• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2020

4 KORRIKU, DITA E PAVARËSISË SË AMERIKËS, FESTË EDHE E KOSOVËS

July 4, 2020 by dgreca

-Që prej 24 vitesh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, në 12 Janar, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në Prishtinë/

-NE JEMI ME JU – Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë dhe faleminderit Kosovë! Festimi virtual i 4 korrikut në ambasadën e SHBA-së në Kosovë/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  4 Korrik 2020/ Festohet tradicionalisht në Kosovë 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 24 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 12 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

Para një viti, në 4 Korrik 2020, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjespër nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.

 Para mëse 24 vitesh, në 12 Janar1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 Qershor 1996.Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Rugova bashkë me familjen.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë.

Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në Shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 11 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Ndërkohë,ushtarët amerikanë mbështesin KFOR-in qe 20 vjet. Trupat amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në urimet e krerëve të shtetit të Kosovës përkujtohet se, sot është Ditëlindja e 244-të e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

POPULLI I KOSOVËS ËSHTË PËRJETËSISHT FALËNDERUES PËR MBËSHTETJEN AMERIKANE

Shkruan: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Ky 4 korrik shënon përvjetorin e 244-të të Pavarësisë së SHBA-së, vendit më demokratik në botë. Urimet më të sinqerta për popullin dhe institucionet amerikane në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës. Ne ndajmë vlera, parime dhe vizion të përbashkët për një botë të lirë, të drejtë dhe demokratike.

Populli i Kosovës është përjetësisht falënderues për mbështetjen amerikane në kohërat më të vështira dhe për mbështetjen e vazhdueshme në rindërtimin e vendit tonë.

Zoti e bekoftë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

MIQËSIA ME AMERIKËN, REFERENCË E PËRHERSHME E KOSOVËS

-Urimi i Kryetares së Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani për Ditën e Pavarësisë së ShBA-ve/

Për nder të 244 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, flamuri amerikan është vendosur para hyrjes së objektit të Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani dhe ambasadori amerikan Philip Kosnett kanë nderuar flamurin amerikan pas intonimit të himneve të të dy shteteve.

Flamuri amerikan do të valvitet në hyrje të ndërtesës së Kuvendit deri më 6 korrik.

Kryetarja Osmani ka uruar popullin amerikan për ditën e pavarësisë së shtetit të tyre, duke rikujtuar që miqësia e Kosovës me ShBA-të është e një rëndësie strategjike dhe e përhershme.

Mesazhi i Kryetares së Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani për 4 Korrik:

Vlerat e popullit amerikan, të theksuara në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-ve, nga e cila është frymëzuar edhe Deklarata jonë e Pavarësisë, janë frymëzim yni i përhershëm. Jemi krenar që në krah tonin kemi vendin simbol të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. SHBA-të janë përveç se vend mik, edhe partner strategjik i yni në gjithë rrugëtimin tonë për ta bërë Kosovën shtet të pavarur. Vendi ynë sot është i lirë edhe shkaku i kontributit të madh të Amerikës, miqësinë me të cilën na e la testament presidenti historik dr.Ibrahim Rugova.

Kosova në miqësi të përhershme me Amerikën është referencë e përhershme e jona!

Popullit amerikan, urime 4 Korrikun! Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti e bekoftë popullin amerikan!

QEVERIA DHE POPULLI I KOSOVËS BASHKOHEN NË KËTË DITË FESTE ME QEVERINË DHE POPULLIN AMERIKAN

-Mesazh i Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë një mesazh urimi për popullin dhe qeverinë amerikane me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vijim po e japim tekstin e këtij mesazhi:

Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 4 Korriku, është sinonim i lirisë, përparimit dhe shpresës për vendet demokratike anekënd botës. Qeveria dhe populli i Kosovës bashkohen në këtë ditë feste me qeverinë dhe popullin amerikan për ta lartësuar edhe më shumë idenë e lirisë dhe të demokracisë për të gjithë njerëzit e globit.

Deklarata e Pavarësisë e SHBA-ve e 4 Korrikut 1776 ka shënuar lindjen e një kombi të ri e liridashës, i cili, që nga atëherë, ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në ngjarjet më të rëndësishme historike botërore dhe në rritjen e demokracisë.

Mesazhi i fuqishëm amerikan i lirisë sot simbolizon ëndrrën e madhe të të gjitha kombeve për liri dhe demokraci, për paqe dhe dinjitet të gjithëmbarshëm. Jehona e këtij mesazhi të madh ka prekur zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për të cilët populli dhe qeveria amerikane kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë simbol i frymëzimit për liri, pavarësi dhe demokraci.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Zoti e bekoftë miqësinë e dy vendeve tona!

NE JEMI ME JU – GËZUAR DITËN E PAVARËSISË AMERIKË DHE FALEMINDERIT KOSOVË!

-Festimi virtual i 4 korrikut në ambasadën e SHBA-së në Kosovë/

Këtë vit, ambasada e Shteteve të Bashkuara feston 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së kombit tonë me temën “Ne jemi me ju”, duke i falënderuar qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj të cilat bashkëpunojnë me ne dhe përpiqen ta bëjnë Kosovën një vend ku paqa, drejtësia dhe mirëqenia mbizotërojnë.

Përderisa COVID-19 vazhdon të ndikojë në botë, pritja jonë tradicionale është zëvendësuar për t’u shënuar në mënyrë virtuale për shkak të masave të sigurisë personale dhe për ta mbajtur distance sociale. Bashkohuni me ne të shtunën, më 4 korrik 2020, në orën 10:00, përmes faqes sonë në Facebook ose ueb sajtit tonë gjersa festojmë 4 Korrikun me një program të veçantë, ku do të transmetohet fjalimi i Ambasadorit Kosnett dhe i të ftuarit të posaçëm Dr. Lulzim Raka, profesor i Mjekësisë dhe Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve në

Universitetin e Prishtinës.

Ndërkohë, vazhdoni të mbani maska ​ në publik, lani duart dhe mbani distancën sociale. Siç kemi parë, kjo pandemi nuk ka mbaruar dhe vetëm ne si individ kemi fuqinë për ta ndaluar përhapjen për familjet dhe komunitetet tona.

Siç thotë dr. Raka në mënyrë elokuente, “Përvoja e Shteteve të Bashkuara ofron një udhëzues të shkëlqyeshëm për ëndrrat, liritë, demokracinë dhe mirëqenien për të gjithë qytetarëve të Kosovës. Rruga jonë drejt së ardhmes është e përbashkët dhe jemi të përkushtuar për t’i përmbushur idealet që dalin nga Deklarata e 4 korrikut. Le ta ndjekim citatin e presidentit John F. Kennedy, “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi juaj për Ju. Pyetni çfarë mund të bëni Ju për vendin tuaj!”

Meqenëse nuk mund të jemi personalisht së bashku, kjo është një mundësi e mirë për t’i shiquar momentet në histori të cilat na rikujtojnë që demokracia është një punë në vazhdim e sipër që kërkon pjesëmarrje në të gjitha nivelet. Demokracia pret që liderët dhe institucionet t’i dëgjojnë në mënyrë aktive qytetarët e tyre dhe që zëri i qytetarëve të dëgjohet – siç bëjnë sot qytetarët në Shtetet e Bashkuara dhe në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë e të qëndrueshme që shkon disa breza prapa. Si miq e partnerë, kemi qëndruar së bashku gjatë momenteve më të këqija dhe i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Jemi këtu me ju, sot dhe në të ardhmen.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë dhe faleminderit Kosovë!

AMBASADORI AMERIKAN PHILIP S. KOSNETT: NË VITIN 1776, SHTETET E BASHKUARA ISHIN NË NJË UDHËTIM DREJT PAVARËSISË

-Fjalimi i  ambasadorit amerikan Philip S. Kosnettme rastin e Ditës së Pavarësisë/

Përshëndetje. Ju faleminderit që na u bashkuat për ta festuar 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 1776, Shtetet e Bashkuara ishin në një udhëtim drejt pavarësisë. Themeluesit tanë nuk kërkuan vetëm lirinë nga një mbret i huaj. Ata u përpoqën ta ndërtojnë një lloj të ri të shoqërisë – një republikë që njohu se jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë ishin të drejta të qarta njerëzore.

Më shumë se dy shekuj në rrugëtimin e Amerikës për të kuptuar që vizioni është i papërfunduar. Amerikanët kanë përjetuar kohë gëzimi e përparimi, por edhe të dhimbjes e regresit. Në vitet 1860, qindra mijëra amerikanë, të bardhë e të zi, vdiqën në një luftë tragjike civile për t’ua sjellë lirinë miliona amerikanëve të tjerë të skllavëruar.

Një shekull më vonë, aktivistë të të drejtave civile, si Martin Luther King Jr., dhanë jetën e tyre në luftën për ta krijuar një shoqëri në të cilën, sipas fjalëve të King-ut, fëmijët një ditë do të jetonin në një komb ku ata [nuk] do të gjykoheshin nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.

Dhe lufta për drejtësi të barabartë dhe mundësi të barabarta në Amerikë nuk ka qenë vetëm çështje race. Liderët, si Susan B. Anthony, kampion i shekullit të 19-të për të votuar për të drejtat e gruas, luftuan për propozimin që pohimi i Amerikës që të gjithë burrat janë krijuar të barabartë duhet të vlejë edhe për gratë. Brezat e amerikanëve – disa të famshëm, disa anonimë – kanë luftuar për ta shtrirë konceptin e barazisë për të përfshirë njerëz të të gjitha racave, të të gjitha etnive, feve, gjinive dhe identiteteve seksuale.

Javëve të fundit kemi parë që rrugëtimi i gjatë i Amerikës vazhdon, pasi amerikanët po luftojnë përsëri kundër racizmit dhe padrejtësisë.

Në Amerikë, si në çdo vend, demokracia nuk është sport për spektatorë. Demokracia kërkon angazhim dhe këmbëngulje aktive të qytetarëve. Gjithashtu kërkon ndershmëri dhe këmbëngulje për t’i adresuar dobësitë tona dhe për të mësuar nga dështimet tona. Kjo është një kohë trazirash dhe ankthi në Amerikë – por gjithashtu edhe kohë shprese. Shpresoj që një ndryshim i pakthyeshëm, pozitiv mund të ndodhë me një popullsi të angazhuar. E njëjta gjë mund të thuhet për Kosovën.

Populli i Shteteve të Bashkuara dhe populli i Kosovës ndajnë shumë vlera dhe atribute. Popujt tanë janë të fortë e të zgjuar, kreativë e shpirtmirë, të shkathët e elastikë. Si miq dhe partnerë, i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Qëndruam bashkë për ta bërë Kosovën të pavarur, pas sulmeve të 11 shtatorit, në luftën kundër terrorizmit global.

Dhe tani qëndrojmë së bashku përballë një pandemie globale.

Sfidat e fundit e kanë treguar kreativitetin dhe aftësinë ripërtëritëse të popullit të Kosovës. Ndërsa institucionet dhe bizneset ishin të detyruara të mbylleshin për ta ndaluar përhapjen e virusit, qeveria, bizneset dhe shoqëria civile reaguan njësoj për t’u ndihmuar atyre që kishin nevojë. Shtetet e Bashkuara u përgjigjën me ndihmë financiare e teknike. Ka shumë më tepër për të bërë, edhe nga qytetarët e rëndomtë, për ta sjellë pandeminë nën kontroll. Por kam besim se me këmbëngulje, punë të zellshme dhe bashkëpunim përtej kufijve, do të triumfojmë ndaj virusit, siç kemi triumfuar ndaj armiqve të tjerë.

Në këtë Ditë të Pavarësisë së Amerikës, le të zotohemi përsëri për përpjekjet tona më të mira për të ndërtuar shoqëri – për ta ndërtuar një të ardhme të përbashkët – që pasqyron ëndrrat e themeluesve tanë dhe i përmbush detyrimet tona ndaj brezave të ardhshëm.

MJEKU KOSOVAR DR. LUL RAKA: AMERIKË, SOT NË FLAMURIN TËND KE NJË YLL MË SHUMË – ATË TË KOSOVËS!

-Fjalimi e dr. Rakës me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së/

I nderuari Ambasador, të nderuar qytetarë të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, kam nderin dhe privilegjin që, në emër të qytetarëve të Kosovës, t’ua uroj Shteteve të Bashkuara Ditën e Pavarësisë!

Populli i Kosovës do t’u jetë gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara për rolin e tyre në kultivimin e idealeve që burojnë nga Deklarata e Pavarësisë e 4 Korrikut 1776. Përvoja e Shteteve të Bashkuara ofron një udhëzues të shkëlqyeshëm për ëndrrat, liritë, demokracinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Liria është gjithashtu histori e rezistencës. Dhe ndërsa njerëzit e Kosovës kanë lëvizur nga rezistenca e tyre ndaj tiranisë në pavarësi e liri, ne vazhdojmë të kërkojmë drejtësi e punë, shëndetësi, arsim e shkencë, art e kulturë.

Gjatë këtij viti, bota e mbylli pandeminë COVID-19 me një virus vdekjeprurës që po e kërcënon njerëzimin. Njerëzit tanë gjithashtu janë përballur me këtë sfidë të vështirë me burime të kufizuara. Por miqtë janë bashkë në ditë të vështira. E njëjta gjë ndodhi edhe kësaj radhe kur miqtë tanë amerikanë ndihmuan popullin tonë duke e mbështetur sistemin e kujdesit shëndetësor të Kosovës. Ju falënderojmë për këtë mbështetje thelbësore.

Pasi ende nuk ka ndonjë ilaç apo vaksinë, parandalimi i kësaj sëmundjeje mbetet arma e vetme që kemi në dispozicion. Të dashur qytetarë, ju lusim t’i ndiqni këshillat për parandalim duke mbajtur distancën tuaj fizike kudo dhe në çdo kohë, duke veshur maska dhe duke mbajtur higjienën e duarve. Vetëm së bashku mund të përballemi me këtë sfidë!

Rruga jonë drejt të ardhmes është e përbashkët dhe jemi të përkushtuar për t’i përmbushur idealet që dalin nga Deklarata e 4 Korrikut. Le ta ndjekim citatin e Presidentit John F. Kennedy, “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi juaj për Ju. Pyetni çfarë mund të bëni Ju për vendin tuaj!”

Sot, më 4 korrik, çdo kosovar është amerikan!

Amerikë, sot në flamurin Tënd ke një yll më shumë – atë të Kosovës! 

Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Zoti i bekoftë SHBA-në dhe Kosovën!

Filed Under: Featured Tagged With: 4 korriku, Behlul Jashari, Festa e SHBA, feste edhe per Kosoven

GEZUAR 4  Korriku – Shpallja e Pavarësisë se Amerikes!

July 3, 2020 by dgreca

– Tomas Xhefersonit i takon merita e Deklaratës se Pavarësisë së SHBA/

-Në skenën e historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës asnjë ngjarje nuk ka patur atë rëndësi aq të madhe sa Deklarata e Shpalljes se Pavarësisë.

Në 7 qershor 1776 Riçard Henri Li nga Virxhinia i ofroi Kongresit të dytë kontinental mocionin në të cilin nëpërmjet të tjerave thuhej se “kolonitë e bashkuara, janë dhe kanë të drejtë të jenë shtete të lira të pavarura, të shkëputura nga çdo detyrim me Kurorën Britanike.”
Nga Albana Melyshi Lifschin*/

Por përderisa ende shumë delegatë nuk ishin gati për një hap kaq drastik siç ishtë ai i pavarësisë, Kongresi e shtyu vendimin edhe tre jave të tjera duke u dhënë kohë të mendoheshin. Ndërkohë Kongresi caktoi pesë delegatë për të hartuar projektin e Deklaratës se Indipendences, midis të cilëve Tomas Xhefersonin,( me i riu nga ta) e bashkë me të Xhon Adams, Benxhamin Frenklin, Roxher Sherman dhe Robert Livingston. Tomas Xhefersonit i takon merita e Deklaratës se Pavarësisë së SHBA. Kur shkroi Deklaratën e Pavarësisë, delegati i Virxhinias, Xhefersoni, ishte vetëm 32 vjeç. Ai donte që deklarata të shkruhej nga avokati Xhon Adams, por Xhon Adamsi insistoi që deklarata të shkruhej nga Xhefersoni dhe madje i dha Xhefersonit këto arsye: “E para, se ti je nga Virxhinia, (Xhorxh Washingtoni, Xhejms Madison e Patrik Henri ishin gjithashtu nga Virxhinia )
Arsyeja e dytë: Ti je më pëlqyshëm se unë. Arsyeja e tretë: Ti shkruan 10 herë më mirë së unë.
Deklarata e Pavarsisë e shkruar prej Xhefersonit është dokumenti historik që shkëputi Amerikën nga Britania e madhe, ishte akti içlirimit të saj dhe hedhja e themeleve të një shteti të ri.
Në deklaratë, Tomas Xhefersoni pasi bënte analizën e pakënaqësisë së kolonive ndaj Britanisë së madhe rendiste arsyet që justifikonin shkëputjen e kolonive amerikane prej saj. Në Deklaratën e Pavarësisë thuhej se “qeveria egziston vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit dhe kur ajo dështon në drejtimin e popullit e humbet autoritetin e saj; atëherë populli ka të drejtë ta heqë atë qeveri e të zgjedhë një tjetër që i përgjigjet aspiratave të tij”
Idea themelore “Të gjithë njerëzit janë të barabartë” ishte një ide revolucionare në atë kohë kur bota perëndimore jetonte në sundimin e familjeve mbretërore që gëzonin pasuri e privilegje që i veçonin shumë nga njerëzit e tjerë, të zakonshëm.
Kjo ide ishte revolucionare edhe për vetë Amerikën, që në atë kohë një e pesta e popullsisë të saj ishin skllevër*.
Aprovimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk u bë në mënyrë të menjëherëshme, pa debate. Ishte një hap shumë i rëndësishëm dhe aspak i lehtë për t’u hedhur.
Në mëngjesin e 1 Korrikut rezolucioni i Riçard Henri Li u lexua përsëri e u hodh për aprovim. Debate të zjarrta u bënë në datën 1 dhe 2 korrik. Delegatët e Pensilvanisë dhe të Nju Jorkut nuk donin të nxitoheshin në marrjen e vendimit.
Të tjerë mendonin se ishte koha që duhej vendosur pasi kolonitë aktualisht po luftonin. Në mbyllje të datës 2 korrik, përfaqësuesit e 12 kolonive u shprehën në favor të rezolutës së Riçard Henrit për shkëputje të kolonive nga Anglia. Atëherë deklarata e shkruar nga Tomas Xhefersoni u lexua edhe një herë nga ai dhe u analizua me kujdes pjesë pjesë. Me pak ndryshime të vogla deklarata u aprovua ashtu siç e kishte shkruar ai.
Deklarata shpallte se ” të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe nga Krijuesi u janë dhënë të drejta të pamohueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë.”
Këto ishin të drejta themelore të cilat nuk mund tua merrte askush.
Pastaj Xhefersoni vazhdoi:”Ndaj që të sigurohen këto të drejta, ngrihen qeveritë me pushtet të dhënë nga pëlqimi i të qeverisurve..”
Kjo do të thoshte që qeveritë duhet të gëzojnë pëlqimin, aprovimin e popullit.
Kështu pas debateve, Kongresi Kontinental, në mbrëmjen e 4 Korrikut 1776, aprovoi Deklaratën e Pavarësisë me miratimin e 12 kolonive. Nju Jorku e shtoi votën e tij më vonë, kur përfaqsuesve të tij u erdhën udhëzimet.
Erdhi momenti i firmosjes. Firmosja kërkonte kurajo. Përfaqësuesit ishin të ndërgjegjshëm se me firmosjen e këtij akti, nëse Anglia do ta shtypte lëvizjen, ata kishin firmosur vdekjen e tyre. I pari që hodhi firmen ishte Xhon Henkoku (John Hancock) përfaqsuesi i Masaçusets. Ishte një firmë e madhe.
“Në këtë mënyrë, mbreti s’do këtë nevojë të vërë syzet për ta parë” u shpreh ai pasi la penën.
Me firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë nga përfaqësuesit e kolonive, më 4 korrik 1776, një shtet i ri, i pavarur u lind. Të
trembëdhjetë kolonitë angleze krijuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përfaqësuesit e popullit, sipas fjalëve të Tomas Xhefersonit betoheshin se do ta mbronin pavarësinë me jetën e nderin e tyre.
Kopjet e Deklaratës së Pavarësisë u nisën menjëherë për tu shpërndarë në të 13 kolonitë. Në datën 9 Korrik Deklarata e
Pavarësisë mbërriti në Nju Jork. Ajo iu lexua trupave të gjeneral Uashingtonit dhe ushtarët duke thirrur “Urra” hodhën kapelet në erë. Atë natë statuja e mbretit Xhorxh III, në Bowling Green, në Menhet’n u rrëzua nga piedestali.
Kuriozitet:  Në 4 korrik 1776, kur Këmbana e Filadelfias shënonte firmosjen e Deklaratës se Pavarësisë së 13 kolonive amerikane nga perandoria britanike, për ironi të fatit mbreti i Anglisë, Xhorxh III, shkruante në ditarin e tij:
“4 korrik 1776. Asgjë me rëndësi”…
.
*Albana Melyshi Lifschin nga libri “Udhëtim në Historinë e Amerikës” botuar ne 2003, ribotuar ne 2006 dhe 2010.

Filed Under: Featured Tagged With: Albana M. Lifschin, Julay 4th

Ngulmime qiellore për tokën Arbërore apo ditë më shi pranë panteonit të zi

July 3, 2020 by dgreca

Nga Nue Oroshi/
Ngulmimet dhe përplasjet qiellore në mes tokës,diellit, hënës marsit,saturnit dhe jupiterit ecin në lartësinë qiellore pranë ngulmimeve që i bëjnë luftë qiellit Arbëror.Ashtu si çdo herë gjatë historisë nëpër periudha të ndryshme kohore pranë ngulmimeve të qiellit shqiptar janë paraqitur edhe ditët me shi pranë panteonit të zi.Këto ditë me shi të errëta dhe pa diell i patëm të shpeshta.Ato i patëm të shpeshta për faktin se shpesh i përziem rrugët e mbijetesës.Çdo herë kur kishim djem e vajza puntor dhe të ditur, çdo herë na delnin politikan harbutë e kopukë që e orjentonin liburnien shqiptare drejt panteonit të zi, pa u mërzitur fare për ditet e errëta dhe me shi.Edhe sot në Trojet Arbërore po ecin paralel me njëra-tjetrën dy drejtime ajo intelektuale dhe kombëtare që bashkarisht janë duke u munduar që ti nxjerrin trojet shqiptare nga kjo sketerrë dhe nga kjo mjegullnajë që janë mbetur në një rrugë pa krye.E në këtë mjegullnajë politikanët tanë na i ka zënë”Kalikangja” siç njihet në popull dhe ju kanë përzier rrugët.Ecjakët e tyre janë pushteti mbi të gjitha.Madje për pushtet thonë ata nuk njohin as komb e as shtet.Ata kur dëshirojnë të mbrohen kur e humbin prestigjin në sytë e elektoratit shqiptar mundohen të tregohën atdhetarë, e në fakt ata janë vetëm tregtarë flamujsh që ndërrojnë flamujtë sa herë që t´iu kërkohet.E toka Arbërore shpeshherë lëshon gjamën e intelektualëve dhe idealistëve atdhetarë të cilët asesi nuk mund të pajtohen se çka po ndodhë në trojet shqiptare.Është fatkeqësi se në trojet shqiptare sot kemi politikanë shërbëtor dhe servil por asesi politikan mendjendritur që e qojnë përpara çështjen e Arberisë tonë.Në këto kufizime të memorjes, së trurit të tyre janë të regjistruara vetëm numrat.Nuk mbajnë asgjë në mendje përveç shifrës se milionave të fituara pa djersë.E këto miliona shumë shpejt do të bëhen edhe mollë sherri e familjarëve te tyre.Çdo gjë e fituar pa mund shkon ashtu siç fitohet por i lenë shenjat në mur edhe pasi të hiqen gozhdat e ngulura.E në ditët me shi pranë panteonitë të zi qiellor qëndron djelmënia dhe vajzëria shqiptare e cila çdo ditë është duke e shikuar përspektivën jashtë tokës së arbdheut.Sikur tregtarët e flamujve të kishin menduar vetëm njëherë me kokë ata nuk do ta sjellnin gjendjën e shteteve shqiptare në këtë gjendje, ku edhe qielli është duke lotuar pranë rrezeve të diellit që nuk janë duke shëndritur ka kohë.Edhe ajo kënga e vjetër që shumë po shëndritë ky diell dhe pak po nxenë e ka kuptimin e vet.Të paktët kanë mbetur edhe idealistët dhe atdhetarët.Të vjen sot me gjemu kur sheh shqiptar që para Gjergj Kastriotit e qesin Ballaban Pashën, e ma shumë japin kontribut për Sulltan Mehmetin e Sulltan Muratin,dy pushtues të tmerrshëm të tokave Arbërore, se sa për Gjergj Kastriotin e Lekë Dukagjinin.Arbërorët tanë sot nuk dinë çka dojnë.Një pjesë e mirë e tyre e kanë mohuar vetvetën dhe kombin e tyre.Mohimi i vetvetës na ka sjellur në atë gjendje as mish e as peshk.Edhe kjo kohë do të kalon, edhe këto ngjarje do t´i shënoj historia jonë,por ajo që do të mbetët e ngulitur në turpin e politikanëve është fakti se si u tjetërsua shqiptaria për dy dekada.Ky tjetërsim nuk është bërë gjatë shumë shekujve se të parët tanë ishin qendrestarë.Kurse sot na u ka mbushë vendi e kombi me kusarë e tregtarë të flamujve ideologjikë, të cilët janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë vetëm e vetëm mos të ecë shqiptari përpara.Kur ngulmon qielli për tokën Arbërore apo kur kemi ditë, muaj dhe vite me shi pranë panteonit të zi ajo që mbetët të themi është pyetja se deri kur kështu.Pse nuk i kthehemi njëherë e përgjithmonë tek besa e dhënë dhe fjala e mbajtur.Nuk ka qenë në traditën e shqiptarit asnjëherë me gjuajtë gurin e me mshef dorën.
E kur kujtoj ata burra të hershëm shqiptar që për besën e dhënë e dhanë edhe jetën dhe sakrifikuan familjen për tokën e Arbërit, mendja më shkon se sa shumë dallkaukë e kopukë kishim pasur ne shqiptarët gjatë historisë tonë kombëtare,por kam përshtypjen se këta të sotmët ja kanë kaluar të gjithëve, sepse në të kalurën i kemi njohur dhe numëruar në gishta kurse sot janë rritur aq shumë sa që lirisht mund të themi se idealistët kanë mbetur të paktë kurse tregtarët e flamujve janë rritur.E fatkeqësi është se tradhtitë janë duke i bërë në emër të patriotizmit, që po e përdorin vetëm kur bien ngushtë për çështje personale. Arbëria jonë do ti mbijeton këtyre matrapazëve dhe do të kthjellohën por duhet shumë punë dhe angazhim që të sherohën plagët që po na i lenë kjo kastë politike në ikje.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nue Oroshi, Panteoni I zi

NENQIELL

July 3, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi/

Një herë e një kohë, kur njerëzimi ishte foshnje, disa prej tyre u zvarritën këmbadorës dhe gjetën një shpellë për t’u strehuar – nevoja sot për një shtëpi i vjen njeriut nga ky instinkt. Strehimi është i sanksionuar si e drejtë bazë, por me një ngërç – për ta pasur atë, njeriut i duhet të paguajë – që tingëllon më shumë si dëshirë në anë të kundërt, ose, si të thuash, e drejtë e rrëmbyer nga pronari i dytë pa tapinë e shpellës apo me tapi të rreme.
Sot gjithnjë e më shpesh, shprehja ‘ndërtim pallati’ nënkupton larje parash, korrupsion; dikur në kohën e diktaturës, ndërtimi i pallatit njësohej me punën vullnetare plus duhej të paguaje nëndorë sekretarin për të marë një hyrje.
Çdo fëmije i pëlqen të endet në natyrë, të qëndrojë jashtë ose të ekpsplorojë shpella. Kjo ishte edhe dëshira e natyrshme e çdo stërgjyshi më primitiv që ende mbijeton tek ne. Nga shpella kemi përparuar në çati me gjetheve e kashtë, lëvore e degë, tjegulla, beton e pllaka guri, që janë më pranë ngjashmërisë me shpellat. Shumë njerëz nuk e dinë se çdo të thotë të jetosh në ajër të hapur. Në shumë raste jeta bëhet brenda dyerve. Nga shtëpia në punë shpesh është një distancë e madhe me pengesa a trafik. Keq! Do të ishte më mirë, mbase, nëse do të kalonim më shumë ditë e netë pa asnjë pengesë midis nesh dhe qiellit. Kështu krijuesi në Facebook nuk do të fliste aq shumë nga nën një çati për të na lodhur e mërzitur; shenjtori do të zbriste në tokë për të na këshilluar; zogu nuk do të shoqërohej me macen (armikun e tij) dhe të këndonte nga brenda.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Nenqiell

Frank Shkreli: Unë, “Armiku i Popullit”

July 3, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ish Drejtor i VOA-s për Euro Azinë/

Në shtator të vitit 2018, isha në Shqipëri për të marrë pjesë në promovimin e tre vëllimeve të librit tim, “Demokracia Nuk Pret”, por kisha vendosur që të mos largohesha nga Tirana pa vizituar Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991 (AIDSSH). Autoriteti, i themeluar në bazë të një ligji të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2015, është i hartuar kryesisht, në bazë të modelit të ligjit gjerman mbi regjistrat e Stas-it, ish-policisë sekrete të Gjermanisë Lindore komuniste, “Me përgjegjësinë për mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to…”. Vizita ime në zyrën e AIDSSH-së, dy vjet më parë, ishte një përvojë e veçantë, ku pata nderin dhe kënaqësinë të takohesha me Kryetaren e AIDSSH-së, Zonjën Gentiana Sula, me anëtarin e Autoritetit, Zotin Simon Mirakaj dhe me zyrtarë të tjerë të atij enti. Kryetarja Sula dhe ndihmësit e saj më ofruan mua dhe bashkëshortes një pritje tepër miqësore dhe plot respekt. I falënderoj të gjithë ata, veçanërisht, për gatishmërinë dhe ndihmesën që më ofruan, me atë rast, në procesin e aplikimit për nxjerrjen e dosjes që kishte përgatitur për mua ish-Sigurimi i Shtetit gjatë sundimit të regjimit komunist.

Vizita në Zyrën e AIDSSH, Tiranë, Shtator, 2018

Vizita tek Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991 përfundoi pas aplikimit, falë ndihmës së stafit të Autoritetit, për hapjen e dosjes time, brenda një periudhe të shkurtër, dosje të cilën, natyrisht, e lexova me vëmendje, por që pothuaj asgjë nuk më habiti nga ato që kishte brenda. Dokumentimi, identifikimi dhe hapja e dosjeve për individë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, është një objektiv me rëndësi i punës së përditshme të Autoritetit. Më vonë, gjatë një vizite që stafi i AIDSSH-së bëri në Nju Jork, më sollën në disk kopjen e dosjes time personale të përgatitur nga Sigurimi i regjimit komunist të Enver Hoxhës.Sipas renditjes në listën e emërtimit të dokumenteve që përmban dosja ime prej 60 faqesh, duket se interesimi i Sigurimit të Shtetit rreth meje kishte filluar aty nga viti 1984-85 kur unë kam qenë Shef i Shërbimit shqip, të “Zërit të Amerikës” dhe ka zgjatur deri në datën 20 Mars, 1991, kur është mbyllur, që është pikërisht dita që unë dhe tre anëtarë të Delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit, kemi zbritur në Tiranë, për hapjen e ambasadës dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e para pluraliste, nja një javë pas nënshkrimit në Washington të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dihet se gjatë gjithë historisë së tij, “Zëri i Amerikës” ishte ferrë në sy për regjimin e Enver Hoxhës dhe për Sigurimin e Shtetit, sidomos gjatë viteve të 1980-ave, kulmi i Luftës së Ftohtë dhe i lëvizjeve pro-demokratike në Europën Lindore, sidomos në Poloni, që filluan me lëvizjen e punëtorëve polakë, “Solidarnost” dhe që u përhap më vonë anë e mbanë Europës Lindore, përfshirë Shqipërinë, në vitin 1990. Dosja e Sigurimit më përshkruan sikur të isha dy metra i gjatë, i rrezikshëm për regjimin komunist po se po, pasi konstatohet, gabimisht, se unë, “Si zevendës drejtor në Drejtorinë për Europën Lindore në Departamentin e Shtetit, Frani ka në mbikqyrje edhe “Zërin e Amerikës” në terësi”, duke shtuar se, “Nga të dhënat del se Frani është mjaft i aftë dhe i specializuar në drejtim të vendit e njeri mjaft i besuar i amerikanëve”, duke lenë të nënkuptohet se si i tillë, mund të jetë edhe i rrezikshëm. Prandaj në dokumentin sekret të datës 4 -6-87, bëhet thirrje që, “Bazuar në sa sipër dhe me qëllim për të zbuluar e mësuar veprimtaritë dhe detyrat që i janë ngarkuar e kryen në drejtim të vendit tonë në fushën politike, propagandistike, studimore e subversive, sipas orientimeve të Departamentit të Shtetit e zbulimit amerikan”, vendoset që, “Fran Shkreli të merret në përpunim aktiv”, ndërkohë që vendimit për të “zbuluar veprimtarinë armiqësore të Fran Shkrelit”, i bashkangjitet edhe “plani përkatës i masave agjenturoro-operative” prej nja 14-pikash kundër meje.

Në një dokument i përfshirë në dosje, kërkohet që “për zbulimin e veprimtarisë së objektit në vendin ku jeton kundër vendit tonë… të mendoni dhe na propozoni për masa presioni e demaskimi ndaj objektit që do të ishin më me efekt për ta larguar atë nga veprimtaria armiqësore kundër vendit tonë, e për ta demaskuar në radhët e emigracionit “shqiponjas”, arbëreshe e shqiptare, si spiun i të gjitha vendeve ku kaluar etj.”. Unë, poli-agjent, mos ma çoni gazin bre! Duket se Sigurimi ishte i konfuzuar me të dhënat, pasi nga qëllimi për të më shpallur poli agjent për veprimtarinë kundër regjimit, në një dokument tjetër thuhet se sipas një burimi, “Fran Shkreli është me qendrim të mirë” ndaj Shqipërisë dhe “nuk lejon që ndokush të flas keq për të”. Madje në të njëjtin dokument thuhet se ai “dëshiron të vizitojë Shqipërinë, por mendon se nuk do ti lejohet kjo gjë, ndoshta nga qeveria jonë, por mendon që edhe amerikanët mund të mos e lejojnë”. Në të njëjtin dokument të datës 19.12.1989, ndërkohë që duket se në Tiranë po diskutohej mundësia për marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara, oficeri raporton se sipas një burimi, “Frani ngul këmbë në bindjen e tij se vendi ynë do të afrohet e lidhë marrëdhënie me Amerikën, gjë që po ndodhë, ai e vlerëson si hap shumë të zgjuar diplomatik të qeverisë tonë”, thuhet në dokumentin në fjalë.Në një letër drejtuar operativit resident të Sigurimit në Nju Jork i kërkohet që për të ndjekur gjithë veprimtarinë time “armiqësore” në punë dhe në familje, të angazhohen të pakën gjashtë veta, të cilët identifikohen vetëm me numra, njerëz që sipas të dhënave në dosje, “më njohin mirë” mua, sepse sipas një dokumenti tjetër në dosje, “Nga analiza e të dhënave rezulton se Fran Shkreli… është mjaft aktiv kundër vendit tonë”, e që “ndiqet nga ana juaj në përpunim 2A”, (grupi i të akuzuarve për agjitacion e propagandë) — i shkruan nga “pozita” një agjent i Sigurimit një agjenti tjetër, jo më heret se me 25 tetor, 1989, d.m.th. më pak se dy javë para shembjes së Murit të Berlinit. Është interesant se ndërkohë që komunizmi në Europën Lindore po jepte shpirt, Sigurimi i Shtetit Shqiptar ishte i angazhuar në ndjekjen e personave si unë. A nuk e shihnin a po nuk donin ta shihnin furtunën anti-komuniste që po vinte – fillimin e mbarimit të komunizmit! Bazuar në dosjen që kam në dorë, megjithëse jetoja dhe punoja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm që ndiqesha nga Sigurimi i Shtetit komunist të Enver Hoxhës për veprimtari armiqësore, por sipas një “Ekstrakti” sekret në dosjen time të Sigurimit të Shtetit thuhet se, “Frani ndiqet edhe nga organet e shërbimit të sigurimit të shtetëror jugosllav për veprimtari kundërshtare dhe për këtë ushtrohet masa e kontrollit dhe e vëzhgimit…”. A mos vallë punonin së bashku këto dy shërbime të Sigurimit sekret ballkanas? Në një dokument tjetër secret, që përmban dosja, dokument i lëshuar në Tiranë me datën 3/8/90, vetëm një vit para rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, udhëzohet “Rezidentura e Nju Jorkut” që, “Problemi i Fran Shkrelit të ndiqet me përparësi dhe me shumë kujdes”. Fatbardhësisht, ky urdhër i Sigurimit që unë të ndiqem “Me përparësi dhe kujdes” nuk u zbatua, ose më mirë të themi nga rrethanat botërore u hodh në koshin e plehrave të historisë, atje ku përfundoi edhe komunizmi shqiptar dhe ai ndërkombëtar me shembjen e Murit të Berlinit.

Dosja prej 60-faqesh, – pjesa më e madhe me të dhëna të gabuara ose pa kurrfarë vlere për një shërbim sekret inteligjence, mbyllet me një dokument sekret i datës 20 Mars, 1991, i titulluar “Autorizim”, me nënshkrimin e Zëvendës-Ministrit të Punëve të Brendshme, Veip Proda, sipas të cilit: “Autorizohet p.op. Islam Seferi, efektiv i degës dytë të Drejtorisë Parë, të tërheqë nga Drejtoria e Tretë, dosjen 2A, të objektit Frank (Frano) Gjeto Shkreli, i cili vjen në vendin tonë si përfaqësues i ambasadës Amerikane në Tiranë.” Fatbardhësisht, dhe falë nderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe punëdhnësit tim – qeverisë federale të Amerikës për 30-vjet – unë nuk kisha asnjë problem gjatë asaj kohe me askend, por nga dosja e Sigurimi të regjimit komunist të Shqipërisë del se Sigurimi i Shtetit debatonte se si të merrej me “problemin” që paraqiste për ta Frank Shkreli. Nuk di se ku e paskan pasur hallin pasi jeta, veprimtaria dhe puna ime ishte, siç thonë amerikanët një “open book”, një jetë aq publike dhe transparente sa nuk ishte nevoja që regjimi enverist komunist i Tiranës dhe as ai sllavo-komunist i Beogradit – të harxhonin buxhetin e shtetit dhe të keqpërdornin fondet nga mundi dhe djersa e popujve të tyre të varfër, për të punësuar agjentë spiunë për të ndjekur mua ose edhe shumë të tjerë si unë, në punë të vet, jashtë vendit, duke punuar për familjen. Për veten time, ndryshe nga shumë informacione falso të Sigurimit të përfshira në këtë dosje – për 30-vjetë në Washington, vërtetë se unë kam punuar në detyra të ndryshme, por gjithmonë për të njëjtën organizatë – “Zërin e Amerikës” dhe në të njëjtën ndërtesë, në kryeqendrën e këtij enti në Washington. Po të kishte ardhur ndonjë agjent ose spiun i Sigurimit para derës së ndërtesës ku punoja në Washington, do ishte bindur se unë nuk përbëja asnjë rrezik për askënd. Do më kishte parë çdo mëngjes duke hyrë aty dhe çdo mbrëmje duke dalë prej aty, për të shkuar në shtëpi pranë familjes. As nuk iu fsheha kujt, as nuk kisha frikë askend, as Sigurimin e Shtetit komunist të Enver Hoxhës dhe as Sigurimin Shtetëror Jugosllav UDB-ën, sepse nuk kisha asnjë arsye që t’i kisha frikë, isha në punën time. Jam matur për një kohë të gjatë nëse të përmend publikisht këtë dosje të Sigurimit ose jo dhe kisha vendosur të pres pak. Nuk e di se pse. Me thënë të drejtën mora guxim dhe frymëzim të flas për këtë dosje, pa hyrë shumë në hollësi rreth përmbajtjes së saj, nga vizita që bënë të martën në Shkodër zyrtarët e lartë të AIDSSH, përfshirë Kryetaren Genta Sula, ku kishin shkuar për t’i dorëzuar personalisht Dom Gjergj Simonit dosjen e tij të Sigurimit.

https:/www.facebook.com/starplustelevision/videos/2999185286845880/UzpfSTEzNTg2MTMzOTQxOTEyODA6MzI2NDc3Njk1MzU3NDkëNQ/

Mora guxim, por mora edhe frymëzim prej Dom Simonit, për mënyrën se si e pranoi dosjen e tij të Sigurimit me një mesazh publik, si i dënuar dhe i burgosur nga regjimi komunist, për poezitë që kishte shkruar dikur. Thashë me vete hapja dhe pranimi i dosjes, është në të vërtetë një dëshmi, që për mirë a për keq, duhet të ndahet me të tjerët, të shërbejë si një subjekt për krijimin e një atmosfere për dialog mbi të shkuarën komuniste të Shqipërisë. Për mirë, se me hapjen e dosjeve na jepet mundësia që me njohjen me këto dosje, ose me vet ekzistencën e tyre, ndoshta ndërgjegjësohemi si individë, por më shumë edhe si shoqëri, për të kaluarën e një regjimi diktatorial kriminal, nën të cilin Kombi shqiptar ka pasur fatin e keq të jetonte për pothuaj një gjysëm shekulli. Hapja e dosjeve të Sigurimit mund të konsiderohet nga disa edhe si një dëshmi e keqe ose të pakën si diçka që nuk na bën të ndihemi mirë, ndoshta për arsyen se shumica e atyre që kanë dosje ose familjarët e atyre që mund të kenë shkuar në atë jetë tanimë, presin ende – përtej hapjes së këtyre dosjeve – zbardhjen e së vërtetës dhe duan drejtësi për ata vet dhe për viktimat e komunizmit, në përgjithësi. I dashur lexues, kjo është edhe arsyeja që unë po i ndaj këto rreshta me ju për ekzistencën dhe për hapjen e dosjes time të Sigurimit të Shtetit komunist shqiptar, si një përpjekje, ashtu siç shpresojmë të gjithë, madje edhe 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, për një fillim të ri për Kombin shqiptar, duke reflektuar për të kaluarën dhe duke shpresuar për një të ardhme të re më të mire, ku shpresojmë që e kaluara komuniste të mos jetë më objekt ndarjesh e përçarjesh midis shqiptarëve, as sot dhe as në të ardhmen! Unë jam i bindur se konfliktet politike dhe gjendja e përgjithshme aktuale në Shqipëri në 30-vjet post-komunizëm, përfshirë problemet me sistemin juridik, janë pasojë e drejtëpërdrejtë e mospajtimit dhe e mostrajtimit të krimeve të komunizmit, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste në Europë. Duam ose nuk duam ta pranojmë, mospërballja serioze e klasës politike shqiptare me të kaluarën komuniste, vazhdon të jetë një barrë e rëndë për të ardhmen e lirisë dhe të demokracisë së vërtetë në Shqipëri.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Une armiku i popullit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT