij janë kontestuar. Një referencë në shtypin serb nga koha e xhirimeve të filmit “Aventurierët” 1981, thotë se Bekim Fehmiu lindi në Kukës, duke vënë në dyshim historinë e lindjes në Sarajevë.
Por në anën shqiptare ka më pak të dhëna. Në Enciklopedinë e Filmit Shqiptar, Tiranë-2002, autori Abaz Hoxha argumenton se Bekim Fehmiu lindi më 1932 dhe jo më 1936, por lë pa-përmendur vendin e lindjes. Ndërsa Fjalori Enciklopedik Shqiptar (FESH), Tiranë-2008, thotë se Bekim Fehmiu lindi në Prishtinë në vitin 1932.
Dhe lind pyetja – A mos ishte thelbësore që Bekim Fehmiu të lindte jugosllav për të promovuar mitin e bashkim-vëllazërimit dhe ky mit u përforcua më tej duke transportuar vendin e lindjes së aktorit nga Kukësi në Sarajevë për të minimizuar lidhjet e mëtejshme me Shqipërinë? Sepse dihet që Bekim Fehmiu nuk realizoi asnjë film me kinematografinë shqiptare, ndërsa vizita e tij më 1972 u përmblodh në një dokumentar 10 minutësh.
Gjuha është vërtetë faktor që çon në nënshkrimin e identitetit kombëtar në karrierën e Bekim Fehmiut.
Për Jugosllavinë e viteve 1960 – ‘70, rrjedhshmëria e Fehmiut në serbisht dhe përdorimi i kësaj gjuhe si mjet krijues dëshmon për mbrojtjen e unitetit dhe vullnetit të mirë midis popujve.
Për Shqipërinë, ishte zotërimi i gjuhës amtare që lejoi hyrjen e Fehmiut, megjithëse e kujdesshme dhe e pjesshme, në dialog me komunitetin artistik shqiptar – – asgjë konkrete në nivel profesional nuk u materializuar nga ky dialog.
Në Perëndim, theksi dallues i anglishtes e bëri Bekim Fehmiun të shihej si aktor prototip edhe ekzotik. Edhe kur luajti rolin e një serbi etnik në filmin hollivudian “The Deserter” (1969), theksi i anglishtes së tij ishte padyshim jo-serbisht, por shqip, dhe i panjohur për shumicën e amerikanëve të asaj kohe. Nga kritikët, aktori Bekim Fehmiu është cilësuar si një përzierje midis Zhan Pol Belmondos dhe Marlon Brandos. Ai ishte i pari aktor nga Europa Lindore të cilit iu hapën dyert e studiove filmike në Perëndim gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.
Më 1998, Fehmiu u largua nga skena e teatrit në Beograd në shenjë proteste ndaj politikës anti-shqiptare në Kosovë. Po atë vit, lexuesit e revistave kryesore italiane e votuan atë si një nga dhjetë burrat më tërheqës të shekullit të 20-të. Filmat serial L’Odissea (1968) kishin shënuar kthesën drejt suksesit të kinematografisë televizive italiane.
Bekim Fehmiu u shfaq në mbi 40 filma midis viteve 1953 dhe 1998. Ai ishte aktori i parë shqiptar i teatrit dhe filmit që aktroi në të gjithë Jugosllavinë, duke u shfaqur në një seri rolesh që ndryshuan historinë e kinemasë vendase dhe lanë gjurmë në zhvillimet artistike gjetkë. Në fund të karrierës së tij ai kishte luajtur në prodhime filmike në nëntë gjuhë, përfshirë gjuhët ballkanike, frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe italisht.
Bekim Fehmiu vdiq më 15 qershor 2010 në banesën e tij në Beograd. Fillimisht u tha se kishte kryer vetëvrasje. Pastaj u njoftua se u gjet i qëlluar dhe arma ishte regjistruar në emrin e tij. Trupi i aktorit u kremua dhe hiri u shpërnda në lum në Prizren, shtëpia e tij e fëmijërisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Trashegimi

KUVENDI I KOSOVËS NISI SEANCËN E JASHTËZAKONSHME PËR QEVERI TË RE

June 3, 2020 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës sot në seancë të jashtëzakonshme me axhendë zgjedhjen e Qeverisë së re/

-Lëvizja Vetëvendosje nuk po merr pjesë në seancë, të cilën nuk po e kryeson kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa  Osmani e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga kjo parti nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, po kryeson seancën. Ai tha se për të kryesuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka autorizimin kryeparlamentares

– Pikërisht para 4 muajëve, në seancën e Kuvendit pasditen e 3 Shkurtit 2020 u votua me 66 vota pro e 10 abstenime Qeveria e Kosovës. Në 25 Mars 2020, Kuvendi i Kosovës pas shumë debateve e replikave në seancën plenare, më shumë se një orë para mesnate,  votoi me 82 vota pro,  32 kundër  e  1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të Kryeministrit Albin Kurti

-Zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës: Duke pasur parasysh që e gjithë hapësira e sallës plenare të Kuvendit, përfshirë edhe ballkonin, do të jetë në dispozicion të deputetëve, në respektim të masave të ndërmarra për shkak të situatës pandemike, prezenca mediave në këtë seancë do të jetë e pamundur

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 3 Qershor 2020/Kuvendi Kosovar 120 anëtarësh nisi sot, pas orës së paraparë 11:00, seancë të jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të axhendë zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të kërkuar me nënshkrimet e 61 deputetëve – një më shumë se gjysma, votat e të cilëve janë minimumi i mundshëm për të marrë vendimin pro.

Lëvizja Vetëvendosje nuk po merr pjesë në seancë, të cilën nuk po e kryeson kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa  Osmani e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga kjo parti nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, po kryeson seancën. Ai tha se për të kryesuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka autorizimin kryeparlamentares.

Në 25 Mars 2020, Kuvendi i Kosovës pas shumë debateve e replikave në seancën plenare, më shumë se një orë para mesnate,  votoi me 82 vota pro,  32 kundër  e  1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të Kryeministrit Albin Kurti. Mocioni ishte kërkesë me nënshkrimet e 44 deputetëve, propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – partner i koalicionit qeverisës.

Në mbrëmjen e 28 Majit 2020 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës njoftoi vendimin që i hapë rrugë zgjedhjes së qeverisë së re pa zgjedhje të reja, pasi shqyrtoi kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje të datës 30 Prill 2020 për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës,  me të cilin Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës iu propozua Kuvendit si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Pikërisht para 4 muajëve, në seancën e Kuvendit të Kosovës pasditen e 3 Shkurtit 2020 u votua me 66 vota pro e 10 abstenime Qeveria e Republikës së Kosovës e Kryeministrit  Albin Kurti –  liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa opozita kishte braktisur sallën. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 Tetorit 2019, LVV dhe LDK, që ishin parti opozitare, dolën fituese – në vendin e parë e të dytë, ndërsa partia më e madhe e koalicionit qeverisës që ishte – PDK doli e treta.

Pas rrëzimit të Qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosje, LDK synon të krijojë Qeverinë e re në marrëveshje me AAK-në, Nismën e AKR-në, parti që ishin në koalicionin qeverisës me PDK-në, si dhe me Listën Serbe e deputetë të komuniteteve tjera pakicë.

Zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës ka dërguar një njoftim lidhur me qasjen e mediave në punimet e seancës, e cila mbahet në kushte të masave të ballafaqimit me pandeminë.

Abdullah Hoti.

“Duke pasur parasysh që e gjithë hapësira e sallës plenare të Kuvendit, përfshirë edhe ballkonin, do të jetë në dispozicion të deputetëve, në respektim të masave të ndërmarra për shkak të situatës pandemike, ju njoftojmë se prezenca mediave në këtë seancë, do të jetë e pamundur.

Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, ju njoftojmë se Kuvendi do të ofrojë linkun e transmetimit të drejtpërdrejtë të kësaj seance, nëpërmjet:  Ueb faqes së Kuvendit, Kanalit zyrtar të Kuvendit në youtube, si dhe RTK-së, si medium publik”, thuhet në komunikatë.

Sot, nga ora 10:00, një orë para fillimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, është mbajtur mbledhja e Qeverisë së Kosovës në detyrë, e cila mund të jetë e fundit para zgjedhjes së Qeverisë së re.
Para seancës së sotme të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur dje mbledhje të përbashkët të Kryesisë me Grupin e saj Parlamentar. 

“Aty u diskutua situata politike në Kosovë, sidomos zhvillimet e fundit.

U kritikua ashpër Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që e vulosi këtë Gjykatë si të kapur, madje edhe më fort se shteti ynë në përgjithësi. Përjashtimi edhe i zgjedhjeve edhe i fituesit është i pashembullt dhe e bën këtë Aktgjykim të padrejtë e të papranueshëm”, thekson LVV në një njoftim.

Bëhët e ditur se në mbledhjen e Vetëvendosjes u vlerësua mbështetja e madhe e qytetarëve, puna e mirë e Qeverisë në detyrë, dhe organizimi nga aktivistët i peticionit “Duam Zgjedhje!”. 

“Duket qartë se ky peticion do t’i thyejë të gjitha rekordet duke u bërë peticioni më i madh në Kosovën e pasluftës.

U kundërshtua tentimi për qeveri të re pa zgjedhje të reja nga regjimi i vjetër. Kjo qeveri do të ishte qeveri e presidentit. Ajo nuk do të ngërthente as 1/3 e mbështetjes qytetare elektorale dhe do të varej komplet nga Lista Serbe. Asisoj, negociatat brenda-qeveritare të saj do të bëheshin negociata ndër-shtetërore me Serbinë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes, e cila paralajmëron se “protestat po bëhen të pashmangshme”. 

Megjithatë, sipas njoftimit,  LVV nuk do të organizojë protestë sot. 

“Për neve qeveria nuk është qëllim, por mjet për shtetin dhe shërbim për qytetarin. Natyrisht, nuk duam të dekurajojmë protesta të tjera të paralajmëruara nga grupe të ndryshme të qytetarëve”, përfundohet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kur ishte në opozitë në kundërshtimet e saj ka hedhur edhe gaz lotësjellës në seanca Kuvendi për t’i pamundësuar e shpërndarë ato.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari Kuvendi, Kuvendi i kosoves, Seanca e Jashtzakonshme

PROTESTAT NE SHBA, KATER GRUPET EKSTREMISTE

June 2, 2020 by dgreca

Katër grupe ekstremiste dyshohen të jenë përfshirë me dhunën në protesta/

– Supremacistët e bardhë…”Djemtë Boogaloo”… Antifa- Anarkistët*

Mes protestave të vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara mbi vdekjen e George Floyd-it ndërsa mbahej nga policia, zyrtarët e shtetit kanë fajësuar provokatorë të jashtëm ekstremistë, duke thënë se ata përzihen me protestuesit e ligjshëm për të nxitur dhunën.

Guvernatori i shtetit Minesota Tim Walz citoi raportet e pakonfirmuara të shtunën se supremacistët e bardhë kishin qëndruar prapa protestave të dhunshme në Minneapolis, ku Floyd-i, i cili ishte afrikano-amerikan, vdiq të hënën e kaluar.

Kur nuk ishte bërë ende një deklaratë e tillë, Presidenti Donald Trump drejtoi gishtin drejt ekstremistëve të një ngjyre të ndryshme: aktivistëve antifashistë të krahut të majtë të njohur si antifa.

Duke fajësuar Antifa-n për dhunën që ndodhi në protesta në të gjithë vendin, Presidenti Trump u zotua ta përcaktojë atë si një organizatë terroriste.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr, nga ana e tij, paralajmëroi se dhuna e ushtruar nga antifa dhe grupe të tjera të ngjashme është “terrorizëm i brendshëm” dhe se do të trajtohet si e tillë.

Në vazhdim i hedhim një vështrim lëvizjeve ekstremiste të dyshuara për përfshirje në protesta:

Supremacistët e bardhë

Supremacistët e bardhë janë individë dhe grupe që besojnë në epërsinë e racës së bardhë, kundërshtojnë imigracionin dhe, në disa raste, mbrojnë dëbimin nga vendi i jo të bardhëve. Ndërsa dikur lëvizja prodhonte grupe të organizuara si Ku Klux Klan dhe organizatat neo-naziste, lëvizja është bërë gjithnjë e më e shpërndarë dhe pa një udhëheqës në vitet e fundit, me shumicën e anëtarëve që veprojnë tani në internet.

Megjithëse shumë supremacistë të bardhë nuk mbrojnë dhunën, një numër në rritje i individëve të frymëzuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë kanë kryer sulme vdekjeprurëse me armë vitet e fundit. Elementët e dhunshëm të ekstremit të djathtë njihen si “përshpejtuesit” sepse kërkojnë të përshpejtojnë një luftë të re racore. Drejtori i FBI-së, Christopher Wray ka thënë se shumica e hetimeve të FBI-së për terrorizmin e brendshëm përfshijnë grupe të bardha supremaciste.

“Djemtë Boogaloo”

Një mishërim relativisht i ri i lëvizjes paraushtarake kundër qeverisë, djemtë Boogaloo janë një komunitet në internet i aktivistëve pro-armëve që dëshirojnë një boogaloo të dytë, termin e tyre për luftë civile. Lëvizja u ngrit verën e kaluar kur supremacistët e bardhë përvetësuan termin për një arsye të tyren: një luftë racore në vend të një lufte civile, thotë Megan Squire, profesore e shkencës kompjuterike në Universitetin Elon. Kryesisht të bardhë, edhe pse jo ekskluzivisht të tillë, anëtarët e lëvizjes Boogaloo kanë qenë duke e promovuar veten si libertarianë që luftojnë tiraninë, sipas zonjës Squire.

Antifa

Në varësi se kë pyesim, antifa, shkurtim i fjalës antifashist, është një lëvizje e aktivistëve të majtë që kundërshtojnë neo-nazistët dhe grupet e tjera ekstremiste ose, siç e thotë një kritik, një “lëvizje ekstreme anarkiste-komuniste”.

Duke u organizuar në mediat sociale, ndjekësit e antifas shfaqen në mitingje të krahut të djathtë të veshur me të zeza dhe duke mbajtur maska, dhe shpesh përfshihen në konfrontime të dhunshme.

Simpatizuesit e Antifës ishin në mesin e kundër-protestuesve që dolën kundër mitingut “Bashkimi i së djathtës” në vitin 2017 në Charlottesville, Virginia, që u shndërrua në një ngjarje të dhunshme.

Qendra Jugore e Ligjit për Varfërinë thotë se nuk e etiketon antifan si një grup urrejtjeje pjesërisht sepse anëtarët e saj “nuk promovojnë urrejtje bazuar në racë, fe, etni, orientim seksual ose identitet gjinor”.

Duke pasur parasysh që antifa nuk është një grupim, është e pasigurt sesi Presidenti Trump synon ta etiketojë atë si një organizatë terroriste. Një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Anarkistët

Me simpatizantët nga e djathta dhe e majta, anarkistët e shohin qeverinë si të paligjshme dhe përpiqen të mbjellin kaos. Historia e tyre në Shtetet e Bashkuara shtrihet në më shumë se një shekull, kur një anarkist vrau Presidentin William McKinley në vitin 1901.

Sot, shumë anarkistë të rinj janë anëtarë të Aksionit Anti-Racist, një rrjet kombëtar i shoqatave antifa, sipas Qendrës Ligjore Jugore të Varfërisë (SPLC). Kritikët shpesh denoncojnë ndjekësit e antifa-s si anarkistë, me Presidentin Trump që fajëson për protestat e fundit të dhunshme “anarkistët e majtë radikalë”.

“Në pjesën më të madhe, anarkistët që shohim këtu në Shtetet e Bashkuara kanë tendencë të jenë më të zhgënjyer me të majtën progresive,” tha Brian Levin, profesor i drejtësisë penale në Universitetin e Shtetit të Kalifornisë.

Por anarkistët gjithashtu lulëzojnë nga e djathta. Për shembull, Anarkistët Kombëtare të Zonës së Gjirit, “parashikojnë një luftë të ardhshme racore që do të çojë në enklavat neo-fisnore, vetëm me njerëz të bardhë, të cilat do të quhen” Zonat Autonome Kombëtare “, sipas SPLC-së.(Kortezi Zeri I Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: ekstremiste, kater grupet, protestat

BERATI DHA 537 FIRMA PËR PETICIONIN E RINDËRTIMIT TË TEATRIT ATY KU ISHTE

June 2, 2020 by dgreca

NGA BERATI PËR GAZETËN “DIELLI” SULO GOZHINA/


BERAT, 2 Qershor 2020- Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ka mbërritur pasditen e sotme në sheshin para Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, ku është organizuar edhe protesta e radhës si dhe është firmosur një peticionin për rindërtimin e Teatrit Kombëtar ashtu siç ishte, e në të njëjtin vend. Artistë e dashamirës të artit por dhe të qytetit e të rrethinave të tij, si dhe antar e simpatizantët forcave politike të degëve të PD e LSI në Berat i janë përgjigjur thirrjes së aleancës për të firmosur peticionin. Nuk e kemi ulur kokën e nuk jemi dorëzuar, tha në fjalën e tij regjisori Robert Budina, ka shumë të rinj të pashpresë këtu, por kultura do t’ju sjellë shpresën, do t’ju zgjoj shpirtin ,.dhe ne do ta bëjmë ashtu siç duhet ta bëjmë atë që duhet të bëjmë. Ne jemi një grup qëndrestarësh nga mbrojta e teatrit kombëtarë, që kemi parë një sulm të paskrupullt, që ndonjëherë ndonjë qeveri e mëparshme në Shqipëri apo në Europë, por edhe përtej, nuk ka guxuar t’i bëj kulturës shqiptare, dhe sidomos tempullit të vjetër të gjuhës shqipe, i vjetër pothuajse po aq sa Tirana, siç ishte Teatri kombëtar, këtë e bëri ky kryeministër që e filloi luftën me ne, 20 vjet më parë për të shëmbur artin kulturën dhe një godinë. Dhe kujtoi se e shëmbi duke shembur vetëm murret, vijoj fjalën e tij regjizori, Budina, lufta jonë s’ka mbaruar, sapo ka filluar.Teatrin do ta vëmë aty ku ishte ashtu siç ishte.Në teatër u mblodhën të gjitha problemet e shqiptarëve duke filluar që nga varfëria,duke vazhduar tek vjedhja e pronës publike që donte të bënte ky kryeministër, shkelja e kushtetutës me një ligj me të cilin ata donin të shëmbnin teatrin kombëtar dhe rënia e institucioneve të drejtësisë tregon se duan të mos kemi tëshkuar. Ne jemi në kohën që shqipëria po shpopullohet, nëse ne godasim të gjithë tempujt tanë të historisë kulturës mendoni pas disa vitesh çfar do ti themi ne, cilët jemi ne, jemi barbar jo jemi Shqiptarë. Ne duhet të jemi në një front unik gjith opozita pa dallim duhet të ngrihemi dhe ti themi stop këtij pushteti kriminal që pasuron një grusht njerëzish dhe varfëron gjith popullin. Ndaj kemi ardhur të gjith së bashku në këtë shesh që nëpërmjet këtij peticionin ti themi që shqiptarët nuk din tē mbushin vetëm barkun me bukë, por din të bëjnë kulturë atë që rama e ka tëmerrar me  kulturën si dhe është shkatërrimi iTeatrit Kombëtar. 
Mirela Karabina e ka filluar fjalën e saj duke përshëndetur qytetarët dhe policin e shtetit. Ndërsa ka vijuar – po e nis me një gjë që më bëri përshtypje, teksa po bëjë një fotot me disa vajza beratase që në kanë ndjekur në aktivitetin tim aktror, por dhe si Petagoge, më treguan se dikush po na bënte një foto, nëse është vërtet kështu që nëndrejtori policis na bënë foto, nuk e kuptoj për çfar i duhet këtij polici fotoja, për të evidentuar se cilët qytetarë janë këtu, kjo nuk është policia që duam ne, policia ështe ajo që duhet të na siguroj ne, rendin dhe qetësinë. Prandaj këtu ka më pak njerës sepse duhet të ishin më shumeë dhe unë e ndjej që jemi shumë, edhe pse qytetarët i ndruhen, policisë apo dikujt tjetër. Ajo që ka ndodhur në qytetin e Beratit është ajo që na ka ndodhur në gjithë shqipërinë duke na hequr simbolet, duke na fshirë historinë. Në kushtet e pandemisë asnjë qeveri nuk e bënë këte që bëri ky pushtet banditësh, sulëm banditesk në orën 04.00 të mengjesit, kjo është qeveria e baditëve, qeveria e krimit, ndaj duhet të ngriemi për të mbrojtur veten, për të mbrojtur vendin.
Juli Emiri – Protesta e radhës në qytetin e kulturës së lashtësisë është shpresa dhe vendimi i radhës se do ta rikthejme siç ishte teatrin kombëtar, kjo dihet, fitorja jonë është per rikthimin e teatrit atje ku ishte është shprehur aktorja Ermiri, pasi ne nuk vuajme nga fiksimet siç bën kryeministri,që u fiksua me teatrin 20 vjet deri sa bëri banditizmin. Ne jemi mbledhur sot këtu për të treguar se do ta bëjëm në vendin ku ishte teatrin Kombëtar, pasi në këtë vend duhet të vendosin qytetarët dhe nuk duhet të vendosë një i çmendur në krye të shtetit… 



NAMIR LAPARDHAJA – Sot këtu në qytetin tonë e themi me bindje se teatri nuk i përket vetëm artistëve por i përket gjithe qytetarëve, gjithe shqiptarëve.Po të ndjekim logjikën e Ramës, Berati është i vjetër dhe hajde ta shëmbim…Dikur në Greqine e lashte punonjësit e Teatrit ndanin bileta falas për zhvillimin e kulturës, ndërsa ne këtu i vëmë rruspullën dhe e shëmbim kulturën …ja kush është kryeministrit që thote se vij nga kultura.Të tille bandite që shkatërrojne kulturën e bashkë me të historinë duhet t’i konservojme si të pavlerët dhe njerëz si Rama duhet t’i hedhim koshin e plehrave me voten qytetare. 
Adriana Torka: Është shprehur nëpërmjet një poezie: Ky është një revolucion ju ftoj të gjithëve të bëni pjesën tuaj në këte revolucion… Ndërthurje e oligarkëve, mafjes ne jemi këtu për ti thën mafiozë mjaft shqipëria është e qytetarëve jo e mafjozëve.Shqipëria është e kulturës e shqipëtarëve.
Edmond Budina: Ka mbyllur këtë tubim: Ne na anatemojne, na thone se nuk jemi aktore, ne jemi në radhë të parë qytetarë, por veprimet huligane që bëhen ndaj qytetareve të tu tregone se je një bandit dhe më së miri këtë e tregoi 17 maji. Nga kjo ditë u vendos diktatura, një diktaturë e felliqur, kriminale e me bandite e hajdute, por ne jemi këtu për t’i thënë posht diktaturës! Ata kryen një akt kriminal kundër kulturës së vendit të tyre, kryen aktin më fashist …ishte një akt bandidesk i nje policie paramilitare me armë… Atë natë mund të kishin vdekur njerëz sepse brenda në teatër kishte njerëz, por ata janë me keq se nazistët dhe nuk duan të dinë për njerezit, mjafton për tat ë gjejën një vend për të vjedhur dhe nuk duan të ditë për kulturën e historin e këtij vendi. Ndaj së bashku duhet të prtestojmë dhe të denoncojmë veprime të tilla kriminale. Ne kemi denoncuar në SPAK, e do të vazhdojme të denoncojmë, ajo që ka rëndësi është zgjimi i ndërgjegjes kombëtare; të ngrihen në protesta të mos kenë më frike por të ngrihen për t’i thënë ndal vandalizmave të tilla si këto që po bën ky kryeministër vandal. Do ketë gjithmone njerës që duan pushtetin prandaj s’duhet të harrojme çfare na kanë bërë dhe për tu treguar vendin, që ata duhet ta dinë se edhe ne jemi të bashkuar kundër dhunës, prishjes të kulurës e historisë …duhet të ngrihemi, por kjo s’bëhet në kafene, kjo bëhet në rrugë duke protestuar për t’i thënë se për të drejtën tonë, për të mbrojtur kulturën e historine Kombëtare, ne dimë mënyrën të zgjidhim çdo problem që kemi.Tek zemra e seicilit prej nesh është një copë teatri, është një copë culture, dhe ne do ta ringrejmë teatrin ashtu siç ishte… Ata shëmbën teatrin bashkë me flamurin sepse ata s’kan as fe, as Atdhe, sepse nuk kanë ndjeshmërinë, dashurinë as për vendin as për kulturën e historin Kombetare që kemi trashëguar.
Aleanca kërkon rindërtimin e godinës të T.K.siç ishte në të njëjtin truall dhe për këtë sot në Berat u mblodhën mbi 537 firmat në Peticionin përkatës.
Nga Berati për gazeta Dielli – Sulo Gozhina

Filed Under: Kulture Tagged With: Berati, Petition per Teatrin, Sulo Gozhina

PSE FRIKËSOHET SERBIA NGA LIGA SHQIPTARO-AMERIKANE ?!

June 2, 2020 by dgreca

Nga Leonora Laçi/

“GRENELL PUNON PËR SERBINË, TRUMP SHKARKOJE” Ky është tituli i artikullit të gazetës serbe Informer të dates 26 Maj, 2020, gazetë pro-qeveritare e cila botohet në Beograd në rreth 100,000 kopje. Më poshtë po sjellim të përkthyer pjesë nga ky artikull i cili vazhdon: “ Shqiptarët në panik, po mundohen ta ndryshojnë politikën e Washingtonit.  Grupi i 165 lobistëve shqiptarë, me influencë të madhe në SHBA i kanë dërguar letër Presidentit Donald Trump me të cilën kërkojnë shkarkimin urgjent të Richard Grenell, i dërguar special për bisedimet Beograd-Prishtinë.

         Lobistët shqiptarë e kërkojnë “kokën” e Grenell sepse, siç thojnë ata, ai haptas punon në interes të Serbisë dhe kundër interesave të shtetit  “të rrejshëm” të Kosovës. Diasporës shqiptare, e cila është shumë e pasur dhe me influence të madhe në qarqet lobiste në SHBA i pengon shumë se në detyrë të ndërmjetësuesit për dialog ka ardhur dikush që ka mirëkuptim për interesat dhe pozitat serbe.

         Letra i është dërguar Shtëpisë së Bardhë me 21 Maj dhe është nënshkruar nga 165 lobistë. Në te ndër të tjera thuhet:“I dërguari special për dialog Serbi-Kosovë Richard Grenell i ka dhënë përkrahje ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, gjë e cila e favorizon Serbinë dhe Rusinë. Ish kongresisti Joseph DioGuardi i cili me vite të tëra merret me situatën politike në Ballkan e kundërshton këtë gjë dhe kërkon nga qeveria Amerikane që Richard Grenell të lirohet nga kjo detyrë dhe të zëvëndësohet me dikend tjetër i cili është i paanshëm. Ne e përkrahim fuqishëm Joseph DioGuardin dhe mendojmë se kjo gjë do të ishte shumë e vlefshme për bisedimet paqësore në regjion”. 

       Ndër nënshkruesit e letrave, në mënyrë të veçantë dallohet Agim Aliçkaj, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Ligës së fuqishme Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Federatës Pan-shqiptare Vatra, e krijuar  qysh në vitin 1912 në Bronx. Është indikativ fakti se në këtë distrikt, politikan kryesor është lobisti i rëndësishëm shqiptar, kongresisti Eliot Engel, përkrahës i flakët i pavarësisë së Kosovës. 

         Në letrën drejtuar Trump-it, lobistët shqiptarë e mashtrojnë atë se shtetin e rrejshëm të Kosovës e njohin 116 shtete të botës kur dihet se 18 prej tyre e kanë tërhjekë njohjen, pra janë më pak se gjysma e anëtarve të OKB-së. Në fund të letrës së botuar në gazetën Illyria, thuhet se “çfarëdo korigjimi i kufijve mund të shkaktojë luftë të re në Ballkan”

         I pyetur për koment, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç thotë se shqiptarët gënjejnë, i tërë koncepti i tyre është i rrejshëm, siç është i rrejshëm edhe shteti i Kosovës. Diplomati i karrierës Zoran Milivojeviç thekson se pozita serbe është më e fortë në bisedime, se konfirmimi që Grenell mbetet në funksion të ndërmjetësuesit deri në fund të mandatit të kësaj Administrate, tregon se nuk ka ndryshime në politikën amerikane.  Ndërsa Vladimir Marinkoviç, nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, konstaton se Administrata Trump nuk i trajton shqiptarët njisoj si ato të mëparmet. Meritat kryesore për këtë i takojnë Vuçiqit i cili ka krijuar marrëdhënie të shkëlqyeshme me Administratën Trump”.Shkruar nga M.Dakiç

Ajo çfarë vëmë re nga ky artikull është se Serbia ende e ka në qendër të vëmendjes Kosovën dhe gjithçka ndodh aty qoftë në politikën e jashtëm apo të brendshme të saj dhe përpiqet me forcë t’i minimizoi njohjet që i janë bërë Kosovës më qëllim të shkatërrimit të saj.  

Liga shqiparo-amerikanë ka lobuar vazhdimisht në dobi të çështjes shqiptare sa herë e ka dashur nevoja. Aktualisht problemi më i madh i Kosovës është përpjekjet e Serbisë për ta shfrytëzuar krizën politike madje dhe të influencoi që pushtetin ta ketë në dorë një forcë politike apo figura politike që Serbia të mund t’i manipuloi lehtësisht.

Serbia i frikësohet shqiptaro-amerikanëve dhe zërit të tyre, i frikësohet lobimit të drejtë që ato po bëjnë në Administratën e Trumpit dhe në Kongresin Amerikan.

Nuk mund të harrohet kurrsesi sesi krimineli Millosheviq, në Hagë u patë shprehur me dëshpërim se “Liga e udhëhequr nga Joseph DioGuardi, i hapi kanalet zyrtare për separatistët kosovarë në Kongresin Amerikan dhe ndikoi në krijimin e disponimit anti-serb dhe shkatërrimin e Jugosllavisë”.

Dhe sot puna e Ligës shqiptaro-amerikan nuk ka ndryshuar, më në krye ish kongresistin Joseph DioGuardin dhe krahun e djathtë të tij, znj.Shirley Cloyes DioGuardi,  këshilltaren për çështjet ballkanike.

Indikator i rëndësishëm për mbarëvajtjen e Ligës dhe jetëgjatësinë e saj është roli i  Anetarëve te Bordit të saj, biznesmenëve, miqëve e prkrahëseve shqiptarë apo të huaj, duke i dhënë krah dhe mbështetje kauzës së DioGuardit për të levizur mekanizmat e nevojshëm të  politikës së  jashtme amerikane në dobi të kauzës shqiptare, ku dha rezultatet e pamohueshme siç ishte liria dhe pavarësia  e Kosovës, demokratizimin e Shqipërise, dhe përpjekjet për sigurimin e të drejtave të plota për shqiptarët në Kosovwn Lindore, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri! 

Po veçoj punën e veprimtarit z.Agim Aliçkaj ku siç shkruan gazeta serbe: “Ndër nënshkruesit e letrave, në mënyrë të veçantë dallohet Agim Aliçkaj, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Ligës së fuqishme Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Federatës Pan-shqiptare  Vatra, e krijuar  qysh në vitin 1912 në Bronx.” Z.Aliçkaj ka qënë mjaft aktiv me shkrimet e tij të botuar në shtypin shqiptar në Amerikë, Shqipëri e Kosovë. Artikuj që janë pritur mjaft mirë nga atdhetarët shqiptarë. Artikuj e tij të fundit janë: “Pavarësia e Kosovës dhe përkrahja amerikane.” “Kosova sot dhe ulja në bisedime me armikun.” “Letër e hapur Presidentit Trump -(Mos) respektimi i vlerave demokratike në Kosovë nga Ambasadori Richard Grenell” “Presidenti Hashim Thaçi e keqja më e madhe e Kosovës në 20 vitet e fundit”,  “Marrëveshja Thaçi- Vuçiç- Grenell humbje e lirisë së Kosovës”dhe “Kosova e ka zgjedhur rrugën e vet evropiane pro-amerikane”.

Këto artikuj kanë në qendër të tyre zgjimin e ndërgjegjjes kombëtare, dhe vë në dukje se duhet vepruar sa më parë për të mos e humbur Kosovën shtet. Asnjëherë nuk ka mbështetur politikanë të cilët e kanë shitur Kosovën për interesa personale, Kosova duhet të qëndroi mbi gjithçka. Krijimi i qeverisë së shpresës dhe antikorrupsionit Kurti-Osmani, ka qenë hapi i parë që duhej bërë dhe çdo vonesë ishte në dëm të shqiptarëve e në favor të serbve. Në letrën e hapur që i dërgon Presidentit Trump ai ngre disa pyetje mjaft të rëndësishme, citoj: “-Si është e mundur që Amerika e Presidentit Trump tu jap përkrahje politikanëve të cilët vetë i kritikonte si të korruptuar, disa prej tyre edhe të dyshuar si kriminelë të partive që qeverisin Kosovën prej shpalljes së pavarësisë   e deri me sot?!  Si mund të pranohen si legjitimë në bisedime për zgjidhje të problemit ata që e krijuan vetë problemin, ata që e sollën Kosovën para shkatërrimit duke i sjellë fatkeqësi popullit të vet dhe probleme të mëdha Amerikës kur ajo ka nevojë të angazhohet në çështje shumë më të rëndësishme?!  Si është e munduar që të përkrahet rrëzimi i qeverisë të sapoformuar demokratike të Kosovës, e cila për 40 ditë pune tregoi se ka aftësi për ta ngritur vendin nga varfëria dhe gjendja e pashpresë?! Më falni Zoti President, por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat demokratike të Amerikës sonë të dashur. Me këtë akt anti-demokratik, administrata e juaj mori përgjegjësinë për destabilitetin dhe trazirat potenciale që mund të shkaktohen pas largimit të rrezikut nga virusi Corona, në Kosovë, Ballkan dhe mbarë Evropën.” Z.Aliçkaj mesa shohim nuk ndalet duke kritikuar politikat e këqija në Kosovë, duke mbështetur kauzat që duhen mbështetur e duke e mprehur penen sa herë që në Kosovë gjërat nuk shkojnë si duhet. Teksa lexoj artikujt e tij më vjen ndërmend shprehja e ish Presidentit Bill Klinton në Kosovë, në vitin 1999: “Ne ju ndihmuam ta fitoni luftën, tani ju fitojeni paqen.”  Sa e vështirë qënka ta ruash paqen.

Duhet theksuar se meritë të veçantë në ngritjen e zërit në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës kanë edhe 165 aktivistët e mirënjohur shqiptarë, të cilët citohen në artikullin serb, që e dërguan letrën e tyre Presidenitit, Senatit dhe Kongresit Amerikan. Letra e tyre me të gjithë emrat e të nënshkruarve është botuar në gazetën Illyria dhe shumë gazeta dhe portale të tjera.

Serbia i frikësohet të vërtetës, luftës së drejtë të shqiptarve, i frikësohet fakteve dhe historisë që është në favor të shqiptarve. Serbët nuk janë viktima dhe sado të lobojnë pranë Administratës së Trumpit, ata e kanë të humbur këtë luftë, ata nuk do ta kenë kurrë Kosovën. Politikanët shkojnë dhe vijnë, por çështjet e drejta janë gjithmonë aty bashkë me zgjidhjen e duhur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim Aliçkaj, Leonora Laçi, Liga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT