• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2020

Fuqizim i kapaciteteve diplomatike të Kosovës

October 22, 2020 by dgreca

-Konsultime përmbajtësore me lidershipin e Institutit të Shërbimit të Jashtëm të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi reformat funksionale në MPJD dhe fuqizimin e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës/
PRISHTINË, 22 Tetor 2020-Gazeta DIELLI/ Me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës ka realizuar një takim konsultativ shumë përmbajtësor me lidershipin e Foreign Service Institute (FSI) – Instituti i Shërbimit të Jashtëm në kuadër të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, bëri të ditur se me Institutin e Shërbimit të Jashtëm, që funksionon në kuadër të Departamentit Amerikan të Shtetit, është diskutuar për shumë tema, dhe në veçanti për reformat funksionale brenda MPJD-së dhe fuqizimin e kapaciteteve diplomatike në kuadër të shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës.“Në këtë shkëmbim mbi praktikat dhe proceset bashkëkohore diplomatike, ngrita çështje që lidhen me synimet tona institucionale për reforma. Drejtues dhe ekspertë të FSI-së, ndanë me ne këndvështrimet e tyre, të mbështetura mbi mënyrën se si ofrohen shërbime të investimit në kapacitete profesionale diplomatike, të qëndrushme dhe institucionale në SHBA”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla.Duke e vlerësuar këtë takim konsultativ si shumë të rëndësishëm, Kryediplomatja e Kosovës tha se është thellësisht mirënjohëse ndaj Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mundësuan realizimin e tij.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosove, Ministrja e Jashtme

Vajzat me kordele rozë, mesazhe per kancerin e gjirit

October 22, 2020 by dgreca

Rivalët e përjetshëm Partizani dhe Tirana bashkohen dhe japin mesazhin për luftën kundër kancerit të gjirit.-

Përgatiti: Alban Kolonjari-

Një kontroll sot, shmang një rrezik nesër. Në kuadër të Ditës Kombëtare të Diagnostikimit të Kancerit të Gjirit, nën iniciativën e FSHF, dy skuadrat e femrave të Partizanit dhe Tiranës zhvilluan një ndeshje miqësore që kishte për qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe sidomos grave shqiptare mbi rrezikun e kancerit të gjirit. Trajneria e ekipit të Partizanit, në fjalën e saj, theksoi: “Është shumë e rëndësishme që të gjitha ne femrat që jemi duke u marrë me sport dhe me futboll, të bëjmë një thirrje dhe një ftesë për të gjithë nënat, mamatë, femrat. Të luftojmë me kohën dhe të parandalojmë të gjitha problemet që mund të kemi nesër. Është shumë i rëndësishëm parandalimi sesa mjekimi”. Futbollistja e Partizanit Bleona Koka, u shpreh: “Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit për të gjitha gratë dhe vajzat. Një kontroll sot, shmang një rrezik nesër”. Kapitenia e ekipit të Partizanit u shpreh se “Shoqëria ka nevojë për ne. Duhet ta nisim nga vetja dhe duhet t’u themi mikeshave tona, motrave, kushërirave dhe mbi të gjitha, nënave tona, që i kemi aq të shtrenjta, se një vizitë te mjeku për një mamografi për të parandaluar kancerin e gjirit është e domosdoshme që e nesërmja jonë të jetë e qeshur dhe e ardhmja jonë të jetë më e shëndetshme se sot. Jo vetëm tetori rozë, por të gjithë muajt duhet të jenë rozë”.Kapitenia e ekipit të Tiranës theksoi se “Shëndeti për çdo vajzë, grua dhe nënë është i rëndësishëm për një shoqëri të shëndetshme. I ftoj të gjitha nënat, vajzat, motrat që të bëjnë diagnostikimin e parakohshëm për të parandaluar këtë sëmundje”. Ndeshja simbolike që u luajt në ambientet e Kompleksit “Fari” dhe zgjati 30 minuta përfundoi me fitoren e ekipit të Tiranës 3-0. 

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Vajzat me Kordele

SI KA NDRYSHUAR RAPORTI I NJERIUT ME ZOTIN NË KUSHTE PANDEMIE GLOBALE

October 22, 2020 by dgreca

IMAM DR. TAHIR KUKAJ: SI KA NDRYSHUAR RAPORTI I NJERIUT ME ZOTIN NË KUSHTE PANDEMIE GLOBALE

Imam Dr. Tahir Kukaj, Këshilltar për Çështjet Fetare i Kryetarit të Bashkisë së New Yorkut Bill DeBlasio, NYPD Chaplain dhe Zv. President i Qëndrës Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island New York, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ndryshimet e jashtëzakonshme që ka pësuar shoqëria njerëzore dhe besimtarët në vëçanti pas prekjes nga Covid-19. Një raport i ri i njeriut me Zotin, teknologjia dhe religjioni, si motivohen besimtarët për të mos humbur besimin e shpresën? Çfarë do të thotë të jetosh në një botë të pasigurtë? Roli i prijësve fetarë. Me Imam Dr. Tahir Kukaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SI KA NDRYSHUAR BOTA, PSIKOLOGJIA E BESIMTARËVE PARA DHE PAS PREKJES NGA COVID 

Bota ka ndryshuar shumë pothuajse në të gjitha aspektet, me këtë ndryshim është krijuar edhe një huti e madhe. Në këtë kaos mund të them kan ra shumë imazhe në të cilat njerëzit kishin besim. Dashuria për njeriun, vlerat njerezore, qyteterimi u testue në një shkallë të ndjeshme. Gjendja e besimtareve ishte e rëndë sikur edhe gjendja e  gjithë të tjerëve, edhe pse aspekti shpirtëror ishte më i qëndrueshëm, ishte një burim forcë dhe stabiliteti. Në fakt krizat dhe gjendja e rëndë e dallon besimtarin nga të tjerët. Besimtarët nuk kan humbur besimin në Krijuesin e gjithësisë, në këtë krizë besimtarët shohin edhe mëshirën e Zotit, duke përdorë forcën e besimit për ti dal në ndihmë atyre që kanë nevojë. Faltoret: Kishat, Xhamiat, Sinagogat ishin të parët që organizuan ndihma humanitare, Imamët, Priftërinjtë e klergjitë tjerë ishin në radhën e first responders – aktivistëve të parë. Falë bujarisë së besimtarëve, skamnorët e të varfërit kanë gjetur strehë dhe ushqime si dhe shërbime medicionale. Kjo krizë ishte një rast që besimtarët ti tregojnë botës se humanizmi është rruga e shpëtimit, besimi në Zot është fuqia dhe urtësia me të cilën do ta kalojmë këtë krizë.

NJERIU, BESIMI, MOSBESIMI, DASHURIA

Njeriu në kriza e gjendje të rëndë është përherë më i ndjeshëm dhe aktiv. Me siguri se distanca gjeografike nga njeri-tjetri ka pasur edhe ndikimin e vet psikologjik. Është e vërtetë se në shumë raste kemi edhe largim dhe izolim në mes njerëzve, edhe pse kjo nuk është e shëndoshë në aspekin mental, megjithatë kjo krizë ka ofruar grupe të njerëzve edhe më shumë, këtu e kam fjalën për besimtarët e të gjitha besimeve pa dallim. Besimtari ndjen përgjegjësi morale dhe shpirtërore të jetë optimist dhe konstruktiv. Njerëzit në kriza janë më besimtarë, kërkojnë qetësi dhe prehje, fatkeqësisht, njerëzit kur është koha e qetësisë e jetës normale, harrojnë Zotin, harrojnë se situata ndryshon, duhet të jemi mirënjohës ndaj Krijuesit për mirësitë e Tij të pa numerta. 

VDEKJE, DHUNË, LUFTËRA, EPIDEMI, KU ËSHTË ZOTI? NGJARJE NATYRORE APO NDËSHKIM I ZOTIT MBI BOTËN MËKATARE?

Kjo pyetje është shumë me vend, aq sa është edhe e vjeter. Vëlla i dashur, njeriu është krijese autoritative në këtë planet, çdo gjë i shërben atij, kështu Zoti e ka krijue këtë sistem, ashtu e ka pajis njeriun me aftësi dhe talent që të jetë i aftë dhe dominant në botën ku jetojmë. Këtë aftësi të tij, jo rallë njeiu e ka përdore dhe e përdorë në mënyrë të gabuar dhe nganjëherë tejet të dëmshme. Kështu kur krijojmë kaosin e tragjedinë, kërkojmë ta fajësojmë dikënd tjetër, kështu në këtë rast ata që nuk besojnë në Zot, thua se e gjejnë momentin të shfryjnë mllefin e mosbesimt të tyre ndaj Zotit dhe besimtareve, thua se Zoti duhet të jetë shërbetorë i marrive dhe mëkateve të njerëzve. Por, nëse e shohim këtë aspekt nga këndi i besimtarit, e shohim prezencën e Zoti përherë, e në mënyrë të veçantë në raste të krizave. Zoti është aty ku njeriu sakrifikon pasurinë e tij për të ushqyer  skamnoret, Zoti është aty kur njeriu i del në krah atij që është i shtypur, Zoti është aty pranë babës e nënës që kujdesen për ti rritur fëmijët me edukatë dhe moral që të mos përfundojnë me droga apo në rrugë të ligë ku është shkatërrimi i tyre. Ai që nuk ka sy të shohë dritën e Zotit në shërbim të krijesave të Tij, ai njeri asnjëherë nuk do e ndjejë prezencën e Zotit.

Zoti na mëson se njeriu në këtë botë sprovohet në shumë aspekte, me shëndet, sëmundje, vështirësi ekonomike dhe me pasuri, me liri dhe burg e po ashtu edhe me fatkeqësi natyrore. Zoti nuk na ndëshkon, Zoti është i Mëshirëshëm, këtu ne vuajmë rezultatin e veprimeve tona si njerëz. Kur thashë më herët se humanizmi është testuar rëndë, e kemi vërejtur qartë se si vendet e mëdha dhe të zhvilluara, janë tregu shumë të ngadalshëm e të mos them ma keq ndaj vendeve të varfra, sa është ndihma ndaj vendeve dhe popujve që vuajnë për bukë goje a po për ndonjë penicilin e gjera esenciale për jetë. Investimet marramëndëse në armatim dhe shkatërrim, sikur një përqindje e vogël e kësaj gare për armatim të përdorej për mirë qenien njerëzore, me siguri se jeta do ishte shumë më vlefshme. Planifikohet se si të shumëfishon bilionat e trilionat për ata që nuk kanë nevojë për to, por nuk planifikohet se si të luftohet varferia, urrjetja, sëmundja, dhe në fund, fajësohet Zoti?

TË MOTIVOSH BESIMTARËT NË KOHË TË VËSHTIRA PANDEMIE GLOBALE

Prijësit fetarë, si Imamet, Priftërinjtë apo Rabinët, janë shembull për besimtarët, duhet të gjejnë forcë dhe guxim të jenë në vijën e parë të frontit. Feja na mëson se Zoti është në kontroll mbi çdo gjë. Ne gjejmë mbështetje dhe përkrahje në Zotin. Mëshira e tij është e pafund. Bëjmë thirrje përherë te besimtarët, besoni në Zotin tuej Krijues, përpiqu ta ndihmosh njeriun, vëllaun-motrën tuej njeri pa dallim. Ajo që i ka ndodhur sot dikuj nesër mund të të ndodhë ty, andaj bëhu dorë ndihme, thuej fjalë optimizmi, ndriço mëndjen e njerëzve me udhëzime të shenjta.  Besimtarët gjatë gjithë historisë njerëzore kanë lanë gjurmë të heroizmit dhe urtësisë që ne si njerëz mund të mësojmë nga ta për të ndryshuar gjëndjen në dobi të njeriut.

PANDEMIA-RELIGJIONI-TEKNOLOGJIA-BESIMTARËT

Teknologjia është vënë në shërbim të njeriut në shumë aspekte, kjo është si rezultat i mëndjeve të ndriçuara, kështu është kur përdoret dhuntia e Zotit për mirësi e progres. Lutjet fetare të organizuara  në aspekt virtual ka lehtësuar gjëndjen shumë, pastaj takimet e konsultimet përmes rrjetit -internetit- ka ndihmue të lehtësohet jeta e njerëzve shumë. A nuk e shohin njerëzit mëshirën e Zotit në këtë mirësi- invencion-. Pse nuk e shohin Zotin këtu pikërisht. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE BESIMTARËT KUDO NË BOTË

Lexuesve të Diellit, ju përshëndes nga zemra, ju uroj jetë dhe shëndet, keni kujdes mirëqënien e familjes,  edukoni fëmijët në frymë besimi në Zot, duajeni dhe vlerësoni lart kombin në të cilin Zoti ju krijojë. Ruani traditat shekullore të shqiptarëve në aspektin e vëllazërisë së gjakut dhe besimit. Besimi nuk është arsye ndarje por arsye bashkimi.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Imam tahir Kukaj, Kushte Pandemie, Raporti me Zotin

Shfletim- ”I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire”

October 22, 2020 by dgreca

Shkruan: Lekë Mrijaj-Në këtë libër, bashkautorët Nikollë Loka dhe Nikolin Kurti si askund tjetër më mirë, japin fakte studimore për dom Shtjefën Kurtin, i cili ishte prift katolik shqiptar, atdhetar, dashamir i Zotit dhe i popullit të Tij dhe me në fund nga klika komuniste mesjetare enveriane u martirizua për Fe e Atdhe apo nën moton: “Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnia”. Vlen tē potencohët se tashmē I Lumi Dom Shtjefën  Kurti u lind në Ferizaj të Kosovës, më 25 dhjetor të vitit 1898. U shugurua meshtar në Romë më 13 maj 1921. Erdhi në Shqipëri më 6 janar 1930, bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun. U arrestua në Tiranë më 28 tetor 1946. Dom Shtjefën Kurti si një Prift dhe tashme disa vite nga Selia e Shënjt-Vatikani, është I Lumnuar i Kishës Katolike. I arrestuar me 1946 për shkak të dergimit të një letre Papes, i cili e informoi atë për persekutimin e Kishes në Shqipëri. Dënimi me vdekje i tij u ndryshua me vonë në 20 vjet burgim. Me 1963 ai është liruar nga dhënia e amnistisë. U arrestua serish me 1967 për shkak se rezistoi deri ne fund të sekularizimit të një ndertese të Kishës katolike dhe u dënua pastaj me punë të detyrueshme. U ri/arrestua prapë me 1970 nën arsyetimin se fshetas kishte pagëzue një fëmijë me ritet e katolicizmit. Ai u denua me vdekje dhe u ekzekutua nga nje skuader speciale pushkatimi me 20 nentor 1971.  Libri është botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2018. Pikërisht në këtë monografi studiohen dhe hulumtohën zhanret të ndryshme tē jetës së dom Shtjefën Kurtit si dhe veprimtaria e tij jetësore, misionare, kombëtare e gjithëperfshirëse. Thënë më gjerësisht, ky libër mund të konsiderohet si një nder asetët me vlerë të çmueshme në sfondin e shkencës, kulturës, sepse mbi të gjitha është një libër që ka një qasje tejët objektive dhe realiste i cili është i pasuruar me burime të shumta të fusnotave, të cilat i japin nuanca të një kameleoni vetë këtij libri shkencor. 

Bashkautori i dytë Nikolin Kurti, (nipi i klerikut të persekutuar dhe disidentit) që në fillim të librit potencon se ky libër është shkruar me rastin e 120 vjetorit të lindjes me këto fjalë: “I dashur axha Shtjefën, të vranë dhe të zhdukën për mos me tregue, por rrojtëm ne, që të kujtojmë e tregojmë për ty. Nuk vajtojmë se të kemi humbur, por jemi krenar që të kemi të tillë. I lumi Dom Shtjefën lutu për ne. I yti me dashuri dhe përkushtim Nikolin Kurti, data 6 dhjetor 2018”. 

Paraprakisht në parathënie të librit ”I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire” me një fjalë hyrëse tejët koncize paraqitet Shkelqësija e Tij, mons. George Frendo O.P. Arqipeshkëv i Metropolit i Tiranë – Durrësit, i cili veq tjerash potencon duke thënë se është mjaft i njohur qëndrimi i Enver Hoxhës për besimet, për çdo besim. Por ai tregonte një urrejtje të veçantë për Kishën Katolike. Kjo duket shumë qartë në një fjalim të Enverit, në të cilin, pasi mburret për suksesin e tij në luftën kundër besimeve, përshkruan rezistencën e madhe që ka hasur nga ana e Kishës Katolike. Autorët e këtij libri siq thotë Mons. George Frendo O.P., nuk u kufizuan vetëm me historian e Dom Shtjefnit, por, me shumë hollësi, që do të thotë se i përshkruajnë shumë mirë rrethanat në të cilat ka jetuar dhe vepruar Dom Shtjefni. Për shembull, kur flasim për emërimin e tij si famullitar i Ferizajt, pikërisht caktimi i tij si sekretar i Kryeipeshkëvisë së Shkupit, japin një përshkrim të detajuar të historisë dhe gjendjes së këtyre qyteteve. Kjo e bën më interesant leximin e këtij libri. Ndërsa në vazhdim mons. George Frendo O.P., tha se libri përshkruan shumë mirë jetën shpirtërore të Dom Shtjefnit, zellin e tij baritor për ta drejtuar popullin drejt Krishtit dhe Kishës, aftësinë e tij si predikues, dashurinë e tij për popullin shqiptar të shpërndarë në Shqipëri, Kosovë dhe Shkup – dhe kjo tërhiqte vëmendjen e autoriteteve serbe. Në fakt, para se të bëhej viktimë e komunizmit të Enver Hoxhës, Dom Shtjefni ishte edhe objektiv i urrejtjes së serbëve kundër shqiptarëve në Kosovë. Libri bëhet ende më interesant kur flet për rolin e Dom Shtjefnit gjatë pushtimit fashist, luftës së dytë botërore dhe veçanërisht në periudhën e regjimit komunist. Autorët përshkruajnë shumë mirë fillimin dhe zhvillimin e persekutimit të kishës Katolike gjatë regjimit shumë mizor të Enver Hoxhës. Dom Shtjefni ka treguar një kurajo të jashtëzakonshme, duke mbrojtur dhe ndihmuar katolikët e burgosur. Sigurisht ju do të mbeteni të habitur duke lexuar se sa është përpjekur t’i mbrojë klerikët dhe murgeshat, viktima të sistemit ç’njerëzor dhe ateist. U dënua me njëzet vjet burg, por u lirua pas gjashtëmbëdhjetë viteve dhe gjashtë muaj, më 2 maj 1963, dhe u vendos në Gurëz. Shumë, janë faqet që flasin për muajt e fundit të jetës së tij nga arrestimi i dytë, më 11 qershor 1970 deri në vdekjen e tij më 29 shtator 1971, tha në fund të parathënies Shkelqësia e Tij, Mons. George Frendo O.P. Arqipeshkëv i Metropolit Tiranë – Durrës.  Në vazhdim të librit, është konceptuar edhe një poezi apo një krijim poetik, kushtuar Dom Shtjefën Kurtit “O i lumnumi Dom Shtjefni” një poezi e shkruar nga poetja, Valbona Jakova, poete dhe përkthyese e njohur, fituese e dhjetra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, jeton në Itali. 

Nga bashkautorët e këtij libri jepen të dhëna, prova e sqarime faktike e hulumtuese rreth prejardhjes dhe vendbanimeve ku banoi familja Kurti si dhe prejardhja e kësaj familje gjë qe argumentohet shumë mirë edhe nga Edith Durham, e cila veq tjerash argumenton dhe përmend se në vitin 1908 rreth 60 fshatra katolikë në rrethinat e Gjakovës dhe vëren se ata kishin pak kisha dhe mungesë të priftërinjve. Tre priftërinj dhe një frat nga Gjakova shkonin përmes rreziqeve të mëdha nga një fshat në tjetrin, duke bërë më të mirën për tu shërbyer njerëzve. Njëra ndër familjet që u largua nga Mirdita, e qe e ruajti kujtimin e prejardhjes së saj nga ai vend është dhe familja Kurti me të dy degët Kurti dhe Jakova. Në vitin 1883, konsulli austro-hungarez në Prizren, ndër krerët mirditas që i kishin dërguar atij një peticion, përmend edhe Bek Kurtin. Ndërsa në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, përmendet si mësues në shkollën shqipe të Gjakovës një mësues laik, i quajtur Mëhill Kurti. Në një bisedë të zhvilluar në Rrëshen në vitin 1995, shkrimtari Kolë Jakova, familja e të cilit ka mbajtur mbiemrin Kurti deri sa u vendos në Shkodër, kushëri me Kurtët e tjerë, ishte shprehur: “Ç’është e vërteta edhe unë jam me origjinë prej Mirdite, konkretisht prej Repsi. Prej atje të parët e mi kanë ikur në vitin 1720 dhe kanë shkuar e janë vendosur në një fshat në afërsi të Gjakovës, të quajtur Plangçorë”. Ndërsa i biri, Sokoli e sqaron më tej origjinën: “Familja jonë e ka origjinën nga Repsi i Mirditës. Bëhet fjalë për disa breza më parë. Për arsye ekonomike, paraardhësit tanë u larguan nga Repsi dhe u vendosën në rrethinat e Gjakovës, ndërsa një prej tyre u ndal në Prizren”. Edhe Nikolin Kurti thotë të njëjtën histori prejardhje të familjes, me pak ndryshime: “Prejardhja jonë rrjedh nga Mirdita. Rreth viteve 1750, Kolë Kurti me vëllezër: Sebën, Andrenë dhe Toninin janë shpërngulur për në Gjakovë”. Sigurisht si stacion i parë për emigrantët zakonisht ishin fshatrat, por në kushtet e mungesës së perspektivës në fshat, disa familje kaluan në qytet, ku punuan si shegertë te zanatçinjtë, ose u muarën me tregti, në kushtet e tregut të virgjër, të kërkesave në rritje të popullatës për rroba të reja, zbukurime ari dhe argjendi, nevojës për pajisje shtëpiake, etj… Sipas traditës gojore të familjes Kurti, “një pjesë e familjes Kurti, në vitin 1878, kur po ndërtohej hekurudha u transferua nga Gjakova dhe u vendos në Ferizaj. Në fakt, nga të dhënat e një libri për themelimin e qytetit të Ferizajve, shkruhet se në periudhën e themelimit të Ferizajve, këtu u vendosën edhe “20 shtëpi shqiptarësh katolikë të ardhur nga Prizreni dhe Shkodra”. Një lëvizje nga Gjakova në Prizren është e logjikëshme, po të kemi parasysh se Prizreni po fitonte përparësi si seli Kryeipeshkëvnore dhe diplomatike, ku u vendosën konsullatat e huaja, qytet zejtar dhe me shkollë shqipe. Duhet theksuar se edhe në Promemorien drejtuar Lidhjes së Kombeve, vetë Kurti e paraqet veten prizrenas bashkë me Gjon Bisakun, ndërsa Luigj Gashi nga Shkupi. Dr. Lazër Radi që e ka njohur nga afër Dom Shtjefnin e jep në librin e tij si të lindur në Prizren. Qytetarët e Prizrenit të cilët kishin gjetur punë në qendrën e re të Ferizajve ishin më të privilegjuar se të tjerët, për shkak të afërsisë që kishte vendbanimi i ri me qytetin e tyre. Sipas traditës, Zef Kurti, i martuar me Petrën nga Janieva, me të cilën kishin lindur katër djem: Jakun, Luigjin, Gjergjin dhe Tukun u vendos në Ferizaj, bashkë me katër djemtë e tij: Jakun, Luigjin (Dom Luigj Zef Kurtin), Gjergjin dhe Tukun. Në fakt, në Ferizaj u vendosën edhe Kurtë të tjerë. Ndër kryefamiljarët e parë Kurtë në Ferizaj përmenden: Anton Kurti, farmacist, i ati i Vilson dhe Marsel Kurtit, tregtar dhe Violeta Kurtit-Pufjës, veterane e arsimit; Luigj Kurti, klerik; David Kurti, teneqepunues; Gjergj Kurti, Gjovalin Kurti, berber, Jak Kurti, i ati i Dom Shtjefën Kurtit, Kolë Kurti, Leon Kurti, teneqepunues; Zef Kurti. Janë 8 familje, të cilët, nisur nga mbiemri i përbashkët Kurti, tepër i rrallë ndër katolikët shqiptarë, duhet t’i mendojmë si kushërinj në mes tyre. Nga ana tjetër, gjykuar nga emrat që mbajnë disa prej tyre: Anton, Luigj, David, Leon del se ata janë familje qytetare. Qytetari tregojnë dhe profesionet që ushtronin një pjesë e tyre: farmacistë, klerikë (në atë kohë), teneqepunues, berber. 

Duke kaluar në qytet dhe ruajtur besimin katolik, familjet Kurti u bënë pjesë e aristokracisë katolike. Katolikët e qyteteve në kontaktet që kishin patur me të huajt, përmes shkollës shqipe dhe kishës katolike kishin fituar elemente kulture dhe qytetërimi. Ata u lidhën në mes vetes dhe krijuan një kastë të mbyllur dhe relativisht të pasur. Duke qenë se në kishat katolike filloi së pari arsimi shqip, patën avantazhin të mësojnë të parët shkrim dhe këndim në gjuhën amtare, duke u bërë nëpunës, sidomos në shërbim të konsullatave të huaja. Nisur nga statusi i tyre shoqëror, studiuesi Brahim Abdyli në librin “Mërgata shqiptare në Zvicër dhe roli i saj”, hedh hipotezën se një degë e Kurtëve, e emigruar herët në Zvicër ka hyrë në fisnikërinë zvicerane. Në Rapperswil, të St. Galles, familja Kurti (Curti) ka dhënë në disa breza udhëheqës në komunën e Rapperswil-it dhe Konfederatën e Zvicres.  Sipas tij, “Kurtët janë shqiptarë, të ardhur nga Milano, që u vendosën në Rapperswil të Zvicrës dhe i kanë dhënë këtij shteti disa personalitete të njohura: Dr. med. Franz Josef Curti (1737-1818), kryeplak i fundit i Rapersvilit; Basil Ferdinand Curti (1804-1888), deputet i i Landit; Dr. med. Ferdinand Curti (1826-1921) Deputet i Landit; Teodor Curti (1848-1914) deputet i Kuvendit Kombëtar, i Landit dhe publicist; Franz Kurti (1854-1898), kompozitor; Dr. h.c. Franz Karl Curti (1880- 1948); Dr. iur. Alfons Curti (1882-1957), Kryetar i Komunës së Vendit dhe Prof. Merle Curti (1897-1996) historian. Sheshi i Rapperswil-it pranë liqenit mban emrin “Sheshi Kurti“. Nën kalanë e këtij qyteti janë zhvilluar luftërat nga vendasit kundër tyre”. Dihet se mbiemri Kurti gjendet te shumë popuj dhe në shumë vende. Por, sipas të dhënave të nxjerra nga studimet gjenealogjike, përhapjen më të madhe e ka në Shqipëri, me 33 %, çka do të thotë se një në tre persona në botë që e mbajnë këtë emër është shqiptar. Në vend të dytë vijnë ata që jetojnë në SHBA me 20 % dhe pastaj me rradhë: në Itali 9 %, Gjermani 6 %, e vende të tjera më pak. Mbiemri Curti në Zvicër është shkruar me ”C“ në vend të “K“, por me i-në shqipe në fund të fjalës. 

Njëkohësisht në këtë pjesë të këtij artikulli si nenpjesë jepën të dhëna të tjera edhe rreth famullive (shënimi im) dhe katolikëve shqiptarë në Kosovë ndaj po e veçoj famullin time të Zllakuqanit e cila sipas të dhënave të bashkautorëve Loka e Kurti, kjo famulli ngrihet si famulli në vitin 1895, me shkëputjen nga Peja. Në atë kohë kishte 2 350 katolikë etj., mund ti gjëni nē faqet tjera të librit. Në pjesët tjera me radhë trajtohën të dhëna të tjera rreth prejardhjes dhe vendbanimeve ku banoi familja Kurti, vitet e para të jetës, fëmijëria, shkollimi, vitet e para të shërbimit meshtarak, promemoria, një monument atdhetarie, si famullitar në Kurbin dhe në Gurëz, famullitar në Tiranë (1938-1939),  si klerik katolik në vitet e pushtimit, Kishë për të gjithë besimtarët, madje flitet për Konvertimin e  Hebrenjve në katolikë, si dhe për klerikët e kishës sonë martire ku edhe u dënua për Fe dhe Atdhe si dëshmimtar i Kishës martire, I kryqëzuar si Krishti, si dhe Lumturimet nga Kisha, Ringjallja dhe përjetësia dhe në fund të këtij libri flitet për Dom Shtjefën Kurtin në publicistikë, poezi dhe në kujtime, Prima ante mortum etj. 

Libri apo monografia në fjalë dedikuar dom Shtjefë Kurtit është  një sintezë e shumë ngjarjeve nga periudha në fjalë dhe njëherësh përbën një kontribut të çmueshëm për historinë e popullit shqiptar e qe prapa vetës permban foto,  dokumente, leterkembime e skanime të gazetave ditore faktike të shumta për të Lumin dom Shtjefën Kurtin të cilat hedhin dritë mbi një nga periudhat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe perskutimit të klerikëve shqiptar nga ana e Enver Hoxhës (shënimi im diktator mesjetar i Shqipërisë dhe shqiptareve pa dallim…).

Përmes këtij recensioni të këtij libri apo me konkret të themi të këtij prezentimi kemi shpalosur e prezentuar në pika të shkurtëra disa pikëpamje kruaciale të hulumtimeve shkencore të librit ”I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire” i bashkautorëve Nikollë Loka dhe Nikolin Kurti ndaj të dy bashkautorët i përgëzoj dhe i komplimentoj për këtë libër tejët frytdhënës dhe i’u dëshirojmë shëndet dhe suksese në rrugëtimet tjera akademike! 

Filed Under: Analiza Tagged With: I Limu Dom Shtjefen Kurti, Leke Mrijaj

Çështje tufe…

October 22, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi-Kur mbizotëron psikologjia e tufës, i dyti ndjek të parin, dhe të gjithë shkojnë pas; të gjithë ankohen se janë të varfër e të këputur, se, sado të punosh, nuk bëhet ‘hajër’. Dje, në diktaturë, këto ishin të vërteta. Sot njerëzit i sheh se nuk jetojnë keq, ose të paktën jo më keq se kudo gjetkë. Ankesa a qarja është kthyer në zakon dhe ka marrë udhën e traditës.
Edhe qeverinë që kanë, e meritojnë, sepse ajo nuk ka ardhur me dhunë (me manipulime votash, ndoshta). Pas zgjedhjeve asgjë nuk ndryshon, pavarësisht se cila parti vjen, mentaliteti mbetet stabël, mendësia është po ajo që ka qenë. Dhe ‘leaderi’ e përforcon këtë ide, kur deklaron se politika është e domosdoshme, dhe se njerëzit duhet të kenë nevojë për ‘të, kur kudo gjetkë është e kundërta, politikanët kanë nevojë për popullin dhe jo anasjelltas. Vizitori është i prirur të besojë se njerëzit vërtet vuajnë, por sheh se askush nuk është në burg, veç për krime ordinere. Çështja është se njerëzve iu mungon individualiteti, si ata që presin; dhe si në tufë, shtyjnë njeri tjetrin e nuk lënë asnjë të kalojë.
Zelli është i paçmuar, nëse është për punë të mira. Por, nëse i gabuar, sa më i madh zelli aq më e madhe është e keqja. Kur njeriu udhëhiqet nga arsyeja, kjo nuk tregon se arsyet që ka dhënë më parë i ka ndryshuar, dhe as se ka hequr dorë nga parimet që i ka nderuar, edhe nëse nuk mund të gjejë parime të tjera më të mira,  madje edhe nëse ka provuar vjedhje prone a konfiskime.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Çështje tufe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 37
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT