• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2020

Elmi Berisha: Marrëveshja në Washington Betonoi marrëdhëniet e mira historike të shqiptarëve me Amerikën….

October 6, 2020 by dgreca

Kreu i Shoqatës ‘’Vatra’’, z. Elmi Berisha gjatë nderimit të tij me titullin ‘’Honoris Causa’’ në Universitetin ‘’Luarasi’’ e ka cilësuar marrëveshjen Kosovë- Serbi në Uashington si historike për shqiptarët. Sipas tij ajo betonoi marrëdheniet e mira historike mes shqiptarëve dhe Amerikës ndër vite tashmë, edhe pse disa analistë apo liderë e shohin ndryshe.

z.Berisha gjithashtu theksoi se për shqiptarët, dy kanë qenë shtyllat që i kanë hapur rrugën drejt perëndimit, Nënë Tereza dhe fryma e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

”Kam dëshirë të diskutoj për situatën që mbretëron tek shqiptarët, në Shqipëri dhe Diasporë. Vatra është formuar 3 muaj para formimit të shtetit shqiptar. Një gjë është e qartë, atëhere ku është dashur më shumë të flitet për shqiptarët, Fan Noli kur Shqipëria ishte në telashe, dhe ndahej nga vendet që na rrethonin, dhe na rrethojnë edhe sot, disa prej tyre negative ndaj nesh. Fan Noli iu lut Uilsonit ta shpëtojë Shqipërinë nga ndarja. Për ju këto punë dhe procese ka marrë kohë dhe ishin të vështira edhe gjatë monizmit. Shqiptarët nuk i ndal asnjëherë, por kanë konsideruar të ardhmen së bashku dhe të lirë në procese demokratike.

Më e mira është periudha 1990 deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kjo lidhet edhe më të tjera, si Kosova, dhe negativiteti pse të rinjtë dhe të rejat, intelektualiteti është larguar nga Kosova. Shihet qartë që ka qenë një dhuratë nga zoti, pasi ata njerëz që ikën nga Shqipëria dhe lanë Shqipërinë, të njëjtit njerëz kontribuan që Shqipëria mos ndahet dhe mos fundoset. E njëjta dhe në vitet ’90, me Kosovën. Këta njerëz u organizuan dhe krijuan një lobim që se kishte parë ndonjëherë historia. Në vitet ’90, vullkani dhe atomi, nisën dhe sollën lirinë e Kosovs. Falë vullnetit të mërgatës dhe diasporës shqiptare. Këtu ka ndikuar filozofia e Presidentit Ibrahim Rugova. E gëzoi Kosovën. E vuri e tregoi dritën në fund të tunelit me origjinën e vërtetë të shqiptarëve. Kombi shqiptar s’ka qenë kurrë më në pozitë të mirë për bashkim dhe kjo edhe falë marrëdhënieve vëllazërore me SHBA.

Nënshkrimi i marrëveshjes së Kosovës në Uashington, kam pasur fatin të punoj me senatorin amerikan, madje një hero shqiptar, pasi ka kontribuar për lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e Kosovës. Shqiptarët në vitet ’90 bënë punë të madhe për lobim në funksion të çështjes kombëtare. Rruga e fuqishme e kolosit, rugoviste, me qëndrimet e saj dhe një gjë tjetër që erdhi nga i madhi zot ishte puna dhe vepra shpirtërore që doli për herë të parë, erdhi e shenjta jonë Nënë Tereza. Qëndrimet e saj karshi botës, fuqia e madhe rugoviste, kanë qenë dy shtyllat më të mëdha që i kanë hapur rrugën shqiptarëve drejt Perëndimit.”- tha z.Berisha.

***

Universiteti “Luarasi” i jep titullin “Honoris Causa” kreut të “Vatrës”, Et’hem Ruka jep lajmin: Elmi Berisha ka pranuar të jetë pedagog i jashtëm

Teksa vlerësoi përpjekjet e mëdha të Berishës dhe “Vatrës” për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në SHBA, e kudo në botë, Rektori i Universitetit “Luarasi”, Et’hem Ruka, dha lajmin se Elmi Berisha ka pranuar të jetë pedagog i jashtë i këtij universiteti.

“Z. Berisha ka punuar për vite me radhë dhe ka qenë përfaqësues si këshilltar për Ballkanin. Karriera e tij në SHBA është fantastike. I larguar nga Kosova në moshë madhore, arrin të bëj një karrierë të shkëlqyer dhe të prezantohet si aktivist në SHBA. Të gjithë e njohin “Vatrën” e famshme në SHBA, që ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e shqiptarëve jo vetëm në SHBA, por në të gjithë botën.

Ka mbrojtur interesat e shqiptarëve në momente tragjike të kombit tonë, veçanërisht kur Shqipëria rrezikonte të copëtohej. Në SHBA ka pasur shoqata të ndryshme, por mungonte koordinimi dhe kjo është ajo mendja e ndritur e Fan Nolit, Konicës, etj, që formuan “Vatrën” më 1912, që nuk ka reshtur së punuari deri më sot. Vazhdon të punojë për të mbrojtur interesat e shqiptarëve, për të mbrojtur Shqipërinë.

Para disa muajsh pata fatin të shkëmbeja disa email-e me Berishën, sepse dëshira jonë ishte që ai të ishte pedagog i jashtëm në Universitetin tonë. Ai e ka pranuar këtë ftesë dhe ky është një shans i madh për Universitetin tonë, për ta çuar atë përpara. Ne duam t’i forcojmë marrëdhëniet me universitetet ndërkombëtare”, tha Ruka.

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Honoris Causa nga Universiteti, Luarasi

NË VEND TË BUQETËS ME LULE!…

October 6, 2020 by dgreca

REKUJEM PËR TESKËN TIME – NË VEND TË BUQETËS ME LULE!–

NGA ELIDA BUÇPAPAJ- Si sot një javë më parë, ndërsa po flisja në viber me një miken time në SHBA, më kërkoi në messanger Teuta, vajza e tezes. I dërgova mesazh se do ta merrja më vonë. Tezja ime e vetme jetonte me vajzën e dytë dhe familjen e saj, ndërsa dy vajzat e tjera i ka jashtë Atdheut, e vogla në Shtetet e Bashkuara, e madhja në Suedi. Vajza e dytë mësuese, gjeti punë si edukatore kopshti në Tiranë dhe, dy vjet më parë, lanë Bilishtin dhe u vendosën në kryeqytetin e stërpopulluar. Teska, kështu e thërrisja, e priti me dëshirë kthimin në Tiranë, ku ka studiuar në Institutin Pedagogjik dhe ka jetuar me gjyshen time deri sa u martua me Xhaxhi Muharremin dhe e la Tiranën për në Stravaj, një fshat i thellë malor në rrethin e Librazhdit, ku të dy bashkë me të shoqin jepnin mësim në shkollën e fshatit dhe rritën tre vajzat e tyre.

Një herë të vetme shkuam dhe i vizituam me mamin. Unë sapo kisha mbaruar maturën. Jetonin në një shtëpizë fshati të vogël me dy dhoma dhe te ajo ku rrinin ishte një sobë e madhe, ku Teska piqte byrekë, ndërsa poshtë sobës kishte arra të shpërndara dhe tri vajzat të vogla ishin mësuar t’i thyenin dhe i hanin. Arra na sillnin çdo vit edhe ne sa herë që vinin në Tiranë, se në Stravaj kishte shumë dhe ishin shumë të mira. Për të larë rrobat, Teska shkonte tek një burim i rregulluar me disa rrasa guri. Aty i lante rrobat në vjeshtë, dimër dhe në pranverë pasi verën e bënin në Bilisht, në vendlindjen e Xhaxhi Muharremit. Ishte jetë shumë e vështirë. Shkolla ku jepnin mësim ishte shumë larg dhe rruga kalonte nëpër pyll. Vajzat e vogla, që ishin lindur njëra pas tjetrës kalonin me orë të tëra vetëm. Teska dhe Xhaxhi Muharremi rrinin me gjak të ngrirë kur jepnin mësim. Pastaj bindnin veten se çupkat i mbronin ëngjëjt. Dhe ëngjëjt i mbronin vërtetë. Dikur u ndërtua një pallat afër shkollës në qendrën e fshatit dhe familja u vendos aty. Jeta u përmirësua disi. Kur ndodhën ndryshimet e regjimit ishin kthyer në Bilisht. Vajzat mbaruan shkollat, u martuan, krijuan familjet e tyre, lindën fëmijët dhe Teska e Xhaxhi Muharremi gëzonin vajzat, nipat e mbesat deri kur një ditë tek ne në Zvicër ra zilja e telefonit. Xhaxhi Muharremit i kishte pushuar zemra tak-fak në mes të rrugës. Sa ishte lodhur në jetë Xhaxhi Muharremi, sepse biografia e keqe e kishte degdisur mësues deri në Stravaj. Gjithë jetën ishte mundur, ishte një bashkëshort dhe baba i shkëlqyer, që ishte përkujdesur për tre vajzat të vijonin shkollimin e tyre. Për shembull Marjana shkollën e mesme e bëri në Vlorë. Xhaxhi Muharremi shkonte në Vlorë rregullisht. Nga Stravaj deri në Librazhd lëvizja ishte zakonisht nëpër makinat e mëdha që transportonin trungje drush nga pyjet e pafund të Stravajt.

Gjyshja dhe gjyshi im nga mami patën katër fëmijë. Dy djem dhe dy vajza. Fëmijët e Gani Pretushës ose Mr. Ganes si e quanin në Pogradec dhe Safije Starovës. E thërrisnin Mr.Gane sepse emigroi në Amerikë në vitin 1907 kur ishte adoleshent. U vendos afër Detroid, në shtetin e Miçiganit, atje ku Henri Ford posa kishte themeluar  Ford Motor Company. Gjyshi ishte anëtar i Vatrës, njihte Fan Nolin dhe paguante kuotizacionin e shoqatës. Në vitin 1919 kthehet në Pogradec të martohet me një vajzë shqiptare, gjyshen time, të bijën e Abdullah Starovës, nga një familje me emër dhe shumë e pasur në Pogradec. Abdullah Starova kishte qenë ish zyrtar i lartë i perandorisë turke dhe midis pronave të tij është edhe gjithë Driloni i sotshëm. Ai  ishte vëllai i madh i Sulejman Starovës, disa herë ministër financash në qeveri të ndryshme pas krijimit të shtetit shqiptar. Mr.Gane shkoi në Pogradec të martohej dhe të kthehej me nusen në Amerikë ku kishte hapur biznesin dhe kishte pasurinë. Në Pogradec lindën katër fëmijët e tyre. Të bukur yje dhe më të mirët e botës. Kështu thonë të gjithë ata që i kanë njohur.  I pari që u largua nga kjo botë ishte dajo Gaferi, në moshën 64 vjeçare, pastaj dajo Fatmiri, pastaj Lili, mami. E fundit e fëmijëve të Safijes dhe Mr.Ganes ishte teze Bukurija ose Teska si i thërrisja unë deri një ditë më parë. Se Teska tani nuk është më.

Iku sa hap e mbyll sytë, duke na shokuar e tronditur të gjithëve ne njerëzit e saj më të afërt.

Si sonte një javë më parë ra zilja e celularit. Më kërkonte Teuta, ndërsa unë po flisja në viber. Mendova se Teskën e kishte marrë malli për mua. Flisnim përmes messanger-it. Një moment e harrova telefonatën e Teutës. Pastaj u kujtova dhe i rashë telefonit menjëherë. Mbeska e Teskës, Adela, m’u lut që ta merrja tek telefoni i saj se i Teutës kishte difekt. Sapo më doli më tha se Nëna ka disa ditë që nuk ha ushqim, vetëm pi ujë dhe pak lëngje. Dhe menjëherë më tregoi me kamerën e celularit Teskën e shtrirë në shtrat. U preva në çast. U trondita shumë, u shemba. Fillova të bëj pyetje, njëra pas tjetrës, po si nuk ha, po pse nuk ha, po çfarë ka ndodhur, po çfarë i dhemb, po si është e mundur ? Teuta dhe Adelka më thanë se Teska nuk pranon të hajë. Në sekondë m’u kujtua koha kur Babi papritmas ra në depresion dhe refuzonte të hante dhe sa mundohej Mami që ta ushqente. Ideja e vdekjes më tmerroi. E largova tutje mendimin se vdekja kishte ardhur për të marrë Teskën time. Fillova që t’i lutem e t’i përgjërohem. Ajo ishte e qetë, nuk dukej e sëmurë, ngjante si në ditët e shkuara kur kishin folur dhe ishim parë përmes telefonit, vetëm kishte një ngjyrë pakëz të verdhë, pasi kishte rreth një javë pa ngrënë. Mendjen e kishte top dhe kishte ende energjinë e një njeriu normal, faleminderit Zotit nuk kishte asnjë dhimbje. Fillova të qaj me të madhe sa tremba Prizrenin që erdhi menjëherë në dhomë, se Endriti kishte dalë me shokët. Skënderi nuk më ndahej. Edhe ai ishte tmerrësisht i tronditur teksa shihnim e dëgjonim Teskën e vendosur për të vdekur. Unë e kam jetuar jetën, më thosh. Jam 83 vjeç. Ka ardhur koha të vdes. Ju mos u mërzisni. Mua po më plaste shpirti. Teska ime njihej në fis për vendimet e saj, që kur i merrte, nuk hiqte dorë prej tyre. Teuta dhe Adelka më thoshin se Nëna nuk ua dëgjon lutjet, se nuk ua pranonte ushqimin. Unë pyesja veten se çfarë u thye në shpirtin e Teskës time, që hoqi dorë prej jetës, ashtu pa provuar asnjë dhimbje fizike. Nuk kam biseduar ende me Teutën dhe Adelën që t’i pyes me hollësi. Nuk kam fuqi ta bëj. E mbaj dhimbjen për veten time. Ndofta kishte vështirësi në fyt, më tha më vonë vajza e dajës së madh, Moza. Si sonte një javë më parë, si tani në mbrëmje, fola gjatë me Teskën. Ajo më qeshte dhe më bindte se vendimi i saj ishte i drejtë, sikur do të shkonte për banim në ndonjë qytet tjetër, jo në botën e përtejme. Unë kisha marrë fund. Ajo pamje nuk më shqitet më nga sytë. Më në fund, biseda jonë duhej të mbaronte. Filluam të putheshim. Unë e afrova telefonin tek faqja e saj dhe e puthja, ajo më dërgonte të puthura me dorë, nuk lodhej duke më dërguar të puthura me dorë, deri sa dikur Teuta i tha, po mjaft mama, se u lodhe.

Dhe kështu u ndamë të dyja përgjithmonë, për të mos u parë më në këtë botë. Nuk munda më ta merrja në telefon Teskën. Nuk kisha fuqi. Ajo ishte gjallë por unë nuk mundja t’ja ktheja mendjen për ta ndalur nga rruga që kishte marrë. Nuk kisha asnjë mundësi nga Zvicra. Nuk kam parë njeri në këtë botë që të shkojë drejt vdekjes me atë qetësi dhe vullnetplotë. Mami im donte të jetonte, e donte jetën me mish e me shpirt. Babi po ashtu, edhe në depresion. Ndërsa Teska ime shkonte drejt vdekjes sikur po e priste një jetë e re. Si ndodhi kjo përmbysje? Veçse kur folëm, si sonte nje javë më parë, i thashë se do t’i lutem Mamit që t’ia kthente dëshirën për të ngrënë. Lutju më tha dhe qeshi. Nuk e di se çfarë do të thoshte me atë të qeshur. Të nesërmen u lidha që në mëngjes me Adelkën. Është njëlloj, më shkruajti në inbox. Kishte pirë më pak lëngje frutash se zakonisht dhe forcat i kishte me të pakta se kur folëm të dyja. Në mbrëmje u lidha përsëri me Adelkën dhe fillova që t’i tregoj historitë e fëmijërisë time me Teskën. Unë shkruaja, ajo i lexonte me zë dhe Teska qeshte. Dikur Adelka më tha se Teska nuk po qeshte më dhe kishte mbyllur sytë.

Këto ditë ishin të një ankthi të pafund. Që më kthyen ditët kur u ndanë nga kjo jetë Babi dhe Mami. Teskës time për çdo ditë forcat i dobësoheshin. Deri sa nuk mundi më të shkonte në banjë e shoqëruar natyrisht nga e bija. E megjithatë Teska ime jetonte. Nuk e disa sa ditë jetoi vetëm me ujë dhe lëngje. Ndofta tri javë! Pastaj i preu edhe lëngjet. Pinte vetëm ujë. Pastaj edhe ujin nuk po e përcillte dot më. Dhe ndërsa po gdhihej e premtja e 2 tetorit mora mesazhin nga Adelka se Teska ime nuk jetonte më.

Kisha një javë që merrja çdo ditë qetësues, sikur gjatë kohës kur u sëmur dhe u nda nga kjo jetë Mami. Nuk desha të komunikoja me askënd. Nuk i ngushëllova vajzat. U mbylla me dhimbjen time. Kujtova gjithë kohën kur isha fëmijë dhe Teska ishte pjesë e jetës time. Të dyja me gjyshen kishin një apartament në rrugën Bardhyl ku kam kaluar ditë të mrekullueshme të fëmijërisë time. Kur shkoja aty kisha liri të plotë. Apartamenti i tyre ishte në katin e parë. Unë bëhesha aq trime sa hidhesha edhe nga dritarja për në oborr. Megjithëse isha një fëmijë pa oreks, kur shkoja tek gjyshja dhe tek Teska më vinte oreksi. Tek Rruga Bardhyl ishte një treg i vogël fshatar. Gjyshja ime blinte zarzavate dhe fruta të freskëta dhe i gatuante në mënyrën e saj të jashtëzakonshme. Teska ime kishte një trup të vogël, por si skulpturë, vepër arti. Numrin e këmbës e kishte 34 dhe, kur ajo ishte në punë, unë ia provoja këpucët me taka dhe i vishja rrobat e saj. Një kohë Teska shiste libra në Librarinë që ishte ku sot është 15 katëshi. Atje më çonte mami dhe Teska më jepte libra me figura për fëmijë. Libra më sillte edhe në shtëpi. Edhe sot e kam parasysh apartamentin e thjeshtë ku jetonin të dyja. Në njërën nga dhomat gjyshja kishte një sënduk të madh të mbyllur me çelës. Unë bëja rrëmujë gjithë shtëpinë, por nuk e gjeta kurrë dot çelësin. Ndofta gjyshja e mbante në ndonjë xhep të rrobave që vishte. Unë merrja ndonjë gozhdë dhe e hidhja në vrimkën e çelësit dhe i thosha gjyshes: “E dëgjove zhurmën si bëri “trink”. Aty ti Nënka ke florinjtë”. Gjyshja ime dhe Teska qeshnin me të madhe. Dhe pastaj filluan ta tregonin si historinë e Lidës me sëndukun dhe florinjtë. Erdhi dita që Teska u martua dhe u largua nga Tirana. Edhe gjyshja iku tek daja i madh në Pogradec. Për mua dhe mamin ishte një trishtim i madh se na u mbyll një derë aq e dashur. Vajzën e parë, Marjankën tezja e lindi në Tiranë. Marjana lindi shumë e vogël, premature dhe të dyja me Teskën ndejtën tek ne deri sa bebja u rrit pak dhe një ditë erdhi Xhaxhi Muharremi i mori që të dyja. Nuk kaloi pak e Teska lindi Teutën. Pastaj vdiq gjyshja dhe vajzës të tretë në kujtim të nënkës Teska ia vuri emrin Sofi. Ishte viti 1974. Kur lindi Marjana unë fillova të mendoj se tani Teska nuk do të më donte mua më shumë, por këtë bebkën që edhe unë e desha aq fort dhe kur na ikën të tre nga shtëpia, unë qava me të madhe.

Këto histori kam kujtuar këto dy ditë që kur Teska tani prehet pranë Xhaxhi Muharremit në Bilisht. Kujtoj se si sonte një javë më parë ajo më dërgonte të puthura pa u lodhur fare, duke më porositur që të mos mërzitem kur ajo nuk do të ishte më midis nesh!

Tezja ime kishte qenë gjithmonë një shpirt i lirë, ishte një njeri shumë i veçantë, ishte ëngjëllore, asnjëherë nuk më kishte sharë kur unë u bëja rrëmujë në shtëpinë kur jetonte me gjyshen, vetëm më përkëdhelte. Por ajo asnjëherë nuk kishte lejuar që të tjerët të merrnin vendimet në emër të saj. Kishte vendosur vetë për fatin e saj deri në momentin e fundit!

Teska ime, nuk e di nëse më shikon tani që po i shkruaj këto rradhë për ty! Fluturat nuk po shfaqen në këtë natë të ftohtë tetori. Por mua do të më mbetet kujtim i gjithë jetës se kur u ndamë bashkë, shkëmbyem plotfuqishmërisht, në atë kohë të shkurtër, dashurinë që kishim patur për njëra tjetrën gjatë gjithë jetës, duke marrë me vete gjithmonë mallin që na ndau për së gjalli!

U prehsh në Paqe Teska ime!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, teska ime

VATRA, urë e bashkëpunimit shqiptaro-amerikan

October 6, 2020 by dgreca

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot Kryetarin e Federatës VATRA, Elmi Berisha. Në takim mori pjesë edhe kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

“VATRA është ndër organizatat më të vjetra të Diasporës shqiptare dhe ka një moshë me shtetin shqiptar. Diaspora shqiptare në SHBA është më e rëndësishmja dhe më e shquara për kontributet dhe prurjet e vazhdueshme në thesarin e kombit shqiptar si edhe ka shërbyer e shërben si një urë e bashkëpunimit shqiptaro-amerikan. Vëmendja e Kuvendit dhe e Qeverisë së Shqipërisë ndaj Diasporës është në rritje dhe për këtë dëshmojnë edhe politikat, legjislacioni, masat dhe institucionet e reja që janë krijuar. Diaspora, si një faktor dhe burim i nxitjes së zhvillimit të Shqipërisë.  Ne vlerësojmë në mënyrë të veçantë mbështetjen dhe kontributin e VATRËS për pavarësinë e Kosovës, njohjen dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Kryetari i Federatës VATRA, Elmi Berisha, falenderoi Kryetarin e Kuvendit për vlerësimin e kontributit të Federatës dhe nënvizoi se VATRA, si një institucion i fuqishëm moral i shqiptarëve, do të jetë gjithmonë në mbështetje të Shqipërisë dhe Kosovës si edhe institucioneve të tyre, për fuqizimin e bashkëpunimit me ShBA, rritjen e kontributit të Diasporës shqiptare në zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës si edhe përshpejtimin e integrimit europian.

Filed Under: Kronike Tagged With: Elmi Berisha- Gramoz ruci, Takimi

Çmimi i mosmirënjohjes

October 6, 2020 by dgreca

Shkruan:Prof. dr. Eshref Ymeri–

Në gjuhën shqipe ka shumë shprehje për mosmirënjohjen. Meqenëse kam gati një gjysmë shekulli (që prej vitit 1972) që merrem me pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe, në ballafaqim me anglishten, frëngjishten, italishten dhe rusishten (bashkë me një koleg, në vitin 2007 kemi botuar Fjalorin frazeologjik italisht-shqip, me mbi 15 mijë shprehje frazeologjike, në vitet 2015 dhe 2019 kam botuar, respektivisht, Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip, me më shumë se 25 mijë shprehje frazeologjike, dhe Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip, po me mbi 25 mijë shprehje frazeologjike), kam vënë re se në gjuhë shqipe hasen kaq shumë shprehje frazeologjike, në të cilat fshikullohet paq mosmirënjohja, çka nuk vihet re në gjuhët e mësipërme për nga sasia e tyre. Nuk jam në gjendje ta shpjegoj një dukuri të tillë. Prandaj i kam pasë shtruar vetes dy pyetjet në vijim:

Shprehje të tilla kanë lindur në gjuhën shqipe, meqenëse ne, si popull, kemi mbajtur qëndrim të prerë kundër mosmirënjohjes, apo dukuria e mosmirënjohjes ka pasë qenë kaq e pranishme në jetën tonë gjatë shekujve, saqë ka lënë mjaft truall për krijimin e tyre?

Mos vallë si truall i përshtatshëm për krijimin e shumë shprehjeve për mosmirënjohjen ka shërbyer përçarja tragjikje ndëshqiptare, për shkak të së cilës trojet tona etnike në mbarë Gadishullin Ilirik na u katandisën si kokoshi një thelë?

Në vijim po rendis disa shprehje për mosmirënjohjen:

bëri mirë e gjeti keq

është bukëshkalë

ha bukën e përmbys kupën

hedh hallin dhe thotë ku të kam parë

hedh lumin dhe të pështyn kalin

këtej të pi verën, andej të shan derën

këtej të puth këmbët, andej të nxjerr dhëmbët

mbaron punë dhe të kthen kurrizin

shkel bukën me këmbë

të ha shalqirin e të rreh me lëkurë

të ha (të pret) në besë

Në një letërkëmbim që kam pasur kohët e fundit me mikeshën time nga Tirana, zonjushën Miranda Kapllani, administratore biznesi, patëm shkëmbyer mendime edhe për mosmirënjohjen. Në njërin nga ato letërkëmbime, ajo më shkruan:

“Pena Juaj më kujtoi gjyshin tim, Hilmi Belul Beluli (Salillari), i përndjekur politik. Kam qënë shumë e vogël, por mbaj mend që thoshte: 

“Këtij vendi e keqja do t’i vijë nga vetja dhe nga serbi. Shqipëria vend i bekuar dhe popull i mallkuar”.

Pasi gjyshi ndërroi jetë dhe unë u rrita pak më shumë, pyes gjyshen se çfarë donte të thoshte gjyshi im me këto fjalë? Dhe gjyshja ime, e mënçur dhe e mirë, më pa dhe më tha: 

Dëgjo, e mira ime. Ishte dikur në rrëzë të një mali një shtëpizë, ku jetonte një grua e moshuar që e thërrisnin Fatma. Ajo ishte shëronjëse, por gjindja e thërrisnin magjistare. Të gjithë shkonin dhe kërkonin ndihmë te Fatma, dhe Fatma ju falte shërim. Një ditë, në një prej shtëpive të një fshati, sëmuret i vogli i familjes dhe e ëma i thotë burrit të saj, babait të fëmijës, të shkonte te Fatma, por ai i thotë “jo”, se ajo ishte shtrigë. I vogli po përkeqësohej dhe ishte në grahmat e fundit të jetës, dhe babai vendosi të shkonte te Fatma. Sapo mbërriti te dera e shtëpisë së saj, i del përpara Fatma dhe i thotë të kthehej në shtëpi, pasi e priste i biri për të luajtur. I çuditur, babai i fëmijës, pasi mërmëriti disa sharje për këtë shtrigë, kthehet nga kishte ardhur dhe shtanget në vend kur sheh të birin të vraponte drejt tij dhe se donte të luante. 

Në atë periudhë, Sulltani, në marrëveshje me qeverinë franceze të asaj kohe, kishte dërguar njerëzit e tij të gjenin shtrigën me emrin Fatma. Kudo që pyesnin, merrnin të njëjtën përgjigje: s’e njihte asnjë.  Të gjithë e mbronin dhe e ruanin Fatmën. Një ditë, njerëzit e Sulltanit mbërrijnë në shtëpinë e vogëlushit që i shpëtoi vdekjes, pyesin mamanë e tij dhe marrin të njëjtën përgjigje. Ndërkohë, vjen nga ara babai, e pyetën dhe atë, dhe ai, pa iu dridhur qerpiku, tha se e njihte dhe i shoqëroi për te shtëpia e Fatmës. Fatma e dinte ç’e priste dhe qëndronte e qetë në kasollen e saj. Dhe Fatma përfundoi në Francë, ku u gjykua si shtrigë dhe magjistare dhe u dënua me djegie në turrën e druve. Përpara se t’i vinin zjarrin turrës së druve, i thanë nëse kishte ndonjë dëshirë të fundit. Fatma kërkoi të dinte se kush e tradhtoi. Pasi xhelati artikuloi emrin e babait të vogëlushit të rikthyer në jetë, Fatma tha dëshirën e saj të fundit: 

“Shqipëria (Iliria, Arbëria) do të ishte një vend me një tokë, klimë, pasuri të bekuar, por populli i saj për 5 shekuj do të ishte i mallkuar”. 

E pash e çuditur gjyshen time, s’kuptova asgjë nga ç’dëgjova. Më pas, kur u rrita dhe gjyshja ime s’ishte më me mua, kuptova domethënien e tregimit të saj. Gjyshja ime quhej Fatma. Dhe ne jemi akoma nën ndikimin e mallkimit të Fatmës”.

Shkrimtari francez La Roshfuko ( François VI, duc de La Rochefoucauld – 1613-1680), autor veprash të karakterit filozofiko-moralizues, ka thënë:

“Nuk është ndonjë e keqe e madhe t’i bësh nder një mosmirënjohësi, por është fatkeqësi e madhe të pranosh të të bëjë nder një njeri i padenjë”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Çmimi i mosmirënjohjes, Prof.dr.Eshref Ymeri

SHQIPTARËT E ZVICRËS- SHKOLLAT SHQIPE DHE IDENTITETI KOMBËTAR

October 6, 2020 by dgreca

-RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË ZVICËR

Dr. Vaxhid Sejdiu mësues dhe veprimtar shumëvjeçar i L.A.P.Sh.-së në Zvicër dhe koordinator i Shkollave Shqipe në Zvicër, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Zvicër nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Dr. Vaxhid Sejdiu është mësuesi që e ngriti lart flamurin e shkollës shqipe në Zvicër. Gjithmonë dëshmoi se me punë dhe angazhim klasat e shkollave shqipe janë plot me nxënës, sepse gjuha shqipe është ajo, e cila ruan identitetin kombëtar. Ai dha një kontribut të çmueshëm në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe në organizimin e aktiviteteve me bashkatdhetarë. Për nga numri i klasave edhe nxënësve me të cilat punoi dhe punon më se dy dekada, mund të merret si model i  mësuesisë në mërgatën shqiptare. Me Dr. Vaxhid Sejdiun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SOKOL PAJA-

ORGANIZIMI I MËSIMIT NË “SHKOLLAT SHQIPE” NË ZVICËR

Gjatë vitit shkollor 2019/20 nga pamundësia për t`i hap shkollat shqipe në kuadër të LAPSh-së (sepse Kryesia e tanishme nuk na lejonte t`i  hapim këto shkolla) vendosëm t`i hapim si shkolla shqipe të pavarura. Nga angazhimi dhe puna e përditshme me veprimtarët, mësuesit dhe prindërit arritëm të hapim nga gusht 2019- deri në fillim të pandemisë mars 2020, tridhjetë e tri (33) shkolla. Edhe sivjet kemi filluar me të njëjtin intensitet, kemi hapur dhjetëra shkolla dhe vazhdojmë t`i hapim njëra pas tjetrës, edhe shkollat tjera, të cilat, sot përbëjnë rrjetin e shkollave shqipe në Zvicër. Në këtë rrugëtim vlen të përmendet se kemi një ndihmesë të madhe nga Ambasadat e dy shteteve tona Shqipëri dhe Kosovë, por veçanërisht një ndihmesë të vazhdueshme nga Ambasada e R. së Shqipërisë në Bernë.  

QYTETET KU MËSOHET SHQIP, NXËNËSIT, MËSUESIT DHE KURRIKULA MËSIMORE 

Tani, shkollat shqipe në Zvicër kanë filluar të hapen që nga viti 1990 dhe deri në ditët e sotme. Ato, funksionojnë diku më mirë dhe diku kanë pushuar së ekzistuari. Aty, ku ka veprimtarë, prindër dhe mësues të cilët punojnë dhe veprojnë edhe shkolla shqipe funksionon më mirë dhe në mënyrë më të rregullt. Shkollat shqipe funksionojnë më mirë në kantonin e Cyrihut, të St. Gallenit, të Argaut, por në shumë kantone nuk kemi asnjë klasë. Kemi punuar dhe punojmë me tekste shkollore, të cilat na kanë ardhur në ndihmë nga Ministria e Arsimit të R. së Kosovës dhe të Ministrisë së Arsimit të R. së Shqipërisë. Kohëve të fundit na kanë ardhur tekste shkollore dhe veçanërisht tekste plotësuese nga QBD-ë , nga Tirana, të cilat tekste janë më të përshtatshme, nga ato që kemi marrë deri më tani. Punojmë në bazë të kurrikulës së përbashkët Shqipëri – Kosovë. Siç thashë tani, aty ku punohet ka edhe klasa të reja, ka edhe nxënës të rijë, angazhohen edhe më shumë mësues dhe në këtë mënyrë sensibilizohen më shumë prindërit shqiptarë për rëndësinë e gjuhës amtare dhe i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe. Aty ku veprimtarët apo mësuesit kanë pushuar aktivitetin për arsye të ndryshme nuk kemi asnjë klasë.    

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR

Jo, njëherë, por mijëra herë  e kam thënë dhe e them se gjuha është elementi i parë që dëshmon identitetin kombëtar. Nuk mjafton të thuash “jam shqiptar” dhe të fillosh të flasësh në një gjuhë tjetër. Pastaj edhe pse larg atdheut të mos e ruash gjuhën amtare – gjuhën e nënës nuk është në rregull. Emrat e bukur të fëmijëve shqiptarë: Kastrioti, Gëzimi, Dardani, Teuta, Agroni, Ilirida, Shqiprina, Shqipe, Besa, Fitore, Albulena, Valmira, Saranda,

ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË ZVICËR

Shqiptarët janë të vlerësuar si komunitet në shoqërinë zvicerane. Por, ne nuk duhet të kënaqemi me kaq, ne duhet të vazhdojmë dhe më tutje sepse në shoqërinë zvicerane mundësit janë shumë të mëdha veçanërisht për të rinjtë. Ne, si mësues vazhdimisht i informojmë nxënësit e shkollave shqipe, posaçërisht ata të ciklit të lartë, që të kenë kujdes, të vazhdojnë shkollimin e tyre, t`i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë sepse e ardhmja është në përpjekjet e tyre. Shkollimi është ai, i cili iu jep një vend më të lartë në shoqëri.  

SI PRITET NË ZVICËR MËSIMI I GJUHËS SHQIPE, SI REAGON SHOQËRIA ATJE 

Varësisht nga aktiviteti ynë. Në momentin që bashkëbisedojmë me prindërit, ua sqarojmë organizimin  e shkollës shqipe, mundësitë dhe përparësitë që ofron mësimi në gjuhën amtare suksesi nuk mungon. Por thjeshtë nevojitet më shumë punë, më shumë angazhim me prindërit, veçanërisht me prindërit e gjeneratës së dytë apo të gjeneratës së tretë. Në anën tjetër institucionet zvicerane na ndihmojnë shumë veçanërisht në shfrytëzimin  e klasave. Pra mësimi zhvillohet pasditeve nëpër klasat e mësimit të rregullt të shkollave zvicerane.  

MESAZHI  PATRIOTIK PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA   

Mërgata shqiptare është  njëjtë. Qoftë në ShBA, në Zvicër, në Gjermani… Shqiptarët janë pothuajse ata, të cilët kanë qenë dhe janë në vendlindje. Ata e duan shumë atdheun pavarësisht se nga vinë dhe ku janë vendosur, ata kanë sakrifikuar dhe sakrifikojnë shumë për atdheun. Tani është koha që të investojnë më shumë për fëmijët e tyre. Prandaj unë kam këtë mesazh për të gjithë mërgimtarët, që para se të jetë mesazh patriotik është mesazh njerëzor. Gjuha është shenjë e identitetit kombëtar. Pa njohjen e gjuhës amtare nipat dhe mbesat, që po lindin dhe po rritën larg atdheut nuk munden të merren vesh në gjuhën e nënës me Atdheun. A ka më keq si një shqiptar të mos mundet me u marrë vesh në gjuhën amtare me gjyshin, me gjyshen apo me farë e fisin. Dikur gjuhën shqipe e ruanim para syve të armikut, tani nuk kemi kurrfarë arsye për ta humbur.  Kjo plagë, e cila po përhapet me shpejtësi nga dita – ditës është shumë e rëndë. Ata të cilët humbin gjuhën amtare, e pranuam sot apo e pranojmë nesër do ta harrojnë edhe atdheun. Dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë sepse ne që jetojmë në shtetet demokratike si në ShBA apo në Zvicër i kemi të gjitha mundësitë për ta ruajtur dhe mësuar gjuhën e nënës- gjuhën shqipe.  

VAXHID SEJDIU DHE KONTRIBUTI I TIJ PATRIOTIK PËR HAPJEN E SHKOLLAVE SHQIPE NË ZVICËR

Nuk e kam kursyer veten në këtë drejtim. Që nga ditët e para të formimit të shkollave të para shqipe jam munduar të jap ndihmesën time. Por, më konkretisht, më 1999 u zgjodha kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit. Që nga viti 2003 dhe deri me sot jam kryetar i Këshillit të Arsimtarëve të LAPSH-it “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit. Kam punuar më se dy dekada në shkollat shqipe të Buchs-it, Sevelen-it, Unterterzen-it, Mels-it, Flumsit, Ëalenstadt-it, në pikat shkollore të kantonit të Glarusit: në Niederurnen, Mitlödi, Netstal dhe  Glarus, dhe në pikat shkollore të Birr-it, Neuenhof-it dhe të Spreitenbach-ut të kantonit të Argaut. Gjatë vitit shkollor 2019-2020 kam punuar dhe punoj në pikat shkollore në Flums, Neuenhof, Spreitenbach, si dhe në Uster,në Regensdorf, në Volketsëil dhe në Rüti, të Kantonit të Cyrihut. Gjatë vitit shkollor 2019-2020 dhe po me këtë intensitet edhe në këtë vit shkollor 2020/21, së bashku me mësuesit dhe veprimtarët e Shkollës Shqipe arritëm të hapim dhjetëra shkolla me mësim në gjuhën shqipe, në kantonin e Cyrihut, Luzernit, Schaffhausen-it etj., duke themeluar një rrjet të suksesshëm të shkollave shqipe në Zvicër.  

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Vaxhid Sejdiu, Sokol Paja, zvicer

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 37
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT