• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2020

Vizita e delegacionit amerikan synon jetësimin e marrëveshjes së Uashingtonit

September 21, 2020 by dgreca

Në Kosovë, të hënën do të qëndrojë një delegacion i qeverisë amerikane i kryesuar nga Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC).

Pjesë e këtij delegacioni, i cili deri më 25 shtator do të udhëtojë edhe në Beograd, Athinë, dhe Izrael, do të jetë edhe dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Në njoftim të DFC-së, theksohet se çështjet të cilat do të diskutohen kryesisht kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal si dhe në Lindje të Mesme.

Kjo vizitë në Kosovë do të ndodhë pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpine e Bardhë në Uashington më 4 shtator, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Deri më tani, është konfirmuar takimi me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti. Nga kabineti i tij është thënë se “kjo vizitë bëhet në kuadër të Marrëveshjes për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë”.

Grenell, të dielen mbrëma, përmes Twitterit ka deklaruar se “implementimi i marreveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është prioritet i administratës së presidentit Trump”…


Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, është arritur pajtueshmëri që Kosova dhe Serbia, do të punojnë me Koorporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.

Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?

DFC pritet që bashkë me Bankën amerikane për Eksport-Import të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes, që do të lidhë Nishin me Prishtinën.

Ndryshe, Boehler së bashku me udhëheqësen e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, më 15 shtator kanë nënshkruar letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, përmes së cilave do të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes.

“Autostrada e Paqes do të nxisë zhvillim ekonomik dhe integrim rajonal, duke lidhur Nishin me Prishtinën. Po ashtu, do të shërbejë si simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re dhe transformuese të këtyre dy vendeve fqinje”, kishte thënë Boelher.

Nga Prishtina, delegacioni amerikan pritet të udhëtojë në Beograd, ku DFC do të hapë zyrën e vet.

Kryeministri Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Delegacioni amerikan, Prishtine, Vizita e delegacionit

LE TË NISEMI SË BASHKU!

September 21, 2020 by dgreca

–NË 50-VJETORIN E VDEKJES SË NEXHAT PESHKËPISË-

-Një thirrje klasës politike anë e mbanë trojeve shqiptare-

                                              Nga Frank Shkreli

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpgViti 2020 shënon 50-vjetë nga vdekja e një prej figurave më të dalluara të diasporës shqiptare të shekullit të kaluar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Prof. Nexhat Peshkëpisë.  Prof. Peshkëpia ishte dhe vazhdon të mbahet mend në komunitetin tonë këtu në Amerikë si një ndër kampionët dhe mbrojtësit e pazevëndësueshëm të lirisë dhe të demokracisë. 

Prof. Nexhat Peshkëpia ishte një anëtar shumë aktiv i Komitetit Shqipëria e Lirë me qëndër në Nju Jork, që drejtohej nga Dr. Rexhep Krasniqi – organizatë kjo që mbështetej financiarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ishte anëtar ekzekutiv i Komitetit due njëkohësisht edhe redaktor i gazetës “Shqiptari i Lirë”.  Komiteti Shqipëria e Lirë gëzonte njohjen dhe legjitimitetin si një ent i sanksionuar nga qeveria amerikane, si përfaques i komunitetit anti-komunist shqiptar në Shtetet e Bashkuara gjatë luftës së ftohtë dhe, njëherazi, përfaqësonte Shqipërinë në komitetin e Përgjithëshëm të Asamblesë së Vendeve të Robëruara Evropiane, organiazatë umbrellë kjo,  që si objektiv të veprimtarisë së saj kishte, përmbysjen e komunizmit në vendet e bllokut sovjetik të Evropës Lindore dhe Qendrore.  

Nexhat Peshskëpia kryer shkollën e mesme dhe të lartë në Itali dhe Belgjikë. Më të këthyer në Shqipëri pas shkollimit jashtë, Nexhati qe emëruar mësues i matematikës dhe fizikës në Shkollën Teknike të Tiranës.  Me pushtimin italian të Shqipërisë në vitin 1939, Prof. Peshkëpia iu bashkua forcave të rezistencës dhe ishte një prej organizatorëve të Ballit Kombëtar dhe një prej ideologëve të programit të kësaj partie. Me daljen e lëvizjes komuniste në skenën politike shqiptare dhe që ra nën ndikimin e shpejt të komunistëve jugosllavë, Nexhat Peshkëpia iu bashkua edhe luftës kundër komunizmit, duke shërbyer si redaktor i shtypit anti-komunist dhe anti-fashist.

Ndonëse, fatkeqësisht, nuk ia kam mbërrijtur ta takoja sa ishte gjallë këtu në Amerikë po e kujtoj Nexhat Peshkëpinë me rastin e 50-vjetorit të kalimit në amshim – me fjalët e një prej miqëve të tij më të ngushtë, Karl Gurakuqit, i cili në një shkrim me rastin e vdekjes në vitin 1970, e ka kujtuar kështu mikun e tij Nexhatin: “Ishte Shqiptar i mirë Nexhati.  Atdhetar i kulluet, shembull për të rijt, njeri i ndermë; i kjante zemra kur vrente përçamje e mosmarrëveshje në mes bashkëatdhetarëve, bij të nji gjaku.  Predikonte vëllaznim; për ‘të mjaftonte të ishe Shqiptar, prej çdo krahine dhe menjiherë e afronte dhe me të kjante hallet. Kur ia paten vra vëllain në Tiranë, Manushin e mjerë, më vjen keq më tha sepse nuk e kishte meritue, ka qenë shqiptar i pastër, e ka dashtë Shqipninë, do të kishte dhanë jetën për ‘të.  E pra, u vra e u pushkatua, e për më tepër prej dorës së Shqiptarit”, i ka shkruar Nexhati, mikut të vet Karl Gurakuqit në lidhje me pushkatimin e vëllait të tij, Manush Peshkepisë ditën e 27 shkurtit, 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë të pafajshëm, që i hodhën në një gropë të përbashkët pranë Urës së Beshirit, në fshatin Mënik të Tiranës, të akuzuar për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike.  

 “Si njëni vëlla ashtu tjetri, si Nexhati ashtu edhe Manushi ishin burra të padjallëzuem”, shkruan Karl Gurakuqi dhe vazhdon: “Të dy predikojshin dashuni ndërmjet vëllazënve shqiptarë, bashkim dhe njisi. Ishin gati tu shtrijshin dorën edhe kundërshtarëve, mjaftonte që veprimet e këtyre të përkojshin me idealet e kombësisë dhe të atdhedashunisë”, ka shkruar Karl Gurakuqi, albanologu, gjuhëtari, përkthyesi, dramaturgu, historiani dhe bashkpuntori më i ngusht i revistes Shejzat të Ernest Koliqit. “Ishte përnjimend Shqiptar Nexhati, me të gjitha virtytet, me të tana vetitë e bukura të racës”, ka kujtuar Karl Gurakuqi 50-vjet më pare, mikun e tij Nexhat Peshkepinë, me rastin e kalimit të tij në amshim.

Nexhat Peshkepia, shkrimtar e poet, në disa prej shkrimeve dhe poezive të tija, shihet se sa mall e kishte Atdheun, se sa shumë vuante në mërgim për Atdheun e tij të largët:

                                “O ti që vjen nga larg,

                                 Nga vendi i lindjes

                                 Më thuaj: Kur vjen vera

                                 Atje në kopshtin tonë? 

                                 Te shtëpia në atë vend të mjerë,

                                 Kumbulla dhe qershija

                                 Çelin gjithmonë lule

                                 Si njiherë?….”


Në çdo shkrim  që lexoj për Nexhat Peshkepinë, ajo që dallon është fakti se ai e donte me gjithë shpirt Atdheun dhe i donte shqiptarët pa dallim feje, krahine a ideologjie, për derisa ata të ndanin me të, “Idealet e Kombësisë dhe të Atdhedashunisë”:  Le të nisemi së bashku, e jo nji nga nji, i porosiste shqiptarët  Nexhat Peshkepia sa ishte gjallë. Edhe sot 50-vjet pas vdekjes dhe 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, ai ka të njëjtën porosi për brezat e sotëm të shqiptarëve, si në trojet shqiptare ashtu edhe në diasporë!  Lexoni më poshtë, “Le të nisemi së bashku”, nga Nexhat Peshkepia:

Një thirrje nga Nexhat Peshkepia, megjithse e botuar në kulmin e luftës së ftohtë në gazetën e Nju Jorkut, Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, në vitin 1970 — është gjithmonë një thirrje aktuale për shqiptarët kudo, që në kohë krize të bashkohen rreth interesave të Atdheut due të shqiptarëve — jo një nga një –por të gjithë së bashku! 

Eh, medet!  T’i kishte sot Kombi Shqiptar vetëm 5 Nexhat Peshkepia, anë e mbanë trojeve shqiptare, besoj se ndryshe do të ishin punët e shqiptarëve!


Nexhat Peshkëpia ka lindur në Vlorë më 15 mars 1908 dhe ka ndërruar jetë më 8 shkurt 1970 në Dearborn të shtetit Miçigan, ku kishte shkuar nga Nju Jorku, ku edhe banonte, për të vizituar një kushëri të tijin që jetonte atje.

Frank Shkreli

  See the source imageNexhat Peshkepia i pari nga e djathta, në Romë për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastritoit -Skenderbeut (Shejzat)

Prof. Nexhat Peshkëpia ulur midis Mons Dr. Zef Oroshit dhe Inxhinjer Vasil Germenjit

See the source image

                                                 Nexhat Peshkëpia


                                    Nga Kujto.al

                                               Manush Peshkëpia

Financier, poet, publicist, anëtar i Ballit Kombëtar, delegat i Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes. Lindi në vitin 1910, në Vlorë. Punoi si financier në Bankën Kombëtare. Pas pushtimit italian të Shqipërisë, bashkë me të vëllanë, Nexhat Peshkëpinë, u transferua në Elbasan. Gjatë luftës qe redaktori kryesor i gazetës «Flamuri». Më 1944 drejtoi emisionin letrar të Radio Tiranës. U arrestua më 1945 dhe, më 13 prill të po atij viti, Gjykata Speciale e Tiranës e dënoi me 5 vjet burg dhe punë të detyruar si «armik të popullit». U lirua pas katër vjetësh. U arrestua sërish më 20 shkurt të vitit 1951, për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike dhe, pas një jave torturash, duke u gdhirë 27  shkurti, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë të pafajshëm, që i hodhën në një gropë të përbashkët pranë Urës së Beshirit, në fshatin Mënik të Tiranës.  

Filed Under: Opinion Tagged With: 50 vjet, Frank shkreli, vdekja e Nexhat Peshkepise

Relievi Shqiptar – Toponimet dhe Emrat si pjesë e identitetit dhe lidhjeve me gjuhën dhe kulturën Shqiptare…

September 21, 2020 by dgreca

Nga Enela Markja *-

Mësimdhënia e gjuhës amtare në diasporë ka qenë dhe mbetet një ndër sfidat kryesore të Diasporës duke vënë në lëvizje dhe bashkëpunim aktorë dhe faktorë në Diasporë si dhe vendet mëmë Kosovë-Shqipëri.Përcjellja e njohurive nëpërmjet gjuhës dhe përdorimi i elementëve lidhës të historisë, gjeografisë, traditave, folkorin dhe shumë faktorëve  tjerë kulturorë është qëllimi i cdo mësimdhënësi.Që kjo gjë është e mundur  sot e faktojnë Arbereshët e Italisë dhe modeli i tyre kulturor.

Me zhvillimin e botës Digitale (jo vetëm për shkak të Pandemisë) dhe shtimin e rrjeteve sociale bëhet e mundur një bashkëpunim, shkëmbim e komunikim intensiv mbarë botëror mbi baza të shëndetshme tematike, siç është në këtë rast mësimdhënia e gjuhës shqipe, duke i dhënë diasporës nuanca dhe karakteristika tematike. 

Mësimi i gjuhës shqipe në Diasporë është i varur nga forca dhe përbërja e komunitetit shqiptar si dhe nga zhvillimi i tij social në vendin ku komuniteti jeton, por gjithashtu një rol të rëndësishëm luajnë dhe kornizat dhe kushtet të cilat vendi atij i ofron. 

Koha e mësimdhëniës është një tjetër problematikë me të cilën ndeshet cdo mësues në diasporë. Duke pasur parasysh që tek fëmijët detyrimet shkollore si dhe aktivitetet jashtë shkollore janë shumë të domosdoshëm për zhvillimin e tyre dhe integrimin e plotë të fëmijëve në shoqërinë ku ata jetojnë, janë dy orë mësim suplementar në javë; të realizuara në këtë format mësimor, vlerësoj se kjo përbën një ngarkesë për fëmijët, si dhe për mësuesin është një kohë shumë e shkurtër për ezaurimin e lëndës mësimore. 

Një rol shumë të rëndësishëm në mesimin dhe perdorimin e gjuhës luan dhe komunikimi ne familje dhe edukata familjare. 

Mësimi i gjuhës amtare nuk duhet parë si pengesë në integrimin e fëmijëve në shoqërinë ku jetojnë, përkundrazi, – nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare, arrihen të konsolidohen disa tipare shumë të rëndësishme të individit, si: 

  • Zhvillohet aftësia për të përvetësuar gjuhë të huaja dhe kombinuar kulturat përkatëse;
  • Shumëgjuhësia promovon mirëkuptimin brënda një shoqërie të karakterizuar nga diversiteti
    kulturor dhe gjuhesor;
  • Zotërimi i gjuhës amtare është kualifikim i vlefshëm për jetën shoqërore dhe zhvillimin ekonomik;
  • Ndërgjegjësimi për vlerën e kompetencës së gjuhës amtare shton motivimin dhe vetëbesimin e nxënësve dhe ndihmon integrimin e tyre; 

Mësimi i gjuhës amtare luan një rol jashtzakonisht të rëndësishëm në forcimin e personalitetit të fëmijëve dhe kështu ato pranojnë dhe kapërcejnë më lehte sfidën e adoleshencës duke ditur se kush janë dhe çfarë prejardhje kanë.  

Metodat e mësimdhënies në Diasporë kanë një diapazon të gjerë gjuhësor, kulturor dhe historik. Ndërthurja sa më e natyrshme e tyre, bën të arrihen nivele të larta në mësimdhënie duke rritur efektivitetin e të nxënit.

Në këtë aspekt, një histori mbreslënëse më shoqëron gati një vit dhe më bën të kërkoj vazhdimisht gjetjen e mënyrave të mësimdhënies sa më efektive me qëllim rruajtjen e gjuhës, traditave dhe kulturës. Gjatë pushimeve me familjen verës që kaloi në Sarandë (Gusht 2019), dëgjoj një bisedë në gjermanisht mes dy vajzave të reja rreth 20 vjeç. Kurioze, mbase dhe nga profesioni, i pyes gjithashtu në gjermanisht se cili ishte motivi i tyre për të vizituar Shqipërinë dhe konkretisht Sarandën.  Njëra nga vajzat m’u përgjigj që ka lindur dhe jeton në Frankfurt dhe i ati i saj shqiptar, i ka dhuruar emrin „Saranda“! Vajza ishte shumë kurioze të mbledhë sa më shumë informacione rreth emrit, rreth vendit, prejardhjes, kulturës; U ndjeva e gëzuar por ndërkohë evidentoja që po flisja me një vajzë me orgjinë nga Shqipëria të quajtur „Saranda“ në gjuhën Gjermane…. elementi lidhës shumë i rëndësishëm në këtë bashkëbisedim mungonte – Gjuha!  

Dhurimi i emrave të vendeve tek njerëzit është një karakteristikë e veçantë shqiptare, që për mendimin tim ka ndodhur për disa arsye: 

  • Shqiptarët që ndodheshin jashtë kufijve të Shqipërisë, mbartnin në këtë mënyre, si pjesë e qënies së tyre një copë Atdhe – duke pasur parasysh që toponimet janë tregues të denjë të autoktonisë shqiptare, dhe ruhen nga njeri brez në tjetrin pa asnjë ndikim fetar apo politik.
  • Shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, për mendimin tim, me “dhurimin” e emrave të lumenjve (Drin, Erzen, Valbonë, Vjosë, etc), deteve (Jon dhe Adriatik), maleve (Korab, Tomorr, Jezerce, etc), krijuan një panvarësi nga feja (përmend këtu moton “Feja e shqiptarit është shqiptaria”) duke mbartur këto toponime që kanë një jetëgjatësi shekullore dhe tregojnë bukuritë të natyrës shqiptare.

Duke u nisur nga Emrat që ne mbartim, mendoj që trajtimi i toponimeve gjatë orës së mësimit është metoda për të lidhur gjuhen me gjeografinë, kulturën, traditat, veçoritë dhe karakteristikat e zonave. 

Si shembull mund të marr lumin e Valbonës dhe emrin e të cilit e mbartin shumë vajza shqiptare, – ku Valbona është një nga lumejntë më të rrëmbyeshëm të Alpeve shqiptare. Pjesa lindore e tyre me 12 maja mbi 2000 m ka një natyre dhe pamje solemne dhe mitologjike duke qenë kështu atdheu i eposit shqiptar. Nëse Jezerca do te ishte mbreti i Alpeve shqiptare, atëherë është Valbona që buron pikërisht nga kjo zonë, mbretëresha e tyre. Përbërja gëlqerore e shkëmbinjeve si dhe veprimtaria gryrëse e përrenjve dhe lumenjve, krijojnë lugina mjaft të thella dhe me pamje mahnitëse. Në pjesën e gjerë të luginës se Valbones gjenden fshatrat Dragobi, Shoshan, Bujan dhe më poshtë përshkon Valbona dhe qytetin e Bajram Currit para se të derdhet në liqenin e Fierzës. Karakteristikë e kësaj zone jane pyjet e dendura me gështenja dhe me një botë të pasur shtazore.

Duke shqyrtuar karakteristikat e zonës, traditat e historitë që mbartin ato treva, festat, këngët dhe vallet me kostumet e tyre shumëngjyrëshe, përcjellim tek nxënësit jo vetëm mësimin e gërmave, shkrimin dhe leximin, por për të mos e përsëritur të gjitha fjalët – përcjellim atë që ne na bën të ndjehemi shqiptar.

*Trajtesë për Seminarin e tretë arsimor “ Arritjedhe perspektiva të mësimit të gjuhës amtare në Diasporë “ – Nju Jork, 12 shtator 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Enelja Markja, IDENTITETI, Toponimet

URIME 80 VJETORIN E LINDJES Joseph J. DioGuardi

September 20, 2020 by dgreca

Paragraf i shkëputr nga libri im “Elitat e Mohuara, Krenari Kombëtare”(fq.428-435)

   Risultati immagini per Joseph DioGuardi Me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Zotit Joseph DioGuardi i uroj jetë të gjatë, të lumtur dhe të sukseshme me familjen e tij të bukur!

Shkruan:Vilhelme Vrana Haxhiraj*-

   Bashkë me urimin, e falënderoj për gjithësa ka bërë dhe bën për kombin shqiptar! 

Me konsideratë  të lartë!

                                      Autorja

   Xhozef  DioGuardi lindi më, 20 shtator, 1940, një Elitë politike bashkëkohore. Hon.DioGuardi është një personalitet dhe individualitet i veçantë për ShBA dhe për kombin shqiptar,  për Shqipërinë dhe Kosovën. Është me karrierë politike dhe diplomatike të ndritur, Senator i Kongresit Amerikan, avokat i çështjes shqiptare.  Drejtor Financiar për çdo repart dhe çdo agjenci të qeverisë amerikane dhe aktualisht President i organizatës”Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane”     (Albanian American Civic League). Si specialist  i  zoti shquhet në këto fusha: Kontabilitet, buxhetim, mjaft i aftë në  politikat fiskale, financim, kurse fjalimi( oratoria) është cilësi kryesore e virtytit të tij. Është mbrojtës i të drejtave të njeriut…

  Joseph J. DioGuardi lindi në Nju Jork më, 20 shtator, 1940. Babai i tij kishte lindur në Kalabri, ishte arbëresh, i cili emigroi në ShBA. Vendlindja e të atit ishte Bashkia arbëreshe në provincën e Avellinos,  i vetmi katund arbëresh në Provincën e Campanjës. Gruaja e Dioguardit, Shirley Cloyes Dioguardi – Shirli Kloyes Dioguardi ka qenë konsulente e biznesit dhe bashkëpunëtore e  Lidhja  Shqiptaro-Amerikane. Familja DioGuardi jeton në Nju Jork. Kanë vetëm një vajzë  Cara DioGuardi, kompozitore dhe këngëtare.
  Joseph DioGuardi ka qenë  kongresmen në Kongresin e Shteteve Bashkuara të Amerikës. Aderon në Partinë Republikane. Shqiptarët nga të huajtë njihen si ushtarakë të zotët.  

   Sipas DioGuardit ai vjen nga një familje e ushtarëve të  Skënderbeut të cilët ndihmuan Mbretërinë e Napolit në luftën e vitit 1461. Si shumë ushtarakë të tjerë shqiptarë të kohës së Skënderbeut, edhe të parët e tij ngelën në Itali. Joseph DioGuardi i takon gjeneratës së parë amerikane, është diplomuar në vitin 1958 në shkollën Prepartory të Fordham dhe në vitin 1962 është diplomuar shkëlqyer në Universitetin Fordham. Kurse më 1971 përfundoi një studim trevjeçar për t’u bërë një AQP (Agjencia Qëndrore e Prokurimit),  është organ qëndror, person juridik funksionon e pavarur dhe është jashtë kompetencave të ministrit. AQP në bashkëpunim me organizatat buxhetore cakton kushtet, kërkesat dhe obligimet për ta shpallur tenderin, pra siç shihet asnjë procedurë apo veprim nuk merret dhe nuk kërkohet nga ministri i Financave, qeverisja qëndrore dhe vendore.

    Dioguardi ka arritur statusin e partnerit në moshën 31 vjeç, pasi ka punuar 22 vjet me kompaninë. Ai, si specialist në taksat federale e shtetërore, kishte përgjegjësi të madhe për organizatat jofitimprurëse. Në nëntor 1984, ai u zgjodh në Kongresin Amerikan. U rizgjodh në vitin 1986, duke qenë kështu anëtar i Kongresit në periudhën 1985-1989. Paraardhësi i DioGuardit ishte Richard Ottinger dhe pasardhës i tij ishte Nita Lowey. 

     Joseph DioGuardi, është politikan amerikan me origjinë arbëresheshqiptare. Anëtar i Dhomës së përfaqësuesve – Nju Jork, distrikti nr.20, mandat që e mbajti nga 3 janari vitit 1985, – 3 janar, të vitit 1989. Më 1986, së bashku me Kongresmenin Demokrat Mickey Leland, DioGuardi inicioi legjislacionin për t’i dhënë Medaljen e Nderit heronjve ushtarakë zezakë të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, gjë që u ishte mohuar për arsye raciale. DioGuardi është avokat i çështjes shqiptare. Pasi la Kongresin, në vitin 1989,  Ai ka bërë të paktën 20 vizita në  Shqipëri, Kosovë dhe  Maqedoni, pra në tojt etnike shqiptare. Si president i organizatës  “Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane”  (Albanian American Civic League), Ai dhe Kongresmeni Tom Lantosh në maj 1990 bënë një vizitë historike në Kosovë dhe në Shqipërinë që akoma nuk kishte dalë nga komunizmi. Gjatë takimit me presidentin e atëhershëm Ramiz Alia, i cili i dorëzoi Tom Lantosh-it një dosje të trashë me dokumente që vërtetojnë se shqiptarët shpëtuan qindra hebrenjë gjatë luftës së Dytë Botërore. Tom Lantosh, me origjinë hebraike dhe DioGuardi me origjinë arbëreshe, i dërguan dokumentet në Izrael, ku u çertifikua vërtetësia e tyre. Dhjetëra shqiptarë kanë marrë titullin Righteous Among the Nations (të drejtat e kombeve) nga shteti Izraelit që u jepet atyre që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fal këtyre dokumenteve faktik për shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë është realizuar nga Norman Gershman një film dokumentar. Në gusht, të vitit 1990, DioGuardi ishte iniciatori i vizitës së Bob Doll (Bob Dole), (kandidat për President i SHBA në 1996) dhe gjashtë senatorëve të tjerë të senatit të ShBA në Kosovë. Në qershor  1997, DioGuardi kryesoi një delegacion për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Me kërkesë të Kongresmenit Dana Rohrabacher, në gusht 1998, Joseph  DioGuardi udhëtoi në viset veriore të Shqipërisë për të vlerësuar krizën humanitare, si rezultat i luftës në Kosovë.. DioGuardi, më 1979,  është vlerësuar me Urdhrin “Kalorës i Urdhrit të Maltës”  Joseph J. DioGuardi pas mbarimit të mandatit, ishte dhe vazhdon të jetë president i “Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane”. Karriera politike e Dio Guardit është e ngjeshur: Në nëntor të vitit 1984, DioGuardi u zgjodh në Kongres, i pari i regjistruar në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve. Ka qenë senator (Qarku 20 i Kongresit të Nju Jorkut, Dhoma e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara (në 3 janar 1985 – janar 1989), 4 vjet e 1 muaj. Joseph DioGuardi, mbërriti në Capitol Hill në vitin 1985, me axhendën e tij të deklaruar personalisht: për Revel( ahengjet apo festat); për të rregulluar praktikat mashtruese financiare të Kongresit; për të rivendosur përgjegjësinë fiskale dhe përgjegjësinë publike ndaj taksapaguesve. Karriera kongresuale e Joseph DioGuardit: Në Kongres, DioGuardi ka pasur detyrën e Drejtorit financiar, i cili ka qenë i ngarkuar me shumë detyra të një CFO (Chief Financial Officer.) Drejtor Financiar për çdo repart dhe çdo agjenci të qeverisë amerikane. Meqë DioGuardi, ishte i vetëm në zyrën e tij për dy vjet radhë, për ta lehtësuar disi atë, çështjen e kaluan në Kongres me aprovimi dhe nënshkrimin nga presidenti Xhorxh H. W. Bush, në vitin 1990. Në vitin 1986, me anëtarin e Kongresit Demokratik Michael Leland, DioGuardi projektoi një legjislacion për të dhënë Medaljen e Nderit, shoqëruar me shpërblim monetar për forcat Militare pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore. Pas legjislacionit si Kongresmen në vitin 1989, DioGuardi themeloi një fondacion të quajtur “Verità al Governo”(E vërteta për qeverinë), i cili mbrojti reformat e taksave dhe ato federale. Në të njëjtin vit bashkë me anëtarin e kongresit Tom Lantosh, bëri një vizitë në Shqipëri, duke i dhënë vendit tonë ndihmën e tij kundër komunizmit,që ndërkohë ishte në grahmën e fundit. Në gusht 1990, Dioguardi dhe Bob Dole, pasi përshkuan disa shtete amerikane, më pas e vazhduan udhëtimin për të vizituar disa qytete shqiptare në Kosovë. Në shtator të vitit 1996, u kthye sërish në Shqipëri, së bashku me Ben Gilman, u takua me presidentin shqiptar Sali Berisha për të diskutuar mbi sigurinë dhe të drejtat e qytetarëve grekë të Shqipërisë së Jugut. Në qershor, të vitit 1997, Dioguardi ngriti një delegacion për të shqyrtuar zgjedhjet kombëtare në Shqipëri dhe në muajin gusht, të vitit, 1998 u rikthye përsëri në vendin tonë për të vlerësuar krizën humanitare të shkaktuar nga lufta në Kosovë, me kërkesën e anëtarit të Kongresit Dana Rohrabacher. DioGuardi shërbeu për 22 vjet, nga të cilët 12 vjet si partner me Arthur Andersen LLP (Limited liability partnership (Partneritet me përgjegjësi të kufizuar), i cili ishte vetëm 22 vjeç (1962 – 1984). DioGuardi ishte një nga avokatët e parë publikë të politikës fiskale qeveritare. Në janar 1985, ai solli përvojën e tij të gjerë profesionale dhe vullnetare në Kongres. Ai u bë i pari CPA (Cassa Previdenza Avvocati – Avokat i Parashikimit të çështjeve), pra u zgjodh në krye të dhomës së avokatëve për parashikimin e çështjeve të ndryshme. Detyra e tij ishte një praktikë e vështirë, por me vlerë për të shërbyer në Shtëpinë e Përfaqësuesve të SHBA. DioGuardi mori rolin udhëheqës në thirrjen për të vërtetën në buxhetimin, kontabilitetin dhe raportimin federal dhe në sjelljen e llogaridhënies financiare në Kapitol Hill. Si President për organizatën “E Vërteta në Qeveri”, 1989, – qëndroi 29 vjet. E vërteta në qeverinë e inkorporuar është një organizatë jofitimprurëse që informon qytetarët për nevojën e transparencës dhe praktikave të përmirësuara në buxhetimin dhe shpenzimet në Kongres. 

     Vo:www. truthingovernment.org. Pas mandatit të Kongresit në vitin 1989, DioGuardi krijoi disa organizata jo partiake, duke përfshirë edhe organizatën “E Vërteta në Qeveri”. DioGuardi, është folës(oratori) kryesor i vendit, pasi ka folur në konferencën e Shoqatës për Kontabilistë të Qeverisë në NY, Shoqata Amerikane e Kontabilitetit dhe Instituti i Kontabilistëve të Menaxhimit në Uashington. Joseph DioGuardi gjithashtu është një aktivist i komunitetit dhe i të drejtave të njeriut që formon Ligat Qytetare Amerikane Amerikane, Fondacionin Shqiptar dhe Komitetin Amerikan të Çështjeve Amerikane. Është specialist në këto fusha: Kontabilitet, buxhet, mjaft i aftë në politikat fiskale, financim, kurse fjalimi( oratoria), është cilësi virtyti kryesor i tij. Senatori DioGuardi dhe çështja kombëtare në trojet arbërore, veçanërisht në Kosovë e Maqedoni. Nëse Abdyl Frashhëri ishte një shqiptar me mision kombëtar, DioGuardi pas një shekulli, është një misionar i çështjes kombëtare shqiptare në kohë moderne. 

vo: TV. Iliria, 27.1.2015 “Joseph DioGuardi,misionar i shqiptarisë”, 432 PB Artur Vrekaj, Voal-Zvicër: “Për shqiptarët e Amerikës DioGuardi ngjason me Abdyl Frashërin.” -shprehet autori Vrekaj me të drejtë,pasi për analogji, them: “Rrënjët e Lidhjes së Prizrenit u mbollën në Janinë nga Abdyl Frashëri dhe hodhën shtat në Prizren. Kurse tani, Pavarësia e Kosovës, rrënjët i mbolli Senatori J.DioGuardi në ShBA dhe shtati i lirisë u rrit në Kosovë.” 

      Shqiptarët, kudo që kanë shkuar, anekënd botës, i ka tërhequr aroma e tokës mëmë dhe gjaku i të parëve pallazgo-iliro-arbër. Pikërisht rrënjët e kombit më të lashtë në botë ngjallën interesin e Joseph DioGuardit. Për cilindo Ai është  një misonar i vërtetë i shqiptarisë në Amerikë. Nga viti1986, deri tani, ai jeton mes trevave shqiptare të Ballkanit dhe Amerikës. Për të mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare, DioGuardi ka shkuar: në Beograd, Stamboll, Australi, Londër, Paris, Luxembourg, Vienë, Prishtinë, Ulqin, Bajram Curri, Tiranë, Tetovë, Toronto e gjetkë. Kur fitoi mandatin e kongresmenit,  është çuditur, sepse nga 535 anëtarë të Kongresit, vetëm 12 prej tyre dinin diçka për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe nuk dinin se shumica e banorëve të kësaj treve ishin autokton shqiptarë. Këtë fakt tronditës ai e dëshmon me shqetësim në një intervistë të vitit 2000 te gaz. “Zëri”.

    Vo: A.Vrekaj:  1-Me DioGuardin anëtar të Kongresit Amerikan fillon një etapë e re e historisë së shqiptarëve të Amerikës për të sensibilizuar qeverinë dhe legjislativin amerikan për të prezantuar, përfaqësuar e ndihmuar në zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan.”

   2. Aktiviteti i ngjeshur, i pandërprerë diplomatik, politik dhe humanitar prej Atdhetari e Shqiptari të madh, DioGuardi, krijoi ura miqësie mes kombit shqiptar me atij amerikan. Përkrahja e shqiptarëve në Amerikë, sidomos roli i veçantë në Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, i përket humanizmit të Joseph DioGuardit. Për këtë arsye lobi shqiptar i New Yorkut e përkrahu në elektoratë dhe Dioguardi u rizgjodh Senator për të dytën herë në nëtor,1986. DioGuardi në mandatin e dytë si kongresmen, i dha përparësi të madhe çështjes së Kosovës, se nxiti median amerikane dhe fitoi mbështetje në Kongres e Senat për të dalë e vërteta e shqiptarëve në shesh

 3. Cilido mund të pyes : -Pse?! Le të shohim ç’ka bërë DioGuardi: vo: Admin: 27.01.2015: “Joseph DioGuardi-Misionar i Shqiptarisë! –Qershor, 1986: i paraqiti Kongresit Amerikan rezolutën për mbrojtjen e të drejtave njerëzore të shqiptarëve në Jugosllavi. -Pas një dite, Senatori Bob Dole, prezantoi në Senatin Amerikan rezolutën me të njëjtën Ngritja e çështjes shqiptare në ShBA,ishte një Rilindje e Dytë për shqiptarët e Amerikës. –Qershor, 1987 me 57 Kongresmenë Ai prezantoi Rezolutën(162) me kërkesa më të detajuara për drejtësinë e shqiptarëve në Kosovë. Të njëjtat kërkesa bëri dhe Senatori Bob Dole. -1987, ardhja e Millosheviçit në fuqi, rriti më tepër luftën e mbështetësve të serbëve në Uashington, në Departamentin e shtetit, në Kongres e Senat. Kjo nxiti kunder DioGuardit ish-qeveritarë, Senatorë dhe Kongresmenë, të paguar nga serbë, grekë dhe rusë që mbronin interesat serbe kundër çështjes shqiptare në Kosovë. Milosheviç i quante shqiptarët armiqte e Jugosllavisë –Nëntor 1989, Dioguradi takon Millosheviçin në Beograd ku i kërkon Liri për Kosovën me një letër të firmosur nga 13 senatorë amerikanë. -Intervistoi para Grand Hotel, Prishtinë para tankeve e ushtrise serbe, konfirmoi faktin konkret të pakundërshtueshëm të militaritzmit serb në Kosovë. –Shkurt 1990, DioGuardi dhe Lantosh në Kosovë. Më 1990– Ai solli në Beograd përfaqësinë e Komisionit të të drejtave të Njeriut të Kongresit Amerikan për represionin serb karshi shqiptareve të Kosovës. –Prill 1990, ai mbështet delegacionin e parë nga Kosova për në Amerikë, për të folur në një séancë dëgjimore kundër pushtimit serb të Kosovës, si akt Historik për Kongresin Amerikan. –Shkurt 1991 DioGuradi bën publike kërkesën për Pavaresinë e Kosovës në Senatin Amerikan, ku Millosheviçin e quajti (Hitleri i Ri dhe Sadam i Serbisë… –Janar 1992, Lantos paraqet rezolutën(264) ku kërkohet Njohja e Pavarësisë së Kosovës.   –Shtator 1993, në krye të delegacionit të Kongresit Amerikan shkon në Shqipëri e Maqedoni për të treguar mbështetjen amerikane për anëtarësimin e tyre në NATO. -Nëntor 1993, Tiranë (Konferenca e parë ndërkombëtare për Investime në Shqipëri), ai thekson se potenciali i shqiptarëve nuk janë vetëm resurset natyrore, por milionat e shqiptarëve të Diasporës në botë. -Shkurt 1994, prezanton Rugovën e Bukoshin te presidenti Clinton, për ta bërë të njohur gjendjen e Kosoves nën sundimin serb. –Prill 1994, udhëheq një protestë paqësore para Selisë se Kombeve të Bashkuara ku bën kërkese për dërgimin e trupave amerikane në Kosovë.  -Maj 1994,kongresmeni Gilman paraqet rezolutën(251), për të pyetur presidentin Clinton për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe mundesinë e një bashkëpunimi nd/kombëtar me Këshillin e Sigurimit të OKB dhe BE. –Shkurt 1995, shkon me Shirley Cloyes (gruaja e tij, njëkohësh misionare e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane për problemin e shqiptarëve të Ballkanit).Në Maqedoni ndihmon për hapjen e Univ.të Tetovës si dhe udhëheq protestën ndaj dhunës qeveritare maqedone deri në mbyllje të këtij institucioni të dijes dhe shkencës. –Gusht 1995, me Kongresmanin Gilman vjen në Shqiperi në një vizitë zyrtare në kabinetin qeveritar te Berishës per sigurinë në Ballkan, për Sh.B.A dhe për Shqipërinë. –Janar 1996, Kongresi Amerikan nëpërmjet Gilman prezanton rezoluten (103) që garanton të drejtat e shqiptarëve te Maqedonisë dhe njohjen zyrtare te Universitetit te Tetovës.  –Tetor 1997 Lidhja qytetare shpërndan 10 mijë kopje të një broshure që bënte fjalë për shpëtimin e popullit hebre nga shqiptarët dhe Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore. –Shkurt 1998, me deklaratën,“në mbrojtje të Çështjes Kombëtare Shqiptare mbështet Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”. –Mars 1998, i shpjegon Kongresit Amerikan se UÇK nuk është organizatë terroriste –Mars 1999, Cloyes DioGuardi dëshmon para Kongresit mbështetjen e ndërhyrjes së trupave amerikane në Kosovë. –Gusht 1999, Dioguradi viziton Kosovën e lirë dhe raporton Kongresin Amerikan për gjendjen e pasluftës në Kosovë. –Shkurt 2002, Millosheviçi nga Tribunali i Hagës sulmon Lidhjen Qytetare dhe DioGuardin për mbështetjen që i jep “terrorizmit shqiptar dhe separatizmit” në Kosovë. –Qershor 2003, nëpërmjet Gilman e Lantos, u paraqit rezoluta (467) në Kongresin amerikan në mbështetje të Pavarësisë se Kosovës në ndihmë të statusit final. –Janar 2004, DioGuardi ndikues i riprezantimit të rezolutës (28) që mbështet Pavarësinë e Kosovës në Kongres. -Shkurt 2007,po me këtë përmbajtje Lantos referoi se, “Çështja shqiptare ende e pazgjidhur”. –Korrik 2008, DioGuardi në një Konferencë me Inteligjencën, në Uashington, nënvizon se Sh.B.A-s duhet të sigurojnë kontrollin e plotë te territorit të Kosoves dhe parandalimin e ndarjes në veri të saj.  

   Është fat i madh që kemi përkrahjen e Joseph DioGuardit, një personalitet me gene shqiptar, i cili me vullnet e bëri çështjen kombëtare shqiptare më të dëgjuarën në Amerikë e në botë dhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro Amerikane një organizatë të Pavarur, me vlera kombëtare në të mirën e shqiptarisë. Me të drejtë ne krenohemi për një potencial intelektual dhe një individualitet të tillë diplomatik e politik me përmasa botërore.

Filed Under: Featured Tagged With: 80 vjet, Joe DioGuardi, Vilhelme Vrana Haxhiraj

Presidenti Trump gjatë tubimit zgjedhor: Po i ndalim vrasjet masive midis Kosovës dhe Serbisë

September 20, 2020 by dgreca

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar gjatë një tubimi zgjedhor në Karolinën Veriore se administrata e tij është duke i ndalur “vrasjet në masë” midis Kosovës dhe Serbisë.

“Po i ndalim vrasjet masive mes Kosovës dhe Serbisë. Ata janë duke u vrarë mes vete për aq shumë vjet”, ka thënë ai para turmës që e brohoriste.

“’Ndalni vrasjet’, iu thashë. ‘Miq të bëhemi së bashku”, ka thënë Trumpi teksa në fjalimin gati dyorësh në Karolinë Veriore ka kritikuar vazhdimisht administratat e mëparshme për mënyrën se si e kanë drejtuar politikën e jashtme.

“E dini, këtë e kanë bërë për qindra vjet, sinqerisht, nën emra të ndryshëm”, ka thënë ai, teksa i është referuar nominimit të tij për Nobel të Paqes.

Pjesa e xhirimit ku ai flet për Kosovën ndërkohë është shpërndarë në rrjetet sociale.

President Trump: “We are stopping MASS KILLINGS between Kosovo and Serbia. They have been killing each other for so many [years].” “Stop Killing’, I said ‘fellas, let’s get together.” “You know, they’ve been doing it for hundreds of years frankly under different names,”

Filed Under: Opinion Tagged With: Kosove-Serbi, President Trump

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT